"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, September 20, 2008

Kronika e një rikthimi : Shpaga e të mundurve (2004 – 2005).

.
. Skizma e konsumuar në këtë mënyrë në gjirin e PS dobësoi bazën e pushtetit socialist pasi, teorikisht, partia socialiste kish humbur shumicën absolute në gjirin e parlamentit. Ky ishte edhe argumenti madhor i avancuar nga ana e demokratëve që kërkuan menjëherë mbajtjen e zgjedhjeve legjistative të parakohshme. Duke ju përgjegjur thirrjes së PD, disa mijra simpatizantë dhe partizanë demokratë pushtuan rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në 7 dhe 8 shkurt 2004 për të kërkuar largimin e Nanos, ndërkohë që një grup militantësh të ndezur tentoi të pushtonte selinë e qeverisë dhe u përball me Gardën e Republikës. S’ish veçse një provë force e parë pasi, në 21 shkurt, turma e ditëve të lumtura e nxitur nga e palodhura PD por njëkohësisht edhe nga një varg OJQ lokale – me MJAFT-in në krye, mbushi përsëri rrugët dhe sheshet kësaj here e qetë, duke brohoritur njëzëri « Nano ik ! ».
.
. Çfarë kërkonte të arrinte Berisha, duke u hedhur përsëri në këtë « luftë psikologjike të rrugës », në të cilën ishtë bërë ekspert i padiskutuar ? Në pamje të parë, mund të dukej se ai kopjonte disi shembullin e fundit gjeorgjian të Trëndafilave për të dëbuar nëpërmjet forcës së turmës homologun shqiptar të Shevernazes. Ndaj udhëheqësit të rregjur demokrat, ky krahasim duhej të tingëllonte si fyerje. Ai kish integruar këtë strategji në llogaritjet e tij të komplikuara politike kushesa vjet më parë se të ngjashmit e tij kaukazianë : në mënyrë metodike, pas çdo zgjedhjeje, ai kish orkestruar grumbullime masive, kish nxitur shpërthime të kontrolluara, kish provokuar forcat e rendit dhe irrituar pushtetin socialist me të vetmin qëllim që të kondiciononte trupat e tij me moralin e shpagës. Por kësaj here gjithçka paraqitej ndryshe, pasi ai e ndjente që fitorja ishte aq afër sa që mund të prekej me dorë.
. Atij i duhej vetëm pak kohë – ato muajt që e ndanin nga zgjedhjet e ardhshme legjislative, për të mbledhur nën flamurin e tij të gjitha aleatët e tij – ata të tashmit, bile edhe ata të të kaluarës. Ai kish nevojë gjithashtu për gjeninë e tij karizmatike – për të rimobilizuar elektoratin e tij, i cili priste me padurim që prej shtatë vjetësh kthimin e Mesisë.
.
. Zgjedhjet e fundit lokale kishin treguar haptazi se që të dy kampet kishin arritur kufijtë e potencialeve të tyre njerëzore. Elektoratet e tyre ishin reduktuar në falanga militante ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë kish krijuar distancë me politikën. Përballë të pavendosurve, dilema paraqitej fort e vështirë : duhej bërë edhe një herë zgjedhja mes një bande . « që të vjedhin e të rrahin po bërtite (duke patur parasysh parasysh vjedhjen e piramidave e çka ndodhi më pas) dhe atyre që të vjedhin e ikin pa pasur fytyrë të të shohin në sy » (shënimi 1).
.
. Ndërkohë, konkurrentët politikë ju ishin përshtatur shijeve të të pavendosurve : pozita këmbëngulte në atë mashtrimin e paharruar piramidal të demokratëve ndërkohë që opozita nënvizonte peshën e « kleptokracisë » socialiste. Ishte e kotë që të thuhej se kjo lloj « reklame » së prapi shkonte në kahjen e kërkuar nga Berisha pasi ai të paktën sulmonte të tashmen ndërkohë që kundërshtarët e tij duke u kapur me të kaluarën, harronin njëkohësisht atë të tyren. Me fjalë të tjera, në vend që të kalonin kohën duke stigmatizuar një kundërshtar që strukej që prej shtatë vjetësh në opozitë – dhe që i vidhej që prej gjashtë vjetësh debatit parlamentar, ata duhej të mbronin një bilanc – bilancin e tyre.
.
. Gjatë dy legjislaturave të fundit, qeverisja socialiste kish mundur të sillte në terezi një situatë e cila, si pasojë e ngjarjeve të vitit 1997, paraqitej katastrofike. Arritjet e saj më të mëdha ishin rivendosja e rendit publik, reforma e thellë e kuadrit ligjor dhe institucional, rikthimi drejt normalitetit të jetës politike dhe veçanërisht e jetës ekonomike të vendit sikundër dhe rikthimi në projektet e integrimit evropian dhe atlantik.
.
. - E parë prej zyrtarit tifoz të shifrave, asnjëherë indekset makroekonomike nuk kishin qenë më të mira : shkalla e rritjes e stabilizuar rreth 6%, inflacioni mbahej i kontrolluar dhe i qëndronte nën 3%, PPB pro capita (1.480 USD) asnjëherë nuk kish qënë më i lartë, shkalla e interesit (10%) asnjëherë nuk kish qenë më e ulët, defiçitet ishin vënë nën kontroll dhe së fundi, monedha lokale asnjëherë nuk kish qenë më e fortë përkundrejt dollarit dhe evrosë.
.
. - E parë me syrin e politikanit, asnjëherë marrëdhëniet mes forcave politike s’kishin qenë më të harmonizuara ndërkohë që kurrëherë marrëdhëniet me fqinjët nuk kishin qenë më të mira.
.
. - E parë me syrin e emigrantit të Greqisë ose të Italisë, asnjëherë më parë ai s’kish mundur të përfitonte nga kushte më të mira jetese dhe mënyrë trajtimi nga vendi pritës.
.
. - E parë me syrin e pensionistit shëtitës, asnjëherë më parë kryeqytetit s’kish qenë më i pastër dhe më i zbukuruar me ato grupe ndërtesash gjigande që mbinin në çdo arter kryesor.
.
. - E parë me syrin e të riut, asnjëherë dyqanet e luksit s’kishin qenë më të mbushura dhe të furnizuara, asnjëherë diskot s’kishin qenë kaq plot dhe kafet kaq luksoze.
.
. - E parë me syrin e biznesmenit, asnjëherë volumet e importeve të eksporteve ose shitjet s’kishin qenë kaq të larta sikundër dhe fitimet më të mëdha.
.
. - E parë me syrin e keqbërësit, asnjëherë bizneset s’kishin qenë kaq të lulëzuara si dhe mirëkuptimet me pushtetin kaq të frytshme.
. Shkurt, asnjëherë më parë të pasurit s’kishin qenë më të pasur sikundër dhe të varfërit më të varfër !
.
. Ndërkohë, shqiptari i mesëm nuk ish në gjendje t’i përgjigjej pyetjes nëse ja kish arritur qëllimit të ndërtonte një jetë të lumtur « e cila, ja vlente që të jetohej ». Kjo e fundit, sipas Robert Kenedit të ndjerë, duhej të matej nëpërmjet « shëndetit të fëmijëve tanë, nga cilësia e shkollimit të tyre, nga gëzimi që sillte çdo ditë, nga qëndrueshmëria e martesave tona » dhe së fundi, nga « përkushtimi ndaj vendit tonë ». Cili nga këto elementë bënte pjesë në përllogaritjet e qeverisë të PPB, ose në treguesit makroekonomikë që shërbenin për të stolisur tabelën e arritjeve të vendit ? .
. Në të vërtetë, problemi themelor i kësaj « parajse » të vogël rozë ishte mospërputhja me një farë konceptimi evropian të demokracisë dhe të shtetit ligjor. Meqënëse Evropa përfaqsonte me sa duket atë vendin e përbashkët ku Shqipëria duhej të përfundonte, fatin e saj historik, atëhere vendi dhe udhëheqësit e tij duhej të dallonin mospërputhjen e thellë mes modelit të tyre dhe atij bashkësior. Nga ana tjetër, evropianët bënin çmos për të treguar pakënaqsinë e tyre, duke rritur presionin mbi qeverinë dhe duke përdorur mjetet e mëdha : në emër të Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore, flota ushtarake dhe avionët e zbulimit i binin kryq e tërthor Adriatikut dhe hapërsirës detare dhe ajrore kombëtare, një varg stacionesh radar ishin instaluar në brigjet shqiptare, policët më të aftë evropianë kishin zbarkuar në vend për të inkuadruar dhe stërvitur kolegët e tyre shqiptarë, një ligjshmëri specifike kundër banditizmit të madh dhe krimit të organizuar ishte përpunuar dhe aprovuar, disa burgje të reja fort moderne ishin ndërtuar me qëllim që të strehonin kriminelët dhe trafikantët e ekstraduar shqiptarë dhe së fundi, një bazë e tërë të dhënash ishte përpunuar dhe vënë në dispozicion të Interpolit dhe të policive të tjera evropiane për të ndjekur sa më frytshmërisht kokat e krimit shqiptar…
.
. Rezultatet qenë pothuaj të menjëhershme dhe tepër inkurajuese : flota e gomoneve dhe të tjerë motoskafë ultra të shpejtë të trafikantëve u reduktua pothuaj në zero, numri i zyrtarëve të dënuar për korrupsion u dyfishua, sasia e drogës të zënë nga policia u trefishua bile u katërfishua, numri i keqbërësve me origjinë shqiptare i kthyer në vendin e tyre të lindjes u shumëzua me pesë. Dhe si rastësisht, parashikimet lidhur me PPB u çfaqën në rënie, papunësia u rrit befasisht disa pikë, inflacioni u ngjit në nivele të panjohura prej vitesh, ndërtimet e godinave të luksit u frenuan dukshëm…
.
. Ndërkohë që korrelacioni mes këtyre fenomeneve ishte kaq i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë sa që nuk mund t’i shpëtojë as syrit më të pastërvitur, befas fillon dhe përvijohet mendimi që ato shifrat e para sintetizojnë fatin e dhjetra dhe qindra mijra familjeve që jetojnë në vend me vështrimin e ngulur jashtë shtetit. Pasi, fillimisht është një familje lambda e Beratit e cila merr disa dhjetra euro herë pas here, të dërguara nga vajza e tyre që punon jashtë shtetit. Njëqind kilometra me tutje, është ajo familja omega e Lezhës e cila merr gjithashtu herë pas here disa mijra euro, të dërguara nga djali i tyre – edhe ai punon jashtë shtetit. Ndërkohë djali i omegave lezhjanë deklaron se jeton me vajzën e lambdave beratas, e cila sipas çdo logjike ushtron zanatin më të lashtë të botës, e mbrojtur nga « burri » i vet skllavërues. E parë nga jashtë shtetit, kjo gjë quhet kurvëri dhe rrufjanllëk – pra, shkelje e ligjeve të ushtrimit të profesionit pa leje si dhe qëndrimit të parregullt për të parën si dhe krim për të dytin, gjë e cila i çon autorët deri me burg. E parë nga vendi, kjo gjë quhet punë jashtë shtetit – fitim parash, qëllimi i të cilave është të mos vdesin urie në Berat dhe të ndërtohet shtëpia e prindërve ose dyqani në Lezhë.
.
. Si quhet kjo gjë, e parë nga një palë e tretë – nga shteti dhe nga qeveria shqiptare ? Përballë heshtjes, na mbetet të marrim me mend përgjigjen. Megjithatë, ata që mbajnë çelësat e ekonomisë kombëtare në brez e dinë më mirë se kushdo tjetër se ky sifon i hollë që përçon paret nga Evropa brenda shtetit, përfaqson thërmijën elementare të bilancit të arritjeve. Si shpjegohet ndryshe që ekonomia kombëtare nuk fundoset nën peshën e deficitit tregëtar që vetëm për vitin 2004 tejkalon një miliardë dollarë ? Nga vjen kjo para që lejon të blihet jashtë shtetit tre herë e gjysëm më tepër mallra në krahasim me çka arrihet të shitet po jashtë (shënimi 2) ? Sigurisht nga sektori ekonomik « gri » për të mos thënë i zi – ai i trafiqeve të krimit të organizuar, i cili përfaqson nga 60 deri 70% të PPB kombëtar (shënimi 3) ; nga ai i drogës që qarkullon në territorin kombëtar, vlera e të cilës vlerësohet në disa miliarda dollarë në vit. Në këtë mënyrë, i është vënë gishti aporisë së demokracisë shqiptare :
.
.
. ndërkohë që pushteti mbron bilancin e vet të arritjeve ekonomike, pa dashur të shpjegojë se cilat janë burimet e vërteta që lejojnë të financohet kjo ekonomi, opozita tund flamurin e luftës kundër korrupsionit, trafiqeve të jashtëligjshme dhe krimit të organizuar, pa mundur të thotë se cilat do të jenë rrugët e ndershme të zhvillimit të saj të ardhshëm.
.
.
. Sigurisht, masa e emigrantëve shqiptarë në Evropë që i afrohet milionit të njerëzve, nuk është e përbërë veçse nga prostituta, nga rrufjanë ose nga banditë – trafikantë. Në pjesën e saj dërrmuese, ajo pjesëmerr normalisht në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit që e ka pritur, ndërkohë që ruan vazhdimisht një mendim për vendin e saj të origjinës ku edhe ajo kthehet masivisht për të bërë pushimet – dhe me këtë rast të prishë para. Vetëm se, bërja e një jete normale në gjirin e një familjeje e cila presupozon shkollimin e fëmijëve, pushime në vendin e jetesës, një veturë personale në mos dy, projekte afatmesme – të gjithë këto me të ardhura që vijnë nga një punë e rezervuar për një emigrant – don të thotë që është pothuaj krejtësisht e pamundur të mund të ekonomizohen para për të investuar masivisht në vendin e origjinës. Përsa i përket atyre që besojnë në efikasitetin e ndihmave dhe të kredive, mjafton të përmendet që shuma globale e asistencës e Bashkimit Evropian për periudhën 1991- 2004, është pothuaj 1,2 miliardë euro, ose diçka më tepër se dërgimet e emigrantëve shqiptarë vetëm për vitin 2005.
.
. Përsa i përket Shtetit, ai fsheh turpin e tij me një farë gjetheje rrushi të quajtur papërgjegjësi ligjore, ndërkohë që pohon se të gjitha qarqet e « ekonomisë » së zezë dhe gri zhvillohen jashtë tij dhe mbeten jashtë kontrollit. Edhe në qoftëse nuk arrin që ti taksojë nëpërmjet VAT-it – sikundër ndoshta edhe ëndërron, ai përfiton nga dividende të konsiderueshme. Mjafton të përmenden ekonomia kombëtare që përfiton nga kjo konjukturë e favorshme, popullsia që arrin të mbijetojë, sektori i ndërtimit (+13% rritje të përvitshme bile deri në +45% në 2004, ndërkohë që pjesëmerr me 10% në PPB), shërbimet dhe turizmi që lulëzojnë, zyrtarët që arrijnë të marrin bakshishet e tyre, politikanët që arrijnë të ndërtojnë vila ose të qarkullojnë me vetura luksoze… pa harruar më në fund edhe konsumatorin e thjeshtë, i cili pêrpos morisë së problemeve të pêrditshme, duhet të zgjidhë një problem tjetër të natyrës egzistencialiste : a duhet t’ju rijapë besimin socialistëve të Nanos apo të zgjedhë demokratët e Berishës, që prej tetë vjetësh në stolin e rezervës të lojës politike ?
.
. Vargu i protestave dhe i manifestimeve të llojit « Nano ik » shërbeu si prolog për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare e cila, që prej disa muajsh, ishte instaluar në sallat e parlamentit. Qëkurse seancat transmetoheshin në direkt nga televizioni ato ishin shëndrruar në një çfaqje të pakrahasueshme popullore ku dhuna verbale dhe vulgariteti i shprehjeve mbanin ndezur vëmendjen e familjeve shqiptare të cilat shpresonin të asistonin drejtpërdrejt në kryqëzimin e dytë të Nanos. Që në fillim, të gjitha goditjet e opozitës ishin përqëndruar mbi Kryeministrin që përfaqsonte shenjën ideale – personifikimin e të gjitha të këqiave të sistemit, për të mos thënë të mbarë socializmit.
.
. Megjithë peripecitë e shumta në gjirin e partisë së vet, Nano kish mundur të shëndrrohej në simbolin e Republikës së Tretë, në variantin e saj socialist. Ndoshta, atij i mungonte karizma e një Berishe dhe urrente të zhytej në mes të turmës si demokrati i madh por ai kish një nuhatje krejt të veçantë për të zbuluar dobësinë e tjetrit dhe zotëronte artin e të drejtuarit të një ekipi. Nano kish pushtuar krejtësisht skenën politike të vendit të cilën e administronte më tepër si një njeri i spektaklit se sa si burrë Shteti, diçka në stilin e një Berluskoni. Ai ishte kthyer në « superstar » të të gjitha gazetave të vendit që gjuanin shprehjet e tij të ndyra, xurxullosjet e tij legjendare, udhëtimet e tij pa fund në hotelet më të mira të Mesdheut dhe të Lindjes së Afërt, buzuqet e tavernave të Athinës, martesën e tij të dytë, shpenzimet faraonike të hequra nga donatorë privatë të botës lokale të biznesit dhe së fundi « çapkënllëqet » e shquara – fatura të papaguara në Krans Montana, një zënkë e paharruar gjatë ceremonisë së varrimit të Papës Gjon Pali IItë, shumat kolosale të lëna në bixhoz në Atlantik Siti…
.
. Pas debateve të shumtë pasionalë mbi të ashtuquajturat abuzime të pushtetarëve dhe lidhjeve të supozuara të Nanos me krimin e organizuar, pas atyre tonelatave artikujsh mbi faktet dhe gjestet më të vogla të jetës së tij private, Presidenti harbut i PS u kap nga e kaluara e vet : denigruesit e tij të palodhur mundën të zhvarrosin « kufomat » që ai fshihte me kujdes në sirtaret e tij intimë. Mes të parëve që hapi vallen ishte miku i tij i shtrenjtë Klosi, padroni fatkeq i Shërbimeve Sekrete shqiptare, i cili akuzoi gruan e dytë të Kryeministrit për spiunazh në favor të Shërbimeve sekrete greke. Ai u ndoq nga një ish-ministër i qeverisë Meta, gjithashtu deputet socialist, i cili kish kaluar në rradhët e LSI-së. Me një pamje krejt të pafajshme, deputeti socialist dezintegrues numëronte publikisht rastet kur Nano ish përpjekur t’a likuidonte fizikisht pasi, ai kish prova të pakundërshtueshme që bosi i tij i vjetër partiak kish përfunduar një pazar me kolumbianët e kokainës me vlerën një miliardë dollarë. Pa krijuar surprizë, Berisha kërkoi krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar sjelljen e Nanos, i filmuar në Selanik në mes të virtuozëve të buzuqit ndërkohë që vendi varroste me dhimbje viktimat e reja të një aksidenti të tmerrshëm rrugor, pranë kufirit me Kosovën.
. Por, goditja përfundimtare erdhi nga Nikoll Lesi, një deputet « indipendent » dikur i afërt me pushtetin socialist. Ky gazetar i vjetër i shëndrruar në biznesmen dhe në kohën e ngjarjeve, President i partisë Demokrate Kristiane, insistoi me qëllim që deputetët të dëgjonin disa rregjistrime të dhjetorit 1997, ku Nano dhe gjykatësi Abdiu diskutonin lidhur me trafiqet e armëve dhe ndryshimet ligjore adekuate. Përpara se sa vala goditëse të absorbohej nga masa e deputetëve, botuesi këmbëngulës i gazetës « Koha Jonë » nxorri rregjistrime të tjera, kësaj rradhe lidhur me një aksident vdekjeprurës të shkaktuar nga Nano në 2001 dhe të mbyllur nga policia kombëtare.
.
. Mikrofonë spiunë, filmime të fshehta, rregjistrime që flinin prej vitesh nëpër sirtarë, dëshmitarë ultrakonfidencialë : me sa dukej, një dorë e kujdesshme dhe e fshehtë avanconte gurët në fushën e lojës për t’a zënë mat « mbretin » Nano. Nga njera anë dhe nga ana tjetër e spektrit, bota politike që ndjente kërcitjet e pushtetit kish filluar të riorganizohej. Më tepër se një program, për të bindur të pavendosurit, e djathta kish nevojë për dinamikë të re : shtatë parti politike të qendrës së djathtë, të konsideruara të afërta me PD, krijuan Aleancën për Liri, Drejtësi dhe Mirëqënie (ALDM) (shënimi 4), duke shkrirë listat e kandidatëve njëemërorë në një listë të përbashkët. Diku në ekstremin e djathtë, partia Demokratike e Rinovuar e Shehit sikundër dhe një parti mikroskopike konservatore (PKons) bashkonte forcat me Monarkistët e Lekës së Irë, në gjirin e një lëvizjeje të re të Zhvillimit Kombëtar (LZHK). Në të kundërt, vetëm ideja se mund të ripërtëritej mbretërimi i Nanos paralizonte krejtësisht të majtën. Sejcila nga pesë partitë e së majtës, tradicionalisht të lidhura me PS (shënimi 5) vendosi të paraqiste lista të veçanta, ndërkohë që i vetmi qëllim i LSI së Metës ishte t’i priste rrugën sivëllait të madh socialist.
.
. Duke ju bindur instiktit të mbijetesës së species – të gjuajtur me ankth nga të gjithë marinarët e botës mbarë – të parët që braktisën anijen socialiste që po kumbisej ishin kalibrat e Aleancës Demokratike. Edhe një herë tjetër, Berisha tregonte se zotëronte idera gjeniale : për të farkëtuar një imazh të ri, partia Demokratike kish nevojë për « themeluesit » e saj ndërkohë që këta djelm plangprishës kishin nevojë për një hapësirë të re, të denjë për kapacitetet e tyre. Njeri pas tjetrit, ish-ministra të qeverive socialiste si Zogaj ose Imami, ekspertë të vjetër të ekonomisë si Pashko ose Ruli ktheheshin në vathë pas kaq vjetësh shtegëtimi. Presidenti i dikurshëm dukej se i kish falur censorët e tij më të egër dhe egzegjetët e tij të palodhur. Ai i integroi në organet drejtuese, ju ofroi kandidatura deputetësh – mjaft që të rikthehej në pushtet ! Inatet e vjetra mund të prisnin rradhën. Pas një forcimi dore të fundit në fushën legjislative (shënimi 6), e djathta ishte përfundimisht e gatshme për të nisur betejën e saj të madhe elektorale.
.
.
. Zgjedhjet aq të pritura u zhvilluan në 3 korrik 2005 në një atmosferë të gjykuar « të qetë në tërësinë e saj », megjithë një varg incidentesh mes të cilave numërohej një i vrarë. Me mbylljen e qendrave të votimit, u duk qartë se strategjia e përdorur nga e djathta kish dhënë frytet e saj : pjesëmarrja tejkaloi 56%. Përsa i përket rezultateve, që të nesërmen Berisha dhe partizanët e tij mund të festonin fitoren megjithëse ju duhej të prisnin derisa Komisioni Qendror të mund të shpallte disa shifra : partia Demokratike kish mundur të siguronte 53 deri 55 vende njëemërore ndërkohë që socialistët kishin marrë vetëm 38 vende (shënimi 7). Shpallja e rezultateve lidhur me emrat e 40 deputetëve të tjerë të zgjedhur nëpërmjet listave proporcionale ose shumëemërore ishte edhe më e vështirë pasi, ndërkohë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i duhej të shqyrtonte 300 ankesa që kërkonin ose anullimin e rezultateve ose anullimin e zgjedhjeve në disa zona. Së fundi, instanca supreme vendosi të përsërisë zgjedhjet në tre nga zonat elektorale, në 21 gusht. Praktikisht, kjo donte të thoshte që shpallja e rezultateve përfundimtare duhej të priste të paktën këtë datë për të njohur shpërndarjen e vendeve me qëllim që të mund të zbatohej në vazhdim rregulla e proporcionales.
. Përfundimisht, në 1 shtator, ose dy muaj më vonë nga mbajtja e zgjedhjeve, parlamenti shqiptar mund të shfaqte fytyrën e tij të re : partia Demokratike paraqiste 56 deputetë (40% të vendeve të parlamentit) ndërkohë që rivali i saj që braktiste pushtetin mund të mbështetej në ata 42 deputetët e saj (30%). Për të realizuar qeverisjen, Berishës i duhej të mbështetej në aleancat natyrore me qendrën e djathtë – ALDM – që grumbullonte 18 vende. Kjo gjë i siguronte shumicën në parlament me 74 vende, ose 53,2%. Humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve ishte PS që ndërkohë ishte lehtësuar nga pesha e tridhjetë deputetëve përkundrejt legjislaturës së mëparshme. Në të kundërt, qendra e majtë tregonte edhe një herë stabilitetin e saj me 23 deputetë, ndërkohë që e djathta ekstreme mbetej përfundimisht jashtë parlamentit (shënimi 8).
.
. Si përfundim, pas tetë vjet galere, e djathta rikthehej në pushtet dhe Berisha zgjidhej Kryeministri i ri i vendit. Por hapësira e manovrës së tij mbetej fort e ngushtë pasi e djathta e bashkuar mezi arrinte të tejkalonte rezultatin e PS – pa aleatët e saj - në vitin 2001. Kryeministri i ri u ndje diçka më i sigurt posa që PBDNJ deklaroi strategjinë e saj të re për të braktisur qendrën e majtë dhe për t’u bashkuar me shumicën qeveritare – duke sjellë dy deputetët e saj në korin e shumicës. Disa ditë më vonë, edhe PAA e imitoi dhe bashkoi deputetët e saj me koalicionin, duke e shitur të majtën për një portofol qeveritar. I ngrohur në këtë mënyrë, Berisha paraqiti edhe qeverinë e tij të re që u pranua menjëherë nga Presidenti Moisiu. Që në javën e parë të shtatorit, padroni i demokratëve kaloi më së fundi portën kryesore të Kryeministrisë.
.
. Duke parë dinamikën elektorale gjatë dy legjislaturave të fundit, fitorja e Berishës dhe e demokratëve të tij paraqitej si një fenomen i pritshëm. Sidoqoftë, ngjarja krijoi një surprizë të vërtetë në Perëndim pasi emri i Berishës ishte lidhur ngushtë për të mos thënë ishte sinonimi i piramidave financiare, i trazirave të përgjakshme të vitit 1997 ndërkohë që imazhi i tij ishte ai i një Presidenti autoritar, me nuanca diktatoriale. Nga ana tjetër, megjithë korrupsionin që mbretëronte në vend dhe megjithë ato zonat e përbashkëta me botën e krimit të organizuar, rregjimi socialist i Nanos kish mundur të jepte disa garanci të vlefshme në dobi të dialogut me Evropën, të mbronte një bilanc ekonomik globalisht të suksesshëm dhe të krijonte një stabilitet politik pak a shumë të qëndrueshëm. A mund t’i bëhej ende besim doktor Berishës ? Në të vërtetë, përderisa ishte populli i vet që i dha besimin, kjo lloj pyetje fshihte një tjetër : a mundet që evropianët të uleshin në të njejtën tryezë me dikë si Berisha, pas gjithë asaj balte që i kishin hedhur përsipër ?
.
. Është e vërtetë që padroni i demokratëve përsëriste me zë të lartë se ai kish ndryshuar, se vetëm fakti që kish jetuar në opozitë përgjatë tetë vjetësh e kish zbutur, se ai s’kishte asnjë dëshirë të hakmerrej ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte vendosja e Shtetit ligjor. A nuk kish thënë pothuaj të njejtat gjëra në vitin 1992, bile edhe në 1994 ? Është e vërtetë gjithashtu se ai premton një luftë të pamëshirshme kundër korrupsionit ose ndaj krimit të organizuar : ky orientim shkon në drejtimin e kërkuar nga Evropa e cila, në fund të fundit, mund t’i kundërvihej në çdo moment duke i prerë ndihmat ose kreditë. Kush garanton që Mjeshtri i Tiranës do të mbështetet mbi Evropën e Bashkuar dhe nuk do të recidivojë ndaj Shteteve të Bashkuara ? Kush mund të garantojë që Bashkimi Evropian disponon gjithmonë vullnet, fonde dhe ndihma ndaj Shqipërisë ?
. Le të pranojmë gjithashtu që njeriu edhe ndryshon ; a mund të shpresojmë gjithashtu se instrumenti i tij i pushtetit, partia Demokratike, ka patur kohën e nevojshme për të kryer transformimin e saj të brendshëm të domosdoshëm (shënimi 9) ?
.
. Duke pritur që e ardhmja të kredibilizojë aksionin e Kryeministrit, duke i siguruar atë pavdekësinë aq të dëshiruar, e tashmja ishte fatale për armikun e tij intim, ish-Kryeministrin Nano. Megjithë suksesin e tij personal në zonën e vet të Sarandës, ai paraqiti dorëheqjen si President i PS. Përballë seizmës politike, Kongresit të jashtëzakonshëm i PS, të mbledhur në tetor 2005, ju desh të ripërtërinte organet drejtuese : Kryetari i bashkisë të Tiranës Edvin Rama – alias Edi – antar i partisë që prej dy vjetësh, u zgjodh President i ri. Ish « heroit » të socialistëve Majkos ju desh të kënaqej me rolin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke spostuar me këtë rast Gramoz Rucin, një përfaqsues i shkollës së vjetër që preferoi të ndiqte shembullin e mikut të tij Nano.
.
.
. -------------------------------------------------------------------
.
. (1) shih : Fatos LUBONJA - Megjithate u tronditem: « Korrieri », 19 nëntor 2004.
.
. (2) Mjafton të lexohen raportet e Bankës së Shqipërisë për të marrë përgjigjen : « … gjatë vitit 2005, sektori i jashtëm i ekonomisë tregon një bilanc thellësisht negativ, i shkaktuar nga deficiti i lartë tregëtar. Sidoqoftë, flukset hyrës të kapitaleve kanë qenë mjaftueshmërisht të fuqishëm për të kompensuar deficitin rrjedhës, duke lejuar të arrihet një bilanc globalisht pozitiv… Gjatë vitesh, deficitet e larta tregëtare kanë qenë financuar jo vetëm nga flukset hyrëse në kapitale por njëkohësisht, mundësi tepër të larta financimesh janë vërejtur nëpërmjet llogarive rrjedhëse nga transfertat e fondeve të dërguara nga emigrantët. Gjatë vitit 2005, fluksi net i transfertave rrjedhëse ka qenë afro një miliardë euro, nga të cilat mbi 90% vijnë nga emigracioni shqiptar. Dërgimet e emigrantëve janë 939 milionë euro, ose 14% e PPB… Transaksionet e natyrës rrjedhëse – blerje jashtë shtetit për vitin 2005 – janë financuar me 43% nga transfertat rrjedhëse në para, në 32% nga eksportet e shërbimeve (turizmi) dhe së fundi, në 18% nga eksporti i mallrave ». Shih mbi këtë çështje : Banka e Shqipërisë - Raporti Vjetor 2005 : Kapitulli II – Ekonomia e Brendshme, Tiranë 2005. Lidhur me ndihmat që ka përfituar Shqipërias shih : Conseil de l’Europe – Albania 2005 Progress Report , Sec 1421, Brussels, november 2005.
.
. (3) Bertrand MONNET – Ibidem.
.
. (4) E këtij numri qenë partia e Re Demokrate (PDR) e Pollos, partia Demokrate-Kristiane (PDK) e Lesit, Bashkimi Liberal Demokrat (BLD) i Laços, partia e Ballit Kombëtar Demokrat (PBKD) – një pjellë e Ballit të vjetër Kombëtar, partia e Bashkimit Demokrat Shqiptar (PBDSH), partia Republikane (PR) e Mediut dhe së fundi, Lëvizja e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (LDLNj) – edhe ajo, një pjellë e partisë së vjetër të Bashkimit të të Drejtave të Njeriut. Marrëveshja kryesore e nënëshkruar mes PD së Berishës dhe Koalicionit të të shtatëve parashikonte paraqitjen e kandidatëve të përbashkët në 100 zonat njëemërore (85 kandidatë që i përkisnin PD dhe 15 kandidatë të partive të tjera të koalicionit) ndërkohë që për 40 vendet e tjera të shpërndara në bazë të listave shumëemërore, sejcili ruante listat dhe pavarësinë e vet.
.
. (5) Bëhet fjalë për partinë Social-Demokrate (PSDSH) të Gjinushit, të partisë të Demokracisë Sociale (PDSSH) të Milos, të Aleancës Demokratike (PAD) të Çekës, të partisë të Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNj) të Dules dhe të partisë Agrare Ambjentaliste (PAA) të Xhuvelit. Sejcila nga këto formacione prezantoi listat e saj njëemërore dhe shumëemërore.
.
. (6) Këto zgjedhje u zhvilluan përputhshmërisht me Kodin e Ri Elektoral, të aprovuar në qershor 2003. Megjithatë, gjatë vitit 2004, OSCE dhe Komisioni i ashtuquajtur i Venecias dhanë përfundimet e tyre dhe rekomandimet e tyre të përbashkëta për përmirësimin e kuadrit elektoral me qëllim që të përmbusheshin standardet ndërkombëtare. Si pasojë e këtyre rekomandimeve, PD këmbënguli për të ndryshuar Kodin Elektoral i cili pësoi përmirësime të reja në nëntor të vitit 2004, më pas në janar të vitit 2005. Mes këtyre ndryshimeve të reja binin në sy : ndarja e re e zonave elektorale, kufijtë e rinj të imponuara ndaj forcave politike për të pjesëmarrë në Parlament në kuandrin e proporcionales (2,5% për partitë politike dhe 4% për koalicionet) si edhe rregulla e re e lojës për sistemin mazhoritar i cili tashmë duhej të llogaritej mbi një shumicë të thjeshtë votash në vend të një shumice absolute. Me fjalë të tjera, balotazhi suprimohej dhe deputetët e rinj zgjidheshin mbi bazën e një shumice të thjeshtë në zonat e tyre respektive.
.
. (7) Mjafton të thuhet se në 11 korrik, ose tetë ditë përtej kufirit kohor të përcaktuar nga ligji, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve s’ish në gjendje të shpallte rezultatet përfundimtare mbi 2 zona njëemërore dhe mbi 3 zona shumëemërore.
.
. (8) 18 vendet e qendrës së djathtë shpërndaheshin si më poshtë : partia Republikane PR - 11 vende, partia e Re Demokratike PDR - 4 vende, partia Demokrate-Kristiane PDK – 2 vende dhe së fundi, Bashkimi Liberal Demokrat BLD – 1 vend. Përsa i përket qendrës së majtë, 23 vendet e saj shpërndaheshi si më poshtë : partia Social Demokrate PSD – 7 vende, Lëvizja Socialiste për Integrim LSI – 5 vende, partia Agrare Ambientaliste PAA – 4 vende, Aleanca Demokratike PAD – 3 vende, partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut PBDNj – 2 vende dhe së fundi, partia e Demokracisë Sociale – PDS – 2 vende. Një vend i kalonte një deputeti të pavarur. Shih mbi këtë subjekt : OSCE, ODHIR Election Observation – International Election Observation Mission : Parliamentary, Elections Républic Albania, 3 july 2005, Varsovie, novembre 2005.
.
. (9) Kjo është edhe pyetja që ngre Pettifer në petkun e tij të ekspertit të çështjeve shqiptare. Ai nënvizon rigjenerimin e thellë të strukturave udhëheqëse tashmë të hapura ndaj një brezi administratorësh të rinj, produkt i pastër i univeriteteve evropiane dhe amerikane. Ai shënon gjithashtu edhe një marrje distance të partisë përkundrejt bazës së saj tradicionale militante me origjinë veriore sikundër dhe ndaj elitave të kryeqytetit, kjo kastë intelektualësh të përbërë nga ekonomistë teknokratë pro-Nano. Shih : James PETTIFER – Albania Elections 2005 – A New Ruling Elite ? Conflict Studies Research Centre, 05/60, october 2005.

1 comments:

edrus said...

Analizë e pasur, që ka prekur pothuajse ç'do moment të historisë dhe ku mendimet e autorit mbështeten në të dhëna që janë ose kanë qënë përpara syve të të gjithëve, por që rrallëherë janë përdorur për të arritur deri në këtë shkallë.
E keqja është se lexuesi shqiptar tashmë është edukuar me pamfletin e rradhës dhe vetë politikanët preferojnë që të përfitojnë nga batutat e këtyre pamfleteve për të denigruar kundërshtarin se sa të shikojnë me një sy po kaq kritik të shkuarën për të bërë një të ardhme pa të tilla gabime.
Punë e paqme Xixa, komplimenti!

 
Përjetësisht të Panjohur