"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, November 12, 2008

Skënderbeu, ky titan.

. Mendime (pse jo edhe përsihatje)
. pas leximit të « Një sendërgjim njëqindvjeçar » të A. Klosit.
.
.
. I përkas një brezi – pikërisht ai i A. Klosit, përfytyrimi i hershëm i të cilit është ndërtuar mbi një varg figurash dhe ikonash laike. Nëse rregjimi i asokohe – ose pushteti popullor sikundër quhej, kish mundur të zbriste mbretërit nga froni dhe shenjtorët nga qielli, ai kish ripopulluar Olimpin tonë komunist me shqiptarë të shquar : prijës ilirë dhe udhëheqës arbër, rilindësa dhe themelues të kombit, patriotë dhe partizanë çlirimtarë. Dhe padyshim, mbi këtë masë Agronësh dhe Teutash, Gjinër dhe Lekë, vëllezërish Frashëri dhe Ismailësh, Mic Sokolash dhe komisarësh Meto, mbi piedestalin më të të ndritur qëndronte Skënderbeu. Gjergji i Kastriotëve, Arbëri i pamposhtur, korrësi i palodhur i ushtrive otomane, shpikësi i shqipes dykrenare.. Perëndia mbarëpopullore e shqiptarëve.
.
. Ende fëmijë, zgjohesha me « Historinë e Skënderbeut » të Nolit në dorë ; thuaj adoleshent admirova statujën e Zotit të Krujës mbi kalë, në mes të Tiranës, pas asaj tjetrës në këmbë të kështjellës familjare ; i ri, bridhja gërmadhat e kishës së vjetër të Shënkollit në Lezhë dhe rrënojat e kalasë së Petrelës, në kërkim të një gjurme ; tashmë burrë, përshkoja fushën e Albulenës dhe të Domosdovës dhe imagjinoja stratagjemën luftarake të Krutanit të ndritur.. Cili prej nesh nuk ka fantazmuar mbi shpatën dhe përkrenaren e Heroit, pengje të një muzeu të paarritshëm diku në Vjenën e largët ? Kush ka mundur të përmbahet përpara asaj : « .. Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj Posa shkela këmbën.. posa më dëgjuat emrin, renttë të gjithë, më duallt përpara.. » ? Deri edhe gjyshja ime e mirë, ende admiruese e ikonës së saj të tymosur të Shën Gjergjit, guxoi t’i përgjigjej lukunisë së nipërve dhe mbesave « ateistë » : « përse t’a heq ikonën ? Edhe po të më detyrojnë, fundja do t’ju them se është ikona e Skënderbeut.. Edhe ai është një shenjt, apo jo ? ».
.
. Përse një tërheqje e tillë kryeneçe nga një episod i historise, sigurisht i ndritur por sidoqoftë fragment i beftë ; nga një e tillë rreze verbuese, e pasuar nga pesë shekuj robërie dhe një pavarësi e gjymtuar, të paraprirë nga dhjetra shekuj të tjerë të tymosur ? Ndoshta, pasi ai përbënte një të çarë magjike në hapësirën-kohë, një shteg arratisjeje nga një realitet i ngrysur dhe i pashpirt, nga e tashmja mediokre ku thuaj asnjë libër – përveç Historisë së Heroit, ku gati asnjë shkrimtar – përveç Nolit, nuk arrinte të sublimonte ëndrrat... Pasi, nënvetëdija magjepsej dashur-padashur nga një panel vlerash dhe principesh ndoshta të idealizuara por sidoqoftë fisnike, në krahasim me ato të epokës - të mangëta dhe të zvetënuara.
.
. Pas shembjes së një Muri të betontë – dhe bashkë me të të idhujve, pas fanepsjes së mirazhit demokraci dhe pas turravrapit të çmendur të turmave drejt mirëqenies perëndimore, ishte më se e natyrshme që njerëzit tashmë të çliruar dhe të mëvehtësuar t’i viheshin punës për të ringjitur copat e thyera dhe të shpërndara të pasqyrës – histori, të shëndrroheshin në gjahtarë mitesh dhe në zbutës dragonjsh. Në mos, në gjykatës historianësh - bashkëpuntorë të fajshëm të atij « relikti të fundit kockëfortë të asaj ngrehine absurdi që ishte ideologjia nacionaliste-komuniste ». Paçka se pakkush nga gjahtarët është në gjendje të pikasë « dyrrugëtimin mes sendërgjimit dhe shkencës, mes shajnisë dhe të vërtetës », paçka se askush mes bujqve të zellshëm është në gjendje të ndajë farën e dijes nga egjri i hamëndjes...
. Për fat, në raste të tilla, si gjithmonë na vijnë në ndihmë të huajt. Sikundër zvicerani Oliver Jens Schmitt, Deus ex machina i Klosit. .
. * * * .
. Çka të re na mëson Schmitti lidhur me Skënderbeun në monografinë e tij ? Po qe se i besoj Klosit që e ka përkthyer – dhe nxënë – më duhet të pranoj se Skënderbeu nuk e çliroi Krujën, por e mori, me mashtrim ; se gjithkush mes fisnikëve të Arbërit vetëquhej princ, pa qenë aspak i tillë ; se dikujt i ka interesuar të fshehë praninë e Stefan Crnojeviqit, zot i Maleve të Zeza, në Kuvendin e Lezhës ; se kjo Lidhje u vesh me petkun kombëtar ndërkohë që ajo ishte thjesht një bashkim i përkohshëm strategjik i disa sundimtarëve vendas ; se shteti i Skënderbeut ishte një konstruksion fantazmagorik ; se asnjë fisnik nga dyert e mëdha të Arbërisë nuk pranoi t’i nënshtrohej Skënderbeut, i cili mbeti në funksionet e udhëheqësit ushtarak të rradhës ; se Skënderbeu ishte një monark i vetëshpallur, sidoqoftë pa kurorë ; se ai aksioni fatkeq i rrethimit të Beratit mbetet një përpjekje e mjerë e telekomanduar nga Alfonsi i Napolit… Troç, se mitologjia kombëtare skënderbejane s’është gjë tjetër veç një tog sajesash, mbishtresash dhe mashtrimesh historike – duke filluar ndoshta edhe nga verbëria e Nolit ndaj veprës së falsifikatorit Biemmi (alias Anonimi tivaras) ; pra veçse pasaktësi, shpikje, shtrembërime dhe shajni, të të vërtetave historike. Pa harruar së fundi edhe kapakun mbi sini – opinionin e vetë Schmittit, i intervistuar nga i pashmangshmi Klosi , i cili çmon se motivi madhor që shtyu Skënderbeun të braktisë oborrin otoman dhe të vijë « si pëllumb i shkruar » në Krujën e lindjes ishte hakmarrja : shpagimi për vrasjen e babait të tij Ivan (shih, gjithmonë kam menduar se ky baba quhej Gjon). Dhe të thuash se kodifikimi i hakmarrjes në hapësirën gjithëshqiptare ka qenë ndërmarrë nga një tjetër armik i betuar i Skënderbeut, Leka i Dukagjinëve !
.
. Përse Klosi vesh pikërisht sot shqytin dhe helmetën dhe rrëmben kordhën në mbrojtje të vejushave dhe jetimëve – të më falni, të nxënësve të mjerë të tetëvjeçares dhe të gjimnazit, të detyruar të gëlltisin të tilla rrena mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut ? A thua se këtyre të fundit ju mungon veç ai kapitulli disafaqësh për jetën dhe bëmat e Gjergjit për t’u shëndrruar në qytetarë të ndërgjegjshëm, në votues të zellshëm, troç, në njerëz ? Dyshoj që ky tingull këmbane kërkon të zgjojë të tjerë « besimtarë » - prindërit e nxënësve, pra ne të gjithë, që dikur ky kapitull kaq jetik i historisë së vendit na ka kaluar nëpër shalë. Por, a duhej të prisnim shfaqjen thuaj hyjnore të zviceranit tonë historian për të medituar lidhur me shajnitë e historianëve tanë kombëtarë, për të skëlfitur shtresat e bojës dhe të llakut dhjetravjeçar që mbulonin portretin e lashtë Skënderbejan ?
.
. Dyzet vjet më parë, kur Schmitti i lartpërmendur gjendej ende vezë në barkun e nënës, Alain Ducellier, një nga studiuesit më të shquar të mesjetës së hershme arbërore dhe të pellgut adriatik, vërente në një studim (L’Albanie entre Byzance et Venise X - XV siècle. London, Variorum reprints 1967) se hapësirës senjoriale apo familiale të Skënderbeut – e quajtur me të padrejtë « Shtet », i mungonte mizorisht një port. Pra një portë e hapur me botën e jashtme, nëpërmjet të cilës ai do të mund të tregëtonte prodhimet e tregut të brendshëm. Dhe po ky autor përshkruan në disa dhjetra faqe përpjekjet e pandalshme të Zotit të Krujës qoftë për të ndërtuar një të tillë (Shufadaja mbi derdhjen e Matit, apo Rodoni në Ishëm), sikundër dhe përpjekjet po aq të pandalshme venedikase për t’i mbyllur atij këtë portë. Përse duhet të habitemi sot lidhur me armiqësinë e Skënderbeut ndaj Venedikut, aq më tepër kur e Tejqeta Republikë e Dozhëve kish vënë edhe një shumë parash, një çmim për kokën e Arbërit ?
.
. Më tej, dhe pa ndihmën e francezit dhe aq më pak të zviceranit, le t’i kthehemi infrastrukturës ekonomike të « Shtetit » skënderbejan, këtij elementi ndoshta të vetëm i cili kalon në heshtje të plotë, megjithë rëndësinë e saj të dorës së parë. Asgjë nuk na pengon të imagjinojmë ndërkohë që Skënderbeu trashëgoi nga i ati i tij Gjon kontrollin e rrugëve që lidhnin bregdetin adriatik me rajonet e Kosovës (rrugën e Zentës) si edhe kalimin nëpër Dibër drejt Ohridit dhe Shkupit – bashkë me të ardhurat doganore nga qarkullimi i mallrave. Në të njejtën mënyrë mund të pranojmë gjithashtu që ai zotëronte edhe « pikën doganore » të Shufadasë si edhe kriporet « e rëndësishme » të Shën Kollit, diku në derdhjen e Matit. Megjithatë, mbetet shumë e vështirë që këto të ardhura të mundin të mbulojnë shpenzimet e jashtëzakonshme të rezistencës prej një çerek shekulli ndaj fuqisë më të madhe të kohës - Perandorisë otomane – edhe sikur të shtojmë ato « pasuritë e shumta të viseve të Dibrës së Poshtme dhe të Prizrenit » ose edhe kontributin e herëpashershëm të antarëve të tjerë të Beslidhjes. S’ka asnjë dyshim që sikundër edhe paraardhësit e tij Kastriotë, Princi i Krujës jetonte mbi pronën feudale që ishte kryesisht e natyrës agrare dhe në këtë kuadër, shtrirja e kufizuar territoriale si dhe terreni kryesisht malor sugjerojnë limitet e forcës së tij ushtarake ose nivelin e jetesës së oborrit të tij. Për më tepër, kësaj prone si edhe « Shtetit të tij » të mëvonshëm i mungojnë mizorisht qytetet si dhe qendrat e mëdha urbane - përveç qytetit të Krujës, gjë e cila jo vetëm ndëshkon thesarin princëror por njëkohësisht le të kuptohet që atij i mungon indi i domosdoshëm ekonomik – zejtarët, mjeshtrat, tregëtarët –karakteristikë e pandashme e urbanizmit mesjetar.
.
. Pa shkuar më thellë në analizën e periodës historike, të strukturave dhe të aktorëve – një përpjekje ndoshta po aq voluminoze sa edhe monografia e Schmittit, po i rikthehem asaj shprehjes fatlume të Klosit « ideologjia nacionaliste-komuniste » , të shëndrruar sot në një markë fabrike, në një stampë cilësie që të siguron mbi vlerat e « mallit » dhe mbi ndershmërinë e prodhuesit. Çka të bëjë kjo ideologji me trajtimin e figurës së Skënderbeut ? Aq më tepër kur, ideja për të shtresëzuar të kaluarën historike me qëllim ngritjeje të një themeli ku mbështetet kombi, ose për të lartësuar ndjenjën patriotike, është tepër e njohur dhe e përdorur në Ballkan dhe gjetkë dhe s’është aspak atribut i komunizmit. Për fat të keq të Klosit, të gjitha trajtimet e historisë të lashtë dhe të mesjetës të viseve shqiptare të ndërmarra nga shqiptarët ngjasin mes tyre ; në të njejtën mënyrë që një pikë uji ngjan me një pikë tjetër uji, pavarësisht faktit që e para vjen nga burimi nacional-komunist dhe e dyta rrjedh nga gurra nacionaliste antikomuniste.
. Ky vëzhgim ka një rëndësi tepër të veçantë pasi ai sugjeron që për të njejtin objekt studimi, dy ideologji diametralisht të kundërta shpien në përfundime praktikisht analoge ndërkohë që ato frymëzohen nga tema identike, të cilat sipas rradhës quhen ndjenjë patriotike, identitet kombëtar ose lartësim i të kaluarës. Si është e mundur që dy grupe të ndryshëm studiuesish – i pari brenda vendit, dikur i lidhur me pushtetin dhe nga ky fakt, pa patur « tjetër horizont veçse të ndjekin rrugën e treguar », dhe i dyti jashtë vendit, kundërshtar i betuar i atij rregjimi dhe si rrjedhojë i lirë si era në opinionet e tij – riprodhojnë të njejtat skema për të përshkruar këtë « shtresë të thellë » në gur strralli ose në bronz të ilirëve, më pas atë « shtresë të dytë » prej ari të kulluar të trimërisë së Skënderbeut ? Të vetmet përjashtime nga rregulli i përgjithshëm vijnë nga shprehjet e përdorura dhe nga terminologjia e zgjedhur : fakt krejt i kuptueshëm pasi bëhet fjalë për dy kultura politike të ndryshme. Si duhet interpretuar kjo invariancë e lëndës ose e dijes historike në lidhje me ideologjinë ? Ndoshta duke pranuar thjeshtësisht që historiografia dhe ideologjia s’janë gjë tjetër veçse dy aspekte të ndryshme të të njejtit thelb. Përse atëhere duhet të gozhdojmë në shtyllën e turpit historianët shqiptarë për faktin se ata kanë përdorur mitet themeluese gjatë krijimit të identitetit kolektiv ?
. A egziston së fundi ajo histori që nuk çfaqet si instrumentalizim i të kaluarës për qëllime të sotme ? Le të pranojmë atëhere që historiografia është e aftë veçse në mënyrë të rastësishme që të funksionojë si ideologji dhe që rasti ynë është simptomatik pasi ai është episodik. Cili është ai që mundet të pohojë – në emër të një objektivizmi që përcaktohet nëpërmjet konceptit të asnjanësisë – se është i aftë të ndajë politikën nga ideologjia, këtë të fundit nga historiografia ose të dallojë mitin në lidhje me historinë ?
.
.
. * * *
.
.
. Le të ruhemi sidoqoftë nga çdo gjykim i ngutur apo i paracaktuar, edhe sikur të bëhet fjalë për fushën e miteve pasi, përpara se sa ato të angazhohen dhe të shfrytëzohen nga ana e një pushteti – cilitdo pushteti – miti lind dhe ushqehet gjetkë ; e thënë ndryshe, ai është vepër e njeriut – e njerëzve, që i përkasin para së gjithash « shoqërive tradicionale » - shumë më përpara se sa të kthehen në pronë ose pasuri e udhëheqësve, apo mjet i historianëve. Për fat, madhështia e mitit nuk varet as nga përmasat e kombit as edhe nga vendi që ai ze në panteonin e historisë botërore. Pasi bëhet fjalë për një krijim spontan të gjenisë anonime ku dëshmia njerëzore rimerret dhe tretet në folklorin tradicional, ku bindjet e sinqerta dhe besimet primitive shkrihen në njera tjetrën dhe ju bëjnë thirrje origjinës së tyre të largët të përbashkët, në kundërshtim me të gjitha ligjet e rëndesës që rregullojnë ekuilibret e botës.
.
. Vetëm mbi bazën e këtij anonimati jashtëkohor, si rrjedhim i kësaj përmase universale të bindjes së brendshme, mund të kqyrim me të njejtën ndjenjë mrekullimi gjestin sublim të asaj bareshe të re e cila, e ndriçuar nga hirësia hyjnore, zbulon prirjen e paracaktuar dhe përmbush qëllimin e parashkruar – kurorëzimin e mbretit dhe çlirimin e vendit të saj, sikundër dhe atë gjestin tjetër jo më pak sublim të atij malësori të pjekur i cili, i frymëzuar nga bindja e tij e thellë, përdor fuqinë e krahut të tij dhe dëgjon thirrjen e shpirtit – ose të qiellit - që e shtyn të ruajë vlerat e Krishtërimit dhe mbrojë popullin e tij.
. Për ata që s’po ndjekin dot fillin e mendimit, detyrohem të përmend biografët e Skënderbeut. Këta të fundit permendin faktin që, në vigjilje të rrethimit të Krujës nga Murati i Irë, Heroit të tyre i ishte çfaqur Shën Gjergji, mbrojtësi i Arbërisë, dhe i kish zgjatur shpatën e tij të ndritshme duke i thënë : « ..merre këtë shpatë, armë qe t’a dërgon vetë dora e Perëndisë dhe me këtë shtrihi në këmbët e tua të gjithë armiqtë që lëftojnë Arbërinë dhe Krishtërimin ». Sikundër ve re edhe Noli, këto informacione « janë të paçmuara » pasi « hapin udhën hipotezës që Skënderbeu shikonte vizione dhe dëgjonte zëra prej qielli, sikundër kryetrimja frënge Jana e Arkës.. me të cilën ishte vëlla nga shpirti, nga flaka patriotike dhe nga nxehtësia fetare ».
.
. Me sa shihet, njëzet vjet pas vdekjes së « Virgjëreshës së Orleanit », Providenca zgjedh Shën Gjergjin për të transmetuar porositë e tij të vdekshmëve : manipulim i shkathët i masave të tmerruara nga ardhja e Sulltanit të tmerrshëm apo një ndërhyrje hyjnore që transmeton një mision të shenjtë ? Askush nuk mund të verë në dyshim faktin që Skënderbeu ishte fetar i devotë, ndjenjë të cilën e kish trashëgim nga familja e tij, aq më tepër që këto vizione u bënë publike nga kryepeshkopi dhe më pas nunci apostolik, Pal Engjelli., problemi që shtrohet përpara shpirtrave tanë racionalë është po ai i Jezuit nga Nazareti ose i Zhanë d’Arkut nga Domremia.
.
. Ja pra edhe dilema esencialiste që bren çdo mendje të kthjellët : vallë, Skënderbeu ka mundur të kryejë të gjithë ato heroizma që historia ja ka veshur ? a ka qenë ai prijës që jemi mësuar të kqyrim ? a dëgjonte ai zëra që zbrisnin nga Qielli ? a ka qenë ai që i ka ndalur hovin hordhisë turke dhe Islamit drejt Evropës ? Në se vetë koha ka krijuar këto përmasa, në se vetë njerëzit i kanë ndihur kohës, askush nuk është në gjende të thyejë legjendën. Pasi racionalja dhe magjikja diku edhe mundet të bashkëjetojnë. Në mos në shkencë, në mos në arsye, të paktën në shpirt, në ëndër. Në kokën e atij fëmije që egziston kurdoherë brenda çdo të rrituri si unë. I njejti i rritur që sheh shënjtoren tek Zhanë d'Arka, heroin tek Uliksi apo titanin tek Prometeu...

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur