"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, December 17, 2008

Një Sude në Wall Street.

Financa e Mollës e paskësh patur krimbin brenda. Dhe jo një dokudo krimb por administratorin e shquar Bernard Madoff, ish-Presidentin e Këshillit Administrues të NASDAQ. Kujt i kish shkuar ndër mend se ky investues gjenial, nga më të ndriturit e planetit, kish ngritur më këmbë një sistem " piramide financiare " të denjë për Suden ? Sigurisht jo banka të tilla si Santander apo HSBC, BNP Paribas, Natixis apo BBVA, kompani sigurimesh si AXA dhe së fundi klientë privatë si Fred Wilpon apo Spielberg… të cilat i kishin besuar mashtruesit Madoff shumën astronomike prej 50 miliardë dollarësh.
. Hajde-dé parallinjtë privatë profanë që nuk dinë sa para kanë dhe ku i venë, mirë bankierët " amatorë " spanjollë dhe francezë në kërkim të një rendimenti të shpejtë, por edhe bankierët " profesionalë " sviceranë të kenë qenë kaq naivë sa që të investonin rreth 5 miliardë dollarë në operacionet e Investment Securities LLC që premtonte deri 17% interes në vit ? Ende nuk kanë kuptuar këta asër të financës që ju premtojnë kursimtarëve 3-4% interes në vit dhe që " investojnë " paret e këtyre të fundit në skemat spekullative me 10-17%, se të tilla transaksione jo vetëm shkojnë ndesh me çdo etikë, por edhe me çdo logjikë – duke përfshirë edhe teorinë e rrezikut ?
.
. Po ai i famshmi xhandar bursier njujorkez SEC (Securities and Exchange Commission) ku i ka patur sytë, përderisa Madoff kishte vite të tëra që ushtronte këtë aktivitet ? U desh pikërisht kriza financiare që klientët e trembur të trokisnin në derën e fajdexhiut… dhe të zbulonin me llahtari që kasa ishte bosh. Pasi nën shembullin e " faraonëve " shqiptarë të viteve të demokracisë anarkike berishjane, edhe ndërtuesit amerikanë të piramidave përdorin të njejtën skemë : interesat e të parëve paguhen me paratë e të dytëve, në pritje të të tretëve që herët a vonë do të ndillen nga interesa të tillë marramendës. .
.
. . * * *
.
.
. Sikundër dhe Sudja jonë kombëtare, Bernard Madoff i përket kategorisë së autodidaktëve. Roja i dikurshëm i plazhit në Long Island, administratori rijosh i një shoqërie me kapital 5.000 dollarë në vitin 1960, arriti të bëhej përfaqsuesi më në zë i investuesve të Wall Street-it bile edhe drejtues i NASDAQ, përpara se të rrënohej përfundimisht nga shembja e sistemit mashtrues – në pritje të një gjykimi që mund të syrgjynosë për 20 vjet në ato burgjet aq komode amerikane, qoftë edhe një gjysh 70 vjeçar si puna e tij.
.
. Nuk më brengos aspak fati i një fallxhoreje lagjeje si Sudja apo i një magjistari bursier si Madoff, sikundër nuk më shqetësojnë gjëkund telashet e bankierëve francezë dhe spanjollë që sidoqoftë, duhet të japin llogari për akrobacitë e tyre financiare përpara kursimtarëve të rrënuar. Ajo çka më intrigon së pari është pikërisht ai kufiri thuaj i padukshëm që ndan aktivitetin ligjor të një banke të ndershme nga transaksionet e jashtëligjshme të një ofiçine të tillë mashtruese.
. A thua të jetë vetëm përqindja e interesit të praktikuar ? apo lloji i klientëve të mashtuar ? pasi edhe banka paguan interesat e klientëve të rëndomtë me paret e të tjerëve po aq të rëndomtë, sikundër shkon dhe i investon paret që i janë besuar në bursat e Madoffit. A egziston ndonjë bankë në botë që nuk falimenton në se ushtria e klientëve të saj i vjen në derë për të kërkuar paratë e depozuara ?
.
. Së dyti, pyes vehten lidhur me mjedisin politiko-ekonomik që favorizon lindjen dhe lulëzimin e ndërmarrjeve të tilla. Në këtë pikë të debatit, të gjithë ekspertët e ekonomisë dhe të tjerë politilogë janë të të njejtit mendim :
. - ato krijohen në kushtet e një lloj euforie ekonomike, të nxitur nga masa të konsiderueshme parash në qarkullim,
. - për t’u mbajtur më këmbë, ato duhet të ngjallin besimin e depozituesve si edhe mirëkuptimin e institucioneve financiare,
. - për të funksionuar, ato duhet të gëzojnë tolerancën e fajshme të autoriteteve, të cilat nuk ushtrojnë instrumentat e kontrollit,
. - ato shemben nga rrethana egzogjene – krizë ekonomike, instabilitet politik – duke shkaktuar në rastin ekstrem deri në trazira sociale..
.
. Besim i verbër, tolerancë e fajshme, mosushtrim i instrumentave të kontrollit – çka duhet më tepër që Shteti, qoftë edhe ai demokratik të marë përsipër përgjegjësitë që janë të tiat ? Pasi përtej parave të avulluara në natyrë, ai duhet të rivendosë ekuilibrin ekonomik, pa folur më tej për " pagesën " e faturës sociale që sipas problematikës specifike të vendit, rrezikon të jetë fort e shtrenjë. Mjafton të kujtojmë përvojën e llahtarshme shqiptare të vitit 1997 !
.
.
. * * *
.
.
. Ç’lidhje kanë pehlivanllëqet e Madoffit me trazirat shqiptare të kursimtarëve të rrënuar ? Asnjë lidhje, përveç paraleles së vetvetishme me jevgën Sude apo me kapterin Alimuça. E megjithatë, sebepin m’a dha vetë Kryeministri Berisha, të cilit s’i ndenji shpirti pa ju rikthyer asaj përgjegjësie deri sot jetime, gjatë ceremonisë festive me rastin e 18 vjetorit të themelimit të PD-së së tij të dashur :
.
. " Partia Demokratike duke njohur përgjegjësitë e saj të plota për tolerimin e skemave piramidale dhe krizën financiare që ato sollën, mori vendimet që për të shmangur një konflikt të gjerë civil të dorëzonte pushtetin. Ajo ju deklaroi shqiptarëve se qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale dhe se një borxh që nuk ishte marrë nuk mund të njihej, nuk mund të kthehej ".
.
. Për cila përgjegjësi të plota e ka fjalën Kryeministri dhe përse duhet t’i shkruajë ato në defterin e Partisë Demokratike, ndërkohë që ai ishte Presidenti dora vetë – njeriu më i fuqishëm i vendit - dhe si i tillë mban përgjegjësi personale të drejpërdrejtë ? Aq më tepër që shprehja " përgjegjësi " - qoftë edhe " e plotë " - i bie më mirë të lakohet me plotësin " tolerim i fajshëm " ? A ka harruar ai vallë se biznesmenët-faraonë të llojit Alimuça i rrinin qëmoti në krah gjatë mitingjeve ? që i financonin fushatat e tij elektorale ? Si mund të pretendohet që " qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale " ndërkohë që paratë " e pastra " të biznesit piramidal kalonin natën në kasafortat e Bankës së saj të Shtetit ? ndërkohë që ato firma ishin motori i vetëm ekonomik i vendit ? Si mund të thuhet që " nuk i ka asnjë borxh shqiptarëve " ndërkohë që nuk pranoi të dëgjonte këmbanat e alarmit që vinin nga bota mbarë dhe që e paralajmëronin për iminencën e katastrofës ? kur ajo " kriza financiare " siç e quan ai ishte në të vërtetë një katastrofë kombëtare që shkaktoi me mijra të vrarë dhe rrënimin e vendit ?
.
. Duke përjashtuar të pamundurën – demagogjinë politike dhe retorikën e zbrazët në prag zgjedhjesh - mes të gjitha varianteve të imagjinueshme, vetëm dy mund të qëndrojnë më këmbë : ose Kryeministri i sotëm Berisha nuk mban mend se ç’ka bërë Presidenti i dikurshëm Berisha, pra ai është amnezik ; ose, Kryeministri i sotëm Berisha nuk është në gjendje të nxjerrë asnjë mësim të vlefshëm nga kaluara e hidhur, pra ai është thjesht një amator në politikë. Me pak përpjekje, "sëmundja" e fundit edhe mund të kurohet me përvojën e sotme amerikane. Të paktën amerikanët kuptuan se fenomenet e llojit Madoff mund të riçfaqen pas kaq-e-kaq vjetësh, paçka se gjithkush njihte historinë thuaj të pabesueshme të Ponzit. Sa për variantin e parë - amnezinë, të na rrojë Sudja, bile të gjejmë portretin e saj dhe t'a vemë në kornizë. M'a merr mendja se edhe sot e kësaj dite, ajo dhe sorollopi i saj ende i falen dhe i ndezin qiri demokracisë berishjane. Në ç'kushte të tjera, të tillë individë të dalë nga hiçi do të mund të mashtronin popullin aq të talentuar, të mençur, të urtë dhe puntor shqiptar ?

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur