"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, October 16, 2008

Fundi i kapitalizmit nuk është për nesër.

.
. Uf ! Një e tillë gulçitje çlirimi duhet të ketë shpëtuar nga gjokset e atyre qindra burrave (dhe grave) të Shtetit, të atyre mijra bankierëve, të atyre dhjetra mijra trejderëve dhe së fundi të atyre miliona aksionerëve kur panë më në fund se indekset e Bursave të planetit mbarë filluan të ngrihen kësaj të hëne. Aq më tepër kur efekti vazhdon të mbajë të martën, ndoshta edhe të mërkurën, përse jo të enjten… me pak shans edhe të premten…
.
. Uf dhe njëmijëherë uf ! Ja pra, makthi i skëterrshëm mori fund. Bursat reaguan pozitivisht, aksionet po blihen varda, investitorët u çfaqën përsëri në treg. 10% ngritje brenda një dite e indeksit nuk shihet përditë, ndoshta duhet një jetë njeriu për t’a parë. Po ashtu, edhe 10% rënie në ditë – bile për ditë të tëra rresht, nuk rastis shpesh. Shumë prej atyre që kanë fatin e zi të përjetojnë një të hënë të zezë të tillë, e mbyllin ciklin brenda po asaj dite. Si në 1929. Dhe pikërisht, fantazma e një të hëne të tillë të zezë në atë të largëtin vit 1929 i detyroi këta burrat dhe gratë e sotme shtetarë të ndërhyjnë me vendosmëri. Pas atij të famshmit plan Paulson të përtej-oqeanit që premtoi të « shtronte mbi qilim » 700 miliardë dollarë për të shpëtuar bankat amerikane, evropianët e shushatur dhe të trembur prisnin një « gjest » të ngjashëm kontinental. Dhe kësaj rradhe si rrallëherë, për të mos thënë si kurrëherë, qiraja ishte në lartësinë e barrës. Ishte gjithashtu rasti për kuriozët të mësonin një varg termash krejt të rinj : një G4 e pahasur ndonjëherë (lexo : katër të Fuqishmit e Evropës – Francë, Gjermani, Britani e Madhe dhe Itali) e mbledhur në fillim të muajit tetor, e ndjekur nga një G7 elitar (shtatë bashkë me SHBA, Kanada dhe Japoni – po Rusia ku është ?), nga një G20 botëror (ku figuron edhe Kina, Brazili, Afrika e Jugut, India.. – shih, një risi tjetër).
.
. Përfundimisht – dhe pas një bashkërendimi shembullor – Evropa e kapitalit gjeti një gjuhë jo vetëm të përbashkët por edhe një varg shprehjesh dhe sjelljesh universalisht të kuptueshme. Ç’është e drejta, kësaj Evrope i mjaftoi të kopjonte shembullin anglez të Gordon Brown-it. I cili, befas, deklaroi se zgjidhja qëndron në ndërhyrjen e kapitaleve të shtetit në ato të bankave, në kontrollin e shtetit në aktivitetin e kreditit, në frenin shtetëror mbi rrotën e çmendur të financës. Jemi që jemi, përse jo edhe një shtetëzim qoftë edhe të pjesshëm të tyre ? E pra, kur euroskeptiku i jep mësime sjelljeje europartizanit, kur liberali anglez i propozon shtetëzime të ekonomisë private social-demokracisë evropiane diçka nuk shkon. Por, shkon apo nuk shkon – that’s not the question ! Pasi, përveçse qetëson njerëzit e rrugës, qetëson edhe bankierët apo investitorët. Pra, është efikase. Për shkak të argumentave të pakundërshtueshëm : tre nga bankat më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar do të marin 47 miliard euro si shtim kapitali, sistemi financiar do të injektohet me 256 miliard euro të tjera dhe së fundi, shteti ve si garanci 320 miliard euro për shkëmbimet ndërbankare.
.
. Në se Britania e Madhe është në gjendje, pse jo Evropa tjetër ? Kështu, Gjermania e Angela Merkel vringëlloi 400 miliardë euro për të siguruar tregun ndërbankar dhe 80 miliardë të tjera për rikapitalizimin e bankave, Franca e Sarkozisë vuri në kandar 360 miliardë si garanci për pagesat dhe 40 miliardë për të ndërhyrë në kapitalin e bankave. Deri edhe Hollanda hapi qesen me 200 miliardë euro, Spanja dhe Austria nga 100 miliardë sejcila, pa përmendur hovardhallëkun aq të njohur të Commendatore Berluskonit që deklaroi se do të shpenzonte « aq sa të jetë e nevojshme » - por sidoqoftë jo më pak se 40 miliardë. Ja pra ky është Eurogrupi : mbi 1.500 miliardë euro – më tepër se dyfishi i parave të dhëna nga Amerika. Bravo !
.
. Kur dëgjoi këtë shumë, dikush – sigurisht një naiv – u shqetësua për ata që do të viheshin për t’a numëruar. Pasi i shihte eurot si monedha njëshe apo dyshe, shumë shumë si kartëmonedha dhjetshe. I mjeri… Por edhe pa qenë kaq i mjerë, duket pranuar se shuma është astronomike, bile edhe faraonike – megjithëse edhe Faraoni më i shkalluar nuk e kish imagjinuar, në monedhat e asokohe, sikundër edhe astronomi më i guximshëm në yje të Universit. Ja pra, evropianët jo vetëm arrijnë t’a imagjinojnë por edhe t’a shqiptojnë. Pasi ishte e vetmja mënyrë për të qetësuar bankierët, të cilët kanë tarbjete të ndryshme nga shumica e vdekatarëve. Dhe fakti është se ata u qetësuan. Mbetet të dihet në se u qetësua bashkësia e aktorëve ekonomikë dhe në se, me të vërtetë, qeveritë e Evropës disponojnë shuma të tilla, dhe në se po, nga ç’kasë shtetërore do t’i nxjerrin ? .
.
.
. . Ekonomia reale dhe ajo tjetra.
.
.
. A kemi të drejtë të vemë në dyshim fjalën e dhënë të udhëheqësve evropianë, vullnetin e tyre të mirë për të përdorur me efikasitet pasurinë dhe kapitalet e Shtetit ? Një mendje më thotë jo, aq më tepër që është vetë populli që i ka zgjedhur dhe siç dihet tashmë, në një demokraci populli zgjedh në krye ata më të mirët, më të besueshmit dhe më të ndershmit. Por një varg elementësh më sugjerojnë të kundërtën. Pa u shpërndarë shumë në shembujt e panumërt evropianë, po qëndroj në shembujt francezë që i njoh më mirë – duke menduar se morali i një Sarkozie vlen po aq sa ai i një Merkel, një Zapatero ose një Berluskoni.
.
. Ja pra, jo më vonë se tre-katër muaj më parë, në të hyrë të verës dhe të vapës, Presidenti francez shpalli botërisht se do të rikqyrte edhe një herë mekanizmin ekonomik të kompensimeve shoqërore të të papunëve kërkues për të lehtësuar Shtetin e tij nga një barrë më tepër. Metoda e përdorur ishte fort e lavdërueshme : rritja e motivimit të tyre dhe shtyrja drejt aktivitetit profesional. Por vullneti dhe qëllimi i mirë nuk gjeti dot mbështetjen financiare. E thënë ndryshe, shtetit sarkozian i mungonin fondet. Një miliardë euro ! Dhe si zgjidhje, ai propozoi një mënyrë fort logjike – populli do t’a quante « merrja Colit për t’ja dhënë Lolit ». Pra, të merrte atë miliardin në kasat e sigurimeve të atyre që kuotizonin për të mos mbetur të papunë. Kur u pyet përse ai bënte këtë gjë, Sarkozi u përgjigj se Shteti ishte i varfër. Dhe si argument, ai nxori përpjekjet e tij të shumëfishuara për të pakësuar numrin e funksionarëve, numrin e mësuesve, numrin e ushtarakëve, numrin e postjerëve.. për të zvogëluar defiçitin buxhetar të shtetit. Po tani, kur shqipton shifrën 380 miliardë euro ? Shkurt, Franca shtet i varfër apo i pasur ? Me një gjuhë të frymëzuar nga lufta e klasave do të kisha thënë : i varfër kur duhet të ndihmojë të varfërit dhe i pasur kur është fjala për të ndihmuar të pasurit.
.
. E vërteta është disi ndryshe dhe ajo i përgjigjet situatës së sotme, pra botës së financës në përgjithësi dhe krizës së sistemit bankar, në veçanti. Të gjithë ekonomistët dhe vëzhguesit e kësaj bote ngulmojnë dhe shprehen se fillimkriza e pati origjinën në frenimin e madh të tregut të patundshëm në SHBA, të paparë ndonjëherë, që ndikoi në shkatërrimin e disa mijra miliardë dollarë trashëgimi (në formë rënieje vlere). Kjo situatë nxorri në plan të parë të famshmet « subprime » - pra kredi toksike hipotekare, që tronditën në themel gjithë sistemin e kreditit dhe brishtëzuan bankat, shoqëritë e kreditit dhe ato të Sigurimeve. Si rjedhim, ishte i gjithë sistemi i mbështetur mbi kreditin të pagarantuar (ose të keqgarantuar) që filloi të çfryhet duke ndikuar në aktivitetin e institucioneve financiare dhe duke vënë në rrezik ato më të ekspozuarat si Lehman Bross. Kështu u prodhua një valë goditëse që paralizoi të tjera banka, duke shkaktuar tashmë një « krizë besimi » - ngadalësimin deri në ndalje të shkëmbimeve ndërbankare. Dhe meqënëse kriza nisi në tempullin e financës botërore – SHBA – ajo u përhap rrufeshëm në të gjithë botën. Krizë hipotekare-krizë besimi-krizë financiare-krizë bursiere : pra vërtet krizë, por ama krizë e ekonomisë virtuale që llogarit transaksionet me miliarda dhe dhjetra miliarda pa mundur te shohë kurrë me sy masën e parave ekuivalente. Dhe përballë kësaj krize virtuale u vunë shtetarët amerikanë dhe evropianë që premtuan me qindra apo mijra miliarda dollarë dhe euro – edhe ato virtualë, si garanci për shkëmbimet e pamundura. Të kompensohet humbja e besimit me anë të shtimit të besimit. E keqja virtuale mjekohet me barna po aq virtuale – me rezultatet e kqyrura nëpër bursa këto ditë.
.
. Por përtej ekonomisë virtuale të Bursave dhe të subprime-ve, qëndron një ekonomi reale, bile edhe vetë Bankat si institucion jo vetëm krediti por edhe shkëmbimesh, ndërmarrje investimi, garant i depozitave etj.. etj.. Ç’është më e keqja, diku pas bankave rreshtohet e gjithë ekonomia reale, ajo e « prodhimit të të mirave materiale » apo e « sendeve të konsumit », e shërbimeve.. që nga gruri deri tek armët, nga nafta deri tek automobili. Ndërvartësia e saj nga bankat është tashmë e tillë – në kushtet e tregut të lirë dhe globalizimit – sa që shembja e të parave çon në rrënimin e të dytave, ndërkohë që kundërta ende nuk është vërtetuar. Ja përse gjenden gjithmonë fondet për të shpëtuar sistemin bankar në falimentim dhe nuk gjenden për industrinë e çelikut apo të tekstilit, në rrënim të plotë. Çeshtje prioritetesh ! Pasi çelik dinë të prodhojnë edhe indianët, apo tekstil kinezët – bile edhe më lirë, ndërkohë që monopolin e bankës e ruajnë me xhelozi amerikanët dhe evropianët. Ruajna zot sikur të ish e kundërta !
.
. E keqja tjetër është se edhe sikur të mos shemben nga brenda, mjafton që Bankat të shpallin se nuk janë në gjendje të sigurojnë pagesat – dhe bëhet nami. A mund të imagjinojë një evropian i zakonshëm dhe një amerikan i thjeshtë çka mund të ndodhë sikur turma dhjetra apo qindra milionëshe të marrë me sulm sportelet e bankave në qytetet apo fshatrat e tyre ? Dhe e nxehur që nuk po arrin të tërheqë paratë e saj ajo t’u kthehet godinave publike për të nxjerrë inatin ? Ruajna zot disa herë rresht ! Vetëm disa dhjetra mijra shqiptarë të inatosur nga firmat piramidale mundën të rrënonin në kohë te tyre vendin brenda pak ditësh….
.
. E keqja e tretë është se, edhe sikur të shërohet ekonomia virtuale nga sëmundjet e saj reale, ekonomia tjetër, ndërkohë « e ngadalësuar deri në ndalje », kërkon ndërhyrje të shpejtë, që fatkeqësisht reduktohet në disa dhjetra apo qindra miliarda euro të tjera. Dhe si zakonisht, mjekët tashmë të lodhur do të thonë : na mungojnë paratë. Pasi nuk guxojnë të thonë se kjo lloj sëmundje është e pashërueshme, një lloj artriti që paralizon kyçet, që ngadalëson lëvizjet, por që zakonisht nuk vret. Një e keqe kronike, ciklike, sektoriale, sistemike… ndoshta me efekte të padëshiruara por deridiku e domosdoshme. Një mënyrë e brendshme dhe e vetvetishme, me anë të të cilës, ky sistem tejskajshmërisht të paqëndrueshëm kërkon një ekuilibër të ri kur i vjetri është prishur. Paçka se disa dhjetra firma do të falimetojnë, disa qindra ndërmarrje do të mbyllin dyert, disa mijra rrogëtarë do të flaken në rrugë… Kryesorja është që fuqia blerëse të mos bjerë, që të ardhurat fiskale të mos zvogëlohen, që shkëmbimet të mos ngadalësohen, që tregjet të mos shkatërrohen…
. Ja pra edhe thyerjet e brendshme të pazgjdhshme të këtij sistemi, i cili nxit prodhimin dhe pêrpiqet për të ruajtur integritetin e tregut, që frymëzon fitimin dhe mundohet të përmbajë spekullimin, që liberalizon çmimet dhe lufton inflacionin… pa dashur të kuptojë se bëhet fjalë pêr të kundërta të ndërsjella.
.
. Po sikur, megjithë qindrat e miliardave të premtuara, megjithë deklaratat qetësuese tê politikanëve, megjithë buzëqeshjen e rigjetur të bankierëve, kjo ekonomi reale të vazhdojë rrokëllimën - fuqia blerëse të bjerë, shkëmbimet të ngadalësohen, tregjet të rrënohen ? Ruajna zot disa qindra herë rresht ! Pasi edhe shkenca më e pêrsosur e doktorëve në ekonomi, apo dhe fjala e ndriçuar e profesorëve në politikë bëhet e pafuqishme përballë kutisë së zezë dhe misterioze që mbyll mekanizmin e skëterrshëm. Askush nuk di se si hapet kjo e uruar kuti dhe jo më se si riparohet mekanizmi, ndërkohë që gjithkush lutet me vehte : ishallah, kur të bjerë çatia, të mos na zerë brenda.
.
.
. Liberalism vs. Socialismus.
.
. Le të sigurohemi një herë e mirë, të paktën, ai skenari i turmave shkatërrimtare nuk do të ndodhë, përderisa vetë Shtetet dhe shtetarët bëjnë çmos për të kruajtur xhepat e tyre realë dhe virtualë, në kërkim të pareve, të premtimeve ose të ndërmarrjeve të llojit shtetëzim i Bankave. Dhe, përveç atyre rasteve kur bën sikur, kur kërkon pare në të tilla Shtete gjithmonë gjen. Puna është ku do t’i gjejë , pasi në rastin e zakonshëm – dhe aq më tepër në situata krize, metoda e përdorur është gjithnjë e njejta : ose do t’i marrë diku për t’i vënë këtu (varianti Coli me Lolin) , ose do të rrisë taksat, tatimet, vjeljet, përqindjet. Qoftë edhe me marifet, që njerëzit të mos e ndjejnë shumë thikën që pêrkëdhel kockën. Kështu, Shteti bujar francez për shembull, duhet të gjejë fillimisht ato 40 miliardë euro për të « kapitalizuar » Bankat. M’a merr mendja se, ngado t’a sjellësh apo t’a rrotullosh, ata që do të paguajnë janë taksapaguesit. A ju takon këtyre taksapagues të shlyejnë faturën e bankierëve ? Edhe po të mos duam, përpara faktit kokëfortë që shënon me gisht praktikën e pamoralshme dhe thellësisht të papërgjegjshme të bankierëve, të financierëve dhe të sigurimtarëve, jemi të detyruar të përsërisim se edhe kësaj rradhe përpjekja e Shtetit kapitalist konsiston në shoqërizimin e humbjeve, ndërkohë që në kohë të begata ai bën çmos të privatizojë fitimet. Fundja fundit nuk duhet të çuditemi aspak, pasi ky është vete thelbi i kapitalizmit.
.
. Ndërkohë, s’ka mbetur shtetar dhe pushtetar i kësaj bote pa ngritur zërin sot lidhur me nevojën e një sistemi rregullues, me domosdoshmërinë e transparencës në sistemi financiar, me rivendosjen e një farë morali që parandalon abuzimet, shpërdorimet apo që kufizon politikat e dividendeve ose rrogat astronomike të bankierëve, me premtimin për të vënë në jetë plane të ndihmës për ndërmarrjet e vogla të familjeve në vështirësi.. pa harruar se, nga podiumi i OKB, Sarkozi me shumë seriozitet kërkonte ndëshkimin e fajtorëve të kësaj katastrofe !
. Në ç’sistem ekonomik gjendemi vallë, kur kërkohen shtetëzime, rregullime – pse jo edhe planifikime, moral, rregull si edhe ndëshkime ? Në kapitalizëm sigurisht – është përgjigja. Sigurisht ndoshta, por ama, jo në atë kapitalizmin e vjetër të dajës ku lulëzon iniciativa e lirë, ku rregulli i vetëm është ai i tregut ku edhe lulet çelin sipas ligjit të ofertës dhe të kërkesës. Pasi mjafton të sillet në kujtesë që tashmë Shteti kontrollon Bankat – dhe nëpërmjet tyre ekonominë që vjen pas, që ai mund të frenojë iniciativat që shkojnë në të kundërt me interesat e tij, përçapjet e lira… pikërisht ato iniciativa dhe përçapje që dikur shëndrronin lypsin në milioner dhe milionerin në lypës, Endrrën amerikane !
. Ç’i mbetet kështu principit të liberalizmit si motor i shoqërisë kapitaliste ? Përse Shteti kapitalist i bën thirrje metodave të natyrës socialiste si ato të shtetëzimit, kur gjendet në vështirësi ?
.
. Në mungesë tê një përgjigje të vetvetishme dhe të brendshme, sa bindëse aq edhe racionale, le t’a kërkojmë atë gjetkë. Për shembull, aty ku kryqëzohen logjikat e Artan Fugës dhe të Immanuel Wallerstein-it. Me thënë të drejtën, këto logjika nuk kryqëzohen gjëkundi – pasi janë të kithta, do të kish thënë Besimi, mësuesi im i matematikës në gjimnaz. E megjithatë, që të dy janë sa filozofë aq edhe sociologë, bile të nderuar dhe të lexuar, vëzhgues të vëmendshëm tê fenomeneve aktuale shoqërore dhe ekonomike. Por, që përdorin metodologji dhe pikënisje tê ndryshme.
.
.
. I pari, megjithëse e ka lexuar dikur Marksin – me laps në dorë, shprehet pa rezerva si « simpatizues i tregut të lirë dhe i konkurrencës së vlerave », përulet « përpara idealit të liberalëve për liri ekonomike, veç atyre politike » dhe na ofron bindjen e tij se sot, ajo çka haset në praktikë, është « konceptualiteti mikst » - me fjalë të tjera, as – as/ edhe – edhe. As komunitarizëm etatist as liberalizëm i kulluar, edhe liberalizëm në ekonomi edhe intervencionizëm shtetëror. Koncepte mikste – shartim politikash, praktikash – bile edhe ideologjish, mjaft që majoneza të zerë, që qumshti mos pritet… që gjëja të shtohet, të shumohet dhe të përjetësohet. Pra që qerrja të ecë. Po atëhere kur ngec? Faji i atyre që s’kanë kuptuar ende se « tregu i lirë, fare i lirë, pa rregulla, pa mbrojtje sociale, pa kontroll të caktuar nga shteti, pa një lloj intervencionizmi, nuk mund të riekuilibrohet vetiu ». Kush tha se tregu i sotëm është fare i lirë, pa rregulla, pa asnjë lloj intervencionizmi etj.. etj.. ?
. Vetvetiu më krijohet pështypja se më e rëndësishme për sociologun është debati filozofik me temën « Etatizmi ka vdekur, liberalizmi ekonomik ende nuk ka lindur.. » se sa analiza e një realiteti si ai i Amerikës së bekuar nga vetë Perëndia dhe i Evropës së kunguar nga ideja e bashkimit, nën ethet e krizës. Duke perifrazuar ata që dikur justifikonin Monarkinë absolute, më mbetet veç të them : « … është i mirë Kapitalizmi, por janë naivë mendimtarët. Sa për të këqinj, janë vetë kapitalistët ».
.
. I dyti, megjithëse i lindur dhe i rritur nën shenjën e kapitalizmit, vazhdon të frymëzohet nga Marksi, njëkohësisht dhe nga Fernand Braudeli, gjithë duke qenë adept i teorisë së ndërvarësisë. Nuk është aspak e rastit pra që pohimi i tij se « Kapitalizmit po i vjen fundi » reflekton më shumë një dëshirë se sa një realitet. Aq më tepër kur analiza vjen nga dora dhe mendja e njërit prej baballarëve të altermondializmit. Wallerstein na ve përpara ciklet ekonomike të Kondratjevit, argumenton me termodinamikën e sistemeve të paqëndrueshëm të Prigoginit, përmend konceptin e tij të « ekonomisë-botë » - thjesht për të na bindur se fundi i kapitalizmit gjendet diku pêrpara nesh. Ku pikërisht ? Aty ku kaosi i prodhuar nga kriza do të gjenerojë të tjerë aktorë, të tjerë kundërshtarë – pra, të tjerë varrmihës.
.
.
. * * *
.
.
. Pas gjithë këtyre rradhëve, vendosa të ndjek këshillën e Artan Fugës dhe të pres. Pasi, siç na i kujton edhe ai duke cituar Hegelin, « kur është ditë (filozofi) duhet të presë që të bjerë nata, dhe kur është natë duhet të presë të dalë drita ». Unë pres të marr vesh se si do të shkojë filli i krizës. Ndërkohë, jam plotësisht i bindur se fundi i kapitalizmit nuk është për nesër. Edhe sikur të mos arrijmë dot, sipas këshillës së Profesor Luigi Zingales – ky i fundit, një ekonomist puro, të mbrojmë kapitalizmin nga kapitalistët, ky kapitalizëm i sotëm nuk rrezikon ndonjë katastrofë planetare. Sipas të gjitha gjasave, ai do të rrojë përderisa ende ka socialistë, përderisa sa të egzistojë qoftë edhe një gjurmë nga mendimi socialist. . . .... Në se dikush ka vdekur sot - dhe në këtë pikë detyrohem t'a kundërshtoj edhe një herë Fugën - nuk është aspak Etatizmi, por një farë ideje e vjetëruar e vetë kapitalizmit.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur