"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, August 30, 2008

Na ishte njëherë (që mos qoftë) - Një përvjetor.

.
.
.
.
. Pas pak ditësh do të festojmë përvjetorin e tretë të ngjitjes së z. Berisha në fronin e Kryeministrit të Shqipërisë. Për ata që kanë harruar, le të kujtojmë se pikërisht në 1 shtator 2005, ose dy muaj më vonë nga mbajtja e zgjedhjeve legjislative (3 korrik), parlamenti shqiptar mundi të shfaqë fytyrën e tij të re : partia Demokratike paraqiti 56 deputetë (40% të vendeve të parlamentit) ndërkohë që rivali i saj PS që detyrohej të braktiste pushtetin mund të mbështetej në ata 42 deputetët e saj (30%). Për të realizuar qeverisjen, Berishës ju desh të mbështetej në aleancat natyrore me qendrën e djathtë – ALDM – që grumbullonte 18 vende. Kjo gjë i siguroi shumicën në parlament me 74 vende, ose 53,2%, si edhe krijimin e qeverisë së tij të parë, pas 8 vjetësh në opozitë. .
. Pra, tashmë tre vjet në pushtet. Tre vjet shumë të suksesshëm, bile të jashtëzakonshëm në arritje dhe rezultate – po të dëgjojmë militantët e PD dhe ithtarët e tij të sotëm të shumtë. Tre vjet të tepërt, të kotë (dhe sidomos të pafund) – sipas mendimit të socialistëve dhe opozitarëve të tjerë që sikundër kuajt, hanë frerin me dhëmbë duke pritur ata muaj që kanë mbetur, deri në zgjedhjet e ardhshme. .
. Kësaj rradhe, nuk kam ndër mend të bëj bilancin e qeverisë pasi zgjedhjet ende janë disi larg dhe formacionet politike sapo kanë filluar të vihen në rreshtim beteje. Koha ndoshta nuk pret për politikanët, por unë nuk jam i tillë. Pra, këtë analizë e kam lënë për më vonë… Aq më tepër se prognoza për fituesin e ardhshëm nuk ka nevojë për një analizë të thellë. Edhe pa qenë fallxhor për të paraparë të ardhmen në një glob kristali – ose analist për të zhongluar me parametrat makroekonomikë - mund të thuash pa asnjë ngurrim që ai do të jetë njeri prej dy antagonistëve të « përjetshëm » të skenës politike të tranzicionit : ose pozita e sotme ose opozita. .
. Vetëm se, si PD ashtu edhe PS nuk arrijnë të mbledhin më shumë se 33 – 34% të elektoratit sejcila. Ky elektorat që prej vitesh respekton skemën : 1/3 – 1/3 – 1/3 (një e treta e fundit përfaqson të gjithë të tjerët). Sipas gjasave, në arenë do të zbresin e djathta e bashkuar kundër të majtës së përçarë. Aq më tepër që sipas rregullave të reja elektorale, të dy kampet kanë interes të federojnë brenda familjes së tyre për të paraqitur dy skuadra përfaqsuese në një ndeshje, rezultati i të cilës do të përcaktohet nga sjellja e arbitrit Meta. .
. Në se fituesja do të jetë skuadra blu, edhe toni edhe akordi bazë i muzikës janë të njohur – për katër vjet të tjera, kapiteni Berisha do të jetë « pjestar » i pandarë, guidë-konferencier i përditshëm i familjeve shqiptare , shumica e të cilave e kqyrin dhe e matin botën rrethuese nëpërmjet ekranit të vogël…
.
.
. Po sikur të jetë skuadra rozë ? Dy elementë më detyrojnë të moderoj këtë hipotezë : .
.
. - periudha e « konsumimit moral » të pozitës. Që nga ai vit i largët 1992 kur Davidi demokrat me tiparet engjëllore të Berishës shtriu në tokë me hobenë e grevave të përgjithshme Goliatin komunist (i cili para se të jepte shpirt lindi foshnjën PS, të quajtur Nano), çdo pushtet në fuqi ka rezistuar dy legjislatura, përpara se t’i lerë dorën tjetrit. Edhe në mos i ka përfunduar, të paktën i ka filluar, pasi është zgjedhur dy herë rresht. Ishte rasti i çiftit demokrat Berisha-Meksi, që për shkaqe që dihen u detyrua të lerë skenën para kohe në vitin 1997. Ishte gjithashtu rasti i trios Nano-Majko-Meta që rezistoi plot tetë vjet, deri në vitin 2005. Jamais deux sans trois – thonë francezët. E adoptuar në rastin tonë, do të përkthehej : derisa bënë vaki dy raste, përse jo edhe i treti ? .
. Me të vërtetë, ç’farë i mungon Berishës për një legjislaturë bis ?
. Së pari, vështirë të gjykohen rezultatet e një qeverie gjatë një periudhe të tillë trevjeçare (po cili është ai që arrin të shohë kjartë mes asaj rrumpalle të quajtur ekonomi shqiptare ?) ;
. Së dyti, përvoja ka treguar se kjo periudhë e konsumit moral përcaktohet nga momenti i mbushjes së kupës së durimit të atyre që vendosin mbi jetëgjatësinë e burrave të shtetit shqiptar. Në rasti tonë, të administratës amerikane. Kështu ndodhi me Presidentin Klinton ndaj kryeneçësisë vrastare të Berishës, në prag të shpërthimit popullor të 1997 ; kështu ndodhi edhe me Presidentin Bush ndaj përmutjes korruptuese të Nanos në vitin 2005. Kësaj rradhe duket se Berishës i prin fati, pasi zgjedhjet e tij të reja do të kalojnë pa u marrë vesh mes gjullurdisë zgjedhore amerikane. Në se një ditë prej ditësh, Presidenti i Ri Obama (po qe se do të zgjidhet) do të fshijë buzëqeshjen e tij simpatike nga fytyra e zezë, për të treguar dhëmbët e tij të bardhë, ndërkohë Kryeministri i ri i Shqipërisë ka përfunduar vitin e tij të parë të legjislaturës së dytë. .
.
. - shkalla e « pjekurisë politike » të vetë opozitës, e shprehur me nivelin e agresivitetit të saj ndaj pushtetit në fuqi, dhe e matur me vështirësitë që ajo i krijon këtij të fundit, në prag të çeljes së fushatës së zgjedhjeve. Gjatë periudhës trevjeçare në fjalë, bota socialiste është e dominuar nga fenomeni Rama. Një personalitet sa i spikatur aq edhe i përfolur, në një mjedis thuaj shterpë nga pikpamja e ideve novatore, si ai socialist. Ndoshta egziston një metodë Rama, një dinamikë Rama - bile edhe një konsensus Rama, apo një diktat Rama. Por, personalisht, nuk shoh asnjë gjurmë të politikës Rama, të mendimit përbashkues Rama, sipas filozofisë shoqërore socialiste. Pasi, së pari, socializmi është një përmbajtje e natyrës sociale, përpara se të jetë një praktikë ekonomike – ose një administrim bashkiak. Ndoshta, pasi idili mes vetë Ramës dhe socializmit është një dukuri e vonët dhe rrethanore, një mjet i përshtatshëm për të prekur pushtetin (dhe të tjera sfera që gravitojnë rreth tij).
. Të qënit në opozitë – qoftë edhe për tre vjet – nuk përmblidhet vetëm me faktin e të paturit dëshirë të vish në pushtet, por para së gjithash, nga të përgatiturit e kushteve të marrjes së këtij pushteti dhe të mobilizimit të mjeteve për të realizuar këtë qëllim. Një opozitë si ajo e socialistëve të Ramës mund të meritojë të gjitha epitetet – e sjellshme, e përmbajtur, konstruktive, bashkëpunuese, kritikuese (me masë), diskutuese – bile edhe karagjoze dhe zbavitëse. Por kurrsesi luftarake, detyruese, shtrënguese, bllokuese, penguese, e bezdisshme…
. Mjafton të kqyren raste të tilla « të arta » si puna e Gërdecit, e skandaleve politiko-financiare të antarëve të qeverisë Berisha, të tejkalimit të kompetencave dhe të ndërhyrjes të pushtetit egzekutiv në sferat e atij legjislativ dhe gjyqësor…. .
. Marrja e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare është një moment i rrallë, që vjen një herë në katër vjet, dhe si i tillë nuk mund dhe nuk duhet shpërdoruar. Ajo kryhet dhe vendoset kohë përpara datës së zgjedhjeve dhe nuk i mund t’i lihet as rastësisë as edhe shansit të momentit, bile as edhe kapriçove të « aleatëve ». Ajo duhet të përgatitet qoftë në kokë, qoftë në strukturat e partisë, qoftë në masën e militantëve, qoftë edhe në përfytyrimin e popullsisë. Është një përleshje e përditshme, e përjavshme, e përmuajshme dhe e përvitshme – përgjatë katër vjetësh, e ngritur me durim dhe me shumë kujdes nga njerëz që besojnë në të dhe që arrijnë të transmetojnë besimin e tyre tek të tjerët. Qoftë Rama një i tillë ! .
. Ata që sot aspirojnë pushtetin kanë interes të « zhdërvjellin trakën » - sipas shprehjes së kosovarëve. Atë trakën – filmin e vjetër me aktor kryesor Berishën e sotëm, të luajtur sa në sheshet dhe rrugët e Tiranës, aq edhe në sallën e Parlamentit gjatë periudhës 1997 – 2005. Pasi, duam s’duam, ai mbetet shembulli më i mirë i atij që ëndërron pushtetin dhe arrin t’a rimarrë, edhe kur askush nuk beson më.
.
. Të gjithë atyre që e kanë humbur kopjen e fundit, ju premtoj t'jua çfaq herën e ardhshme, nën titullin : 1997 - 2005: Kronika e një rikthimi.

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, August 24, 2008

Kosova paslufte - Droja e të ardhmes.

.
. Duke u nisur nga konstatimi se të gjitha rrugët e bashkëbisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës tashmë ishin konsumuar, raporti i të Dërguarit te Posaçëm në Kosovë strukturohej rreth përfundimit se « statusi i Kosovës duhet të jetë pavarësia e administruar nga bashkësia ndërkombëtare ». Ky Raport dhe propozimet e bashkëngjitura – i njohur gjithashtu si Plani Ahtisari – përjashtonin në mënyrë të prerë variantin e ribashkimit të Kosovës me Serbinë duke e quajtur si të « të pajetë » dhe cilësonin vazhdimin e misionit të deri asajkohe të OKB në Kosovë si « të paqëndrueshëm ». Përfundimisht, një varg Dispozitash duhet të siguronin të ardhmen e një Kosove « jetësore, qënësore dhe të qëndrueshme », nga pikpamja kushtetuese, ekonomike dhe e sigurisë, të cilat që të gjitha tentonin të favorizonin krijimin e një Kosove shumëetnike, demokratike dhe të begatë (shënimi 1). Pasi mundi të fitojë pëlqimin e klasës politike shqiptare të krahinës, pasi mundi të anashkalojë dilemat e qarqeve politike të Beogradit dhe së fundi, pasi mundi të sigurojë besimin e antarëve kryesorë të Bashkimit Evropian, dokumenti i kaloi për aprovim Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. .
. Plani Ahtisari është një kompromis i cili ju ofron Shqiptarëve të Kosovës perspektivën e pavarësisë, serbëve të Kosovës të drejta të zgjeruara, një siguri dhe marrëdhënie të privilegjuara me Serbinë dhe së fundi, vetë Serbisë shansin për të lënë pas të kaluarën e saj si dhe realizimin e të ardhmes së saj evropiane. Është formula më e mirë për të krijuar një shoqëri shumëetnike, demokratike dhe e shpërqëndruar dhe përputhet me projektet shumëetnike të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit perëndimor, të cilit përfundimisht i ofron perspektivën e bashkimit (shënimi 2). .
. Le të shohim nga afër elementët e këtij kompromisi. Me qëllim që shqiptarët e Kosovës të mund të përfitonin pavarësinë e kushtëzuar, ata pranuan rishikimin e hartës së sotme të komunave – 38 në vend të 30 të trashëguara. Pra, krijimin e 8 komunave të reja serbe, në kurriz të egzistueseve. Këto komuna përfitonin kompetenca të zgjeruara ndaj pushtetit qendror – paketa të qenësishme ndihmash dhe subvencionesh për të financuar projekte lokale në pavarësi të plotë, pushtet egzekutiv të zgjeruar lidhur me ndjekjen e një politike kulturore ose shëndetësore të vetën, një kontroll thuaj të plotë mbi policinë lokale, përbërja e të cilës duhet të pasqyronte përbërjen etnike të komunës. Për më tepër, këto komuna përfitojnë nga lidhje të përforcuara mes njera tjetrës si edhe nga ndihma e drejpërdrejtë e qeverisë serbe. Këto « bantustane serbe » brenda një Kosove të pavarur përforcohen nga krijimi i zonave të mbrojtjes rreth e qark objekteve të Kishës Ortodokse serbe, e cila përfiton njëkohësisht edhe nga prerogativa të gjera lidhur me pronat e saj. Mbrojtja e kësaj « shoqërie shumëetnike » duhet të sigurohet nga një prezencë e qënësishme civile dhe ushtarake ndërkombëtare sikundër dhe nga adoptimi i një ligjshmërie adekuate që përcakton njëherësh, një rritje të përfaqsimit të pakicave në Parlament dhe rregullave të votimit « me shumicë të dyfishtë », lidhur me çështjet që i takojnë pakicave. .
. Vizioni i ri evropian lidhur me Ballkanin perëndimor, i përpunuar me rastin e Kosovës « së pavarur », paraqet sidoqoftë disa probleme, mes të cilëve i pari i takon padyshim përcaktimit të « shoqërisë shumëetnike ». Cilat duhet të jenë raportet mes shumicës dhe pakicave që një shoqëri mund të meritojë etiketën « shumëetnike » ? Sigurisht jo në raportin 9 me 1 sikundër është rasti i Kosovës së sotme pasi vetëm ky fakt do të detyronte Shqipërinë fqinje të rishikonte me themel ligjshmërinë e saj për të ngritur gjuhën greke në rangun e gjuhës zyrtare. Çfarë duhet të themi më tej lidhur me Maqedoninë dhe « pakicën » e saj shqiptare ? Zaten, përse projektet shumëetnike evropiane duhet të zbatohen vetëm në Ballkanin perëndimor dhe jo gjetkë ? Sepse Kosova përbën veçse një rast ndërmjet shumë të tjerësh – Rumania dhe Sllovenia me pakicat e tyre hungareze, Spanja me bashkësitë e saj autonome katalane ose baske…
.
. Është fare e qartë që çështja e ndërlikuar e pakicave të Kosovës magjeps shpirtin e instancave ndërkombëtare të cilat, duke ndërhyrë ushtarakisht në favor të kosovarëve ndihmuan gjerësisht në përmbysjen e raporteve të vjetra shumicë/pakicë të krahinës. Pas tetë vjet bashkëjetese, shpesh herë të stuhishme, bashkësisë ndërkombëtare ju desh më në fund të zgjidhë dyzimin që egzistonte mes lidhjeve, marrëdhënieve dhe kufijve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pasi çdo gjë tregonte qartë se kosovarët serbë nuk dëshirojnë të konsiderohen si një përbërëse e thjeshtë etnike në kuadrin aktual të krahinës dhe aq më pak, kosovarët shqiptarë në kuadrin e një bashkimi të supozuar me Serbinë. Mes të gjitha varianteve të mundshme dhe të menduara – ribashkim me Serbinë, shoqërim federativ, ndarje e krahinës – zgjedhja e pavarësisë s’bën gjë tjetër veçse e përforcon shqetësimin dhe përgjegjësinë, aq më tepër në kushtet kur Kosova « disponon veçse mjete modeste për të përballur sfidat që janë mbrojtja e pakicave kombëtare, demokracia ose … pajtimi kombëtar ». .
. - Si mund të sigurohemi ndryshe që kjo « demokraci e porsalindur » kosovare të mund t’i kundërvihet një vizioni monoetnik të shoqërisë dhe të ligjërojë qënien e pakicave etnike ? .
. - Si mund të detyrohet kjo demokraci të repektojë të drejtat e tyre themelore – pjesëmarrjen në sferën e punës, të arsimimit, të mjekimeve shëndetsore, të shërbimeve publike, që ajo të rregullojë dhe të ndajë në mënyrë të drejtë hapësirën politike dhe insitucionale sipas kritereve të barazvlerëshme të mbështetura mbi raportet demografike ? .
. E parë nga Evropa, kjo gjë realizohet nëpërmjet përforcimit të karakterit shumëetnik të shoqërisë ose nëpërmjet institucionalizimit të diferencave, mbivendosjen e tyre ndaj shoqërisë si përbërëse kushtetore ose përfundimisht nëpërmjet krijimit të një mjedisi shumëgjuhësh që konsiderohet si përçapje qytetare. Vetëm se, duke bërë këtë, demokracia pjesëmarrëse e bashkëjetesës sipas parimit « të barazisë të të drejtave » i le vendin federalizmit demokratik të botëve etnike të mbyllura dhe të izoluara, të karakterizuar nga « të drejta asimetrike ». Çfarë lloj shteti do të jetë kështu Kosova e ardhshme ? Ndoshta një shtet shumëetnik, bile edhe qytetar, por sigurisht jo një Komb-Shtet, i cili është rrënjosur prej kohësh në mënyrë të qëndrueshme në tokat ballkanike – pasi i përgjigjet një dëshire të përgjithshme të popullatës sikundër dhe një imazhi të shkruar në historinë e gadishullit. Mjafton t’i referohemi konceptit të Shtetit kombëtar, të kqyrur nën lupën e historianit Paul Garde (shënimi 3), një nga specialistët e rajonit. I përmendur si një përpjekje që synon përputhjen mes një kombi dhe Shtetit të tij, ky i fundit paraqitet në dy nën-tipe të cilët dallohen sipas rendit kronologjik të çfaqjes së këtyre tërësive : .
. - Shteti-komb (krijimi i Shtetit paraprin krijimin e kombit) shembulli më i mirë i të cilit ndoshta jepet nga modeli francez i shtetit. Ai bazohet mbi pëlqimin e qytetarëve të tij për të krijuar një komb të vetëm dhe unik, i frymëzuar nga një bashkësi interesash, nga « vullneti për të jetuar së bashku », .
. - kombi-Shtet (kombi është çfaqur përpara Shtetit), shembulli klasik i të cilit përfaqsohet nga modeli gjerman. Në rastin e fundit, kombi, i krijuar mbi bazën e një grupimi gjuhësor dhe kulturor « natyror », e ka të vështirë që të përputhë kufijtë e Shtetit me shtrirjen e kombit. . Një nga fushat ku këto modele kundërshtojnë njëri tjetrin nëpërmjet qëndrimeve dhe sjelljeve të ndryshme, është pikërisht ai i pakicave etnike. Ndërkohë që Shteti-komb nuk do të pranojë dhe të njohë egzistencën e pakicave të tilla pasi, sipas përkufizimit, ato nuk egzistojnë, aq më tepër që asnjë element i natyrës kushtetuese ose ligjore nuk mund të verë ballë përballë shumicën dhe pakicën – as gjuha, as kultura dhe aq më pak interesat, kombi-Shtet, meqënëse njeh shprehimisht egzistencën e tyre, duhet të veprojë për të krijuar dhe vendosur një konsensus mes shumicës dhe pakicës(ave), të ndërtojë marrëdhënie të besimit të mbështetura mbi ligjin, ku të respektohen diferencat dhe divergjencat e pikpamjeve. .
. Së fundi mbetet një çështje tjetër që nuk lejon as iluzionin më të vogël – çmimi i pavarësisë. Askush nuk mund të mohojë – aq më pak kosovarët – që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa e Bashkuar investuan kapitalet, teknologjinë dhe forcën e tyre njerëzore (civile dhe ushtarake) me qëllim që pavarësia e kësaj ish-krahine jugosllave e banuar nga një shumicë shqiptare, sa e vuajtur dhe e nëpërkembur po aq edhe e papërfillshme në nivelin kontinental, të shohë dritën e diellit. E thënë ndryshe – bile disi vrazhdë - kjo pavarësi kaq e dëshëruar nuk u fitua thjesht « në vend » dhe « vetëm » me forcat e veta. Për një varg arsyesh, ajo tashmë bën pjesë në projektet ndërkombëtare dhe si çdo projekt tjetër, ai ka një kosto. Sipas rradhës, kjo kosto mund të quhet kantonizim që përçan unitarizmin, lidhje të shumëfishta të pjesëve të saj përbërëse me vendin e vjetër kujdestar që skëlfit pandashmërinë, thyerje etnike që dëmton integritetin territorial, shpërqëndrim diferencial që prek sovranitetin. Kjo pavarësi është e mundur vetëm falë mirëkuptimit për të mos thënë nënshtrimit : ai i palës shqiptare, që e vlerëson njëkohësisht si një rast unikal dhe një fitore maksimale – një vështrim i përforcuar nga shkalla egzistuese e pjekurisë së klasës së saj politike ; ai i serbëve të Kosovës, që e masin si një hapje që i përgjigjet rrethanave dhe si një të drejtë minimale – një gjykim i mbështetur nga qëndrimi thellësisht armiqësor i Beogradit. .
. Deri në prag të pavarësisë, pengesa më e madhe për t’u kapërcyer në terrenin praktik ishte vetoja ruse. Dhe jo rastësisht, pasi pranimi i propozimit më thelbësor të Planit – pavarësia e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare (shënimi 4) - kalonte nëpërmjet këputjes së lidhjeve të vjetra që bashkonin krahinën me Serbinë, ose e thënë ndryshe nëpërmjet shfuqizimit të Rezolutës 1244. Në praktikë kjo pengesë u anashkalua nëpërmjet shpalljes « të njëanshme » të Pavarësisë nga ana e Prishtinës, të bashkërenduar me njohjen e menjëhershme të saj nga një grup vendesh perëndimore – të njejtat (ose thuaj të njejtat) që ndërmorrën barrën e luftës kundër Serbisë së Millosheviçit në vitin 1999. I vetmi konsensus që mundi të bashkojë iniciatorët e këtij veprimi përmblidhet nga shprehja aq e goditur se « Kosova është një rast i pahasur ndonjëherë dhe si i tillë, ai kërkon një zgjidhje të pahasur ndonjëherë ». .
. Nëqoftëse shqetësimi i administratorëve OKBjanë është i kuptueshëm dhe i prekshëm – për të mos krijuar një precedent lidhur me konflikte të tjera ende të pazgjidhura – në rrafshin lokal, ky përkufizim kujton pashmangshmërisht një të ashtuquajturin « përjashtim shqiptar » që shoqëron në mënyrë të qëndrueshme historinë e kombit.
.
.
. * * *
.
. Ndërkohë që shpallja e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008 i dha fund spekullimit mbi statusin përfundimtar – pavarësi e kushtëzuar ose autonomi e zgjeruar, Shtet shumëkombëtar ose protektorat ndërkombëtar – zgjedhjet e fundit legjislative të nëntorit 2007 kishin pêrmbysur pejzazhin politik të vendit. Për herë të parë në historinë e re të Kosovës, PDK e z. Thaçi u gjend në krye të forcave politike lokale me 34,3% të votave, e ndjekur në distancë nga LDK e zz. Sejdiu dhe Kryeziu me 22,6 %. Disa këmbë më larg renditen Aleanca Kosova e Re (AKR) e milionerit kosovar z. Pacolli me 12,3%, Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e z. Daci me 10,0%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e z. Haradinaj me 9,6%. Shpërndarja e re e vendeve në Parlamentin Kosovar (96 deputetë për partitë e « mëdha » shqiptare, respektivisht : PDK – 37 deputetë, LDK – 25, AKR - 13, LDD - 11 dhe AAK – 10 dhe 24 vendet e tjera pêr partitë e pakicave kombëtare – shënimi 5) krijoi një klimë politike tê pazakontë. Vetëm « detyra patriotike » në prag të shpalljes së pavarësisë – si edhe trysnia e fortë e ndërkombëtarëve - i detyroi antagonistët e përhershëm PDK dhe LDK të bashkonin forcat në një qeveri koalicioni që si zakonisht, lëmonte qoshet e mprehta nëpërmjet pjesëmarrjes së detyruar të përfaqsuesve tê pakicave. Sidoqoftë, këto zgjedhje nxorrën në pah një varg problemesh dhe ngritën një sërë pyetjesh, lidhur me të ardhmen e vendit. .
. 1. partia « historike » e LDK, prezente e orëve të para në skenën politike të krahinës, humbi hegjemoninë e saj legjendare. Kush mund të parashikonte në vitin 2004 këtë përmbysje politike gjatë zgjedhjeve të ardhshme ? Në të vërtetë, shenjat e kësaj përmbysjeje nuk mungonin dhe ndoshta e fundit ishte « hemorragjia » dardane e z. Daci. Grindja e demokratëve të Lidhjes së vjetër lidhur me trashëgiminë e të ndjerit Kryetar që çoi deri në shqyerje të brendshme (nuk e di përse por kjo ndarje hasmërore më rikujton një tjetër – atë të socialistëve safi të Nanos dhe socialistëve integrues-përçarës të Metës), është një nga shkaqet e disfatës por ndoshta jo i vetmi. Shkaqet e tjera ndoshta duhen kërkuar në sklerozimin e strukturave të bazës, në zhdukjen drejt horizontit të pasurisë dhe të prosperitetit të shefave dhe zhytjen në dëshpërimin e thellë të përditshëm të antarëve të saj, në mosvlerësimin e realitetit të ri politik të krahinës që vibron me ritmin e pavarësisë së shumëpritur… Pra, pas 10 vjetësh që prej fillimit të « betejës së Kosovës », LDK detyrohet të lëshojë pushtetin, pozitën dominuese dhe ç’është më e rëndësishmja, humbi edhe shansin historik të shkruajë emrin në panteonin e Kombit si nënshkruesja e parë e Aktit të Pavarësisë. .
. 2. ndeshja mes forcave politike të Kosovës u kurorëzua me fitoren e pragmatizmit të PDK. Këto vite kontaktesh dhe të fërkuari mes ish-luftëtarëve të UÇK dhe « kremit » të administratës OKBjane ishin vendimtare në krijimin e një profili të ri të burrit politik të krahinës : produkt i hershëm i Universitetit të Prishtinës, njohës dhe çmues i kulturës evropiane ; i mbështetur fuqimisht mbi diasporat perëndimore dhe lobist i rrjetave të dikurshme ushtarako-politike ; specialist i prapaskenave burokratike dhe përçues i një dialogu politik që përzien me shkathtësi terminologji ekonomike, argumenta administrative dhe tema patriotike. Tashmë të distancuara nga trashëgimia jugosllavo-titiste aq karakteristike e LDK si edhe nga elitat latifundiste fshatarako-nacionaliste të « odave », politikanët kosovarë të pasluftës ju dhanë me mish e me shpirt krijimit të një shtrese të re të kamurish qytetës, një përzierje kurioze intelektualësh, administratorësh civilë, komandantësh ushtarakë dhe biznesmenësh, qoftë nëpërmjet shpërndarjes bujare të « pasurisë së përbashkët », trashëgimi e të ndjerës Jugosllavi e dikurshme, qoftë nëpërmjet vendosjes së përfaqsuesve më të spikatur në postet kyçe të administratës qëndrore dhe lokale. Veçse, forcimi në këtë mënyrë i bazës mbështetëse të demokratëve të Thaqit – në dëm dhe në kurriz të ekuilibrit tradicional, të proklamuar nga LDK e të ndjerit Kryetar Rugova - pakësoi dukshëm pikat e kontaktit me shtresat e gjera të popullsisë, ngushtoi ndjeshëm zonat e interesave të përbashkëta. .
. Edhe vështrimi më i përciptë i rezultateve të fundit mjafton për t’u bindur se fitorja aq e përshëndetur e PDK, i dedikohej më tepër fundosjes së antagonistes së saj LDK se sa ngadhënjimit të ideve politike të z. Thaqi. Ndërkohë që Lidhja e vjetër humbiste 186.800 mbështetës (nga të cilët mendohet se 57.000 ju bashkëngjitën Lidhjes Dardane), Partia demokratike rriste kapitalin e saj elektoral vetëm me 30.000 votues gjatë këtyre tre vjetëve. Përfundimisht, PDK mundi të fitonte këto zgjedhje nëpërmjet mobilizimit të 196.200 zgjedhësve që i besuan votën – pra, diçka më pak se 12,5% të numrit të përgjithshëm të të rregjistruarve në listat elektorale. Pa dashur të ngjallim debat lidhur mbi legjitimitetin të një pushteti të tillë – debat i cili implikon bashkësinë e partive dhe subjekteve politike të Kosovës, nuk mund të anashkalohet një tjetër problematikë, ajo e identifikimit të elektoratit kosovar me programin e « pakicës politike » PDK bile dhe më tej, ajo e popullsisë së pjekur dhe të mençur kosovare me praktikën administruese të koalicionit qeveritar, të udhëhequr nga Thaqi. .
. 3. përgjatë një dhjetëvjeçari, zgjedhësi kosovar ka ndrruar rrënjësisht si profilin politik ashtu edhe vizionin e botës politike. Nga një ndjekës i pakushtëzuar i politikës të Rugovës dhe ithtar i strukturave paralele, ai u bë një partizan i rezistencës së armatosur të UÇK dhe mbështetës i strukturave ushtarako-ilegale dhe përfundoi në një konsumator të politikës paqësuese të UNMIK-ut dhe një spektator të ndeshjes publike mes politikanëve të djeshëm dhe të sotëm. Troç, koha dhe rrethanat e detyruan të flakë tej militantizmin e tij « paqësor » për t’i besuar fatin e tij ushtarakëve çlirimtarë të krahinës, me shpresë se me shporrjen e « sunduesit serb », ai do të përjetonte edhe fundin e halleve të tij të përjetshme. Por, praktika dhe realiteti i mësuan se projekti shumëformësh dhe shumëzërash që çon drejt Pavarësisë së ëndërruar dhe të shumëpritur nuk përmban forcërisht në mekanikën e tij të ndërlikuar, elementë qenësorë të natyrës individuale ose shoqërore si për shembull, emancipimin e tij politik, mirëqenien e tij materiale dhe aq më pak, barazinë përpara Ligjit, mbrojtjen shoqërore, edukimin dhe formimin me vlera qytetare.. .
. Me fjalë të tjera, lufta për vetvendosje dhe çlirim kombëtar, nëpërmjet sublimimit të fateve individuale dhe përmasës së saj vetësakrifikuese – nëpërmjet simbolikës mitologjike të Kombit dhe të Atdheut – zotëron aftësinë e maskimit dhe të zbehjes të kontradiktave të natyrës pasurore mes klasave, shtresave dhe grupeve shoqërore, të konfliktit të interesave mes individëve. Në të kundërt, zhdukja e kontradiktës kombëtare dhe etnike, nëpërmjet formimit të Shtetit « të pavarur » dhe ngritjes të strukturave të tij administrative, nxjerr në plan të parë ndeshjen mes forcave politike « indigjene », mes subjekteve elektoralë vendase. Në se objekti i kësaj ndeshjeje është pikërisht pushteti dhe ushtrimi i autoritetit qeverisës, qëllimi i vetëm i saj mbetet venia nën kontroll e pasurive kombëtare, e burimeve materiale si dhe rishpërndarja e tyre, në dobi të grupit të klanit, të shtresës, shprehje e koncentruar e të cilit mbetet përjashtimisht forca politike. .
. Në këtë mes, fati i individit bëhet i papërfillshëm, shpresat e tij bile deri edhe kontributi i tij personal në dobi të çështjes injorohen, vlerat e tij individuale përçmohen. Nëpërmjet një alkimie të mistershme, sekreti i të cilës njihet nga çdo pushtet, individi shëndrrohet në taksapagues, në konsumator, në votues – në një objekt, që tërheq vëmendjen dhe vështrimin e burrave politikë vetëm në prag të zgjedhjeve. Çka mbetet më e natyrshme si kundërpërgjigje se sa indiferenca e tij ndaj botës politike, ndaj çështjeve të Shtetit, ndërkohë që gjithë egzistenca e tij i përkushtohet mbijetesës ?
.
.
. * * *
.
. Entuziazmi legjitim ndaj shpalljes së Pavarësisë si dhe përpjekja e zhurmshme e klasës politike vendase për të siguruar njohjen ndërkombëtare të Shtetit të ri, shërben si një mjet i përshtatshëm për t’ju vjedhur një pyetjeje tjetër fort të bezdisshme, lidhur me formën e shoqërisë që duhet ndërtuar në Kosovë. .
. Ndërkohë, kjo shoqëri në kërkim të pikave të orientimit është bërë pre e forcave konkurruese që synojnë pushtetin. Mjafton të bëhet një bilanc qoftë edhe i pjesshëm i këtyre forcave dhe grupeve të armatosura që veprojnë në vend : nën emërtimin polici, krahas asaj zyrtare të UNMIK-ut (së shpejti ajo e ESDP-së), vepron ajo ushtarake e KFOR-it, policia civile e KPS, ajo gjysëm-klandestinja e TMK dhe së fundi ilegalja SRG e serbëve të veriut të krahinës. Nën emërtimi ushtri, përveç ndërkombëtares KFOR (që pritet të zëvëndësohet nga ajo e IMP), çfaqet monoetnikja TMK, e lavdishmja US Force – e strehuar në bazën e saj Bondsteel, sikundër dhe misteriozja AKSH. Një mafia e plotfuqishme – që lidh e bashkon pa asnjë problem kosovarë dhe shqiptarë, serbë dhe malazezë – mbush hapësirën e ngushtë që mbetet bosh. E treguar me gisht për ato lidhjet që ajo mban dhe ushqen me mjediset politike, ky polip shumëkombësh kontrollon një varg trafiqesh përfitimsjellëse (drogë, armë, cigare, qënie njerëzore), mbledh shuma të konsiderueshme të hollash nëpërmjet ushtrimit të shantazhit dhe frikësimit mbi mjediset tregëtare dhe administron sektorë të tërë të ekonomisë të dukshme dhe të padukshme të krahinës (shpërndarje e karburantit, transport, ndërtimtari, prostitucion…). .
. Mjafton të kqyret ekonomia e Kosovës për të krijuar një përshtypje të përgjithshme të të gjithë dilemave që shqetësojnë këtë vend : megjithë një nivel rritjeje pozitiv, karakteristike e të gjithë ekonomive pas-konfliktuale – si rrjedhojë e injektimit të shumave të konsiderueshme të asistencës të huaj (2,3 miliardë euro gjatë gjashtë vjetëve të para), perspektivat e saj mbeten të paqarta. I shtyrë nga opinioni publik kosovar, nga të zgjedhurit lokalë dhe forcat politike, UNMIK-u mblodhi specialistët e tij të të drejtës ndërkombëtare dhe ekspertët e tij ekonomikë për të përgatitur kornizën ligjore dhe kushtet materiale të një privatizimi masiv të atyre 500 ndërmarrjeve publike (shënimi 5), dikur pronësi e Shtetit jugosllav. Me këtë rast, një Agjensi e privatizimit - Kosovo Trust Agency (KTA) – e vendosur nën mbikqyrjen evropiane, u ngarkua të organizojë ankandet publike për shitjen e këtyre pronave. Menjëherë u çfaqën vështirësi të tejskajshme, bile përpara se të fillojë ky proces : mes Shtetit serb - i cili provoi të drejtat si dhe titujt e pronësisë mbi këto objekte ndërkohë që kërkonte shlyerjen e borxhit të akumuluar prej ndërmarrjeve kosovare, mes kompanive të huaja që kërkonin marrjen nën zotërim të pronave të tyre në Kosovë – të blera gjatë kohës së Millosheviçit, të të porsaardhurve në tregun e privatizimit që kishin përfituar nga zemërgjerësia e vetë UNMIK-ut – si për shembull kompania Alkatel, dhe së fundi të drejtuesve ekonomikë shqiptarë – që kërkojnë të blejnë ndërmarrjet e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Organizmave ndërkombëtarë ju desh të luanin rolin e xhandarit dhe të gjykatësit, të drejtuesit të ankandit dhe të ndërmjetësit me qëllim që të shtynin përpara një proces që bën hapa në vend dhe që deri pak muaj më parë varej sikundër çdo gjë tjetër në Kosovë, nga statusi përfundimtar. Në këtë kuadër, mund të ngrihet gjithmonë pyetja : kujt i përket në të vërtetë Kosova ? .
. Duke pritur ardhjen e pronarit të vërtetë, tabloja e ofruar nga ekonomia kombëtare mbetet tepër e errët. Mjafton të thuhet se niveli i papunësisë është rreth 60% dhe që projektimet për të ardhmen nuk parashikojnë përmirësim, që të ardhurat vjetore pro capita janë diku rreth 1.565 dollarë – më të ultat e rajonit dhe që rreth 12% e popullsisë jeton në kushtet e një varfërie të tejskajshme ; që këto të ardhura vijnë kryesisht nga buxheti i krahinës pasi rrogëtarët e sektorit publik janë legjion (68.000 vetë) dhe që së fundi, eksportet janë të papërfillshme (vetëm 4% të importeve). Aktualisht, kjo ekonomi mbahet më këmbë falë ndihmave dhe shpenzimeve të kryera nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, qoftë në planin stukturor qoftë dhe në atë administrativ ose ushtarak, pa harruar si zakonisht transferimet masive të devizave nga ana e emigrantëve – 1,2 miliardë DM, ose 40% të PPB, në vitin 2001. .
. Megjithatë, më optimistët mes vrojtuesve nënvizojnë se potenciali bujqësor i krahinës është i konsiderueshëm, se minierat janë rentable, se sektori i energjisë mbetet i hapur, se bashkëpunimi me fqinjët do të hapë perspektiva të mëdha… ;
. në fund të fundit, Kosova nuk është më pak e pajisur me një potencial ekonomik vital se sa Sllovenia ose Maqedonia, numri i banorëve të të cilave eshtë i krahasueshëm me atë të saj (shënimi 6). Le të shpresojmë… Ndërkohë, më pesimisti mund të përmendë shembullin e një tjetër vendi fqinjë, Shqipërisë që megjithëse nuk është rënduar nga barra e përcaktimit të ndonjë farë statusi, ende nuk ka mundur të ngrihet nga pista e fluturimit qoftë dhe pas 15 vjet ushtrimi të pushtetit demokratik dhe të veprimit të ekonomisë së tregut.
.
. Të gjitha shpresat e një rimëkëmbjeje ekonomike të mundshme mbështeten pra mbi sektorët tradicionalë dhe të natyrës ekstensive si bujqësia, industria nxjerrëse dhe përpunuese e mineraleve si dhe energjia. Këto aktivitete ekonomike mbeten borxhlie të një pune të madhe të investuar dhe karakterizohen nga një rentabilitet të brendshëm të vogël. Sidoqoftë, realiteti i sotëm peshon rëndë mbi ëndrrat e së ardhmes : megjithë potencialin e sipërpërmendur për shkak të shfrytëzimit të pamjaftueshëm të pronave bujqësore, bujqësia ruan gjerësisht karakterin e vet tradicional të mbijetesës. Roli i saj nuk mund të neglizhohet qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se ajo mban me punë mbi 40% të popullsisë aktive. Por, mungesa e infrastrukturave në rrafshin lokal dhe të krahinës, menaxhimi rural i pamjaftueshëm i territorit, mungesa e plotë e vullnetit individual për të krijuar kooperativa ose grupe prodhuesish – qoftë dhe në nivelin e shpërndarjes ose të shitjes, dhe së fundi, mungesa e investimeve të drejpërdrejta si dhe të ndihmave të programuara për zhvillim e reduktojnë së tepërmi konkurrencën e saj në tregun lokal, i cili është i përmbytur me prodhime që vijnë nga vendet fqinjë. Po qe se shtojmë dhe standardet e ulta të arsimimit si dhe izolimin gjeografik, mund të kuptohet më mirë përse shkalla e depërtimit të prodhimeve kosovare në tregjet fqinje eshtë pothuaj e nivelit zero.
.
. Përsa i përket industrisë, ajo ka vuajtur për një kohë tepër të gjatë peripecitë e një politike të diktuar nga Beogradi, duke humbur në këtë mënyrë lidhjet organike me ekonominë lokale, ndërkohë që viktima kryesore ka qënë mjedisi rrethues, shkalla e ndotjes të të cilit mbetet ende të përcaktohet. Më tepër se një lifting, sektori industrial dhe energjetik ka nevojë për investime masive, për një rimëkëmbje rrënjësore teknologjike dhe për një përgatitje të thelluar të kuadrove dhe të forcës puntore, të cilat vetëm grupet e mëdha industriale ndërkombëtare mund t’ja sigurojnë. Duke pritur këto investime hipotetike, një pjesë e investitorëve lokalë është orientuar në mënyrë të pashmangshme drejt prodhimit të një game produktesh të konsumit të përditshëm, ndërkohë që masa më e madhe e operacioneve financiare prek ekonominë « spekullative » siç është rasti i ndërtimtarisë, tregëtisë dhe shërbimet.
.
. ----------------------------------
.
.
. (1) Këto Dispozita trajtojnë : 1) Ligjet Kushtetore ; 2) të Drejtat e Pakicave dhe të antarëve të tyre ; 3) Shpërqëndrimi ; 4) Sistemi Gjyqësor ; 5) Trashëgimia Kulturore dhe Fetare ; 6) Borxhi i Jashtëm ; 7) Pronat dhe Arkivat ; 8) Sekroti i Sigurimit në Kosovë ; 9) Përfaqsuesi i ardhshëm Civil Ndërkombëtar ; 10) Misioni i Sigurimit Evropian dhe politika e mbrojtjes ; 11) Prezenca Ushtarake Ndërkombëtare ; 12) Agjenda e zgjedhjeve. Shih : www.unosek.org/docref/ Comprehensive_proposal-english.pdf.
.
. (2) International Crisis Group – Kosovo: no good alternatives to the Ahtisaari plan. Europe Reports N° 182, mai 2007.
.
. (3) Shih : Paul GARDE – Fin de siècle dans les Balkans, Ed. Odile Jacob, Paris 2001.
.
. (4) Mbikqyrja ndërkombëtare nënkupton një ripërcaktim të mandatit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë : Përfaqësia Civile Ndërkombëtare (ICR), Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), Misioni i Bashkimit Evropian për politikën e sigurimit dhe të Mbrojtjes (ESDP), prezenca Ushtarake Ndërkombëtare (IMP) dhe Grupi Ndërkombëtar i Pilotazhit (ISG).
.
. (5) Këto vende i pêrkasin respektivisht : Turqit demokratë të KDTP – 3, Ashkanlinjtë e PDAK – 3, Koalicioni i boshnjakëve VACAT – 3, Indipendentët liberalë serbë të SLS – 3, Partia demokratike serbe e Kosovo-Metohosë SDSKiM – 3, partia e Aksionit demokratik të boshnjakëve SDA - 2, Partia serbe e popullit SNS – 1, Nova Demokratija e Serbëve – 1, Iniciativa qytetare e goranëve GIG – 1, partia serbe e Kosovo-Metohisë SKMS – 1, Iniciativa e re demokratike e Romëve IRDK – 1, Bashkimi i Socialdemokratëve të Pavarur të Kosovo-Metohisë SNSKiM – 1, Romët e bashkuar të Kosovës PREBK – 1).
.
. (6) Këto ndërmarrje të trashëguara nga epoka e Titos i përkasin që të gjitha fushës të « pasurisë shoqërore ». Të gjitha shoqëritë e mëdha (193) i përkasin ose shtetit serb ose Fondit të Republikës për Zhvillim ose së fundi, personave privatë serbë. Në lidhje me mbetjen, bëhet fjalë për ndërmarrje të përmasave të mesme dhe kryesisht të vogla që janë të varura nga ndërmarrjet e tjera të ish-Jugosllavisë për shkak të ndihmës për zhvillim, e dhënë krahinës së Kosovës gjatë egzistencës së Federatës.
.
. (7) Serge METAIS – ibidem.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, August 15, 2008

Kosova paslufte - Peripecitë e Statusit.

.
. Zgjedhjet e dyta legjislative të tetorit 2004 nuk shënuan asgjë të re, përveç atij nivelit të vajtueshëm të pjesëmarrjes (në kufijtë e 50% të të shkruarve në listat elektorale) si dhe bojkotimit masiv të zgjedhësve serbë. Kutitë e votimit « folën » : LDK siguroi 45,4% të votave, PDK 28,9%, AAK 8,4%, një lëvizje e re qytetare « Ora » 6,2% ndërkohë që çka mbeteshin nga 32 subjektet elektorale merrnin 11.1%. E papritura erdhi nga pakica serbe e cila, duke ndjekur thirrjet për bojkotim të bëra nga ana e Kryeministrit serb Kostunica dhe Kisha ortodokse, pothuaj nuk morri pjesë fare në votim (vetëm 1% e zgjedhësve serbë votuan). Në lidhje me numrin e përfaqsuesve në Kuvendin e Kosovës, LDK ruante ato 47 vendet e saj, PDK mundi të shkëpusë 5 vende të tjera (gjithsej 30), AAK çonte 9 deputetë, ORA hynte për herë të parë në Kuvend me 7 deputetë, Demokristianët shqiptarë të PSHDK merrnin 2 vende, ndërkohë që 5 vendet e fundit të rezervuara për subjektet politike shqiptare shpërndaheshin mes Liberalëve të PLK (1 vend), atyre të partisë së Drejtësisë PD (1 vend), të LPK (1 vend) sikundër dhe Partisë Turke Demokrate KTDP (1 vend) dhe në fund 1 vend për Koalicionin boshnjak « VACAT ». Dy formacionet e fundit merrin gjithashtu nga një vend shtesë nga fondi prej 20 vende i rezervuar për pakicat. 18 vendet e tjera i takonin Listës për Kosovën dhe Metohinë CKM (8 vende), Iniciativës Qytetare serbe GIS (2 vende), egjiptjanëve të IRDK (2 vende), Ashkanlijve të PDAK (1 vend), Romëve të PREBK (1 vend), Goranëve të GIG (1 vend) dhe Boshnjakëve të SDA (1 vend). .
. Duke përsëritur kështu suksesin e saj të vitit 2001, Lidhja tregoi se ende i mbeteshin ditë të bukura përpara saj, megjithë bemolin e zënkës sentimentale të të pakorrigjueshmit Bukoshi. Sipas traditës, e vetmja e panjohur ishte zgjedhja e aleancave që do t’i lejonin « babaxhanit » Rugova për të përjetësuar zgjedhjen e tij në postin e Presidentit. Kësaj rradhe, ai preferoi të ndrronte armën dhe hodhi vështrimin tek AAK, duke i ofruar rastin si dhe postin e Kryeministrit Haradinajt, i cili bënte çmos për të forcuar figurën e tij prej « të moderuari ». .
. Asnjëherë më parë, një çështje koalicioni politik në pamje të parë banal, nuk kish ngritur një stuhi të tillë të përgjithshme. Dosido, baballarët e politikës së Prishtinës duhej të kishin parashikuar një farë droje ndaj kapacitetit të reaksionit të Beogradit si dhe ndjeshmërisë së instancave ndërkombëtare, ndërkohë të vënë në kërkim të të ashtuquajturve fajtorë për « krime të luftës » në Kosovë. Qysh në vitin 2003, autoritetet e Beogradit i kishin shtruar administratorit civil të OKB të Prishtinës, Harri Holkeri, një kërkesë ekstradimi për Hashim Thaqin, Agim Çekun dhe Ramush Haradinajn. Ndërkohë, një kuadër i vjetër i UÇK, Fatmir Limaj ish arrestuar në Slloveni dhe ish drejtuar në Hagë për t’u paraqitur përpara TPI. Dy herë rresht në të kaluarën, përgjegjësit e lartë të UNMIK-ut kishin ndërhyrë pranë autoriteteve hungareze dhe sllovene për të liruar Thaqin dhe Haradinajn, të bllokuar në territorin e këtyre shteteve mbi bazën e urdhër kërkimeve të lëshuara nga INTERPOL-i. Vetë Haradinaj që prej vitesh bënte pjesë në listat e personave të kërkuara nga Drejtësia serbe. Faktet që i visheshin ish-komandantit të UÇK-së i takonin luftës së Kosovës ndërmjet periudhës 1998 – 1999 dhe ishin kryer kundër civilëve serbë. E interpeluar në këtë sens, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi të akuzojë Haradinajn për krime lufte, gjë e cila detyroi politikanin e Prishtinës të japë dorëheqjen përpara se të nisej drejt Hagës. .
. Ky epizod fatkeq i pushtetit të përkohshëm shqiptar shartohej mbi një atmosferë ndërkohë të rënduar nga çfaqjet e dhunës etnike të marsit 2004 si edhe tërheqjes së bashkëbiseduesve serbë nga jeta politike e Kosovës. Dy tendencat kryesore politike serbe « Graçanica » dhe « Mitrovica » i linin dorën qeverisë së Beogradit, e cila mbetej në këtë mënyrë e vetmja përfaqsuese e pakicës serbe përballë partive politike shqiptare gjatë bisedimeve të përbashkëta mbi të ardhmen e Kosovës, të parashikuara gjatë vitit 2005.
. Ndërkohë, që në fillim të vitit 2003, Kryeministri serb i asaj kohe Xhinxhiç nuk fshihte aspak mendimin e vet ndaj të ardhmes së krahinës : në korrik 2004, parlamenti i tij votoi në unanimitet një « plan të decentralizimit », që s’përfaqsonte gjë tjetër veçse një ndarje etnike të Kosovës. Kështu, opcioni serb ishte ai i një tregu të hapur territoresh dhe popullatash – ai i një Republike të re Sërbska. Në këto kushte, ndoshta po i vinte rradha një procesi të ri Dejton.
.
. Si paraqitej e ardhmja për Kosovën, e parë nga horizonti 2004 ? Shumica dërrmuese e popullsisë - ajo shqiptare, mendonte unanimisht se egziston një zgjidhje dhe ajo është e vetme : pavarësia – e plotë dhe e pakushtëzuar. E kqyrur nga ana e serbëve të Kosovës, kjo gjë përfaqsonte një skenar katastrofë. Duke u ndjerë të kërcënuar bile përpara se të flitet për pavarësinë, megjithë prezencën e disa dhjetra mijra ushtarakëve të KFOR-it dhe disa mijra policëve të UNMIK-ut, mund të merret me mend reaksioni i tyre përballë një eventualiteti të tillë. Kjo gjë i shtynte menjëherë drejt Beogradit. Vetë politikanët serbë ishin në mëdyshje përpara dy varianteve të ndryshme. Siç pritej, i pari këmbëngul mbi faktin që « Kosova eshtë pjesë përbërëse e Bashkimit Serbo – Malazez jo vetëm nga pikpamja e Ligjit të këtij vendi, por gjithashtu nga pikpamja e Ligjit ndërkombëtar » - për të cituar shprehjen e zëdhënësit kryesor të kësaj teze Boris Tadiç, President i asokohshëm i Bashkimit Serbo-Malazez. I dyti, dikur i propozuar nga i ndjeri Xhinxhiç, mbështetej mbi idenë e ndarjes etnike të Kosovës (shënimi 1). .
. Që fillim të vitit 2003, Xhinxhiç vuri mbi tryezë në mënyrë të hapur çështjen e statusit të Kosovës : fillimisht, ai propozoi një zgjidhje të natyrës federale, sipas të cilës serbët e Kosovës duhet të gëzonin statusin e « përbërëses kushtetuese » në gjirin e krahinës që nënkuptonte marrëdhënie të ngushta me Republikën e Serbisë, në shkëmbim të një « autonomie të zgjeruar » për popullsinë me origjinë shqiptare. Në formë alternative, ai dha edhe një shans tjetër : ndarjen e krahinës mbi një bazë etnike, të shoqëruar me një « shvendosje paqësore të popullsive ». Sipas tij, ishte e pamundur t’i lihej shqiptarëve që të siguronin mbrojtjen e pakicës serbe si dhe administrimin e zonave të mbrojtura serbe të Kosovës. Duhet nënvizuar se ideja e ndarjes të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ishte frut i imagjinatës së Xhinxhiçit ; ajo kish lindur në shpirtin e politikanëve serbë si kompromis i fundit përballë të pashmangshmes. Në këtë mënyrë, duke ndjekur rekomandimet e gjeografo-historianëve Radanoviç dhe Krstiç, famëkeqi Qosiç e kish formuluar këtë ide që në vitin 1993, në kohën kur ai ishte ende President i Federatës Serbo-Malazeze. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, vetë Millosheviçi propozoi hapur një zgjidhje të tillë përpara Viktor Çernomirdinit, negociatori rus që kërkonte me ngulm një rrugëdalje nga konflikti. Kjo dëshirë serbe për « të mbajtur Mitrovicën, minierat e Trepçës, dhe qytetin e Pejës bashkë me rrethinat » ndoshta furnizon edhe çelësin për të kuptuar mendimin e Beogradit lidhur me të ardhmen e krahinës. Kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu edhe ngutjen e shërbimeve ushtarake dhe civile federale në qershor të vitit 1999, për të organizuar dhe drejtuar egzodin e brendshëm të atyre dhjetra mijra serbëve të Kosovës drejt vendeve strategjike të veriut të Kosovës, pranë Mitrovicës, dhe në Fushë Prishtinë/Graçanica. Tabloja plotësohet nga pazarllëqet e zjarrta dhe komplekse mes aleatësh në Helsinki për të përcaktuar zonat ushtarake të influencës : ndërkohë që francezët arrinin të impononin pikpamjen e tyre lidhur me kontrollin e Mitrovicës, rusët – ndërkohë në vend – pushtonin aeroportin ndërkombëtar dhe bllokonin Prishtinën me trupat e ardhura nga Bosnja. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Klintonit tepër të zemëruar që ju kujtoi angazhimet e marra në Kumanovë, të nënëshkruara veçse disa ditë më parë, të ndjekur nga refuzimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë për të kalimin e trupave ruse të aerotransportuara nëpër hapësirën e tyre ajrore, këta të fundit u detyruan të largoheshin nga Prishtina. Menjëherë pas largimit të rusëve, serbët braktisën qytetin. Kështu, Zbignjev Bërzhezinski nuk gabohej aspak kur deklaronte se qëllimi i francezëve dhe i rusëve ishte të vinin nën kontrollin e tyre pikat strategjike të Kosovës. . Megjithëse varianti i dytë ende nuk imponohej mes opinionit serb, ai i përgjigjej faktit që Serbia e kish humbur dorën mbi terren dhe nuk e kontrollonte më lojën. Ai i përgjigjej gjithashtu edhe dëshirës së serbëve të Kosovës, të cilët flisnin me këmbëngulje rreth « kantonizimit » të rajonit. Ndërkohë, një koncept i ri ishte çfaqur mes qarqeve politike të Beogradit : ai i një autonomie territoriale serbe, nën optikën e një Kosove të pavarur – me kusht që në një të ardhme kjo autonomi të mund të çojë drejt një rishikimi të kufijve. .
. E paraqitur në nivelin e administratës OKBjane, deri në fillim të vitit 2007 pyetja mbeti pa përgjigje të qartë. Duke dashur të zgjidhë një problem imediat – atë të konfliktit të armatosur mes serbësh dhe shqiptarësh – OKB mundi të realizojë një konsensus mes fuqive të arbitrazhit, i cili duhej të përfaqsonte njëkohësisht një minimum garancish me qëllim që të pranohej nga dy palët e interesuara. Ishte ajo Rezoluta e famshme 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB e cila nënvizonte dhe impononte që Kosova mbetej pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë. Duke bërë këtë gjë, Këshilli i Sigurimit e kish bllokuar problemin, të paktën sipas pikpamjes serbe. Pasi instaloi në vend administratën e tij, UNMIK-u punoi për të ngritur më këmbë institucionet lokale, me qëllim që të përgatiste kalimin e ardhshëm të pushtetit. Në vazhdim, zgjedhjet lokale përvijuan konturet e pushtetit lokal përpara se zgjedhjet legjislative të nëntorit 2001 të arrijnë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës. Në këtë nivel, ndërtesa egzekutive plotësohet me organet përfaqsuese të pushtetit qëndror – qeverinë e Kosovës me Kryeministrin e saj, ndërkohë që fillon dhe strukturohet pushteti legjislativ – zgjidhet Presidenti i Kuvendit dhe së fundi Presidenti i Kosovës. Duke ndjekur logjikën fillestare, përkundrejt kësaj administrate kosovare UNMIK-u paraqitet njëkohësisht si instancë e tutelës dhe si mekanizëm i kontrollit, dhe me këtë rast dispozitivi pajiset me një kyç të ri. Ky « bllokim i dyfishtë » sipas zhargonit ushtarak (shënimi 2) duhet të garantonte të ardhmen e krahinës sikundër në rrafshin legjislativ ashtu dhe në rrafshin administrativ. .
. Duke lundruar ndërmjet Karibdit të radikalizmit shqiptar dhe Shilës të nacionalizmit serb, UNMIK-ut ju desh të fitonte kohë dhe të ndante etapat, nëpërmjet imponimit të një rregulle të re loje në vitin 2002 e cila përmblidhet nga shprehja « Standardet përpara Statusit përfundimtar » - ndërkohë që ishte i vetëdishëm që s’mund të rrinte përjetësisht në Kosovë. Në atë kohë sipas ekspertëve, « Kosova kish fare pak shanse për të përmbushur këto standarde », të përmbledhura nga OKB në një dokument prej 120 faqesh. Këto standarde parashikonin kthimin e të çvendosurve (shënimi 3) dhe të ikurve, lirinë e qarkullimit së pakicave, krijimin e institucioneve demokratike, rimëkëmbjen e një ekonomie të vërtetë të tregut për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin ekonomik të vendit, garancitë e respektimit të mandatit civil të TMK si dhe sigurimin e mbretërimit të Ligjit. Procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i vënë në jetë nga bashkësia ndërkombëtare – edhe sikur të reduktohet vetëm në trajtimin e çështjeve teknike – asnjëherë nuk mundi të kalojë nivelin e tij fillestar : asnjë nga palët e interesuara nuk dëshiron të bëjë lëshime, duke avancuar me këtë rast kërkesa paraprake që pala tjetër nuk është gati që t’i kënaqë. Nga ana tjetër, çështja merrte një karakter urgjent pasi, sipas programit fillestar, mandati i UNMIK-ut duhej të përfundonte në vitin 2006 ndërkohë që antarët e Këshillit të Sigurimit mundoheshin të evitonin rikthimin mbi tryezë të çështjes tejet të ndërlikuar të Kosovës. .
. Përsa i përket Fuqive të mëdha të kësaj bote, mendimet qenë të ndara. Rusia nuk e ka pranuar kurrë idenë e pavarësisë dhe fshihet gjithmonë prapa Rezolutës 1244, duke privilegjuar procesin e bisedimeve dypalëshe serbo-shqiptare, pasi sipas saj, asgjë nuk është e ngutshme përpara një zgjidhjeje të mençur. Mjediset politike të Shteteve të Bashkuara, gjithmonë të bindura që Serbia nuk do të jetë kurrë e mendimit për të braktisur Kosovën, që në fillim propozuan që diskutimet duhet orientuar rreth statusit dhe paralelisht, të hapej debati rreth pavarësisë – edhe sikur standardet të mos plotësohen. Përfundimisht përballë këmbënguljes ruse dhe serbe, amerikanët shpallën se do të njihnin pavarësinë e Kosovës në mënyrë të njëanshme, pa pritur përfundimin e bisedimeve. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka çfaqur gjithmonë një qëndrim tepër pritës. Duke vepruar aktivisht për krijimin e një zone të sigurt në Ballkan, BE merr pjesë në projektin e zëvendësimit të trupave të OKB-së në Bosnje-Herzegovinë si dhe në Maqedoni, gjë e cila implikon që në një të ardhme, principi i përdorimit të trupave evropiane do të përdorej edhe në Kosovë. Politikanët evropianë ruhen nga përdorimi i shprehjes « pavarësi » ndërkohë që nëpërmjet fjalimeve të tyre zyrtare filtron ideja që statusi përfundimtar duhet të kënaqë kosovarët sikundër dhe interesat e Serbisë. Kjo e fundit tund dhe shkund kërcënimin e saj të vjetër : në qoftë se Kosovës do t’i jepet pavarësia, njëkohësisht duhet të njihet edhe pavarësia e Republikës Sërbska, « tërësia » etnike serbe në gjirin e Bosnjë-Herzegovinës. . Kjo pavarësi që po skicohej dalngadalë në horizontin 2008 shqetësonte mjaft shpirtra në Ballkan dhe gjetkë të cilët e konsideronin si një etapë të parë drejt krijimit të « Shqipërisë së Madhe ». Ideja nuk është e re dhe adeptët e saj përmendin padrejtësitë historike, lidhjet shpirtërore dhe kulturore mes shqiptarësh sikundër dhe domosdoshmërinë e grupimit të popullsive shqiptare, aktualisht të shpërndara në një varg vendesh fqinje me qëllim të krijimit të një faktori stabilizues për Ballkanin (shënimi 4). .
. Eshtë pikërisht ky stabilitet i Ballkanit që hedh përpjetë kundërshtarët e kësaj teze : sa vlen të luftohet kundër shovinizmit serbomadh në qoftëse nacionalistët shqiptaromëdhenj janë gati të venë në rrezik vende të tilla si Maqedonia ose Mali i Zi ? Përtej frazeologjisë dhe grindjeve mes qarqeve politike ballkanike, ata që do të vendosnin një ditë lidhur me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës duhet të imagjinojnë se mund të ndodhë që dy shtete të pavarura fqinjë, popujt e të cilëve i përkasin të njejtit komb, mund edhe të bien në një mendje për të kërkuar dhe për të kryer bashkimin e tyre sipas rrugës së referendumit. Shembulli gjerman është ende i freskët në mendjen e evropianëve dhe në veçanti të francezëve që me atë rast përshëndetën aktin, duke harruar grindjet e vjetra ose kujtimet e luftrave jo fort të largëta. Sidoqoftë, përpara se kjo gjë të ndodhë duhet që qarqet qeveritare të Kosovës së pavarur dhe të Shqipërisë sovrane të ulen dhe përpunojnë projekte të tilla dhe më tej, që popujt e këtyre dy vendeve t’i ndjekin pas. Edhe vëzhguesi më dashamirës e ka të vështirë t’i besojë një mundësie të tillë, kur shprehet : .
. Klasat politike të dy vendeve nuk do të shtyjnë në drejtimin e bashkimit… klasa politike kosovare i ka dhënë provat qoftë në kuadrin e « pushtetit paralel » të viteve 1990, qoftë gjatë luftës së armatosur. Ajo nuk është më pak bindëse se sa klasa politike që po ndan pushtetit që prej pesëmbëdhjetë vjetësh në Shqipëri. Megjithëse kthimi i Sali Berishës në pushtet në Tiranë është gjithësesi një shënjë e mirë lidhur me bashkëpunimin mes dy shteteve, vështirë se mund të imagjinohet që udhëheqësit kosovarë t’i binden autoritetit të tij në kuadrin e një ansambli politik të bashkuar (shënimi 5). .
. Tejet larg këtyre shqetësimeve që për momentin mbeten veçse hipotetike, qarqet qeveritare evropiane kanë qenë gjithmonë të mendimit që varianti i pavarësisë përmbante në vetvehte rrezikun serioz të destabilizojë procesin demokratik që është duke u zhvilluar në Serbi, të brishtëzojë ekuilibrin e dobët që mbretëron në Maqedoni, pa folur edhe për pasojat që mund të sjellë ndaj një Mali të zi ende i pamëkëmbur pas asaj aventure të vështirë të mëvehtësimit. E parë nga Evropa, « I duhet dhënë kohë kohës ». Para së gjithash, kjo do të thotë konsolidimi i pax Macedonensis dhe lëshimi i Serbisë në rrugën e reformave demokratike. Ndërkohë është pax Kosovarensis që rrezikonte të bëhet copë e thërrime. I takonte Evropës tashmë zgjedhja mes destabilizimit të mundshëm të rajonit si pasojë e zgjidhjes së çështjes së statusit ose destabilizimit të vërtetë të Kosovës për shkak të mos zgjidhjes së po këtij statusi. .
. Pritshmëria evropiane i gjente rrënjët e veta në mungesën e zgedhjeve alternative të lexueshme lidhur me Kosovën, pa harruar që si zakonisht, diplomacitë e ndryshme evropiane e kanë tejet të vështirë që të merren vesh me njëra tjetrën përsa i përket objektivave të përbashkëta. Ç’është e drejta, Bashkimi Evropian gjendej përpara një pamundësie të vënies në ekuacion të problemit kosovar : .
. - si i bëhet që njëkohësisht të kënaqeshin angazhimet e marra ndaj serbëve dhe të qetësoheshin shpirtrat në Prishtinë ? .
. - si mund të avancohej drejt pavarësisë së Kosovës pa shkaktuar « efektin domino » në të gjithë rajonin ? .
. - si mund të vihej në lëvizje një proces emancipimi gjeopolitik në Ballkan pa dhënë « shembullin e keq » për popujt e tjerë në kërkim të njohjes dhe mirëkuptimit ndërkombëtar, siç është rasti i çeçenëve ose i tibetanëve ? .
. - si mund të bindeshin përfundimisht evropianët lidhur me nevojën e krijimit të një tërësie të re territoriale të pavarur – një shtet sovran, popullsia e të cilit është pothuaj tërësisht myslimane dhe për më tepër kandidate e Bashkimit Evropian - në zemrën e Evropës, ndërkohë që dëshira për t’u shërbyer nga vlerat e krishtera si etalon qytetërimi dhe përparimi ndihet gjithmonë e më tepër ? .
. Sidoqoftë, në tetor 2005, OKB-ja morri nismën dhe caktoi finlandezin Marti Ahtisari si përfaqsues të saj të posaçëm për të përgatitur këtë proces. Ndërkohë, i famshmi « Grup i Kontaktit » u ngarkua të qërojë pengesat nga rruga që çonte në Vjenë, ku të interesuarit priteshin të takoheshin në shkurt të vitit 2006 (shënimi 6). I bllokuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, ky takim punimet e të cilit ishin parashikuar të zgjasnin një vit – në mos edhe më tepër – paraqitej si një garë maratone gjatë të cilës, ai që arrinte të qëndronte sa më gjatë rreth tryezës kishte më tepër shanse t’a fitonte. Megjithë këshillat e vendeve perëndimore për të qenë të matur, të dyja palët u munduan të qëndronin sejcila në llogoren e vet, të mbrojtura nga parimet në princip të papajtueshme, duke u munduar njëkohësisht të fshehin dobësitë e tyre. .
. Pala serbe përsëriste vazhdimisht garancitë e dhëna nga ana e bashkësisë ndërkombëtare në Rambujé. Ndërkohë ajo nuk zotëronte asnjë mundësi për t’a detyruar këtë të fundit që t’i respektojë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një krahinë që praktikisht ndodhej plotësisht jashtë kontrollit të saj. Me qëllim që të ruante çka është kryesore – mohimin e pavarësisë së Kosovës, Beogradi filloi t’i ulë çmimin mallit : herë herë negociatori serb për Kosovën propozonte që vendi i tij « ishte gati që t’ju lerë kosovarëve kontrollin e financave dhe të doganave, mbrojtjen si dhe kompetencat e përfaqsimit diplomatik sikundër dhe bashkësinë e pushteteve legjislativë, egzekutivë dhe gjyqësorë në shkëmbim të ruajtjes së sovranitetit serb dhe kontrollin e kufijve » herë herë Ministri Punëve të Jashtme Drashkoviç i sugjeronte shqiptarëve të Kosovës që « të pranonin një pavarësi të brendshme » sikundër dhe « kontrollin e forcave të armatosura, të policisë, të Ligjeve dhe të doganave, si përfundim të të gjitha forcave » për aq gjatë sa vendi i tij të mund të gëzonte « mosdhunimin e kufijve të tij të jashtëm ». .
. Paralelisht, pala shqipare avanconte si një trup të vetëm prapa parrullës së pavarësisë, megjithë premtimin e dhënë paraprakisht - qoftë dhe duke e pëshpëritur - se në plan të parë të kërkesave të tyre ata do të vinin idenë e sovranitetit. Ajo i njihte mirë kufijtë e forcave të veta dhe në rradhë të parë faktin se nuk ishte në gjendje të sjellë të gjtha garancitë e kërkuara, të gjykuara si të domosdoshme. Me qëllim që të dëgjohej zëri i tyre, kosovarët shqiptarë u munduan të ngrenë pazarin, duke përdorur deklaratat e llojit « kompromisi ynë është pavarësia », një ide origjinale e politikanëve të saj – thjesht për t’ju kujtuar të tjerëve se egzistonte njëkohësisht edhe varianti i bashkimit me Shqipërinë fqinje. Ndërkohë, Veton Surroi ju kujtonte bashkëbiseduesve serbë që t’ju akordonin gjithashtu « autonominë edhe shqiptarëve të luginës së Preshevës ». . Në themel të këtyre deklaratave të nuancuara mbetej padyshim qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nëpërmjet nën-Sekretarit të saj të Shtetit përmendte mundësinë e « popullit të Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e vet ». E rimarrë nga antarët e Grupit të Kontaktit, ideja u transmetua nëpërmjet kanaleve diplomatike të aleatëve besnikë si Britania e Madhe dhe Italia, përpara se të çfaqej përballë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këto situata Ahtisari paraqiti në Prishtinë dhe më tej në Beograd propozimin e tij të fundit : pavarësia e kushtëzuar – ku kushtëzimi parashikohet në termat e shpërqëndrimit administrativ. .
. Çfarë përfaqsonte në të vërtetë ky shpërqëndrim ? Po qe se i referohemi raportit të dalë nga zyra e Ahtisarit, komunat që përmbajnë një shumicë serbe duhet të përfitojnë nga « kompetenca të zgjeruara në fusha të tilla si policia, drejtësia… nga kompetenca të veçanta që shkojnë përtej atyre tashmë të praktikuara në komunat e tjera ». Për më tepër, dhënia e këtyre kompetencave duhet të plotësohet me lidhje transversale mes komunave të ngjashme nëpërmjet territorit të Kosovës, pa harruar edhe lidhjet e natyrës së veçantë me Beogradin. Me fjalë të tjera, pavarësia është e parashikueshme me kusht që në rrafshin krahinor, administrata qëndrore të mund të qendërzohet dhe të ristrukturohet nëpërmjet standardeve ndërkohë që në rrafshin lokal, komunat e shumicës serbe të mund të mbrohen nëpërmjet transferimit të pushteteve. .
. Përfundimisht, diplomatët mund të ishin të kënaqur nga shpikja e tyre pasi, megjithë mungesën e prekshme të debatit të drejtpërdrejtë, palët e interesuara kundërvepruan menjëherë, sejcila duke u shprehur sipas mënyrës së vet. Nga formula lapidare e Ahtisarit, pala shqiptare preferoi të mbante mend vetëm fjalën « pavarësi », ndërkohë që në intimitetin e tyre partiak, forcat politike filluan të diskutonin mbi rreziqet e shpërqëndrimit. Në të kundërt, pala serbe nënvizoi vetëm fjalën « shpërqëndrim » ndërkohë që ju vu punës për të kërkuar propozime të tjera me qëllim që të zgjeronte fushën e saj të përdorimit : të kryhej një ndarje e re administrative e Kosovës që të shtohej numri i komunave të banuara nga popullsia serbe, të krijoheshin korridore territoriale me qëllim që të sigurohej mbijetesa e tyre dhe së fundi, të forcohej dispozitivi komunal nëpërmjet përfshirjes së vendndodhjeve të kishave ortodokse, bashkë me zonat përrreth të mbrojtjes së tyre. Kjo vajtje-ardhje propozimesh, kundërshtimesh dhe kundër-propozimesh kish meritën se vajiste mekanikën e diskutimeve dhe mbante ngrehur opinionin publik duke e shtrirë debatin në kohë. Mjafton që të interesuarit të kalonin në fazën e mëpasme, në atë të lëshimeve, me qëllim që ajo nyje gordiane që quhet Kosovë të mund të pritej ! .
. Me të vërtetë, përse kjo çështje e Kosovës paraqitej si një problem i pazgjidhur, si një gjë-a-gjëzë ankthkrijuese ? Përgjigja mund të jepet me një ose dy rreshta : .
. ata që kanë patur rastin t’a trajtojnë përgjatë kohrave e kanë kqyrur si një çështje të brendshme të Serbisë dhe asnjëherë si një çështje në vetvehte që meriton një vështrim të thelluar, me pavarësinë si një prej elementëve të arsyetimit. Për më tepër, për t’u siguruar dhe veçanërisht për të siguruar bashkëbiseduesin e tyre kryesor, fuqitë evropiane – pasi bëhet fjalë pikërisht për to – e kanë pajisur me disa shule dhe lloze, pa arritur të kuptojnë që me kohë, këto lloze dhe shule do të bëheshin pjesë e pandashme e strukturës. Në këtë mënyrë, ato s’bënë gjë tjerër veçse shtynë tej një përfundim të pashmangëshëm, i cili me kohë mundi të mbledhë, përveç aspektit kushtetues, një përmbajtje politike, një barrë ekonomike, një përmasë njerëzore, një ngarkesë emocionale për t’u çfaqur përfundimisht si një krizë madhore, si një kërcënim ndaj sigurisë të rajonit dhe të vetë kontinentit. Ky është edhe një çelës i ri – « i njëmbëdhjeti » për të kuptuar Kosovën (shënimi 7). .
. Shembulli i përsosur i një sjellje të tillë është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i akordonte Kosovës « një autonomi qenësore » sikundër dhe « vetëqeverisjen ». Në formë të dukshme, kjo rezolutë s’ish gjë tjetër veçse një tentativë riekuilibrimi, pas Marrëveshjes së papërfunduar të Rambujesë që në thelb repektonte principet e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe pas ndërhyrjes ushtarake të njëanshme të forcave të NATO-s e cila vinte në dyshim pikërisht këtë sovranitet dhe tërësi territoriale. Megjithë mungesën e referencave të drejtpërdrejta të Serbisë në këtë dokument, kjo e fundit paraqitej si trashëgimtare e të ndjerës strukturë federative, duke kërkuar në këtë mënyrë rikthimin e Kosovës në gjirin e saj, në përputhje me Kushtetutën e 28 marsit të vitit 1989. Ironi e fatit, ishte pikërisht kjo Kushtetutë që, nëpërmjet vullnetit të popullit serb, asgjësoi autonominë e krahinës, duke u bërë shkas për shgjymtyrëzimin e Jugosllavisë. .
. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare ish munduar disa herë t’i jepte formë të ardhmes të Federatës, veçanërisht përgjatë dhe pas ngjarjeve të vitit 1991 – ato që precipituan pavarësinë e Sllovenisë, të Kroacisë, të Maqedonisë ose dhe të Bosnjës. Gjatë kësaj periudhe, një komision evropian i kryesuar nga francezi Robert Badinter vendosi që të vetmet kritere të pranueshme nga pikpamja evropiane për të njohur tërësitë territoriale të pavarura, të çfaqura pas shkrirjes së Jugosllavisë, ishin kufijtë e republikave përbërëse ; me fjalë të tjera, kandidatët duhej të kishin qenë më parë « njësi » federale. Si jurist me përvojë, Badinteri mundi të shërbehej nga një « piruetë juridike » e kohës së shthurjes së sistemit kolonial - uti possidetis – me anë të të cilit mund të njihej de fakto pavarësia brenda kufijve administrativë, duke anashkaluar në këtë mënyrë Ligjin themelor jugosllav. Megjithë pëputhjen juridike me ligjin ndërkombëtar – në rastin tonë me Nenin e Parë të Kartës të Kombeve të Bashkuara që përmend « të drejtën e vetëvendosjes së popujve », Kushtetuta jugosllave u shkallmua nga Komisioni Evropian i Arbitrazhit, i cili kish zëvendësuar termin popull me termin Republikë, përpara se sa të binte nga fuqia si pasojë e « shkrirjes » ose e « shgjymtyrëzimit » të Federatës. Mund të ngrihet pyetja : a njihte apo jo Rugova përfundimet - ose siç është bërë zakon të quhen « parimet e Badinterit », përpara se të nisej në kryqëzatë për të kërkuar njohjen ndërkombëtare të « Republikës » së tij të Kosovës ? .
. Ndërkohë që ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe vendosja e protektoratit OKBjan mbi Kosovë ndërpreu bashkëegzistencën e dhunshme në gjirin e strukturës sakate jugosllave, bëhej e pashmangshme që pas disa vitesh, çdo iniciativë e ndërmarrë për të dalë nga ky qorrsokak – përcaktimi i statusit të ardhshëm të Kosovës – do të ngjallte një debat, përmbajtja e të cilit do të ishte para së gjithash, e natyrës kushtetuese. Le të përjetojmë edhe një herë këtë debat aq pasionant dhe aq të ashpër, që u zhvillua deri në muajt e parë të vitit 2008. Shumëkush mund të mendojë se sot, pas shpalljes aq të shumëpritur të pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt 2008, ai është mbyllur. Ashtu qoftë ! Megjithatë ja vlen të rikujtohet, për hir të të kaluarës që fshihet aq shpejt nga kujtesa e tê gjallëve – sikundër dhe pêr tê kuptuar thelbin e mospajtimit me egzistencën e kësaj pavarësie që ende ndeshet në një varg kancelarish dhe qarqesh zyrtare. .
. Ndërmjet palëve të interesuara, ajo shqiptare propozonte një formë të pazakonshme – pavarësinë – një element të pahasur në historinë e vendit, në qoftëse harrojmë atë « Republikën Jugosllave të Kosovës » të shpallur në vitin 1991. Ndërkohë ishin përpunuar një varg propozimesh të tjera « të arsyeshme ». Për të justifikuar kërkesën e vet legjitime të integritetit territorial, logjika kërkonte që pala serbe të mund të ofronte një kuadër kushtetues. Por, ai kuadër që egzistonte përpara ndërhyrjes së forcave të Organizatë së Atlantikut Verior – Kushtetuta e 27 prillit të vitit 1992 (shënimi 8) që përcaktonte Kosovën si një rajon të thjeshtë të Republikës serbe dhe që parashikonte një autonomi nga më të reduktuarat –paraqitej si krejt i demoduar dhe i rrezikshëm. Nga njëra anë, mjedisi shtetëror jugosllav i asaj kohe, Bashkësia shtetërore serbo-malazeze - në vazhdim e ripërcaktuar nga Karta Kushetetuese e 4 shkurtit të vitit 2003 – nuk egzistonte më që prej momentit të krijimit të Republikës së Malit të Zi, gjatë muajve të parë të vitit 2007, dhe nga ana tjetër, institucionet OKBjane të Kosovës kishin përpunuar dhe miratuar « Kushtetutën i Përkohshme » të 14 majit të vitit 2001. Përfundimisht, varianti i krahinës autonome në gjirin e Republikës së Serbisë ishte varianti më i papranueshëm nga kosovarët dhe dhe më pak realisti pasi, pikërisht, ai shërbeu si ndezës për konfliktin e armatosur dhe më tej, si bazë për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, zgjedhja fillestare serbe ishte absolutisht e papranueshme. .
. Varianti tjetër i paraqitur nga fundi i vitit 2006 ishte bashkimi i Kosovës me Bashkësinë shtetërore serbo-malazeze si antare ortake. Ky variant përbënte edhe një prej platformave të bashkëbisedimeve serbo-kosovare të vitit 2006 që mbështetej në zgjedhjen e kuadrit të Federatës së re jugosllave, bashkë me Republikën e Kosovës. A priori, ky konfiguracion kënaqte kushtet e imponuara nga Rezoluta 1244 dhe përputhej në mënyrë globale me dëshirat e vendeve evropiane. Në qoftë se mund të imagjinojmë që pas një reflektimi të mençur lidhur me të ardhmen e vendeve antare, politikanët e të dy kampeve mund të gjenin një minimum garancish kushtetuese – me një përpjekje të shumëfishuar të mbrojtësve ndërkombëtarë, kish po aq të ngjarë që për arsye diametralisht të kundërta, opinionet publike respektive të shprehnin pakënaqsinë e tyre të thellë si dhe rezervat e papajtueshme. .
. Krahas dy zgjedhjeve të mësipërme kish vend edhe për një të tretë – krejt teorike : ajo e Krahinës Autonome në gjirin e Federatës jugosllave, në përputhje me Kushtetutën titiste të vitit 1974. Aspak realiste dhe ç’është më kryesorja, krejtësisht e tejkaluar nga rrjedha e historisë, ajo siguronte sidoqoftë disa garanci – veçanërisht ndaj pakicës serbe të Kosovës – pa mundur që të shtrohej mbi tryezën e bisedimeve të Vjenës, duke ditur që varianti republikan ishte tejet më tërheqës. .
. Të gjitha këto spekullime « kushtetutore » (shënimi 9), u reduktuan në hiç nga një ngjarje pothuaj e papritur : pavarësia e Malit të Zi, e fituar pas një referendumi popullor në janar 2007. Me largimin e njërës prej përbërësve të strukturës federative me vetëm dy antarë, vetë Federata mbyllte ciklin e saj të jetës dhe bashkë me të varroseshin edhe të gjitha propozimet që synonin rikthimin e Kosovës në gjirin e saj, pasi kishin humbur çdo bazë juridike. Ndoshta kjo përbënte edhe një prej arsyeve që shtynë Bashkimin Evropian të pengonte këtë pavarësi malazeze kaq befasuese për të mos e quajtur « të pahijshme », duke i vënë kushte nga më të irrealistet. Kjo zgjidhje « qiellore » nga pikpamja e kosovarëve, i detyronte serbët ose të fshiheshin tashmë prapa një qëndrimi krejtësisht nacionalist ose të pranonin idenë e pavarësisë së Kosovës, e shtynte Evropën të rishikonte fund e krye qëndrimin e saj ndaj statusit të Kosovës dhe në rradhë të parë angazhonte OKB, nëpërmejt përfaqsuesit të saj finlandez të shtronte mbi tryezë një variant të ri. Troç, bëhej fjalë për një paketë me propozime – Planin Ahtisari.
.
. ________________________________
.
.
. (1) Shih : Dušan T. BATAKOVIĆ - Kosovo-Metochie : régionalisation, regroupement ethnique ou partage, i çfaqur nën titullin : « Progetti serbi di spartazione », Kosovo: Il triangolo dei Balcani, Limes, No 3, Roma 1998; sikundër dhe : Dobrica COSIC - L'Effondrement de la Yougoslavie, Editions l’Âge d'Homme, Lausanne, 1994, ose : Isa BLUMI - A Story of Mitigated Ambitions: Kosova's Torturous Path to its Postwar Futur, Alternatives, Turkish Journal of International Relations, Vol.1, Nr. 4, winter 2002.
.
. (2) shih : GMR FRANZINETTI, R CURRIS – The Assembly of Kosovo : one year on, Conflict Studies Research Centre, G119, march 2003.
.
. (3) Kthimi i të çvendosurve ka qenë në zemër të debateve lidhur me agjendën politike të Kosovës. Megjithë përpjekjet e konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, rezultatet kanë qenë mediokre. Kështu, në vitin 1999, vetëm 1.800 vetë u rikthyen në krahinë ; një vit më vonë numri ra në 500 dhe në 2001 ai u rrit në 2.500 vetë. Të gjithë janë të një mendje që mjedisi lokal i karakterizuar nga dhuna si deh situata ekonomike nuk favorizon rikthimin. Sidoqoftë, problemi i rikthimit që në një farë mënyre kondicionon deri edhe statusin e krahinës, ka krijuar një debat të gjallë mes OJQ të cilat kërkojnë që para së gjithash të kryhet një bilanc preciz i të zhvendosurve. Deri më sot, shifra prej 230.000 të zhvendosurish e dhënë nga Beogradi mbetet tepër opake. Në qoftë se OJQ avancojnë shifrën 100.000 vetë, klubi i Iniciativës Evropiane të Stabilizimit IES në Berlin pohon që ata nuk e kalojnë shifrën prej 65.000 vetësh. Duke u nisur nga shifrat e rregjistrimit të fundit të popullsisë së Kosovës, IES këmbëngul se pjesa më e madhe e serbëve të shpërngulur janë qytetarë të cilët ndërkohë kanë shitur gjithë pasuritë e patundshme në vend në një perspektivë të moskthimit. Shih : Tim JUDAH - Le retour des Serbes au Kosovo est-il possible ? ISN Security Watch, Zurich, juillet 2004.
.
. (4) Shih : Rexhep QOSJA – La question albanaise, Ed. Fayard, Paris 1995.
.
. (5) Metais vëren edhe disa pengesa të tjera ndaj procesit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë : historia e veçantë e këtyre dy vendeve të paktën që prej një shekulli që sipas tij ka krijuar dy trashëgimi kulturore të ndryshme, fakti që as njëra as tjetra nuk mund të shpresojnë ndonjë avantazh ekonomik nga ky bashkim dhe së fundi reaksioni ndërkombëtar që i trembet destabilizimit të rajonit. Shih : Serge METAIS – Histoire des Abanais : des Illyriens à l’indépendance du Kosovo. Ed. Fayard, Paris 2006.
.
. (6) Ky takim u shty në mars, për shkak të vdekjes së Presidentit Rugova, në 22 shkurt 2006. Lidhur me objektin e këtyre diskutimeve shih : International Crisis Group (ICG) – Kosovo : The Challenge of Transition, Europe Reports N° 170, february 2006.
.
. (7) Përsa i përket dhjetë çelësave të parë, lexo : Michel ROUX – Le Kosovo, dix clés pour comprendre, Editions La Découverte, Paris 1999.
.
. (8) Kushtetuta jugosllave e 27 prillit 1992, e aprovuar pas shkrirjes së Jugosllavisë titiste, ishte e mbështetur mbi Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e shpallur në 28 shtator 1990. Kjo e fundit ish përpunuar menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese të 23 marsit 1989, që shfuqizonin dispozitat e mëparshme lidhur me autonominë e krahinës së Kosovës.
.
. (9) Një pamje e plotë e mendimeve të shprehura nga ana e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë lidhur me statusin e Kosovës mund të merret në : Dimitri TRIANTAPHYLLOU (éd) – What status for Kosovo ? Institute for Security Studies, Western European Union. Chaillot Paper 50, oct. 2001, Paris. Në të kundërt, Kullashi shpreh mbrojtjen e tezës së pavarësisë së Kosovës në : Muhamedin KULLASHI – Vers l’indépendance ? La question du statut du Kosovo. Mars 2006. Dans : www.ceri-sciences-po.org.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur