"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, September 3, 2008

Kronika e një rikthimi : Marshimi i Gjatë i Berishës (1997 – 1998)

Pas cunamit të vitit 1997, pak njerëz
. besonin ende në mbijetesën politike të Berishës.
. Ende më pak – bile edhe ata të kampit të tij,
. shpresonin se një ditë ai ai do të rikthehej në pushtet.
. Por doktor Fausti i demokratëve ishte i pavdekshëmdhe armiqtë sikundër dhe miqtë e tij u detyruan t’a pranojnë herët a vonë.
.
.
. Megjithëse të detyruar të lëshonin paraskenën politike shqiptare gjatë korrikut 1997, Berisha dhe kampi i tij i demokratëve u larguan me kokën lart. Në përfundim të një fushate të stuhishme, të braktisur nga opinioni publik ndërkombëtar, të bërë hasha nga miqtë e mëdhenj perëndimorë, të kërcënuar nga forca e armëve, të zbuar nga viset jugore të vendit, kandidatët demokratë mundën sidoqoftë të siguronin tridhjetë vende në Kuvendin e ri. Për të inauguruar « fitoren » e tyre tê mundimshme, deputetët demokratë refuzuan të merrnin pjesë në seancën e plenare të legjislaturës së re si dhe në procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit Mejdani. Hyrja e tyre në Kuvend u shty deri në muajin gusht dhe me të zënë vend në sallë, ata ngritën zërat në një kor të përbashkët për të kundërshtuar procesin e spastrimit të administratës (shënimi 1). Në vazhdim, demokratët u deklaruan armiq të hapur ndaj idesë së redaktimit të Kushtetutës së re. Ky qëndrim justifikohej me mungesën e konsultimeve paraprake dhe me mosmbajtjen e një tryeze të hapur të të gjithë forcave politike mbi një çështje të tillë kapitale. Për të përforcuar këtë qëndrim, ata refuzuan të merrnin pjesë në punimet e komisionit kushtetues nën pretekstin se, duke parë mënyrën se si ishin zhvilluar zgjedhjet e fundit legjislative, Kuvendi nuk ishte i kualifikuar që të ndërmerrte një projekt të tillë. Një mënyrë fort elegante për t’a quajtur Kuvendin jo legjitim ! .
. Pavarësisht rezistencës së deputetëve demokratë, të gjithë vëzhguesit e jetës politike të vendit ishin të një mendjeje kur shpallnin zbythjen dhe rrudhjen e lëvizjes demokratike. Por nisur nga ky fakt, të mendohej se Berishës i kishin shterruar energjitë, të supozohej se ai ishte zbutur, donte të thoshte të mos e njihje personazhin. Është e vërtetë se në këtë stad të zhvillimit, PD nuk peshonte rëndë në balancë : të gjitha forcat e të djathës të mbledhura bashkë nuk përfaqsonin as një të pestën e parlamentit të Tiranës. Asnjë shans pra që zëri i tyre të mund të dëgjohej, asnjë mundësi që demokratët të mund të impononin ndonjë zgjedhje në planin e debatit politik. Edhe kësaj here sikundër herët e tjera, mekanizmi « demokratik » i zgjedhjeve kish ngjizur një « produkt legjislativ » që nuk përputhej me bilancin real të forcave politike në terren. .
. I vetmi element i natyrës korrigjuese mbetej pushteti lokal, i mbajtur fort nga demokratët që prej zgjedhjeve vendore të tetorit 1996. Por gjatë ngjarjeve të mars-qershorit 1997, ky pushtet pothuaj ishte përpirë nga dallga kryengritëse : i asgjësuar dhe i zëvendësuar nga Komitetet e Shpëtimit Publik në një varg qytetesh jugore, i mposhtur dhe korruptuar nga krimi i organizuar në qytetet bregdetare dhe kufitare, i goditur dhe i gjunjëzuar nga mungesa e plotë e mjeteve në komunat fshatare. Gjithë gjithë, edhe në ditët e tij më të mira, ky pushtet vendor s’kish mundur kurrë të shqetësonte pushtetin qendror, ushqyesin e tij kryesor me fonde. .
. I kërcënuar që të shtypej në rrafshin institucional, i zhveshur nga mundësia e të shprehurit në rrafshin legjislativ, i traumatizuar në rrafshin e egzekutivit lokal, i minuar nga fraksionizmi në rrafshin e brendshëm dh së fundi, i braktisur nga aleatët e tij në rrafshin e jashtëm, lëvizjes demokratike i duhej njëkohësisht të ndërmerrte një proces riorganizimi në të gjitha nivelet, të rishihte në thellësi programin e avitjes drejt pushtetit dhe të përpunonte taktika të reja për të dinamizuar përçapjen politike. Kartat e saj të vetme mbeteshin afshi i pamatë personal i Berishës, besimi i thellë i militantëve të saj të bazës dhe së fundi, ai kapitali i shpresës që çlironte ideali demokratik, monopolin e të cilit vazhdonte ta ruante.
.
. I shtyrë nga urgjenca, Berisha bëri një zgjedhje të guximshme, e cila në pamje të parë paraqitej si vetëvrasje : të jashtëqendërzonte përleshjen politike, duke e çvendosur nga salla e Kuvendit në rrugë. Duke ndërmarrë këtë veprim, ai privilegjonte rishtas aksionin e turmave në dëm të mjeteve ligjore dhe ripërtërinte strategjinë e tij të vjetër të luftës, atë të fillimviteve 90. Duke ju ekspozuar rrezikut të margjinalizimit dhe të mbetjes për një kohë të gjatë pa atë mbështetjen e domosdoshme ndërkombëtare, zgjedhja e PD synonte të përmbante errozionin tashmë të dukshëm të bazës së saj elektorale, rënien e numrit të antarëve dhe dobësimin e militantizmit. Meqënëse i mungonte mundësia e mënjanimit të kritikave therëse që vinin nga shokët e vjetër fluturakë, Berisha kërkonte të siguronte bërthamën e trupave të tij që ai i mbetej gjithmonë besnik bindjeve të tij antikomuniste dhe i gatshëm që të zbriste vetë në fushën e betejës. Për të shpërblyer këto përpjekje, në tetor 1997 baza e rizgjodhi në krye të lëvizjes. .
. Me fjalë të tjera, opozita kish vendosur të ndiqte një linjë të ashpër, të mbështetur në ndeshjen e ideve në rrafshin ligjor dhe në përplasjen e vazhdueshme të forcave në sheshin publik. Kjo strategji konfliktuale afatgjatë gjente pikënisjen e saj në ndjenjën e « padrejtësisë » së thellë – në poshtërimin e pësuar gjatë zgjedhjeve të fundit. Zaten, ishin këto zgjedhje shkel e shko dhe të falsifikuara që i kishin lejuar bandës socialiste të uzurponte pushtetin – ja edhe gjykimi i përgjithshëm që mbretëronte në mjediset demokrate. Për fat të keq, në këtë lloj gjykimi, gjendja emocionale gjithmonë ka përmbytur mendimin racional ; ajo është shkrirë në hakmarrjen instiktive tradicionale përpara se të çfaqet si një balsam, i aftë të shërojë plagët e thella. Përfundimisht, marrja e shpagës është paraqitur si e vetmja zgjidhje, e vetmja forcë lëvizëse – njëkohësisht edhe temë edhe lejtmotiv politik, edhe arsyeje e qënies edhe logjikë e të vepruarit. .
. Mes mendimtarëve të lëvizjes demokratike, rrallëkush ju vu punës për të analizuar thellë shkaqet e disfatës. Më të sinqertët mundën të zbulonin disa shtigje, më këmbëngulësi mes të cilëve paraqitetet teza e përfitimit personal ose e korrupsionit – ja edhe « mëkati i parë » i atyre pak shpirtrave të përhumbur, që mundën të ngrihen deri në rradhët e para të PD. Duke bashkuar « arrogancën dhe vetëpëlqimin, sikundër dhe një përçmim të plotë ndaj rregullave strikte të punës » (shënimi 2), duke çfaqur « një cekësi të pafalshme », këta përfitues kishin tradhëtuar besimin e partisë dhe ç’është me e keqja, kishin mashtruar njerëzit e thjeshtë nëpërmjet përhapjes së një imazhi të deformuar të partisë që përfaqsonin ; ata kishin ftohur zgjedhësit që me këtë rast kishin humbur besimin ndaj idealit demokratik. Përtej kritikës së veseve, asnjeri nuk kish dashur te pranonte që kjo sprovë e dhimbshme kanalizonte një vështirësi të qënies ekonomiko-politiko-shoqërore, një mospërputhje mes politikave të elitës dhe « baltës » popullore, mes praktikave liberale dhe shpirtit të bashkësisë, mes diktatit të Njeriut dhe rendit të grupit. .
. Në shtator 1997, tensioni i krijuar në parlament e kaloi cakun e intolerancës. Në mjediset e Kuvendit Popullor, një i zgjedhur socialist qëlloi me armë zjarri Azem Hajdarin, duke e plagosur rëndë. Varianti zyrtar që e përshkruante aktin si hakmarrje personale u hodh poshtë me përbuzje nga opozita, e cila shihte në të një akt të rëndë politik, të kredituar nga pushteti. Shumë shpejt debati degjeneroi dhe grupi i deputetëve demokratë në rradhët e të cilit bënte pjesë viktima u tërhoq në mënyrë demonstrative, duke bojkotuar punimet e Kuvendit. Ky ishte dhe sinjali i shumëpritur nga bërthama e militantëve të rregjur për të kaluar në aksion ndërkohë që hieja e Hajdarit peshoi mbi vend gjatë muajve të tërë. Tash e tutje, të gjitha urat ishin prerë mes një opozite të ndezur dhe turbulluese dhe një pushteti, i cili megjithë fuqinë e njësive të tij anti-demostratë dhe reparteve të ruajtjes së rendit, vuante së tepërmi për të rivendosur autoritetin e tij dhe Ligjin mbi territorin kombëtar. Banditizmi në shkallë të gjerë, anarkia individuale dhe dhuna politike kishin krijuar një front të përbashkët për të minuar rendin publik dhe për të përmbysur qeverinë Nano. .
. Duke tundur parrullat « dorëheqje e qeverisë Nano dhe mbajtje e zgjedhjeve legjislative të parakohshme », disa mijra partizanë të Berishës pushtuan qendrën e kryeqytetit, në 24 janar 1998. Përgjigja e qeverisë qe e menjëhershme : në muajin shkurt, një grup prej 15 vetësh, mes të cilëve Hajdari ende i dobët nga plagët e marra, u arrestua në rrethinat e Shkodrës. Akuza i tregonte me gisht si shkaktarët e incidenteve të armatosura me forcat e rendit. Nën peshën e krimit të mbajtjes së armëve të luftës pa leje, Hajdari u paraqit përballë hetuesisë ndërkohë që në 25 shkurt, Kuvendi votonte heqjen e imunitetit të tij parlamentar. Një valë e re manifestimesh të demokratëve, të ndjekura nga përleshje me forcat e rendit, tronditi mbarë vendin : në mars, të tilla incidente shpërthyen në Tiranë dhe Kavajë ; në prill, ato u përhapën në Gjirokastër ; përfundimisht në maj i erdhi rradha Vlorës dhe cikli u mbyll me përplasje të reja në qendër të Tiranës. .
. Nën presionin e përfaqsuesve të Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian, Berisha dhe të zgjedhurit e partisë së tij pranuan më në fund gjatë muajit mars 1998 të riktheheshin në rradhët e parlamentit, pas një bojkotimi prej gjashtë muajsh. Disa javë më vonë, ata braktisnin rishtas trupin legjislativ. PD u rikthye përsëri në parlament në fund të qershorit dhe pas disa ditësh, në mes të korrikut, ajo bënte thirrje për një bojkotim të ri, kësaj rradhe permanent. Qëllimi i këtyre manovrave parlamentare ishte i qartë : të tregohej se atmosfera e Kuvendit ishte mbytëse dhe që vullneti i mirë i PD mbetej krejtësisht i pamjaftueshëm për të siguruar mbarëvajtjen e një debati demokratik në këtë forum mbarëkombëtar. .
. Përgjigja e qeverisë nuk vonoi aspak : gjatë muajit gusht 1998, gjashtë antarë të shquar të administratës së vjetër Meksi u arrestuan dhe u burgosën, të akuzuar për krime kundër njerëzimit. Bëhej fjalë për ish-ministra të Berishës që nën mbulimin e posteve të tyre të larta, kishin urdhëruar përdorimin e mjeteve të luftës gjatë përpjekjeve për të shtypur kryengritjen popullore të vitit 1997 (shënimi 3). Duke ndjerë se dara po shtrëngohej në mënyrë kërcënuese, Berisha urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm të trupave të tij, të cilat pushtuan rrugët e kryeqytetit. Përpara turmës të militantëve në delir, ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Nanos dhe të qeverisë së tij, largimin e këtij « krimineli dhe toksikomani », të « armikut tonë, të armikut të lirisë, armikut të shqiptarëve dhe të Kombit shqiptar, armikut të Shqipërisë », duke ftuar me këtë rast ndjekësit e tij « të rrëzonin qeverinë me të gjitha mjetet ». Përpara se sa njerëzit të kuptonin thellë sensin e këshillave të Mjeshtrit dhe të hidheshin në sulm për përmbysjen e socializmit, u rrëzua një nga simbolet e demokracisë shqiptare. Në 12 shtator 1998, Azem Hajdari, ky alter-ego i Berishës, mbetej i vrarë përballë selisë së PD në Tiranë. .
. Vrasja e Azem Hajdarit tashmë është rregjistruar në fondin e enigmave, një mister i pazgjidhur, nga ato të Republikës së Tretë. Në të vërtetë, me mister janë mbuluar identitetet e atyre që e porositën dhe e dëshiruan këtë vrasje pasi, ndërkohë që burimet zyrtare të epokës ja veshin këtë krim disa individëve me origjinë nga Tropoja, duke lënë të çfaqen motivet e një hakmarrjeje të vjetër, sipas bindjes së militantëve të PD, krimi është vepër e Shërbimeve të Fshehta (SHIK) nën urdhrat e Nanos, i cili ka dashur në këtë mënyrë të heqë qafe një kundërshtar të rrezikshëm. Por disa zëra të dala po nga kampi demokrat kanë deklaruar se bëhej fjalë për një larje hesapesh të përgjakshme në krye të partisë dhe që prapa këtij krimi fshihej vetë Berisha. Të tjera zëra, të ardhur nga thellësitë e SHIK-ut përmendin zbulimet e huaja, që kishin vënë çmim mbi kokën e Hajdarit. Ku qëndron e vërteta ? Si zakonisht, diku në mes. Aty ku kryqëzohen këto hipoteza dhe ku piqen interesa të lënduara : personale – pêr shkak tê karakterit të të ndjerit, familjare - të pakënaqsive të ngjallura në gjirin e klaneve ; ekonomike – tê bizneseve demokrato-tropojane ; politike - të trafiqeve interkosovare…. . Të vetmet fakte të dukshme mbeten refuzimi i prerë i Berishës për t’u paraqitur përpara hetuesve lokalë dhe ndërkombëtarë që mundoheshin të zbulonin rrethanat dhe motivet e krimit sikundër dhe vargu misterioz i vrasjeve që goditën autorin e krimit Hajdari sikundër dhe të tjerë dëshmitarë. .
. Më tepër se akti i vrasjes, eshtë Hajdari vetë që mbetet subjekt i kundërthënieve. Udhëheqësi i bujshëm i lëvizjes studentore të fillimit të viteve 90, themeluesi i lëvizjes demokratike dhe të PD, miku i sinqertë i Berishës ra shpejt pre i ndëshkimeve. I përjashtuar nga Këshilli Kombëtar i PD në vitin 1994, ai u shëndrrua në njërin prej kritikuesve më të ashpër të politikës së qeverisë së Berishës. Kjo gjë e vuri në shënjestër të mediave zyrtare të epokës të cilat e akuzonin për shpërdorime, bile edhe për pjesëmarrje në vrasje politike. I flakur në këtë mënyrë nga politika zyrtare, aktivitetet kryesore të Hajdarit u përqëndruan në zonën e tij të lindjes të Tropojës, fare pranë kufirit me Kosovën. Zëra të ndryshëm qarkullonin lidhur me e kontaktet e tij të ngushta me qeverinë Bukoshi në mërgim dhe e bënin përgjegjës për një trafik armësh të supozuar me Kosovën fqinje. Ora e Hajdarit tingëlloi përsëri në fillim të vitit 1997, gjatë rrebelimit që tronditi thellë zonat jugore të vendit. Ai u vu në krye të një Komiteti të Shpëtimit proqeveritar, që përmblidhte zonat veriore dhe kërcënoi të marshonte mbi Tiranë në mbrojtje të Berishës që gjendej në vështirësi. Që prej kësaj periudhe, një miqësi e re lindi mes dy burrave, të bashkuar në përpjekjen e tyre të përbashkët kundër socialistëve të Nanos, që zgjati deri në ditën e vrasjes së tij. .
.
. Që të nesërmen e kësaj ngjarjeje tragjike, 2.000 militantë demokratë të armatosur sulmonin dhe pushtonin selinë e Këshillit të Ministrave, duke provokuar ikjen e lebetitur të atyre që ndodheshin në të. Në vazhdim, turma pushtoi Parlamentin dhe së fundi, godinën e Radios dhe të Televizionit shtetëror. Gjatë disa ditësh, anarkia dhe të shtënat mbretëruan mbi kryeqytet, duke shkaktuar disa viktima dhe disa dhjetra të plagosur. Të vetmet momente qetësie ishin ato të funeraleve të të ndjerit Hajdari që u shëndruan në një meshë gjigande popullore. Ju deshën tre ditë forcave të armatosura qeveritare për të risjellë një farë rendi në Tiranë, ndërkohë që Kuvendi popullor i mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm votonte me nxitim heqjen e imunitetit parlamentar të Berishës. Rreziku i « grushtit të Shtetit » po avullohej me të njejtën shpejtësi me të cilën ai ishte çfaqur. .
. Më tepër se një grusht shteti të improvizuar, bëhej fjalë për një shprehje të forcës të kampit të opozitës, viktima e parë e të cilës ishte ministri i Brendshëm Teta, i detyruar të japë dorëheqjen që në çastet e para të shpërthimit të zemërimit demokrat. Viktima tjetër e shquar ishte Nano i cili u mundua më kot të ripërtërisë ekipin e tij, thellësisht të shkundur nga diversioni i opozitës demokrate. Atij ju desh të hidhte peshqirin në mes të ringut, në 28 shtator 1998, dhe të largohej fshehtazi drejt Maqedonisë. Gjuhët e liga e përgojuan të veshur me petkun e një fshatari tiranas. Menjëherë, vendi bosh u zu nga sekretari i Përgjithshëm i PS, Pandeli Majko. Duke përgëzuar vetvehten lidhur me këtë largim kaq të pritur, Berisha siguronte Kryeministrin e ri që do të bënte ç’ishte e mundur për të krijuar marrëdhënie më harmonike.
. Strategjia e thyerjes nëpërmjet konsumimit, e shpallur dhe e zbatuar nga opozita, Marshimi i Gjatë drejt rimëkëmbjes së bazës militante kish dhënë frutet e shpresuara.
.
.
. ------------------------
.
. (1) Menjëherë pas protestës ndaj spastrimeve të administratës, deputetët e PD ju vunë punës për të denoncuar përpjekjet e qeverisë e cila, sipas tyre, mundohej t’i mbyllte gojën opozitës. Duke avancuar shifrat dhe llogaritjet e tyre, të zgjedhurit demokratë kërkonin të provonin se atyre ju ishte hequr e drejta e shprehjes në televizion dhe në radio. Ndërkohë, ata kundërshtuan rreptë projektin e qeverisë për të ngritur VAT-in nga 12% në 22%, duke e interpretuar si një masë shtrënguese të ndërmarrë kundër shtypit demokratike me qëllim që ky i fundit të shtyhej drejt falimentimit. Greva e urisë e ndërmarrë nga Pjetër Arbnori, ish-Kryetari i Kuvendit në periudhën e demokratëve, shtyu Presidentin në fuqi Mejdani të ndërhynte për të ndryshuar Ligjin mbi Mediat, duke ju lejuar me këtë rast forcave politike një kohë të shprehuri në përpjestim me numrin e të zgjedhurve në Kuvend. Përsa i përket Ligjit mbi VAT-in, qeveria nuk lëshoi pe dhe nuk u tërhoq duke argumentuar që aksioni i saj përputhej plotësisht me rekomandimet që vinin nga FMI.
.
. (2) Pavli QESKU – Albanian Implosion, London, 1997.
.
. (3) Mes të akuzuarve figuronin Blerim Çela, Kryetari i Komisionit të Kontrollit të Shtetit gjatë periudhës 1992 – 1997 ; Halit Shamata, ministër i Brendshëm gjatë periudhës 1996 – 1997 ; Safet Zhulali, ministër i Mbrojtjes gjatë periudhës 1992 – 1997. Akt-akuza përmendte që ata « ..kishin marrë dhe dhënë urdhra për të përdorur substanca kimike ushtarake me qëllim që të shkaktonin shfarosjen masive të kryengritësve të Vlorës, në shkurt 1997… kishin marrë dhe dhënë urdhra në kundërshtim me ligjet kushtetuese dhe me vendimet e Kuvendit Popullor, për të përdorur forcat e armatosura në operacionet kundër civilëve… kishin armatosur grupe njerëzish sipas preferencave të tyre politike me qëllim që t’i përdornin kundër bashkëatdhetarëve të tyre ».

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur