"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, September 17, 2008

Kronika e një rikthimi : Mëkatet e pushtetit socialist (2001 – 2003).

.
. Vetëm disa ditë pas fitores elektorale të qershorit 2001, kampin socialist e zunë spazmat. Pas një luftë e pamëshirshme në krye të piramidës mes klaneve Nano dhe Meta, këtij të fundit ju desh të bënte koncesione të panumërta lidhur me portofolet ministrore përpara se të sigurojë postin e Kryeministrit. Qeveria e krijuar në mesin e shtatorit, falë një përzierjeje të qëlluar mes elementëve proNano dhe proMeta, bashkë me disa përfaqsues të koalicionit të fasadës, në mos premtonte të kryente mrekullira të paktën dukej jetëgjatë. Por jo më larg se në dhjetor, zemëraku President i socialistëve zbuloi publikisht korrupsionin që mbretëronte në rrethin e Kryeministrit të tij duke kërkuar me këtë rast, kryerjen e një katharsisi të vërtetë. Natyrisht, energjiku Meta kaloi në kundërsulm dhe mblodhi shtypin për të denoncuar lidhjet e Presidentit të partisë së tij me krimin e organizuar.
.
. Ç’po bënte vaki në gjirin e « kupolës » rozë ? Përse ky antagonizëm që zjente prej vitesh mes këtyre dy burrave duhej të shëndrrohej në një ndeshje trup me trup përpara objektivave të zbavitura të kamerave ?
.
. Pa asnjë dyshim, fitorja e zgjedhjeve legjislative dhe ideja e të qënit në pushtet edhe katër vjet të tjera i ripërcaktoi kushtet e pazarllëkut mes dy protagonistëve të pushtetit : për të marrë vendin aq të lakmuar të Kryeministrit, Meta duhej të mbështeste kandidaturën e Nanos si President i Republikës, karriera politike e të cilit ishte reduktuar brenda katër mureve të Sekretariatit të PS. Kjo marrëveshje në pamje të parë banale, kjo praktikë e përdorur në jetë të jetëve në Evropë dhe gjetkë, mund të funksiononte normalisht mes shokëve të të njejtit ideal ose thjesht mes dy njerëzve që respektonin njeri tjetrin. Në rastin tonë këta dy njerëz nuk ishin gjëkundi miq. Të strehuar nën një çati gjatë periudhës Berisha, nën emrin e një mirëkuptimi që i ngjante më tepër një përbetimi, atyre ju desh të duronin njeri tjetrin për të mbijetuar, duke pritur ardhjen e momentit të përshtatshëm. Përsa i përket idealit, komunizmi i lindjes së tyre kish ndrruar nën presionin e ngjarjeve në një socializëm rrethanor – sikundër zëri i hollë i një fëmije shëndrrohet në ngjirrje gjatë adoleshencës. Me çfaqjen e pushtetit dhe të parasë në horizont, e vetmja dogmë që tashmë orientonte bindjet ishte ndjellja e fitimit. Së fundi, shoqëria e tyre i ngjante asaj të kusarëve, tek të cilët respekti reciprok s’është gjë tjetër veçse dyshim për të mos thënë frikë ndaj shpejtësisë së dorës dhe fuqisë së armës të ortakut. Shkurt, ata nuk arrinin të duronin njeri tjetrin dhe jo më të përmbushnin premtimet e tyre.
.
. Nga momenti i uljes në kolltukun e Kryeministrit, Meta « e harroi » kontratën fillestare. Përse duhej t’i krijohej rasti Nanos për të braktisur botën e fëlliqur të intrigave partizane nëpërmjet portës së madhe që çonte drejt nderimit gjithëpopullor ? Përse i duhej ofruar Nanos luksi të barazohej me Berishën ? Përse duhej t’i jepej mundësia që të shtypte tërë bandën me peshën e egos të tij të pamasë ? Përse së fundi, duhej që ai të shkruante emrin në Panteonin e kombit për jetë të jetëve ? Duke e pranuar sfidën, Meta dhe grupi i tij bënë të ditur që ata nuk mund të aprovonin projektin presidencial të Kryetarit të tyre, aq më tepër që të gjithë e dinin se ata zotëronin mjetet e nevojshme : mjaftonte një dyzenë e vogël deputetësh për të votuar kundër kandidaturës në momentin e duhur.
. I prekur në një zonë të ndjeshme, Nano preferoi t’a linte dorën, aq më tepër që zhurma rreth zgjedhjes së Presidentit zgjoi Mejdanin i cili shpalli se ishte gati të rivinte kandidaturën për një mandat të dytë. Pas shkencëtarit, u çfaq një tufë shkrimtarësh : Pjetër Arbnori deklaroi se ishte gati të vinte kandidaturën si përfaqsues i opozitës aktive, i ndjekur nga Sabri Godo që përfaqsonte opozitën pasive. Kjo garë e shfrenuar shtoi konfuzionin në rradhët e socialistëve që s’po kuptonin më asgjë përveç faktit që shanset e Nanos po bëheshin gjithmonë e më të pakta. Vetë Nano prezantoi opcionet e veta : në qoftë se të zgjedhurit socialistë nuk do të mbështesin kandidaturën e tij, ai do të bënte çmos për të bllokuar procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm edhe sikur të bëhej shkas për të provokuar zgjedhje të reja të përgjithshme të parakohshme. Dhe me këtë rast, të luante lojën e Berishës që nuk kërkonte gjë tjetër veçse ripërsëritjen e zgjedhjeve ! Në të kundërt, ai zotëronte mjetet e nevojshme për të përmbysur qeverinë e Metës.
. Mes këtyre opcioneve, njëri më i turpshëm se tjetri, dhe në presionin e të dërguarve të Evropës që i trembeshin bllokimit të mekanizmit shtetëror dhe një krize të rëndë, Presidenti i socialistëve zgjodhi të dytin : nëpërmjet një goditje në një vend të ndjeshëm – duke akuzuar disa prej antarëve të qeverisë Meta për korrupsion – ai i detyroi të jepnin dorëheqjen, në mes të dëshpërimit të thellë të socialistëve. Disa ditë më vonë, në 29 janar 2002, Meta hodhi peshqirin në mesin e ringut pasi ndërkohë, Presidenti i partisë së tij kish refuzuar sistematikisht të gjithë propozimet për të zëvendësuar ministrat e tërhequr. Në të njejtën ditë, opozita e prishi agjërimin bojkotues tashmë legjendar dhe u kthye në fronat e Kuvendit, duke inauguruar me këtë rast edhe strategjinë e saj të re të luftës. .
. Duke ndjekur një logjikë tipike shqiptare, aq mirë e përmbledhur nga shprehja « punë e madhe po dola i humbur, mjaft që armiku im të mos fitojë », të gjithë lojtarët ishin kthyer në pikën fillestare. Me qëllim që të zhbllokohej situata, e cila zotëronte magjinë për të zbavitur opozitën, për të acaruar instancat evropiane dhe për të dëshpëruar masën e militantëve, dy bandat rivale pranuan me në fund përpjekjen pajtuese të Majkos, i cili propozoi një ekip të ri qeveritar. Pas debateve të gjata, shumica e deputetëve përfundimisht mundi të bindej nga shprehja lapidare e zëvendës-Kryetarit të Kuvendit : « më mirë kjo qeveri se sa pa qeveri fare » dhe aprovoi përbërjen e re të rastit, e cila e bekuar nga Mejdani, hyri në funksion në 22 shkurt 2002.
.
. Në të vërtetë, me pranverën e re ishte afruar edhe urgjenca pasi një tog dosjesh ishin grumbulluar mbi tryezën e Kryeministrit : lufta kundër krimit të organizuar, masat anti-korrupsion, kriza energjetike, hapja e negociatave për Paktin Shoqërim-Stabilizim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian…
. Ndërkohë, lufta mes dy grupeve konkurrente zhvillohej në prapaskenë duke shkaktuar edhe viktimat e rastit : i zellshëm për të zbuluar fakte të korruptimit, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Rakipi – një i afërt i Nanos – kërkoi hapjen e një ankete gjyqësore kundër njërit prej ish-ministrave të qeverisë Meta. Përgjigja e kampit të kundërt qe e rrufeshme : me kërkesën e një grupi deputetësh, parlamenti kërkoi dhe arriti të sigurojë dekretin presidencial për shkarkimin e Rakipit, duke përmendur lidhjet e tij të supozuara me krimin e organizuar. Çështja bëri zhurmë të madhe në Tiranë dhe gjetkë pasi gjithçka në këtë procedurë ishte antikushtetuese, të paktën sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë Presidenti Mejdani s’mund të bënte asgjë pasi ai duhej t’i linte vendit zëvendësuesit të tij, Alfred Moisiu, një gjeneral në pension, pa lidhje të veçanta me botën politike të partive.
.
. Frut i një kompromisi krejt të papritur mes Nanos dhe Berishës, i organizuar pa dyshim nën kujdesin e padukshëm të Evropës, kjo zgjedhje duhej të inauguronte njëkohësisht edhe fillimin e një epoke të re për vendin dhe veçanërisht për PS. Po bëheshin tashmë vite të tëra që dy Presidentët e partive më të mëdha të vendit nuk kishin asnjë kontakt mes tyre, përveç akuzave reciproke. Kësaj rradhe, përpjekja për t’u marrë vesh dhe për të caktuar një « President të konsensit » shprehte në rradhë të parë dobësinë e Nanos. Në mungesë të forcës vetjake për të vënë rregull në rradhët e partisë së vet, ai kish nevojë për ndërhyrjen evropiane për t’ju imponuar vendit si njeriu i situatës. Po ashtu, ai kish nevojë edhe për paratë e Evropës për t’i dhënë një goditje kamzhiku ekonomisë. Të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit, Majko paraqiti dorëheqjen që u pranua me zemëgjerësi, ndërkohë që në 31 korrik 2002, Moisiu jepte bekimin qeverisë së re të kryesuar nga Nano dora vetë.
.
. Përfundimisht, vendi ja arriti ditës të kish në krye të tij një njeri i cili njëkohësisht, grumbullonte detyrat e kryetarit të partisë në pushtet dhe të kryetarit të shtetit. Sikundër asnjeri më parë, ai zotëronte një shumicë në gjirin e një parlamenti ku pas kaq vjetësh në çdo karrike gjendej një deputet, ku për herë të parë pozita dhe opozita i ishin vënë punës, nën shenjën e një konsensusi – bashkë me Leka Zogun – të kthyer përfundimisht në vendin e tij të lindjes, pas 63 vjetësh azili nëpër botë. Për të vulosur gjithçka, Nano paraqiste një qeveri që jepte përshtypjen mbresëlënëse të unitetit socialist, me Metën në Punët e Jashtme dhe Majkon në Mbrojtje.
.
. Ndërkohë që VIP-at socialistë argëtoheshin që prej një viti me lojën e tyrë të preferuar të karrikeve dhe të kolltuqeve, jeta ekonomike dhe sociale e vendit ishte ngadalësuar. Të gjithë parametrat makroekonomikë që ushqenin krenarinë e vëzhguesve lokalë ishin keqësuar : papunësia, zyrtarisht nën nivelin e 13% të popullsisë aktive, ishte rritur me dy pikë ; që prej 2001, rritja e PPB kish rënë nën nivelin e 7% dhe luhatej tashmë rreth 6% ; deficiti buxhetor kish pësuar një rritje « të lehtë » dhe llogaritej tashmë me 9% të PPB ; deficiti tregëtar ishte « i stabilizuar » në nivelin e 22% të PPB dhe së fundi inflacioni pothuaj zero gjatë dy viteve të fundit kish bërë një kërcim prej 3,5%. I vetmi element që mbetej i pandryshuar ishte raporti i shkëmbimit të monedhës lokale – lekut.
. Por, kjo tufë shifrash e zgjedhur mes kaq të tjerash (shënimi 1) s’paraqiste ndonjë domethënie të madhe për shumicën e të vdekshmëve, të cilët kishin prirjen që në rradhë të parë të kqyrnin përmbajtjen e pjatës së përditshme. Në të vërtetë, lidhur me këtë pjatë, rezultatet s’ishin fort të ndritura : mjafton të thuhet se që prej vitit 2000, prodhimi i përgjithshëm brut ishte po ai i vitit 1989. I llogaritur për kokë banori – me raportin e aktualizuar të shkëmbimit të lekut – ai përfaqsonte 1.200 dollarë amerikanë, ose vetëm 70% të nivelit të Maqedonisë fqinje, 20% të Sllovenisë periferike dhe 10% të Amerikës së largët. Shqiptari mesatar mbetej i varfër, bile me tepricë : në terma relativë, më tepër se 30% e shqiptarëve ishin shumë të varfër ; në terma absolutë, më tepër se 47% e popullsisë jetonte me të ardhura më të vogla se 2 dollarë/ditë – pa llogaritur ata 17,4% që mjaftoheshin me vetëm 1 dollarë/ditë. Sigurisht kishte edhe më keq, veçanërisht po se qe kqyrej hapësira e ish-Bashkimit Sovjetik – për shembull Moldavia me 58% të popullatës në varfëri absolute ; Gjeorgjia bile edhe Rusia vetë, ku absolutisht të varfërit përbënin 20% të popullatës. Bile edhe disa nga ish-Republikat jugosllave renditeshin nën Shqipërinë – për shembull Bosnja, ose dhe Serbia, pas luftës dhe bllokazhit total të imponuar nga Evropa, por ç’është e drejta këto shifra ngushëllonin fare pak.
. Në vend që të merrej me krahasime mes të varfërve të Ballkanit ose të botës, nëpunësit të thjeshtë i duhej të zgjidhte ekuacionin e mëposhtëm : si mund të mbyllej bilanci i muajit me një rrogë mesatare prej 110 dollarësh ? ndërkohë që për të tjerët, pyetja merrte një karakter kryekëput egzistencialist : në ç’mënyrë mund të jetohej me një – ose me dy – dollarë në ditë ? Çdo iluzion ose shpresë mrekullore avullohej menjëherë sapo që konsumatori shkonte në treg dhe bindej se qoftë edhe malli më i vogël vinte nga Greqia ose nga Italia. Ndërkohë që banorët e këtyre vendeve fqinjë ankoheshin nga shtrenjtësia e jetesës – duke marrë të ardhura mesatare deri 20 herë më të mëdha – çfarë duhej të thoshte qytetari shqiptar lidhur me çmimet të ngjashme me ato italjane ose greke ?
.
. Por, jeta e përditshme shtronte kërkesa të tjera mbi ato të të ushqyerit, pasi njeriu njëkohësisht duhej të vishej dhe të mbathej, të paguante faturat e dritës ose të ujit, të siguronte shkollimin e fëmijëve, të mjekohej kur sëmurej, të zgjidhte problemet me administratën civile ose gjyqësore ose së fundi, të paguante tatimet dhe taksat. Përpara këtyre variablave, aritmetika ishte krejt e pamjafueshme për të zgjidhur ekuacionin fillestar : të vetmet elementë që plotësonin përgjigjen vinin nga ai « irracionalitet i brendshëm » i shoqërisë shqiptare.
.
. Klima e favorshme që shoqëroi qeverinë Nano gjatë periudhës së parë të egzistencës së saj morri fund në mënyrë të befasishme në fillim të vitit 2003. Në një atmosferë zhurmash të brendshme, të ushqyera nga shqetësimi i parlamentarëve socialistë që shihnin me sy të keq manovrat e Kryeministrit, Berisha pati një nga ato shtytjet e tij natyrore dhe deklaroi përpara partizanëve të tij që « fjalët e mira të socialistëve për të respektuar vullnetin e popullit s’janë gjë tjetër veçse pallavra ». Me sa duket, opozita kish matur shanset e saj përpara afrimit të zgjedhjeve të reja vendore, të parashikuara në tetor të vitit 2003, dhe ndjehej mjaft e fuqishme për të kaluar në sulm, megjithë një varg koncesionesh – dhe jo më të paktat – të bëra ndërkohë nga Nano. Le të gjykojmë mbi faktet :
.
. - për të respektuar një nga kërkesat kyç të opozitës, të shprehur gjatë marrëveshjes së muajit qershor, Nano detyroi padronin e Shërbimeve Sekrete shqiptare Klosi të jepte dorëheqjen, në gusht 2002. Në vazhdim të përfundimeve të komisionit parlamentar ad hoc, Klosi u akuzua për mosrespektim të ligjeve dhe për tejkalim kompetencash, gjë e cila shkaktoi kënaqsinë e thellë të demokratëve që e akuzonin gjithmonë për implikim në çështjen Hajdari. Bile, në vazhdim, ata kërkuan edhe çeljen e një procesi gjyqësor ndaj tij. Pas tre muaj anketa të kota, vendi vakant u zu nga Hysenaj, një ish-diplomat që me sa duket kënaqte kërkesat e të gjithë partive të interesuara.
.
. - « Viktima » e dytë ishte Kryetari i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, edhe ai i detyruar të jepte dorëheqjen në tetor 2002. Përtej akuzave të « rezultateve më se mediokre » ose « të abuzimeve të konstatuara gjatë kryerjes së detyrës », qëllimi i demokratëve ishte fort i qartë : ata dëshironin të vinin një prej njerëzve të tyre në këtë vend, pavarësisht faktit që fatkeqi Kryetar i përkiste familjes së opozitës. Por, sikundër dhe në rastin Rakipi, shkarkimi i tij mund të arrihej vetëm pas një votimi në Parlament dhe pas aprovimit të Presidentit të Republikës. Në të vërtetë sikundër i pari edhe i dyti u kaluan anash nëpërmjet një varg piruetash, në substancë antikushtetuese.
.
. - Pa kaluar muaji, demokratët kërkuan kokën e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ja arritën qëllimit. Kjo gjë i rriti besimin në focat e tyre dhe kësaj rradhe bënë një kërkesë tjetër : shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Abdiu. Kësaj rradhë bëhej fjalë për një mision të pamundur pasi, sipas Kushtetutës, një antar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohej vetëm në rasrtin e të qenit fajtor të një shkeljeje flagrante të Ligjit Themelor, në rastin e diskreditimit të figurës së shenjtë të gjykatësit me anë të veprimeve të tij të qëllimta ose, në rastin e të shpallurit fizikisht ose mendërisht i paaftë për kryerjen e detyrës – që nuk ishte kërkund rasti. Ankthit të pritjes i dha fund Presidenti i Republikës, i cili refuzoi pa asnjë shkak kërkesën e rizgjedhjes, të bërë nga vetë Abdiu.
.
. Në të vërtetë, kthimi në fjalimet dogmatike të qëmotit nga ana e liderit demokrat vinte në një moment fort të papërshtatshëm për qeverinë e cila po përgatitej të fillonte bisedimet me Evropën, sipas kalendarit të Paktit Shoqërim-Stabilizim. Për kënaqësinë më të thellë të opozitës, Presidenti i Komisionit Evropian Prodi deklaroi se « këto bisedime fillojnë nga një nivel tepër i ulët », përpara se t’ju kërkonte partnerëve shqiptarë garanci të zgjeruara lidhur me të drejtat e njeriut, të ekonomisë së tregut, të tregëtisë së lirë dhe veçanërisht, rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Negociatorët evropianë avancuan edhe kërkesa të tjera lidhur me reformën institucionale – dhe atë elektorale të veçanti, forcimin e pushtetit lokal – paralelisht me atë qendror, rishikimin e legjislacionit mbi pronën private si dhe forcimin e pushtetit gjyqësor. Sigurisht këto kantiere të mëdha duheshin ndërmarrë mbi bazën e një marrëveshjeje të përbashkët të të gjitha forcave politike të vendit. Njësoj sikur të thuhej se hyrja e Shqipërisë në Evropë shtyhej në kalendat greke !
.
.
. Zgjedhjet lokale, të zhvilluara ne 12 tetor 2003 – të katërtat që nga rrëzimi i komunizmit – mezi tërhoqën vëmendjen e 45,8% të votuesve, një rekord i abstenimit në rang vendi. Të konsideruara nga masa e vëzhguesve të huaj si « tepër të qeta dhe paqësore, gjatë të cilave forcat politike trajtuan njera tjetrën si kusndërshtare të vërtetë politikë, duke braktisur me këtë rast retorikën e tejnxehur të zakonshme » (shënimi 2), ato vërtetuan edhe një herë një tendencë tashmë të njohur : distanca mes dy forcave kryesore politike të vendit, PS dhe PD, sa vinte dhe zvogëlohet dhe tashmë ato ndaheshin vetëm me dy pikë. Por, megjithëse PD nuk kish mundur të përmirësonte rezultatin e saj të vitit 2000, pasi mbetej gjithmonë nën nivelin e 33%, kësaj rradhe ishte PS që vazhdonte zbritjen e saj drejt ferrit. Duke marrë vetëm 34,6% të votave, socialistët korrnin rezultatin e tyre më të dobët që prej ardhjes në pushtet, në 1997.
.
. Me kalimin e kohës, pejzazhi politik shqiptar kish krijuar fytyrën e tij përfundimtare : dy formacione të mëdha politike, PS në në majtë, dhe PD në të djathtë, një grup disparat partish të vogla nga ana e majtë e qendrës (PSD, PASH, PDS, PAD, PBDNj) sikundër dhe simetriku i tij në të djathtë të kësaj qendre (PR, PDR, PDK, PBL) dhe së fundi ekstremet : një ekstrem i majtë (PKSH, PPSH) dhe sigurisht një ekstrem i djathtë (PLL, BK). Por në qoftë se dy të mëdhenjtë paraqisnin praktikisht forca të njejta – rreth 32 –34%, diferenca krijohej në qendër : e majta peshonte dy herë më tepër se e djathta – 17% kundër 8%. Përsa i përket ekstremeve, ato nuk arrinin të ndikonin në balancën e lojës elektorale pasi asnjëra prej tyre nuk arrinte atë nivelin aq të shpresuar prej 2%. Ekstremi i djathtë luhatej rreth 3,8%, pothuaj dyfishin e ekstremit të majtë (1,8%), gjithmonë e ndëshkuar nga e kaluara komuniste e vendit (shënimi 3).
.
. Si përfundim, e majta duhej të gëzohej pasi kish mundur të evitonte një shpartallim të vërtetë : me diçka më tepër se 51% të votave, ajo arrinte të siguronte shumicën e bashkive dhe të këshillave komunale dhe bashkiakë të vendit, megjithëse ajo pësonte një humbje neto prej 16% kundrejt zgjedhjeve të parafundit vendore. Në të vërtetë, humbësi i madh ishte PS që humbiste terren me 9% në favor të formacioneve të vogla lokale. Përsa i përket të djathtës, me PD në krye, ajo përparonte me 13%, gjithmonë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, duke përforcuar bazat e saj në qendër të vendit, bile edhe në jug të tij.
.
. Krejtësisht i pakënaqur nga rezultatet e arritura, Berisha denoncoi « manipulimin e listave elektorale » dhe ju bëri thirrje partizanëve të tij të dinin në manifestime publike që tronditën vendin gjatë muajit nëntor dhe dhjetor. Duke shkuar në vazhdën e vërejtjeve të bëra nga ana e vëzhguesve të OSCE/ODHIR përsa i përket parregullsive gjatë rregjistrimit të zgjedhësve, veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe të Durrësit, udhëheqësi demokrat kërkoi publikisht rimbajtjen e zgjedhjeve, që sipas tij ishin njollosur nga mashtrimi. Ja pra, kjo historia e mashtrimit rivjen përsëri në plan të parë të skenës politike shqiptare.
.
. Duke lënë mënjanë mënyrat e tij fort pak demokratike dhe sjelljet prej belaxhiu, Berisha kish deri diku të drejtë. Kjo vajtje-ardhje e vazhdueshme e shqiptarëve jashtë shtetit, e ndjekur njëkohësisht nga një zhvendosje e brendshme migratore e pakontrolluar kish çuar një një shkretim të zonave malore dhe një mbipopullim të zonave urbane të Tiranës dhe të Durrësit. Njëkohësisht, edhe puna e komisioneve elektorale ishtë bërë e skëterrshme. Megjithë rregjistrimin e përgjithshëm të popullsisë të mbajtur në vitin 2001, një varg çështjesh teknike mbetej gjithmonë i pazgjidhur : rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit, dy qytete këto, kryetarët e bashkive të të cilave ishin socialistë, zjenin nga partizanët e Berishës të zbritur nga Veriu. Ata kërkonin me insistim rregjistrimin e tyre në listat elektorale të rezidencës së tyre të momentit. A ishin harruar me gjithë mend apo Komisioni Qëndror bënte sikur i kish harruar me qëllim që të ndëshkonte opozitën demokrate ?
. Sidoqoftë, ky element « harrese » ka shoqëruar në mënyrë të qendrueshme të gjitha zgjedhjet dhe mbetet në origjinë të të gjitha « falsifikimeve të rezultateve ». Si ka mundësi që të shpallen rezultatet e vlefshme nga ana e një Komisioni, i cili nuk është në gjendje të rregjistrojë disa dhjetra mijra zgjedhës, ndërkohë që diferenca në vota mes kundërshtarëve reduktohet në disa mijra për të mos thënë në disa qindra ? Megjithatë, kjo çështja e « falsifikimit elektoral » të ngritur nga Berisha kish si qëllim të vetëm të krijonte rrëmujë në mjedisin politik, aq më tepër që ndërkohë një ngjarje e madhe politike ishte duke tronditur themelet e shtëpisë socialiste. Grindje pas grindjeje, divorci i asaj « martese interesash » mes çiftit Nano – Meta ishte bërë publik. Tashmë dihej prej kohësh se rrogozi i qeverisë mbulonte zjarrin që digjej mes këtyre dy burrave, veçse kësaj here flaka rrezikonte të shembte « kupolën rozë » me gjithçka kish brenda.
.
. Në korrik 2003, përpara se të nisej për pushime, Meta shkroi një « letër të hapur » të destinuar ekipit drejtues të Partisë Socialiste ku ai denonconte qeverisjen e vendit, metodat tepër personale të Kryeministrit « arrogant dhe demagog » si dhe korrupsionin që mbretëronte gjithandej. Si pasojë, atij ju kërkua me një farë etikete ose të tërhiqte akuzat ose të tërhiqej vetë, pra të jepte dorëheqjen. Pas një varg seancash me dyer të mbyllura, Meta u bind të dorzonte çelsat e ministrisë së Jashtme sikundër dhe gradat e antarit të Presidencës së PS. Bashkë me të, një antar tjetër i qeverisë dorzoi përparsen, duke hapur në këtë mënyrë një krizë të vërtetë në gjirin e egzekutivit në prag të zgjedhjeve lokale. Raundi i dytë u zhvillua në parlament ku Meta, i rrethuar nga një grup parlamentarësh socialistë, bllokoi të gjitha propozimet e partisë së tij lidhur me zëvendësimin e tij në Punët e Jashtme.
. Përfundimisht dhe për kënaqësinë më të thellë të deputetëve demokratë, ai u bashkua me opozitën për të votuar kundër kampit të vet. Ndërkohë që fitorja aq e ngushtë në zgjedhjet lokale vuri pak balsam në shpirtin e plagosur, finalja u luajt gjatë Kongresit të socialistëve, në dhjetor 2003. Pa krijuar asnjë surprizë, delegatët miratuan dhe duartrokitën fjalimin e Nanos që renditi një listë të gjatë të sukseseve të arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më tej, me shumicë absolute (80%) ata preferuan të suksesshmin Nano si President të partisë përballë konkurrentëve të tij, ish Presidentin i Republikës Mejdani dhe Kryebashkiakun e Tiranës Rama. I prekur thellë – për të mos thënë, i fyer - , Meta iku duke përplasur derën. Gjatë vitit në vijim, ai shpalli krijimin e partisë së tij, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).
.
. ---------------------------------------------
.
.
. (1) The Viena Institute for International Economic Studies (WIIW) – Albania : High but Powerless Growth, Monthly Raport, 6, 2002.
.
. (2) Megjithatë, incidente që u shoqëruan me të vrarë shpërthyen në qytetin e Himarës. Pas një turi fort të ndezur, pakica greke e cila shpalli fitoren e kandidatit të saj, manifestoi me zhurmë në rrugë ndërkohë që një kolonë kundër-manifestuesish të nisur nga Vlora, hyri në qytet duke hedhur parrullat « Himara është e jona, Grekët jashtë ». Incidentet ngacmuan opinionin publik të vendit fqinjë e cila nëpërmjet gojës së ministrit të saj të Jashtëm Papandreu, kërcënoi me veto bisedimet e hapura mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
.
. (3) Përsa i përket rezultateve të arritura, PSD duhej të kënaqej me 5,3% të votave, e ndjekur nga partia Republikane me 3,4%. Katër vendet në vazhdim ziheshin nga forcat e të majtës ose të qendrës së majtë : partia Agrare Ambjentaliste PAA (3,2%), partia e Demokracisë Sociale PDS (2,9%), Aleanca Demokratike AD (2,8%) dhe së fundi partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut PBDNj (2,8%). Të vetmet forca të të djathtës që e tejkalonin nivelin e 2% ishin Lëvizja e Legalitetit PLL (2,3%) dhe partia e Re Demokratike PDR (2,2%). Është e qartë që kjo skemë reduktuese është paraqitur me qëllim që të matet pesha respektive e formacioneve politike dhe veçanërisht tendencat e tyre në një perspektivë aleancash përpara zgjedhjeve. Ndërkohë, një pjesë e madhe e formacioneve politike kundërshtojnë etiketat, dhe në rradhë të parë ato që cilësoheshin si ekstreme : partia e Lëvizjes të Legalitetit (PLL) ose në vazhdim Balli Kombëtar (BK). Përsa i përket formacioneve të tjera të të djathtës, është po aq e vështirë klasifikimi i tyre në të djathtë ose në qendrën e djathtë – partia Demokrate Kristiane (PDK), partia Republikane (PR) ose së fundi partia e Re Demokratike (PDR).

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur