"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, September 9, 2008

Paralelja Oseti - Kosovë, analistët dhe vështrimi i lënduar.

.
. Reaksioni im i parë dhe i vetvetishëm në mbrëmjen e 8 gushtit të shkuar, kur dëgjova se rusët hynë me tanke në territorin e Gjeorgjisë, ishte t’ju telefonoja nga larg miqve të mij gjeorgjianë Mikuçaxe. Rregjistruesi automatik ma lehtësoi barrën : « .. jemi me ju në këtë ditë të vështirë. Ndajmë dhimbjen, me shpresë që të afërmit tuaj në Gori të dalin gjallë e shëndoshë. Shpresojmë se do t’a kaloni këtë sprovë të vështirë, sikundër keni ditur dhe mundur të kaloni të tjera ». Diku fraza më mbeti në gjysëm. Një ngashërim i brendshëm më pengoi të vazhdoja më tej. U detyrova të mbuloja dridhjen e zërit me një kollitje të shtirur, me një qërim të grykës… dhe përfundimisht e ndërpreva thirrjen.
. Nuk prisja gjithësesi që gjeorgjianët e mij të më telefononin për të më falemnderuar dhe as unë nuk i mora më. Deri disa ditë më parë, ditën e parë të shkollës, kur rastësisht u ndesha me ta në mjediset e Konservatorit të Muzikës. Shoqëronin vajzën e tyre të vogël që studion për piano dhe befas ramë përballë njeri tjetrit. Kësaj rradhe nuk gjeta asnjë fjalë tjetër për të thënë, përveç asaj banales : « si po ja çoni ? » Ndesha në sy ende të traumatizuar, të lëngëzuar, ku lexohej qartë frika : « ...a e pe ç’na bënë ? Ç’ishte kjo gjëmë ? ». . Të mendosh se ata ishin arratisur nga vendi i tyre si kundërshtarë politikë të Presidentit Saakashvili. Sidoqoftë, gjeorgjianë në mendje, në tipare dhe në shpirt ! .
. Po të mos ishin ata miqtë e mij që më detyruan të përjetoja nga afër vuajtjen njerëzore dhe pafuqinë ndaj luftës, me siguri që konfliktin e fundit të armatosur në Kaukaz do t’a kisha ndjekur sikundër me mijra të tjerë rreth meje. Një konflikt më tepër, diku në një skaj të largët të globit, të sjellë në dhomë nga televizioni dhe të harruar disa orë, për të mos thënë disa ditë më vonë. Thjesht, disa qindra të vrarë më shumë, disa mijra të çvendosur të tjerë… Disa trupa shtesë mes viktimave të përditshme irakiane, indiane, afgane dhe të tjera palestineze që lundrojnë rregullisht mes indiferencës të stërmadhe të spektatorëve. Veçse kësaj here, imponim aktualiteti, të varrosur nën fishekzjarret shumënjgjyrëshe të Olimpiadës së Pekinit, nën komentet e eksituara të rekordeve botërore, nën malin e medaljeve të arta… .
. U desh pra një kontakt thuaj fizik me të afërmit e viktimave të largëta, shija e paharruar e verës gjeorgjiane, jehona e ashpër polifonike e malësorëve të Kaukazit, vizionet e tyre të përmalluara nga vendi - ndoshta edhe ajo aroma e pites karakteristike së tyre me djathë të bardhë, që të kërkoja bashkë me ta – bile edhe përtej logjikës së tyre të anshme – shkaqet, arsyet dhe interesat e këtij konflikti. Për të zbuluar më tej një tufë analizash, një qerthull arsyetimesh, një mori argumentash pro dhe kundër.
.
. Ende pa folur për paragjykime – zaten, a mund të cilësohen si paragjykime shija, jehona, vizioni apo aroma ? – ndoshta, është e nevojshme për vetë vështrimin të filtrohet nëpërmjet të tillash qelqe që të shohë më kthjellët. Sikundër dhe syzet për miopin. Apo dhe dylbitë për kurreshtarin. A nuk përdorëm të njejtën optikë ne shqiptarët – me elementin gjuhë të përbashkët si shtesë - për të vështruar Kosovën martire dhe kosovarët tanë të përvuajtur ? Por, a duhet të flasim të njejtën gjuhë me tjetrin për të ndarë me të dhimbjen ndaj të dashurve, për të ndjerë me të padrejtësinë e luftës, për të urryer me gjithë shpirt vrasësit ? .
.
. * * *
.
.
. Ç’ishte kjo luftë që përgjaku rishtas këtë vatër sherri që quhet Kaukaz ? Përse pikërisht Osetia ? Kjo e fundit s’është gjë tjetër veçse një grumbull malesh, një territor prej vetëm 4.000 km2, e përfshirë thuaj me pahir në shtetin sovran gjeorgjian me shpërbërjen e BS në fillim të viteve 90’ dhe e banuar nga një shumicë rusofone dhe rusofile. E cila që prej vitesh, jo vetëm ka shprehur publikisht vullnetin e saj vetëvendosës, por edhe e ka ligjëruar duke shpallur « pavarësinë », të injoruar dhe të mospërfillur nga bota mbarë. Thuaj nga bota mbarë, pasi Rusia fqinje për një varg arsyesh ishte e vetmja që ndjehej jo vetëm e interesuar por edhe e implikuar. Së pari, pasi prej kohësh ajo ka integruar Osetinë e veriut (ndarja e Osetisë në veri dhe jug është në të vërtetë një « dhuratë » e gjeorgianit Stalin) ; së dyti, pasi Gjeorgjia e Saakashvilit, që prej revolucionit « të trëndafilave » ka shkarë në kampin perëndimor dhe rrezikon të shëndrrohet në një bazë të avancuar të NATO-s ; së treti, pasi rasti oset, edhe pse sot më i mprehti, është një rast mes shumë të tjerësh qoftë në Transkaukaz (Dagestan, Çeçenia, Ingushia), në Kaukaz (Axharia, Abhazia, Nagorni Karabak) apo gjetkë (Transdniestria në Moldavi) dhe si i tillë duhej shëndrruar në mësim ; së katërti, pasi Osetia e Jugut (dhe bashkë me të Abhazia separatiste fqinje) gjenden në një rajon me rëndësi të veçantë strategjike (afëri gjeografike me Turqinë, Iranin) dhe ekonomike në mos për gjë tjetër, të paktën për naftësjellësin azeri BTC (Baku-Tbilisi-Ceyhane) dhe gazsjellësin në projekt e sipër Nabucco. .
. Nuk është hera e parë që Osetia njeh luftën dhe tmerret e saj. Gjatë viteve 1992-1993, Gjeorgjia shevernaxiane u mundua të rikthente me pahir në gjirin e saj « Republikën » separatiste. Pa rezultat të dukshëm por ama, me shifra konkrete : 13.000 të vrarë dhe disa dhjetra mijra refugjatë, të çvendosur me dhunë qoftë drejt jugut gjeorgjian qoftë drejt veriut rus. Kësaj here, Gjeorgjia saakashviliane e prekur në sedër (e frymëzuar nga lidhjet me NATO-n dhe e armatosur nga të tjerë izraelitë), u lëshua në sulm të befasishëm mbi territorin oset për t’a vënë nën kontroll. « Agresioni » gjeorgjian prodhoi reaksionin e menjëhershëm të trupave ruse që ndërhynë për të mbrojtur « vëllezërit » e tyre osetë me pashaporta ruse, duke i shkaktuar gjeorgjianëve një disfatë të turpshme.
.
.
. * * *
.
.
. Jo rastësisht, konflikti i armatosur në Kakaz tërhoqi vëmendjen e një varg analistësh, gazetarësh dhe të tjerë politologësh të hapësirës mbarëshqiptare, të cilët pa ngurrim hoqën një paralele mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut. Me fjalë të tjera dhe e interpretuar sipas një skeme të thjeshtuar me thekse ballkanike, Gjeorgjia mund të asimilohet me Serbinë, Osetia me Kosovën dhe përfundimisht, Rusia e sotme me NATO-n e dikurshme ndëshkuese. .
. Në këtë kontekst ndjellës, Mentor Nazarko për shembull, nga faqet e gazetës « Shqip » ndonëse pyet vetvehten për trendin që po marrin ngjarjet ndaj aktit të njohjes përfundimtare të pavarësisë së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, përballë vështirësimit të marrëdhënieve SHBA – Rusi, nuk mund t’i shpëtojë gëzimit të brendshëm që e kap kur kujton se, tashmë, Rusia humbi « alibinë » Kosovë. E vetmja pyetje që e shqetëson është ajo e krahasimit Kosovë – Oseti : cila prej tyre vlen më tepër ? Kosova mor zotni – do t’i përgjigjej çdokush nga larg - në mos për gjë tjetër, për hir të Kosovarëve ! Ngurroj për një çast të bashkoj zërin me korin e mësipërm, pasi ende nuk di të ve barazvlerën mes vendeve, popujve. .
. Eshtë pikërisht një kosovar, Dr Islam Lauka, i cili i ve detyrë vehtes të përqasë rastin e Kosovës me ato rastet e ashtuquajtura « të ngrira » brenda hapësirës pansovjetike dhe që priten të shkrihen së shpejti, me ndërhyrjen e zjarrtë të Moskës. Pra, rasti i Kosovës universal apo sui generis ?
. Ja edhe pyetja esencialiste që mundon mendjen e politilogut, përpara se të shpalosë dijet e tij të thella në konfliktologji. Sidoqoftë, ai nuk mund të mos vërejë se – do s’do Beogradi, pavarësia e shpallur dhe e festuar në Prishtinë ka ndikuar në rilindjen e ëndrrave dikur të pashpresa në Oseti, Abhazi, Nagorni Karabak apo gjetkë. Sikundër dhe daljen në plan të parë të hipokrizisë ruse e cila, ndërkohë që paralajmëron për rrezikun e hapjes së “kutisë së Pandorës”, dërgon Pandorat e veta të armatosura në terren për të përjetësuar gjendjen. .
. Një tjetër Islam, Dr Kastrioti, ndoshta për hir të një kujtimi të vjetër, kapet me konceptin e « precedentit kosovar ». I mjafton një artikull, dy argumenta, tre rreshta dhe natyrisht – katër lexues, për të bindur fillimisht vetvehten dhe më pas botën mbarë se : primo, Kosova (është) rast unik dhe zgjidhje sui generis ; secundo, (egzistojnë) dallime thelbësore midis Kosovës dhe Osetisë e Abkhazisë. Me fjalë të tjera, në se ka një shprehje që mund të karakterizojë të djeshmen kosovare dhe të sotmen osete është asimetria e plotë.
. Amen ! Aq më tepër kur fjalë të tilla shqiptohen nga një ish-Ministër i dikurshëm i Jashtëm. Zaten, a nuk ishte po ky Kastriot që në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës na siguronte se « .. pavarësia e Kosovës nuk mund të ketë asnjë impakt apo implikacion mbi rastet e tjerë me të cilët nuk ka asnjë ngjashmëri » ? Po me rastet, me të cilët ka ngjashmëri ? Përfundimisht dhe me që ra fjala, në dorë të kujt mbetet përcaktimi i të famshmes « ngjashmëri rastesh» ? Sigurisht, në dorë të atyre që vendosën t’a quanin dikur Kosovën « sui generis ». Të cilët, si rastësisht gjenden në qendër të çdo konflikti qoftë si zjarrvënës qoftë si zjarrfikës – sipas situatës (dhe interesave). Zanat i bukur ky i ish-Ministrit të Jashtëm : edhe në mungesë të kolltukut, mbetet hieja e postit si edhe retorika e dikurshme.
.
.
. * * *
.
.
. Një vështrim i tillë global i ndërtuar thjesht mbi gjeopolitikën e pashpirt, një cinizëm i tillë analitik ndaj fatit njerëzor, më shtyu të braktisja këto konsiderata… për t’u zhytur në të tjera lexime. Dhe dashur padashur, këmbët më shpunë nën hijen e kuartetit tim tashmë të preferuar : Lubonja – Jazexhi – Spahiu – Xhaferri. Ajo çka bie menjëherë në sy pas përqasjes gjithmonë të vështirë, është qendërikja mes vështrimit shqiptar me nota realiste dhe vlerësimit pragmatik kosovaro-tetovar. Pra, « sparkata intelektuale » - duke përdorur një term të huazuar nga gjimnastika (qoftë ajo e mendjes). .
. « Të flasim drejt » - qoftë edhe sikur të rrimë shtrembër, ja edhe lajtmotivi i tekstit të Lubonjës. Po t’i quajmë sendet me emrin e tyre të vërtetë, sikundër ai sugjeron, paralelja mes Osetisë dhe Kosovës duhet thelluar pasi ngjashmëritë janë me të shumta se sa diferencat, prova aktuale e forcës nxjerr fitues Rusinë e Putinit dhe humbës Amerikën e Bushit, supremacia amerikane e ka humbur busullën në botën e sotme shumëpolare dhe së fundi, politikanët shqiptarë kanë interes të korrigjojnë sensin e tyre të theksuar të vasalitetit. Në se ka një « sui generis » në këtë mes, ai është vetë Lubonja dhe analizat e tij që mbeten gjithmonë disa këmbë më përpara se sa simotrat e tyre. .
. Jazexhiu mbetet si gjithmonë, një rast i veçantë dhe i papërsëritshëm. Diatriba e tij e rradhës shenjëzon Ambasadën amerikane, bile vetë Amerikën e madhe, e cila guxon dhe heq një paralele mes ngjarjeve të fundit në Oseti me ato të Çekosllovakisë të vitit 1968.
. Pasi kalon informacionin nëpër sitën antiamerikane të militantit mysliman, ai na përshkruan variantin e tij bardhë-e-zi të botës, të populluar nga demonët : një aventurë mëndjelehtë në Oseti të diktaturës së përgjakshme gjeorgjiane ; një ndërhyrje të merituar ruse e natyrës « humanitare » - njëlloj si ajo e NATO-s në ndihmë të Kosovarëve ; një Amerikë gjakatare dhe e fajshme por aktualisht e pafuqishme, në kërkim të aleatëve servilë dhe së fundi, një vend zhele si Shqipëria që, nën diktatin e amerikanëve, dërgon mercenarë në çdo skutë të globit. I zvjerdhur nga skëterra e sotme imperialiste – dhe besnik i ideve të tij, Jazexhiu na propozon një tjetër, atë komuniste e cila rivjen nga larg si nostalgji e « kohëve të lumtura ». Të paktën atëhere, ishim të varfër por të ndershëm, të përvuajtur por të moralshëm. O Tempora, O Mores ! .
. Kësaj rradhe, Spahiu është sa i përmbledhur aq edhe i ngutur. Thuaj telegrafik. Vetëm se si gjithmonë, qendra e botës mbetet ajo Kosova e tij e dashur si edhe viset ish-jugosllave : përse Rusia kundërshtoi idenë e Pavarësisë së Kosovës ? Për t’a detyruar Perëndimin që t’a njihte në mënyrë të njëanshme. Që të krijonte pra « precedentin Kosovë » me qëllim që vetë Rusia të ndërhynte në zonat e saj të ndjeshme.
. Përse Perëndimi ra në këtë grackë ? Për faj të vet, bile për tre faje të vjetra : fillimisht, Gjykata e Hagës e shfajësoi Serbinë për « agresionin » e saj në Bosnje ; në vazhdim, gjithmonë Perëndimi mikloi si tepër Republikën Serpska dhe së fundi, ai nuk e njohu Kosovën si të pavarur qysh në vitin 2000. Në vend që të merret me të shkuarën, Spahiu ka interes të merret me të ardhmen pasi ndërkohë rreth tij, refreni i ditës është : dje Kosova, sot Osetia, nesër Mitrovica… .
. Së fundi (por aspak i fundit), Xhaferri mbetet konstant në analizën e tij pragmatike, si gjithmonë e orientuar andej nga shkon fle dielli. Nga njera anë është Perëndimi me vlerat e tij progresiste dhe nga ana tjetër Lindja me anti-vlerat. Për fat tonin, edhe Serbia edhe Rusia gjenden ne kampin e keq dhe sado të proklamojnë dëshirën e tyre për t’u integruar në sistemin e mirë, ata s’mund të shkëputen as nga pansllavizmi primitiv, as nga nacionalizmi ziliqar. Ato janë të destinuara të prodhojnë skema të tejkaluara, çfaqje surrogato, fytyra antipatike…
. Në këtë përplasje vlerash dhe qytetërimesh edhe Kosova humbet specificitetin ndërkohë që « precedenti » i saj shëndrrohet në një normalitet, pêr të mos thënë normë. Një skenar tashmë i vjetër që dikur quhej rradhazi Slloveni, Kroaci apo pse jo, Maqedoni, dhe që nesër mund të quhet Abhazi, Transsilistri… Sidoqoftë, mbetem kurioz të njoh reaksionin e Xhaferrit, ithtarit të botës së vlerave të vërteta, në rastin kur skenari do të quhet Vendi bask, Katalonjë apo Korsikë…
.
.
. * * *
.
. Dje mbrëma, duke ngarë veturën, ndiqja me vëmendje në radio përgjigjet e një analisti rus të « Njezavisimaja Gazeta » ndaj pyetjeve të një gazetari francez, lidhur me vizitën e fundit të Presidentit Sarkozi në Moskë dhe bisedës së tij disaorëshe me Shefin e Kremlinit. « Kush e fitoi këtë raund të sotëm : evropiani Sarkozi apo rusi Medvjedev ? Për mendimin tim, ky duel diplomatik u mbyll me fitoren e të dyve ».
. Si rastësisht, analisti ynë jashtë kategorie harroi të shtonte se të humburit e vetëm, tashmë të varrosur, ishin viktimat e pafajshme të bombarduesve dhe të tankeve të vendit të tij !

2 comments:

qafirarnaut said...

Jam kurioz te di nqs ju i permbaheni tezes huntigtoniane kur thoni:

"Në këtë përplasje vlerash dhe qytetërimesh edhe Kosova humbet specificitetin ndërkohë që « precedenti » i saj shëndrrohet në një normalitet, pêr të mos thënë normë"

xixa said...

Përshëndetje QafirArnaut,
të falemnderoj pêr vizitën dhe për komentin.
Lidhur me shprehjen "pêrplasje vlerash dhe qytetërimesh", ajo i pêrket këndvështrimit të A. Xhaferrit, i cili në mënyrë konstante, ve në dukje pêrballjen mes kulturës apo botkuptimit perëndimor dhe atij lindor. Pikërisht, pozicionimi në këtë llogore krijon edhe idenë e vijimit në logjikën e Huntingtonit, ndërkohë që gjithmoë suipas Xhaferrit, Kosova tashmë gjendet në anën "e mirë" të pllakës.

 
Përjetësisht të Panjohur