"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, August 9, 2008

Na ishin një herë (që mos qofshin) – Lojrat Olimpike të Pekinit.

. Asgjë nuk i është lënë rastit gjatë këtyre Lojrave Olimpike të Pekinit. Ato filluan dje, në datën 08.08.08. Pikërisht në orën 08 e 08 minuta dhe 08 sekonda. Pasi shifra 8 është një shifër shansi për mbarë kinezët : në të folurin kantonez, teta - « baat » konsiderohet si një simboli i vetë fatit, në mos nga përvoja mijravjeçare e këtij qytetërimi, të paktën pasi fonetikisht fjala ngjan me « faat » që do të thotë pasuri si edhe fat. Ja përse me mijra çifte kineze kudo në botë zgjodhën këtë ditë fatlume për t’u martuar. Ja përse edhe udhëheqësit kinezë ju besojnë me kaq zell këtyre lojrave, me shpresë se edhe pas mbylljes së tyre fati nuk do t’i ndahet më vendit të tyre. .
. Pra, le të shpresojmë edhe ne bashkë me zyrtarët kinezë se përtej sportit dhe rekordeve, Lojrat Olimpike do të rrisin krenarinë kombëtare të popullit, do të krijojnë më shumë begati, do të hapin më shumë tregje, do të rrisin më tej prestigjin e këtij vendi në botë. Paçka se Kina – dhe udhëheqësit e saj – as që e venë ujin në zjarr për të « Drejtat e Njeriut ». Paçka se, sipas të dhënave të Amnesty International, Kina ende vazhdon të egzekutojë çdo vit mbi 500 vetë (të tjera burime flasin për disa mijra), paçka se vetëm disa javë më parë, disa dhjetra (apo qindra) tibetanë gjetën vdekjen gjatë manifestimeve të tyre paqësore në Llhasa, paçka se disa qindra kundërshtarë politikë të rregjimit kalben nëpër burgje – shpesh për një llaf goje, ose një shkrim në gazetë, ose një e-mail në internet…
.
. * * *
.
.
. Dikush mund të pyesë se çka të bëjë sporti dhe Olimpizmi me të Drejtat e njeriut. Personalisht, mendoj se edhe ka edhe s’ka të bëjë. Për shembull, e kqyrur me sytë e sportistit që s’është gjë tjetër veç një mal me muskuj dhe që ka shkuar në Pekin vetëm për të fituar një medalje - sipas devizës olimpike më shpejt, më lart, më larg, pak intereson në se kinezët egzekutojnë kriminelët e tyre apo i mbajnë në burg për jetë të jetëve. Por ama, ai sportisti tjetër që veç muskujve ka edhe tru – pra, që para së gjithash e quan vehten njeri, pasi që vjen nga pjesa demokratike e botës, vështirë se mund të kalojë në heshtje kasaphanën e Tjenanmenit ndaj të ngjashmëve të tij studentë, ose dhunën e Llhasës kundër murgjve budistë.
. Po njeriu politik që ka veç tru - pra, as muskuj as edhe etje për medalje, përse duhet të asistojë në ceremonitë e këtij lloji ? Zyrtarisht, për të nxitur atletët e vendit të tij – në të vërtetë, për të takuar bashkëkolegët e vendeve të tjera dhe biseduar biznes. A justifikon biznesi mes politikanësh burgosjen e një internauti që shkruan në blogun e tij ? Persekutimin e një gazetari që denoncon korrupsionin ? Vrasjen e tibetanëve që kërkojnë gjuhën, kulturën, fenë – troç, atdheun e tyre ? Në këtë nivel, të gjendesh sot në Pekin me sebepin e Lojrave Olimpike do të thotë të gëlltisësh – bile thatë – cinizmin e homologut tënd kinez, për të cilin çështja e të Drejtave të Njeriut është një problem i brendshëm i Shtetit të tij. Një prej atyre skutave të politikës së brendshme ku s’kanë përse të fusin hundën e tyre të qurrosur të huajt – pasi është Partia Komuniste kineze që e administron me shumë urtësi. Pra këta të huaj janë të mirëseardhur vetëm në se interesohen për sport, për biznes dhe të ndihen të lumtur në se arrijnë të shtrëngojnë dorën që ju zgjatet – që edhe pasi është larë, në se arrin të lahet, ende ruan në pore (pa folur më për ndërgjegjen) kujtimin e atyre miliona viktimave të atij rregjimi tashmë gjysëmshekullor.
. Ja përse, udhëheqësit politikë të vendeve pjesëmarrëse në këto Lojra ndahen tashmë mes atyre që gjenden në Pekin dhe atyre që nuk pranuan të shkojnë. .
. * * * .
. Mes atyre që nuk pranuan të shkojnë gjendet Presidenti i Parlamentit evropian, Pottering, i cili i ftoi të gjithë udhëheqësit e Bashkimit të vepronin si ai. Bojkotimin e tij të hapur ai e motivoi me thënien : « .. është detyra jonë të mos harrojmë që populli tibetan lufton për mbijetesën e tij ». Kjo thirrje u dëgjua nga të disa të tjerë. Për shembull, nga Kancelarja gjermane Merkel dhe nga Ministri i saj i Jashtëm. Megjithëse ata deklaratat e tyre se « nuk i besojnë fort bojkotit olimpik ». Fundja, ata nuk shkuan sepse gjithmonë janë treguar të prerë me Pekinin lidhur me të Drejtat e Njeriut. As Kryeministri britanik Brown nuk u gjend në ceremoninë e Hapjes, por do të shkojë në atë të Mbylljes. Një mënyrë kjo angleze për t’u treguar i vendosur. Ndërkohë Çekia ka deklaruar se nuk do të shkojë as në hapje as në mbyllje kurse Polonia dërgoi vetëm Ministrin e saj të Sporteve – sa për të larë gojën. .
. Evropianë të tjerë « edhe janë edhe s’janë » në Pekin. Spanja për shembull dërgoi Ministrin e saj të Jashtëm dhe Kryeministri shfajësohet se « është shumë i zënë me punë ». Ndërkohë Mbreti Juan Carlos dërgon të birin. Një varian fort komod ky i përfaqsimit nëpërmjet djalit, pasi edhe Mbreti i Belgëve dërgoi të vetin. Por padyshim, palma e sinqeritetit i takon Silvio Berluskonit që thotë me plot gojën : « .. më kanë thënë se në Pekin bën vapë e madhe, deri në 50 gradë, dhe që për më tepër, ka lagështi të madhe ». Ja përse ai dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm – një amator i madh i vapës pekineze.
.
. * * *
.
.
. Ne na interesojnë më tepër ata që shkuan. Pasi edhe Kryeministri ynë Berisha i përket kësaj kategorie. Edhe në se këta të fundit ende nuk përbëjnë shumicën e burrave politikë të botës, në rradhët e tyre numërohen më të fuqishmit e Planetit : Presidenti Bush, Kryeministri Putin, Presidenti Sarkozy.. pa llogaritur një turmë të tjerësh « jashtë klasifikimit » si Princi i Monakos apo Kapitenët regjentë të San Marinos. Por të mos harrojmë se edhe ata që shkuan në Pekin ndahen në dy kategori. .
. Në të parën hyjnë ata që shkuan pasi nuk mund të bënin ndryshe, por që premtuan se nuk do t’a mbyllnin gojën ndaj shkeljeve të të Drejtave të Njeriut. Për shembull, Presidenti amerikan Bush. A mund të mendohet se fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e globit do të bojkotonte fuqinë më të madhe njerëzore të rruzullit ? Por ama Bushi, nga Bankoku tajlandez, disa orë përpara se të merrte rrugën e Pekinit, shprehu « shqetësimin e tij të thellë » përballë gjendjes së lirive në Kinë dhe theksoi kundërshtimin e prerë të Shteteve të Bashkuara ndaj burgosjes së disidentëve politikë, mbrojtësve të lirive të njeriut si dhe militantëve fetarë. Me të mbrritur në vend, ai deklaroi : « .. ne besojmë fort se shoqëritë njerëzore që lejojnë lirinë e shprehjes së ideve kanë tendencën të jenë më të begatat si edhe më paqësoret » - duke ngjallur me këtë rast acarimin e menjëhershëm dhe të thellë të autoriteteve kineze. .
. Presidenti francez Sarkozy, njëkohësisht edhe kryetar i rradhës së Bashkimit evropian, ishte më i nuancuar në veprimet e ndërmarra dhe në shprehjet e përdorura. Pas dy javë hezitimesh « të shkoj – mos shkoj », ai arriti në përfundimin : « .. çështja e të drejtave të Njeriut nuk mund të çohet përpara nëpërmjet poshtërimit të Kinës, por nëpërmjet një dialogu të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë ». Pra u nis në Kinë për të rralizuar dialogun e drejtpërdrejtë. Sa për atë të sinqertë, duket pritur ende. Të paktën derisa udhëheqësit kinezë të gjejnë kohën për të lexuar ato dy listat me emrat e të burgosurve politikë që ju la në dorë Sarkozi. Ky i fundit do largohet nga Pekini të nesërmen e ceremonisë së Hapjes, ndërkohë që e shoqja Bruni planifikon të takohet së shpejti me Dalai Lamën. Ja pra edhe dy aspektet e diplomacisë franceze : jashtë shtetit dhe brenda familjes. .
. Kategoria e dytë e pelegrinëve politikë mbledh gjithë të tjerët : ata që s’duan të hapin gojën për punën e të Drejtave – pasi kanë të njejtat probleme në shtëpi të tyre si ato të kinezëve, ata që s’mundin t’a hapin – pasi varen së tepërmi nga konjukturat politike ose ekonomike të Kinës, dhe së fundi, ata që e kanë gojën vetëm për të ngrënë – pasi jetojnë falë ndihmave e Kinës Diku mes tyre gjenden edhe Bullgaria, Rumania, Serbia, Kroacia apo Sllovakia – pra, një grusht vendesh ballkaniko-evropiano-demokratiko-eklektike që dukshëm, nuk përziejnë qejfin e sportit – për të mos thënë biznesin, me politikën.
.
. * * *
.
.
. Megjithë admirimin e madh që ai shpreh ndaj Presidentëve Bush dhe Sarkozi dhe konsideratën e tyre të thellë ndaj tij, nuk besoj se Kryeministri Berisha gjendet në kategorinë e parë të burrave të Shtetit. Pasi jo vetëm që nuk e hapi gojën ndaj shkeljeve të të Drejtave por as që i ka përmendur këto të uruara gjatë përgatitjes së valixheve për Pekin. A prori, ai duhet të rreshtohet në kategorinë e dytë megjithëse, duke njohur personazhin dhe karakterin e tij befasues, mendova për një çast se befas në Kinë mund t’i hipnin nervat dhe në gjaknxehtësi e sipër, do t’ju përplaste kinezëve në fytyrë gjithçka që binte ndesh me bindjet e një demokrati të orëve të para si ai. .
. Por ja që u gabova, bile rëndë. Mjaftoi që një farë « Ministër i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës », shoku Wang Jiarui të shprehej se « .. është një mik i vendit tonë dhe se sheh një Shqipëri mjaft të zhvilluar nën lidershipin e kryeministrit Berisha dhe reformat e qeverisë së tij, veçanërisht në fushën ekonomike, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera » që Kryeministri Berisha të theksonte se « .. dy partitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale në vendet e tyre, ndaj bashkëpunimi dhe angazhimi i ndërsjellë mes tyre do të njohë progres të vazhdueshëm dhe lidhje të forta nga të gjitha strukturat e tyre ». .
. M’u desh t’a lexoja disa herë këtë frazë për të zbuluar kuptimin e saj të brendshëm – dhe për të imagjinuar ato lidhjet e forta mes strukturave partiake të PKK dhe PDSH. Aq sa për një çast mendova se bëhej fjalë për një remineshencë, për një vegim të viteve 70’ të shekullit të kaluar, për një shkëmbim frazash standard mes sekretarësh të Komiteteve Qëndrorë përkatës që ngrinin dolli mbi miqësinë vëllazërore mes dy partive, dy popujve dhe dy vendeve miq, që Historia i kish vënë në të njejtën llogore të luftës kundër imperializmit dhe revizionizmit. Por, mjaftoi prezenca e Bushit dhe e Putinit krahas Berishës në atdheun e të ndjerit Mao që të zbrisja në tokë – dhe të zgjohesha në ditën e çeljes së Lojrave Olimpike. .
. Sidoqoftë, mbetej ende vegimi i shokut Enver, i cili nga njëra anë përshëndeste kontributin e pashoq të Timonierit të Madh të Revolucionit Kulturor dhe nga ana tjetër shkruante në ditarin e tij politik të « Shënimeve për Kinën » se Mao s’kish të bënte hiç me klasikët e marksizmit pasi ai ishte një revizionist i fëlliqur, një tradhëtar i çështjes komuniste. Ndoshta pas disa vitesh do të kem rastin të lexoj ditarin politik të shokut Berisha për të kuptuar se ç’mendonte ai në të vërtetë këtë ditë, ndërkohë që shprehte dëshirën e zjarrtë për të pritur Kryeministrin e Kinës, zotin Wen Jiabao në Shqipëri.
.
. * * *
.
.
. I pështirosur nga këto çfaqje të hipokrizisë politike, vendosa t’i kushtohem spektaklit madhështor sportiv. Doja të harroja ata që s’kanë të bëjnë fare me sportin por që përfitojnë nga ky i fundit për të « të ftuar investitorët kinezë të investojnë në Shqipëri për të shfrytëzuar potencialet e pashtershme natyrore, duke garantuar se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe lehtësojnë iniciativat e tyre ». Doja të harroja gjithashtu se janë po këta politikanë që shkruajnë në Hyrje të Kushtetutës së tyre fjalë të bukura dhe shpresëndjellëse lidhur me « .. të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor ». .
. E kqyra pra këtë spektakël deri sa pashë në ekran parakalimin e delegacionit amerikan, me flamurtarin e tyre aq domethënës. Dhe pikërisht, u bë sebep sudanezi flamurmbajtës, amerikani nga Darfuri, të vinte mendimi i rrufeshëm : .
. Sa është e vërtetë që këta investitorët kinezë shkojnë aty ku ka pasuri minerare apo të tjera të llojit, aq është e vërtetë se përderisa s’kanë ardhur deri më sot, ata s’kanë nuhatur asgjë interesante për të zhvatur. Për me tepër në Shqipëri që e njohin si xhepin e tyre. Pra, as kanë për të ardhur kurrë. Përndryshe, ata ngulen dhe nuk shqiten më, si në Sudan. Dhe as që ju bëhet vonë në se vendasit ngordhin urie ose masakrojnë njeri tjetrin. Si t’ju vijë keq për të tjerët, kur s’u bëhet vonë për vetë kinezët ?

5 comments:

edrus said...

Hipokrizia e botës moderne shkon përtej bojkotimit ose jo të Olimpjadës, ju përmëndnit moton e Olimpjadës: "Më shpejt, më lart, më larg" dhe duhet të kishit kujtuar edhe atë traditë që edhe "barbarët" e lashtësisë e respektonin: Në periudhën e Lojërave Olimpike, ndërpriteshin edhe luftërat.

Ndërsa sot, ndërkohë që zhvillohej ceremonia e hapjes së Olimpjadës, jo vetëm që vatra luftërash kudo në botë nuk "ndaluan", por një tjetër vatër lufte u ndez në Gjeorgji.

Personalisht nuk do preferoja asnjë lloj bojkotimi, sepse besoj që sporti ka atë aftësinë që të afrojë popujt (domethënës përqafimi i atletes gjeorgjiane dhe asaj ruse në podin e medaljeve të qitjes... ashtu siç qe po aq e turpëshme, nëse është e vërtetë, që notatori iranian u tërhoq nga gara se në po atë pishinë do të garonte edhe një izraelian).
P.s: Përsa i përket bojkotimit të lojërave dhe hipokrizisë që thoja në fillim: ndërkohë që zhvilloheshin debatet "bojkot/non bojkot", bota "e qytetëruar" i caktonte organizimin për Expo 2010.... SHANGAIT :(

Anonymous said...

Bert, really :)

Anonymous said...

Could be the most interesting topic that I have read this year :)

-Sincere Regards,
Diane

Anonymous said...

I just added your website on my blogroll. I may come back later on to check out updates. Excellent information!

Anonymous said...

Really great article with very interesting information. You might want to follow up to this topic!?! 2011

 
Përjetësisht të Panjohur