"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, October 31, 2008

Metafizikë e intolerancës.

.
. Një pllakë e thjeshtë përkujtimore. Një katërkëndësh i gurtë mbi dy shufra të hekurta, pranë të cilit kisha kaluar me dhjetra për të mos thënë me qindra herë – pa i hedhur asnjë vështrim, në një skaj të sheshit të Salën-it (Salin), në një qoshe të Tuluzës së vjetër. Dikur, në një kryqëzim të rrugës së vjetër romake që vinte nga Mesdheu, aty paguhej taksa mbretërore mbi kripën (ja përse edhe emri) ; pak metra më andej pallati i kontëve të Tuluzës dhe përpara tij platea Thesaurarie ; pak metra më këtej sheshi i Inkuizicionit. Dhe mbi këtë të fundit ajo pllaka. U desh vonesa e autobuzit që të lexoja shkrimin mbi të :
.
. « Homazh ndaj mendimtarëve pararendës të Dritëzave (Lumières), viktima të obskurantizmit që kanë studiuar ose dhënë mësim në Tuluzë :
.
. Giulio Cesare Vanini, (1585 – 1619), Filozof italian, i djegur për ateizëm në këtë vend, në 8 shkurt 1619.
. Etienne Dolet, i djegur në Paris (1509 – 1546)
. Michel Servet, i djegur në Gjenevë (1511 – 1553)
. Giordano Bruno, i djegur në Romë, (1548 – 1600)
. Ata i paraprinin mendimit të lirë dhe arsyes.
.
. materja e qiellit nuk është aspak e ndryshme nga ajo e njeriut apo e brumbullit.
.
. G.C. Vanini – Amphitrion ».
.
. Nuk e di se sa autobuzë humba atë ditë, veçse të nesërmen isha përsëri përpara asaj pllake.. sa herë gjendesha diku pranë, këmbët më çonin vetë në atë vend. « .. Materja e qiellit nuk është aspak e ndryshme nga ajo e njeriut apo e brumbullit… ». Duhej jo thjesht guxim, por edhe një dozë shpërkujdesja ndaj vehtes, për të shqiptuar këto fjalë në fillimshekullin e XVII-të. Sikundër dhe një vetëdije sfiduese, si ajo e Vaninit kur i drejtohej xhelatit dhe turmës sehirbërëse : « Le të vdesim me hare, si filozof ».
. Çka shtyn njeriun t’i kundërvihet një të tillë « Establishement » të plotfuqishëm si Kisha, një morali shtetëror apo një besimi si ai zyrtar ? Ndoshta është ajo kurajë e fituar nga dija, lartësimi i dhënë nga inteligjenca superiore apo revolta e ngjizur nga arbitrariteti nëpërkëmbës ? Ndoshta të gjitha bashkë sikundër dhe kokëngjeshja natyrore e njeriut.
.
.
. Të vrasësh një njeri…
.
.
. Çka i bashkon këta individë në këtë shkrim, përveç faktit që dikur, Tuluza ju ka dhënë strehë dhe ju ka hapur shkollat ose që sot ju gëdhend emrat mbi një të tillë pllakë, që Inkuizicioni i ka ndjekur, i ka gjykuar dhe së fundi, i ka djegur mbi turrën famëkeqe ? Kurioziteti intelektual aq karakteristik i epokës së Rilindjes ; racionalizmi intuitiv që krijon ndeshjen e parë me dogmën absolutiste dhe që prodhon dyshimin mbi vlerat që epoka i njihte dhe i respektonte si universale. Besimi në vetvehte, i krijuar në kontakt me shkencën ende në embrion, por sidoqoftë mjaftueshmërisht sigurues për të ngjallur rrebelimin e hapur ; dëshminë e shkruar, predikimin publik – pra, herezinë, blasfemën, troç krimin e pafalshëm dhe të ndëshkuar të pastrohet me anë të zjarrit. Urrejtjen hyjnore të Kishës tokësore që shkrumbëzoi mëkatarët e rradhës.
.
. 1. Italjan, si edhe vetë ideologjia humaniste, Lucilio Vanini – i njohur më tej si Giulio Cesare – përfaqson shpirtin e atij mendimi që kqyrte njeriu si gjënë më të admirueshme mbi botë. I lindur pranë Lecces, filozof dhe teologjist në Romë, avokat në Napoli, jurist në Padova, ai brodhi Evropën mbarë – nga Zvicra në Hollandë, nga Franca në Angli, rishtas në Itali për t’ju kushtuar fizikës dhe shkencave natyrore, përpara se të instalohej në Francë – dhe t’i kushtohej mësimdhënies në Tuluzë. Ai tërhoqi vëmendjen e Inkuizicionit për shkak të predikimeve të tij blasfematore dhe jetës së shthurur. I gjykuar për krimet e « fyerjes së Madhërisë së saj hyjnore, ateizëm, blasfemë, sakrilegj, magji dhe korrupsion të zakoneve », ai u gjet fajtor dhe u dënua me shkulje të gjuhës, mbytje dhe përfundimisht me djegie në turrë drush. Kronika e qytetit thotë se ulërima e Vaninit kur i shkulën gjuhën, mbeti si një kujtim i tmerrshëm dhe i pashlyeshëm në kujtimin e Tuluzanëve.
.
. 2. Pinjoll i një familjeje fisnike, Etienne Dolet, studion disa vjet në Paris, përpara se të shkojë në Padova.. më tej në Venedik si sekretar i Ambasadorit të Francës, ku fillon të vargëzojë dhe të shkruajë. Sudion drejtësi dhe jurisprudencë në Tuluzë, nga ku dëbohet për jetën e tij turbulente. Më pas e gjejmë si shtypshkrues në Lion ku guxon dhe boton Galienin, Rabelenë si edhe librat e veta satirike, të njollosura me herezi, në stilin e Ciceronit. I akuzuar për ateizëm, ai arrin të arratiset dy herë, deri sa përfundimisht, kapet në Lion dhe gjykohet në Paris për materializëm, ateizëm dhe për aprovim të predikimeve të Martin Luterit. Në 3 gusht 1546, ai u torturua publikisht, u mbyt dhe përfundimisht u dogj bashkë me librat e dorës së tij në sheshin Maubert.
.
. 3. Michel Servet (Miguel Servet y Reves në gjuhën e tij të lindjes) i kushtohet karrierës kishtare që i vogël, ndoshta për tju larguar origjinës së tij të thjeshtë. Që i ri 14 vjeçar, ai studion drejtësi në Tuluzë, përpara se të udhëtojë në Gjermani, në Itali dhe në Zvicër ku edhe i kushtohet shkrimeve teologjike, një kritikë e ashpër ndaj Trinitetit të Shenjtë. Herezia e tij e karakterizuar kur ve në dyshim natyrën hyjnore të Krishtit, çiftohet me blasfemën kur cilëson këtë Trinitet si « qen të Ferrit me tri koka, shenjë të Antikrishtit ». Për t’i shpëtuar përndjekjeve, ai ndrron emrin dhe shkon në Paris ku i kushtohet mjekësisë. Karriera e tij mjekësore e çon në Vjenën franceze ku pas kërkimesh të sukseshme ai zbulon qarkullimin « e vogël të gjakut » - kalimin e gjakut nëpër mushkëri, gjë e cila nuk e pengon aspak të shkruajë një vepër voluminoze në 7 pjesë « la Christianismi restitutio » ku debaton me Kalvinin për çështje teologjike. Në vazhdim arrestohet, arratiset dhe për çudi, shkon në Gjenevë ku arrestohet rishtas dhe gjykohet nën shtytjen e vetë Kalvinit Në qeli, pak çaste para egzekutimit ai i shkruan gjykatësve : « … Ju lutem që të shkurtoni këtë agoni. Ju e shihni që Kalvini për kënaqësinë e tij kërkon që të kalbem në burg ku morrat po më hanë të gjallë, ku këpucët i kam të shqyera, ku nuk kam asgjë për t’u ndërruar – bile as një këmishë, por një rreckë ». Ky bashkëpatriot i Donkishotit, që në orët e tij të lira përktheu « Gjeografinë » e Ptolemeut, që preferonte të dialogonte në greqisht dhe në hebraisht me Luterin në vend të latinishtes së zakonshme, që deri në sekondën e fundit të jetës, në vend të shqiptonte « Jezu Krishti, Biri i përjetshëm i Zotit » thoshte me plot gojën « Jezu Krishti, Bir i Zotit të përjetshëm » u dërgua në turrën e druve, bashkë me veprën e tij. . .
. 4. Nuk po zgjatemi me rastin e Xhordano Brunos, më i njohuri dhe më i përfoluri i kësaj « katërsheje heretike ». Mjafton të thuhet se murgu humanist, ithtar i Erazmit të Roterdamit, u akuzua që herët për herezi dhe për mohim të dogmës së Trinitetit të Shenjtë dhe për këtë shkak, ai brodhi mbarë Evropën përpara se të vendosej në Tuluzë ku dha mësime fizike dhe matematike. Nga Parisi ku frekuentoi Kolegjin e Francës, u hodh në Londër dhe që andej arratiset drejt Gjermanisë, për të përfunduar në Venedik. Ndërkohë ai mbron me zell teorinë e Kopernikut duke shtuar – nga vehtja e tij – se Universi popullohet nga një infinitet botësh, përpara se të zhvillojë dijet e tij matematike në raportet mes numrave dhe formave gjeometrike, në teorinë e numrave pambarimisht të vegjël.. Natyrisht që kjo vepër tërhoqi vemendjen e Inkuizicionit dhe pas tetë vjet burgim në qelitë e Dozhëve, vetë Papa Klement VII ndërhyri për t’a sjellë në Romë. I torturuar mizorisht, dhe meqënëse nuk pranoi të mohonte shkrimet dhe të thënat e tij, Brunos ju shkul gjuha dhe u dogj mbi turrë drush. « Me siguri, ju ndjeni më tepër frikë të shqiptoni këtë sentencë, se sa unë t’a pranoj atë » - ja edhe fraza e fundit e tij përpara gjykatësve me veladon.
.
.
. Mbetem pa gojë përballë kësaj mizorie që ndjell vdekjen duke i shkulur gjuhën të dënuarit. Aq më tepër kur ky i fundit do të mbytet nga litari, përpara se të digjet nga flakët. Të jetë vallë sadizëm, aq i papërshtatur me një doktrinë të ndërtuar mbi dashurinë ndaj të afërmit, mbi nderimin pa kufi ndaj veprës së Krijuesit që ngjizi jetën aq të çmuar nga balta e përbuzur ? Ndoshta, përtej vetë dogmës, feja e asaj epoke ka pak të bëjë me atë të sotmen. Sikundër dhe çmimi i jetës njerëzore, qoftë edhe ajo e një « heretiku ». Përndryshe, si mund të kuptohet dhuna verbale që i përngjet shkumbëzimit të një kleriku si Théodore de Bèze, pasues dhe trashëgimtar i denjë i Kalvinit të madh, kur predikon shfarosjen e heretikëve sikur të ishin qenër të tërbuar, pastrimin e korrupsionit shpirtëror që infekton këtë heretik me anë të zjarrit pastrues ? Pa dyshim, të tillë ekspertë të Kishës vepronin në të mirë të grigjës së besimtarëve, të ruajtjes dhe të mbrojtjes së integritetit gjithëformues së fesë – qoftë edhe nëpërmjet ekstremit asgjësues…
.
. Shekuj të vështirë këta të Inkuizicionit ; shekuj të intolerancës. Vetë toleranca do të avitet me drojë, ndoshta në shekullin e XVII, e ndjellë nga vepra e filozofëve si Pierre Bayle që zhvillon një përqasje të tërë lidhur me « tolerancën bredharake ». Vërtet, toleranca mund të bredhë, por nuk mund të ketë liri pa lirinë e të gabuarit. Bayle pikërisht kërkoi që të njihet e drejta « e të gabuarit ». Jo ai gabim i vullnetshëm, por mundësia e të rënit në gabim - duke menduar se ke të drejtë. Pa këtë lloj drejtësie, nuk mund të ndërmerret asgjë, nuk mund të kryhet asgjë – bile edhe gjykimi apo ndëshkimi i armiqve të Kishës.
. Toleranca dhe konceptimi i dogmës në shpirtin e mendimtarit që kish braktisur tashmë Mesjetën për të hyrë në epokën moderne. Ja edhe motivi që shtyu teologjistin dhe filozofin e asaj epoke Sébastien Castellion të shkruajë : « Të vrasësh një njeri, nuk do të thotë të vrasësh një ideal. Do të thotë të vrasësh një njeri ! »
.
. Veçse, askush prej këtyre gjykatësve kishtarë – arbitra supremë të jetës apo të vdekjes - nuk ishte në gjendje të imagjinonte në atë kohë se duke shëndrruar në hi të tillë humanistë të guximshëm « ateistë » – bile tok me librat e tyre – ata i shëndruan në grimca të një materjeje inerte bile dhe të ngurtësuar, por sidoqoftë subversive. Një pleh i dorës së parë që ushqeu dashur-padashur terrenin ende të virgjër të mendimit të lirë njerëzor. Një substrat intelektual që strukturoi më pas këtë mendim të lirë në shërbim të një ideologjie sunduese – qoftë edhe ajo e Shtetit të plotfuqishëm republikan, komunist apo ateist. Tashmë antagonist me çdo ideologji konkurruese, kjo forcë e re politike u ngjiz me një urrejtje ndaj fesë po aq monumentale sa edhe ajo e origjinës. I ngërthyer në një përpjekje mbijetuese ndaj mjedisit armiqësor, ky Shtet adopton metodën aq të dashur të Inkuizicionit kishtar – asgjësimin e kundërshtarit, bartës i kundërshtisë intelektuale - si edhe justifikimin – mbrojtjen e dogmës së re, në emër të idealit njeriformues.
.
.
. Të vrasësh mijra njerëz…
.
. Ende pa mbrritur në shekullin e XX dhe ende pa kqyrur triumfin e ideologjisë komuniste – si edhe pasojat rrënuese mbi Kishën – le të qëndrojmë në kuadrin e Revolucionit francez. Qoftë dhe për hir të linjës tonë të rrëfimit që zuri zanafillën në Tuluzë. Kjo ngjarje madhore në historinë e kontinentit, zhvillimet e të cilit ndikuan thellësisht dhe qëndrueshmërisht shekujt e ardhshëm, përbën njëkohësisht edhe atentatin më të madh kundër autoritetit të fesë, një kasaphanë të llahtarshme ndaj klerit katolik, Ja edhe një kronikë e përmbledhur e atyre viteve të përgjakshme :
.
.
. Thuaj dy javë më pas 14 korrikut dhe marjes së Bastijës, sot festa kombëtare e Francës, në fillim të muajit gusht 1789, Asambleja Kushtetuese deklaroi anullimin e çdo privilegji, të dhjetën e Kishës si edhe të të gjitha angarive në dobi të saj. Në fillim të nëntorit, po kjo Asamble konfiskoi të gjitha pasuritë e priftërinjve të cilat u vunë « në dispozicion të Kombit » dhe disa muaj më vonë, në prill 1790, ajo shtetëzoi pronat e tundshme dhe të patundshme të Kishës ndërkohë që deklaronte se feja katolike nuk ishte më fe zyrtare e Shtetit. Në 12 korrik, gjithmonë Asambleja shpallte Kushtetutën civile dhe laike të klerit, me synim krijimin e një Kishe të re kombëtare, të integruar në strukturat e shtetit me klerikun tashmë si rrogëtar i thjeshtë.
.
. Me kërkesë të Mbretit Luis XVI, Papa Piu i VI merret me shqyrtimin e kësaj Kushtetutë të cilën do t’a dënojë botërisht me Deklaratën Quod Aliquantum në mars të vitit 1791. Ndërkohë, në nëntor 1990, një Dekret i Asamblesë detyronte të gjithë klerikëve në funksion të betoheshin se do t’i qëndronin besnikë Kushtetutës së re, brenda një jave, nën kërcënimin e shkarkimit të tyre : « Betohem se to t’i përkushtohem me shumë kujdes besnikëve që do të më jepen në ngarkim, t’i jem besnik Atdheut, Ligjit dhe Mbretit, dhe të mbroj me të gjithë forcën time Kushtetutën e dekretuar nga Asambleja Kushtetuese dhe të aprovuar me Ligj ». Ja pra edhe thelbi i kësaj Kushtetute civile, e cilësuar nga Papa si një tekst « që përmbys dogmat më të papërdhosura, që shqfuqizon ceremonitë më të shenjta dhe që sjell me vehte të gjitha llojet e fatkeqësive », përpara se t’i drejtohet bashkësisë së klerikëve dhe të popullit të Francës me një Caritas ku deklaronte se « asnjë besnik nuk duhet tashmë të dyshojë se kjo Kushtetutë e re civile mbështetet mbi principe heretike ».
.
. Përballë ikjes së ngutur të disa mijra klerikëve francezë drejt Romës, në nëntor Asambleja tashmë legjislative shpall jashtë ligjit të gjithë ata klerikë që nuk janë i betuar Kushtetutës. Në maj të vitit 1992, disa dhjetra në mos disa qindra klerikë të pabindur arrstohen dhe shtihen në burgjet e Republikës. Ndërkohë në gusht, turma të egërsuara sulmojnë Tuilërinë dhe Mbreti me gjithë familjen e tij vihen në arrest shtëpijak. Disa ditë më vonë, Konventa e saposhpallur ju imponon priftërinjve një betim të ri, i quajtur i Lirisë dhe i Barazisë: « betohem se do të mbështes me gjithë fuqinë time lirinë dhe barazinë, ose të vdes duke i mbrojtur.. ». Në fund të gushtit, një gjueti e vërtetë organizohet në gjithë vendin ndaj priftërinjve të pabindur dhe si pasojë, 30.000 klerikë braktisin Francën. Në fillim të shtatorit 1792, shpërthejnë masakrat e para të priftërinjve në Paris, Mo (Meaux), Shalon, Renës dhe Lion. Mbi njëmijë priftërinj dhe të tjerë fisnikë u vranë në vend nga turma e armatosur. Në 21 shtator u shfuqizua Monarkia dhe të nesërmen u shpall Republika.
.
. Përgjatë gjithë vitit 1792 dhe 1793, burra dhe gra – dhe veçanërisht klerikë dhe priftërinj, murgj dhe murgesha - masakrohen, theren, vriten, coptohen në Paris dhe në në gjithë Francën me dru, me topuz, me thikë, me shpatë, me heshtë, me plumb dhe me gijotinë. 115 priftërinj u vranë me dru kokës në 2 shtator në manastirin e Karmës, në Paris. 200 të tjerë në Abacinë e Parisit, 300 në Konsierzhëri, 200 në Bisetrë… Një nga dëshmitarët e ngjarjes shkruan : « .. në pararojë, kishim vënë një skuadër furish të papmoshtura. Një grup grash tigresha, më të pangopura me gjak se sa vetë xhelatët, të armatosura me topuzë që shërbejnë për të thërmuar gëlqeren. Këto gra shkelnin mbi kufoma dhe ndërkohë që këto të fundit ishin stivosur mbi një karrocë që i transportonte drejt varrezave, dhe për t’u siguruar se viktimat kishin dhënë shpirt, ato i godisnin me sopatë, duke ju këputur këmbët ose kokën, përpara se t’jua tregonin këto mbetje të llahtarshme turmës, që ish e detyruar të thërriste : rroftë Kombi ».
.
. Gjatë vitit 1793, një numër i konsiderueshëm priftërinjsh të arrestuar përcillet në portet e Roshëforit, të Bordosë apo të Nantës, me qëllim që të internohen në Guajanën franceze. Ata u futën në disa anije por asnjë prej tyre nuk mori detin, duke u shëndrruar në burgje lundruese : rreth 850 humbën jetën në Roshëfort, mbi 250 të tjerë në Bordo.. gjithsej një mijëshe.. një hiçgjë përpara turmës që ndërkohë priste rradhën për të ushqyer gijotinën në Paris dhe gjetkë.
.
. Viktimat e Terrorit revolucionar llogariten me disa dhjetra mijra, në mos me qindra mijra : fisnikë, klerikë, kryengritës të Vendésë dhe të Bretanjës, ruajalistë, revolucionarë, zhirondinë, jakobinë.. përfaqsues të pushteteve tashmë të përmbysur dhe të atyre që përmbyseshin përditë, pa dallim moshe, seksi, besimi apo niveli shoqëror.
.
.
. Përse një pushtet revolucionar ka nevojë për një terror të tillë – dhe veçanërisht të drejtuar kundër klerit dhe Kishës katolike ? Në kohën e sotme, dhe pas përvojës së përgjakshme komuniste që shfarosi ajkën e klerikëve shqiptarë, të tillë dëshmitarë të mbetur gjallë si At Zf Pllumi do të theksonin se dhuna dhe vrasja në masë janë një atribut i brendshëm i vetë komunizmit, në themel të të cilit qëndron ateizmi militant. Por, a mund të akuzohen për komunizëm dhe ateizëm ato gratë furi pariziane të Konventës jakobine që sakatonin deri edhe kufomat e klerikëve ? Sikundër dhe peshkopi Tajerand (Talleyrand), një nga personazhet më aktivë të procesit të laicizimit të shtetit francez ? Ata dhjetra apo qindra murgj dhe priftërinj që braktisën fenë katolike dhe u shëndrruan në përçues të « fesë së re » jakobine antifetare ?
.
. Sidoqoftë, do të duhen vite të tëra – bile edhe dhjetëvjeçarë – përpara se një farë Karl Marks të shkruajë në « Kritikën e filozofisë së Hegelit » (1844) atë frazën e tij aq të njohur që do të shëndrrohet në lajtmotiv të ateistëve të të gjithë botës : « feja është psherëtima e qënies së shtypur, fryma e një bote të pazemërt, sikundër ajo është shpirti i kushteve shoqërore ku vetë shpirti mungon. Ajo është opiumi i popullit ». Por edhe sikur të duam të shohim tek ateizmi ato premisat e zhdukjes së dhunshme të fesë apo të përfaqsuesve të saj njerëzorë, vetë fakti i mohimit të egzistencës së një Arsyeje të Pagabueshme, Universale dhe jashtënjerëzore, nuk mund të justifikojë mohimin e egzistencës të Qenies njerëzore që beson. Pasi « të vrasësh mijra njerëz në emër të një ideali, nuk do të thotë të vrasësh kundërshtinë që ngjall ky ideal. Do të thotë të vrasësh vetë idealin ! ».
.
. * * *
.
.
. Është një gjë të besosh apo të mosbesosh në egzistencën e Zotit – sikundër të besosh ose të kundërshtosh një ideal dritëndjellës dhe njeriformues, dhe është një gjë krejt tjetër t’a shëndrrosh këtë besim apo këtë ideal në një dogmë universale dhe gjithëzotëruese. Pasi kjo e fundit nënkupton jo vetëm një ngrehinë të tërë mendimi apo një strukturë komplekse të natyrës ideologjike dhe predikative, por në rradhë të parë, një arsenal mjetesh shtrënguese dhe mënyrash veprimi për të siguruar vijueshmërinë, hapin e parë për të arritur pavdekësinë e saj. Thjesht një armatë fanatikësh, besimtarësh dhe rrogëtarësh, të gatshëm të vetëflijohen por para së gjithash, të flijojnë çdo agnostik, çdo mosbesues, besues dhe kundërshtar në altarin e gijotinës apo të turrës së druve.
.
. Jam krejtësisht i bindur se në ato vitë të largëta 1885 – 1888, teksa shkruante « Ashtu foli Zarathustra », Nietzsche kish mundësi të zgjidhte mes llahtarisë vrastare të gijotinës dhe perversionit po aq vdekjeprurës së turrës së druve. E megjithatë, ai shprehjen e mëposhtme jua dedikon priftërinjve : « … Ata kanë damkosur me gjurmë të përgjakura rrugën që ndoqën dhe çmenduria e tyre ju mësonte që e vërteta mund të provohet me anë të gjakut. Por gjaku është dëshmitari më i keq i së vërtetës : Gjaku infekton edhe doktrinën më të virgjër me helmin e çmëndurisë si dhe me urrejtjen e zemrave ».

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur