"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, May 27, 2008

Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ».

E nderuara Gazetë « Shekulli », i nderuar zoti Drejtor Thano,
.
.
. Falë dashamirësve të vëmendshëm dhe vëzhgues të kujdesshëm të shtypit, zbulova se gazeta juaj në linjë e datës 26.05.2008, në rubrikën e saj Kulturë, kish botuar artikullin « Vepra fillon ku mbaron historia », kushtuar takimit letrar ndërkombëtar të Lionit (Francë), ku merr pjesë edhe shkrimtari Fatos Kongoli. .
. E lexova me shumë vëmendje, në mos për faktin se vepra e z. Kongoli ngjall admirim, për faktin tjetër se në datën 23.05.2008, po në atë ditë kur artikulli i shkrimtarit botohej nga faqja elektronike e gazetës « Le Monde » - natyrisht në frëngjisht – në blogun tim http://www.albanie-albanais.com/ botova përkthimin – natyrisht në shqip - të këtij shkrimi nën titullin : Fatos Kongoli dhe « çarja gjeografike ». .
. Edhe të mos duash të vëresh, mjaftonte vetëm një grimë e asaj vëmendje që përdora gjatë leximit për t’u bindur se përveç titullit – si edhe atyre pesë-gjashtë rreshtave të para shpjeguese të aktivitetit – i gjithë teksti i ndërhyrjes së shkrimtarit Kongoli, pra përkthimi i tekstit origjinal frëngjisht, ngjan si dy pika uji me tekstin e botuar në blogun tim. Bile në këtë rast, edhe shprehja « si dy pika uji » përbën një eufemizëm të lumtur pasi në të vërtetë, bëhet fjalë për një kopjim mekanik, një prerje – ngjitje në gjuhën e programeve të përpiunimit të teksteve. Mjafton të themi se trupi i tekstit të z. Kongoli, i botuar prej « Shekullit » tuaj përbëhet prej 6676 karakteresh, ndërkohë që ai i botuar prej meje përmban 6672 karaktere… Zor, se dy përkthyes të cilët i ndajnë disa qindra kilometra distancë, të mund të prodhojnë tekste të tilla identike dhe që më tepër të përdorin të njejtat shprehje aq karakteristike si : trysninë e ndrydhjes ndëretnike, e plot të tjera si puna e tyre. .
. Në se shprehja kopjim ju duket e papërshtatshme, ju propozoj një shprehje tjetër : vjedhje, dhe në se kjo e fundit plagos ndërgjegjen tuaj profesionale, le të rrimë tek shprehja plaçkitje. . Natyrisht, nuk dua të ve në dyshim as profesionalizmin tuaj as edhe atë të gazetës që ju drejtoni. Shumë, shumë, mund të mendoj se kjo gjë përbën një veprim të ngutur të ndonjë artikullshkruesi të pacipë si edhe një vemendje të pamjaftueshme të ndonjë redaktori të shkujdesur.. Megjithatë, është gazeta « Shekulli » që mbulon me hijen e saj këto përgjegjësi dhe prezanton përpara atyre dhjetra mijra lexuesve të saj të lumtur pasqyrën e ndershmërisë së bashkëpuntorëve të saj. .
. Sidoqoftë, nuk arrij të kuptoj se çfarë e pengon gazetën tuaj të kontaktojë një individ, një faqe interneti dhe t’i kërkojë këtij të fundit lejen për të botuar në faqet e saj, një artikull, në rastin tonë një përkthim, i cili sipas edukatës duhet të përmbajë edhe referencat e autorësisë.. Personalisht, do të ndjehesha i lumtur nga një kërkesë e tillë, e ardhur nga një gazetë e tillë si « Shekulli » dhe do t’a kisha dhënë lejen me gjithë dëshirë. Por, me sa duket, një praktikë e tillë e tejkalon me papërfillshmërinë e saj etikën profesionale të gazetës suaj që preferon të plaçkisë, dhe jo të kontaktojë, të mospërfillë dhe jo të citojë… Edhe në se kjo etikë diku është e mangët, të paktën duhet të kujtohemi se egzistojnë ligje që mbrojnë shprehimisht të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale! .
. Jam i ndërgjegjshëm se të tilla letra nuk janë aspak të këndëshme, si për të adresuarin edhe për shkruesin e saj, por ngushëllohem nga fakti se një e tillë letër ndoshta do të tërheqë vëmendjen qoftë edhe një grimë më tepër ndaj një shkrimtari si z. Kongoli, ndaj veprës së tij të admirueshme si edhe bashkëbisedimit të tij me lexuesit në linjë, që zhvillohet sot në orën 16. Ngushëllohem gjithashtu nga fakti se ata dhjetra mijra lexuesit e gazetës suaj – sikundër edhe ata dhjetra lexuesit e blogut tim – meritojnë plotësisht respekt dhe përkujdesje, transparencë dhe sinqeritet.
.
. Me shpresë se apologjia publike bën pjesë në atë panel vlerash që karakterizojnë stafin drejtues të gazetës suaj, ju lutem të pranoni e nderuar Gazetë dhe i nderuari z. Drejtor, shprehjen e përshëndetjeve të mia më të sinqerta.
.
. Gjergj XEXO (xexo.georg@gmail.com)
.
.
. P.S : Përkthyesve tuaj të talentuar ju rekomandoj të rishohin titullin e artikullit « Vepra fillon ku mbaron historia » pasi ky i fundit, në formën aktuale, shtrembëron idenë e vetë shkrimtarit që diku brenda tekstit, shprehet në frëngjisht: ".. l'œuvre littéraire commence là où finit l'histoire racontée", pra : vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Po qe se i lejojmë vehtes të fshijmë epitetin letrare dhe plotësin e treguar, vepra mund të fillojë bile edhe më përpara se sa të mbarojë historia – sikundër edhe ndershmëria që përfundon vetvetiu, pikërisht aty ku neglizhohet respekti.
Voici la suite - Ja edhe vazhdimi

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, May 23, 2008

Fatos Kongoli dhe « çarja gjeografike ».

.
. (botuar nga gazeta Le Monde e dt. 23.05.2008 – në kuadrin e tubimit ndërkombëtar të romanit)
.
. Në ç’mënyrë, shkrimtarët pasqyrojnë realitetin historik?
.
. Në pamje të parë, tema që na u propozua për t’u debatuar rreth kësaj tryeze të rrumbullakët duket e kjartë, e thjeshtë, dhe me kënaqësi pranova të marr pjesë. Emërtimi i saj « çarja gjeografike » është një metaforë e qëlluar. Më tej, kur m’u desh t’i materializoj mendimet e mia, kuptova se, megjithë kjartësinë e formulimit të saj, kjo temë nuk ishte aq e thjeshtë sa dukej, pikërisht, për shkak të metaforës që përmban. Për më tepër, më duhet të pranoj, u pushtova nga një dyshim : Cila mund të jetë lidhja mes gjendjes gjeopolitike të një vendi dhe formave të krijimit letrar ? Zaten, a egziston kjo lidhje ? Në se po, në ç’mënyrë mund të pranohet si një fenomen letrar ? Në fillim, kur ende nuk kisha marë listën e argumentave të kësaj tryeze të rrumbullakët, arsyetimi im më çoi drejt disa pohimeve elementare, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju. .
. Të shkruarit është një dukuri metafizike. Të gjithë ata që janë prekur nga ky virus – në se më lejohet të shprehem në këtë mënyrë – gjenden, që në hapat e tyre të para, të ndikuar nga autorë, nën autoritetin e të cilëve ata mundohen të hyjnë në letërsi. Personalisht, në fillimet e mia, për arsye që nuk është vendi këtu të zgjatem, pësova ndikimin e një klasiku si Çehovi. Por, Shqipëria ku fillova të shkruaj dhe provinca ruse të cilën Çehovi e përshkroi disa dhjetra vjet përpara se sa të lindja, janë fort larg nga njera tjetra dhe të pakrahasueshme nga shtrirja. Nga ana tjetër, në njërin nga shkrimet e tij, të cilin e kam lexuar rreth viteve tetëdhjetë – në se nuk gabohem – në revistën Express, Gabriel Garcia Marquez shënonte se ishte befasuar nga thëniet e disa prej miqve të tij japonezë, të cilët ishin shprehur mbi ngjashmërinë e shkrimeve të tij me ato të disa shkrimtarëve japonezë, ndërkohë që ai as që kish dëgjuar të flitej për ta, në kuptimin se s’kish lexuar asgjë të shkruar prej tyre. .
. Mund të them se gjithçka varet relativisht nga vendi ku ju jeni formuar si shkrimtar, nga kushtet e tij historike dhe sociale, nga kultura e tij, nga gjuha dhe padyshim, nga preferencat tuaja letrare, më qartë ende, nga ajo çka ju tërheq në këtë fushë. Më vonë mora pyetësorin e kësaj tryeze të rrumbullakët dhe m’u desh të ndiqja një arsyetim tjetër. Shqipëria ku kam jetuar dhe ku vazhdoj të jetoj nuk është më ajo që ka qenë në të kaluarën, dhe asnjëherë ajo s’ka përfaqsuar një hapësirë konfliktesh ndëretnike as edhe ndërfetare ; ajo as nuk ka qenë as edhe nuk është një rajon përplasjesh të atyre natyrave për të cilat ne po diskutojmë.
. Sigurisht, aty gjenden pakica nga të cilat më e shumta në numër është ajo greke. Ka edhe të tjera pakica maqedone, rumune ose malazeze. Por, nga një pikpamje historike, të paktën që prej fillimit të shekullit kur është edhe krijuar Shteti shqiptar, pakicat ne fjalë kanë vazhduar të jetojnë në paqe dhe shkrimtarët shqiptarë nuk janë gjendur asnjëherë nën trysninë e ndrydhjes ndëretnike. Por, atyre ju është dashur të përballen me një tjetër trysni : përgjatë një gjysëm-shekulli, Shqipëria njohu një rregjim totalitar nga më të egrit. Nga kjo pikpamje, përvoja e shkrimtarëve që shkruan nën këtë rregjim është ndriçuese në kuadrin e temës së tryezës sonë të rrumbullakët. Nje vend që jeton nën një rregjim diktatorial mund të konsiderohet me të vërtetë si një « çarje gjeografike », megjithëse, me që nuk e kam lexuar librin e simotrës tonë turke, kam vetëm një ide fort të mjergullt të kontekstit në të cilin ajo e përdor këtë metaforë në rastin e Stambollit. Raportet mes një rregjimi diktatorial dhe letërsisë bëhen edhe më dramatike se ç’janë, për të keqen e kësaj të fundit. Herë-herë thuhet se letërsia e një vendi ndjek rrugën e saj, pavarësisht rregjimit politik të tij. .
. Sigurisht, edhe në këto shtete diktatoriale, të mbyllura në vetvehte, prodhohet letërsi, por ajo është normative, e vendosur nën kontrollin e rreptë të censurës. Për t’ju larguar dosido kësaj censure, një numër shkrimtarësh shqiptarë preferuan, nën diktaturën, të kultivojnë llojin e romanit historik, në këtë fushë ata ndjeheshin të mbrojtur. Të merresh seriozisht me realitetin e përditshëm ishte diçka e rrezikshme, kritika zyrtare e asaj kohe, si një instrument i pushtetit totalitar, mbyste që në vezë çdo përpjekje për të dalë nga skema e zbukurimit të realitetit dhe ajo e lavdeve ndaj rregjimit ne vend. Por këto fenomene i përkasin tashmë një epoke të tejkaluar. . Para disa vitesh, kam lexuar një intervistë të shkrimtarit amerikan Norman Mailer ku, mes të tjerash, ai thoshte se kur ulej për të shkruar një roman, ishte më tepër për « të treguar një histori ». Kjo shprehje më ka mbetur e gëdhendur në kujtesë : në të vërtetë, edhe sot e kësaj dite, vras mendjen për të kuptuar se çka donte të thoshte ai shkrimtar me atë shprehje. A është e vërtetë që të shkruash një roman don të thotë të tregosh një histori, pa patur parasysh rrethanat dhe kontekstin gjeopolitik ? .
. Në pamje të parë duket se shprehja e mësipërme nuk mund të vihet në dyshim. Çdo vit, në botë, shkruhen dhe botohen me mijra romane, ose ndryshe, tregohen me mijra histori. Sipas mendimit tim, mund të pranohet se është e vështirë të shkruhet një roman po qe se nuk keni një histori për të treguar. Sigurisht, është e nevojshme të kihet një histori për t’u treguar për të ngritur një roman, por ama nuk është e mjaftueshme. Një histori tregohet, një vepër letrare nuk tregohet, ajo krijohet. Një roman, si formë por njëkohësisht si shkrim, ata krijohen, ata nuk tregohen ; ata krijohen ex nihilo nga momenti që i jepet jetë një diçkaje që nuk ka egzistuar më parë. Po qe se do të pranojmë se « të shkruash një roman » nuk është e njejta gjë sikundër « të tregosh një histori », cila është atëhere diferenca mes tyre ? .
. Kjo gjë përbën një çështje që, sipas mendimit tim, lidhet me temën e debatit tonë dhe që më bren shpesh, pa qenë në gjendje që t’i jap një përgjigje. Ndoshta lodhem më kot t’i jap një përgjigje pasi, kush e di, kjo përgjigje nuk egziston. Atëhere i lejoj vehtes të kënaqem me një përgjigje evazive sipas të cilës vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Kam përshtypjen se në pothuaj tërësinë e romaneve të botuara, është fort e vështirë të merret vesh në se autori kërkon thjesht të tregojë një histori tjetër me qëllim që të ndërmarrë tregimin e një historie të re, pavaresisht natyrës së saj, apo në se ai kërkon të krijojë një vepër letrare. Në këtë sens, ndikojnë fort veçanërisht realitetet e tregjeve lokale të romanit, dhe në një shkallë më të gjerë, ato të tregut botëror. Pa këto realitete, nuk mund të imagjinohet universi aktual i librit. Ato luajnë një rol të dorës së parë në krijimin e formave romaneske, sipas kërkesave të tyre, të cilat përcaktojnë në thelb suksesin ose dështimin e tyre. .
. Do të thoja që situata gjeopolitike e një vendi ndikon, njëkohësisht si edhe faktorë të tjerë, mbi format e krijimit letrar, dhe në disa momente, ajo mund të luajë edhe një rol përcaktues. Por, meqënëse ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, objektivë dhs subjektivë sikundër edhe thuhet, kjo lidhje mbetet relative. Romanet e autorëve që shkruajnë dhe jetojnë në vende fort të ndryshme nga njeri tjetri nga pikpamja gjeografike, lexohen dhe çmohen gjithandej në botë, në zona të qeta ose në ato të përgjakura nga konflikte. Sidoqoftë, me një kusht : që të jenë romanë të shkruara si duhet, pavarësisht nga kushtet që imponohen një vendi ose një tjetri. Pasi një roman i shkruar mirë përfaqson, në një masë ose në një tjetër, një përmasë njerëzore universale, që e bën të lexueshëm gjithandej dhe jo vetëm në kontekstin lokal. Ky është, më duket, edhe thelbi i problemit. .
. Dua të them që këtë kërkesë duhet t’a përmbushin në rradhë të parë shkrimtarët e vendeve të vogla që shprehen në « gjuhë të vogla » dhe që i përkasin, le t’a themi llafin, letërsive të vogla, në periferi te metropoleve dhe të hapësirave të mëdha të letërsisë botërore. Pra, shkrimtarët e atyre vendeve që mund t’i quajmë, pa asnjë nuancë ose përmbajtje përkeqësuese, si « çarje gjeografike ». . Sidoqoftë, këto janë disa mendime që duhen diskutuar dhe ne gjendemi këtu pikërisht për të diskutuar dhe për të shkëmbyer mendime.
.
. Fatos Kongoli
.
. (përkthyer nga Xixa)

La suite.. - Vazhdimi...

Thursday, May 22, 2008

"Përjetësisht të Panjohur" tashmë flet frëngjisht..

. Që në krijimin e tij, blogu "Përjetësisht të Panjohur" u paraqit si një blog dygjuhësh shqip -frëngjisht. Ideja ishte tërheqëse, aq më tepër në këtë fazë kur ende nuk dihej se çka do të përmbante, se ç'natyrë do të kishin shkrimet... . . .
. Më tej, me botimin e shkrimeve të para dhe me krijimin e rubrikave të përhershme si "Metafizikë e Qenies" ose "Histori dhe Mite", u pa se kjo ide ishte e pamundur të realizohej në praktikë, pasi përveç shkrimit duhej të bëhej edhe përkthimi, përveç idesë duhej përpunuar edhe përshtatja e saj. Në këtë fazë të zhvillimit të tij, blogu braktisi gjuhën e "thjeshtrës" dhe u përqëndrua në gjuhën e "nënës". . .
.
. Veçse, familja e "thjeshtrës" jo vetëm është e madhe në numër por edhe thuaj injorante në punët e shqipove, të cilët herë herë i ve diku andej nga Lindja, herë herë i quan - në mos barbarë - të paktën "të papërfillshëm", ndoshta nga injoranca ose dhe nga kryelartësia, dy sëmundje tipike franceze. Zaten, kush është kryelartë është edhe deri-diku injorant - dhe anasjelltas. . Unë preferova t'i quaj shqiptarët "të keqnjohur - méconnus" të përjetshëm. . .
.
. Për fat, blogu i ri në frëngjisht nuk është kopje e thjeshtë e atij në shqip, pavarësisht se titujt dhe imazhin hyrës e kanë të njejtë, pasi shkrimet e botuara në to janë të ndryshme. Për t'u bindur mjafton të kqyren - ose të lexohen (për ata që dinë frëngjisht). . Kqyrje (lexim) të mbarë ! Voici la suite - Ja edhe vazhdimi

La suite.. - Vazhdimi...

Thursday, May 15, 2008

Viti 68’ : një botë në vlim.

Maji 68 ngërthen në një të vetme dy rryma të fuqishme paralele : një protestë sociale dhe një lëvizje shoqërore. Një shpërthim i paparë proteste në një botë në krizë të thellë kuadriptique : krizë sociale, krizë identitare, krizë politike, krizë ideologjike. Një botë që ende s’ka riparuar dëmet e Luftës botërore, që ende s’ka mbyllur hesapet e kolonializmit, që ende s’ka zgjidhur kontradiktat mes sistemeve shoqërore të kundërta, që ende s’ka shëruar plagët e ndërgjegjes kolektive. Një botë e ndarë në blloqe, e kufizuar me mure, e ideologjizuar dhe gjithmonë e armatosur ku ndjehet zhgënjimi intelektual, ku jetohet katastrofa morale, ku preket mizerja raciale, ku pësohet shtypja autoritare, ku kqyret mospërfillja sociale. Një botë në kërkim të një ideali ende në embrion. Një botë protestuese që i kundërvihet diktaturës ushtarake në Spanjë dhe në Greqi, që kërkon të çlirohet nga pushteti i Partisë të vetme në Çekosllovaki, që mbron çështjen palestineze në Egjipt, që entuziazmohet nga guerrilja guevariste në Kolumbi, që identifikohet me Revolucionin Proletar në Kinë, që proteston kundër luftës në Vietnam… Por gjithashtu, një botë në lëvizje, në ndryshim, në kërkim të teorive të reja, të forcave të gjalla. Një botë e re, studente dhe puntore, e tërhequr nga kultura dhe politika, e ngopur me frymë heroike, e frymëzuar nga muzika dhe erotika – nga herotigzotika. Gjithandej në Evropë debatohet mes leninistëve dhe lenonistëve, maoistëve dhe markuzistëve, gevaristëve et hoshiministëve. Gjithandej në botë flitet revolucion, rock, liri, seks, demokraci, drogë, barazi…. dhe përfundimisht njerëzit dalin në rrugë, përgjaken me forcat e rendit, ngrenë barrikada, pushtojnë universitete dhe uzina. Një uragan njerëzor që ka për parrullë « soyons réalistes, demandons l’impossible » (le të jemi realistë, të kërkojmë të pamundurën). . Paralelisht me përleshjet në rrugë, mendje të ndritura përleshin mendimet : egzistencializëm kundër strukturalizmit, subjekti kundër konceptit, aksioni kundër fjalës… Jean-Paul Sartre kundër Jacques Lacan, Herbert Marcuse kundër Louis Athusser, Milan Kundera kundër Vaclav Havel, Martin Luther King kundër Tariq Ali... Nëse një Rajmond Aron e quante Majin 1968 një « psikodramë », nëse një Roland Barthes deklaronte se « strukturat nuk dalin në rrugë », një Sartre shpalte formulën e tij të famshme : « grupi është fillesa e mbarë njerëzimit ». .
. Ndoshta maji 68’ në Francë mbetet simbol i asaj epoke, ndoshta për shkak të forcës goditëse shoqërore, implikimit njerëzor masiv dhe sigurisht falë mediatizimit të pashoq. Por ky maj nuk është as i pari as edhe i vetmi, në Evropë ose në botë, gjatë atij viti të stuhishëm 1968. .
.
. Berlin - Frankfurt : revolta kundër Etërve.
.
. Maji gjerman u mbars nga të shtënat e armëve : në qershor 1967, policia ndërhyn brutalisht për të shtypur një manifestim paqësor kundër vizitës së Shahut të Iranit dhe vret një student. Në prill 1968, një student ekstremist i djathtë qëllon me armë dhe plagos rëndë udhëheqësin e studentëve, radikalin Rudi Dutschke. Disa ditë më vonë, Gjermania e tërë pushtohet nga revolta studentore.
. Baballarët – ata që kishin mundur të shpëtonin gjallë nga Lufta e Dytë Botërore - zbulojnë me llahtari që fëmijët e tyre përbuznin thellësisht gjithçka : sigurinë që ju jepte pasuria, qethjen e tyre shkurt, faqet e rruara përditë, barkun e tyre të dhjamur, kohën që kalonin duke pastruar veturën, konformizmin e tyre karakteristik, të shkuarit në kishë çdo të djelë, pushimet familjare në bregdet.. Në një vend që mundohej me ngulm të harronte çdo gjë që kish të bënte me nazizmin, ku sejcili e mbante vehten për viktimë, mënyra më e mirë ishte heshtja, mbyllja në vetvehte, harresa nëpërmjet punës – nëpërmjet mirëqënies materiale. Të tillë prindër, nga njera anë ishin të bindur ndaj Shtetit, ndaj disiplinës – struca që fshihnin kokën e fajshme, dele që ripërtypnin fraza – dhe nga ana tjetër ata ishin vetë autoriteti, profesorë që jepnin nota, diploma, karriera. Ata ishin vetë pushteti.
. Revolta pra ishte shumëformëshe : kundër heshtjes, kundër harresës, kundër moskuptimit dhe mbylljes emocionale të prindërve, por edhe për rikrijimin e një morali të ri politik, të një dialogu social, për një formim më të përshtatshëm, për modernizimin e vetë shoqërisë. Sikundër thotë edhe një dëshmitar i asaj kohe : « për të gjetur gëzimin e jetës ».
. Hap pas hapi, të rinjtë zbuluan se kish intelektualë që shkruanin të tjera idera, që mbronin të tjera çështje – por që shoqëria ose i mbulonte me heshtje, ose i syrgjynoste jashtë. Ata zbuluan Markuzen dhe Adornon, rizbuluan Marksin dhe Leninin, riformatuan socializmin, u pasionuan për Vitnamin, për Kubën… Ata provuan drogën dhe dëgjuan muzikën, shijuan seksin dhe jetesën e lirë.. dhe natyrisht u revoltuan kundër prindërve. Dhe pikërisht, ishte « indiferenca kriminele » e masave, e njerëzve të rrugës që i hodhi benzinë zjarrit të revoltës.
.
.
. Romë - Milano : revolta kundër Autoritarizmit.
.
. Ajo çka e bën të ndryshëm « Majin » italjan nga ai i vendeve të tjera është kohëzgjatja – un « Maggio rampante », që ka filluar që në nëntor 1967 me pushtimin nga studentët të Universitetit Katolik të Milanos, të ndjekur nga Fakulteti i Shkencave Sociale të Torinos, i cili kulmon në shkurt 1968 me pushtimin e Universitetit « La Sapienza » të Romës dhe me betejën e Valle Giulia, me forcat e rendit. Edhe pse ai nuk mundi të mobilizojë me miliona studentë dhe puntorë, të shkaktojë me qindra apo mijra të plagosur në të dy kampet si në Francë, ai vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1969… ai u radikalizua deri në ekstrem për të shërbyer si shtrat social i « Viteve të plumbta » dhe i atentateve të Brigadave të Kuqe.
. Pakënaqsi ndaj zvarritjes së një sistemi politik që s’arrinte dot të modernizohej, që shpërfillte kapitalin demokratik të luftës antifashiste dhe të Rezistencës, ndaj një shoqërie tejet katolike dhe konservatore, ndaj një sistemi ekonomik që vazhdonte të prodhonte varfëri krahas « mrekullisë së konsumit », ndaj një sistemi arsimor që i konsideron studentët me një « thes për t’u mbushur, me koncepte të gatshme nga maja e katedrës ». Përballë sistemit autoritar dhe mospërfillës gjendet rinia, gjithmonë më e etur, më kërkuese, më e politizuar, më e ideologjizuar, më e ndërgjegjshme, që interesohet « për Çe Guevarën që lufton në Kolumbi, për çështjen e të zinjve në Amerikë, për Vietnamezët, për gjendjen në Indi, për mbarë botën dhe varfërinë në të… » « Kundër autoritarizmit akademik, pushteti studentëve » ja edhe manifesti i studentëve që pushtuan Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Torino
.
.
. San Francisko – Çikago : revolta kundër Qënies.
.
. Amerika e viteve 60’ i përngjante një kazani të mbushur deri në buzë, ku era e mirë e supës në vlim përzihej me erën e shkrumbit të zjarrit nxehës. Nga njera anë mirëqënie ekonomike, bollëk material, naivitet provincial, besim i pafund në forcën e Kombit dhe të Zotit, thjesht « american way of life » dhe nga ana tjetër, Amerika e getove të zeza, e pakicave, e segregacionit racial, e varfërisë shtrydhëse… Një ekulibër i vështirë që injorohej nga moskokëçarja proverbiale popullore, që mezi reflektohej nga një inteligentsia mediokre, që harrohej nga shumica e të vdekshmëve « zarzavate nga trutë, por ama zarzavate të etur për liri » - sipas shprehjes së një ish-hipi. Përvoja revolucionare « Sex and drogue and rock’n’roll » e tribuve rinore u pavdekësua në Summer of Love të San Francisco në verën e vitit 1967, nëpërmjet atyre 3 milionë të rinjsh të dehur me Rolling Stones dhe me Beatles, me Iggy Pop, me Doors, me Velvet Underground et me Mamas and the Papas.. dhe natyrisht me alkohol, me hashish dhe me majijuana.
.
. Vetëm se disa hapa më tej ishte lufta e Vietnamit me ata dhjetra mijra të vrarët e saj amerikanë dhe ato qindra mijra viktimat vjetkonge, me napalmin dhe B52, me fëmijët dhe gratë e masakruara të Mylait... se disa lagje më tej, vepronin militantët e Black Panther Party, përfaqsuesit e black people, të mbushur me black pride, të dehur me black nationalism të të ndjerit Malkolm X.. vetëm se disa rrugë më tej, në Memphis, u vra pastori i zi Marin Luter King, ai që kish ndjerë atë ëndrrën e pamundur por aq të bukur.. « A negro killed in Memphis » titullon kryeartikullin New York Times i 29 marsit 1968.
. Dhe befas, West Side i Çikagos ndizet i tëri : 2.500 policë kundër 300.000 të zinjve të zemëruar. Ndërkohë që qeveria shpejton të dërgojë 4.000 roje kombëtare dhe kryetari i bashkisë urdhëron policët e tij « të qëllojnë për të vrarë kryengritësit », përleshjet i venë zjarri Washingtonit. Në 170 qytete amerikane getot e zeza ngrihen në përleshje. « Java më e zezë e Amerikës » psherëtin jo pa humor revista Newsweek »..
.
.
. Varshavë - Pragë : revolta kundër Sistemit.
.
. Sikundër dhe bashkëmoshtatarët e tyre të Parisit ose të Berlinit, të rinjtë çekë ose polakë pushtoi rrugët e Pragës ose të Varshavës por jo për të shprehur solidaritetin e tyre me Vietnamin ose me Kubën, jo për të thirrur « Ho, Ho, Ho Shi Min » por për të mbrojtur kulturën dhe letërsinë, thjesht lirinë e shprehjes, kundër një pushteti komunist shtypës deri në palcë. Mjaftonte Muri, Perdja e Hekurt që edhe shprehjet e të rinjve të ishin të ndryshme, që edhe aspiratat divergjente. Në se për francezët ose gjermanët e keqja quhej imperializëm amerikan, « xhelat i popullit vietnamez » dhe në shenjë kundërshtimi ata përqafonin çështjen e të majtës ekstreme, për të polakët, çekët apo hungarezët ai kish fytyrën e komunizmit sovjetik dhe ata ëndërronin demokracinë, plurimendimin, lirinë e ndërmarrjes liberale. Në se të parët mendonin revolucionin, të dytët dëshironin mbretërinë e Ligjit të vërtetë. Në se në Paris studentët digjnin vetura, në Pragë studentët digjnin gazetat. Pra, çështje pikpamjeje… Në se në Berkeley ose Sorbonë, studentët nxirrnin jashtë profesorët dhe mbyllnin fakultetet, në Pragë ose Budapest, studentët kërkonin integrimin e profesorëve të përjashtuar..
. Në mars 1968, studentët e Universitetit të Varshavës manifestuan në masë kundër përjashtimit të dy shokëve të tyre, të akuzuar për aktivitet subversiv. Ndërhyrja e policisë ishte sa brutale aq edhe e shpejtë.. Studentë të rrahur, të arrestuar, të përjashtuar, të burgosur.. Një pjesë e tyre përfundoi në ilegalitet dhe krijoi kuadrot e ardhshme të « Solidarnosc ».
.
. Në Çekosllovaki, janë intelektualët që treguan me gisht censurën dhe tronditën tërë sistemin. Le të kujtojmë Kunderën dhe shkrimin e tij « T’i japim letërsisë cilësinë dhe dinjitetin » në Kongresin e Shkrimtarëve në vitin 1967. Shkrimtarët lanin hesapet me të kaluarën, me vehten e tyre… Më tej është Partia që i hap derën reformës dhe zgjedh në krye të saj Dubçekun, i cili nuk hezitoi të tregojë me gisht problemet e vendit : rradhët për ushqime, fshatarët e rraskapitur dhe të varfëruar, hipokrizinë e kuadrove, në emër të « socializmit me fytyrë njerëzore ». Në atë të largëtin vit 1968, ky aparatçik sllovak 45 vjeçar guxonte thënien « demokracia nuk është vetëm e drejta dhe mundësia e të shprehurit të opinionit të çdokujt, por edhe marrja parasysh e këtij opinioni nga pushteti, mundësia për sejcilin të marrë pjesë realisht në marrjen e vendimeve ». Disa muaj më vonë, në gusht 1968, tanket e Traktatit të Varshavës shtypën me zinxhirat e tyre « pranverën e Pragës » dhe kësaj rradhe një rini e tërë doli në rrugë, u përlesh, u përgjak.. bile edhe u vetëndez me benzinë për të protestuar kundër « vëllezërve rusë » të idealit të përbashkët.
.
.
. Tokio – Meksiko : revolta kundër Rendit.
.
. Edhe periferia e botës perëndimore njeh llokoçitjet e veta, trazirat sociale, frekuencat dhe amplitudat e të cilave mbeten funksion i politikave të brendshme, i krizave politike. Por, kur vala rinore e ardhur nga Perëndimi interferon me atë lokale ndodh që arrihet rezonanca aq e frikshme..
.
. Që nga koha e Luftës së Koresë, Japonia shërben si bazë e dytë, si prapavijë e ushtrisë amerikane që nis avionat e frikshëm B52 për të bombarduar orizoret e Vietnamit të Jugut dhe qytetet e Vietnamit të Veriut. Në janar 1968, disa mijra studentë të lidhjes Zengakuren bllokojnë portin Sasebo për të penguar hyrjen e avionmbajtëses USS Entreprise. Në shkurt, ata sulmojnë bazën e Okinawës. Në prill lëvizja studentore japoneze merr format e simotrave perëndimore : studentët bllokojnë mbi 200 universitete dhe kërkojnë uljen e taksave të pranimit, kundërshtojnë seleksionin e hyrjes dhe refuzojnë sistemin arsimor. Në tetor, Zengakuren hidhet në sulm të Tokios : gjatë tre ditëve me rradhë, studentët bllokojnë parlamentin, ambasadën e SHBA dhe stacionin qëndror hekurudhor të Tokios. Rezoltati : disa qindra të plagosur nga të dy palët dhe 300 qytete krejtësisht të paralizuara. Përballë shtypjes policore, më të vendosurit mes studentëve barrikadohen në qytetet universitare të Tokios që merren me sulm nga forcat e rendit në nëntor të vitit 1968.
.
. Në Meksiko, lëvizja studentore ziente që prej muajve të parë të vitit 1968 dhe kërkesat e studentëve morën ngjyra gjithnjë e më politike : « abrogimi i Neneve 145 dhe 145b të Kodit Penal (kërcënimi i rendit publik nga grumbullimet e tre personave), shpërndarja e grenaderove (një repart taktik i policisë), lirim i të burgosurve politikë… ». Në shtator, sulmi i ushtrisë ndaj qytetit universitar dhe arrestimi i 500 studentëve dhe profesorëve ngriti gjithë vendin më këmbë. Në 2 tetor një manifestim i madh i studentëve protestues u bllokua nga policia në sheshin e Tlatelolcos : « no queremos olimpiadas, queremos revolucion » ishte parrulla e demonstruesve. 5.000 ushtarë dhe 300 tanke ju rrinin përballë.. dhe befas filluan të shtënat e mitralozëve. Disa hapa më tej, qyteti vazhdonte jetën e tij dhe asnjë veturë nuk ndalej për të asistuar skenën. « Një normalitet i përbindshëm, fyes, nuk arrija të kuptoja këtë qetësi » kujtohet një nga gazetaret e epokës. Të nesërmen, gazetat lokale shkruanin për përleshje mes terroristëve dhe ushtarëve që kish bërë 28 të vrarë dhe 80 të plagosur nga të dy kampet. Burime të tjera jashtëqeveritare shpallën se numri i të vrarëve ishte mbi 250, disa mijra të plagosur, dy mijë të arrestuar.. mes indiferencës së përgjithshme. Vetëm dhjetë ditë më vonë, Meksiko hapte me bujë Olimpiadën verore, të XIX e erës moderne, në prezencë të 112 vendeve dhe 5516 atletëve…
.
. * * *
.
.
. Kjo pasqyrë e shpejtë e botës së ngërthyer nga ngërçi i ndryshimit, e frymëzuar nga afshi i lirisë dhe e shkrumbosur nga revoltat e rinisë, sidoqoftë mbetet e mangët pa pasqyrimin e dy momenteve të tjera aq domethënëse : Pekin – Shangai : revolta kundër Udhëheqësve dhe Tiranë - Durrës : revolta kundër Zotit.
. Por, duke respektuar këshillën e një mikut im blogist nga Italia, i cili më shkruan diku : « .. është me të vërtetë kënaqësi për mua kur lexoj artikujt [tuaj].. sidomos kur nuk janë shumëëëëë të gjatë », mendova t’i le për shkrimin tjetër të rradhës.

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, May 13, 2008

Metafizikë folklorike.

Shopenhauer - Njeriu është një kafshë metafizike.
.
. Pakkush në vend – për të mos thënë askush - injoron Këngën e Kalasë së Shkodrës, të njohur gjithashtu si Legjenda e Rozafës. Sipas mendimit të përgjithshëm – dhe të mirëpranuar, bëhet fjalë për një krijim të lashtë – një gojëdhënë – e kënduar dhe e transmetuar brez pas brezi, e cila fillon me vargjet e mëposhtme :
.
. Ç’po punojshin tre vëllazën
. Murin e qytetit – o,
. Shkon nje plak o aty pari
. - Puna e mbarë, o ju tre vëllazën !
. - Ku po e shef ti t’mbarën tonë ?
. gjithë ditën po punojmë
. E gjithë natën po na rrënohet..
.
. Vazhdimi në prozë është po aq pasionant sa edhe teksti poetik :
.
. .. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t'i mbajmë muret më kambë?
. Unë di - u thotë plaku - po drue me jua thanë se a' mëkat. Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë. Plaku i mirë mendohet e pvet: - A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja? - Të martuem jemi - i thonë ata. - Edhe të tre i kemi varzat tona. Na thuej pra ç'të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë?
. Në daçi m'e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t'ju thom unë. Ate prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot..
. Medet! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën… Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën.. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën… të nesërmen, nusja e tij merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit…
.
. Ti paske lindë n'e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.
. - Pash zotin kunati madh
. nji amanet po ta la:
. - Synin e djathtë ma leni jashtë,
. - Gjin’ e djathtë ma leni jashtë,
. - Se vjen djali me më kërkue,
. se me sy do ta shikjoj
. - E ma gji do ta pajtoj
. - E ma dorë do ta lëmoj.
. Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë. .
.
.
. Legjenda dhe arketipi nacionalist ballkanik.
.
. Për fat, ballada e murimit, ky gur i çmuar i folklorit shqiptar, është njëkohësisht një element i shquar i folklorit botëror. Sipas Dundes (4), kjo balladë njihet në mbi 700 variante, të mbledhura dhe të studiuara në mbarë botën. Vetë shifra e mësipërme hedh një hije dyshimi mbi pretendimin e origjinës « autoktone » shqiptare të legjendës megjithëse në kohë të vet, folkloristi i njohur Zihni Sako ishte një nga mbrojtësit më të flaktë të kësaj teze. Ndoshta për të hedhur poshtë tezën paralele, aq të zhvilluar mes Serbëve që e konsideronin këngën Zidanje Skadra (Ndërtimi i Shkodrës) të mbledhur dhe të botuar nga Vuk Karaxhiçi, si një nga perlat e folklorit sllav. Me këtë rast, ai kundërshtonte – me të drejtë - atësinë serbe të vetë Shkodrës. Por nëqoftëse nuk kemi të drejtë të vemë në dyshim shqiptarizmën e bindur të Sakos, aq më pak ajo mund të përdoret si një argument për të denoncuar “anti-shqiptarizmin” e amerikanes Maynard (5), e cila në studimin e saj mbi legjendën e Rozafatit gërmon në teksti e vjetër të Barletit (1504) «De Obsidione scodrensi» (Rrethimi i Shkodrës) dhe, pas krahasimit të variantit barletian të legjendës me atë të sotëm, arrin në përfundimin se ballada që dëgjojmë nga rapsodët është kënduar në një periudhë të mëvonshme se ajo e Skënderbeut !
.
. Ja pra, në se pranojmë logjikën e Maynard, i bie që as Sako as edhe paraardhësi i tij i shquar serb nuk paskëshin patur të drejtë... Ndoshta po aq pak të drejtë ka edhe greku Megas që pasi ka studiuar 333 variantet lokale të balladës së Urës së Artës (një tjetër formë e legjendës së murimit, identike me atë të Shkodrës) – dhe pasi i krahason me ato të viseve të tjera ballkanike, arrin në konkluzionin se miti jo vetëm e ka origjinën në zonat lindore greke, por ai është një pasqyrim i kozmogonisë së lashtë helene.
.
. Një shekull pas Karaxhiçit dhe gjysëm-shekulli pas Sakos, studiuesi Shaban Sinani (2) pohon se :
. « .. kenga per kalane e Shkodres, qytetit ku gjendet Rozafa antike, permban mendesine parahistorike te njeriut te hershem per paqetimin e natyres para lendimit me themele, per nje marreveshje me te per nje veper te perbashket, te cilen nje pale do ta ngreje dhe tjetra do ta mbaje. Le te shenojme kalimthi se ne emrin e Rozafes me sa duket do pare perfundimisht emri i vendlindjes se dy shenjtoreve hebrej, Sergji e Baku, qe ndertuan bri Bunes nje prej kishave me te hershme te Shqiperise. Ata erdhen ne boten shqiptare nga Rozafa izraelite. »
.
. Në të njejtën logjikë shkruhen përfundimet e Prof. Ruzhdi Ushakut që pas hulumtimeve filologjike krahasuese ngulmon mbi «Prejardhjen e lashtë autoktone të legjendave dhe të baladave shqiptare të murimit » duke nënvizuar se
. « gjithsesi, besa e lidhur ndërmjet tre vëllezërve (mbajtja, përkatësisht thyerja e besës) … është i vetmi element në motivin e njëjtë dhe të përhershëm »
.
. përpara se të kulmojë në shprehjen e mëposhtme :
. « Besa, si tipar etnopsikologjik, tipar etnik i llojit të vet, është dëshmuar si një virtyt kompleks dhe i pashoq etnik e kombëtar i shqiptarëve, si në planin individual, ashtu edhe të përgjithshëm, të cilën gjë e ka dëshmuar historia që nga kohët më të lashta »..(7)
.
. Balladë murimi apo balladë e besës së dhënë? Rozafat apo Kostandin i vogëlith? Sigurisht Rozafat dhe këtë gjë nuk e ka humbur sysh as edhe profesori kritik i artit, pasi diku më poshtë, ai shkruan :
. « në tregimet legjendat dhe baladat shqiptare, si kusht i vetëm dhe i përhershëm është flijimi i nuses së re, e cila me rezignatë, por dhe me stoicizëm e pranon fatin tragjik, ndryshe prej nuses së re në baladën serbe, e cila lutet dhe kërkon mëshirë që të mos e murosin ».
.
. Duhet të pranojmë se tundimi është i madh : kemi një balladë që përveç artit të saj të madh, na ofron pavdekësinë e lashtësisë, autenticitetin e tipareve etnopsikologjike… sikundër dhe rastin të stigmatizojmë frikën e fqinjëve vjedhacakë. Ja i lamë kështu hesapet me nusen qaramane serbe, po si t’ja bëjmë nuses po aq trime greke të Artës e cila as lutet as qan? E vetmja mundësi që shoh është të deklarojmë se ajo nusja e Artës në të vërtetë është nuse çame, pra shqiptare. Zaten, a nuk ka bërë dikur pjesë Arta në Çamërinë e shumëvuajtur ?
.
. Sidoqoftë, edhe formula patriotike çame nuk mund të zgjidhë gjithçka pasi një hap më tej na duhet të ndeshemi me variantet e panumërta të nuses rumune të balladës së Mesterul Manole, me nusen tjetër të ndërtuesit Manole bullgar – në 180 variantet e saj lokale, dy hapa më tutje duhet të përballemi me dashnoren anonime cigane të zdrukthëtarit Manoli, të cilën e gënjejnë duke i thënë se një unazë ka rënë në gropën e themelit .. dhe ende më larg me atë motrën indiane nga Santali – pasi ata tre vëllezërit indianë sakrifikuan motrën e tyre me qëllim që ai pusi i thellë të mbushej me ujë, apo me nusen tjetër indiane, Rani Rukmani nga Dharamshala, të murosur në themele dhe që kërkon t’i lenë gjirin jashtë për të ushqyer foshnjën e saj :
.
. Bëni kujdes me tullat, vëllezërit e mij,
. Mos m’i murosni këmbët miqtë e mij,
. Rani Rukmani ka nevojë për to, të shkojë në shtëpi...
. Bëni kujdes me tullat, vëllezërit e mij,
. Mos më murosni gjinjët miqtë e mij,
. Rani Rukmani ka nevojë për to, të ushqejë një fëmijë...
.
. Në se volontarizmi nacionalist përdoret si kriter i përkatësisë “etnike” të balladës së murimit, në ç’kategori duhet klasifikuar atëhere anglezi Groome (10), i cili që në fund të shekullit të XIX shprehet për një origjinë indiane të baladës, të sjellë në Ballkan nëpërmjet ciganëve muratorë?
.
. Druhem se edhe kokëfortësia për të ndalur vështrimin vetëm në viset gjithëshqiptare nuk e zgjidh problemin tonë, megjithë një mendje më thotë t’i bëj besim gjykimit të spikatur artistik të Kadaresë si edhe shijes së tij të hollë kur deklaron :
. Jam i bindur se, sikundër në rastin e baladës së fjalës së dhënë, varianti shqiptar [i baladës së murimit], duke qenë më i vjetri pa dyshim është më i bukuri..(9)
.
. dhe jo gjykimit po aq këmbëngulës të eruditit rumun Mircea Eliade, i cili pohon :
. megjithëse disa balkanologë dhe folkloristë nuk janë të një mendjeje, është e padiskutueshme – dhe fakti është shumë i rëndësishëm – se në asnjë tjetër letërsi gojore [përveç asaj rumune] ballada e sakrificës së murimit njihet si një kryevepër e vërtetë.
.
. Një vështrim sado përmbledhës i folklorit të viseve tona (11) arrin të verë në pah faktin se kjo balladë këndohet në afro 150 variante, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Në veri ato flasin për një kështjellë, në jug për një urë – në lindje bile edhe për një kishë… Në to haset edhe nusja « trime » e Shkodrës, edhe ajo « frikacake » e Elbasanit – bile edhe ajo e « gënjyer » e Korçës që shkon kërkon unazën në themele sikundër simotra e saj cigane.
. Cila nga këto variante është « origjinali »? S’ka asnjë dyshim – gjithmonë sipas Sinanit – se :
. kenget e flijimit, ndonese gjejne perhapje ne gjithe hapesiren kombetare, ne pjesen me te madhe.. jane te lidhura me nje rajon qe mund te konsiderohet si vater baze [ai i Shkodrës]. Nuk do nencmuar fakti qe kjo vater permban ne kryeqender kalane me te vjeter ne Shqiperi. Ajo eshte kalaja qe i deshmon te dy periudhat me te medha te jetes se popullit qysh prej burimit deri ne ditet tona: periudhen ilire dhe ate shqiptare…
.
. Pse pikërisht kjo vatër gjendet në Shkodër dhe jo gjetkë? «Elementary my dear Watson » do të ish përgjigjur Sherlock Holmesi shqiptar, i cili paraprakisht ka shtjelluar tezën bindëse se këtij populli të stërlashtë, rreziku i ka ardhur gjithmonë nga Perëndimi :
. « .. fakti qe balada e murimit percjell jehonen e nje rreziku perendimor eshte me shume kuptim per tezat themelore te albanologjise: tek ai rrezik ruhet nje kujtim parashqiptar, qe mund te lidhet me periudhen e romanizimit te Ballkanit apo me lufterat iliro-romake. Ky kujtim i hershem perforcon argumentin mbi burimin vendes te kesaj balade me perhapje nderballkanike. Sic shihet, nga euforia per te ndjekur “regjistra“ agjitative, demtohet nje argument i autoktonise se popullit.. dhe keshtu deformohet e kaluara historike e tij ».
.
. Ja pra, « balada e murimit » në rolin e kodit deshifrues të autoktonisë të popullit dhe folkloristi në petkun e rojtarit të të kaluarës historike ! Ka fort të drejtë studiuesi Le Quellec (12) kur thotë se
. « në këto kohët tona.. duhet t’i druhemi analizës monolitike të përrallave dhe legjendave, të bazuar mbi një dokumentacion të ngushtë, gjeografik ose kronologjik. Para së gjithash, përvoja [e kësaj analize] është një mësim i mirë mbi idiotësinë e murimit nacionalist ».
.
.
. Letërsia e madhe dhe simbolika e imagjinarit ballkanik.
.
. Ballada e murimit ka shërbyer si ind thurës i tre veprave madhore të letërsisë ballkanike : romanit « Ura mbi Drina » (1945) i nobelistit kroato-bosnjako-serb Ivo Andriç, romanit « Ura me tre harqe » (1978) e kandidatit nobelist shqiptar Ismail Kadare dhe e esesë « Komente mbi legjendën e Mjeshtrit Manole » (143) e historianit të feve, mitologut dhe filozofit, eruditit rumun Mircea Eliade.
. A priori, thuaj asgjë – përveç talentit të tyre të madh dhe origjinës së përbashkët – nuk i bashkon autorët : as epoka, as angazhimi i tyre i hershëm politik, as edhe udha intelektuale. Megjithatë, nëqoftë se origjina i ka shtyrë pashmangshmërisht drejt mitit ballkanik, realiteti specifik dhe instikti krijues ju ka sugjeruar këndvështrimin origjinal, ngjizjen personale të argjilës popullore për të prodhuar kryeveprën letrare.
.
. Ndoshta intuita, ndoshta qenia e tij intime boshnjake, shtynë Andriçin të verë në qendër të kronikës së tij katërshekullore urën me njëmbëdhjetë harqe të Vishegradit. E ndërtuar në vitin 1571 nga vendaliu Mehmet Pasha Sokolliç, sipas legjendës lokale ajo mbahet më këmbë falë murosjes së dy binjakëve…
. Një urë që lidh brigjet, që afron njerëzit dhe kulturat, që bashkon të shkuarën dhe të sotmen, që mbijeton katastrofat, që zhvillon qytetin - i cili gjen në të zanafillën, « rrënjën e tij të pashkatërrueshme ». Në këtë botë shumëkombëshe dhe shumëgjuhëshe të Andriçit ku gjysmëhënëza dhe kryqi bashkëjetojnë paqësisht falë urës, legjenda shërben thjesht për të dëshmuar të shkuarën, për të binjakëzuar fatin e përbashkët të njerëzve. Përfundimisht, invazioni perëndimor (pushtimi austriak gjatë luftës së Parë botërore) solli shembjen e urës dhe bashkë me të edhe lindjen e nacionalizmit – nacionalizmave lokalë që shënuan fundin e bashkëjetesës paqësore mes kombësive, grupeve, individëve…
.
. Ndoshta si kërkesë e brendshme e mekanizmit krijues kadarejan por pa dyshim, nevojë për të rivalizuar veprën e Andriçit (13), edhe Kadareja ve urën në qendër të romanit të tij. Një urë modeste (me tri harqe) mbi një lumë imagjinar (Ujana e Keqe), ndërtimi i të cilës në vitin 1377-78 rrezaton fatkeqsinë, paraprin katastrofën, mundëson invazionin lindor (otoman) – si edhe shembjen e asaj bote lokale të brishtë por autentike që përfaqson Arbëria mesjetare.
. Paradoksalisht, ura mbi lumë nuk krijon aspak një vazhdimësi që bashkon brigjet dhe njerëzit ; ajo krijon një të çarë në hapësirë dhe një ndërprerje në kohë – një « anti-urë » sipas Augustinos (1). Ndërkohë, edhe vetë murosja murmbajtëse përfaqson antipodin e mitit tradicional – një vrasje e maskuar në sakrificë, një burrë sabotues i groposur në themele në vend të gruas paqësuese.. Gjendemi në një realitet të vrazhdë dhe ankthngjallës ku edhe një aktivitet i fisëm dhe subliminal si ndërtimi i urës-monument shëndrrohet në një përleshje të pamëshirëshme mes korporatave thuaj-kapitaliste, që për qëllimet e tyre, zhvarrosin legjendën për të krijuar një « anti-legjendë ».
.
. Së fundi, vetëm Eliade i qëndron besnik balladës së vjetër – murimi i qënies së dashur si kusht i domosdoshëm për të jetërsuar ndërtimin e një manastiri (Curtea de Arges, 1514-1517). Ndoshta për faktin se folklori aq i pasur rumun nuk i ofron sakrificës njerëzore tjetër zgjedhje përveç lartësimit divin ; sigurisht pasi historianit i feve zbulon në të rastin e pashpresuar të paradigmës së krijimit nëpërmjet flijimit, të shkrirjes së qënies njerëzore – trup dhe shpirt « tempull i Zotit » - dhe të tempullit ku hyjnizohet vetë Zoti.
. Përtej çdo konteksti historik lokal, Eliade kqyr në këtë balladë universalitetin e motivit mitik të krijimit, esenca e të cilit qëndron në faktin se « krijimi, në çdo nivel të egzistencës, mund të realizohet vetëm nëpërmjet flijimit të një qënieje të gjallë, qoftë kur bëhet fjalë për Kriimin e Kozmosit ose të vetë njerëzimit.. » (8).
.
. Përmes krijimeve të mësipërme, shumëkush mund të kqyrë botkuptimin dhe analizon frymëzimin nacionalist kombkrijues të autorëve : jugosllavizmin e bindur dhe të sinqertë të të parit, shqiptarocentrizmin evropianofil dhe otomanofob të të dytit, romunogoninë mitike paleo-kristiane të të të tretit…
. Por para së gjithash, gjithkush mund të bindet se sejcili prej shkrimtarëve është mjeshtër i fjalës, krijues i një lloji tjetër ure-tempull – monument kujtese. Sikundër edhe ndërtuesit e lashtë të balladave përkatëse, atyre ju është dashur të flijojnë legjendën – këtë kryevepër të krijimit popullor - për të krijuar veprën e tyre të madhe letrare.
.
. * * *
.
.
. Ballada e murimit nuk ka tërhequr vetëm shkrimtarêt dhe folkloristët. Në kohë të vështira, si ato të vitit të mbrapshtë 1997, ajo u çfaq befas në analizat e sociologëve dhe të filozofëve, të cilët u munduan të zbërthenin domethënien e saj universale – në formën e « sindromës së Rozafës ».
. Sipas A. Fugës (15), mesazhi që çlirohet është ai i mospërputhjes mes reales, forcave të gjalla të historisë – puna e ditës, dhe rezultatit të ngurtësuar, të shkruajtur në realitetin rrethues – institucionet, këto mure të fuqishme. Në këtë mënyrë sindroma përmbledh atë kontradiktë mes përpjekjes së tashme – kësaj force të pakryer, dhe punës të materializuar – kësaj përmbajtjeje të institucionalizuar ; ajo shpreh atë shqetësim të thellë që prek njeriun, i cili « dëshiron të njohë vetvehten në rezultatin përfundimtar të punës së tij ndërkohë që ai identifikohet vetëm dhe nëpërmjet punës së tij ».
.
. Përse filozofi kufizohet vetëm në dallimin e një sindrome në këtë legjendë e cila, në tërësinë e saj përçon një tjetër mesazh universal, dhe jep njëkohësisht edhe zgjidhjen e dilemës të « mureve që shëmben çdo natë » ? Le të gjykojmë vetë, nëpërmjet kësaj mënyre të lexuari : në një Vëllazëri – Shoqëri klanike, e cila nuk njeh gjëkundi babain – Autoritetin, gjërat shkojnë keq e më keq – Sindroma e Rozafës, deri në momentin e çfaqjes të gruas – Bindjes. Kjo e fundit pranon që t’a murosin për së gjalli për t’i dhënë fund mallkimit – me kusht, që njëri nga gjinjët e saj të mbetet jashtë murit për të vazhduar të ushqejë fëmijën e saj. Pas kryerjes së sakrificës, muret tashmë qëndrojnë më këmbë dhe fortesa ndërtohet pak nga pak.
.
. I shprehur në këtë mënyrë mesazhi është fare i qartë :
.
. forca brute dhe efemere sublimohet dhe fisnikërohet në punën e qëndrueshme vetëm nëpërmjet shpirtit. E thënë ndryshe, me qëllim që vepra njerëzore të mund t’i rezistojë kohës që rrjedh dhe shkon, duhet sakrifikuar një pjesë e vetvehtes me qëllim që të shtihet, të shkrihet brenda rezultatit. Vetëm nëpërmjet këtij dhurimi të vetvehtes, të këtij automishërimi, ky rezultat mund të përjetësohet dhe të frymëzojë brezat e mëpastajmë.
.
.
. --------------
.
. 1. Olga Augustinos - Arches of Discord, Streams of Confluence: The Building of Bridges in the Balkans, në :. Dimitris Tziovas ed. - Greece and the Balkans : identites, Perceptions ans Cultural encounters since Enlightenments., Ashgate Publishing. Tld. 2003.
.
. 2. Shaban Sinani – Katër dilema etnotipike në veprën e Kadaresë, në : Le Dossier Kadaré , (suivi de La Vérité des souterrains d’Ismail Kadaré avec Stéphane Courtois) ; ed. Odile Jacob. 2006.
.
. 3. Alan Dundes – The walled-up Wife, a casebook. The University of Madison Press. 1996.
.
. 4. Kelly Lynne Maynard - The History of the Albanian Folktale 'The Legend of Rozafat Citadel', 14th Biennial Conference on Balkan and South Slavic Linguistics, Literature and Folklore, The University of Mississippi, Oxford, Mississippi, 2004.
.
. 5. Georgios Megas – Die ballade von der Arta-brücke, Thessaloniki, Institute for Balkan Studies, Meraklis 1973.
.
. 6. Ruzhdi Ushaku - Një vështrim filologjik krahasues mbi legjendën për Kalanë e Shkodrës –Rozafatin”, Seminari III ndërkombëtar Shkodra në shekuj, Shkodër, 2000,
.
. 7. Ismaïl Kadaré - Le Pont aux trois arches, Œuvres, Volume I, Paris, Fayard, 1993.
.
. 8. Ivo Andric - Le Pont sur la Drina, Paris, Belfond, 1994.
.
. 9. Mircea Eliade - Commentaires sur la Légende de maître Manole, l’Herne, 1994.
.
. 10. Ismaïl Kadare - Le Crépuscule des dieux de la steppe, Paris, Fayard, 1981.
.
. 11. Francis Hindes Groome - Gypsy Folk Tales, Hurst and Blackett, Limited, London 1899 (http://www.sacred-texts.com/neu/roma/gft/index.htm)
.
. 12. Denis Zavalani – Rubrika Folklor në : ANG (Albanian Network Group http://www.fajtori.com/)
.
. 13. Jean-Loïc LE QUELLEC – « la femme emmurée », à propos de « The walled-up Wife, a casebook », La Mandragore, Revue des Littératures Orales - N°3 – 1998.
.
. 14. Jean-Paul Champseix - Un pont dans la tourmente balkanique Ivo Andric’ et Ismaïl Kadaré, Revue de la Littérature Comparée, mars 2003.
.
. 15. Artan FUGA –Albanie, pourquoi les murs tombent-ils chaque soir ? në : Transeuropéennes n° 10 – Mouvements de Rue 1996 – 1997.

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, May 5, 2008

Maj 68’ : Kronika e stuhisë franceze.

Tërmeti i madh shoqëror që tronditi botën mbarë gjatë viteve 1967-1968, për një sërë arsyesh, njohu një zhvillim të jashtëzakonshëm në Francë. Sidoqoftë, shumë më të ashpër dhe më masiv se në vendet e tjera.
. Që në ditët e para të muajit maj, studentë anarshistë të pakontrollueshëm dhe pa asnjë program politik, adeptë te Maos dhe të Markuzes, sulmuan fakultetet, i pushtuan dhe u ndeshën me policinë nëpër rrugët e Parisit.
. Asnjëherë, kryeqyteti francez nuk kish parë një shpërthim të tillë dhune dhe shkatërrimi. Një varg intelektualësh e majtë i mbështetën dhe kodifikuan këtë lëvizje si shprehje të pakënaqësisë që lëvrinte në gjirin e shoqërisë. Në mes të muajit maj, puntorët u solidarizuan me studentët dhe u ngritën në grevë që brenda disa ditësh u shëndrrua në grevë të përgjithshme. E tërë Franca u paralizua dhe partitë politike të opozitës kërkuan rrëzimin e qeverisë. Presidenti De Gol shprehet për një referendum popullor lidhur me votëbesimin ndaj politikës së tij. Qeveria dhe sindikatat hyjnë në bisedime pêr rishikimin e rrogave dhe tê avantazheve sociale (bisedimet e Grenelës). Përfundimisht, në fund të majit, De Goli shpall shpërndarjen e Parlamentit dhe njofton pêr zgjedhje tê reja, në fund të muajit qershor.
.
. Për « çudi » zgjedhjet e reja legjislative ishin një plebishit i vërtetë pêr partinë e De Golit që si asnjëherë tjetër mori shumicën dërrmuese të vendeve në Parlament. Revolta përfundoi po aq befasisht si kish filluar : njerëzit shkuan me ngut në pushimet e korrikut dhe u rikthyen tê paqësuar.
. Sidoqoftë, « e keqja » ish bërë : qeveria e djathtë s’mundi tê realizonte ato reformat e premtuara, Elizeja (selia e Presidentit) ish gjithmonë më e largët dhe më e shkëputur nga populli, vetë De Goli kish rënë nga piedestali i Babait të Kombit… Diçka e pakthyeshme kish ndodhur në shoqërinë franceze – vetë Franca nuk ish më ajo që kish qenë më parë.
.
. Ja edhe kronika e kësaj periudhe të stuhishme, dyzet vjet më parë :
.
. 22 mars – lokalet administrative të Universitetit të Nanterrës u pushtuan nga një grup prej 400 studentësh anarkishtë dhe trockistë., që protestonin kundër dhunës ndaj militantëve të Komitetit Viet-Nam.
.
. 28 mars – Dekani urdhëron mbylljen e fakultetit të letërsisë.
.
. 1 maj – manifestim i madh i forcave të majta në Paris.
.
. 2 maj – studentët e të djathtës ekstreme (Oksident) i venë zjarrin një lokali sindikal në Sorbonë.
.
. 3 maj – të gjitha organizatat e të majtës ekstreme manifestojnë në Sorbonë dhe përgatiten për përleshje me grupet e të djathtës ekstreme. Rektori kërkon ndërhyrjen e forcave të policisë që fillojnë të arrestojnë « organizatorët ». Kalldrëmi i parë kundër policëve hidhet në orën 17 e 30 min. Përleshjet bllokojnë gjithë lagjen ngjitur Quartier Latin : 83 policë të plagosur dhe 574 studentë të arrestuar.
.
. 6 maj – përleshje të reja në Quartier Latin : 300 policë dhe 600 studentë të plagosur. Lëvizja se studentëve përfshin qytetet e tjera të Francës.
.
. 10 maj – përleshjet shëndrrohen në luftë të vërtetë. 60 barrikada ngrihen vetëm në Quartier Latin, 1000 të plagosur nga të dy anët. Sindikata e mësuesve dhe e profesorëve bashkohet me studentët dhe ndërpret mësimin.
.
. 13 maj – sindikatat puntore organizojnë një manifestim në Paris në mbështetje të studentëve : 800.000 pjesëmarrës. Kryeministri Pompidu deklaro rihapjen e Sorbonës për të qetësuar disi studentët. Këta të fundit e pushtuan menjëherë Universitetin dhe e shëndrruan në Shtab të Përgjithshëm të lëvizjes.
.
. 14 maj – 2.600 puntorët e një uzine aviacioni në qendër të Francës fillojnë një grevë pa afat dhe pjesëmarrin në lëvizjen e studentëve.
.
. 15 maj – 300 të rinj puntorë pushtojnë uzinën e tyre Renault dhe marrin peng kuadrot.
.
. 16 maj – rreth 100 uzina janë pushtuar nga komitetet puntore në të gjithë vendin. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha gjenden në grevë dhe janë paralizuar. Numri i grevistëve llogaritet në rreth 200.000.
.
. 18 maj – numri i grevistëve arrin në 2.000.000.
.
. 19 maj – partitë e majta dhe sindikatat kërkojnë të ndërhyjnë dhe të marrin nën kontroll lëvizjen puntore.
.
. 22 maj – shumica në Parlament hedh poshtë një mocion censure të kërkuar nga e majta.
.
. 24 maj – De Goli shpall organizimin e një referendumi popullor për të kërkuar besimin e qeverisë së tij. Në Paris, demostruesit i venë zjarrin godinës së Bursës.
.
. 25 maj – numri i grevistëve arrin në 9.000.000. Stacionet e benzinës janë bosh dhe njerëzit fillojnë bëjnë rradhën për të blerë ushqime.
.
. 27 maj – bisedimet mes qeverisë dhe sindikatave prodhojnë Marrëveshjen e Grenelës (25% të rrogës minimale dhe 10 të asaj mesatare, zvogëlim i kohës së punës dhe i moshës së pensioneve). Baza puntore nuk i pranon pasi i quan të pamjaftueshme dhe shprehet për vazhdimin e grevës.
.
. 28 maj – kriza politike ashpërsohet dhe gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra mbi largimin e De Golit nga pushteti. Miterani ve kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
.
. 29 maj – De Goli braktis Parisin dhe konsultohet në sekret me Gjeneralët e trupave franceze të stacionuara në Gjermaninë Federale.
.
. 30 maj – Fjalim i De Golit në televizion : Asambleja Kombëtare është shpërndarë dhe vendi do të organizojë zgjedhje të reja në fund të muajit qershor.
.
. 31 maj – manifestim gjigand në Paris (1.000.000 vetë) në përkrahje të Presidentit De Gol.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur