

. Ndoshta maji 68’ në Francë mbetet simbol i asaj epoke, ndoshta për shkak të forcës goditëse shoqërore, implikimit njerëzor masiv dhe sigurisht falë mediatizimit të pashoq. Por ky maj nuk është as i pari as edhe i vetmi, në Evropë ose në botë, gjatë atij viti të stuhishëm 1968.
.
.
. Berlin - Frankfurt : revolta kundër Etërve.
.

. Baballarët – ata që kishin mundur të shpëtonin gjallë nga Lufta e Dytë Botërore - zbulojnë me llahtari që fëmijët e tyre përbuznin thellësisht gjithçka : sigurinë që ju jepte pasuria, qethjen e tyre shkurt, faqet e rruara përditë, barkun e tyre të dhjamur, kohën që kalonin duke pastruar
veturën, konformizmin e tyre karakteristik, të shkuarit në kishë çdo të djelë, pushimet familjare në bregdet.. Në një vend që mundohej me ngulm të harronte çdo gjë që kish të bënte me nazizmin, ku sejcili e mbante vehten për viktimë, mënyra më e mirë ishte heshtja, mbyllja në vetvehte, harresa nëpërmjet punës – nëpërmjet mirëqënies materiale. Të tillë prindër, nga njera anë ishin të bindur ndaj Shtetit, ndaj disiplinës – struca që fshihnin kokën e fajshme, dele që ripërtypnin fraza – dhe nga ana tjetër ata ishin vetë autoriteti, profesorë që jepnin nota, diploma, karriera. Ata ishin vetë pushteti.

. Revolta pra ishte shumëformëshe : kundër heshtjes, kundër harresës, kundër moskuptimit dhe mbylljes emocionale të prindërve, por edhe për rikrijimin e një morali të ri politik, të një dialogu social, për një formim më të përshtatshëm, për modernizimin e vetë shoqërisë. Sikundër thotë edhe një dëshmitar i asaj kohe : « për të gjetur gëzimin e jetës ».
. Hap pas hapi, të rinjtë zbuluan se kish intelektualë që shkruanin të tjera idera, që mbronin të tjera çështje – por që shoqëria ose i mbulonte me heshtje, ose i syrgjynoste jashtë. Ata zbuluan Markuzen dhe Adornon, rizbuluan Marksin dhe Leninin, riformatuan socializmin, u pasionuan për Vitnamin, për Kubën… Ata provuan drogën dhe dëgjuan muzikën, shijuan seksin dhe jetesën e lirë.. dhe natyrisht u revoltuan kundër prindërve. Dhe pikërisht, ishte « indiferenca kriminele » e masave, e njerëzve të rrugës që i hodhi benzinë zjarrit të revoltës.
.
.
. Romë - Milano : revolta kundër Autoritarizmit.
.

. Pakënaqsi ndaj zvarritjes së një sistemi politik që s’arrinte dot të modernizohej, që shpërfillte kapitalin demokratik të luftës antifashiste dhe të Rezistencës, ndaj një shoqërie tejet katolike dhe konservatore, ndaj një sistemi ekonomik që vazhdonte të prodhonte varfëri krahas « mrekullisë së konsumit », ndaj një sistemi arsimor që i konsideron studentët me një « thes për t’u mbushur, me koncepte të gatshme nga maja e katedrës ». Përballë sistemit autoritar dhe mospërfillës gjendet rinia, gjithmonë më e etur, më kërkuese, më e politizuar, më e ideologjizuar, më e ndërgjegjshme, që interesohet « për Çe Guevarën që lufton në Kolumbi, për çështjen e të zinjve në Amerikë, për Vietnamezët, për gjendjen në Indi, për mbarë botën dhe varfërinë në të… »
« Kundër autoritarizmit akademik, pushteti studentëve » ja edhe manifesti i studentëve që pushtuan Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Torino
.
.
. San Francisko – Çikago : revolta kundër Qënies.
.

.
. Vetëm se disa hapa më tej ishte lufta e Vietnamit me ata dhjetra mijra të vrarët e saj amerikanë dhe ato qindra mijra viktimat vjetkonge, me napalmin dhe B52, me fëmijët dhe gratë
e masakruara të Mylait... se disa lagje më tej, vepronin militantët e Black Panther Party, përfaqsuesit e black people, të mbushur me black pride, të dehur me black nationalism të të ndjerit Malkolm X.. vetëm se disa rrugë më tej, në Memphis, u vra pastori i zi Marin Luter King, ai që kish ndjerë atë ëndrrën e pamundur por aq të bukur.. « A negro killed in Memphis » titullon kryeartikullin New York Times i 29 marsit 1968.

. Dhe befas, West Side i Çikagos ndizet i tëri : 2.500 policë kundër 300.000 të zinjve të zemëruar. Ndërkohë që qeveria shpejton të dërgojë 4.000 roje kombëtare dhe kryetari i bashkisë urdhëron policët e tij « të qëllojnë për të vrarë kryengritësit », përleshjet i venë zjarri Washingtonit. Në 170 qytete amerikane getot e zeza ngrihen në përleshje. « Java më e zezë e Amerikës » psherëtin jo pa humor revista Newsweek »..
.
.
. Varshavë - Pragë : revolta kundër Sistemit.
.

. Në mars 1968, studentët e Universitetit të Varshavës manifestuan në masë kundër përjashtimit të dy shokëve të tyre, të akuzuar për aktivitet subversiv. Ndërhyrja e policisë ishte sa brutale aq edhe e shpejtë.. Studentë të rrahur, të arrestuar, të përjashtuar, të burgosur.. Një pjesë e tyre përfundoi në ilegalitet dhe krijoi kuadrot e ardhshme të « Solidarnosc ».
.
. Në Çekosllovaki, janë intelektualët që treguan me gisht censurën dhe tronditën tërë sistemin.
Le të kujtojmë Kunderën dhe shkrimin e tij « T’i japim letërsisë cilësinë dhe dinjitetin » në Kongresin e Shkrimtarëve në vitin 1967. Shkrimtarët lanin hesapet me të kaluarën, me vehten e tyre… Më tej është Partia që i hap derën reformës dhe zgjedh në krye të saj Dubçekun, i cili nuk hezitoi të tregojë me gisht problemet e vendit : rradhët për ushqime, fshatarët e rraskapitur dhe të varfëruar, hipokrizinë e kuadrove, në emër të « socializmit me fytyrë njerëzore ». Në atë të largëtin vit 1968, ky aparatçik sllovak 45 vjeçar guxonte thënien « demokracia nuk është vetëm e drejta dhe mundësia e të shprehurit të opinionit të çdokujt, por edhe marrja parasysh e këtij opinioni nga pushteti, mundësia për sejcilin të marrë pjesë realisht në marrjen e vendimeve ».
Disa muaj më vonë, në gusht 1968, tanket e Traktatit të Varshavës shtypën me zinxhirat e tyre « pranverën e Pragës » dhe kësaj rradhe një rini e tërë doli në rrugë, u përlesh, u përgjak.. bile edhe u vetëndez me benzinë për të protestuar kundër « vëllezërve rusë » të idealit të përbashkët.

.
.
. Tokio – Meksiko : revolta kundër Rendit.
.
. Edhe periferia e botës perëndimore njeh llokoçitjet e veta, trazirat sociale, frekuencat dhe amplitudat e të cilave mbeten funksion i politikave të brendshme, i krizave politike. Por, kur vala rinore e ardhur nga Perëndimi interferon me atë lokale ndodh që arrihet rezonanca aq e frikshme..
.

.
. Në Meksiko, lëvizja studentore ziente që prej muajve të parë të vitit 1968 dhe kërkesat e studentëve morën ngjyra gjithnjë e më politike : « abrogimi i Neneve 145 dhe 145b të Kodit Penal (kërcënimi i rendit publik nga grumbullimet e tre personave), shpërndarja e grenaderove (një repart taktik i policisë), lirim i të burgosurve politikë… ». Në shtator, sulmi i
ushtrisë ndaj qytetit universitar dhe arrestimi i 500 studentëve dhe profesorëve ngriti gjithë vendin më këmbë. Në 2 tetor një manifestim i madh i studentëve protestues u bllokua nga policia në sheshin e Tlatelolcos : « no queremos olimpiadas, queremos revolucion » ishte parrulla e demonstruesve. 5.000 ushtarë dhe 300 tanke ju rrinin përballë.. dhe befas filluan të shtënat e mitralozëve. Disa hapa më tej, qyteti vazhdonte jetën e tij dhe asnjë veturë nuk ndalej për të asistuar skenën. « Një normalitet i përbindshëm, fyes, nuk arrija të kuptoja këtë qetësi » kujtohet një nga gazetaret e epokës. Të nesërmen, gazetat lokale shkruanin për përleshje mes terroristëve dhe ushtarëve që kish bërë 28 të vrarë dhe 80 të plagosur nga të dy kampet. Burime të tjera jashtëqeveritare shpallën se numri i të vrarëve ishte mbi 250, disa mijra të plagosur, dy mijë të arrestuar.. mes indiferencës së përgjithshme. Vetëm dhjetë ditë më vonë, Meksiko hapte me bujë Olimpiadën verore, të XIX e erës moderne, në prezencë të 112 vendeve dhe 5516 atletëve…

.
. * * *
.
.
. Kjo pasqyrë e shpejtë e botës së ngërthyer nga ngërçi i ndryshimit, e frymëzuar nga afshi i lirisë dhe e shkrumbosur nga revoltat e rinisë, sidoqoftë mbetet e mangët pa pasqyrimin e dy momenteve të tjera aq domethënëse : Pekin – Shangai : revolta kundër Udhëheqësve dhe Tiranë - Durrës : revolta kundër Zotit.
. Por, duke respektuar këshillën e një mikut im blogist nga Italia, i cili më shkruan diku : « .. është me të vërtetë kënaqësi për mua kur lexoj artikujt [tuaj].. sidomos kur nuk janë shumëëëëë të gjatë », mendova t’i le për shkrimin tjetër të rradhës.
2 comments:
Tiranë - Shqipëri : dëgjonim Hipareun :)
PS :informacion i vyer.
:)
s'paskam pas pat lexue Suite-n..
paske shkrujt dhe per Tironen :)
Post a Comment