"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, December 22, 2008

1991-92: fundi i një epoke.

.
. Në prag të përplasjes së parë elektorale „pluraliste" të vitit 1991, të vetmet forca që rrezatonin nga një entusiazëm i pabesueshëm ishin ato të opozitës. Megjithatë, ato gjendeshin përpara një detyre me përmasa të pamatshme, marrjen e pushtetit, duke patur si elementë pozitivë vetëm premtime – shpresën e një jete të re më të mirë, projektet e kthimit drejt pronës private, objektivat e afrimit me vendet e Evropës perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë kësaj opozite i duhej të përballonte peshën e një egzistence embrionare si edhe të papërvojës në çështjet e drejtimit ekonomik. Të gjithat rrymat dhe tendencat e saj përgatiteshin ethshëm për betejën e ardhshme : prilli po afronte dhe asgjë nuk ishte e sigurt. Në 20 shkurt, qeveria Çarçani dha dorëheqjen dhe në vazhdim, Presidenti Alia ngarkoi Fatos Nanon, një ekonomist që ende s’i kish mbushur të dyzetat, për të krijuar qeverinë e re.
.
. Si për inat të kundërshtarëve të tij, komunisti i moderuar Fatos Nano mundi të realizonte objektivat e tij të para. Ai krijoi një ekip të ri ministror prej njëzet e pesë fytyrash krejt të reja dhe paraqiti programin e tij politik dhe ekonomik përpara Kuvendit Popullor. Duke përshkruar një tabllo krejt të zezë të ekonomisë kombëtare – pasojë e drejtpërdrejtë e sistemit tepër të centralizuar dhe të planifikuar, ai bëri thirrje për privatizime masive dhe të shpejta si edhe për reformim radikal të sistemit, me qëllim përgatitjen e kalimit drejt një ekonomie të tregut, duke tejkaluar në këtë mënyrë projektet e rivalëve të tij demokratë. Por përpara murit të pakapërcyeshëm të vështirësive të përditshme, programi i qeverisë Nano u mblodh në një grusht dhe përfundoi në një rresht të vetëm : administrimi i krizës së thellë dhe vendosja e rregullit në mes të kaosit.
. Në të vërtetë, atij i duhej të merrej në rradhë të parë me shpërndarjen e ndihmës humanitare që qeveritë evropiane – me italjanët në krye – u ngutën të dërgonin në Shqipëri, në shkëmbim të vënies nën kontroll të fluksit të pashterrur të emigrantëve. Kjo ndihmë do të kthehej një një gjyle të rëndë, të mbërthyer në këmbën e Nanos, pasi i akuzuar për shpërdorim të saj ai do të përfundonte në qelitë demokratike vetëm disa muaj më vonë. I vetmi gjest zemërgjerësie i qeverisë Nano qe amnistia e përgjithshme e të burgosurve politikë dhe atyre të opinionit. Në muajin mars të vitit 1991, mbi 3.000 të burgosur të këtyre kategorive u liruan dhe u autorizuan të ktheheshin në vatrat e tyre.
. Zgjedhjet legjislative, të parat që mund të quheshin pluraliste që prej vitit 1920, u zhvilluan sipas parashikimit : turi i parë në 31 mars dhe turi i dytë në 7 prill, nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare. Rezultatet nuk linin vend për asnjë dyshim : PPSH i fitoi zgjedhjet krejt bindshëm (shënimi 1). Nano u ngarkua rishtas të formonte qeverinë e re. .
. . Fakti në vetvehte ishte dërrmues. Megjithë kaosin e prekshëm dhe çorganizimin e plotë – argumenta që diskreditojnë deri-diku tezën e një fushate frikësimi të ndërmarë nga ana e PPSH, megjithatë aq shumë të përfolur nga ana e opozitës – zgjedhjet e mars-prillit të vitit 1991 ju siguruan komunistëve shumicën absolute në parlament. Kjo u bë e mundur kryesisht nëpërmjet votës së fshatit ku ndikimi i komunistëve mbetej mbizotërues, së bashku me traditën e së kaluarës, frikën dhe mosbesimin ndaj demokratëve. Nga ana e saj, PPSH u aplikua me metodë dhe deri në momentin e fundit : duke zotëruar praktikisht të gjitha mjetet e informacionit si edhe fondet e nevojshme, ajo orientoi fushatën e saj pikërisht drejt fshatarësisë që përbënte rezervën e saj të vetme. Ajo u mundua njëkohësisht të mbipopullonte pejzazhin politik të vendit : nën frymëzimin e saj të drejtpërdrejtë, u krijuan një varg partish satelite siç ishte rasti i Partisë së Progresit, të cilat u turrën menjëherë në garën zgjedhore. Të gjitha këto formacione politike, duke përfshirë edhe Bashkimin e Veteranëve të Luftës – një tjetër krijesë ad hoc e PPSH, shërbyen për të shpërndarë dhe thërmuar votat e elektoratit, duke ndihmuar kështu në disfatën e Partisë Demokratike.
. Sidoqoftë, disfata e kësaj të fundit ishte më se e nderuar. Vetëm tre muaj pas krijimit, ajo mundi të grumbullonte nën flamurin e saj rreth 40% të elektoratit, në mënyrë të veçantë qytetarët. Presidenti Alia dora vetë nuk mundi të zgjidhej në zonën e tij elektorale të kryeqytetit, i mundur nga një kandidat demokrat krejt i panjohur. Megjithatë, shija e disfatës mbetej mjaft e hidhur pasi njerëzit filluan të kuptonin se në të vërtetë, beteja për demokracinë sapo kish filluar.
.
. Përfundimisht, rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin të natyrës që të qetësonin njerëzit, më mirë të themi, të mund të siguronin atë pjesë të popullatës që konsideronte vetvehten si motorin e ngjarjeve të janar – shkurtit të vitit 1991. Ato nuk mund të kënaqnin as vetë opozitën të cilës i duhej të priste tashmë vite të tëra në hije. Ja pra si u krijua ndjenja e pakëndëshme që ajo ishte përcjellë me duar bosh, që fitorja i kishte hikur duarsh për shkak të një ndeshjeje aspak të ndershme. Kjo përshtypje poshtërimi, e zmadhuar si rezultat i përpjekjeve të paprera të gjithë atyre forcave të brendshme dhe të jashtme, kundërshtare ndaj idesë së rikthimit të komunistëve në pushtet - dhe ç’është më e keqja me forma ligjore, përcaktoi edhe rrugën që duhej ndjekur në vazhdim. Gjithnjë e më tepër filluan të dëgjoheshin zhurma dhe pëshpëritje sipas të cilave, ishte duke u përgatitur një skenar " alla bullgar " (shënimi 2). Në të vërtetë, gjatë periudhës mes dy tureve të zgjedhjeve, një varg trazirash shpërthyen në Shkodër ku trupat speciale të qeverisë Nano qëlluan mbi demonstruesit që protestonin përpara selisë lokale të PPSH, duke vrarë tre vetë. Në shenjë proteste, Partia Demokratike e cila kish mundur të siguronte ndërkohë mbështetjen e një pjese të sindikatave profesionale, urdhëroi shpalljen e një greve të përgjithshme në 6 prill, e ndjekur masivisht nga klasa puntore dhe e mbështetur gjerësisht nga opinioni publik.
.
. Deputetët e porsazgjedhur, të mbledhur në seancën plenare, filluan debatet në një atmosferë të stuhishme, i vetmi epitet që karakterizon fund e krye punimet e Kuvendit të ri. Megjithatë, gjatë egzistencës të tij të shkurtër, Kuvendi mundi të përpunojë disa dokumenta qenësorë të demokracisë së re. Një nga detyrat e tij të para ishte të fshinte epitetet " popullore " dhe " socialiste " të shartuara mbi emrin e Republikës gjatë viteve të diktaturës. Tashmë e tutje, vendi duhej të kënaqej me një emërtim të përkorë - Republika e Shqipërisë. Përtej etimologjisë, bëhej fjalë për të shëndrruar natyrën e Shtetit i cili me këtë rast kthehej në parlamentar, garant i lirive themelore të qytetarëve dhe i ndarjes së pushteteve. Kuvendi popullor vendosi gjithashtu zvogëlimin e numrit të deputetëve si edhe rimëkëmbjen e funksionit të Presidentit të Republikës si Kryetar i Shtetit, funksion i hequr nga fjalori kushtetues shqiptar në vitin 1928, me rasti e shëndrrimit të Republikës së Presidentit Zog në monarki të Mbretit Zog i Irë. Ç‘është e vërteta, gjatë periudhës së Republikës së IItë komuniste, roli i Presidentit të Republikës përmbushej nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me funksione thjesht simbolike, i ushtruar përgjatë tridhjetë vjetësh nga Haxhi Lleshi, një veteran i Luftës Nacional-Çlirimtare. Vetëm në vitin 1982, Sekretari i Parë i PPSH, Ramiz Alia u zgjodh - pêr tê mos thënë u vetëzgjodh - President i Kuvendit Popullor dhe gradualisht ai rigjeti atributet " klasike " të Kryetarit të Shtetit.
.
. E pra, gati dhjetë vjet më pas, pikërisht po ky Ramiz Alia u paraqit si kandidat i vetëm i shumicës për postin e Presidentit të Republikës, duke helmuar përfundimisht atmosferën politike të tendosur tej mase Megjithë disfatën personale gjatë zgjedhjeve dhe falë votës të deputetëve komunistë, Ramiz Alia rigjeti fronin e tij të presidentit, ndërkohë që hiqte dorë nga vendi i Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH. Opozita e priti këtë gjest si një provokacion të hapur. Në 16 maj, një grevë e re e përgjithshme paralizoi transportet dhe industrinë e vendit. Dalja masive në rrugë e klasës puntore si edhe braktisja e vendit nga disa mijra vetë të tjerë, me anë të anijeve turke, greke ose ruse i dhanë edhe grushtin e fundit dominimit të partisë komuniste. Në 5 qershor, qeveria Nano dha dorëheqjen dhe disa ditë më vonë, në 11 qershor, ajo u zëvendësua nga një qeveri e Stabilitetit, e krijuar me teknokratë. Në gjirin e qeverisë së re, të drejtuar nga komunisti i moderuar Ylli Bufi, opozita demokrate (PD) dhe ajo republikane (PR) ndante kolltuqet me komunistët e PPSH dhe me aleatët e saj social – demokratë (PSD) dhe agrarë (PA) – një ngjarje e pashembullt për një qeveri shqiptare që prej fundit të luftës së Dytë botërore. Shqipëria hynte kështu në një zonë turbulencash të forta politike dhe për sejcilin skema ishte krejt e qartë : tashmë, rruga zotëronte mjetet e nevojshme për t’ju imponuar qeverisë dhe kjo zgjidhje bashkëjetese përbënte hapin e parë drejt marrjes përfundimtare të pushtetit nga ana e Partisë Demokratike.
.
. Ndërkohë, plaçkitja sistematike e vendit bënte kërdinë. Cili ishte qëndrimi i opozitës së re përballë shpërthimit popullor ? E rezervuar deri në prag të zgjedhjeve, ajo u kthye në tejet agresive menjëherë pas shpalljes të rezultateve. Fjalimet e saj njëkohësisht ultra liberale dhe radikale përmblidhnin në vetvehte presionet ndaj qeverisë dhe thirrje pothuaj të hapura për të thyer strukturat e vjetra, të trashëguara nga e kaluara komuniste, duke kërcënuar vazhdimisht me forcën e manifestimeve të rrugës. Fjalët dhe shprehjet e përdorura nga këta opozitarë të flakët, një pjesë e të cilëve të sapolarguar nga rradhët e PPSH ndërkohë që pjesa tjetër dilte nga qelitë e rregjimit të vjetër, s’bënë gjë tjetër veçse ndezën urrejtjen, ngritën në sipërfaqe të shprehjes popullore ndjenja armiqësore të cilat populli i kish fshehur në fund të ndërgjegjes të tij përgjatë një gjysëm shekulli. Mjafton të përmendim atë thirrje proverbiale të njërit prej liderëve të demokracisë të porsalindur, me anë të të cilës ai ftonte popullin të priste nga rrënjët deri edhe drurët frutorë, këto " lidhje të urryera " me një epokë tashmë të shkuar. Turmës i bëhej thirrje në mënyrë të vazhdueshme për të vërejtur humnerën që e ndante nga bota e qytetëruar perëndimore, shtrirjen e fatkeqësisë materiale në të cilën e kish zhytur rregjimi i vjetër ose së fundi, peshën e shtypjes ose të krimeve nën të cilën ai kish jetuar përgjatë viteve të diktaturës.
. Të pandërgjegjshëm dhe ndoshta të papërgjegjshëm, liderët demokratë vunë në lëvizje një mekanizëm djallëzor i cili do t’i bluante edhe ata vetë disa kohë më vonë : nxitja drejt aksionit e masave popullore të cilave ju mungonin pikat e orientimit, të brishtëzuara nga vuajtjet dhe të mbërthyera nga ankthi, egzaltimi i ndjekur nga instrumentalizimi politik i turrit të tyre shkatërrimtar. Të ndërtohej e ardhmja, me anë të manipulimit të frikës dhe të fantazmave kolektive, ja edhe platforma e " kontratës sociale " e propozuar nga demokratët në vitin 1991.
. E interpretuar në rastin më indulgjent si një vullnet popullor për të hedhur tej çdo gjë që kish të bënte me të kaluarën, kjo dhunë sistematike, viktimat e vetme të të cilës qenë idolatria e pushtetit dhe pasuria kombëtare, tejkaloi çdo parashikim dhe çdo objektiv paraprak. Në qoftë se kjo lëvizje spontane që i hapi rrugën shprehjes primare popullore i shërbeu çështjes, në rradhë të parë pasi afroi atë " vit zero të demokracisë " aq të dëshiruar, ajo vazhdoi të shkaktonte dëme të mëtejshme edhe gjatë vitit 1992 për të mos thënë edhe gjatë vitit 1993. Pa asnjë dyshim, kjo gjë e vuri ekonominë shqiptare në një gjendje invaliditeti të vazhdueshëm, duke e zhveshur vetë klasën politike të vendit nga mjetet e nevojshme financiare dhe zgjidhjet ekonomike adekuate për të siguruar zhvillimin e shoqërisë.
.
. Përplasja e hapur mes forcave politike lokale, megjithë faktin që ato ndodheshin rreth tryezës qeveritare, mbërtheu gjithë skenën e përditshme dhe u kthye në një nga argëtimet kryesore të popullatës. Tashmë, turra e të ikurit nga sytë këmbët po shëndrrohej në tërbim të debatit politik. Të ngërthyer mes politikës dhe ikjes, në mes të gërmadhave të shembjes së komunizmit dhe atyre që kishin krijuar vetë nëpërmjet çmëndurisë shkatërruese, njerëzit nuk punonin më dhe vendit i mungonte çdo gjë, duke filluar nga buka e përditshme. Nga ana tjetër, Kryeministri Bufi qe aq i pakujdesshëm sa t’a deklaronte këtë gjë publikisht, duke shkaktuar një rendje të përgjitshme drejt magazinave ushqimore. Njerëzit sulmuan furrat e bukës, dyqanet ushqimore deri edhe depot e rezervave të shtetit të cilat, të zhveshura fillimisht nga mallrat dhe prodhimet e tyre, u zhveshën edhe nga çdo mobilje të brendshme, përpara se të thyheshin dhe të plaçkiteshin deri edhe në nivelin e tullave. Vendi u gjend kështu përballë një katastrofe ushqimore nga e cila ai doli falë ndihmës urgjente prej 2 milionë ekush të dhënë nga Bashkësia Evropiane. Dy vendet më të interesuara, Greqia dhe Italia, e kushtëzuan ndihmën me kontrollin e flukseve të emigracionit dhe për të siguruar transportin dhe më tej shpërndarjen e saj në vend, Italia sugjeroi idenë e përdorimit të trupave të saj ushtarake : kështu lindi operacioni " Pelikan " (shënimi 3). Sikundër dhe pararendësja e saj, qeveria e Stabilitetit Kombëtar të Bufit u shëndrrua në ndihmës-përgjegjëse e shpërndarjes të pakove me ushqime dhe në administratore e krizës. Forca kryesore politike e vendit, PPSH, e kapi menjëherë kuptimin e situatës politike dhe mësimet e zgjedhjeve parlamentare. Baza e saj e gjerë elektorale tregonte të gjitha shenjat e thërmimit të saj të ardhshëm nën presionin e vazhdueshëm të demokratëve, konjuktura ndërkombëtare paraqitej krejt e pafavorshme dhe e kaluara e saj mbetej një barrë tejet e rëndë. Kështu, asaj ju desh të kryente një shëndrrim të thellë të brendshëm për të përballuar betejën e ardhshme për pushtetin. Në 12 qershor 1991, PPSH organizoi Kongresin e saj të Xtë, i cili jo vetëm vendosi të ndrronte emrin e partisë njëkohësisht me ripërtëritjen e të gjithë organeve të saj drejtuese, por edhe të përpunonte platformën e saj të re politike bashkë me strukturën organizative. Sipas modelit të përsosur nga partitë e tjera të botës së vjetër komuniste dikur në pushtet, partia u zhvesh nga të gjitha referencat leniniste dhe nga konceptet tashmë të panevojshme të diktaturës së proletariatit, të luftës së klasave, të centralizmit demokratik si dhe të hegjemonisë së klasës puntore. Vetë Presidentit Alia ju desh të bënte autokritikë dhe në cilësinë e përfaqësuesit të të kaluarës, ai mori mbi vehte një pjesë të gabimeve të komunizmit. Përfundimisht, Kongresi shpalli shpërndarjen e PPSH.
.
. Pa asnjë dyshim, hupësi i madh i këtij tubimi të përgjithshëm ishte Ramiz Alia. I sulmuar pa mëshirë nga opozita si përgjegjës i shtypjes policore të manifestimeve të shkurtit 1991, ai nuk u kursye aspak edhe nga kampi i tij, pjesa konservatore e të cilit i kërkonte llogari lidhur me arsyet e brendshme që e shtynë për t’i hapur udhën demokratizimit të vendit ndërkohë që pjesa liberale e quante si një gërmadhë të të kaluarës, që pengonte pikërisht hapjen e kësaj rruge. Shqelmimi i Presidentit u shëndrrua për shumë ish-komunistë në një ushtrim stili : zaten, vështirë se mund t’i shpëtohej tundimit për t’i dhënë atë goditjen e fundit proverbiale të gomarit ndaj një luani dikur të frikshëm, të cilit i kishin rënë tashmë dhëmbët. Ndoshta nga që sejcili kërkonte me ngulm " udhën e tij të Damaskut " që çonte drejt gjetjes të të vërtetës personale. Sidoqoftë, gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 1991, në mes të asaj fushate sulmesh ndaj figurës së tij, gjatë një inteviste televizive Alia dënoi pa asnjë rezervë grushtin ushtarak të Shtetit, të organizuar nga konservatorët kundër Mikail Gorbaçevit. Duke dalë kështu në mbrojtje të mentorit të tij politik sovjetik, ai i mbeti besnik imazhit të tij prej reformatori.
.
. E dalë nga Kongresi i Xtë, Partia Socialiste e drejtuar nga Fatos Nano ruante bazën shoqërore të PPSH, magjithë faktin që puntorët si dhe një pjesë e madhe e intelektualëve kishin dezertuar rradhët e saj në mënyrë masive. Partia e re afirmohej si një forcë e re politike që kërkonte vendosjen e demokracisë dhe të drejtësisë shoqërore në Shqipëri, duke ndjekur rrugën parlamentare dhe respektuar rregullat demokratike. Ajo pranoi bile edhe parashikoi të kthehej në një forcë të opozitës, në qoftë se ngjarjet e ardhshme do t’a impononin këtë gjë. Megjithë këto fakte dhe pohime, mjaft çështje mbeteshin vjerrë dhe në rradhë të parë, ajo e likuidimit të PPSH, partisë së saj " mëmë ". Arkivat, financat si edhe shtypi u integruan menjëherë dhe pa asnjë çfaqje brenge në gjirin e establishementit të ri, ndërkohë që komunistët e dikurshëm – fondi njerëzor i partisë – u " ftuan " të bënin pjesë në PSSH. Në praktikë, sendet ishin edhe më të thjeshta pasi, bile pa ju marrë mendimin njerëzve, ata u gjendën të rregjistruar pothuaj automatikisht në listat e reja socialiste. Kjo mënyrë e përthithjes të trashëgimisë së vjetër dhe veçanërisht, mungesa e një gjuhe të kjartë dhe të një fjale të hapur ndaj dënimit të të kaluarës komuniste, neveriti jo pak njerëz dhe cënoi për një kohë të gjatë aktivitetin e PSSH.
.
. Përballë saj gjendej Partia Demokratike në lulëzim të vërtetë. Gjithçka tjetër përveç të qënit një trup homogjen, kjo parti përfaqësonte një grupim tendencash dhe rrymash politike, parrullat kryesore të të cilave ishin demokraci dhe pushtet. Lidhjet e brendshme të saj mbeteshin të dobëta dhe siguroheshin vetëm nëpërmjet qëllimit kryesor – marrjes së pushtetit – si edhe prej qënies në krye të personaliteteve të spikatura të llojit Berisha ose Pashko. Strategjia dhe taktikat e saj, të përpunuara gjatë një varg forumesh dhe takimesh të mbajtura gjatë vitit 1991, e vërtetonin këtë gjë dhe gjithçka linte të kuptohej se sapo që ky qëllim do të arrihej, të gjitha divergjencat e brendshme do të dilnin në sipërfaqe duke shkaktuar dobësimin e hegjemonisë politike dhe duke rrezikuar shpërbërjen e kësaj lëvizjeje. Baza shoqërore e lëvizjes demokratike ishte laragane dhe në rradhët e saj mund të gjeje ish-komunistë kritizerë të rregjimit, studentë të egzaltuar, ish të burgosur politikë si dhe antikomunistë të vendosur të të gjitha tendencave, puntorë dhe sindikalistë të porsalindur sikundër dhe një turmë të gjerë xhaketakthyesish që kishin rendur pas demokratëve, me të ndjerë erën e pushtetit dhe të parave. Kthimi në " fenë " e re ishte aq i shpejtë dhe masiv sa që, pasi kish bërrë llogaritë, Berisha mund të krenohej me ata 50.000 antarët e partisë së tij. Ajo që i mungonte Kryetarit ishte një goditje mbresëlënëse e opinionit, një moment mediatik i përmasave të mëdha.
.
. Gjatë verës të vitit 1991, sekretari i Shtetit amerikan Xhejms Bejkër bëri një vizitë të shpejtë në Shqipëri. Turma në delir e priti sikur të ishte vetë Perëndia. Mbi njëqind mijë vetë që valëvisnin flamuj amerikanë në sheshin Skënderbej, bërtisnin me gjithë shpirt " Rroftë Amerika. Ajo është me ne ". Në tribunën e nderit, përreth mikut të shquar, Berisha dhe Pashko mbulonin krejtësisht ekranin dhe vetëm në rradhë të dytë ose të tretë mezi shquhej një Kryeministër mjeran ish-komunist. Pashko duke marrë fjalën, tundi përpara turmës një fije letër përpara se të shqiptonte : " Amerika është me ne. Ajo na ka dhënë çekun e bardhë ". Përshtypja ishte e jashtëzakonshme : për ata njerëz që s’kishin parë ndonjëherë çek me sy gjatë jetës së tyre, çdo letër e bardhë bënte punë, aq më tepër që lajmi jepej nga një ekonomist i kalibrit të Pashkos që mbështetej dhe garantohej nga prania e Amerikës vetë. Të nesërmen e largimit të mikut të shtrenjtë, shqiptarët mësuan se Amerika e madhe ju kish akorduar një ndihmë ekonomike prej 6 milionë dollarësh që Hoxha, po qe se do të ngrihej nga varri, do t’a kish cilësuar " pikë uji e vërtetë në oqeanin e nevojave të tyre ". Megjithatë, një legjendë e re lindi atë ditë aq të gëzuar, ajo e çekut të bardhë që do t’i vinte në gjumë shqiptarët për vite të tëra.
.
. Menjëherë pas këtij episodi historik, qeverisë Bufi ju desh të përballej me një rritje tensioni politik të paparë ndonjëherë si dhe me manifestime popullore gjithnjë e më të vrullshme. Grevat e transporteve publike ndiqeshin nga grevat e urisë së minatorëve të Valiasit ndërkohë që rrugët e Tiranës u pushtuan nga turmat e zëmëruara që kërkonin as më pak as më tepër por dorëheqjen e Presidentit Alia dhe shpërndarjen e Sigurimit të frikshëm. Megjithë shpalljen e dekretit aq të shumëpritur të shpërndarjes së armës të dashur të diktaturës së proletariatit dhe zëvendësimin e saj me Shërbimin Kombëtar të Informacionit (SHIK), rreth 50.000 vetë marrshuan në rrugët e kryeqytetit në 14 shtator ; po aq në mos më tepër dolën në rrugë në 5 dhe në 16 tetor. Në këto kushte, qeveria nuk mund të përmbushte as detyrat e saj të përditshme dhe aq më pak ajo ishte në gjendje të organizonte zgjedhjet e reja të vitit 1992, që ishte cilësuar si detyra e saj kryesore (shënimi 4). Parlamenti në dekompozim të plotë, nën presionin e demokratëve, aprovoi liberalizimin e pjesshëm të çmimeve dhe në 4 dhjetor aprovoi propozimin e demokratëve për vënien nën arrest të Nexhmije Hoxhës dhe të shokëve të fundit të Enverit, të akuzuar për shpërdorim të pushtetit dhe për korrupsion. Në 12 dhjetor, Kryeministri Bufi dha dorëheqjen e cila u pranua menjëherë. Në të njejtën ditë, Presidenti Alia ngarkoi Vilson Ahmetin të paraqiste një qeveri të re të përbërë nga specialistë. Qeveria e re pa etiketë politike u ngarkua të administronte çështjet e zakonshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të parashikuara në 22 dhe 29 mars të vitit 1992.
.
. Zgjedhjet e shumëpritura u zhvilluan sipas parashikimit. Pesëmbëdhjetë partive politike dhe 500 kandidatëve ju duhej të përlesheshin për ato 140 vendet e Kuvendit. Rezultati ishte një baticë e vërtetë blu. Partia demokratike shijoi një fitore të rrallë me rastin e sigurimit të shumicën absolute të vendeve në Kuvend, ose 65.7% të deputetëve (shënimi 5). Për më tepër, fitorja u miratua dhe u përgëzua nga një varg vrojtuesish ndërkombëtarë, të cilët përshëndetën shpirtin fair-play të rivalëve. Në 3 prill, Presidenti Alia paraqiti dorëheqjen dhe i la vendin Sali Berishës, patronit të demokratëve. Populli shqiptar kish mundur kështu të dëbonte komunizmin nga një prej strofkave të tij të fundit. Në 13 prill, qeveria Ahmeti i la dorën një qeverie të re koalicioni, të përbërë kryesisht prej demokratëve të cilët gjetën të udhës të ftonin një ose dy përfaqsues të republikanëve dhe të social-demokratëve.
.
.
. -------------------
.
.
. (1) Një grup i fundit prej 258 të burgosurish politikë u lirua në 30 mars, në vigjilje të zgjedhjeve legjislative.
.
. (2) Skenari " alla bullgar " i referohej presionit të rrugës mbi qeverinë, të zgjedhur ligjërisht. As edhe një muaj pas zgjedhjeve të mbajtura në Bullgari në 17 qershor të vitit 1990, të cilat i ridhanë pushtetin kumunistëve, manifestimet gjigande të organizuara nga opozita, të ndjekura nga një grevë e përgjithshme, provokuan dorëheqjen e Presidentit Mlladenov dhe më tej dorëheqjen e qeverisë së porsazgjedhur.
.
. (3) Në gusht të vitit 1991,Kryeminstri Bufi dhe ministri italjan i Punëve të Jashtë të epokës De Mikelis, nënëshkruan një marrëveshje të ndihmës ekonomike, të shtrirë në tre muaj. Mbi këtë bazë, Italia duhej të furnizonte një ndihmë ushqimore prej 90 miliardë liretash sikundër dhe një ndihmë në lëndë të parë për industrinë shqiptare, gjithashtu prej 90 miliardë liretash. Për më tepër, vendi fqinjë duhej të lidhte një " urë detare të bazuar mbi portin e Durrësit dhe të Vlorës, për të garantuar vazhdimësinë e ndihmave ". Mbeteshin për t’u studjuar modalitetet e një ndihme të orientuar drejt mësimdhënies me qëllim sigurimin e përfundimit të vitit shkollor në vazhdim si edhe " rrugët dhe mjetet e bashkëpunimit për të evituar një krizë politike, ekonomike dhe shoqërore " - kjo frazeologji e fundit nënkuptonte furnizimin e materialeve të logjistikës dhe të pajisjeve për policinë shqiptare si edhe dërgimin e instruktorëve italjanë të policisë. Disa ditë më vonë, qeveria italjane deklaroi edhe egzistencën e një kapitulli të fundit ku bëhej fjalë lidhur me bashkëpunimin mes flotave të të dy vendeve për të patrulluar brigjet, për të përmirësuar sistemin e sinjalizimit dhe vendosjen e grupeve të specialistëve në Durrës dhe në Vlorë me qëllim kontrollimin e rrugëve detare mes porteve shqiptare dhe porteve italjane. Në zbatim të marrëveshjeve të mësipërme, u strukturua operacioni " Pelikan ". Ai u konkretizua nëpërmjet dërgimit të një trupe prej 1.000 ushtarakësh të armatosur (700 në Durrës dhe mbetja në Vlorë), rast i pashembullt në marrëdhëniet mes dy vendeve që nga fundi i Luftës së Dytë botërore. Aq më tepër për një vend si Shqipëria që s’kish pranuar kurrë vendosjen e trupave të huaja mbi territorin e saj. Me përfundimin e mandatit fillestar, në 31 dhjetor të vitit 1991, ai u zgjat për nëntë muaj të tjerë – Pelikani 2 – dhe gjatë muajit gusht të vitit 1992, në përputhje me një vendim të ri, ai u rizgjat edhe për disa muaj të tjerë (praktikisht deri në dhjetor të vitit 1993). Përse u zgjodhën ushtarakët për të kryer një operacion të natyrës humanitare në një vend që s’njihte as gjendje lufte as edhe ndonjë situatë katastrofe natyrore ? E vërteta del nga goja e komandantit të përgjithshëm italjan kur ai nënvizon " rëndësinë e misionit jo vetëm nga pikpamja humanitare, por njëkohësisht lidhur me vendosjen e demokracisë si edhe për të evituar shpërthimin e një lufte civile në Shqipëri sikundër dhe në eliminimin e një kundër-revolucioni ". (sic !). Kur një ushtarak, zyrtarisht i ngarkuar me një mision humanitar, përdor një gjuhë të tillë kjo don të thotë se i zoti i shtëpisë që i mban dhe i strehon – Berisha, nuk ndjehet i sigurt dhe shpreson tek ndihma e evropianëve, qoftë edhe ushtarake. Situata stabilizohet në vitin 1993, dhe Presidenti shqiptar kërkoi me ngulm largimin e trupave italjane aspak të ngutura për t’u kthyer në vendin e tyre.
.
. (4) Sidoqoftë, në fund të tetorit të vitit 1991, qeveria e Bufit mundi të dekretojë liberalizimin e çmimeve me pakicë, heqjen e kontrollit mbi investimet si dhe masa të tjera lidhur me politikën e saj monetare, vënien e buxhetit nën kontroll të rreptë dhe së fundi, privatizimin e tokave dhe të tregëtisë së vogël. Megjithatë, këto reforma u konsideruan si zhgënjyese dhe " mashtruese " nga ana e PD, e cila braktisi koalicionin qeveritar në nëntor të po atij viti. Ky qëndrim provokoi një krizë të thellë politike dhe përshpejtoi dorëheqjen e Kryeminstrit Bufi.
.
. (5) Rezultatet e zgjedhjeve legjislative të vitit 1992 ishin si më poshtë : shkalla e pjesëmarrjes 90% e trupit elektoral ; gjatë turit të parë të zhvilluar në 22 mars, PD siguroi 62.1% të votave, PS 25.7% dhe së fundi PSD 4.4%. Gjatë turit të dytë të 29 marsit, PD arriti të fitojë edhe 11 mandatet vakante. Parlamenti i ri përbëhej si më poshtë : PD 92 deputetë, PS 38 deputetë, PSD (Social Demokrate) 7 deputetë, OMONIA 2 deputetë dhe së fundi PR (Partia Republikane) 1 deputet.

1 comments:

N.Ago said...

Me vlerë restrospektiva!
v.o.: bëhu gati për OSCAR nga Udhëkryqi! :)

 
Përjetësisht të Panjohur