"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, September 14, 2008

Kronika e një rikthimi : Lufta e llogoreve (1998 – 2001).

. Pas cunamit të vitit 1997, pak njerëz
. besonin ende në mbijetesën politike të Berishës.
. Ende më pak – bile edhe ata të kampit të tij,
. shpresonin se një ditë ai ai do të rikthehej në pushtet.
. Por doktor Fausti i demokratëve ishte i pavdekshëm
. dhe armiqtë sikundër dhe miqtë e tij u detyruan t’a pranojnë herët a vonë.
.
. Pas « mini luftës civile » të vitit 1997 dhe zgjedhjeve të përkohshme që ndoqën, vendi nuk priste së shpejti beteja të tjera të ashpra mes forcave politike. Sidoqoftë duheshin zëvendësuar ata kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkijake të zhdukur përgjatë trazirave, të larguar nga detyra ose të ndëshkuar për faje të ndryshme. Kthimi drejt normalizimit i pushtetit vendor sugjeroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale të pjesshme në qershor 1998. Tre koalicione politike – një i të majtës dhe dy të të djathtës – u përleshën për ata shtatë vendet e kryetarëve të bashkive si dhe të nëntë këshillave bashkijakë në një proces elektoral që nuk pasionoi aspak zgjedhësit (shënimi 1). Përfundimet e votimit zhgënjyen rishtas kampin e demokratëve : Aleanca për Shtetin (PS, PAD, PSD, Partia Agrare (PASH), PBDNJ si dhe Partia e Unitetit Kombëtar) ripërsëriti suksesin e zgjedhjeve elektorale duke marrë 5 bashki nga 7 në lojë sikundër dhe 6 këshilla ndaj 9 të mundshme.
.
. Nga ligjin në ligj, Kuvendi Popullor – alias Parlamenti – ishte duke përmbushur vullnetin për të ndarë përfundimisht pushtetet, duke shpërndarë në këtë mënyrë mjergullën e periudhës berishjane. Sidoqoftë pushteti me të cilin Kryeministri ish vetëpajisur kish filluar të ngjallte frikë. I pari që përpoq t’i vinte fre ishte Presidenti Mejdani, me rastin e paraqitjes të një projekt-ligji që parashikonte krijimin e një shërbimi të ri sekret, Departamenti i Sigurimit Kombëtar – si dhe shkrirjen e SHIK-ut famëkeq. Ai ja riktheu projektin e ri të ligjit Parlamentit në gusht të vitit 1998, bashkë me sugjerimin që ky shërbim të qëndronte nën autoritetin e Këshillit të Ministrave – dhe jo nën autoritetin e Kryeministrit. Në mënyrë të sjellshme por të rreptë, Parlamenti i tregoi Mejdanit derën : projekt-ligji u aprovua sipas në formën e paraqitur prej Nanos. Tashmë zaret ishin hedhur : në fillim të korrikut 1998, komisioni kushtetues aprovonte projektin e Kushtetutës së Re dhe ja kalonte për votë parlamentit në tetor.
. Pa asnjë surprizë, 115 deputetët të gjendur në sallë e aprovuan me unanimitet. Mbetej sprova e fundit : Referendumi i 22 nëntorit 1998. Pa mundur të ngjallë enthusiasmin e turmave – ndoshta për shkak të thirrjeve të përsëritura të PD për bojkotim, ajo gjysma e trupit elektoral që shkoi për të votuar (50,57%) ishte mjaft e vendosur : me 95% të votave « Po » Kushtetuta e re u adoptua përfundimisht.
.
. Megjithëse mungonte në këtë ceremoni inagurimi të monumentit « Republika e Tretë », arkitekti Nano mund të krenohej me veprën e tij : brenda një viti, ai kish realizuar atë çka Berisha s’kish mundur të finalizonte gjatë pesë vjetësh mbretërimi. Skica republikane e Berishës, me një President–mbret në qendër të rrethuar nga oborri i ministrave, me një baba patriarkal të kombit që komandonte diellin dhe shiun, ishte hequr nga galeria konstitucionale shqiptare. Vendin e saj e zuri tablloja parlamentare kryeministeriale : individi-Shtet zëvëndësohej nga partia-Shtet. .
.
. Përpos asaj luftës aq mediatike të Kosovës, viti 1999 rezervoi një surprizë të vërtetë : dorëheqjen e qeverisë Majko. Cilido mund të besonte se, falë administrimit shëmbullor të krizës së rrefugjatëve kosovarë, qeveria Majko do të dilte më e forcuar dhe më fuqishme se kurrë. Aq më tepër kur ajo kish marrë të gjitha falenderimet dhe premtimet për ndihmë nga një varg kryetarësh shtetesh të Evropës, në kalim gjatë pranverës dhe verës të vitit 1999. Ishte veçse një iluzion që zgjati deri në Kongresin e PS, të mbajtur në tetor. Kundër çdo logjike të dukshme, masa e militantëve preferoi Nanon me eksperiencë në rolin e kryetarit të partisë në vend të një Majko ende tepër të ri, i cili në rrëmujë e sipër, prezantoi dorëheqjen. Në 27 tetor, Presidenti Mejdani ngarkonte Metën, një tjetër djalosh gati tridhjetë vjeçar që të formonte qeverinë e re.
.
. Përse Majko paraqiti dorëheqjen ? Ndoshta për të nënvizuar disfatën e tij personale ; ndoshta për të shprehur pakënaqsinë e tij, në mos për të protestuar kundër përdorimit partizan të aparatit të partisë si një mjet për të ndëshkuar politikën e udhëhequr prej tij – që duhet thënë, ishte fort e ndryshme në krahasim me atë të paraardhësit Nano sa në planin e brendshëm aq edhe në të jashtmin. Vetëm në lidhje me fqinjët, duhet përmendur që Majko, një javë përpara mbledhjes së Kongresit, ishte në Selanik në vizitë private - dhe mes dy drekave të mirseardhjes, mundi të takojë një varg ministrash grekë, ndërkohë që menjëherë pas emërimit, gjithmonë po ai Majko shkoi e erdhi në Itali tre herë rresht brenda dy muajsh për t’u takuar me homologun e tij D’Alema. Sigurisht, ky orientim i ri – analistët e quanin rruga e re – kalonte tashmë nga Roma në vend të të zakonshmes Athinë dhe pasqyronte në rradhë të parë shqetësimin madhor të kohës, Kosovën, sikundër dhe vullnetin e Tiranës për të marrë pjesë si aktor me peshë në përpjekjet për zgjidhjen e krizës. Ndërkohë, që nga Demaçi tek Qosja – pa harruar të pashmangshmin Bukoshi – politikanët kosovarë shtyheshin në paradhomën e tij.
. Ishte krejt e natyrshme pra për Kryeminstrin shqiptar të vëzhgonte më mirë horizontin evropian nga dritarja italjane se sa nga papafingoja greke, aq më tepër duke njohur ndjenjat e hapura pro-serbe që gjallonin mes qarqeve helene. Në qoftë se shtojmë njëkohësisht në menunë e diskutimeve dypalëshe, atë shqetësim italjan aq të prekshëm lidhur me emigracionin klandestin dhe të tjera trafiqe të këtij lloji, kuptohet më mirë sensi i bashkëpunimit strategjik me fqinjin e përtej Adriatikut - prioriteti numër një i qeverisë Majko. Përsa i përket arritjeve shtëpijake, vetëm suksesi i mbylljes në pak javë të Ligjit të Financimit të Buxhetit – një rast i parë në historinë e vendit – ishte i mjaftueshëm për të plasur nga zilia çdo ekspert në ekonomi. Por Majko kish shkuar edhe më larg : duke pranuar të takohej me Berishën për të tentuar bashkërendimin e pikpamjeve të tyre si dhe mundësinë e daljes nga kriza që brente jetën politike të vendit që prej gjashtë vjetësh, ai kish treguar që zotëronte një sens hapjeje jo fort të zakonshëm mes socialistëve.
. Dhe pikërisht, nga rradhët e këtyre socialistëve « të rracës » u ngrit një kor i vërtetë pakënaqsish për të dënuar këtë nismë të pazakontë. Mes akordeve shumëzërash dallohej zëri i disa prej tenorëve të partisë që, menjëherë, ishin vënë në lëvizje për të ndëshkuar metodën e vrazhdë të kryetarit të ri të egzekutivit për të hapur një debat publik fort delikat, atë të korrupsionit.
.
. Pa dyshim, si pasojë e bojkotit parlamentar të demokratëve, vota e militantëve të PS ishte shëndrruar në një nga forcat e rralla nëpërmjet të cilës, vullneti i një grupi për të mos thënë i një individi, mund t’i imponohej një vendi të tërë, nën mbulimin e ligjit. Ishte esenca vetë e « metodës Nano » që do të veprojë për vite me rradhë : përderisa balanca e e lojës elektorale dhe kokëfortësia e armikut të tij intim Berisha arrinte të neutralizonte opozitën, mjafton të zotërohej aparati i PS. Duhej dominuar fillimisht prapaskena në mënyrë që më tej të mbushej paraskena. Sidoqoftë, Nano kish aq guxim sa të pranonte atë çka ishte evidente : nga njëra anë, megjithë perëndimin e yllit ndriçues Majko, klani i reformatorëve të rinj të PS mbetej ende tepër i fuqishëm dhe nga ana tjetër, legjislatura në vazhdim – aq keq e nisur nga Nano – e kish humbur gjithë interesin pasi po i afrohej fazës së vet terminale. Ja përse Nano nuk u nxitua për të rimarrë shërbimin si shërbëtori i parë i Shtetit dhe preferoi t’i linte dorën konkurrentit të dytë Meta.
.
. Nëpërmjet deklaratave të tij të para, vendi kuptoi që Kryeministri i ri tridhjetvjeçar – më i riu i Evropës në moshë – do të vazhdonte në rrugën e çelur prej Majkos, bile duke kaluar në marrshin më sipër : më tepër reforma institucionale, më tëpër privatizime në sektorët strategjikë të bankave dhe të komunikacioneve, më tepër vendosmëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, më tepër dialog me forcat e opozitës. Në vijim, Meta deklaronte nevojën e forcimit të lidhjeve me të gjitha forcat politike të Kosovës fqinje dhe veçanërisht, thellimin e përpjekjeve për afrimin e Shqipërisë me Evropën me qëllim përgatitjen e integrimit të saj me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Vendosmëri dhe dialog, qëndrueshmëri dhe hapje – ja edhe linjat kryesore të programit Meta i cili, në rastin më të mirë, duhej të realizohej brenda dy vjetëve, deri në përfundimin e legjislaturës.
.
. Në qoftë se mund të mendojmë që përvoja e shkurtër qeveritare e Metës mund të kompensohej me energjinë e tij të dukshme dhe që karriera e tij e gjatë politike mund të shërbente si avantazh përkundrejt kompleksitetit të detyrës, problemi i i vërtetë i kryetarit të qeverisë ishte të mund të mbante ekuilibrin në gjirin e ekipit të trashëguar nga Majko – me një apo dy përjashtime, i cili në kohën e vet e kish trashëguar nga Nano - duke i bërë makijazhin e nevojshëm. Sidoqoftë, eurosocialisti Meta përfitonte nga një mjedis ndërkombëtar dhe rajonal të jashtëzakonshëm. Në vazhdën e krizës së fundit ballkanike, bashkësia ndërkombëtare kish ngritur kantierin e Paktit të Stabilitetit për Evropën e Jug-Lindjes, të nënëshkruar në Këln në 10 qeshor 1999, qëllimi i të cilit ishte rivendosja e paqes, e stabilitetit dhe e begatisë së rajonit. E shprehur në një gjuhë më të thjeshtë, Shqipëria duhej të përfitonte nga ndihma dhe kredi të menjëhershme të një shume prej 122 milionë euro që bënin pjesë në një paketë financiare afatshkurtër dhe afatmesme prej 320 milionë euro. Këto shuma ishin parashikuar për projektete parësore të infrastrukturës (autostrada dhe hekurudha, porte, aeroporte dhe të tjera linja detare).
. Kjo ishte edhe faqja kryesore e agjendës së qeverisë Meta e cila, si shtesë, përmbante një numër tjetër projektesh që preknin të drejtat e njeriut, demokracinë si dhe sigurimin kombëtar dhe rajonal. Dhe meqënëse, një lajm i mirë në përgjithësi shoqërohet me një tjetër lajm të mirë, Bashkimi Evropian kish vendosur t’a vinte vendin në listën e vendeve ballkanike që përfitonin nga preferenca të përgjithësuara për eksportet e tyre. Në shkëmbim, Meta mundi të kalojë Ligjin e ri të funksionit publik, i parashikuar të ndalonte praktikat e frymëzuara nga interesat politike në emërimin e kandidatëve në administratë si dhe forcimin e pavarësisë dhe të integritetit të figurës së funksionarëve
.
. I shtyrë nga kjo rrymë e fuqishme ajri, Meta mund të qëndronte pezull në hapësirë pa ndjerë asnjë problem deri në afatin e ardhshëm elektoral, i cili sipas të gjitha sondazheve të opinionit do të korrigjonte mungesën e ekuilibrit mes pushtetit legjislativ dhe egzekutivit lokal - ky i fundit i trashëguar nga periudha Berisha. Zgjedhjet e reja lokale, të mbajtura në 1 dhe 15 tetor 2000, treguan pa asnjë vështirësi fituesin e rradhës, partinë socialiste. Megjithë shkallën e lartë të mospjesëmarrjes – më tepër se 40% në qytetet dhe gati 50% në fshat – socialistët dhe aleatët e tyre, të grumbulluar në gjirin e koalicionit « Aleanca për Shtetin » morrën 57% të votave. Me këtë rast ata rrëmbenin pjesën dërrmuese të bashkive (50) dhe të komunave (218) në nivelin kombëtar – duke përfshirë edhe bashkinë e Tiranës. Në të kundërt, opozita e përçarë mes një « Bashkimi për Demokracinë » dhe « të Djathtas së Bashkuar » mezi mbrriti në nivelin e 40%. Në terren, rezultati përfaqsonte vetëm 11 bashki dhe 80 komuna - një hiç në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
.
. Si zakonisht, opozita demokratike denoncoi skandalin dhe tregoi me gisht falsifikimin (shënimi 2), pa mundur të bindë një numër të madh vëzhguersish ndërkombëtarë në vend që përshkruan një atmosferë të tejet të qetë dhe paqësore, sikundër dhe përgëzuan progresin e arritur. Zaten, këto progrese ishin të domosdoshme për të përmbushur standardet demokratike, të përcaktuara nga OSCE në dokumentin e saj të Kopenhagës në vitin 1990. Përfundimisht, e vetmja e papritur e këtyre zgjedhjeve ishte çështja Himarë.
.
. Ky qytet i vogël bregdetar i qarkut të Vlorës i cili, bashkë me rrethinat arrinte në 12.000 ose 13.000 banorë, strehonte që prej gjithmonë – më mirë të themi që prej periudhës otomane – një popullsi të rëndësishme grekofolëse, e përforcuar në vitet 30 me të tjerë grekë të ardhur nga Korfuzi. Thellësisht e ngulur në mjedisin lokal, ajo njohu lumturinë e hapjes së kufijve me « atdheun amë » ku edhe dërgoi me qindra bij të vet, shpesh të pajisur me biletë vajtjeje të thjeshtë. Historia fillon menjëherë pas turit të parë të zgjedhjeve kur kandidati lokal i PBDNJ denoncoi falsifimin masiv si dhe dhunën e ushtruar kundër zgjedhësve te tij. Atëhere ai kërkoi përforcime : disa qindra himariotë të vjetër, të ardhur posaçërisht nga Greqia për të votuar në turin e dytë, « të pajtuar » nga qarqet politike greke ; një dyzenë parlamentarësh grekë, të shoqëruar nga mjaft personalitete politike me qëllim që të mobilizonin trupat, të cilët ndërhynin gjatë mitingjeve elektorale – sigurisht në mënyrë « private » ; një ushtri gazetarësh të shtypit të shkruar dhe të televizionit grek për të vërejtur në direkt dhunën etnike. Nga ana tjetër, kandidati socialist në balotazh të pafavorshëm bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike për t’i prerë rrugën kandidatit të PBDNJ-së. Thirrja për ndihmë u dëgjua nga i gjithë spektri politik i vendit dhe për herë të parë, PD dhe parti të tjera të të djathtës u bashkuan me « armiqtë e betuar » socialistë. Njëkohësisht, Tirana zyrtare dënonte Athinën për ndërhyrjen e saj në punët e brendshme dhe dërgonte tenorët e saj më në zë në Himarë sikundër dhe disa dhjetra agjentë të saj, nga më të talentuarit e SHIK-ut.
.
. Vazhdimi i historisë ishte deri diku i parashikueshëm : kandidati socialist i fitoi zgjedhjet për kënaqësinë më të madhe të mediave shqiptare, qeveria greke paralajmëronte Tiranën që çështja e Himarës do të peshonte rëndë në në marrëdhëniet reciproke si dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Evropën, përfaqsuesit e PBDNJ-së deklaronin në Athinë që njerkëdheu i tyre i lindjes bënte çmos për t’i shpronësuar nga shtëpitë dhe tokat e tyre, përfaqsuesit e shoqatave çame në Shqipëri kërkuan rikthimin e pasurive të tyre të grabitura nga shteti grek, Bashkimi Evropian ndërhyri për për të qetësuar shpirtrat… shkurt, zgjedhja e një kryetari bashkie dhe të disa këshilltarëve të tij në një qoshe të humbur të Shqipërisë ishte shëndrruar në një çështje të përmasave ndërkombëtare, e cila vinte në rrezik paqen dhe sigurimin në Ballkan – dhe meqënëse Ballkani ishte një nga zonat më të nxehta të momentit – ndoshta edhe paqen në mbarë botën !
.
. Përtej interesit elektoral, çështja e Himarës solli edhe provën se ndjenjat nacionaliste mbeteshin një forcë e fuqishme dhe klasa politike e vendit mund të tejkalonte thyerjet e saj të brendshme të thella për të imponuar një zgjidhje të përbashkët. Ajo krijonte njëkohësisht edhe bindjen se epoka kur shteti helen mund të përdorte « fshesën » e tij emigrantpastruese me qëllim që t’i impononte fqinjit pikpamjet dhe vullnetin e saj kish përfunduar një herë e mirë. Një dhjetëvjeçar më vonë, ajo turmë e paformë dhe zaptuese shqiptarësh varfanjakë kish filluar të zhdukej për t’i lëshuar vendin një mase individësh të zakonshëm të cilët punonin tepër, bile edhe për rroga të padenja, që flisnin gjuhën e vendit, pjella e të cilëve nuk dallohej gjëkundi nga « pedhjatë » e vendit. Ndërkohë, zgjidhja e lumtur e luftës së Kosovës dhe përplasjet e armatosura etnike në Maqedoni kishin projektuar mbi Greqi rrezikun e « Shqipërisë së Madhe » si dhe kishin përhapur zhurmat e një fantomatikeje Ushtria Shqiptare e Çlirimit Kombëtar. Së fundi, lobi çam tregohej mjaft aktiv për të mos thënë kërcënues me ato kërkesat e tij të dëmshpërblimeve dhe të kompensimeve, të njohjes së statusit të pakicës etnike ose të krimeve të luftës të kryera nga ana e grekëve. Berisha gjithashtu triumfonte në brendësi të tij pasi, qëndrimi i tij i prerë i dikurshëm ndaj fqinjit jugor ishte adoptuar tashmë edhe nga kritizerët e pamëshirshëm.
.
. Megjithatë, ky shpërblim i heshtur ishte pako gjë në krahasim me humbjen e pësuar gjatë zgjedhjeve dhe kish ardhur koha që lideri demokrat të ulej dhe të nxirrte një varg përfundimesh, frymëzuese për të ardhmen :
.
.
. - PD e tij mbetej forca më e madhe e opozitës dhe e vetme, ajo ishte e aftë të mblidhte nën flamurin e saj 33% të elektoratit, pra një të tretën e votuesve. Demokratët riktheheshin me forcë në skenën politike kombëtare vetëm tre vjet më vonë nga kataklizma e 1997 ; megjithë një varg skizmash në gjirin e lëvizjes, atë e ndanin vetëm shtatë pikë nga konkurrenti i drejpërdrejtë PS.
.
. - Dobësia e të djathtës vinte kryesisht nga rezultatet mediokre te partive të vogla, të cilat të gjitha bashkë, mezi realizonin 7% të votave. Nga njëra anë, ato nuk arrinin të tërhiqnin vëmendjen e elektoratit dhe nga ana tjetër, ato s’arrinin të merreshin vesh mes tyre, duke krijuar me këtë rast grupime disparate dhe antagoniste. Paralelisht, partitë e vogla të të majtës dhe të qendrës së majtë arrinin rezultate dy herë më të mira – 14% të votave të grumbulluara.
.
. - E vetmja mënyrë për të grumbulluar të gjitha forcat e të djathtës në gjirin e një projekti të të ardhmes ishte përpunumi i një konsensusi të gjerë, të një pakti politik në gjirin e të cilit, PD duhet të luante rolin e forcës federuese dhe moderuese. Përsa i përket mekanizmit integrues dhe shpërblimor, mjafton të respektohej konsensusi elektoral i momentit : të gjithë së bashku të votonin për kandidatin më të mundshëm – atë të PD – nëpërmjet votës njëemërore, ndërkohë që PD duhej të përdorte gjithë potencialin e saj për të përkrahur aleatët gjatë votës proporcionale.
.
. - Shkalla tepër e lartë e abstenimit lejonte të imagjinohej një rezervë të rëndësishme votash. Sidoqoftë, tendenca tregonte një fenomen gjithmonë në rritje, i cili duhej të ngrohte në rradhë të parë socialistët, që gëzonin një stabilitet mjaft të madh të elektoratit të tyre. Pavarësisht kësaj, mesatarja e moshës të elektoratit sugjeronte që PD mund të rriste shanset e saj të fitores nëpërmjet një fushate elektorale më të zgjuar, të orientuar në rradhë të parë drejt rinisë ose shtresat e tjera më pak të favorizuara të shoqërisë. Kështu, në rradhë të parë duheshin vënë argumentat e saj elektorale : nga njëra anë pabarazitë shoqërore dhe nga ana tjetër, korrupsionin dhe pasurinë me origjinë kriminale të drejtuesve aktualë të shtetit.
.
. - Strategjia aktuale e bojkotit sistematik të parlamentit dhe të përplasjeve në sheshin publik kish dhënë rezultate të mira, qoftë edhe për të ruajtur bazën militante të partisë dhe për të salduar elektoratin e saj ; shkurt, për të farkëtuar një opozitë të fuqishme. Sidoqoftë, kjo strategji duhej rishikuar në funksion të konjukturës politike : ajo mund të shfrytëzohej më tej duke u mbështetur mbi tezën « ne i morrëm zgjedhjet por fitorja na u vodh, nëpërmjet falsifikimit të rezultateve » ndërkohë që kish ardhur koha të përpunohej një strategji alternative dhe fitimtare sipas një principi të ri « të luftojmë pushtetin në terrenin e tij ». Kjo presupozonte rikthimin me forcë në gjirin e legjislativit, përdorimin e rritur të forumeve publike për të ngjallur një debat të vazhdueshëm mbi temat e ndjeshme, sulmin masiv të politikës së qeverisë për të përshpejtuar konsumimin e pashmangshëm të pozitës.
.
. Sidoqoftë, zgjedhjet vendore nuk ishin banka më e mirë e provës për të provuar tendencat e reja. Me fjalë të tjera, ishte ende herët që këto përfundime të merrnin vlerën e një evidence me qëllim që të impononin një strategji të re politike. Duhej pritur rradha, zgjedhjet legjislative të parashikuara në vitin 2001 për të bindur fillimisht vetvehten, përpara se të bindeshin të tjerët. Zgjedhjet aq të pritura u zhvilluan në 24 qershor 2001, me një tur të dytë në 9 korrik. Që në 18 prill, dita e zgjedhur nga Presidenti Mejdani për të shpallur datat e zgjedhjeve të ardhshme, partitë kryesore të të djathtës (PD, PR, BK, partia e Bashkimit Liberal PBL, Lëvizja e Legalitetit PLL si edhe partia Demokratike e Rinovuar PDR) nënshkruan një marrëveshje elektorale që lejonte caktimin e kandidatëve të përbashkët në gjirin e një liste të vetme elektorale, i ashtuquajturi « Bashkimi për Fitoren ». Paralelisht, PD sikundër dhe rivali i saj i përjetshëm PS, u investuan në mandatimin e një numri të konsiderueshëm të kandidatëve « të pavarur » me qëllim që të mbidhnin maksimumin e votave, në dëm të partive të vogla.
.
. Që në mbylljen e turit të parë, Meta shpalli fitoren e partisë së tij, ndërkohë që shtabi i përgjithshëm i PD, pasi kish denoncuar një numër të madh parregullsish, shpallte edhe ai fitoren. Përfundimisht, në 1 korrik, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve theu heshtjen e tij të gjatë për të shpallur se ishin shpërndarë vetëm 55 vende deputetësh : PS kish fituar 29 vende ndërkohë që Bashkimi për Fitore merrte vetëm 16 vende, mbetja ishte për partitë e vogla. Në disa zona si ajo e Lushnjes, zgjedhjet duhet të ripërsëriteshin për shkak të parregullsive. Pra mbeteshin 45 vende ende të lira. Bashkimi për Fitore ishte përpara një misioni të pamundur : në qoftë se përfundimi i zgjedhjeve dukej si i mbaruar, duheshin grumbulluar të paktën 57 vende, ose 41% të numrit të përgjithshëm, për të bllokuar zgjedhjen e ardhshme të Presidentit të Republikës në vitin 2002.
. Mundim i kotë pasi, megjithë energjinë e konsiderueshme që u desh për të mbyllur katër ture të njëpasnjëshme, numërimin dhe rinumërimin e votave dhe në fund, ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, e djathta e bashkuar mundi të marrë veçse 30 vende suplementare, duke totalizuar në këtë mënyrë vetëm 46 deputetë. Surpriza e këtyre zgjedhjeve erdhi nga Partia e Re Demokratike e Pollos. Duke refuzuar ofertën e padronit të tij të vjetër për t’u bashkuar rreth idealit të lartë zgjedhor, ajo shënonte hyrjen në parlamentin e ri me 6 deputetë (shënimi 3).
. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve Berisha deklaroi se nuk i pranonte rezultatet e kësaj « farse elektorale » dhe si rrjedhim, partia e tij nuk do të ulej në parlament me simotrat e saj. Këto deklarata ngjallën reaksionet e menjëhershme të indinjuara të vëzhguesve të OSCE që i kishin përshkruar zgjedhjet si « të lira dhe të ndershme » ose « në përputhje me standardet demokratike ».
.
. Megjithë shijen e hidhur të humbjes, fort të parashikueshme, Berisha mund të mbrrinte në përfundim se nuk i kish munguar mprehtësia e vështrimit dhe që për momentin, ai e kish harxhuar rezervën e tij elektorale : vetëm me 54,5% të zgjedhësve aktivë, pjesëmarrja ishte ende më e ulët se sa ajo e parashikuara ndërkohë që kujtimi i prishjes me Pollon dhe « dhjetoristët » e tjerë mbetej tepër i freskët dhe pengonte çdo kompromis të sugjeruar nga padroni i vjetër demokrat.
. Logjikisht, fitorja e socialistëve vinte më tepër si pasojë e dobësisë të lëvizjes së tij se sa nga meritat e tyre aq të lavdëruara. Mjaftonte për këtë të kqyrej diferenca e ngushtë mes dy antagonistëve kryesorë : tashmë dy kampet ndaheshin me 4,7 pikë, pavarësisht diferencës të stërmadhe në vende deputetësh në origjinë të të cilës ishte sistemi elektoral si dhe taktikat politike drejt krijimit të aleancave në terren. Në këtë mënyrë, vendimi për të bojkotuar rishtas parlamentin duhej të interpretohej si një zgjedhje thjesht taktike : në vigjilje të caktimit së Presidentit të cilin nuk ish në gjendje t’a pengonte me trupat e veta, ai mund të peshonte nga larg, duke i lënë rrugën e hapur socialistëve që të shqyenin njëri tjetrin. Duke munguar në debatet, ai nxiste përçarjen që ishte çfaqur hapur në rradhët e socialistëve, pasi kandidati i tyre i vetëshpallur tashmë quhej Nano. ---------------------------------------------------------
.
.
. (1) Përveç Vorës (rrethi i Tiranës), Shijakut (rrethi i Durrësit) dhe së fundi Kavajës, të gjitha qytet e tjera gjendeshin në jug të vendit : Vlorë, Patos et Roskovec (rrethi i Fierit), Ura Vajgurore (Berat). Përsa i përket komunave, ato ishin shpërndarë gjithandej në të gjithë vendin : Greshicë (Mallakastër), Dhivër (Sarandë), Lurë (Dibër), Lazarat (Gjirokastër), Progër (Devoll), Bushtricë (Kukës), Gjergjan (Elbasan), Zavalinë (Elbasan), Sinaballaj (Kavajë). Shkalla e pjesëmarrjes në këto zgjedhje të pjesshme, të mbajtura në 21 qershor 1998, ishte rreth 50%. Aleanca për Shtetin mundi të realizojë 53% të votave ndërkohë që Bashkimit për Demokracinë (PD, partia e Bashkimit Social Demokrat (PBSD), partia e Lëvizjes së Legalitetit (PLL), partia Demokrate-Kristiane (PDK) dhe partia e Bashkimit Demokratik (PBD)) ju desh të kënaqej me 35% të votave, duke marrë me këtë rast bashkitë e Shijakut dhe të Kavajës – dy bastione tradicionale të demokratëve. Përfundimisht, e Djathta e Bashkuar (partia Republikane (PR), partia Demokratike e Djathtë (PDD), partia e Lëvizjes për Demokraci (PDD), partia Konservatore (PKons) dhe BK) mundën të marrin veçse 7% të numrit të votave.
.
. (2) Në një raport fort të hollësishëm, tetë parti dhe grupime politike të opozitës prezantuan ankesat e tyre të shumta : - adoptimi nga ana e Kuvendit të dominuar nga PS të një Ligji të ri Elektoral ad hoc vetëm tre muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve që trondiste thellë raportet pozitë/opozitë në gjirin e komisioneve lokale sikundër dhe ndarjen e territorit kombëtar në zona të reja elektorale ; - nepotizmin dhe favoritizmin politik që mbretëronte në gjirin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ; - manipulimin dhe falsifikimin nga ana e KQZ të rregjistrit kombëtar të zgjedhësve, gjë e cila përjashtonte nga listat elektorale 600.000 zgjedhës nën pretekstin se ata nuk gjendeshin në territorin kombëtar ; - mungesën totale të transparencës në punimet e KQZ sikundër dhe shkeljet e qëllimshme të Ligjit Elektoral ; - falsifikimet e rezultateve të dala nga kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve sikundër dhe përdorimin e forcës nga ana e forcave të rendit.
.
. (3) Kuvendi i ri shqiptar, i dalë nga zgjedhjet e 24 qershorit dhe të 9 korrikut paraqiste pamjen e mëposhtme : koalicioni i të majtës dhe i qendrës së majtë dominonte skenën me 86 vende, koalicioni i të djathtës dhe partitë e tjera të të djathtës totalizonin 52 vende. Së fundi, dy vendet e tjera shkonin për deputetët e pavarur, në të vërtetë të lidhur me të majtën. Sipas rendit zbritës, në të majtë : PS siguronte 73 vende (41.5% të votave në nivelin kombëtar), PSD 4 vende (3.64%), PBDNj 3 vende (2.61%), PASH 3 vende (2.57%) dhe së fundi Aleanca Demokratike 3 vende (2.55%) ; në të djathtë – Bashkimi për Fitoren 46 vende (36.8%) dhe partia e Re Demokratike 6 vende (5.1%). Shih : International Crisis Group – Albania’s Parliamentary Elections 2001, ICG Balkans Briefing Paper, Tirana/Brussels, august 2001.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur