.

. Plani Ahtisari është një kompromis i cili ju ofron Shqiptarëve të Kosovës perspektivën e pavarësisë, serbëve të Kosovës të drejta të zgjeruara, një siguri dhe marrëdhënie të privilegjuara me Serbinë dhe së fundi, vetë Serbisë shansin për të lënë pas të kaluarën e saj si dhe realizimin e të ardhmes së saj evropiane. Është formula më e mirë për të krijuar një shoqëri shumëetnike, demokratike dhe e shpërqëndruar dhe përputhet me projektet shumëetnike të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit perëndimor, të cilit përfundimisht i ofron perspektivën e bashkimit (shënimi 2).
.
. Le të shohim nga afër elementët e këtij kompromisi. Me qëllim që shqiptarët e Kosovës të mund të përfitonin pavarësinë e kushtëzuar, ata pranuan rishikimin e hartës së sotme të komunave – 38 në vend të 30 të trashëguara. Pra, krijimin e 8 komunave të reja serbe, në kurriz të egzistueseve. Këto komuna përfitonin kompetenca të zgjeruara ndaj pushtetit qendror – paketa të qenësishme ndihmash dhe subvencionesh për të financuar projekte lokale në pavarësi të plotë, pushtet egzekutiv të zgjeruar lidhur me ndjekjen e një politike kulturore ose shëndetësore të vetën, një kontroll thuaj të plotë mbi policinë lokale, përbërja e të cilës duhet të pasqyronte përbërjen etnike të komunës. Për më tepër, këto komuna përfitojnë nga lidhje të
përforcuara mes njera tjetrës si edhe nga ndihma e drejpërdrejtë e qeverisë serbe. Këto « bantustane serbe » brenda një Kosove të pavarur përforcohen nga krijimi i zonave të mbrojtjes rreth e qark objekteve të Kishës Ortodokse serbe, e cila përfiton njëkohësisht edhe nga prerogativa të gjera lidhur me pronat e saj. Mbrojtja e kësaj « shoqërie shumëetnike » duhet të sigurohet nga një prezencë e qënësishme civile dhe ushtarake ndërkombëtare sikundër dhe nga adoptimi i një ligjshmërie adekuate që përcakton njëherësh, një rritje të përfaqsimit të pakicave në Parlament dhe rregullave të votimit « me shumicë të dyfishtë », lidhur me çështjet që i takojnë pakicave.
.

. Vizioni i ri evropian lidhur me Ballkanin perëndimor, i përpunuar me rastin e Kosovës « së pavarur », paraqet sidoqoftë disa probleme, mes të cilëve i pari i takon padyshim përcaktimit të « shoqërisë shumëetnike ». Cilat duhet të jenë raportet mes shumicës dhe pakicave që një shoqëri mund të meritojë etiketën « shumëetnike » ? Sigurisht jo në raportin 9 me 1 sikundër është rasti i Kosovës së sotme pasi vetëm ky fakt do të detyronte Shqipërinë fqinje të rishikonte me themel ligjshmërinë e saj për të ngritur gjuhën greke në rangun e gjuhës zyrtare. Çfarë duhet të themi më tej lidhur me Maqedoninë dhe « pakicën » e saj shqiptare ? Zaten, përse projektet shumëetnike evropiane duhet të zbatohen vetëm në Ballkanin perëndimor dhe jo gjetkë ? Sepse Kosova përbën veçse një rast ndërmjet shumë të tjerësh – Rumania dhe Sllovenia me pakicat e tyre hungareze, Spanja me bashkësitë e saj autonome katalane ose baske…
.

. - Si mund të sigurohemi ndryshe që kjo « demokraci e porsalindur » kosovare të mund t’i kundërvihet një vizioni monoetnik të shoqërisë dhe të ligjërojë qënien e pakicave etnike ?
.
. - Si mund të detyrohet kjo demokraci të repektojë të drejtat e tyre themelore – pjesëmarrjen në sferën e punës, të arsimimit, të mjekimeve shëndetsore, të shërbimeve publike, që ajo të rregullojë dhe të ndajë në mënyrë të drejtë hapësirën politike dhe insitucionale sipas kritereve të barazvlerëshme të mbështetura mbi raportet demografike ?
.
. E parë nga Evropa, kjo gjë realizohet nëpërmjet përforcimit të karakterit shumëetnik të shoqërisë ose nëpërmjet institucionalizimit të diferencave, mbivendosjen e tyre ndaj shoqërisë si përbërëse kushtetore ose përfundimisht nëpërmjet krijimit të një mjedisi shumëgjuhësh që konsiderohet si përçapje qytetare. Vetëm se, duke bërë këtë, demokracia pjesëmarrëse e bashkëjetesës sipas parimit « të barazisë të të drejtave » i le vendin federalizmit demokratik të botëve etnike të mbyllura dhe të izoluara, të karakterizuar nga « të drejta asimetrike ». Çfarë lloj shteti do të jetë kështu Kosova e ardhshme ? Ndoshta një shtet shumëetnik, bile edhe qytetar, por sigurisht jo një Komb-Shtet, i cili është rrënjosur prej kohësh në mënyrë të qëndrueshme në tokat ballkanike – pasi i përgjigjet një dëshire të përgjithshme të popullatës sikundër dhe një imazhi të shkruar në historinë e gadishullit. Mjafton t’i referohemi konceptit të Shtetit kombëtar, të kqyrur nën lupën e historianit Paul Garde (shënimi 3), një nga specialistët e rajonit. I përmendur si një përpjekje që synon përputhjen mes një kombi dhe Shtetit të tij, ky i fundit paraqitet në dy nën-tipe të cilët dallohen sipas rendit kronologjik të çfaqjes së këtyre tërësive :
.
. - Shteti-komb (krijimi i Shtetit paraprin krijimin e kombit) shembulli më i mirë i të cilit ndoshta jepet nga modeli francez i shtetit. Ai bazohet mbi pëlqimin e qytetarëve të tij për të krijuar një komb të vetëm dhe unik, i frymëzuar nga një bashkësi interesash, nga « vullneti për të jetuar së bashku »,
.
. - kombi-Shtet (kombi është çfaqur përpara Shtetit), shembulli klasik i të cilit përfaqsohet nga modeli gjerman. Në rastin e fundit, kombi, i krijuar mbi bazën e një grupimi gjuhësor dhe kulturor « natyror », e ka të vështirë që të përputhë kufijtë e Shtetit me shtrirjen e kombit.
. Një nga fushat ku këto modele kundërshtojnë njëri tjetrin nëpërmjet qëndrimeve dhe sjelljeve të ndryshme, është pikërisht ai i pakicave etnike. Ndërkohë që Shteti-komb nuk do të pranojë dhe të njohë egzistencën e pakicave të tilla pasi, sipas përkufizimit, ato nuk egzistojnë, aq më tepër që asnjë element i natyrës kushtetuese ose ligjore nuk mund të verë ballë përballë shumicën dhe pakicën – as gjuha, as kultura dhe aq më pak interesat, kombi-Shtet, meqënëse njeh shprehimisht egzistencën e tyre, duhet të veprojë për të krijuar dhe vendosur një konsensus mes shumicës dhe pakicës(ave), të ndërtojë marrëdhënie të besimit të mbështetura mbi ligjin, ku të respektohen diferencat dhe divergjencat e pikpamjeve.
.
. Së fundi mbetet një çështje tjetër që nuk lejon as iluzionin më të vogël – çmimi i pavarësisë. Askush nuk mund të mohojë – aq më pak kosovarët – që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa e Bashkuar investuan kapitalet, teknologjinë dhe forcën e tyre njerëzore (civile dhe
ushtarake) me qëllim që pavarësia e kësaj ish-krahine jugosllave e banuar nga një shumicë shqiptare, sa e vuajtur dhe e nëpërkembur po aq edhe e papërfillshme në nivelin kontinental, të shohë dritën e diellit. E thënë ndryshe – bile disi vrazhdë - kjo pavarësi kaq e dëshëruar nuk u fitua thjesht « në vend » dhe « vetëm » me forcat e veta. Për një varg arsyesh, ajo tashmë bën pjesë në projektet ndërkombëtare dhe si çdo projekt tjetër, ai ka një kosto. Sipas rradhës, kjo kosto mund të quhet kantonizim që përçan unitarizmin, lidhje të shumëfishta të pjesëve të saj përbërëse me vendin e vjetër kujdestar që skëlfit pandashmërinë, thyerje etnike që dëmton integritetin territorial, shpërqëndrim diferencial që prek sovranitetin. Kjo pavarësi është e mundur vetëm falë mirëkuptimit për të mos thënë nënshtrimit : ai i palës shqiptare, që e vlerëson njëkohësisht si një rast unikal dhe një fitore maksimale – një vështrim i përforcuar nga shkalla egzistuese e pjekurisë së klasës së saj politike ; ai i serbëve të Kosovës, që e masin si një hapje që i përgjigjet rrethanave dhe si një të drejtë minimale – një gjykim i mbështetur nga qëndrimi thellësisht armiqësor i Beogradit.
.

. Deri në prag të pavarësisë, pengesa më e madhe për t’u kapërcyer në terrenin praktik ishte vetoja ruse. Dhe jo rastësisht, pasi pranimi i propozimit më thelbësor të Planit – pavarësia e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare (shënimi 4) - kalonte nëpërmjet këputjes së lidhjeve të vjetra që bashkonin krahinën me Serbinë, ose e thënë ndryshe nëpërmjet shfuqizimit të Rezolutës 1244. Në praktikë kjo pengesë u anashkalua nëpërmjet shpalljes « të njëanshme » të Pavarësisë nga ana e Prishtinës, të bashkërenduar me njohjen e menjëhershme të saj nga një grup vendesh perëndimore – të njejtat (ose thuaj të njejtat) që ndërmorrën barrën e luftës kundër Serbisë së Millosheviçit në vitin 1999. I vetmi konsensus që mundi të bashkojë iniciatorët e këtij veprimi përmblidhet nga shprehja aq e goditur se « Kosova është një rast i pahasur ndonjëherë dhe si i tillë, ai kërkon një zgjidhje të pahasur ndonjëherë ».
.
. Nëqoftëse shqetësimi i administratorëve OKBjanë është i kuptueshëm dhe i prekshëm – për të mos krijuar një precedent lidhur me konflikte të tjera ende të pazgjidhura – në rrafshin lokal, ky përkufizim kujton pashmangshmërisht një të ashtuquajturin « përjashtim shqiptar » që shoqëron në mënyrë të qëndrueshme historinë e kombit.
.
.
. * * *
.

. 1. partia « historike » e LDK, prezente e orëve të para në skenën politike të krahinës, humbi
hegjemoninë e saj legjendare. Kush mund të parashikonte në vitin 2004 këtë përmbysje politike gjatë zgjedhjeve të ardhshme ? Në të vërtetë, shenjat e kësaj përmbysjeje nuk mungonin dhe ndoshta e fundit ishte « hemorragjia » dardane e z. Daci. Grindja e demokratëve të Lidhjes së vjetër lidhur me trashëgiminë e të ndjerit Kryetar që çoi deri në shqyerje të brendshme (nuk e di përse por kjo ndarje hasmërore më rikujton një tjetër – atë të socialistëve safi të Nanos dhe socialistëve integrues-përçarës të Metës), është një nga shkaqet e disfatës por ndoshta jo i vetmi. Shkaqet e tjera ndoshta duhen kërkuar në sklerozimin e strukturave të bazës, në zhdukjen drejt horizontit të pasurisë dhe të prosperitetit të shefave dhe zhytjen në dëshpërimin e thellë të përditshëm të antarëve të saj, në mosvlerësimin e realitetit të ri politik të krahinës që vibron me ritmin e pavarësisë së shumëpritur… Pra, pas 10 vjetësh që prej fillimit të « betejës së Kosovës », LDK detyrohet të lëshojë pushtetin, pozitën dominuese dhe ç’është më e rëndësishmja, humbi edhe shansin historik të shkruajë emrin në panteonin e Kombit si nënshkruesja e parë e Aktit të Pavarësisë.
.


. Edhe vështrimi më i përciptë i rezultateve të fundit mjafton për t’u bindur se fitorja aq e përshëndetur e PDK, i dedikohej më tepër fundosjes së antagonistes së saj LDK se sa ngadhënjimit të ideve politike të z. Thaqi. Ndërkohë që Lidhja e vjetër humbiste 186.800 mbështetës (nga të cilët mendohet se 57.000 ju bashkëngjitën Lidhjes Dardane), Partia demokratike rriste kapitalin e saj elektoral vetëm me 30.000 votues gjatë këtyre tre vjetëve. Përfundimisht, PDK mundi të fitonte këto zgjedhje nëpërmjet mobilizimit të 196.200 zgjedhësve që i besuan votën – pra, diçka më pak se 12,5% të numrit të përgjithshëm të të rregjistruarve në listat elektorale. Pa dashur të ngjallim debat lidhur mbi legjitimitetin të një pushteti të tillë – debat i cili implikon bashkësinë e partive dhe subjekteve politike të Kosovës, nuk mund të anashkalohet një tjetër problematikë, ajo e identifikimit të elektoratit kosovar me programin e « pakicës politike » PDK bile dhe më tej, ajo e popullsisë së pjekur dhe të mençur kosovare me praktikën administruese të koalicionit qeveritar, të udhëhequr nga Thaqi.
.
. 3. përgjatë një dhjetëvjeçari, zgjedhësi kosovar ka ndrruar rrënjësisht si profilin politik ashtu edhe vizionin e botës politike. Nga një ndjekës i pakushtëzuar i politikës të Rugovës dhe ithtar i
strukturave paralele, ai u bë një partizan i rezistencës së armatosur të UÇK dhe mbështetës i strukturave ushtarako-ilegale dhe përfundoi në një konsumator të politikës paqësuese të UNMIK-ut dhe një spektator të ndeshjes publike mes politikanëve të djeshëm dhe të sotëm. Troç, koha dhe rrethanat e detyruan të flakë tej militantizmin e tij « paqësor » për t’i besuar fatin e tij ushtarakëve çlirimtarë të krahinës, me shpresë se me shporrjen e « sunduesit serb », ai do të përjetonte edhe fundin e halleve të tij të përjetshme. Por, praktika dhe realiteti i mësuan se projekti shumëformësh dhe shumëzërash që çon drejt Pavarësisë së ëndërruar dhe të shumëpritur nuk përmban forcërisht në mekanikën e tij të ndërlikuar, elementë qenësorë të natyrës individuale ose shoqërore si për shembull, emancipimin e tij politik, mirëqenien e tij materiale dhe aq më pak, barazinë përpara Ligjit, mbrojtjen shoqërore, edukimin dhe formimin me vlera qytetare..
.

. Me fjalë të tjera, lufta për vetvendosje dhe çlirim kombëtar, nëpërmjet sublimimit të fateve individuale dhe përmasës së saj vetësakrifikuese – nëpërmjet simbolikës mitologjike të Kombit dhe të Atdheut – zotëron aftësinë e maskimit dhe të zbehjes të kontradiktave të natyrës pasurore mes klasave, shtresave dhe grupeve shoqërore, të konfliktit të interesave mes individëve. Në të kundërt, zhdukja e kontradiktës kombëtare dhe etnike, nëpërmjet formimit të Shtetit « të pavarur » dhe ngritjes të strukturave të tij administrative, nxjerr në plan të parë ndeshjen mes forcave politike « indigjene », mes subjekteve elektoralë vendase. Në se objekti i kësaj ndeshjeje është pikërisht pushteti dhe ushtrimi i autoritetit qeverisës, qëllimi i vetëm i saj mbetet venia nën kontroll e pasurive kombëtare, e burimeve materiale si dhe rishpërndarja e tyre, në dobi të grupit të klanit, të shtresës, shprehje e koncentruar e të cilit mbetet përjashtimisht forca politike.
.

.
.
. * * *
.
. Entuziazmi legjitim ndaj shpalljes së Pavarësisë si dhe përpjekja e zhurmshme e klasës politike vendase për të siguruar njohjen ndërkombëtare të Shtetit të ri, shërben si një mjet i përshtatshëm për t’ju vjedhur një pyetjeje tjetër fort të bezdisshme, lidhur me formën e shoqërisë që duhet ndërtuar në Kosovë.
.
. Ndërkohë, kjo shoqëri në kërkim të pikave të orientimit është bërë pre e forcave konkurruese që synojnë pushtetin. Mjafton të bëhet një bilanc qoftë edhe i pjesshëm i këtyre forcave dhe grupeve të armatosura që veprojnë në vend : nën emërtimin polici, krahas asaj zyrtare të UNMIK-ut (së shpejti ajo e ESDP-së), vepron ajo ushtarake e KFOR-it, policia civile e KPS, ajo gjysëm-klandestinja e TMK dhe së fundi ilegalja SRG e serbëve të veriut të krahinës. Nën emërtimi ushtri, përveç ndërkombëtares KFOR (që pritet të zëvëndësohet nga ajo e IMP), çfaqet monoetnikja TMK, e lavdishmja US Force – e strehuar në bazën e saj Bondsteel, sikundër dhe misteriozja AKSH. Një mafia e plotfuqishme – që lidh e bashkon pa asnjë problem kosovarë dhe shqiptarë, serbë dhe malazezë – mbush hapësirën e ngushtë që mbetet bosh. E treguar me gisht për ato lidhjet që ajo mban dhe ushqen me mjediset politike, ky polip shumëkombësh kontrollon një varg trafiqesh përfitimsjellëse (drogë, armë, cigare, qënie njerëzore), mbledh shuma të konsiderueshme të hollash nëpërmjet ushtrimit të shantazhit dhe frikësimit mbi mjediset tregëtare dhe administron sektorë të tërë të ekonomisë të dukshme dhe të padukshme të krahinës (shpërndarje e karburantit, transport, ndërtimtari, prostitucion…).
.
. Mjafton të kqyret ekonomia e Kosovës për të krijuar një përshtypje të përgjithshme të të gjithë dilemave që shqetësojnë këtë vend : megjithë një nivel rritjeje pozitiv, karakteristike e të gjithë ekonomive pas-konfliktuale – si rrjedhojë e injektimit të shumave të konsiderueshme të
asistencës të huaj (2,3 miliardë euro gjatë gjashtë vjetëve të para), perspektivat e saj mbeten të paqarta. I shtyrë nga opinioni publik kosovar, nga të zgjedhurit lokalë dhe forcat politike, UNMIK-u mblodhi specialistët e tij të të drejtës ndërkombëtare dhe ekspertët e tij ekonomikë për të përgatitur kornizën ligjore dhe kushtet materiale të një privatizimi masiv të atyre 500 ndërmarrjeve publike (shënimi 5), dikur pronësi e Shtetit jugosllav. Me këtë rast, një Agjensi e privatizimit - Kosovo Trust Agency (KTA) – e vendosur nën mbikqyrjen evropiane, u ngarkua të organizojë ankandet publike për shitjen e këtyre pronave. Menjëherë u çfaqën vështirësi të tejskajshme, bile përpara se të fillojë ky proces : mes Shtetit serb - i cili provoi të drejtat si dhe titujt e pronësisë mbi këto objekte ndërkohë që kërkonte shlyerjen e borxhit të akumuluar prej ndërmarrjeve kosovare, mes kompanive të huaja që kërkonin marrjen nën zotërim të pronave të tyre në Kosovë – të blera gjatë kohës së Millosheviçit, të të porsaardhurve në tregun e privatizimit që kishin përfituar nga zemërgjerësia e vetë UNMIK-ut – si për shembull kompania Alkatel, dhe së fundi të drejtuesve ekonomikë shqiptarë – që kërkojnë të blejnë ndërmarrjet e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Organizmave ndërkombëtarë ju desh të luanin rolin e xhandarit dhe të gjykatësit, të drejtuesit të ankandit dhe të ndërmjetësit me qëllim që të shtynin përpara një proces që bën hapa në vend dhe që deri pak muaj më parë varej sikundër çdo gjë tjetër në Kosovë, nga statusi përfundimtar. Në këtë kuadër, mund të ngrihet gjithmonë pyetja : kujt i përket në të vërtetë Kosova ?
.

. Duke pritur ardhjen e pronarit të vërtetë, tabloja e ofruar nga ekonomia kombëtare mbetet tepër e errët. Mjafton të thuhet se niveli i papunësisë është rreth 60% dhe që projektimet për të ardhmen nuk parashikojnë përmirësim, që të ardhurat vjetore pro capita janë diku rreth 1.565 dollarë – më të ultat e rajonit dhe që rreth 12% e popullsisë jeton në kushtet e një varfërie të tejskajshme ; që këto të ardhura vijnë kryesisht nga buxheti i krahinës pasi rrogëtarët e sektorit publik janë legjion (68.000 vetë) dhe që së fundi, eksportet janë të papërfillshme (vetëm 4% të importeve). Aktualisht, kjo ekonomi mbahet më këmbë falë ndihmave dhe shpenzimeve të kryera nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, qoftë në planin stukturor qoftë dhe në atë administrativ ose ushtarak, pa harruar si zakonisht transferimet masive të devizave nga ana e emigrantëve – 1,2 miliardë DM, ose 40% të PPB, në vitin 2001.
.
. Megjithatë, më optimistët mes vrojtuesve nënvizojnë se potenciali bujqësor i krahinës është i konsiderueshëm, se minierat janë rentable, se sektori i energjisë mbetet i hapur, se bashkëpunimi me fqinjët do të hapë perspektiva të mëdha… ;
. në fund të fundit, Kosova nuk është më pak e pajisur me një potencial ekonomik vital se sa Sllovenia ose Maqedonia, numri i banorëve të të cilave eshtë i krahasueshëm me atë të saj (shënimi 6). Le të shpresojmë… Ndërkohë, më pesimisti mund të përmendë shembullin e një tjetër vendi fqinjë, Shqipërisë që megjithëse nuk është rënduar nga barra e përcaktimit të ndonjë farë statusi, ende nuk ka mundur të ngrihet nga pista e fluturimit qoftë dhe pas 15 vjet ushtrimi të pushtetit demokratik dhe të veprimit të ekonomisë së tregut.
.

.
. Përsa i përket industrisë, ajo ka vuajtur për një kohë tepër të gjatë peripecitë e një politike të
diktuar nga Beogradi, duke humbur në këtë mënyrë lidhjet organike me ekonominë lokale, ndërkohë që viktima kryesore ka qënë mjedisi rrethues, shkalla e ndotjes të të cilit mbetet ende të përcaktohet. Më tepër se një lifting, sektori industrial dhe energjetik ka nevojë për investime masive, për një rimëkëmbje rrënjësore teknologjike dhe për një përgatitje të thelluar të kuadrove dhe të forcës puntore, të cilat vetëm grupet e mëdha industriale ndërkombëtare mund t’ja sigurojnë. Duke pritur këto investime hipotetike, një pjesë e investitorëve lokalë është orientuar në mënyrë të pashmangshme drejt prodhimit të një game produktesh të konsumit të përditshëm, ndërkohë që masa më e madhe e operacioneve financiare prek ekonominë « spekullative » siç është rasti i ndërtimtarisë, tregëtisë dhe shërbimet.

.
. ----------------------------------
.
.
. (1) Këto Dispozita trajtojnë : 1) Ligjet Kushtetore ; 2) të Drejtat e Pakicave dhe të antarëve të tyre ; 3) Shpërqëndrimi ; 4) Sistemi Gjyqësor ; 5) Trashëgimia Kulturore dhe Fetare ; 6) Borxhi i Jashtëm ; 7) Pronat dhe Arkivat ; 8) Sekroti i Sigurimit në Kosovë ; 9) Përfaqsuesi i ardhshëm Civil Ndërkombëtar ; 10) Misioni i Sigurimit Evropian dhe politika e mbrojtjes ; 11) Prezenca Ushtarake Ndërkombëtare ; 12) Agjenda e zgjedhjeve. Shih : www.unosek.org/docref/ Comprehensive_proposal-english.pdf.
.
. (2) International Crisis Group – Kosovo: no good alternatives to the Ahtisaari plan. Europe Reports N° 182, mai 2007.
.
. (3) Shih : Paul GARDE – Fin de siècle dans les Balkans, Ed. Odile Jacob, Paris 2001.
.
. (4) Mbikqyrja ndërkombëtare nënkupton një ripërcaktim të mandatit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë : Përfaqësia Civile Ndërkombëtare (ICR), Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), Misioni i Bashkimit Evropian për politikën e sigurimit dhe të Mbrojtjes (ESDP), prezenca Ushtarake Ndërkombëtare (IMP) dhe Grupi Ndërkombëtar i Pilotazhit (ISG).
.
. (5) Këto vende i pêrkasin respektivisht : Turqit demokratë të KDTP – 3, Ashkanlinjtë e PDAK – 3, Koalicioni i boshnjakëve VACAT – 3, Indipendentët liberalë serbë të SLS – 3, Partia demokratike serbe e Kosovo-Metohosë SDSKiM – 3, partia e Aksionit demokratik të boshnjakëve SDA - 2, Partia serbe e popullit SNS – 1, Nova Demokratija e Serbëve – 1, Iniciativa qytetare e goranëve GIG – 1, partia serbe e Kosovo-Metohisë SKMS – 1, Iniciativa e re demokratike e Romëve IRDK – 1, Bashkimi i Socialdemokratëve të Pavarur të Kosovo-Metohisë SNSKiM – 1, Romët e bashkuar të Kosovës PREBK – 1).
.
. (6) Këto ndërmarrje të trashëguara nga epoka e Titos i përkasin që të gjitha fushës të « pasurisë shoqërore ». Të gjitha shoqëritë e mëdha (193) i përkasin ose shtetit serb ose Fondit të Republikës për Zhvillim ose së fundi, personave privatë serbë. Në lidhje me mbetjen, bëhet fjalë për ndërmarrje të përmasave të mesme dhe kryesisht të vogla që janë të varura nga ndërmarrjet e tjera të ish-Jugosllavisë për shkak të ndihmës për zhvillim, e dhënë krahinës së Kosovës gjatë egzistencës së Federatës.
.
. (7) Serge METAIS – ibidem.
0 comments:
Post a Comment