"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, May 5, 2008

Maj 68’ : Kronika e stuhisë franceze.

Tërmeti i madh shoqëror që tronditi botën mbarë gjatë viteve 1967-1968, për një sërë arsyesh, njohu një zhvillim të jashtëzakonshëm në Francë. Sidoqoftë, shumë më të ashpër dhe më masiv se në vendet e tjera.
. Që në ditët e para të muajit maj, studentë anarshistë të pakontrollueshëm dhe pa asnjë program politik, adeptë te Maos dhe të Markuzes, sulmuan fakultetet, i pushtuan dhe u ndeshën me policinë nëpër rrugët e Parisit.
. Asnjëherë, kryeqyteti francez nuk kish parë një shpërthim të tillë dhune dhe shkatërrimi. Një varg intelektualësh e majtë i mbështetën dhe kodifikuan këtë lëvizje si shprehje të pakënaqësisë që lëvrinte në gjirin e shoqërisë. Në mes të muajit maj, puntorët u solidarizuan me studentët dhe u ngritën në grevë që brenda disa ditësh u shëndrrua në grevë të përgjithshme. E tërë Franca u paralizua dhe partitë politike të opozitës kërkuan rrëzimin e qeverisë. Presidenti De Gol shprehet për një referendum popullor lidhur me votëbesimin ndaj politikës së tij. Qeveria dhe sindikatat hyjnë në bisedime pêr rishikimin e rrogave dhe tê avantazheve sociale (bisedimet e Grenelës). Përfundimisht, në fund të majit, De Goli shpall shpërndarjen e Parlamentit dhe njofton pêr zgjedhje tê reja, në fund të muajit qershor.
.
. Për « çudi » zgjedhjet e reja legjislative ishin një plebishit i vërtetë pêr partinë e De Golit që si asnjëherë tjetër mori shumicën dërrmuese të vendeve në Parlament. Revolta përfundoi po aq befasisht si kish filluar : njerëzit shkuan me ngut në pushimet e korrikut dhe u rikthyen tê paqësuar.
. Sidoqoftë, « e keqja » ish bërë : qeveria e djathtë s’mundi tê realizonte ato reformat e premtuara, Elizeja (selia e Presidentit) ish gjithmonë më e largët dhe më e shkëputur nga populli, vetë De Goli kish rënë nga piedestali i Babait të Kombit… Diçka e pakthyeshme kish ndodhur në shoqërinë franceze – vetë Franca nuk ish më ajo që kish qenë më parë.
.
. Ja edhe kronika e kësaj periudhe të stuhishme, dyzet vjet më parë :
.
. 22 mars – lokalet administrative të Universitetit të Nanterrës u pushtuan nga një grup prej 400 studentësh anarkishtë dhe trockistë., që protestonin kundër dhunës ndaj militantëve të Komitetit Viet-Nam.
.
. 28 mars – Dekani urdhëron mbylljen e fakultetit të letërsisë.
.
. 1 maj – manifestim i madh i forcave të majta në Paris.
.
. 2 maj – studentët e të djathtës ekstreme (Oksident) i venë zjarrin një lokali sindikal në Sorbonë.
.
. 3 maj – të gjitha organizatat e të majtës ekstreme manifestojnë në Sorbonë dhe përgatiten për përleshje me grupet e të djathtës ekstreme. Rektori kërkon ndërhyrjen e forcave të policisë që fillojnë të arrestojnë « organizatorët ». Kalldrëmi i parë kundër policëve hidhet në orën 17 e 30 min. Përleshjet bllokojnë gjithë lagjen ngjitur Quartier Latin : 83 policë të plagosur dhe 574 studentë të arrestuar.
.
. 6 maj – përleshje të reja në Quartier Latin : 300 policë dhe 600 studentë të plagosur. Lëvizja se studentëve përfshin qytetet e tjera të Francës.
.
. 10 maj – përleshjet shëndrrohen në luftë të vërtetë. 60 barrikada ngrihen vetëm në Quartier Latin, 1000 të plagosur nga të dy anët. Sindikata e mësuesve dhe e profesorëve bashkohet me studentët dhe ndërpret mësimin.
.
. 13 maj – sindikatat puntore organizojnë një manifestim në Paris në mbështetje të studentëve : 800.000 pjesëmarrës. Kryeministri Pompidu deklaro rihapjen e Sorbonës për të qetësuar disi studentët. Këta të fundit e pushtuan menjëherë Universitetin dhe e shëndrruan në Shtab të Përgjithshëm të lëvizjes.
.
. 14 maj – 2.600 puntorët e një uzine aviacioni në qendër të Francës fillojnë një grevë pa afat dhe pjesëmarrin në lëvizjen e studentëve.
.
. 15 maj – 300 të rinj puntorë pushtojnë uzinën e tyre Renault dhe marrin peng kuadrot.
.
. 16 maj – rreth 100 uzina janë pushtuar nga komitetet puntore në të gjithë vendin. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha gjenden në grevë dhe janë paralizuar. Numri i grevistëve llogaritet në rreth 200.000.
.
. 18 maj – numri i grevistëve arrin në 2.000.000.
.
. 19 maj – partitë e majta dhe sindikatat kërkojnë të ndërhyjnë dhe të marrin nën kontroll lëvizjen puntore.
.
. 22 maj – shumica në Parlament hedh poshtë një mocion censure të kërkuar nga e majta.
.
. 24 maj – De Goli shpall organizimin e një referendumi popullor për të kërkuar besimin e qeverisë së tij. Në Paris, demostruesit i venë zjarrin godinës së Bursës.
.
. 25 maj – numri i grevistëve arrin në 9.000.000. Stacionet e benzinës janë bosh dhe njerëzit fillojnë bëjnë rradhën për të blerë ushqime.
.
. 27 maj – bisedimet mes qeverisë dhe sindikatave prodhojnë Marrëveshjen e Grenelës (25% të rrogës minimale dhe 10 të asaj mesatare, zvogëlim i kohës së punës dhe i moshës së pensioneve). Baza puntore nuk i pranon pasi i quan të pamjaftueshme dhe shprehet për vazhdimin e grevës.
.
. 28 maj – kriza politike ashpërsohet dhe gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra mbi largimin e De Golit nga pushteti. Miterani ve kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
.
. 29 maj – De Goli braktis Parisin dhe konsultohet në sekret me Gjeneralët e trupave franceze të stacionuara në Gjermaninë Federale.
.
. 30 maj – Fjalim i De Golit në televizion : Asambleja Kombëtare është shpërndarë dhe vendi do të organizojë zgjedhje të reja në fund të muajit qershor.
.
. 31 maj – manifestim gjigand në Paris (1.000.000 vetë) në përkrahje të Presidentit De Gol.

2 comments:

ARTI NE KOHERAT E KOLERES said...

Franca nje djep i iluminizmit,i humanizmit, i njerezve progresist, dhe i revolucioneve per sa me teper liri dhe barazi, pergjate historise se saj ka deshmuar me se miri, mospajtimin e individeve por edhe te shoqerive njerezore me dhunen, dhe agresivitetin e regjimeve te ndryshme social-politike.

idete e levizjes se majit 68, jane sot me aktuale se kurre, ne nje bote qe vlon, ne nje bote qe ekspansioni i shteteve te fuqishme industriale, e ushtarake, eshte bere me i eger dhe me i ashper se kurre. ne nje atmosfere globale kur lufta per demokraci, barazi, dhe personalitet njerezor merr nje kuptim te ri.

keto ide jane insipuese dhe frymezuese per brezat e ardhshem njerezor kudo ne bote. nje teme teper interesante, dhe e prure bukur ketu, ndonese e trajtuar paksa enciklopedikisht.

te pershendes xixa!

xixa said...

Përshëndetje Toni,
Të falemnderoj për komentin tënd dashamirës.
është e vërtetë se tema e sotme ka një karakter sintetik, për të mos thënë kronologjik - thjesht pêr tê rikujtuar rrjedhën e ngjarjeve, tashmë të largëta dhe ndoshta të harruara.
Por ajo do të ndiqet edhe nga dy shkrime të tjera plotësuese dhe analitike:
- Viti 68: një botë në vlim.
- Pasojat e 68': një Francë e ndryshuar.
Përshëndetje dhe së shpejti.
Xixa

 
Përjetësisht të Panjohur