"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, November 18, 2008

Tashmë një vit në blogosferë.

.
. Pa asnjë prapamendim, më duhet të pranoj se mes të tjerë " mbretërish pagëzues ", lindja e blogut " Përjetësisht të Panjohur " u asistua dhe u shpërblye nga magjistari " Peshku pa Ujë ". Para një viti, në shtator të 2007, sapo kisha përfunduar redaktimin e një libri homonom prej disa qindra faqesh dhe rastësisht, rashë në gjurmët e një një shkrimi të F. Lubonjës, lidhur me rishkrimin e historisë, të botuar në blogun e tij " Përpjekja ". Leximi i tij më shtiu në mendime dhe më detyroi të ulem për t’ju përgjigjur me një koment të gjatë. Disa ditë me vonë, gjithmonë rastësisht, e hasa përgjigjen time të botuar tek " Peshku pa Ujë ", si alternativë ndaj burimit lubonjar – e pikasur nga vështrimi i mprehtë i AlisaT. Mbaj mend se, i tërhequr nga debatet e kijuara, u hodha edhe unë në vorbullën e peshqve, duke zgjedhur pseudonimin XiXa – një remineshencë e lumtur e vegjëlisë kombinaXe.
.
. " De fil en aguille " - në shqip do t’a përktheja jo pa humor – nga peri në spango – u trash ideja e krijimit të një faqeje personale. Një trill i momentit që u shëndrrua në një projekt përpirës. Thjesht një blog, një rremë që do të çonte ujë në mullirin e atij farë libri rraskapitës, një përrockë - të paktën diçka si ata dhjetra të tjerët që ushqenin lumin… një mjedis rrjedhës ku do të mund të lëshoja ato barkat e mia virtuale, duke ditur se ato do të përfundojnë në fund të detit të Madh, aty ku mbyten të gjitha anijet madhështore dhe të lavdishme, qoftë edhe prej letre të shkruar.
.
. Nëse internetin e njihja që nga fillimet e tij të lavdishme të fundviteve 80’ të shekullit të kaluar, nëse e kisha eksploruar dhe plaçkitur pa skrupull në kërkim të atyre mijra artikujve dhe burimeve që më kishin shërbyer për shkrimin e librit, zbulimi i blogut mbetej një aventurë e vërtetë që duhej përjetuar rishtas. Dua të harroj tashmë kokëçarjen e krijuar nga ato kornizat e ngurta të wordpress, nga ato modelet e shpifura të blogger, nga ato ngjyrat e shpëlara të unblog. Troç, kalvarin e vërtetë që zgjati dy javë të tëra dhe që prodhoi maketin e parë të " Përjetësisht.. ", përjetësia e të cilit zgjati vetëm dy ditë, pasi humbi pa gjurmë mes oqeanit të paanë WWW, për shkak të një gabimi në rregjistrim. Edhe një herë tjetër nga e para… Dhe si herë të tjera, arrita në përfundimin aq logjik se përvoja s’është gjë tjetër veçse një lot i turbullt sa i çmuar aq edhe i rrallë, i përfituar nga distilimi i mushtit të një qerreje gabimesh dhe marrëzish, të fermentuara me tharmin e inatit. .
.
.
. . Jo kartolinë, ndoshta letër…
.
. Për fat të keq, në momentet e para të egzistencës, edhe pse se nuk më mungonin as motivi, as këmbëngulja as edhe shkrimet, nuk kisha një vizion të kjartë të blogosferës sikundër dhe një ide se sa do të ishte numri i të interesuarve. Por, nëse ky i fundit mund të matet bile edhe mund të stimulohet me një varg marifetesh nga të internetit, vëmendja e lexuesve mund të mbahej vetëm falë interesit që zgjojnë shkrimet… si edhe gjetjes së një formati interesant që fton kalimtarin kurioz të kthehet rishtas. Në se mund të guxoj një krahasim të blogut virtual të Cergës së Gjerë me një " gazetë " reale mbi banakun e një kiosku, shpesh janë titujt, ngjyrat, fotot që kapin vështrimin dhe detyrojnë dorën të rrëmbejë botimin, përpara se mendja të gjykojë përmbajtjen – dhe të detyrojë po atë dorë t’a palosë përpara se t’a shtjerë në xhep, ose t’a flakë paçavuren.
.
. Që në fillim braktisa idenë e shkrimit të kartolinave – të atyre fotove origjinale ose të peshkuara në të tjera faqe, që shoqërohen me dy-tre rreshta komentesh të zgjuara. Më mbetej pra varianti i letrës : monolog përpara pasqyrës – ese, korrespondencë me tjetrin e padukshëm – rrëfim, dialog me vehten tjetër – debat. Një punë boll e ndërlikuar dhe që në rradhë të parë kërkon shumë më tepër kohë për të mbledhur farat, për t’i bluar dhe për të gatuar bukën me miellin kësisoj të përfituar – pa qenë aspak i sigurt se kjo lloj buke do të përtypet, do të gëlltitet dhe do të tretet më shpejt. Kësaj i thonë t’i hapësh punë vehtes dhe të vesh në punë të tjerët. Me shpresë që ata të të ngjajnë, në mos të të kuptojnë.. Ndaj formës, prozë, poezi dhe së fundi teatër, blogu mbetet gjithmonë i hapur dhe krijues, një mjedis eksperimentesh dhe sprovash të vazhdueshme, mjaft që leximi të nxitë të tjera lexime, që mendimi të ndjekë të tjera rrugë… Paçka asaj ndjenjës (unë po e quaj nevojë për reflektim, qoftë edhe drojë se kam frikë t’a quaj mospërfillje) që ende nuk i shtyn lexuesit të lenë komente.
. Sa për përmbajtjen e shkrimeve në të, ajo gjithmonë është luhatur – dhe do të vazhdojë të luhatet - mes gjeohistorisë dhe histogjeografisë, politikës gjithashtu gjeo- ose histo- si edhe kulturës. Troç, rreth-e-qark ose mespërmes temave të kaluara ose të sotme që përmendin, kujtojnë ose flasin për Shqipërinë dhe Shqiptarët – duke ftuar t’i zbulojnë këta të fundit ata që ende nuk i njohin ; t’i kqyrin ndryshe ata që i keqnjohin dhe së fundi, t’i rizbulojnë ata që mendojnë se i njohin.
.
. Por, përtej formës dhe përmbajtjes, shkrimet kanë të përbashkët kujdesin ndaj gjuhës, përzgjedhjen e fjalës dhe merakun ndaj të shprehurit. Mundin e krijimit qoftë edhe të një linje të thjeshtë muzikore, mes asaj melodie aq të veçantë dhe të papërsëritshme të gjuhës shqipe që si çdo melodi tjetër tendon të shkrihet nëpër pyje dhe nëpër male – si fërshëllima e një shëtitësi të ngeshëm, po qe se nuk do të marim kohën e nevojshme t’a përjetësojmë mbi diçka më të qëndrueshme se sa ajri.
.
.
. * * *
.
.
. Sa ja ka arritur qëllimit blogu ? Nuk besoj se " vlera " të tilla si numri i vizitorëve apo numri i artikujve të botuar shërbejnë si kritere vlerësimi. Sikundër nuk besoj tek sondazhet e llojit Technorati.. Ja le pra fjalën lexuesit dhe i falem gjykimit të tij të mëtejshëm. Sidoqoftë, edhe pa këtë gjykim, e ndjej vehten të çliruar dhe të qetë përballë miqve dhe armiqve, përballë dashamirëve dhe dashakeqëve. Pasi edhe sikur të kem dështuar sprovën e të qenit krijues, kam fituar përpjekjen tjetër : atë të shëndrrimit nga një konsumator pasiv në një pjesëmarrës aktiv. Sikundër ai votuesi që beson se hedhja e një cope letre në një kuti të ngjyrosur zotëron forcën e shëndrrimit të botës… Sikundër ai besimtari që shpreson se lutja e tij përpara një altari forcon vullnetin e qasjes të të mirës dhe smbrapsjes të të keqes.

4 comments:

N.Ago said...

Jetë të gjatë blogut dhe ty!

Clausewitz said...

Passe lá no blog do Clausewitz e conheça um pouco do Brasil... abraço

Blendi said...

Falemindeerit per mbeshtetjen dhe kenaqesine qe na jep, qofte ketu, qofte tek peshku.

Anonymous said...

Thanks , I have recently been looking for information about this topic for ages
and yours is the greatest I have found out till now. But, what in regards to the conclusion?
Are you certain in regards to the source?
Feel free to surf my blog post ; Work from home jobs

 
Përjetësisht të Panjohur