.
.
.
.

. Pra, tashmë tre vjet në pushtet. Tre vjet shumë të suksesshëm, bile të jashtëzakonshëm në arritje dhe rezultate – po të dëgjojmë militantët e PD dhe ithtarët e tij të sotëm të shumtë. Tre vjet të tepërt, të kotë (dhe sidomos të pafund) – sipas mendimit të socialistëve dhe opozitarëve të tjerë që sikundër kuajt, hanë frerin me dhëmbë duke pritur ata muaj që kanë mbetur, deri në zgjedhjet e ardhshme.
.
. Kësaj rradhe, nuk kam ndër mend të bëj bilancin e qeverisë pasi zgjedhjet ende janë disi larg dhe formacionet politike sapo kanë filluar të vihen në rreshtim beteje. Koha ndoshta nuk pret për politikanët, por unë nuk jam i tillë. Pra, këtë analizë e kam lënë për më vonë… Aq më tepër se prognoza për fituesin e ardhshëm nuk ka nevojë për një analizë të thellë. Edhe pa qenë fallxhor për të paraparë të ardhmen në një glob kristali – ose analist për të zhongluar me parametrat makroekonomikë - mund të thuash pa asnjë ngurrim që ai do të jetë njeri prej dy antagonistëve të « përjetshëm » të skenës politike të tranzicionit : ose pozita e sotme ose opozita.
.
. Vetëm se, si PD ashtu edhe PS nuk arrijnë të mbledhin më shumë se 33 – 34% të elektoratit sejcila. Ky elektorat që prej vitesh respekton skemën : 1/3 – 1/3 – 1/3 (një e treta e fundit përfaqson të gjithë të tjerët). Sipas gjasave, në arenë do të zbresin e djathta e bashkuar kundër të majtës së përçarë. Aq më tepër që sipas rregullave të reja elektorale, të dy kampet kanë interes të federojnë brenda familjes së tyre për të paraqitur dy skuadra përfaqsuese në një ndeshje, rezultati i të cilës do të përcaktohet nga sjellja e arbitrit Meta.
.

. Në se fituesja do të jetë skuadra blu, edhe toni edhe akordi bazë i muzikës janë të njohur – për katër vjet të tjera, kapiteni Berisha do të jetë « pjestar » i pandarë, guidë-konferencier i përditshëm i familjeve shqiptare , shumica e të cilave e kqyrin dhe e matin botën rrethuese nëpërmjet ekranit të vogël…
.
.
. Po sikur të jetë skuadra rozë ? Dy elementë më detyrojnë të moderoj këtë hipotezë :
.
.
. - periudha e « konsumimit moral » të pozitës. Që nga ai vit i largët 1992 kur Davidi demokrat me tiparet engjëllore të Berishës shtriu në tokë me hobenë e grevave të përgjithshme Goliatin komunist (i cili para se të jepte shpirt lindi foshnjën PS, të quajtur Nano), çdo pushtet në fuqi ka rezistuar dy legjislatura, përpara se t’i lerë dorën tjetrit. Edhe në mos i ka përfunduar, të paktën i ka filluar, pasi është zgjedhur dy herë rresht. Ishte rasti i çiftit demokrat Berisha-Meksi, që për shkaqe që dihen u detyrua të lerë skenën para kohe në vitin 1997. Ishte gjithashtu rasti i trios Nano-Majko-Meta që rezistoi plot tetë vjet, deri në vitin 2005. Jamais deux sans trois – thonë francezët. E adoptuar në rastin tonë, do të përkthehej : derisa bënë vaki dy raste, përse jo edhe i treti ?
.
. Me të vërtetë, ç’farë i mungon Berishës për një legjislaturë bis ?
. Së pari, vështirë të gjykohen rezultatet e një qeverie gjatë një periudhe të tillë trevjeçare (po cili është ai që arrin të shohë kjartë mes asaj rrumpalle të quajtur ekonomi shqiptare ?) ;

.
. - shkalla e « pjekurisë politike » të vetë opozitës, e shprehur me nivelin e agresivitetit të saj ndaj pushtetit në fuqi, dhe e matur me vështirësitë që ajo i krijon këtij të fundit, në prag të çeljes së fushatës së zgjedhjeve. Gjatë periudhës trevjeçare në fjalë, bota socialiste është e dominuar nga fenomeni Rama. Një personalitet sa i spikatur aq edhe i përfolur, në një mjedis thuaj shterpë
nga pikpamja e ideve novatore, si ai socialist. Ndoshta egziston një metodë Rama, një dinamikë Rama - bile edhe një konsensus Rama, apo një diktat Rama. Por, personalisht, nuk shoh asnjë gjurmë të politikës Rama, të mendimit përbashkues Rama, sipas filozofisë shoqërore socialiste. Pasi, së pari, socializmi është një përmbajtje e natyrës sociale, përpara se të jetë një praktikë ekonomike – ose një administrim bashkiak. Ndoshta, pasi idili mes vetë Ramës dhe socializmit është një dukuri e vonët dhe rrethanore, një mjet i përshtatshëm për të prekur pushtetin (dhe të tjera sfera që gravitojnë rreth tij).

. Të qënit në opozitë – qoftë edhe për tre vjet – nuk përmblidhet vetëm me faktin e të paturit dëshirë të vish në pushtet, por para së gjithash, nga të përgatiturit e kushteve të marrjes së këtij pushteti dhe të mobilizimit të mjeteve për të realizuar këtë qëllim. Një opozitë si ajo e socialistëve të Ramës mund të meritojë të gjitha epitetet – e sjellshme, e përmbajtur, konstruktive, bashkëpunuese, kritikuese (me masë), diskutuese – bile edhe karagjoze dhe zbavitëse. Por kurrsesi luftarake, detyruese, shtrënguese, bllokuese, penguese, e bezdisshme…
. Mjafton të kqyren raste të tilla « të arta » si puna e Gërdecit, e skandaleve politiko-financiare të antarëve të qeverisë Berisha, të tejkalimit të kompetencave dhe të ndërhyrjes të pushtetit egzekutiv në sferat e atij legjislativ dhe gjyqësor….
.
. Marrja e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare është një moment i rrallë, që vjen një herë në katër vjet, dhe si i tillë nuk mund dhe nuk duhet shpërdoruar. Ajo kryhet dhe vendoset kohë përpara datës së zgjedhjeve dhe nuk i mund t’i lihet as rastësisë as edhe shansit të momentit, bile as edhe kapriçove të « aleatëve ». Ajo duhet të përgatitet qoftë në kokë, qoftë në strukturat e partisë, qoftë në masën e militantëve, qoftë edhe në përfytyrimin e popullsisë. Është një përleshje e përditshme, e përjavshme, e përmuajshme dhe e përvitshme – përgjatë katër vjetësh, e ngritur me durim dhe me shumë kujdes nga njerëz që besojnë në të dhe që arrijnë të transmetojnë besimin e tyre tek të tjerët. Qoftë Rama një i tillë !
.
. Ata që sot aspirojnë pushtetin kanë interes të « zhdërvjellin trakën » - sipas shprehjes së kosovarëve. Atë trakën – filmin e vjetër me aktor kryesor Berishën e sotëm, të luajtur sa në sheshet dhe rrugët e Tiranës, aq edhe në sallën e Parlamentit gjatë periudhës 1997 – 2005. Pasi, duam s’duam, ai mbetet shembulli më i mirë i atij që ëndërron pushtetin dhe arrin t’a rimarrë, edhe kur askush nuk beson më.
.
. Të gjithë atyre që e kanë humbur kopjen e fundit, ju premtoj t'jua çfaq herën e ardhshme, nën titullin : 1997 - 2005: Kronika e një rikthimi.
0 comments:
Post a Comment