"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, November 23, 2008

Na ishte një herë (që mos qoftë) – Kombinati (I).

.
. Megjithëse nënvetëdija duhet të kish rregjistruar elementët e parë që herët, m’u deshën vite, përpara se vetëdija të pranonte diferencën. Ndoshta, kish arritur ngopjen me ndryshimin e beftë të shprehjes së bashkëbiseduesit kur ai mësonte se isha nga Kombinati. Një tendosje e shpejtë muskujsh të faqes ku dallohej pak llahtari, një fije kuriozitet dhe diçka më tepër se përbuzje, një hije superioriteti.
. Por shpejt arrita të mësohem me këtë shprehje. Bile shqetësohesha kur ajo mungonte të çfaqej dhe për t’u siguruar gjeja mënyrën për të rishtënë në bisedë atë origjinën time. Për të qetësuar shpirtin mendoja se duhej të ishte e njejta shprehje që çfaqej në fytyrën time kur bashkëbiseduesi im i rradhës më mësonte se ishte nga Yzberishi, nga Sharra apo nga Vaqarri. Pa folur më për ata nga Lalmi i Urës së Beshirit. Për shumicën e Tiransave, katunarët e Lalmit vinin nga një botë tjetër, përtej kufirit të asaj njerëzore. Bile thonë se dikur, i pari i Tiranës (Esat Pashë Toptani ?) kish thënë diku : « .. Ura e Beshirit s’është gjë tjetër veçse një shprehje gjeografike ! ». Edhe pse kjo legjendë mbetet e dyshimtë – dhe për më tepër ngjan me mitin e Bismarkut të famshëm, jam i bindur se Pashaj i Tiranës e ka pas inatin me Haxhi Qamilin e Sharrës dhe me të tjerë katundarë të pacipë, adeptë të Babës dhe kundërshtarë të Princit. Pra, jo me Kombinatin, i cili në atë kohë nuk ka egzistuar as edhe në ëndrrat më të çmendura të kokave të mençura qylafgjata tiranse. U desh që një tjetër Hoxhë, kësaj rradhe gjirokastrit, të pushtonte Tiranën për të dekretuar lindjen e Kombinatit, disa vjet përpara lindjes time, diku mes moçaleve të Yzberishit dhe djerrinave të Sharrës.
.
.
. * * *
.
.
. Vite më vonë, tashmë student, një i njohuri im pati guximin dhe e quajti Kombinatin « vrimë e zezë ». Duke ditur se ai flirtonte me fizikën dhe se ish krenar për origjinën e tij patriciane nga rruga e Dibrës, gjykova se mendimi i tij dialektik tashmë punonte në funksion të kontradiktave : materje – antimaterje. Nuk i hyra debatit. Disa orë më vonë më duhej të merrja autobuzin për t’u kthyer në antimaterjen time të dashur. E vetmja mënyrë për të qetësuar shpirtin ishte loja me krahasimet : në se Kombinati ishte një vrimë, ç’duhej thënë për Vorrin e Bamit apo për Laprakën ? I pari ishte fundi i botës të të gjallëve – më tej vinte gropa e varrit, e dyta fundi i botës së qytetëruar – më tej shtrihej honi i Ferrit. Cila ishte rrezja brenda të cilës vepronte kjo krenari patricësh, në se vetëm katër kilometra e gjysëm ndanin Diellin nga Vrima e Zezë, Materjen nga Antimaterja ?Katër kilometra e gjysëm – një pafundësi. Gjysëm ore me autobuz, një orë me këmbë… mbi zgjatimin e paemërt të rrugës së Kavajës që çuditërisht përfundonte aq larg Kavajës, diku pranë 21 Dhjetorit. Më tej shtrihej Uzina Enver dhe Parku, mbretëria e zhulit dhe e vajit të djegur ; përtej Lanës tashmë gjiriz i hapur, vinin Teknikumet - principata e shisheve të birrës dhe e konviktorëve anonimë ; përtej një bregu, përhapej Stabilimenti – dukata e tutkallit dhe e tallashit dhe në fund të vargut Kombinati – terminus Tirana, perandoria e tekstilistëve dhe parajsa e plebenjve halabakë. Po t’a mendosh hollë hollë, ky raport patrician – plebe duhej të ish kaq i universal dhe i mirëpranuar, kaq natyral sa që, kur një kombinats vraponte pas autobuzit tashmë në lëvizje, i bërtiste nga pas shokëve të tij : « Po dal në Tiranë ! ». I njejti ngashërim në zë dhe feksje e syve si ai i fshatarakut francez : « Po shkoj në Paris ! ». .
.
. * * * .
.
. Por shyqyr që edhe një botë e padrejtë si ajo tona njihte, në mos mëshirën, harresën – dhe relativitetin. Pasi ajo Tirana zulmëmadhe dhe hijerëndë kish dalë nga hiçi diku në Lushnje, kur baballarët e Kombit vendosën t’a shpallin kryeqytet diku rreth viteve njëzet. Në të njejtën mënyrë, krijuesit e Botës së Re vendosën të ndërtonin Kombinatin në fillim të viteve pesëdhjetë, vetëm një çerek shekulli më vonë. Veçse tashmë Zoti krijonte me ngut dhe e kish braktisur metodën e vjetër të ngjizjes nga balta dhe fryrjes në hundë për të prodhuar Adamin apo riprodhimin e Evës me anë të brinjës. Ai i gjeti Adamët dhe Evat e rinj socialistë gati, në mes të baltës së Myzeqesë, të Vrinës apo të Maliqit dhe i hodhi mes baltës së Yzberishit. Baltë për mjaltë, më mirë ajo e kuqja e Tiranës se sa e zeza e humbëtirës. E thënë ndryshe, më mirë mekanik dhe tekstiliste se sa çoban dhe bujkeshë – një zhvillim krejt logjik në përputhje me ligjet e reja të Parajsës. Ndërkohë, sipas një logjike tjetër po aq të vjetër sa ajo e racës njerëzore, megjithë mungesën e Mollës dhe të gjarpërit, këta Ademë dhe Hava u shtuan dhe u shumuan – dhe sollën në jetë kombinatsit.
.
. Më bëj baba të të ngjas ! Në se shefat kopjonin përvojën e të tjerëve shefa dhe ndërtonin shoqërinë e re mbi gërmadhat e kalbura të rregjimeve të shkuara, kombinatsit kopjonin Tiranën fqinje për të ndërtuar Kombinatin e tyre mbi hiçin kozmik. Kështu, bulevardi « Dëshmorët e Kombit » me Universitetin dhe Maternitetin në skaje, u përjetësua në atë udhën-zorrë të gjatë « Via Kavajensis » me Mapon në një qosh dhe Zjarrfiksat në tjetrin. Edhe sot e kësaj dite, s’jam në gjendje të them cili mes Mapos dhe Zjarrfiksave i korrespondonte Universitetit dhe anasjelltas.. Duke lënë korrespondencat anash – pasi edhe Tiransi më i shkujdesur mund të bëjë analogjinë – ne kishim Lanën tonë, në shtratin e betontë të të cilës në vend të ujit rendnin minjtë ; sheshin qëndror ku mernin kthesën autobuzat ; statujën e Stalinit me dorë – busullën orientuese ; shatrivanin përballë me ca jargavane jargavjerrës ; kinemanë Tekstilisti, ekipin e futbollit gjithashtu Tekstilisti, statujën e Tekstilistes pa duar - një lloj Venusi i një farë Miloje sovjetik… Pa folur më tej për ato monumente etnografiko-antropologjiko-gastronomike që s’kishin shoqen në botë dhe jo më në Tiranën e largët !
.
. Me çfarë mund të krahasohet për shembull, Pallati i Beqareve ? Ai institucion i shenjtë me tulla të kuqe që strehonte, përveç Mapos ushqimore dhe Ambulancës, të gjitha vajzat pa burrë – kopellat, siç i thërrisnin shkurt – rreth të cilit luzmonte ajka e burrave (të pamartuarit si puna e Stavrit dhe ata të tjerët) të të gjithë zonës ? Po çerdhja javore që mbante dhe ushqente të gjithë bebet fatlume që mamatë e tyre i shihnin një herë në javë (ja përse edhe emri) pasi punonin parreshtur me tre turne ? Po Spitali Distrofik – i vetmi në galaksi – që siç e propozon edhe emri, shëronte distrofikët e tërë dynjasë ? po gjelltorja e Hallove, ku përveç paçes, qofteve të mbytura në lëng të kuq dhe pastiçove mbante brenda Telon dhe Ollgën – çiftin më të shquar gjellbërës që kujtesa kombinaXe ka mundur të memorizojë ? po ai « Corpus Medicus » unik ku militonte doktor Islami dhe doktor Halili, që sikundër kolegëve të tyre kinezë akupuntorë që ju mungonin këpucët, ju mungonin diplomat ? po ai Arqile Boti leshgjatë e qimedrizë, doktori i luleve, barraka e drunjtë e të cilit në kodër mblidhte më shumë pelegrinë se sa ShnaNdou i Mirditës dhe Teqja e Sari Satllikut së bashku ?
. Së fundi – në të vërtetë, i pari dhe më magjiku – ishte vetë Kombinati i Tekstilit. Një univers i papërshkrueshëm dhe misterioz makinash, agregatesh, mekanizmash, motorësh, tamburësh, rrotullash, rrypash dhe levash, një mjedis i stërzhurmshëm tezgjahesh, filaturash, krehësash, fillbashkuesash, dredhësash që gëlltiste çdo ditë me dhjetra tonelata pambuku, leshi, fijesh sintetike dhe mëndafshi ; një bark i panginjur ku rraseshin rrjedhat e pandërprera të grave, vajzave, nënave dhe motrave, burrave, djemve, vëllezërve dhe baballarëve. Një përbindësh plëncushqyes dhe kockathyes, veshshurdhues dhe syverbues – tempulli i punës së përbashkët.
.
. Fundja, këto shtatë mrekulli të Kombinatit ishin argëtime të të rriturve. Për ne të tjerët ende çiliminj mbeteshin të tjera mrekulli : çifti i tubave mbi Lanë, bythëmbështetsja më ideale dhe më e nxehtë dimërore që kish shpikur mendja e njeriut, me kusht që askush të mos pshurrte përsipër, si edhe natyra bujare e gjithëgjendur. Një dhuratë e qiellit, që asnjë zog patrician tiranas nuk mund t’a imagjinonte as edhe në ëndërr. Cili nga këta të fundit kish shkuar në bandë për të mbledhur kumblla shahine në bahçet e Sharrës, të vidhte misra në fushat e Vaqarrit, të gjuante peshk me dorë në lumin e Erzenit, të lahej lakuriq në rezervuaret e Damjanit, të mblidhte vezë pulash në ferrat e Prushit, të kapte breshka apo gjarpërinj në kodrat e Arbanës, të vidhte fiq apo hurma në shtëpitë e Bulticës, të rrëshqiste mbi kushineta në të tatëpjetat e Varrezave.. të shullohej në llucën e Lalmit, të nxihej në hirin e Tecit, të kridhej në vaskat e Misto Mames, të çirrej në shkurret e Kasharit, të përlyhej me manat e Pezës , të baltosej me karbitin e Qelqit, të rrëmonte plehrat e Yzberishit… Në jetë të jetës pra, në se Tirana mbetej një rezervat intelektual sa i lakmuar aq dhe i largët, e kërcënuar nga periferia e zymtë dhe anonime, për fat Kombinati ishte një parcelë proletarësh ndoshta banale, por e rrethqarkuar nga Gjithësia e pafund.
.
.
. * * *
.
.
. Gjithsesi, përtej pagëzimit pagan në kazanin shumëngjyrësh të Natyrës, një rini sa ajo e jona nuk mund t’i shpëtonte dialektikës së luftës së klasave. Edhe sikur të donim t’i bënim bisht, ngriheshin ata sekretarët lebër të Partisë, kryetarët tepelenas të Frontit, shefat kolonjarë të Kuadrit, fqinjët gjirokastritë kuriozë, pensionistët skraparllinj të ngeshëm, mësuesit minoritarë të zellshëm - pa harruar sigurimsat gjithëkombëtarë si Kol maloku, apo Sulo jarga. Kështu kohë pas kohe zhdukej nga qarkullimi ndonjë bixhozçi si Fati, ndonjë hajdut si Bixhuku, ndonjë rrëmujëbërës si Makja, ndonjë gjuhëgjatë si Xhuxhi, ndonjë përdhunues si Berja, ndonjë propagandist si Leksi, ndonjë poet si Zyhdiu, ndonjë parazit si Mandumi. Herë herë, kamioni mblidhte familje të tëra fatkeqe, kushërinj të afërt apo të largët të një armiku të porsazbuluar të klasës, opinioni kryqëzonte ndonjë bullgare si Liljana apo ndonjë ruse si Anja. Por ç’është më e keqja, edhe në shpirtin e kombinatsit më kandid dhe më kaqol, ishte krijuar bindja se kjo luftë e klasave duhej zhvilluar fillimisht brenda nesh. Jo vetëm pasi këtë mendim e kish zbuluar Enveri – ç’êshtê e drejta, disa dhjetëvjeçarë më pas se babai i tij shpirtëror Stalini, statuja e të cilit na bênte hije. por në rradhë të parë se çdo godinë e Kombinatit t’a pëshpëriste në vesh nga mëngjesi në darkë.
.
. Në mes të sheshit, mbi rrugë, një grusht pallatesh dykatëshe me pamje « aristokratike », pra të suvatuar dhe të lyer, dhe disa qindra metra me tutje, në rrëzë të kodrave, disa vargje kazermash, barraka përdhese pupuliti që dikur shërbenin si fjetore për puntorët ndërtues. Mes të parave dhe të dytave një valë e dytë ndërtesash sa të ngutura aq edhe të shëmtuara të filluara me tullë të kuqe dhe të përfunduara me blloqe betoni, kopje të dështuara lokale të luksit stalinian, që strehonin nga dy familje për hyrje – komshinjtë brenda. Por sidoqoftë, edhe këto të fundit mbeteshin kryevepra arkitektonike në krahasim me të mëpastajmet, prodhim i fantazisë së mjeshtrave gollobordas dhe zbatuesve amatorë të punës vullnetare. Të shtrembra, të zymta, të ngushta, të errta, të ulta – thjesht, apartamente klasike të epokës komuniste, ato ndikuan në tiranizimin e pejzazhit, në shpërfytyrimin e qëndrueshëm shpirtëror të kombinatsit standard.
. Ja përse armiku gjendej pranë « Qendrës së Kombinatit », në ato dy-tre pallatet sovjetike me numrat elementarë 1, 2 ndoshta edhe 3. Aty qe strehuar « borgjezia » - drejtorët, inxhinierët, shefat që gëzonin privilegjet më të çmuara që mendja njerëzore mund të imagjinonte, të denja për kapitalistët më të urryer : ujë të ngrohtë në robinet, ngrohje qëndrore dhe dy dhoma e një guzhinê për çdo familje. Paçka se në të njejtat apartamente, ngjitur me Drejtorin e Madh të Kombinatit banonte vagonshtyrësi dhe gjarpërzbutësi Ceni i Bejazes, se një kat më poshtë se inxhinierit Tasho jetonte minatori Arif, burri i bulmetshitëses Athina, se anash diplomatit Isuf ish strehuar tekstilistja Mine nëna e Makeve rrëmujaxhinj dhe e Mandumëve parazitë, se një mur ndante Kryedispeçerin Vangjo nga marangozi-sigurims Dedë, i ati i sigurimsit-marangoz Kol.
.
. « Borgjezi e leshit » e kish quajtur Nanaja, gjyshja pakëmbë e katit të parë që shkonte kohën tek pragu i hyrjes me skajin e litarit në dorë, në skajin tjetër të të cilit hiqej zvarrë Qeqja, nipi i saj zevzek. Famëmadhja Nana, gjithashtu gjyshja e Alqit dhe autorja e shprehjes epike : « … kur të bëhet muti lakror do të bëhet Alqi doktor ». « Borgjezi pe leshi .. dhe pe pambuku » kish shtuar më pas Rako kasapi, në të ri tregëtar « pe vërteti », përpara se të lëshonte herezinë e tij të rradhës « Ja dhe Farija si një shkarpë e zezë. Dje s’kish bukë të ngopte barkun, sot është Drejtoreshë e Kombinatit. Apo Bimi, i vëllaj, dje puntor tekstilist, sot Drejtor drejtorie në Ministrinë e Jashtme. Kjo është borgjezia ? Borgjez i sojit është Tashoja që është rritur me katër shërbëtore, që i ati Pando kish gjysmën e dyqankave të Pazarit të Korçës».
.
. E urreja Drakulën xha Rako. Ashtu si një fëmijë mund të urrejë plakun. Jo thjesht sepse gëlltiste tëmthin apo përtypte shpretkën e gjallë, ende të ngrohtë dhe të përgjakur, të qingjave që ai therrte në lëndinën përpara pallatit ; jo sepse ai quante borgjez tim atë. E urreva që atë ditë kur Xixa i klasës së dytë apo të tretë hëngri drurin më monumental të jetë së tij. Nga ata e Tashos që nuk i kish prekur kurrë me dorë fëmijët. Pasi rrëmoi sirtaret dhe gjeti një grusht florinj nga të kohës së gjyshit të tij, i biri vrapoi të luante me shokët me lek Duçe. Sa u mahnitën kalamanjtë nga shkëlqimi i monedhave, aq shpejt i harruan pasi Rakoja vigjilent u sul t’i mblidhte, duke i dhënë sejcilit nga një dhjetë leksh të epokës. Hajde të vrapoje më tej për t’i gjetur ata të uruar florinj… E urreva edhe vite më vonë pasi deri sa u bë burrë, Xixës i mbeti mbinofka « ai i florinjve ».
.
.
. (vijon)

2 comments:

Anonymous said...

Je i mahnitshem, po pres figura te tjera legjendare te Kombinatit.


Shpejt , shpejt ......kur do te postosh vijimin.

Kliton Salice said...

Lexova me vemendje dhe ju bej komplimente per dorshkrimet shume te detajuara dhe per kujtesen me te vertete per te patur zili. Me bene te njihja disa aspekte qe injoroja te jetes se gjyshit tim Feridun Beli, te halles sime Farije Saliçe (punetore ne tezgjah qe ne moshen 14-15 vjeçare dhe ingranazh ne makanizmin socjalist derisa "u vendos" ne karrigen e drejtoreshes se Kombinatit), dhe te Bimit ("nenpunes i thjeshte" ne drejtorine e Import - Eksport-it)...

P-S-
nenvizoj per respekt karshi personit qe me teper ka ndikuar ne jeten time....

 
Përjetësisht të Panjohur