
. Qëndrimi i forcave politike shqiptare dhe kosovare ndaj fenomenit UÇK lëkundej ende mes refuzimit të plotë për të njohur të paftuarit në sofrën kosovare (Presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani, Kryeministri Fatos Nano si edhe përgjegjësit kryesorë politikë të partive shqiptare), venies re të kësaj egzistence dhe pranimit pa komente (personalitete më në zë të skenës politike kosovare - Bujar Bukoshi, Adem Demaçi, Hydajet Hyseni) si dhe dënimit kategorik (Ibrahim Rugova dhe shtabi i tij i LDK). Udhëheqësit e LDK shkuan edhe më tej, duke e cilësuar si një krijesë të policisë serbe si dhe një rrezik për të gjithë popullin kosovar.
.
. C'përfaqsonte kjo UÇK kaq misterioze? Origjina e saj mbetet disi e errët për pjesën më të madhe të vëzhguesve që lidhin krijimin e saj me grupthet marksiste kosovaro-shqiptare të fillimit të viteve 80, në vendet e Evtropës perëndimore. Në këtë periudhë, emigrantë politikë albanofonë të hapësirës jugosllave, të bazuar në Gjermani dhe në Zvicër, krijuan disa grupe
marksiste-leniniste : Lëvizja Nacional-çlirimtare e Kosovës dhe e viseve shqiptare në Jugosllavi – LNÇKVSHJ, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës – OMLK, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi - PKMLSHJ si edhe Fronti i Kuq Popullor – FKP. Në shkurt 1982, këto organizata klandestine u shkrinë dhe formuan një organizatë të re : Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – LRSHJ, nga gjiri i të cilës pothuaj menjëherë doli një Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK. Ndërkohë që distancohej nga qëndrimet jo të dhunshme të predikuara nga Rugova, në vitin 1993, LPRK ndrroi emrin dhe u quajt Lëvizja popullore e Kosovës – LPK. Objektivat politikë të LPK përfshinin bashkimin e të gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë – Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbia lindore – në një shtet të vetëm, pa përjashtuar përdorimin e luftës së armatosur. Përfundimisht, një grusht udhëheqësish
të LPK u shkëputën nga stuktura amë për të krijuar në Prishtinë Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e Kosovës – LKÇK. Kundërshtare e idesë së krijimit të Republikës së Kosovës, kjo lëvizje e re predikonte bashkimin e të gjitha territoreve të banuara nga shqiptarët në ish Jugosllavi me Shqipërinë – « Shqipërinë e Madhe »- nëpërmjet luftës së armatosur kundër pushtetit serb.


Ndërkohë, zona e Drenicës kish krijuar grupet e veta guerrilje, bindjet politike të të cilëve ishin pak a shumë republikane, në vazhdën e një tradite që shkonte deri në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Duke vepruar në rrjet sipas një skeme qelizore tradicionale, ata qenë në origjinë të aksioneve të para kundër forcave serbe të krahinës. Paralelisht, « qeveria » Bukoshi që varej nga LDK, kish menduar të krijonte forcat e veta të armatosura. Projekti i fillimit të viteve 90 u
rimorr dhe filloi të zbatohej në vitin 1997, pas krizës shqiptare. Kështu panë dritën e diellit Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, të vendosura në Shqipëri dhe të degëzuara në Kosovën fqinje. Një rrymë e tretë e rezistencës u çfaq masivisht në terren në vitin 1997-1998 : kjo UÇK e tretë – krahu i armatosur i LPK – financohej nga Fondacioni « Vendlindja Thërret » u pozicionua si konkurrente e drejpërdrejtë e FARK-ut me qëllim që të rekuperonte rrjetin egzistent. Momenti kulminant i rivalitetit mes këtyre dy rrymave ishte vrasja në Tiranë e Ahmet Krasniqit, « ministrit të Mbrojtjes » të qeverisë Bukoshi (1).

.
. Pa asnjë dyshim, që të gjithë aktorët e terrenit kosovar ishin të shqetësuar dhe të bezdisur nga UÇK-ja dhe duke gjykuar nga reagimet e kësaj periudhe, shqiptarët edhe më tepër se sa vetë serbët. Në të vërtetë, nga momenti që aksionet e armatosura ishin vepër e grupeve ose e individëve të izoluar që vepronin në zona gjeografikisht të kufizuara, loja mbetej gjithmonë e kontrollueshme nga ana e forcave të sigurimit ose të policisë serbe. Në të kundërt, kjo situatë i jepte një argument shtesë Millosheviçit për të sulmuar rrezikun e ekstremizmit shqiptar dhe me këtë rast, të vinte më mirë në fre shoqërinë kosovare. Fundi i statu quo-së, i atij « stabiliteti » politik që mbretëronte në Kosovë që prej vitit 1990 falë monolitizmit të lëvizjes së tij, prishja e ekuilibrit të forcave mes segmenteve të ndryshme të shoqërisë kosovare : ja edhe shqetësimi kryesor i Rugovës, fati dhe « kapitali » politik i të cilit ishin të lidhura në mënyrë të pandashme
me ato të armikut të tij intim Millosheviç. Megjithë ato shenjat e qarta të reorganizimeve të brendshme dhe të vrullshme në gjirin e shoqërisë kosovare, të çfaqura përpara daljes në skenë të UÇK-së, Rugova nuk hezitoi as edhe një grimë për t’a cilësuar këtë të fundit si « terroriste » ose më tej « komuniste », duke shprehur në këtë mënyrë garancinë e vullnetit të tij të mirë ndaj Beogradit si edhe përbuzjen e tij të thellë ndaj frymëzimit ideologjik të kundërshtarëve të tij. Nga ana e Shqipërisë fqinje, reaksionet e dy forcave kryesore politike PD dhe PS s’bënin gjë tjetër veçse shprehnin kontradiktat mes tyre sikundër dhe gjendjen e tyre të brendshme. Në rolin e një partizani të Kosovës së pavarur, Berisha duhej të përgëzohej për çfaqjen e UÇK. Megjithatë, ai i druhej referencave tepër të dukshme marksiste-leniniste dhe « hoxhaiste » të frymëzuesve të saj në mërgim ; në këto kushte, ja vlente më mirë të injorohej ana e marketingut dhe e komunikimit ndërkohë që ai zhvillonte një biznes të vërtetë me përfaqsuesit e UÇK dhe financierët e saj në ato tokat e tij fisnore të Tropojës. Përsa i përket Nanos, kuadri ideologjik i të posaçfaqurve të UÇK nuk krijonte asnjë problem, përkundrazi, kjo gjë nënkuptonte një bazë të shëndoshë mirëkuptimi si edhe allishverishe të majme në perspektivën e ndrrimit të pushtetit në Kosovë. Por nga ana tjetër, vatra destabilizuese e Kosovës ishte një skenar që duhej evituar me çdo kusht pasi, stabiliteti i Ballkanit si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët grekë dhe serbë përbënin edhe linjat kryesore të politikës të jashtme të padronit të ri të Tiranës.


. Si pasojë e një mpleksje të çuditshme të rrethanave, të jepej përshtypja sikur po përsëritej rishtas skenari i Luftës nacional-çlirimtare që u zhvillua në Shqipëri gjatë viteve 1941 – 1944, me aktorët e saj, me dilemat e tyre ideologjike si dhe me zgjedhjet e tyre politike. Në rast se mund t’i besohet fatalitetit dhe mësimeve të historisë, kish shumë mundësi që logjika e militantizmit politik dhe dinamika e implikimit praktik në aksionin ushtarak të mbizotëronin rishtas mbi llogaritjen e rëndësisë numerike të forcave në terren.
. Përmbysja e tendencave dhe ekuilibri i ri i forcave në Kosovë nuk kaloi pa u vë në re në Uashington. Duke ndjerë afrimin e një konflikti të ri rajonal si dhe rrezikun mbi stabilitetin ballkanik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të kqyrin nga afër rrjedhën e ngjarjeve : amerikanët çelën një qendër informacioni në Prishtinë në qershor të vitit 1996 ndërkohë që vajtje – ardhjet e diplomatëve amerikanë në terren u bënë gjë e zakonshme. Evropa, me anë të levave të saj bashkësiore ndërmorri disa demarshe dhe dënoi shtypjen serbe pasi edhe ajo ndjeu erën e barutit.
.
. Problemi i Kosovës hyri në një fazë të re tepër të rrezikshme me ndërhyrjet vrastare të forcave
serbe në Drenicë ku humbi jetën e tërë familja e Jasharëve (2), gjatë ditëve të fundit të marsit të vitit 1998. Megjithë zhvillimin e zgjedhjeve të reja klandestine të 22 marsit 1998 që siguruan rishtas pozitat e Rugovës në postin e tij të « Presidentit » të Kosovës dhe takimet e nivelit të lartë mes Rugovës dhe Millosheviçit në maj të vitit 1998, që prej muajit prill krahina ishte kapërthyer në një spirale të vërtetë dhune (3). Përfundimisht, UÇK doli nga prapaskena dhe nëpërmjet forcave të saj të armatosura që vlerësoheshin në disa mijra luftëtarë, ajo deklaroi se kontrollonte një të tretën e territorit të krahinës. Njësitë e milicisë serbe, të ushtrisë së rregullt dhe grupet e paraushtarakëve u vunë në veprim të përhershëm dhe rezultatet ishin të tmerrshme : me dhjetra fshatra fantazëm, me qindra shtëpi të djegura dhe të shkatërruara nga themelet ndërkohë që në muajt e parë të verës, numri i rrefugjatëve kosovarë në rrugët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Shqipërisë llogaritej në 300.000 vetë.

.

. Prapa asaj përmase të mohimit të vetvehtes i cili çon drejt akteve heroike, përtej angazhimit personal në emër të një çështjeje « të shenjtë », gjithmonë gjendet llogaritja e ftohtë e disa
mendjeve të ndritura që modelojnë te ardhmen, ndodhen shtabet që nëpërmjet aksionit ushtarak synojnë pushtetin. Sikundër çdo ndërmarrje tjetër e madhe, kjo luftë ka nevojë për fonde, për materiale dhe në rradhë të parë për përpjekje njerëzore. Asaj i duhet forca brut e argatit-ushtar të thjeshtë, zanati i teknikëve-specialistë, njohuritë e administratorëve-oficerë, mjeshtëria e ustallarëve-gjeneralë dhe së fundi, paraqitja e udhëheqësve. Zaten, këta të fundit e dinë mirë që zgjidhja e një lufte të tillë nuk ndjek logjikën e më të fortit dhe nuk vendoset pothuaj kurrë në fushën e betejës. Për këto arsye, nëpërmjet imazhit të një « lufte të drejtë » për të mos thënë të justifikuar, atyre ju duhet të sigurojnë mjedisin rreth e qark dhe të bindin vëzhguesit sa ata janë jo thjesht përfaqsues të gjithë popullit por njëkohësisht edhe bartës të një projekti të të ardhmes : politik, shoqëror bile edhe ekonomik.

.
. E kqyrur nga ana e UÇK, « llogaritja » ishte e qartë : kish ardhur koha për të ndërmarrë çlirimin e Kosovës që ndodhej nën zotërimin e serbëve. Megjithë mungesën e ekuilibrin në raportin e forcave, duhej detyruar rregjimi i Millosheviçit që të angazhohej në një konflikt të hapur dhe të armatosur. Fakti se serbët nuk do të pranonin kurrë shkëputjen e Kosovës jepte edhe sigurinë se Beogradi do të përdorte mënyrën e fortë ; kështu ai do të vihej në shënjestrën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila a priori nuk mund të toleronte një Bosnje të re. Megjithë përmbajtjen e tij të guximshme, ky projekt përmbante disa pika të dobta të cilat komprometonin shanset e saj :
.
. - Të gjitha fuqitë evropiane ishin vendosmërisht kundër perspektivës të një ndezjeje të re të Ballkanit ; aq më tepër nëqoftë se ky konflikt do të vinte në lojë shqiptarët pasi në këtë rast, pasojat do të ishin tepër të rënda për të gjitha vendet ballkanike.
.
. - Skena politike lokale mbetej nën pushtetin e LDK të Rugovës e cila vazhdontë të tërhiqte vëmendjen dhe simpatinë ndërkombëtare pikërisht falë pozitave të saj të moderuara dke veçanërisht falë armiqësisë së saj të deklaruar ndaj luftës së armatosur.
.
. - Kjo organizatë politike që do të udhëhiqte këtë luftë nuk ngjallte asnjë besim ndaj amerikanëve të cilët pa asnjë hezitim e trajtonin si « organizatë terroriste » që prej shkurtit të vitit 1998, gjatë bashkëbisedimeve me vetë Millosheviçin në Beograd. Sipas tyre, ajo « udhëhiqej prej njerëzish të hijes lidhjet ndërkombëtare të të cilëve mbeteshin të errta, me aspirata afatgjata të paqarta » (4). Nga ana tjetër, vetë agjenda e kesaj organizate përmendte se « nëpërmjet grykës së pushkës, ne duhet të fitojmë pavarësinë e Kosovës si një hap i parë drejt krijimit të një Shqipërie të Madhe, që do të përfshijë përveç Shqipërisë, një pjesë të Serbisë (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë), të Malit të Zi (Dukagjin, Plavë, Rozhaje), të Maqedonisë (Tetovë, Gostivar) dhe të Greqisë (Çamëri) ».
.

. Mjafton tashmë që Amerika të pranonte realitetin e prekshëm : atë të një UÇK-je në rolin e çadrës mbrojtëse të kosovarëve përballë një Millosheviçi të pakorrigjueshëm sikundër dhe atë të një Rugove të pafuqishëm për të penguar shpërthimin e revoltës popullore. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara u munduan të fitojnë kohë ndërkohë që në fshehtësi, ndërmerreshin një varg masash : forcimi i dispozitivit të Kombeve të Bashkuara që ndërkohë gjendej diku në Maqedoni, negociata me Shqipërinë për të përgatitur një plan të shpërndarjes së forcave të NATO-s, venia në gatishmëri të lartë e forcave amerikane me qëndrim në Itali.
.
. Përfundimisht u duk sikur rreziku i një ndërhyrjeje ushtarake kundër Serbisë po largohej, veçanërisht pas pranimit nga ana e Millosheviçit të bashkëbisedimeve me Rugovën – që ishin në fakt krejt të kota – dhe sidomos pas asaj ndërmjetësisë ruse që lejoi ndërhyrjen e vëzhguesve të parë ndërkombëtarë të OSCE në territorin e Kosovës. Megjithatë, diplomacia e shtrëngimit e praktikuar nga amerikanët, të ndjekur nga evropianët e pavendosur, i tregoi shumë shpejt kufizimet e saj : radikalizimi i lëvizjes nacionaliste kosovare rreth UÇK-së si dhe sulmet
ushtarake serbe u shumëfishuan deri në afrimin e dimrit, duke shkaktuar rreth dy mijë të vrarë të tjerë brenda disa muajsh. U desh masakra e Raçakut (5), në 15 janar 1999, që perëndimorët të zbresin me të vërtetë në terren për të përdorur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake. Nën shtytjen e një « Grupi të Kontaktit » - një mekanizëm i vjetër i kohës së krizës boshnjake dhe i përbërë nga përfaqsues të Shteteve të Bashkuara, të Rusisë, të Gjermanisë, të Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Italisë – një varg kontaktesh u morën me Millosheviçin për të gjetur një zgjidhje ndaj çështjes së Kosovës dhe në rradhë të parë, të thirreshin të interesuarit për të shqyrtuar propozimet e bashkësisë ndërkombëtare.


.
. Nëpërmjet goditjeve intensive ajrore, të filluara në 24 mars 1999 dhe që zgjatën shtatëdhjetë e nëntë ditë, forcat aleate të Atlantikut Verior synuan të shkatërronin
forcën ushtarake dhe të paralizonin pushtetin politik të Millosheviçit. Ndërkohë, ushtria serbe, policia dhe paraushtarakët e Raznjatoviçit alias Arkan, ndërmorrën një pastrim të vërtetë etnik të krahinës. Fshatra dhe më pas qytete të tërë (Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gjakovë për të përmendur veç këto) u krehën dhe u zbrazën nga banorët me origjinë shqiptare, të cilët u detyruan të braktisin vendin e tyre. Sipas të dhënave të HCR, midis 800.000 dhe një million kosovarë u ndoqën
me metodë dhe u detyruan të ikin përtej kufirit për t’u strehuar në vendet fqinje (459.000 rrefugjatë në Shqipëri, 249.000 në Maqedoni dhe 68.000 në Mal të Zi) sikundër dhe në vende të tjera diçka më larg (22.000 në Bosnjë-Herzegovinë si edhe 198.000 në vendet e tjera të Evropës). Në terren, Ushtria Çlirimtare u mundua të kanalizonte rrymën e rrefugjatëve dhe në rradhë të parë të përmbante ofensivën e serbëve, duke pësuar humbje të rënda.


.
. Me fillimin e goditjeve ajrore të NATO-s, UÇK-ja mundi të rifitojë dinamizmin e vet dhe në rradhë të parë forcën e saj goditëse – duke u shëndrruar në një trupë ushtarake prej 17.000 – 20.000 luftëtarësh. Ndërkohë që pjesa më e madhe e trupave ishin rekrutë me origjinë nga Kosova, me profil prej partizanësh, kuadrot e saj më të mira ishin ushtarakë të vjetër të ushtrisë jugosllave JNA, të dalë nga një trupë prej disa mijra ushtarakësh që kishin bërë luftën e Kroacisë dhe të Bosnjës. Që në fillim të vitit 1999, drejtimi politik kish kaluar në duart e Hashim Thaçit – alias Gjarpëri, ndërkohë që drejtimi i punëve ushtarake sigurohej nga Gjeneral brigade Agim Çeku. Që të dy këta bënin pjesë në shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, një grup vendimmarrës prej 18 vetësh, i cili drejtonte tërësinë e operacioneve dhe veprimeve ushtarako-politike për Kosovën.
. Terreni ishte ndarë në shtatë zona operative, sejcila e drejtuar nga një komandant rajonal : i Drenicës (që gruponte komunat e Gllogovcit, të Skënderajt – Sërbica, Malishevë dhe Klinë), e Shalës, e Dukagjinit (Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Prizren), e Llapit, e Nerodines, e Kaçanikut dhe së fundi e Pashtrrikut. Mes komandantëve lokalë, dafinat i takonin Ramush Haradinajt – një ish legjionar i Legjionit të Huaj francez – i cili drejtonte operacionet në Dukagjinin e tij të lindjes.
.
. Përfundimi i luftimeve, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes « prej dhjetë pikash » çoi në një tërheqje të plotë të forcave ushtarake serbe nga territori i Kosovës si edhe në shpërndarjen e një force ndërkombëtare të ndarjes së palëve – KFOR – detyrat e të cilës ishin ruajtja e paqes dhe mbajtja e rendit publik. Ky proces përbën pa asnjë dyshim edhe ngjarjen më të madhe në gjithë historinë e krahinës. Ai përcakton një etapë tranzicioni dhe në rradhë të parë lejon një kohë refleksioni përsa i përket marrëdhënieve të ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit, duke lënë sidoqoftë vjerrë dëshirën e përbashkët dhe unanime të popullsisë shqiptare : pavarësinë e Kosovës.
.
.
. ----------------------------------------------------------
.
. (1) Mbi këtë çështje shih : Xavier BOUGAREL & Nathalie CLAYER – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Edition Maisonneuve & Larouse, Paris, 2001 sikundër dhe : Christophe CHICLET – L’histoire secrète de UCK, dans : La nouvelle guerre des Balkans, Le Monde Diplomatique, mai-juin 1999.
.
. (2) Në 22 janar 1998, dështoi një operacion i policisë serbe që synonte arrestimin e Adem Jasharit, kryetari i fisit të Jasharajve të Drenicës dhe një nga organizatorët e rezistencës të armatosur antiserbe në zonë. Në vijim, në 5 mars 1998, njësitë e policisë dhe të ushtrisë mësynë shtepinë familjare të Jasharajve në Prekaz. Operacioni përfundoi në një det gjaku : 58 antarë të familjes Jashari gjetën vdekjen, mes të cilëve 18 gra dhe 10 të mitur nën 17 vjeç.
.
. (3) Burimet gjermane përmendin ndërhyrjen e Presidentit maqedon Gligorov në janar 1998, i cili shprehte shqetpesimin e tij ngaj një lufte krejt të afërt në Kosovë, ndërkohë që vendi i tij përgatitej të hapte « një koridor kalimi të kosovarëve drejt Shqipërisë ». në shkurt 1998, politikanë të Vojvodinës deklaronin se dispononin prova të pakundërshtueshme të mobilizimit të ushtrisë serbe me qëllim që të ndërhunte në Kosovë, përgatitje që rikujtonin luftën kundër Kroacisë në vitin 1991. Shih : Frank MUENZEL – Ibidem.
.
. (4) Kraig R. NATION – War in the Balkans, 1991 – 2002, Strategic Studies Institute Monographs, Carlisle, August 2003.
.
. (5) Të thirrur në vendin e ngjarjes në 15 janar 1999, vëzhguesit e OSCE zbuluan në afërsi të fshatit Raçak, në Drenicë, trupat e 45 civilëve mes të cilëve gjendeshin dy gra dhe një fëmijë. Sipas thënieve të dëshmitarëve lokalë, bëhej fjalë për fshatarë tâ pafajshëm, viktima të një sulmi të ndërmarrë nga ushtria serbe kundër luftëtareve të UÇK-së. Përgjegjësia për cilësimin e këtij zbulimi si « krim i vetëdijshëm i kryer nga serbët kundër të pafajshmëve » bie mbi Uliam Ualker, përgjegjës i vëzhguesve të OSCE. Pa hezituar as dhe një sekondë, ky ish ambasador amerikan në Amerikën Qëndrore gjatë viteve nëntëdhjetë, informoi përgjegjësit e tij të Uashingtonit lidhur me këtë ngjarje e cila pushtoi mediat e botës mbarë. Pa mundur të krijojnë një provë të pakundërshtueshme, elementët e mbledhur në vendin e ngjarjes nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë hapën një debat mbi egzistencën vetë të masakrës pasi, sipas disa burimeve të izoluara Raçaku s’ish gjë tjetër veçse një montazh makabër.
.
. (6) Pa dyshim që shprehja përbën një eufemizëm, pasi delegacionet serbe dhe shqiptare ishin vendosur në salla të veçanta dhe të ndara ndërkohë që negociatorët e Grupit të Kontaktit shkonin dhe vinin mes tyre. Arsyeja e këtij qëndrimi duhet gjetur në zgjedhjen e kosovarëve për t’i besuar vendin e kryetarit të delegacionit Hashim Thaçit, përfaqsuesit të UÇK-së që s’përputhej gjëkundi me shijen e serbëve, aq më tepër që për ta i përfaqsonte një organizatë terroriste. Përtej anës pasionale, duhet nënvizuar që delegacioni serb përfundimisht pranoi të nënëshkruajë kapitullin « politik » të marrëveshjes dhe njëhohësisht shprehu mospajtimin e tij ndaj vendosjes të forcave të NATO-s mbi territorine krahinës – duke argumentuar se « bëhej fjalë për një pushtim ushtarak të territoreve që i përkasin Federatës jugosllave ». Në të kundërt, serbet treguan shenja se ata mund të pranonin vendosjen e trupave të çarmatosura të paqeruajtësve, me kusht që këta të fundit të viheshin nën flamurin e OSCE-së ose të OKB-së. Ndërkohë, pala shqiptare pranonte kapitullin « ushtarak », duke denoncuar çdo zgjidhje politike që përjashtonte pavarësinë. Por, Sekretarja e Shtetit e SHBA-së Madelene Ollbrajt, nga njera anë insistoi mbi pranimin e plotë dhe pa rezerva të propozimeve të bëra dhe nga ana tjetër mundi të sigurojë aprovimin e delegacionit kosovar dhe vënien e tij në akord të plotë me pikpamjet e admnistratës Klinton, duke i premtuar mbajtjen e një referendumi popullor lidhur me të ardhmen e Kosovës. Mbi të tjera, shil për këtë çështje : Paul-Marie de la GORCE - L’Otan et le Kosovo, Confluences Méditerranée N°30 Été 1999.
.
. (7) Kjo teori e vjetër e risjellë në modë me rastin e luftës së Bosnjës, i hedh përgjegjësinë e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë një komploti të thurur nga qarqet « gjermano-vatikano-kominformo-islamiste ». Përsa i përket lobit shqiptar në Uashington, ai është vepër e shqiptaro-amerikanëve të vjetër dhe grumbullon nga afër dhe nga larg kongresmenë, senatorë dhe të tjerë njerës me ndikim politik sikundër ZhozefJ. DioGuardi – një italo-amerikan me origjinë arbëreshe që mbështet Lidhjen Civile Shqiptaro – Amerikane (AACL). Ky i afërt i Bob Dolit – kandidati fatkeq për President kundër Klintonit në vitin 1996, përbën edhe strumbullarin e lobit në fjalë që mes të tjerësh afron edhe Xhorxh Tenet – një padron i vjetër i CIA-s me origjinë greko-shqiptaro-amerikane.
0 comments:
Post a Comment