"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, November 4, 2008

Kajsi & Zerdeli

.
. Vdekja, kur ajo vjen, është një kapak që mbyll kazanin e rrëmujshëm të jetës, të aktivitetit të njeriut. Bile kur vjen pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme, thonë se është një kapak floriri. Paradoksalisht, janë të gjallët që merren me këto histori kapakësh. Pasi të vdekurit jo vetëm që nuk flasin - për të na dhënë përshtypjet, por dhe në derexhenë e tyre të fundit, pak ju bën përshtypje në se kapaku është i artë, i gurtë apo i drunjtë. Të gjallët pra, që autorizohen të trazojnë çorbën e vjetër në kazanin tashmë të ftohtë, t’a nxjerrin në shitje nën etiketën « ekzemplare », ti venë këtij kazani kapakun apo të pengojnë të tjerë të gjallë që t’a hapin.. Të gjallët në rolin e të vdekurve komunikojnë me të gjallët.
. Asnjëherë e ndërsjellta dhe aq më pak e kundërta.
.
.
. * * *
.
.
. Të them të drejtën, nuk kisha më dëshirë të flisja as për të vdekurit as edhe për vdekjen. Mendoja se me shkrimin « Metafizikë e intolerancës » e kisha tejkaluar « normën » - aq më tepër kur ai vinte pas « Requiem për fjalën e dhënë ». Nuk e pata këtë ngasje, edhe pse një lajm i tillë si largimi për në botën tjetër të të amëshuarit Gazidede, të shtynte drejt saj. Derisa rashë në shkrimin e fundit të Agron Tufës « Gazidede, nëpunësi i përgjegjshëm dhe shkencëtari i pasionuar ».
. E lexova atë disa herë rradhazi. Jo për të shijuar stilin e shëndritshëm të autorit, as edhe për të vënë në dyshim motivet fisnike që shtynë dorën të kërkojë penën. Thjesht, pasi doja të zbuloja pikërisht atë kufirin e padukshëm që ndan shkencëtarin e pasionuar nga nëpunësi i ndërgjegjshëm, babain e përgjëruar nga shefi i pakomprometuar, besimtarin mysliman nga militanti politik, dashurinë « e pakufijtë të familjes, miqve e kolegëve që e patën njohur » nga urrejtja « e atyre që nuk e njohën »…
. Nuk kam patur fatin – e mirë ose të keq – të njoh Gazideden, përveç asaj kohe të largët në memorje të një mësuesi matematike dikur, diku.. dhe në këtë pikë vërej që jam në të njejtin nivel me Tufën. Pra, kemi të njejtat motive të shkruajmë për të ndjerin. E megjithatë ndryshe nga Tufa, unë njoh imazhin e tij. Atë që Tufa na e përshkruan si të « përgatitur gjatë e manipulueshëm nga media e majtë në shërbim të komunistëve dhe pasuesve të tyre të spektrit majtist ». Dhe për fat të keq, imazhi i është ngjitur kësaj fytyre si një maskë, tashmë mortore. A është faji i atij mentaliteti popullor që më ka ngjizur dashur padashur, i gatishmërisë time për t’u manipuluar, apo i mjeshtërisë të pashoqe të inxhinierisë të skëterrshme mediatike? Ndoshta, të treja së bashku, bile sipas një rendi jolinear. A mos vallë së fundi, është truri im që është kthyer në psikopatologjik dhe që mëton ngathët për shkak të ngarkesës së tij të kohës së diktaturës, duke sekretuar imazhe të tilla ndaj një shefi të tillë të devotshëm të SHIK-ut?
.
. Ç’është e drejta, me këtë shkrim të Tufës, çdokujt - qoftë edhe PD-istit të djeshëm - i duhet një farë përpjekjeje për të përfytyruar Gazideden e asokohe në këtë kënd të ri ndriçimi që na propozohet. Jo për të amalgamuar shkencëtarin, besimtarin, babain dhe shefin e spiunëve në një të të vetëm. Pasi në ato kohë dhe në ato të mëpastajmet kemi parë një fizikan si kryeushtarak, një arkeolog si kryepolic, një arkitekt si Kryeministër dhe një mjek si Kryetar - që të gjithë (hiq kuranin) shkencëtarë të shquar dhe baballarë të devotë. Por për shkak të asaj dukurie fizike që quhet «qëndrueshmëri e imazhit në retinë» dhe që në një gjuhë më popullore «fotografim i figurës në sytë e brëndshëm». Troç, në sytë e njerëzve të rrugës, kryespiuni mbetet kryespiun, qoftë i Sigurimit famëkeq, i SHIK-ut famëmirë ose i SHISH-it të pafamë. Aq më tepër kur këta njerëz, dikur të zhveshur nga ekonomitë e tyre me ndihmën e Shtetit demokratik, ju është dashur të përleshen dhe të përgjaken me tanket dhe helikopterët e dërguar nga gjenerali Gazidede. .
. Hajde pra t’i quajmë këta njerëz « underground të mbeturinave të komunizmit… dhe trashëgimtarëve të tyre » sikundër bën Tufa, përgjegjës për « flakët dhe shkatërrimet e revolucionit terroristo-bolshevik (të vitit 1997) ». Pse jo, edhe ata që e përgojin sot « halabakë dhe zabërhane ». Edhe në mos mundshim të prarojmë ikonën Gazidede, të paktën do të hapim një pusetë më shumë, mbyllja e kapakëve të të cilave mbetet një specialitet më vehte. Por a do të mundim vallë të harrojmë se i ndjeri – megjithë ndershmërinë e tij legjendare, si edhe varfërinë e tij proverbiale - mbante fanellën e atij ekipi demokrat të lindur, pa asnjë dyshim antikomunistë të bindur, por sidoqoftë të specializuar në kontrabandën e naftës, në shitjen ilegale të armëve, në zhdukjen e biznesmenëve parallinj, në ngritjen e piramidave financiare… dhe në të tjera bëma të këtij kallëpi.
.
. Edhe pse përkthyes i talentuar nga rusishtja dhe njohës i thellë i Brodskit, i Akhmatovës, i Pasternakut apo i Bulgakovit dhe i Nabokovit, Tufës i ka shpëtuar leximi i një libërthi të vogël – po rusisht – « Tregime mbi çekistët », që më ka rënë në dorë dikur në fëmijërinë time. Ndryshe ai do të kish evituar të na sillte episodin e fundit të shkrimit të tij, ku na përshkruan një Gazidede sa të vobekët aq edhe krenar që refuzon dhuratën modeste të ish-kolegut të tij. Në atë farë libri të larpërmendur, që lexoja me kureshtjen e fëmijës – në mungesë të një letërsie për të qenë – mes gjithë atyre çekistëve proletarë, pionierëve Pavlik që kallëzonin prindërit kulakë apo të tjerë qenër të lavdishëm kufiri, lartësohej figura e një farë Feliks Xherzhinski. Kalorësi i hekurt i revolucionit, kryespiun edhe ai, përkushtimi i të cilit ishte kthyer në asketizëm, kish mohuar origjinën e tij fisnike për t’i shërbyer idealit dhe në ditët më të zeza të luftës civile refuzonte me krenari të hante atë pataten e vetme që një nga kolegët e tij kish menduar t’i bënte dhuratë. Paralelizmi i situatave më shtyu të falemnderoja Tufën për shembullin e sjellë pasi, deri vonë, kisha menduar se ai libërth i vogël i atëhershëm s’ish gjë tjetër veçse një broshurë propagande komuniste nga ato më të rëndomtat.
.
. Çka diferencon shefin e ndjerë të SHIK-ut nga homologu i tij i famshëm i Çeka-s ? Që të dy ishin sa të ndershëm po aq të pakorruptueshëm, sa të devotshëm aq edhe të patundueshëm, që të dy dëgjonin zëra që vinin nga qiejtë respektivë… Dhe ishte pikërisht ky zë, « bindja e të qënit në kontakt me Absolutin – na mëson Soren Kierkegaard – që e diferencon Abrahamin biblik nga më i përbuzuri i kriminelëve ». « Por cili prej nesh e ka këtë bindje – ndërhyn polaku Jaçek Kuron – cili është plotësisht i sigurt që zëri që ai dëgjon është vërtet zëri i Perëndisë ? » Ja pra edhe thelbi i çështjes : mangësinë e bindjes të të qenit në kontakt me Absolutin, vdekatari e kompenson me përkushtimin e tij ndaj një ideali absolut. Paçka se, sikundër thotë edhe Tufa, « jo gjithçka në këtë botën tonë është shpërblyese, se jo gjithmonë sakrifikimi, përkushtimi dhe dashuria ndaj atdheut të shpërblehen me të njëjtën monedhë ».
.
.
. * * *
.
.
. Duke shkruar këto rradhë, nuk e di përse, më doli parasysh gjyshja ime e ndjerë. Ndoshta pasi bëhet fjalë për të vdekurit e sotëm dhe të djeshëm… Në mes të përleshjes së nipërve dhe mbesave, ajo ndërhynte për të sjellë paqen, e cila merrte formën e një shporte plot me fruta të pjekura. « Hani kajsitë dhe zerdelitë dhe na lini veshët rehat ». Veçse për të kuptuar se kush ishte kajsia apo zerdelia – që të dyja thuaj njësoj, duhej ndjekur këshilla e gjyshes, që linte oborrin duke thënë : « thelbi i kajsisë është i ëmbël, i zerdelisë i hidhur ». Dhe pasi shporta ish tashmë bosh, kërcisnin plloçat mbi ato bërthamat ende të lagura : « ja një kajsi.. kjo ish një zerdeli.. ». Dikush e përtypte, e gëlltiste dhe bekonte kajsinë, tjetri e përtypte, e pështynte dhe mallkonte zerdelinë. Një mënyrë e zgjuar kjo e gjyshes për të zgjatur paqen.. në kërkim të kujtimit të një fruti, ndërkohë gjurmë e çmaterializuar. Por cili prej nesh ish në gjendje të gjente lidhjen mes frutit tashmë të ngrënë dhe të tretur dhe thelbit të tij të ëmbël apo të hidhur ? Atëhere, kajsi apo zerdeli Zoti Tufa ?

1 comments:

Anonymous said...

Very Interesting!
Thank You!

 
Përjetësisht të Panjohur