.

.
. Tjetër punë që, nëpërmjet një marrëveshjeje reciproke shkrimi i im sikundër ai i Civicit « botohen » në faqet e « Peshkut pa Ujë », një blog kolektiv shqiptar, ku sigurohet një tjetër kontakt me publikun e gjerë, ku shprehet mendimi i lirë i të interesuarve dhe ku fokusohet vështrimi i të mësuarve… Në këtë pikpamje, « Peshku pa Ujë » luan rolin e një stende publike afishimi – megjithëse virtuale - ku gjithkush lexon shkrimin që i intereson, shpërfill një tjetër dhe përfundimisht, mund të lerë shënimin e tij personal, mesazhin e tij aprovues apo kritik – bile edhe përçmues.
.
.
. * * *
.
.
. Cila ishte përmbajtja e shkrimit tim « Kapitalizmi dhe demokracia.. për ne, naivët. » ? Fillimisht, konstatimi i një ngjashmërie binjake mes « Zgjedhjes së vështirë.. » dhe një teksti tjetër, kësaj here në frëngjisht : « Démocratie et capitalisme : séparation des jumeaux », të një farë bullgari nga Sofja. E megjithatë, do të ishte naive të mendohej se interesi i shkrimit në fjalë kufizohej në këtë temë kaq të rëndomtë, aq më tepër kur – si njeri edhe tjetri – ngrenë një problem esencial, ai i ambivalencës mes demokracisë dhe kapitalizmit – karakteristike e mendimit liberal perëndimor. Të kuptohemi drejt, nuk kam asgjë kundër bashkëjetesës së këtyre dy koncepteve – aq më tepër kur kjo bashkëjetesë është e suksesshme. Vetëm se nuk mund të pranoj idenë e binjakëve, sikundër dhe mënyrën disi sofiste të vendosjes mbi të njejtin rrafsh gjykimi të dy koncepteve sociologjike jo të barazvlerëshme. Me fjalë të tjera, kapitalizmi ka egzistuar edhe jashtë sistemit të vlerave demokratike sikundër demokracia nuk ka patur nevojë për kapitalizmin të lindë qoftë si koncept qoftë edhe si praktikë… në Greqinë e Platonit dhe të Demokritit.
.
. Elementi i dytë që i nënshtrohet gjykimit dhe i çelet debatit është procesi i tranzicionit të vendeve ish-komuniste, gjithmonë i kqyrur në optikën e çiftit kapitalizëm-demokraci. Divergjenca e pikpamjeve me z. Civici më shtyu të jap vlerësimin tim ndaj këtij procesi dhe me këtë rast, të shprehem se deficiti demokratik i konstatuar pas 17 vjet përpjekjesh dhe sorollatjesh është pikërisht pasojë e mënyrës naive të konceptimit së këtij procesi nga vendimmarrësit dhe e kqyrjes po aq naive nga ana e ekspertëve. Pa harruar edhe binjakëzimin mekanik të koncepteve dhe praktikave. E thënë ndryshe, megjithë karakterin e tij që rrethanat e sugjeruan si të pashmangshëm, kalimi nga socializmi shtetëror në kapitalizmin privat nuk është aspak i mjaftueshëm për të siguruar lulëzimin e demokracisë. Shëndeti i saj do të mbetet gjithmonë i brishtë në se lihet vetëm në duart e aktorëve politikë lokalë, të tërhequr nga interesat e tyre partiake ose vetiake që shkrihen aq natyrshëm në kontekstin kapitalist.
. Përfundimisht, ky shkrim tërhoqi vëmendjen e një numri fort të kufizuar komentuesish – si edhe vështrimin e zbavitur një numri të papërcaktuar spektatorësh, të cilët prisnin vijimin e ngjarjeve… deri sa u çfaq një hienë e ckërmitur si puna e Temës. Pa asnjë dyshim, e ndjellë nga aroma e skandalit.
.
.
. * * *
.
.
. Përse një gazetë si puna e Temës qaset dhe përzihet në një debat të tillë ? Aq më tepër kur asaj nuk i intereson aspak tema e demokracisë dhe e kapitalizmit, apo qoftë diskutimi mbi tranzicionin - përderisa prezanton një fragment të mjerë, gjysma e të cilit është në gjuhën e Molierit ? Apo kërkon të mbrojë lexuesit e saj nga ndonjë krizë patretshmërie intelektuale, duke ju shkaktuar dashur-padashur një agresion të nervit optik ? Ç’element tjetër joshës përveç skandalit potencial motivon atë palo gazetari, i cili nga e gjithë kjo çështje ka mbajtur mend rektorllëkun e njerit apo imazhin e tij publik ? Busulla e etikës profesionale të të cilit i lejon veçse të gjejë rrugën deri tek pazari i Peshkut dhe e pengon të shohë shitësin e vërtetë, atë që gjendet prapa tezgës ?
.
. A mjafton të citosh adresën e tregut që të tjerët të mendojnë që nuk e ke vjedhur mallin ? Ç’emër tjetër – përveç mospërfilljes së plotë të të drejtës së autorit - meriton ky veprim, kur kjo fletushkë-tabloïd që e mban vehten për gazetë boton një shkrim, pa marë mundimin t’i kërkojë leje artikullshkruesit ? Dhe për më tepër, guxon dhe e qeth atë shkrim sipas dëshirës – duke e kaluar për një koment të një lexuesi të indinjuar apo të një internauti të lumtur që ka bërë një « zbulim » të madh ? Zaten, duhet të kesh guximin e Temës për të demaskuar një plagjiaturë me metoda të tilla, të denja për kusarin ; të kryqëzosh dikë në shtyllën e turpit dhe t’ja rrëfesh me gisht turmës mediatike gojëhapur, pasi ke lidhur pas hurit ndërgjegjen profesionale.
.
. Të keqen e gazetave të qëmotshme që në epokën e primitivizmit komunist, të prera në copa katrore dhe të ngulura në gozhdë, të paktën lehtësonin nevojat intime të lexuesve ! Sot, në erën e internetit dhe të papier toilette à triple épaisseur, simotrat e tyre të pavarura apo të lira nuk vlejnë as për të mbledhur zorrët e Peshkut !
0 comments:
Post a Comment