"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, November 14, 2008

Fundi i idilit shqiptaro-otoman.

.
. Shekulli i XIX paraqitet si kapërcyell në marrëdhëniet shqiptaro-otomane. Përplasja madhore skënderbejane e messhekullit të XV, u ndoq nga tre shekuj (XIV-XVIII), rezistence, nënështrimi dhe integrimi gjatë të cilëve vendi pësoi shëndrrime të thella socio-ekonomike. Islamizimi i popullsisë, i përshpejtuar gjatë shekullit të XVII, ishte paraprirë nga një "revolucion" në fushën e qeverisjes, pasi drejtimi i jetës së vendit kish rënë në duart e një aristokracie të re indigjene, natyrisht të islamizuar përpara kohe. Megjithëse në rrafshin ballkanik, kjo dukuri nuk përbën as një rast të vetëm as edhe një lëvizje në drejtim të kundërt me tendencën e përgjithshme, ajo çka dallon rastin shqiptar është intensiteti i ndërfutjes si dhe shkalla e plotësimit të këtyre dy dukurive. Pa folur ende për një shkrirje kulturore ose një sinkretizëm identitetesh, bëhet fjalë për një proces integrimi socio-shpirtëror i cili ze vend dhe ndikon thellësisht vazhdimin e historisë së përbashkët.
.
. Por sidoqoftë, duke përdorur një shprehje fort teknike, ndërthurja e harmonikave historike kish prodhuar një rezonancë shkatërruese. Ritmet e zhvillimit të shoqërisë tradicionale shqiptare nuk përputheshin me përpjekjet modernizuese të Perandorisë ndërkohë që interesat e periferisë ballkanike shkonin ndesh me atë të qendrës stambollite. Në se kaosi politiko-ushtarako-administrativo-shoqëror ku ish zhytur Perandoria otomane kish nxitur në hapësirën shqiptare kristalizimin e vullneteve autonomiste të tipit Pashallëqe, ai kish prodhuar një dinamikë mëvehtësuese të natyrës nacionaliste në hapësirën rrethuese ballkanike. Me fjalë të tjera, trajektorja e përbashkët kish bigëzuar duke krijuar një varg gjendjesh të reja lokale, vatra paqëndrueshmërie dhe tensionesh për vitet apo dhjetëvjeçarët e ardhshëm.
. Dashur-padashur, përpjekje si kjo e mëposhtmja që tentojnë të shpjegojnë shkaqet e prishjes së idilit mes Otomanëve dhe Shqiptarëve, shtylla e fuqishme të Perandorisë përgjatë shekujsh dhe rezervuari i pashterrur ushtarësh, gjeneralësh apo Vezirësh, sugjerojnë se domosdoshmërisht, përgjigja ngërthen një larmi këndvështrimesh dhe situatash, karakteristike të vetë ansamblit gjeopolitik, që tejkalojnë së tepërmi kuadrin lokal.
. Për më tepër, kqyrja e vëmendshme e këtij momenti unik në historinë e sotme të vendit çon në përfundimin se ideja e autonomisë politiko-kulturore apo ajo e pavarësisë, të formuluara nga elitat shqiptare gjatë periudhës pasardhëse të "Rilindjes Kombëtare", frymëzohen në rradhë të parë nga kriza e marrëdhënieve shqiptaro-otomane dhe në vazhdim, nga ndryshimi i raportit të forcave në skenën ballkanike. Në se fundi i idilit me Portën e Lartë krijon fermenton pakënaqësinë e krerëve dhe nxit turbullirat popullore, rritja e " oreksit territorial " të fqinjëve grabitqarë të krishterë ushqen shqetësimin lidhur me humbjen e trojeve. Në këto kushte, adoptimi i nacionalizmit si ideologji udhëheqëse e projektit kombëtar jo vetëm është një proces i vonët, për të mos thënë i vonuar, por edhe integrimi i këtij koncepti në sjelljen e elitave prodhon strategji dhe taktika të natyrës mbrojtëse dhe jo sulmuese.
. .
. * * *
.
.
. Po bëhej tashmë mbi një shekull që Perandoria otomane kish humbur çdo iniciativë të veprimit në Evropë dhe strategjia e vetme në rend të ditës ishte përmbajtja e sulmeve e armiqve veriorë si edhe shtypja e çdo lëvizjeje kundërshtimi ose të natyrës separatiste të ardhur nga brenda. Shtëpia e Osmanit kish humbur gjithë shkëlqimin dhe madhështinë e epokës së dikurshme dhe shtyllat e saj, të krisura tej e mbanë, mezi mbaheshin më këmbë:
. - Sulltani, ky personazh qëndror i Perandorisë që përfaqsonte forcën e dinastisë, përmblidhte në vetvehte të gjitha të këqiat e sistemit : gaziu fitimtar i kohërave të Muratit të IItë, i Mehmetit të IItë ose i Sulejmanit të IItë ishte zhdukur prej kohësh dhe i kish lënë vendin qenieve përtace të llojit Ahmed i IItë, Mustafa i IItë ose Ahmed i IIItë që e kalonin kohën mes kënaqësive të gjuetisë, të haremit dhe të kopështit perandorak.
. - Ushtria, ky instrument i shkëlqyer dhe ngadhënjyes i pushtimeve ishte shëndrruar në një trup paformë që shkëlqente nga paaftësia e saj ushtarake dhe nga ngurtësia e saj, e shëndrruar në legjendë. Armike ndaj çdo lloj reforme, ajo varej tashme nga dëshira e mirë e spahinjve, të lidhur së tepërmi me administrimin e pronave të tyre bujqësore, ndërkohë që trupa pletorike e jeniçerëve e kish mendjen më tepër në marrjen e rrogës dhe në intrigat e pallatit se sa në pjesëmarrjen në fushatat ushtarake. Kohërat e lavdishme të arritjeve të shkëlqyera si rrethimi i Vjenës ose fitorja nën muret e Lvovit i përkisnin të kaluarës ndërkohë që hieja e Habsburgëve të Austrisë ose e Carëve të Rusisë, dikur të mundur dhe të poshtëruar, tashmë peshonte mbi Ballkanin.
. - Së fundi principet e Islamit, të mbrojtura me xhelozi nga kasta e ulemave, ishin shëndrruar në frenin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe politik të Perandorisë. Nën pretekstin e mospërputhjes me konceptimin mysliman, përparimet teknike dhe shkencore perëndimore ishin hedhur poshtë në mënyrë sistematike gjë e cila kish thelluar greminën mes ekonomisë otomane ende në stadin artizanal dhe ekonomisë evropiane në fillimet e saja kapitaliste. Prodhimtari e ulët, kosto e lartë prodhimi, bilanc tregëtar katastrofik dhe më në fund një konjukturë e vështirë financiare ; të gjithë elementët e një krize të rëndë ekonomike ishin grumbulluar dhe përcaktonin një ndërhyrje të pashmangshme evropiane mbi tregun gjigand të perandorisë të cilit ndërkohë i mungonte kontrolli tradicional mbi rrugët e saj tokësore tregëtare me Lindjen e Largme dhe me Indinë.
.
. Ende më keq, tronditjet e thella të natyrës politike, ekonomike dhe teknologjike të shekujve të XVIIItë dhe të XIXtë kishin shëndrruar faqen e kontinentit evropian dhe kishin ndikuar në lindjen e fuqive të reja edhe më agresive dhe të interesuara tej mase nga rajonet otomane. Anglezët dhe francezët fillimisht si tregëtarë të zot dhe më tej si ushtarakë të shkëlqyer u çfaqën në brigjet lindore të Mesdheut dhe të Lindjes së Afërme. Porta e Lartë duhej t’i nënshtrohej realitetit : jo vetëm që ajo nuk zotëronte më ato mjetet e saja të dikurshme për t’u imponuar dhe për të bërë ligjin si dikur mbi vendet e krishtera por ajo tashmë duhej t’i nënshtrohej vullnetit dhe kërkesave të tyre që shpesh e më shpesh shpreheshin në pretendime territoriale.
.
. Çdo shpirti të ndritur dhe sadopak racional, kjo tabllo e errët e Perandorisë që rendtte drejt falimentimit mund t’i frymëzonte veçse ndërmarrjen e reformave. Ky ishte edhe mendimi i një vargu personalitetesh të shquara të Perandorisë : sulltanë, vezirë ose të tjerë pashallarë që herë pas here, ju përveshën kësaj pune aq sa ajo u shëndrrua në një përbërëse të përhershme e jetës politike otomane – të paktën, që prej fundit të shekullit të XVItë. Por, jo vetëm që kjo ndërmarrje gjithmonë ka qenë e rrezikshme për të mos thënë vdekjeprurëse për një numër të madh artizanësh të kësisoji, por njëkohësisht ajo ka prodhuar rezultate mediokre. Në mënyrë të pandryshueshme, politika e reformave të quajtura " tradicionale " synonte riorganizimin dhe ringritjen më këmbë të ushtrisë perandorake nëpërmjet forcimit të masave fiskale dhe përforcimit të thesarit të shtetit ndërkohë që ajo binte ndesh me frontin e bashkuar të të gjithë konservatorëve – trupa e jeniçerëve, kasta e ulemave, shtresa e spahinjve – që të gjithë me ndikim të madh dhe tepër të fuqishëm për t’u neglizhuar.
.
. U desh një seri e tërë disfatash kundër Rusëve dhe një traktat katastrofik i llojit të Kyçyk Kajnarxhes në vitin 1774 me qëllim që të imponohej një lloj tjetër reforme : shkrirja e plotë e e institucioneve ushtarake, politike dhe ekonomike. Nën Abdylhamidin e Irë, teknikët e parë të huaj, në pjesën më të madhe të tyre francezë, morrën në dorë modernizimin e ushtrisë otomane që u pajis me njësi të reja artilerie ose të marinës si edhe me një Akademi ushtarake. Pasardhësi i tij Selimi i IIItë shkoi edhe më larg : në vitin 1791, ai shpalli një sistem të ri të shërbimit ushtarak nizam-i xhedid në Anadoll dhe menjëherë, atij ju desh t’i vinte një fren kësaj makine për shkak të pakënaqsisë të ajanëve të provincave si dhe të zhurmës të jeniçerëve. Një dhjetëvjeçar më vonë, gjithmonë i njejti Selim u mundua të shtrinte këtë reformë në Rumeli por kësaj here jeniçerët e zemëruar e përmbysën prej vërteti kazanin e tyre legjendar : në vitin 1807, ata pushtuan pallatin dhe vranë Sulltanin. Kjo ngjarje u shëndrrua në një mësim të mirë për nipin e të ndjerit, Mahmudin e IItë që trashëgoi fronin : duheshin shtyrë sa më larg këto lloj reformash, përderisa armiqtë e tyre ishin ende gjallë. Megjithatë edhe durimi perandorak kishte kufijtë e tij veçanërisht kur bëhej fjalë për tërësinë territoriale të Perandorisë të rrezikuar nga kryengritja e Grekëve. Pasi ftoi pashanë e Egjiptit – Ibrahimin, të birin e Mehmet Alisë - për ndihmë në tokat greke, ai shpalli shkrirjen e trupës të jeniçerëve në gjirin e ushtrisë së re.
. Këta të fundit nuk hezituan aspak për të ngritur edhe një herë krye sipas zakonit të tyre të shquar dhe të respektuar deriatëhere dhe, në 14 qershor të vitit 1826, u derdhën në rrugët e kryeqytetit. Por kësaj here kryengritja e tyre u shtyp pa mëshirë dhe njësitë e reja të artilerisë ju dhanë dërrmën e fundit : mbi 6.000 të vrarë, 18.000 të syrgjynosur në fund të dheut bile edhe emri i tyre u ndalua të përmendej përgjithmonë. Në vazhdim të kësaj ngjarjeje të përgjakshme, shtresa e spahinjve u shkri një herë e mirë dhe urdhëri fetar i Bektashinjve u shpërnda dhe u ndalua me ligj. Me një goditje prej mjeshtri Sulltani kish prerë nyjen e famshme që shtrëngonte Perandorinë në grykë. Rruga e reformave tashmë ishte hapur njëherë e përgjithmonë (shënimi 1).
.
. Asnjëherë, mendimi i ngulët i sulltanëve për të ndërmarrë reforma nuk kish gjetur vend në shijen e ajanëve shqiptarë, fuqia ushtarake e të cilëve ju sillte një farë shkalle pavarësie ndaj pushtetit qëndror pa harruar ndoshta më të rëndësishmen, të ardhurat e majme. Forca e tyre qëndronte në rrjetin e aleancave mes bajraktarëve veriorë dhe bylykbashëve të zonave gjysëm malore të jugut - një shtresë shoqërore krejt e veçantë e rekrutuesve profesionelë - xhambazë njerëzish dhe njëkohësisht udhëheqës ushtarakë, për të mos thënë thjesht sipërmarrës që ju gjenin punë njerëzve të rregjur me artin e luftës. Kjo kategori e fuqishme sociale që gjendej diku mes aristokracisë ushtarake dhe shtresave popullore ishte një prodhim origjinal i epokës së turbullt që kalonte perandoria otomane : që prej momentit kur sistemi timarial kish humbur forcën e vet jetësore dhe veçanërisht aftësinë e tij për t’i ofruar ushtrisë kontigjentet e nevojshme ushtarake, Shtetit ju desh të paguante shuma kolosale për të rekrutuar trupa " mercenare ", preokupimi kryesor i të cilave ishte pagesa e rregullt e rrogës. Kështu, ata u ndjenë thellësisht të prekur me rastin e rikthimit në rendin e ditës të nizam-i xhedidit, dhe bashkuan zërat e tyre me ato të bejlerëve dhe të pashallarëve të tjerë. Mërmëritja e tyre e thellë u kthye në buçitje që u dëgjua deri në Divan i cili, s’gjeti rrugë tjetër veçse të ngadalësonte aplikimin e reformave, të paktën në viset shqiptare.
.
. Gjendja e vajtueshme e situatës si dhe degradimi i thellë i sistemit u çfaq me një forcë të veçantë gjatë operacioneve në Greqi ku, sigurisht udhëheqësit shqiptarë u thirrën të merrnin pjesë me gjithë potencialin e tyre njerëzor. Megjithë thirrjen e lëshuar " në emër të Islamit dhe të Sulltanit ", numri i atyre që u përgjigj prezent që në ditët e para ishte mjaft i pakët (shënimi 2). Të tjerët, kryesisht ajanët toskë, duke marrë me mend gjendjen e keqe të financave otomane, e kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre me parapagime marramendëse si dhe me çmime të larta ndaj rreziqeve të mundshme. Në të vërtetë, ata ishin tepër pak të motivuar për të marrë pjesë në operacione ushtarake kundër fqinjëve dhe partnerëve të tyre të vjetër grekë, që në shumicën e rasteve bile ishin me origjinë shqiptare sikundër ata vetë. Sidoqoftë, të detyruar të sillnin ndihmën e tyre, ata u prezantuan në teatrin e operacioneve që zhvilloheshin nga Peloponezi dhe deri në More, duke kaluar nëpër Athinë. Krejtësisht të çinteresuar dhe pasivë, për të mos thënë dëshpërues në aksionet e tyre, ata u treguan në të kundërt tepër aktivë në atë stratagjemën e tyre të përbashkët që synonte diskreditimin e Mehmed Reshid pashës, komandantit të përgjithshëm otoman të asaj epoke. Qëllimi i tyre ishte krejt i qartë : duke vënë në rrezik aksionin e Mehmed Reshid pashës, ata synonin të rekuperonin sanxhaqet e Janinës dhe të Delvinës, të besuara këtij të fundit pas vrasjes së Ali Tepelenës. Diku prapa " problemit grek " po profiloheshin konturet e krizës së ardhshme shqiptare.
.
. Ndërkohë, Perandoria kalonte momente shumë të veshtira pasi, përveç problemit grek që po përjetësohej pa zgjidhje, ajo kish pësuar një humbje tepër të rëndë të flotës së saj në Navarin (20 tetor të vitit 1827) dhe i duhej të përballonte ortekun rus që kish kaluar Danubin në prill të vitit 1828 dhe kërcënonte kryeqytetin e vjetër të Adrianopojës. I tronditur nga të gjitha anët, Sulltanit s’i mbetej gje tjetër veçse të shtronte kurrizin dhe të gëlltiste fyerjen : ai lëshoi një thirrje tjetër ndaj ndjenjës së detyrës dhe të solidaritetit të shqiptarëve, duke arritur të tërheqë vëmendjen e disa pashallarëve si Omer Vrioni dhe Ismail Plasa, të mirënjohur në përpjekjet e tyre për të shtypur revolucionin grek dhe të tejnjohur në shprehjet e ndjenjave të tyre prootomane. Pjesa dërmuese e ajanëve toskë ju bashkangjit një projekti krejtësisht të ndryshëm : pas bisedimesh sekrete me përfaqsuesit e kryengritësve grekë, ata mblidheshin në Berat për të diskutuar mbi perspektivat e të ardhmes pas-otomane si dhe për të përcaktuar mjetet e rimarrjes të sanxhaqeve jugore, gjithmonë nën qeverisjen turke. Më tepër se kurrë, fantazma e pashait të ndjerë të Janinës magjepste shpirtrat e ndihmësave dhe bashkëpuntorëve të tij të dikurshëm.
.
. Qetësia relative që ndoqi këto ngjarje si dhe mungesa e reaksionit ndaj lajmit të këtij komploti mundi të mashtrojë pothuaj që të gjithë " fajtorët ". Në mënyrë të përgjithshme, palëvizshmëria e pushtetit që nuk çfaqte ndonjë vullnet të veçantë për të vënë në rresht individualitetet shpërthyese të bejlerëve dhe të pashallarëve toskë u interpretua si një shenjë dobësie. E megjithatë, në kundërshtim me rrethana të tjera, një varg treguesish linte të kuptohej se egzistonin të gjitha arsyet që ata t’i druheshin humbjes së prerogativave : pushtet, ndikim dhe pasuri. Shteti dhe shoqëria otomane dukej se ishin përfshirë në një spirale ndryshimesh të thella ndërkohë që Sulltani kish treguar me vepra vendosmërinë e tij të plotë, që bashkonte këmbënguljen për të kryer një reformë të domosdoshme me veprimet ndëshkuese ndaj më të pabindurve.
. Tashmë interesat e perandorisë kalonin përtej çdo kujtimi besnikërie të dikurshme dhe zhdukja e dhunshme e Ali pashë Tepelenës kishte vlerën e një dëshmie të sigurt. Bile edhe lobi i plotfuqishëm proshqiptar i Stambollit kish pësuar një goditje tepër të rëndë pas asgjësimit të familjes së jeniçerëve dhe pas shpërndarjes së vllazërisë së Bektashinjve. Shqiptarët e kishin humbur atë vlerën e dikurshme në sytë e pushtetit. Ajo lidhje aq e veçantë që bashkonte kastën udhëheqëse shqiptare dhe pushtetin otoman, e krijuar nga njëra anë me shërbime të vyera dhe të sigurta dhe nga ana tjetër me ngritjet në grada dhe me bakshishe ishte duke u këputur. Kështu, asnjeri s’mundi të parashikonte që separatizmi shqiptar do të pësonte një goditje vendimtare në Manastir (Bitola e sotme). Gjatë muajit gusht të vitit 1830, gjenerali Mehmed Rashid ftoi ajkën e aristokracisë shqiptare, kryesisht toske, për të festuar pajtimin me pushtetin otoman si dhe për të admiruar ushtrinë e re turke të armatosur sipas modelit perëndimor. Parada ushtarake që ndoqi festën u shëndrrua në një kasaphanë të vërtetë : njësitë turke që parakalonin shtinë mbi të ftuarit dhe vranë disa qindra prej tyre, në mos një mijë syresh.
.
. Logjika e sendeve kërkonte që pas kaq vitesh pasigurie, vala e reformave duhej të prekte më në fund krahinat shqiptare, të kursyera deriatëhere për arsye politike - aq më tepër që përmbysja e pashallëqeve dhe ngjarje të tjera si ajo e Manastirit kishin kontribuar gjerësisht për të pastruar pejzazhin. E megjithatë, sapo që lajmi u përhap në vend, një dallgë e re revolte tronditi që të gjitha shtresat shoqërore.
. Veprimi i ndërmarrë nga pushteti qendror për aplikimin e bashkësisë së masave administrative u interpretua kryesisht si një tentativë e re për të shtrënguar vidat dhe në asnjë mënyrë si një përpjekje centralizimi ose modernizimi të sistemit. Në krye të të pakënaqurve u vunë përfaqsuesit e Oxhaqeve të mëdha të vendit, dikur të lidhur me pashallarët autonomistë të cilëve ju duhej të hiqnin dorë nga përfitimet e tyre tradicionale. Bajraktarët e veriut panë se privilegjet e tyre reduktoheshin në mënyrë të ndjeshme pa asnjë masë kompensimi të dukshme ; e njejta gjë ndodhi edhe me spahinjtë e jugut të lidhur ngushtë me sistemin e vjetër. Fshatarët ndjenë rrezikun e shëndrrimit në çifçinj dhe humbjen e parcelave të tyre individuale në përfitim të latifundias tashmë të institucionalizuar ndërkohë që zejtarët e qyteteve kishin frikën e arbitraritetit dhe të korrupsionit të administratorëve të rinj otomanë. Së fundi, kleri bektashi vendas kish të gjitha arsyet që të bashkohej me të pakënaqurit, pasi ai gjendej në shënjestër të rregjimit për shkak të lidhjeve të vjetra me trupën e jeniçerëve. Kështu, ata u ngritën si një trup i vetëm duke kërkuar anullimin e reformave për të mos thënë thjesht braktisjen e tyre një herë e mirë.
.
. Autoriteteve ushtarake ju desh të ndërhynin me ashpërsi të veçantë kundër një varg kryengritjesh që shpërthyen gjatë viteve 1833 – 1837, të organizuara nga Tafil Buzi në Berat, Zylyftar Poda në Përmet dhe Leskovik ose Zenel Gjoleka në Labëri – që të gjithë miq të vjetër të Ali pashait, nga bejlerë si puna e Alush Frakullës në Myzeqe ose nga zejtarët qytetarë si Hamzë Kazazi ose Dasho Shkreli në Shkodër. Megjithë se ata vinin nga horizonte shoqërore krejt të ndryshme, të gjithë këta udhëheqës popullorë avanconin praktikisht të njejtat kërkesa : dëbimin e funksionarëve të rinj turq, braktisjen e mënyrës së re të kryerjes së shërbimit ushtarak, kthimin e pushtetit lokal në duart e përfaqsuesve të Oxhaqeve të Mëdha dhe veçanërisht, ruajtjen e nivelit të taksave siç ishte në kohën e Bushatllinjve në veri dhe të Tepelenave në jug. Pa asnjë dyshim, sahatet e krahinave gegë dhe toskë ishin ndalur menjëherë pas rënies të pashallëqeve. Porta e Lartë u detyrua rishtas të tërhiqej dhe bllokoi përkohësisht zbatimin e reformave.
.
. Në vitin 1839, dekreti Hatt-i-Sherif i Gjylhanes të sulltanit Abdylmexhid, i njohur më mirë me emrin Tanzimat (shënimi 3), përgjithësoi reformat në të gjithë hapësirën otomane, duke vënë theksin mbi barazinë e të gjithë qytetarëve të Perandorisë otomane : barazi përpara taksave, barazi politike dhe fetare, ndalje e institucionit të spahinjve dhe të jeniçerëve, shërbim i detyrueshëm ushtarak për myslimanët si edhe riorganizim administrativ. Të shpallura me bujë në Shkup në vitin 1843 dhe në Janinë në vitin 1845, sikundër edhe gjetkë ato u vunë në jetë edhe në Shqipëri. Të përkthyera në gjuhën lokale, këto masa dilnin se s’ishin gjë tjetër veçse detyrime shtesë : duheshin paguar më shumë taksa, duhej bërë me detyrim shërbimi ushtarak diku në nje qoshe të humbur të Perandorisë otomane, duhej pranuar vendimi i një gjykate otomane megjithë ligjet dhe doket stërgjyshore etj. etj.- shkurt, duheshin hedhur poshtë veçoritë lokale dhe gjithë sistemi i " privilegjeve " tradicionale për të nxënë qytetarinë otomane sipas një modeli haptazi perëndimor. Pas kaq vjetësh anarkie, kthimi në gjirin e " atdheut otoman " dhe njësimi me otomanin e zakonshëm merrte shijen e hidhur të një ndëshkimi, të cilën historianët shqiptarë të ditëve të sotme e vlerësojnë si më poshtë:
.
. "..Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në jetën politiko-shoqërore të Perandorisë Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale, nuk ishte në gjendje t’i vinte në jetë ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës. Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi të hartohej sipas shembullit të atij francez, si edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj, zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet 30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë dhe mbi vegjëlinë e qyteteve" (shënimi 4).
.
. E parë në këtë mënyrë, kjo ishte një sfidë e re që i bëhej shqiptarëve të cilën nuk e humbën rastin për t’ju kundërvënë pushtetit qëndror. E filluar në Shkup në gusht të vitit 1843, revolta e të pakënaqurve e drejtuar nga Dervish Cara preku një pjesë të mirë të Maqedonisë dhe më tej të Kosovës, përpara se të përhapej nga Dibra deri në Shkodër. Ndezja e shpirtrave vazhdoi deri në vitin 1844 dhe mundi të shuhej vetëm me anë të ndërhyrjes së vendosur të ushtrisë otomane ndërkohë që vatra të reja të izoluara të rezistencës nga Dibra deri në Gjakovë vazhduan të digjeshin deri në vitin 1845. Më pas i erdhi rradha jugut që të rrebelohej. Kulmi i kësaj vale kryengritjesh u arrit me Kuvendin e përgjithshëm të parisë toske, të mbajtur në qershor të vitit 1847 në Mesaplik të Vlorës. Përfaqsuesit e këtij takimi deklaruan se ishin kundër këtyre reformave dhe kërkuan mobilizimin e përgjithshëm për të mbrojtur " jetën, nderin e pasurinë e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja ". Gjatë gjithë vitit 1847 dhe deri në shtypjen e tyre të përgjakshme, kryengritësit në komandën e Rrapo Hekalit në Mallakastër dhe të Zenel Gjolekës në Labëri mundën të përballojnë trupat ndëshkuese të të famshmit Mehmed Reshid pasha – vrasësit të shqiptarëve.
.
. Kriza e dytë e Lindjes që çoi në lufën e Krimesë (1853 – 1856) krijoi një klimë zbutjeje në marrëdhëniet shqiptaro – otomane pasi, duke patur nevojë të ngutshme për trupat e parregullta, sulltan Abdylmexhid shpërndau tituj dhe grada pa hesap mes bajraktarëve dhe ajanëve vendas. Krenar për titullin e tij të sapomarrë të pashait, Bib Doda i Mirditës u bashkua me trupat otomane në frontin e Krimesë ndërkohë që të tjerë preferuan të përforconin dispozitivin ushtarak që siguronte mbrojtjen e kufijve ballkanikë të Perandorisë. Që prej krijimit të Mbretërisë së Greqisë dhe forcimit të pushtetit të princërve malazezë, rajonet kufitare shqiptare kishin njohur një rritje sulmesh dhe konfliktesh që synonin para së gjithash autoritetin e parisë lokale, duke krijuar një psikozë pasigurie dhe terrori.
. Gjithmonë pjesë përbërëse e kompleksit perandorak, Shqipëria tashmë ishte përfshirë në një konjukturë të re, të karakterizuar nga një dinamikë e dyfishtë :
.
. - Nga njera anë, ajo ishte e detyruar të ndante fatin e Perandorisë otomane për shkak të lidhjeve të saj të vjetra, të referencave të përbashkëta myslimane si dhe gjithashtu për shkak të një farë vonese në fushën kulturore dhe veçanërisht të ideve që bllokonin deri diku çdo lloj fluturimi të natyrës pavarësiore. Sidoqoftë pesha e veçorive lokale si dhe të privilegjeve që gëzonin elitat, pa dyshim të dala nga një mjedis i otomanizuar por që afishonin tendenca të forta qëndërikëse, i shtynte pashmangësisht drejt trajektores së forcave konservatore që kërkonin të frenonin lëvizjen reformiste të ndërmarrë nga pushteti qëndror.
.
. - Nga ana tjetër, vendi vuante pasojat e zhvillimeve gjeopolitike të Ballkanit si rrjedhojë e çfaqjes së shteteve të reja fqinje, interesat e të cilëve ishin radikalisht të kundërta me ato të tutorit të tyre të vjetër otoman. Ky presion në nivelin rajonal, i cili shprehet me zgjerime territoriale si dhe ndërhyrje ushtarake e politike të fqinjëve në zonat e banuara prej popullsisë shqiptare, krijoi një forcë shtytëse - një reaksion të brendshëm - që ishte drejtuar njëkohësisht kundër përparimit nacionalist serb, grek ose malazez dhe në favor të mbetjes brenda strukturave perandorake që luanin rolin e mburojës mbrojtëse.
.
. Në këtë moment delikat të historisë, kur klasat udhëheqëse tradicionale të vendit po përgatiteshin të ripërtëritnin atë " marrëveshjen " e tyre të zakonshme me pushtetin qëndror – kësaj rradhe nën shenjën e pranimit me kusht – çfaqen në horizont elita dhe klasa politike të reja. Më të kultivuara dhe të arsimuara, më perëndimore dhe ç’është më e rëndësishmja, tepër radikale, ato do të përdorin në rradhë të parë kulturën si armë të tyre kryesore të luftës politike dhe si mjet propagande. Qëllimi i tyre është i qartë : në rradhë të parë, të grumbullojnë shqiptarët rreth një projekti kombëtar dhe nacionalist dhe më tej, të ndërtojnë një program politik të qartë dhe të renditur në shërbim të autonomisë.
.
.
. -------------------------------------------------------------
.
.
. 1) Përgjatë mbretërimit të tij që zgjati tre dhjetëvjeçarë (nga viti 1808 deri në vitin 1839), Mahmudi i IItë ndërmorri më shumë reforma se sa të gjithë paraardhësit e tij të marrë së bashku. Ai ngriti siparin me inaugurimin e trupës së re të artilerisë – gjithmonë duke bërë kujdes ndaj jeniçerëve, dhe më pas ju kthye fushës së arsimit : kështu, në vitin 1824 ai përgjithësoi arsimin fillor pasi kish mundur të fitojë besimin e kastës së ulemave, të kënaqur nga shumllojshmëria dhe sasia e veprave të tij të devota. Pas epizodit të përgjakshëm me jeniçerët, ai ju përvesh modernizimit të aparatit shtetëror : qeveria e tij - Divan-i humajun - u plotësua me një Ministri të Brendshme, të Luftës, më pas me një Ministri të Punëve të Jashtme dhe në vazhdim me një Ministri të Tregëtisë dhe të Punëve Botore. Një varg përfaqësish diplomatike otomane u vendosën në kryeqytetet kryesore perëndimore. Statuti i nëpunësit dhe veçanërisht trajtimi i tij u rikqyr dhe u ndryshua : duke shfuqizuar sistemin e vjetër të marrjes së shpërblimit në vend, rrogat e tyre tashmë administroheshin dhe paguheshin nga Thesari Publik, me qëllim vënien fre korrupsionit dhe bakshisheve tradicionale. Bile edhe Sheik ul-Islami, gjithmonë i ngarkuar me Arsimin dhe me sistemi gjyqësor, u kthye në pjesë përbërëse të Administratës shtetërore gjë e cila kufizoi në mënyrë të ndjeshme lirinë e tij të veprimit. Vala e reformave preku gjithashtu edhe aspektin e veshjes së nëpunësve civilë dhe ushtarakë : në vend të rrobave tradicionale, ata u detyruan të vishnin uniforma dhe me këtë rast u çfaq edhe festja e famshme turke. Vetëm ulematë u lejuan të mbanin turbanin si dhe xhyben e tyre të zakonshme. Së fundi, shoqëria civile pati rastin të lexonte gazetat e para si dhe të përfitonte nga një shërbim postar në nivelin e gjithë perandorisë.
.
. 2) Mes të parëve që shkuan në vend ishte Mustafa Bushatlliu i Shkodrës, në krye të ushtrisë së gegëve dhe të kosovarëve si edhe Iljaz Poda nga Leskoviku me disa reparte toskësh. Ndërkohë që i pari rrethonte Misolongjin, i dyti bashkohej me ushtrinë otomane në Larisa. Me një moral ushtarak më se të vajtueshëm, trupat e ajanëve shqiptarë dezertuan në masë dhe vunë në rrezik aksionin e ushtrisë otomane kundër kryengritësve grekë mes viteve 1822 dhe 1823.
.
. 3 ) Hatt-i-Sherifi i Gjylhanes plotësua me një dekret të ri në shkurt të vitit 1856, Hat i-Humajun i cili zgjeronte bazën e të drejtave individuale. Reformat e Tanzimatit shënojnë një periodë të tërë që shkon nga viti 1839 deri në vitin 1876 dhe përbëjnë një përpjekje madhore të Perandorisë otomane drejt modernizimit të saj. Ato vinin si një rrjedhojë logjike pas konstatimit të rënies dramatike të fuqisë së Turqisë përballë ngritjes së vendeve fqinje, pas disfatave ushtarake (kundër grekëve dhe veçanërisht kundër rusëve) si dhe përballë pamundësisë për të kontrolluar tendencat autonomiste në gjirin e Perandorisë (Ali pasha i Tepelenës ose Mehmet Aliu i Egjiptit).
. Megjithëse historianët shqiptarë të sotëm pranojnë se "Tanzimati ishte një orvatje që ndërmorën qarqet qeveritare osmane për ta shpëtuar Perandorinë e tyre nga humnera ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur atë mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve evropiane", ata sjellin një gjykim mjaft të ashpër kundër këtyre reformave, duke i konsideruar si "disa arnime borgjeze, që nuk mund ta ndryshonin gjendjen në Perandori… të ndërmarra për forcimin e sistemit të saj të centralizuar, në aftësinë për të përballuar lëvizjet çlirimtare dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, por.. ato nuk qenë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës sunduese sulltaniste, por me logjikën e popullit të shtypur, jo nga pozitat e Portës së Lartë, por nga interesat e kombit të shtypur e të robëruar dhe të aspiratës së tij për ta ndryshuar këtë gjendje". Shih : Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II, Bot. Toena, Tiranë, 1994 - 2002.
.
. 4) Shih : Kolektiv autorësh - Historia e Popullit Shqiptar v.I e II, ibidem.

1 comments:

Anonymous said...

Nice site, nice and easy on the eyes and great content too.

 
Përjetësisht të Panjohur