.

.
. Kjo aventurë e Kryeqytetit kulturor ka filluar që në vitin 1983, me nismën e Melina Merkurit, asokohe Ministre greke e Kulturës. Për të dalë nga ai qerthulli aq i mërzitshëm i Evropës së Tregut të Përbashkët, artistja Ministreshë propozoi Evropën e Kulturës – një qytet i përzgjedhur mes shumë të tjerësh, përgjatë një viti kryeqendra kulturore e Evropës. E përse jo ? Fillimisht (dhe jo rastësisht) ishte Athina, e zgjedhur me vendim ndërqeveritar të antarëve të Këshillit të Evropës. Më tej, u propozua një sistem rrethi : çdo vit, një qytet i një shteti antar. Kjo punë vazhdoi deri në vitin 2000 – me mbylljen e rrethit, derisa u mendua që zgjedhja t’i lihej konkurrencës. Nëntë kandidatura qytetesh u paraqitën – dhe u zgjodhën që të gjitha, me rastin e atij vitit « special 2000 ». Po më tej ?
.
. Në 1998, nën presidencën evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, ishte përcaktuar një procedurë e re : gjithmonë sipas një sistem rrethi, bashkërisht do të caktohej shteti i këtij « Kryeqyteti evropian» (deri në vitin 2015), ndërsa vetë zgjedhja e qytetit i lihej konkurrencës « së lirë » brenda këtij shteti. Kështu, edhe qeveritë përkatëse mbeten gjithnjë e më shumë jashtë loje. Tashmë i takon një Komisioni evropian të Kulturës të shqyrtojë kandidaturat – dhe të zgjedhë më të përshtatshmen. Bile jo më një Kryeqytet por dy, pasi qysh në vitin 2003, edhe antarët e rinj të Bashkimit kandidatojnë dhe zgjedhin përfaqsuesin e tyre paralelisht me të vjetrit… Ja pra, një vullnet i spikatur i një artisti-politikan prodhon një ide që imponohet në mbarë Evropën, një procedurë e zyrtarizuar disi hezitante shëndrrohet në një nismë të gjerë të decentralizuar që prek një shtet, që mobilizon mbarë opinionin e një qyteti – një përçapje e tillë arrin të mbledhë rreth saj energjitë dhe idetë, forcat dhe krijimtaritë, mjetet dhe talentet për të kulmuar në një një rrjedhë të pandërprerë mbarëvjetore të lumit kulturë.
.
. Përgjatë një viti pra, turma shumëformëshe, shumëngjyrëshe dhe shumëzërash ; shumëshprehjesh, shumëgjuhësh dhe shumëmendjesh – Kulla moderne e Babelit – do të imagjinojë, krijojë, gatuajë, ngjizë, prodhojë, shfaqë, shpërndajë, konsumojë bile edhe do të shpërdorojë « mallin kulturor ». Për gëzimin më të madh të krijuesve, të artistëve, të artdashësve, të soditësve, të pjesëmarrësve, të konsumatorëve – dhe për kënaqësinë më të madhe të organizuesve, të drejtuesve, të manaxherëve, qoftë dhe të të zgjedhurve.
.
.
. * * *
.
.

Një përçapje e tillë, ku lokalja piqet me mbarëevropianen, ku elitistja takon populloren, ku individualja shkrihet në masiven, ku arti frymëzon biznesin, synon të lartësojë kulturën, ta afrojë atë me njerëzit. Ç’është kultura ? M’u desh të humbja mjaft kohë mes sprovave të ditura dhe përpjekjeve kolektive në kërkim të një « përcaktimi » të saj.
.
.
. Shumëkush, në se pyetet, do të përmendte muzikën, letërsinë, artet vizuale, bile edhe arkitekturën apo gjuhën... dhe nuk do të bjerë aspak në gabim. Veçse, atij nuk mund t’i jepet plotësisht të drejtë. Pasi ajo çka realizojmë individualisht nëpërmjet pesë shqisave – si edhe mundësia tjetër për të ndarë ndjenjat tona me mjedisin njerëzor – s’është gjë tjetër veçse shfaqje të jashtme të një përmbajtjeje – të asaj çka bëjmë, mendojmë dhe ndjejmë. Në këtë mënyrë, kultura egziston nëpërmjet nxënies, përvehtësimit dhe transmetimit – pa mbetur diçka e përveçme, krejt e brendshme për sejcilin. Aq më pak ajo është monolitike – çdokush e jeton kulturën në mënyrë të ndryshme, gjithë duke egzistuar ndryshe brenda të njejtës kulture. Pra kultura është simbolike ; një përmbajtje që qëndron në bazë të sjelljeve, fjalëve apo objekteve – objektivisht arbitrare dhe subjektivisht racionale.
.
. Por kultura është njëkohësisht diçka e qenësishme dhe e gjithëgjendur – një masë fluide « thërrmijash elementare » të aktivitetit cerebral – shenja, simbole, objekte, sisteme komunikimi, gjuhë shumëformëshe... sikundër dhe mendime, ide, teza, sisteme filozofike, vepra – gjithçka përbërëse të atij sfondi dijesh dhe njohjesh që i lejon njerëzit të komunikojnë njeri me tjetrin, pa patur nevojë të diskutojnë çdo çast lidhur me kuptimin e fjalës së përdorur, të konceptojnë bile dhe të deshifrojnë botën rrethuese, të ndërveprojnë me të, duke i vetëbesuar atomatizmave dhe mekanizmave të brendshëm të njohjes, të krijuara përgjatë egzistencës.
.
. Por sado e gjithëgjendur qoftë, kultura ngërthen në vetvehte një paradoks të vërtetë, që shprehet me vështirësinë e të kultivuarit. Pasi, fundja fundit, në kuptimin e saj më të përgjithshëm, ajo mund të reduktohet në një të shkuar, të denjë për t’u njohur. Një madhështi tashmë të përvehtësuar, një fitore tashmë të kryer. Diçka të stërmadhe që shëndrrohet në familjare – një e tashme banale, antitezë e lavdisë apo e shkëlqimit intelektual të dikurshëm. Cili nga ata ish-shkollarë që kemi qenë dikur mban mend diçka më tepër se sa një rregull të mjerë treshi nga gjithë ajo ndërtesë matematike e mësuar për vite të tëra ? Cili nga ata pensionistë të ngeshëm të kafeneve arrin të përmendë të paktën një prej motiveve fisnike të Rilindjes së famshme evropiane ? Sa janë ata politikanë me bythët me kallo nga kolltuqet e Parlamentit që mund të perifrazojnë Platonin apo Aristotelin ? Ç’duhet thënë më tej për ushtrinë e konsumatorëve pasivë : rrogëtarët e ngutur që ushqimin shpirtëror e gjejnë mes faqeve të gazetave apo amvisat e përhumbura me vështrim të ngjitur pas ekranit tê televizorit ?
. Paradoksi i kulturës është pikërisht të meritosh një nxënie, e cila e zbraz këtë të fundit nga vetë kuptimi i saj. Kultura bëhet kaq e njohur sa që, sikundër thotë Hegeli, pikërisht për këtë arsye ajo është e keqnjohur. Apo siç thotë suedezja Selma Lagerlöf : « kultura është ajo çka mbetet kur kemi harruar gjithçka kemi mësuar ».
.
. Të kultivosh vetvehten do të thotë, pikërisht, braktisje e këtij familiariteti budallallepsës, të atyre shfaqjeve të shtresëzuara, precipitate të ngurta dhe sterile të dijes ; kalimi nëpër filtrin personal të dyshimit dhe të mosbesimit tê masës së postulateve, të tezave, të formulave ; rikrijimi i një poliedri vështrimesh të shumëfishta dhe kontradiktore. Më tej – në nivelin e atij që pjesëmerr në procesin e ngjizjes, të krijimit - kulturë nuk do të thotë aspak të nxënët por e kundërta e saj, të çnxënët ; nuk është aspak ai proces i të përvehtësuarit të njohurive por shpërvehtësimi nga to. Troç, rikrijimi i vështirësisë, ngritja e pengesave përpara vetvehtes. Kultura – përvojë e lodhshme, e vështirë, dekurajuese, përçapje destrukturimi, hyjnizim i kundërshtisë.
.
.
. * * *
.
.
. Le t’i kthehemi pra qytetit që ka strehuar ose do të strehojë këtë Kullën tonë moderne të Babelit. Në 2004 ishin dy të tillë : Lila (Francë) dhe Xhenova (Itali). Nga 2005 e tutje, ai bëhet i vetëm : Kork (Irlandë) në 2005, Patras (Greqi) në 2006, Luksemburg në 2007. Nga viti ku ndodhemi (2008), qytetet përsëri çiftohen : Liverpul (Angli) me Stavanger (Norvegji). Vitin që vjen (2009), rradha i vjen Linzit (Austri) që çiftohet me Sibiun (Rumani)… dhe në të lumin vit 2013, qerthulli ndalet në Francë – dhe në Slloveni.
.
. Francezët dhe të tjerë jabanxhinj që jetojnë në vend (dhe që natyrisht interesohen për kulturën), ndoqën me kërshëri maratonën ndërqytetëse që pretendonin të merrnin titullin suprem të kryeqendrës evropiane të Kulturës. Pas një gare të vërtetë mediatike, nga tufa fillestare mundën të veçohen katër të tillë. Dy çifte konkurrues : Lioni dhe Marseja mbi meridianin e lumit Ronë, Tuluza dhe Bordoja mbi paralelen e lumit Garonë.
. Antagonistë të përjetshëm, të papajtueshëm. Një duel që nxjerr herë-herë fitues të zhurmshëm por ama gjithmonë, hupës « të mirë » siç i quajnë francezët.
.
.
. Një shumë projektesh artistike (170 të tilla) që mendohen të zhvillohen sa në vetë qytetin edhe në të tjera qytete përrreth (Saint Etiene, Grenoble..). Sipas
autorëve, « një projekt kolektiv, në një dinamikë të qëndrueshme, utopike dhe militante ». Shkurt, një përzierje shkumbëzuese idesh, takimesh, shkëmbimesh dhe eksperimentesh. Por sidoqoftë, një mbështetje panevropiane që bashkon rreth Lionit edhe Gjenevën zvicerane apo Milanon italjane. Një buxhet prej 60 – 70 million eurosh, nga të cilat një e katërta vjen nga mecenati ose parnerët privatë. Një fond mbështetës prej disa qindra milion euro që vjen nga mecenët dhe industrialistët vendas. Por edhe një dyshim : preferencën e zhurisë ndaj projekteve konkurruese, në rradhë të parë Marsejën – konkurruesen e tij të përjetshëm.

.
.

. Një muze madhështor i qytetërimeve të Evropës dhe të mesdheut, një seri ekspozitash mbi figurat e shquara të pellgut (Kamy në krye të sofrës),
një bashkërendim i ngushtë me qytetet fqinje (Arlë – kryeqyteti botëror i fotografisë, Tuloni – qendra e studimeve të marinës…). Por forca e kandidaturës marsejeze qëndronte në moton : « Marseja është një qytet i varfër nga pikpamja kulturore por që ka privilegjin e të pasurit të një indi aktorësh kulturorë shumë të frymëzuar dhe të motivuar ». Sidoqoftë, një masë prej 75 projektesh ekspozitash, spektaklesh, çfaqjesh, festivalesh, , ateliesh krijimtarie, takimesh.. një buxhet prej 100 milionë eurosh dhe një llogari perspektive tërheqëse : 600 milionë euro të ardhura, 2 deri 3 milionë turistësh shtesë, një million vizitorë të zbarkuar në porti e qytetit…

.
.

. Një Auditorium i ri madhështor – diçka si Qendra Gugenhaim e Bilbaos, një muze i ri i
pêrkushtuar piktorit Goja, një Qendër e re Koreografike Moderne – bashkë me shkollën që i pêrshtatet, një ish-burg në qendër të qytetit që do të shëndrrohet në vend pritjeje dhe krijimtarie për artistët evropianë dhe nga mbarë bota… Një buxhet prej 100 milionë eurosh, një mbështetje masive e 70 qyteteve nga Franca, Spanja deri në Portugali, një pjesëmarrje e Airbus-it lokal dhe një projekt investimesh në infrastrukturat kulturore prej 1.2 miliardë euro nga një « klub i zgjedhur» ndërmarrjesh lokale private, tifoze të kulturës.. E megjithatë, një pesimizëm realist si nga ata të jugut : « e duam Tuluzën pa masë, por ndershmërisht, nuk mendojmë se ajo është në nivelin e një Kryeqyteti kulturor ».

.
.


. Rreth 60 projekte, një buxhet disi modest (60 million euro), një mbështetje pak a shumë entuziaste e qyteteve të tjera të fasadës atlantike, si edhe e industialistëve lokalë që premtuan « vetëm » 200 milionë euro.. Mbetet të njihet motivimi i brendshëm i bordolezëve – një enigmë krejt e pritur për ata që njohin sadopak nga afër karakterin e tyre.
.
.
. * * *
.
.
. And the winner is…. Nuk e kishin aspak gabim drejtuesit e projektit kulturor lionez dhe tuluzan kur edhe pse mbronin shanset e tyre, vështrimin e çonin si padashur diku në jug, në breg të Mesdheut. Të vetmit që ditën të fshehin ndjenjat me mjeshtëri – dhe të rrudhin disi buzët ishin bordelezët. Për ta, jo vetëm liqeni Mesdhe s’mund të krahasohet me pafundësinë Oqeane, por edhe mesdhetarët kanë mbetur provincialë të zhurmshëm, të zhgrryer dhe që qelben erë hudhër dhe vaj ulliri. Shko thuaja këtë gjë marsejezëve që festojnë zgjedhjen e qytetit të tyre kryeqendër evropiane të Kulturës ! Edhe në se mbetesh gjallë, të paktën do fitosh përbuzjen e tyre të përjetshme. Dhe kur përçmimi vjen nga njerëz sa të hapur dhe mikpritës, por zemërakë dhe të dhunshëm si ata, nuk ka më ujë lumi apo oqeani të të shpëlajë.
0 comments:
Post a Comment