"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, March 27, 2008

Bir Kryetar i nënes....

. Dikur kanë qenë mësues, mjekë, metalurgë, ushtarakë, inxhinierë.. . . . Koha - dhe njerëzit - i bënë Kryetarë, Prijës, Presidentë... . . . Sidoqoftë në thellësi të shpirtit, ata kanë mbetur ashtu siç i ka bërë nëna e tyre : komikë. . . . . . George. W. Bush jr. - President i SH.B.A .

. "Nuk njoh njeri tjetër [si veten] të ketë arsyet më të mira, për të gjitha dëmet që mund të ketë shkaktuar.. " (The Guardian. Londër)

. " E kaloj kohën në telefon, dëgjoj, inkurajoj, bëj edhe mbledhje. Pra, bëj plot gjëra.." (Washington Post. USA)

. "E dini? E kam të vështirë ndërkohë që jetoj në këtë Shtëpi të Bardhë kaq të bukur, t'ju them me saktësi se çfarë ndodh në terren.." (përgjigje ndaj pyetjes: A po ndodh luftë civile në Irak ?) (Washington Post. USA)

. "Kush e ka shkruar për ty Geldof" pyeti G.W. Bush rockerin britanik Bob Geldof, ndërkohë që ky i fundit i dhuroi librin e tij.

. "Kush do t'a lexojë për ju zoti President?" qe përgjigja e artistit.

. . Mahmud Ahmedinejad - President i Republikës Islamike të Iranit. . Mahmud Ahmedinejad - President i Republikës Islamike të Iranit. . . . " Në përgjithësi, vera është e nxehtë. Por kësaj vere, ne parashikojmë një rritje të mëtejshme temperature, falë fitoreve së njëpasnjëshme të popullit tonë, si edhe falë dështimeve të armiqve tanë që sa vinë edhe shtohen.." (Al-Hayat, Londër). . . " Me qëllim që të na prishin punë, armiqtë tanë thurin komplote pas komplotesh: për shembull, ata ngrenë çmimin e domateve në treg. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të na detyrojnë të heqim dorë nga idealet tona.." ( Agjensia ISNA, Teheran). . . Luiz Injacio Lula da Silva - Presidenti i Brazilit. . . . "Në se njihni dikë të madh në moshë dhe që ju pohon se është i majtë, dijeni sa ai ka një problem. Dhe në rastin tjetër, po qe se njihni dikë të ri që ju pohon se është i djathtë, edhe ai ka një problem.." (Revista Istoe, Brazil). . . " Imagjinoni sikur të pranoj të ul moshën madhore, të dënueshme penalisht nga 18 vjeç në 16, të nesërmen do të më kërkonin t'a çoja në 15 vjeç, më tej në 9, mos të themi 10 dhe, kush e di, ndoshta një ditë do të më kërkojnë të dënoj edhe një fetus... " (përpara Parlamentit të Brazilias) . . Aleksandër Lukashenko - president i Bjellorusisë. . . " Ne i falsifikuam zgjedhjet. Në fakt, rreth 95,5% e zgjedhësve votuan për presidentin Lukashenko. Por menduam se, gjithsesi, nuk do të ishte një rezultat bindës për Evropën. Atëhere, bëmë si bëmë dhe nxorrëm një rezultat aty rreth 86% - sipas normave evropiane..." . . Lesh Walesa - ish presidenti i Polonisë. . . " Jam tashmë 54 vjeç dhe kur i shoh gratë, i konsideroj vetëm nga pikpamja praktike.." (prill 2007) . Vladimir Putin - ish presidenti i Rusisë. . . . "Që nga vdekja e mahatma Gandit, s'ka mbetur asnjë njeri tjetër me të cilin mund të flas..." (qershor 2007) . . "Spanjollët nuk mund të na japin leksione ne - mjafton të shohin ata kryetarët e tyre të bashkive të korruptuar. Sa për Mafian, ajo ka lindur në Itali dhe jo në Rusi... " . . "Së shpejti, ne do të ngremë një ushtri të aftë të ndalojë çdo të huaj që dëshiron të shtjerë hundën e qurrosur në çështjet tona të brendshme.." (nëntor 2007) . . Robert Mugabe - president i Zimbabwes. . . " Sigurisht që do të dal në pension një ditë prej dite, por gjithçka varet nga rrethanat. Nuk mund të më kërkoni sidoqoftë, që të largohem - dhe të le partinë time të shembet... " (ndërkohë që ai ka 30 vjet në krye të vendit..) . . . . . . . . . . . . . . . Në qoftë se do të ndiqnim formulën tashmë klasike të Shvejkut, babait të humorit antikonformist dhe absurd, do të ngrinim pyetjen : . . A njihni një Kryetar, ish-President dhe Kryeministër si ai, që mbledh në një të vetme freskinë e përgjigjeve të të parit, thellësinë e mendimit tê të dytit, imagjinatën e të tretit, zgjuarësinë e të katërtit, babaxhanllëkun e të pestit, vendosmërinë e të gjashtit si edhe jetëgjatësinë politike të të shtatit ? dhe që ndërkohë është i ngjyrosur (nga bloza e Gërdecit), i hipur në degë (më falni: në tribunën e Parlamentit) dhe që këndon (edhe njëherë të falur: këshillon opozitën të fshijnë me nder prapanicën me gazetat që flasin për allishverishet e trafikut të armëve).

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, March 24, 2008

Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.

Katastrofa e Gërdecit me dhjetra të vrarët e tij, të zhdukurit e shumtë, me dëmet e pallogaritshme materiale dhe me traumën e rëndë kolektive përbën aktin e rradhës të tragjedisë së sotme të shoqërisë shqiptare që, edhe pas 17 vjetësh të shkuara nga përshëndoshja me rregjimin komunist, vazhdon të vuajë pasojat e të kaluarës shtypëse.
.
. Kësaj here, e kaluara u materializua në predha dhe të tjera ngarkesa eksplozive që duar të shkujdesura i kishin grumbulluar pranë një fshati si Gërdeci, pranë një qyteti si Vora me qëllim që duar të tjera të kujdesshme grash dhe fëmijësh t’i kondiciononin, t’i manipulonin, t’i çmontonin – shkurt, t’i shëndrronin në vlera monetare. Nuk mund të harrosh se pikërisht një mars tjetër të vitit 1997, plot 11 vjet më parë, ishin po të njejtat predha dhe armë, e njejta trashëgimi i të kaluarës komuniste, që u grabitën nga depot e ushtrisë popullore të falimentuar dhe u përdorën gjatë orgjisë kolektive për të vrarë me mijra pjesëmarrës të atij « ahengu » që çoi në rrëzimin e demokracisë naive berishjane. E pra, një demokraci berishjane kësaj here e pjekur vazhdon të manipulojë armët dhe municionet jo më për tregun e « brendshëm », por për tregun vrastar të përbotshëm. Kur do të vemë mend dhe të kuptojmë një herë e mirë që armët dhe municionet s’janë lëndë e parë – dhe aq më pak lodra – që mund të lihen në duart e pafajshme të civilëve ?
.
. Megjithë etiketën e tij demokratike, paradoksalisht, shteti shqiptar dhe qeveritë e tij të njëpasnjëshme blu-rozë-blu s’kanë mundur t’i bëjnë dalje të kaluarës dhe të mbyllin një herë e mirë rregjistrin e tij të trashëgimisë. Nuk dëshiroj aspak të përmend mentalitetin e burrave politikë, të pjekur në furrën e vjetër të PPSH, bile as edhe retorikën partiake që kujton çuditërisht atë të kongreseve të dikurshme. Kësaj rradhe dua të flas për « bazën materiale » të socializmit – atë pasuri kolektive që megjithëse u thye dhe u grabit për vite të tëra mes 1991 dhe 1994 – dhe më pas në 1997, ende vazhdon të tërheqë lakmi të shumta : ato tokat e pazot të vëna në ankand me 1 euro, ato pasuri minerale të shfrytëzuara barbarisht, ato vepra industriale gjysëm të çmontuara, ato grumbuj materialesh ushtarake të demoduara, të cilat vazhdojnë të përbëjë fondin « tregëtar » të demokracisë ku gërmojnë politikanë të paskrupullt, në kërkim të pasurive personale. .
. * * *
.
. I parë veçmas, rasti i Gërdecit është i ngjashëm me shumë të tjerë – çka e dallon janë përmasat e katastrofës si dhe numri i viktimave. Sa raste të tilla kanë kaluar në heshtje – pasi nuk janë marrë vesh - ose janë harruar – pasi kanë shkaktuar « vetëm » një ose dy të vrarë, « vetëm » tre ose katër të plagosur ?
.
. Dikush, me ngut, e cilësoi këtë katastrofë si « frut të pakujdesisë njerëzore ». Vështirë se mund të përdoret ironi më e hidhur për të justifikuar tragjedinë gjithmonë njerëzore, dhimbjen e familjeve të viktimave. A egziston tjetër shpjegim - përveç « pakujdesisë njerëzore », që mund të shpjegojë gjëma të tilla të natyrës industriale ? Por, cili është elementi « pakujdesi » që shkaktoi Gërdecin : procesi i asgjësimit të ish-ushtrisë popullore shqiptare që i la këto instrumenta të vdekjes në mëshirën e çdo kapteri, përgjegjës depoje ? ideja e krijimit të « MEICO »-s për të ricikluar këto mbetje ushtarake me qëllim pëfitimi monetar ? besimi i armëve dhe i municioneve, të destinuara për të vrarë njerëz, një pseudo-ndërmarrjeje si « Albdemil » ? shëndrrimi i ish-gazermave të ushtrisë pranë Gërdecit në kapanone industriale çmontimi municioni ? rekrutimi nga ana e « Albdemil »-it e grave dhe e të miturve pa asnjë formim profesional për të manipuluar predhat ? Përfundimisht, a ka ndonjë nga këto elementë që angazhon përgjegjësinë e Shtetit dhe të përfaqsuesit të tij, Qeverisë ?
. Si i përgjigjet Qeveria këtyre pyetjeve ? Le të shkojmë në sallën e Kuvendit Popullor dhe të dëgjojmë ligjëratat e Kryeministrit dhe të Ministrit të tij të Mbrojtjes :
.
. “I quaj të papranueshme me gjithë dijeninë time, vendosjen e çmontimit në zonën ku është vendosur. Dhe ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave se cila është praktika që duhet të ndiqet. Dhe çdo vendim tjetër dhe mospaqyrim të tij ka përgjegjësitë e veta. Pra në rast se thyhet urdhri i kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ai ka përgjegjësi. Që Gërdeci nuk duhet të ishte e kam thënë dhe e them 100 herë. Ai që vendosi të mbajë përgjegjësi të plotë dhe ju që hetoni, hetoni këto elementë: kush e vendosi! Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë më datën 15 mars”. (S. Berisha – 19 mars 2008)
.
. “Si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse të forcave të armatosura, apo ato që lidhen me Ministrin e Mbrojtjes në kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë, trajtimit të personelit dhe as për fakte skandaloze të prezencës së të miturve në mjedise të tilla. Autoritetet më të larta ushtarake e kanë vizituar këtë fabrikë të montimit dhe nuk kam asnjë raportim të tyre për situatën e rrezikshmërisë, apo pasojat që mund të sillnin”. (F. Mediu - 19 mars 2008)
.
. Ndërkohë që vetë Kryeministri injoron deri edhe emrin Gërdec, që Ministri i tij i Mbrojtjes – megjithëse e njeh – nuk ka marrë « as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse », që « autoritetet më të larta ushtarake » nuk kqyrin asgjë të rrezikshme në « këtë fabrikë » ku montohet vdekja, që autoritetet civile përkatëse (Ministria e Industrisë) nuk e sheh të nevojshme të përzihet, që autoritetet lokale (bashkia e Vorës) nuk ka pipëtirë as edhe fjalën më të ndrojtur ndaj rrezikut – a egziston diku ndonjë sy, në mos i përgjegjshëm, të paktën i ndërgjegjshëm që të kish dalluar diçka që mund të jepte idenë e katastrofës ? një gojë, që në mos e zonja të artikulonte fjalime, të paktën e aftë të lëshonte britmën : « O njerëz, o Gërdecarë, largohuni nga sytë këmbët » ? së fundi, një dorë, në mos e aftë të ndalojë dorën tjetër vrastare, të paktën e zonja t’i japë një shuplakë në fytyrë politikanëve hipokritë ?
.
. Në prani të kësaj gjendjeje papërgjegjësie të plotë të të gjitha niveleve të pushteteve, në kushtet e « zbrazëtisë integrale » të substancës administrative, ç’vlerë ka ngushëllimi publik i familjeve të viktimave ? Apo, thjesht si vello për të mbuluar pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë ndaj jetës njerëzore ? Eshtë në përgjegjësinë e një Kryeministri si z. Berisha të indinjohet me përfaqsuesit e medias, me ata « mercenaret gazetarë qe duke shkelmuar me menyren me te turpshme mbi moralin njerezor hidhen nga gezimi ne Televizionet e tyre e manipulojne me fatkeqesine e viktimave… keta mercenare [që] non stop bertisnin rrofte vdekja, poshte qeveria”. Do të ishte në nderin e tij, në nderin e mjekut humanist, siç është përpara se të bëhej Kryeministër, të thërriste përpara të gjithëve : « Rroftë jeta – çdo jetë njerëzore. Poshtë vrasësit ». Jam gjithmonë në pritje !
.
. Çdokush njeh tashmë se sa i dashuruar është ai me mediat, gëzimin e tij që ato jenë te lira si dhe përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes të lirisë së tyre – do të dëshironim që me të njejtin patos ai të shprehte vendosmërinë e tij për mbrojtjen e Ligjit – atij Ligji themelor Kushtetues, që ndonëse nuk mundi ta nënëshkruajë me dorën e vet dikur, e trashëgoi si detyrë. Kjo Kushtetutë, gardian e të cilës është çdo Kryeministër, pohon mes të tjerash se : « … dinjiteti i njeriut, te drejtat dhe lirite e tij, drejtesia shoqerore… jane baza e ketij shteti, i cili ka per detyre t'i respektoje dhe t'i mbrojë (Neni i Tretë, Pjesa e Parë) » përpara se të proklamojë me zë të lartë se « jeta e personit mbrohet me ligj (Neni 21, Kreu i Dytë) ».
.
.
. * * *
.
. Kam bindjen se një situatë e tillë, e krijuar pas ngjarjes së Gërdecit, e « ndotur » nga fëlliqësia mediatiko-politike vendore mund të kjartësohet jo vetëm nëpërmjet kërkimit dhe gjetjes së përgjegjësive përkatëse por në rradhë të parë, nëpërmjet ripërcaktimit të sferave të juridiksionit të çështjes. Me fjalë të tjera, a bëhet fjalë për një « fatalizëm » të llojit industrial apo për një « kazualitet » kriminel, ku problematika ushtarako-politike shkapërderdhet përtej kufijve të saj tradicionalë dhe përmbyt aktivitetin civil, jetën e përditshme ?
. Eshtë e sigurt se, edhe kjo mënyrë e kqyrjes së çështjes, nuk mjafton për të ringjallur viktimat ose për të ngushëlluar familiarët përjetësisht të helmuar – ashtu siç nuk mjafton për të shlyer përgjegjësinë e Qeverisë që sidoqoftë, mbetet i vetmi Autoritet kompetent që kontrollon dhe mbarështron këto dy sfera dhe që për më tepër, administron sigurinë e jetës së nënshtetasve të vet. Shpresoj vetëm që kështu do të mund të vihet diçka më tepër përgjegjësi dhe rregull në këtë botë të mbrapshtë, të përkufizuar si « demokraci », ku edhe jeta - « kapitali më i çmuar » i nënështrohet ligjeve të pamëshirshme të fitimit, ku interesat materiale të një edepsëzi paralli alla-Delijorgji vlejnë më tepër se e ardhmja e dhjetra fëmijëve gërdecarë…
.
. Lidhur me « kazualitetin »,në një shkrim të mëparshëm, të përgatitur me muaj – për të mos thënë vite – përpara Gërdecit, kam analizuar procesin e dezintegrimit të ish-ushtrisë Popullore, të vënë në jetë nga politikanët dilentantë të epokës Berisha – Meksi, produkti anësor i të cilës është edhe « lënda e parë » vrastare e « Albedemil »-it. Po aty është përmendur edhe aktiviteti i dikurshëm i të sotmes « MEICO », specialiteti kryesor i të cilës me sa duket ka mbetur trafiku i armëve – krahas tregëtisë « së ndershme ». S’ka asnjë dyshim se ky mekanizëm « tranzicionel », i cili parapriu dhe përgatiti dikur Vitin e Mbrapshtë 97’, është në origjinë të fatkeqsisë së sotme. Për fat të keq, askush nuk nxorri mësimet e duhura nga katastrofat, as politikanët përgjegjës as edhe shoqëria civile e viktimizuar.
. Bile edhe ajo opozita e sotme aq luftarake që kërkon sot dorëheqjen e Qeverisë, ka harruar tashmë që disa vjet më parë – dhe për tetë vjet me rradhë (1997-2005) – i ka patur këto armë dhe këto municione përpara syve dhe përpara hundës, ndërkohë që e vetmja masë që ka mundur të marrë ka qenë pikërisht tregëtia « e ndershme » - gjithmonë nëpërmjet « MEICO »-s dhe filialeve të saj dhe me të njejtët ndërmjetës trafikantë delijorgjë. Përse kjo ish-pozitë socialiste nuk ndërmorri në kohë të vet, asgjësimin metodik dhe të asistuar nga specialistë të huaj, të kësaj trashëgimie vrasëse ? Pasi, ishte më e thjeshtë të « harroje » se sa të veproje, më e thjeshtë dhe më fitimprurëse të shisje se sa të asgjësoje… Dhe së pari, rroftë ai fat që nuk ndodhi ndonjë Gërdec në atë kohë – por i ngeci « zholi » në dorë Berishës dhe demokratëve të tij !
.
. Sa për « fatalitetin » industrial, kam qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes në vitin 2001, të një shpërthimi të llahtarshëm që tronditi qytetin e Tuluzës – një lloj tjetër Gërdeci por kësaj rradhe francez. Në jug të qytetit që strehon rreth 600.000 banorë – dhe në skaj të tij, prej vitesh vepronte një zonë e tërë industriale prej 120 hektarësh ku punonin rreth 1.500 vetë, e specializuar në produktet kimike (një uzinë e plehrave azotike – si ajo e Fierit, një tjetër uzinë e prodhimit të karburantit të ngurtë për mbushjen e raketave, një uzinë e tretë farmaceutike, një e katërt e pesticideve bujqësore..). Në 21 shtator 2001 (dhjetë ditë pas sulmit mbi Kullat Binjake të NY), në orën 10 e 17 min, një eksplozion tejet i fuqishëm ndodhi në depon e uzinës kimike AZF që stokonte 400 – 500 tonë nitrat amoni. Bilanci i aksidentit : 30 të vdekur (22 në uzinë), 2.500 të plagosur në të gjithë qytetin, uzina kimike në fjalë u zhduk nga faqja e dheut, uzinat e tjera u bënë pjesërisht të papërdorshme, disa mijra banesa në një rreze prej 1.700 metrash pësuan dëme të ndryshme – shpesh të pariparueshme. Dhe nuk po përmend traumat psikologjike individuale, traumën kolektive që edhe sot e kësaj dite ende peshon mbi popullsinë e qytetit dhe mbi shpatullat e të zgjedhurve vendorë.
. Ekspertiza që zgjati me muaj konstatoi se shpërthimi implikoi një masë nitrat-amoni prej 80 tonës, ekuivalent i 40 tonëve TNT. Procesi gjyqësor, i angazhuar që në vitin 2001 për të përcaktuar fajtorët si edhe shkallën e përgjegjësisë të tyre, ende nuk ka përfunduar në ditën e sotme, pra 7 vjet më vonë.
.
. Është tashmë e sigurt – bile edhe pa ndërhyrjen e ekspertizës – që pas shpërthimit të AZF qëndron dora e njeriut – në mos ndërgjegja e tij : ndoshta e njeriut tê pakujdesshëm, që kish përzierë pa dashje nitratin me diçka tjetër ; ndoshta e njeriut kriminel që kish vënë një bombë të vogël për të provokuar bombën e madhe ; e industrialistëve të shkujdesur që kishin neglizhuar masat e sigurisë të domosdoshme ; e bashkiakëve të shastisur që kishin lejuar ndërtimin e banesave pranë uzinës së rrezikshme ; e njerëzve të zakonshëm të Tuluzës që ishin mësuar me prezencën e një monstre të tillë në jetën e tyre ; unë vetë që ndonëse i diplomuar në energjetikë dhe i specializuar në rreziqet indistriale, banoja bashkë me familjen brenda zonës së aksidentit ; e qeverisë së Parisit që ende s’kish nxjerrë mësimet e duhura nga katastrofat e mëparshme… E pastaj ? A mjaftojnë këto pohime të përgjegjësisë individuale ose kolektive për të rikthyer në jetë viktimat ? A mjaftojnë ato për të parandaluar aksidentet ose së paku për të korrigjuar kujtesën e shkurtër njerëzore ?
.
. Ja edhe faqja e fshehur e procesit të ardhshëm të Gërdecit – po qe se do të ketë një të tillë. Jo vetëm të gjenden fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të ndëshkohen, jo vetëm të merret pêrgjegjësia nga ana e politikanëve të korruptuar që nxitën dhe lejuan fatkeqsi të tilla – por në rradhë të parë, që vetë njerëzit, shoqëria civile të përulet përpara viktimave të pafajshme dhe të gëdhendë fytyrat e tyre në kujtesën e saj, bile përpara se të ngrihet më këmbë dhe të thërresë me një zë : « Kurrë më Gërdec » !
. Pasi në të kundërt, viktimat e rradhës do të jenë bijtë e saj, fëmijët tanë, të çdokujt.

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, March 23, 2008

Me presh në dorë.

. Gjithmonë më ka intriguar shprehja popullore « … u kap me presh në dorë » që në kuptimin e përditshëm kërkon të thotë : fajtori u kap në vendin e fajit, në prezencë të provës të fajësisë. Gjithësesi, intriga lind nga lidhja mes preshit (ose prasit – sipas prejardhjes së fajtorit) dhe provës, fajit. Ç’ka të bëjë preshi si objekt i botës bimore me fajin ? Si ka mundësi që dikur hajdutët të linin mënjanë të tjera pasuri dhe të vidhnin presh ?
. Edhe sikur kjo gjë të ketë qenë e vërtetë në kohë të tjera, të shkuara, sot hajdutët klasikë vjedhin vetura, banka ndërsa të tjerë, më pak klasikë, grabisin pasurinë e popullit. E megjithatë shprehja popullore ka mbetur, pasi askush nuk thotë : u zu me veturë në dorë ose me bankë në dorë – por vazhdon të thuhet « .. u zu me presh në dorë ». Thua se preshi është një objekt i tillë mitik që tejkalon edhe veturën edhe pasurinë e të shumëvuajturit popull…
. Ndoshta, kjo shprehje e pavdekshme ka lindur në një epokë të strukturuar rreth kultit të perëndisë presh. Kur ka qenë kjo epokë e panjohur nga historianët ? Në kohën e Pellazgëve ndoshta.. Ideja e Pellazgëve vjen si vetvetiu, pasi që kjo shprehje haset vetëm mes Shqiptarësh, ndërkohë që popuj të tjerë qoftë fqinjë qoftë edhe të largët as e njohin, as edhe e përdorin.
.
. . * * *
.
. Preshi (Allium polyanthum) është një bimë me origjinë nga viset mesdhetare, i njohur që në lashtësinë greko-romake. Bile, thonë se Perandori Neron (ai që i vuri flakën Romës) i hante aq shumë – për të riparuar zërin e tij të ngjirrur, në mos për tjetër gjë - sa që bashkëkohësit e quajtën « porrophage ». Megjithë namin e Neronit, preshi mbeti disi në anonimat pasi asnjëherë nuk mundi të fitojë lavdinë e këshërinjve të tij të afërt hudhra ose qepa. Ajo çka e ka dalluar preshin nga sivëllezërit dhe simotrat e tij është pikërisht forma : i gjatë, i plotë, cilindrik – një simbol i virilitetit mashkullor, një surrogato e organit të riprodhimit. Ja përse ai ka hyrë në proverbat e popujve të tjerë mesdhetarë.
. Sa për kujtesë, italjanët dhe spanjollët thonë (natyrisht në gjuhët përkatëse) : Koka e preshit ndoshta është e bardhë, por ama bishti mbetet gjithnjë i gjelbërt. Me fjalë të tjera – dhe duke ja përshtatur figurën letrare njeriut : mos e gjyko njeriun nga koka e bardhë (flokët e thinjur), pasi diku më poshtë bishti është gjithmonë i gjelbërt (i ri). Para tyre, Romakët që me sa duket ja kishin lënë Neronit mizor përdorimin praktik të preshit, përdornin një shprehje tjetër, fort poetike : Qesja e dashnorit lidhet me gjethe preshi – pra lidhëset e qeses janë po aq të paqëndrueshme sa edhe gjethja e kësaj bime. E megjithatë, diku gjetkë, s'mund të mos nënkuptosh një lidhje më të thellë dhe më pak të dukshme mes dashnorit dhe preshit tê tij...
. Në kohët e sotme, njerëzit vazhdojnë të kujtohen për preshin dhe për vetitë e tij çudibërëse. Diku në Francë thonë : Gruaja sterile, presh me mor, barku i saj i madh, do bëhet pjellor. Interpretimi i kësaj proverbe mbetet gjithmonë i dyzuar, pasi diku-diku, lidhja mes gruas dhe preshit e tejkalon sterilitetin natyror. Por, çudi e vërtetë, askush nuk bën lidhje mes preshit dhe hajdutit, mes bimës dhe objektit të fajit. Përveç Shqiptarëve…
.
. Duke dashur të gjej këtë lidhje kaq misterioze, për një çast mendova se çelësi i saj është varfëria proverbiale e bijve të shqipes. Pra, për një shoqëri e tillë të varfër, edhe preshi më i thjeshtë përbënte një farë pasurie – një objekt lakmie për hajdutët, po aq të përvuajtur sa edhe viktimat. Por, shpejt mu desh të heq dorë nga kjo teori e varfërisë pasi të tjerë si puna e kinezëve (dhe Zoti vetë e di se sa të varfër dhe sa të shumtë janë) nuk kanë arritur të bëjnë atë lidhjen që na intereson. Bile as edhe lakrën e tyre aq të dashur s’kanë mundur ta fusin në këtë kategori. A ka dëgjuar kush një kinez të thotë : .. e zunë me lakër në dorë? Pra, normalisht, gjendja shoqërore s’ka të bëjë fare me preshin. Ndërkohë, një miku im turk më mësoi se turqit e quajnë preshin (prasin) pras. Me fjalë të tjera, shqiptarët e kanë huajtur fjalën nga turqit – sikundër dhe vetë bimën, m’a merr mendja. Dikush, mund të supozojë të kundërtën : që turqit e kanë huajtur fjalën (edhe vetë bimën) nga shqiptarët. Mua s’ma merr mendja… por jam gati të pranoj argumentat e kundërta, po qe se janë bindëse.
.
. Sidoqoftë, ky « zbulim » i fundit ishte një ndriçim i vërtetë. Së pari, ai fundoste një herë e mirë atë teorinë e varfërisë pasi në kohën e turkut, shqiptarët nuk u bënë më të varfër se në kohën e Skënderbeut dhe të Lek Dukagjinit. Përndryshe, si shpjegohet numri i madh i bejlerëve, i agallarëve, i çorbaxhinjve apo i delenxhinjve, deri përpara shpalljes së Pavarësisë? Së dyti, ai me lejoi të përqëndrohesha më mirë në atë pistën « mashkullore » të virilitetit.
.
. Dhe me të vërtetë, po t’a shohim çështjen shtruar : sipas mendimit të antropologëve, shoqëria tradicionale (për të mos e quajtur primitive) ka qenë strukturuar rreth simboleve të tilla mashkullore – falus. Shembujt janë të shumtë që nga shtyllat, trarët, totemet, gurët e lartë vertikalë.. deri tek statujat, obelisqet, kullat.. Ka të ngjarë që dikur, kjo shoqëria jonë tradicionale shqiptare t’a ketë transpozuar simbolin seksual tek preshi, sikundër të tjerë tek kastraveci. Ja pra se si mund të kenë rrjedhur punët :
. Le të imagjinojmë atë fshatarin tiranas që mbjell presh në bahçen e tij, nga ato preshët e vërtetë të Kasharit që shkojnë deri në një metër të gjatë dhe që peshojnë një kile e gjysëm copa. Një mrekulli e vërtetë e natyrës – nga ato që s’i bën më nëna, dhe që nuk i sheh më në pazar. Krenar si ai, fshatari kashars "porrophile" nuk lejon askënd t’ja prekë dhe jo më t’ja vjedhë. Dhe si për inat, një hajdut rrjepacak nga ata të qytetit vjen një natë dhe i merr preshin. Për të keqen e vet, pasi kasharsi e ze në bahçe – me presh në dorë. Tashmë kuptohet fare kjartë përse shprehja thotë me (një) presh në dorë dhe jo me (shumë) presh në duar. Pasi, ai i uruar presh kashari është kaq grandioz sa që një i vetëm dhe mezi mbahet me të dy duart.
.
. Pra, përfundimisht, hajduti u zu me objektin e vjedhjes në dorë. Çfarë mund t’i bënte aty për aty kasharsi ynë atij hajdutit të fëlliqur? Sigurisht që e dënoi, bile me dënimin më logjik që bëhet : megjithëse me keqardhje për objektin e çmuar bimor, ai ja shtiu atë preshin aty ku s’thuhet (imagjinoni vetë torturën, ndërkohë që preshi nuk ishte as i pastruar si duhej as edhe i larë – pa folur më për rrënjët ende me baltë). Dhe së fundi, ende i pakënaqur sa duhej, fshatari i dha edhe një shqelm bythëve ( duke bërë kujdes të mos dëmtonte preshin). Por, shqelmi ishte aq i fortë – shqelm kashari – saqë hajduti fluturoi në qiellin me hënë dhe me yje të fshatit. Të tërë banorët e Kasharit e panë këtë Objekt Fluturues të pa-Identifikuar (OFI), pas të cilit varej preshi. Shumica nuk ju besoi syve dhe mendoi se njeriu fluturues ishte një prodhim i imagjinatës, ose një çast ëndrre të lumtur. Sidoqoftë, me këtë rast, doli edhe ajo shprehja tjetër po aq e njohur : fluturon me presh në bythë.
.
. * * *
.
. Ja pra, njëherësh, ideja e preshit – falus, me origjinë nga Kashari, jo vetëm më ndihmoi të deshifroja dy proverba popullore, krejtësisht të pashpjegueshme më parë, por edhe më lejoi të bëja lidhjen e mëposhtme : shprehja - të kapesh me presh në dorë paraprin dhe plotëson krejt natyrshëm shprehjen – fluturon me presh në bythë. Dhe, menjëherë ky zbulim më tmerroi dhe më gëzoi njëherësh.
. Po sikur, në vijim të traditës popullore, të kapej sot një hajdut me veturë në dorë? A do të mund të aplikohej vazhdimi : fluturon me veturë në bythë? Vështirë se do të mund të gjendej dikush me forcë shqelmi aq të madhe.. Në të kundërt, më shkoi mendja në një tjetër rast, fort të përshtatshëm.
.
. Ja, arritëm dhe zumë një farë Delijorgji, një horr të fëlliqur pa ndërgjegje. Bile e zumë me predha në dorë. Po sikur t’ja shtiem ato predha nga pas – dhe t’i ndezim fitilin? Kështu të paktën, Delijorgjët e tjerë do t’i zerë frika, duke parë të ngjashmin e tyre duke fluturuar në qiellin e tymosur të Tiranës – me predhë në bythë.

La suite.. - Vazhdimi...

« Epokë biznesi »

(tragjedi me epilog, një mini-akt dhe një prolog)
.
. Në modelin e teatrit të dikurshëm, po mundohem të ndërtoj skenarin e asaj çka përgatiti Gërdecin tragjik, të shpirtërzoj disa nga personazhet, t’i jap jetë parangjarjes – tashmë që tymi i këpurdhës të përbindshme ka rënë mbi fushat e Vorës dhe që vaji i të gjallëve ka shterrur – që në rradhë të parë të mos harrohen të vrarët dhe në rradhët që vijnë më pas, të mos vriten të tjerë.
.
. Epilog :
.
. Vendngjarja : Një zyrë diku në Tiranë – elementë të dekorit : një tavolinë, mbi të cilën gjendet një tog me dosje, një abazhur dhe një telefon. Rreth e qark tavolinës gjenden tre kolltuqe të zinj. Mbi murin përballë, një fotografi e Presidentit Topi. Një perde e gjerë fsheh fundin e skenës.
. Gërdec - i panjohur thuajse krejtësisht nga mbarë shqiptarët përpara katastrofës, ky fshat pranë qytetit të Vorës – vetëm disa kilometra larg Tiranës, strehonte dikur një repart ushtarak tankesh (ky detaj i fundit do të jetë vendimtar ndaj implikimit të sipërmarrësit - njërit prej personazheve kryesorë në ngjarje). Lokalet e repartit ushtarak të dikurshëm, të braktisur nga « banorët » e tij dhe të shëndrruara në mjedise pune për firmën « Albdemil », përbëjnë edhe skenën ku do të luhet akti i dytë i tragjedisë tonë. Si dekor shërbejnë disa mure të rrjepura gazerme, një dysheme betoni dhe një tog arkash municionesh diku në qoshe, mbi të cilat dallohen hieroglife kineze.
.
. Personazhet :
.
. - Perëndia (alias Berisha) – « pronari » i gjithë vendit dhe si rrjedhim përgjegjësi virtual i gjithkaje që ndodh. Ai nuk zbret asnjëherë në skenë, vetëm zëri i tij dëgjohet herë pas here.
.
. - Sipërmarrësi (alias Delijorgji) – pronari i « Albdemil », biznesmen i njohur i hekurit, pronar i disa firmave të begata në fushën e metaleve si dhe i Klubit Dinamo.
.
. - Punëdhënësi (alias MEICO) – fasada gjysëm civile e administratës ushtarake shqiptare. Herë-herë ai materializohet nëpërmjet Pinarit (drejtori i MEICO-s), herë-herë nëpërmjet Mediut (Ministri i Mbrojtjes).
.
. - Daja Sam (alias kushëriri amerikan) – megjithëse deri-diku i dorës së dytë, është personazhi çelës i tragjedisë. Ai mban një valixhe në dorë, ku sipas gjasave gjenden dollarët që motivojnë të gjithë personazhet e tjerë.
.
. - Gazetari (alias Shekulli) – personazh misterioz, kësaj rradhe i veshur me një kostum të prerë keq nga ata të ShIK-ut. Ai shfaqet me një celular në dorën e djathtë.
.
. - Rrufjani (alias Albano-Amerikani matrapaz) – Ndërmjetës i tregut të armëve. I veshur me kostum Versaçe, që për fat të keq fotografia e rradhës nuk e tregon.
.
. - Kori : një përzierje sipas të gjitha rregullave të artit të shoqërisë civile shqiptare, e partive të opozitës dhe e mjediseve të tjera aktive (p.sh : Peshkupaujë).
.
. - Figurantët : Gërdecarët (disa qindra burra, gra dhe të mitur) – fshatarë të rrethit të Tiranës dhe të rretheve të tjera veriore, banorë të Gërdecit. Varfëria dhe halli i shtyu të trokisnin në portën e ndërmarrjes « Albdemil », të instaluar në territorin e fshatit të tyre dhe që zyrtarisht merrej me riciklimin e stoqeve të municioneve të ish-ushtrisë popullore. Një pjesë e këtyre figurantëve (disa dhjetra) do të sakrifikohen në fund të tragjedisë, me qëllim që ajo të marrë ngjyra sa më reale. .
.
. 1. Akti i parë.
.
. (Sipari hapet mbi zyrën e Tiranës. Pas tavolinës së punës shihet Punëdhënësi që shkruan në një dosje. Në qoshen përballë të dhomës, në të kundërt të perdes është vendosur Kori).
.
.
. Kori : Diçka e keqe po vjen vërdallë. Mban erë barut, mban erë dollarë. Korba të zinj i rrinë sipër. Emra të njohur, të rinj pronarë…
.
. Punëdhënësi (ngjesh maskën e Pinarit në fytyrë dhe ngre telefonin): më thërrisni këtu Sipërmarrësin.
. (Bie dera dhe hyn Sipërmarrësi)
.
. Sipërmarrësi : T’u rritë ndera patron. Si është puna ?
.
. Punëdhënësi : Ulu aty ! Kësaj rradhe kemi punë me Dajë Samin. Kërkon fishekë për Afganistan. Nga ato të depove të armëve që ti i di. Prandaj mendova për ty. E merr përsipër apo jo ?
.
. Sipërmarrësi : Sigurisht, pasi të mësoj pazarin.
.
. Punëdhënësi : S’ka pazar. Çmimi është fiks : 22 dollarë për arkë me 1000 fishekë. 20 dollarë për Shtetin dhe 2 për ty. Duhen nxjerrë nga amballazhet e vjetra kineze dhe të shtihen në të reja, prej druri. OK ?
.
. Kori : Ka pazar, ka pazar.. gjetkë ai thuret. 22 i thuhet Qeverisë, 40 do të nxjerrë nga xhepi Daja… Ku shkon diferenca ?
.
. Sipërmarrësi : Punë me rrezik kjo..
.
. Punëdhënësi : Kush po të thotë t’i prekësh ti me dorë. Merr punëtorë nga fshatrat afër.. Unë të siguroj lëndën e parë, kamionat e ushtrisë do t’i transportojnë deri në fabrikë. Kamiona privatë vijnë dhe tërheqin mallin. Ku e sheh rrezikun ti ?
.
. Sipërmarrësi : Po të ndodhë gjë, mua do të më zenë për koqesh. Për dy dollarë të qelbur..
.
. Punëdhënësi (disi i nxehur) : Mblidh mendjen. Janë 100 milionë fishekë, pra 100 mijë arka. Bëje vetë llogarinë… Kur mblidhen bashkë dollarët ju del edhe ajo farë ere. Fundja, po s’deshe po thërres tjetrin, atë të Mjekësit, bile kanë dalë edhe ca amatorë andej nga Korça..
.
. Sipërmarrësi ( me ngut dhe me një farë buzëqeshje servile) : OK, OK, s’thashë gjë..
.
. Punëdhënësi : Hë se desh harrova. Në fakt, ato dy dollarët janë vetëm një dollar e gjysëm, pasi gjysma tjetër e dollarit na duhet për vaj, për të lyer rrotën.
.
. Sipërmarrësi (kinse i pezmatuar, ngrihet më këmbë) : Pse, edhe rrotën unë duhet t’a lyej. S’mjaftojnë gjobat që paguaj rregullisht..
.
. Punëdhënësi : Ulu more spurdhjak aty dhe më dëgjo se s’kam mbaruar. Kondicionimi i fishekëve është njëri prej bizneseve. Krahas tij, ti do të merresh me çmontimin e predhave të kundërajrorëve dhe të artilerisë : 37, 100, 122 dhe 152 milimetroshe. Ti rekupero çelikun dhe tunxhin, barutin ndaje veç. Ke nevojë të të rikujtoj çmimin e tunxhit në treg ?
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo s’ka nevojë..
.
. Punëdhënësi : Dhe thuaj faleminderit Perëndisë që na e solli municionin në derë !
.
. Sipërmarrësi : Dhe që të vuri zotrote në këtë kolltuk.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Kush e përmendi emrin tim aty ?
.
. Sipërmarrësi : Askush.. (duke ju rikthyer Punëdhënësit) sa për vendin, po të le dorë të lirë, zgjidhe vetë, vetëm më lajmëro.
.
. Punëdhënësi : Më shkoi menjëherë mendja në Gërdec, aty pranë Vorës.
.
. Sipërmarrësi (qesh) : Pasi ja shkrive tanket për llogari të Mercedesit, kërkon të përdorësh kapanonet e repartit ushtarak për punishte ? Dakord, për hajr i qoftë Gërdecit.
.
. Kori : të mjerët Gërdecarë, i mjeri Gërdec.. Bomba do t’ju bjerë, do t’i bëjë përshesh.
.
. Punëdhënësi : Kam edhe kunatin, mjeshtër nga ana teknike.
.
. Sipërmarrësi : Mos më lodh kokën me të tilla pisllëqe. Shiko këtu : ky biznesi i dytë e ka pazarin ndryshe nga i pari. Nuk është më ai i mëparshmi, i kohës së socialistëve. Mos harro se ç’hoqe nga ish-Kryeministri. Kujdes dredhat, po t’u qepëm pas, kësaj rradhe do të jetë ndryshe.
.
. Punëdhënësi : Ti më njeh, unë jam i besës. Më njofto vetëm taksën dhe do të shohësh vetë.
.
. Sipërmarrësi : Hiqmu sysh tani… (bie telefoni) Alo ? Po ? (vazhdon një bisedë telefonike disa minutëshe, e cila ndërpritet nga disa yes dhe disa no. Ndërkohë ai i bën shenjë me dorë Punëdhënësit që po mundohet të dalë nga zyra) – Prit aty, mos u largo. Ishte vetë Daja. Paska dalë një problem, punë paresh, dhe ai kërkon të vijë të bisedojë me ne. Ti do të bësh dëshmitarin, aty prapa perdes. (Punëdhënësi fshihet)
.
. Dajë Sami (hyn pa trokitur me valixhe në dorë. Ai shoqërohet nga Rrufjani dhe fillimisht i drejtohet këtij të fundit) : Ti do bësh dëshmitarin, shko aty prapa perdes. Dhe kujdes, rregjistro bisedën.
. (pastaj i kthehet Sipërmarrësit që ndërkohë ka ngjeshur maskën e Ministrit të Mbrojtjes) Si është kjo puna e kontratës të fishekëve të Afganistanit ? Pse ka hipur çmimi ? Fillimisht, ne ramë dakord për 22 dollarë, apo jo ? Pastaj, ç’është ky qipriot që na hyri në mes ?
.
. Sipërmarrësi : Jetojmë kohë të vështira, Çmimet rriten nga dita në ditë. Shih atë të benzinës, apo të vajit të lulediellit.. Ndërkohë dollari bie. Sa për qipriotin, se mos është hera e parë që po e shihni.. Kur thua qipriot, ke thënë grek. Na duhet greku për t’i dhënë përmasa biznesit. Bile edhe ai ortaku juaj Punëdhënës grek është, nga nëna dhe nga baba.
.
. Kori : Qipriot, grek… na mungon veç serbi që ta quajmë konspiracion.
.
. Dajë Sami : Mblidhni mendjen dhe rishikoni çmimet, në mos po shkoj t’i ble fishekët në Serbi. (si me vehte) Ç’mu desh që i hyra asaj lufte për hatrin e këtyre, përndryshe do të gjeja fishekë me okë atje tej.
.
. Sipërmarrësi : Shko po deshe edhe në Maqedoni. Sa për muhabet, përse nuk i blini fishekët në Kinë ? Apo se Kinezët ju shesin Talibanëve ? Nejse, ishte shaka..
.
. Dajë Sami : Listen.. A ka mundësi të rregullohemi ndryshe ? Për shembull, sikur të ndahej disi ajo diferenca.. Jam biznesmen i ndershëm dhe Perëndia është dëshmitare.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Ju thashë ndërkohë të mos e përmendni emrin tim.
.
. Sipërmarrësi : Sorry... Takimi po përfundon, jam tepër i zënë.. Diferenca është ndarë ndërkohë. Janë sa e sa gojë që duhen ushqyer.
.
. Dajë Sami : Ku rashë edhe unë në këtë Mafia.
.
. Sipërmarrësi : Mafian mbajeni aty në Amerikë. Ne jemi të pastër si bora e bjeshkëve të Perëndisë.
.
. Perëndia : Lerini bjeshkët e mia mënjanë, mos i përzjeni me këto bizneset tuaja.
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo.. ishte veç shembull, nga ato tonat të republikanëve. Daja i kupton. (Duke ju kthyer këtij të fundit) Mister, valixhen lereni mbi tavolinë. Bye, bye…
.
. (ndërkohë ngrihet perdja e fundit të dhomës. Rrufjani dhe Punëdhënësi mbeten në hije. Ndriçohet vetëm Gazetari, ky i fundit me celular në dorë).
.
. Gazetari : (i drejtohet Dajë Samit) Biseda u rregjistrua nga Rrufjani, i cili më dha celularin e vet. Një provë, në rast se ndodh ndonjë gjë… (i kthehet Sipërmarrësit) Procedura klasike e përgjimit të telefonave, apo jo ? Gazeta jonë shquhet për paanshmëri dhe për ndershmëri profesionale.
.
. Kori : një biznes u mbyll, varre do të hapen. Dollarë për të pasurit, lotë për të varfrit..
.
.
. Prolog.
.
. (Sipari hapet në Gërdec. E gjithë skena është e mbushur plot me figurantë të heshtur që ppunojnë pranë njeri tjetrit. Dikush hap arka dhe nxjerr fishekët, disa burra tërheqin arka zvarrë, disa gra kruajnë me thikë grason nga predhat, disa burra të tjerë godasin me çekiç mbi gëzhojat, disa fëmijë derdhin barutin në thasë. Një ish-ushtarak me uniformë të vjetër është mbështetur pas një muri dhe po pi cigare. Nga ana e kundërt shihet Kori).
. (Ndërkohë në paraskenë kalon një veturë e madhe, brenda të cilës dallohen Dajë Sami, Rrufjani dhe Punëdhënësi)
.
. Punëdhënësi : Ja edhe Gërdeci, me fusha dhe me male që na mban dhe na ushqen..
.
. Dajë Sami : Praktike, pranë Tiranës, pranë Aeroportit.. (i kthehet ish-ushtarakut figurant) Mos pi cigare në orar të punës ti, aq më tepër pranë barutit.
.
. Rrufjani (i drejtohet Punëdhënësit) : të presim në Miami për pushime. Dhe kujdes numrin ditor të kamionëve. All right ?
.
. Kori (duke u larguar nga skena) : Këshilla amerikane, dhurata greke. Kali i Trojës, viktima Shqiptare.
.
. (vetura del nga skena. Ndërkohë dëgjohet një krismë, e ndjekur nga një uturimë ; Skena mbushet me tym dhe figurantët shtrihen përtokë. Fiken dritat. Një rrëke hemoglobine fillo dhe rrjedh në një skaj. Bie sipari).
. (dëgjohet një zë i largët me akcent amerikan) Sigurisht ajo cigarja… Shqiptarë të pandreqshëm… vetëm varri..

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, March 17, 2008

Metagogji elektorale.

Shopenhauer: " njeriu është një kafshë metafizike"
.
. Ça y est ! Pas kaq e kaq hezitimesh, pas kaq e aq premtimesh të natyrës politiko-rrethanore, reforma zgjedhore aq e përfolur mundi të çajë rrugën mes batakut të reformëzave dhe të pseudoreformave dhe të dalë në ballë të debatit mediatik shqiptar.
. Po t’ju besojmë gazetave të shkruara dhe virtuale që analizojnë çdo fakt dhe gjest të jetës politike, dy partitë më të mëdha të vendit –dhe njëkohësisht përgjegjëse të të gjitha gjëmave që i kanë rënë atij përsipër – janë marrë vesh me njera tjetrën dhe janë të një mendjeje për t’a vënë në jetë, bile sa më shpejt. A janë vallë vetë gjeneralët që janë parë dhe kanë folur me njeri tjetrin ? apo janë kapterët përkatës që diskutojnë në prapaskenë mbi detajet ? Pak rëndësi..
.
. Çka është e rëndësishme shprehet nga konsensusi i plotë mes PS dhe PD – një element thuajse hyjnor, pasi fort i rrallë gjatë këtyre viteve të Republikës së tretë shqiptare. Çka ka bërë vaki që shefat e PS dhe të PD të jenë në një mendje lidhur me një reformë që kërkon të verë rregull në sistemin zgjedhor, në këtë makinë kaotike që prodhon në mënyrë alternative fitues dhe përfitues, pozitë dhe opozitë, kryeministra arrogantë dhe të burgosur opinioni ?
. Fundja, për hajër ju qoftë ! përderisa ata vetë janë të bindur dhe shprehen si më poshtë :
.
. " Ne jemi të vendosur, që në këtë proces, jo vetëm të qëndrojmë mbi interesat e pjesshme, jo vetëm të ngrihemi mbi atë që mund të jetë një llogari e thjeshtë partiake, por njëkohësisht, të komunikojmë drejtpërdrejtë me shqiptaret dhe shqiptarët, pa rënë në batakun e politikës së vjetër, të diversioneve, të akuzave, shpifjes dhe përbaltjes reciproke. Pasi, sot kjo reformë e rëndësishme është e lidhur me fatin e proçesit të integrimit në NATO, me fatin e ftesës që Shqipëria pret pas ngjarjes historike të Pavarësisë së Kosovës dhe me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat ne i duam të lira dhe të ndershme. – Edi Rama
.
. « […] lidhur me reformën zgjedhore... Pothuajse të gjitha partitë janë dakord që t'i pritet rruga një fenomeni tipik shqiptar të zgjedhjeve, i ashtuquajturi "Dushk", i cili ka qenë një devijim tërësisht i papranueshëm i votës dhe që ka shtrembëruar rezultatet.. tashme ka ardhur koha te shkeputemi nga nje situate e papranueshme. … Komunikoj qe nga mengjesi deri ne darke me aleatet dhe faktoret politike. Komunikimi eshte nje dhunti shpirterore e imja » Sali Berisha .
.
. I vetmi që moderon disi qëndrimin është Presidenti i Republikës Topi, të cilit nga pozita ku ndodhet s’i mbetet gjë tjetër vese të shprehet se :
.
. « […] Unë në mënyrë absolute nuk duhet të mbaj pozicion për sistemin, sepse është vullneti i partive politike për të përcaktuar sistemin. Sistemi, nëse është e nevojshme të ndryshohet, është vullneti i partive, do të ndryshohet, qoftë edhe duke e prekur Kushtetutën. Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm, sepse në fund fare gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës së vullneteve, në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve ». Gjendemi kështu në skenarin më fatlum... po qe se lemë pas dore shprehjen tjetër të z. Berisha, sipas të cilës :
.
. « Ka një konsensus të plotë për një sistem proporcional, por ka debate nëse do të jetë modeli spanjoll, bullgar, grek apo proporcional rajonal… Gjithashtu, partitë e mëdha dhe organizmat ndërkombëtarë janë kundër listave të hapura sepse mendojnë se ato dëmtojnë cilësinë e parlamentit dhe dëmtojnë ndershmërinë e zgjedhjeve. Ndërsa partitë e vogla janë kundër, ato janë për listat e hapura. Megjithatë, unë jam i sigurt që do të arrihet konsensusi… » Pa shkuar më larg nga këto shprehje, merret vesh se :
.
. - « të mëdhenjtë » janë të vendosur të hyjnë në zgjedhjet e reja të vitit 2009 me një një ligj të ri zgjedhor, skica e propozuar e të cilit nuk ju pëlqen gjëkund « të vegjëlve » ;
.
. - kjo skicë parashikon ruajtjen e « proporcionalit » - skemën egzistuese, por parashikon të ndryshojë mënyrën e shpërndarjes së atyre 40 vendeve të paracaktuara, jo më mbi bazë kombëtare por mbi bazë rajoni – duke ju përshtatur një modeli të ashtuquajtur spanjoll.
.
. - Listat e proporcionalit nga të hapura si më parë – të aprovuara pas zgjedhjeve, në funksion të rezultateve të arritura, të bëhen të mbyllura – të përcaktuara njëherë e mirë qysh përpara procesit zgjedhor.
.
. Përse duhet prekur Ligji zgjedhor i sotëm ? pasi Evropa – ndoshta dhe bota mbarë, janë të bindur se ai është shkaktari i të gjitha zullumeve politike ; burim i përhershëm paqëndrueshmërie dhe mosmarrëveshjeje mes aktorëve të politikës shqiptare ; fajtor i një përfaqsimi jo-të barazvlershëm të forcave politike në Parlament falë praktikave egzistuese të votës taktike – alias « Dushku ».
. Përse partitë « e mëdha » kërkojnë me ngulm këto ndryshime ? pasi, fillimisht, bëhet fjalë për një kërkesë të përhershme të Evropës të Bashkuar – për të mos thënë një nga sine qua non, që kushtëzon hyrjen në bashkësinë evropiane ; pasi, së dyti, praktika ka treguar që gjithnjë e më tepër, ato bien pre e « shantazhit » të ushtruara nga partitë e vogla, gjatë përpjekjeve për të krijuar koalicione qeverisëse.
. Përse partitë « e vogla » kundërshtojnë ndryshimet e propozuara ? pasi, në mënyrë të dukshme, ato kuptojnë se mënyra e re e « proporcionalit » sipas rajoneve dhe jo më në rang vendi, ngre ndjeshëm pragun elektoral të përfaqësimit dhe si rrjedhim, ato ndjejnë që do të mbeten do të mbeten fillimisht jashtë parlamentit, dhe më tej jashtë lojës politike qeverisëse.
.
. Qoftë konsensus mes të gjithë forcave politike apo diktat i të mëdhenjve, pejzazhi idilik i dy Kryetarëve që hedhin valle burrërishte nën tingujt e kitarave flamenko, të rrethuar nga ezmere iberike që i përcjellin me rrahje pëllëmbësh, fillon dhe rrudhet nën peshën e disa pyetjeve, disi të bezdishme:
. - përse propozimi për ndryshimin e Ligjit zgjedhor erdhi nga PS dhe jo nga PD, kjo e dyta teorikisht më e interesuara - pasi në pushtet?
. - Cila do të jetë formula magjike që do t‘i lejojë marrëveshjejes mes PS dhe PD për reformë zgjedhore nga njera anë, të eliminojë partitë e vogla bezdisëse dhe nga ana tjetër, të ruajë egzistencën të „të paprekshmes“ por sidoqoftë të voglës PBDNJ - si përfaqsuese e pakicës greke?
.
.
. Brenda çorbës dhe diku në buzë të kazanit.
.
. Si do të ndikojë reforma e re zgjedhore në përmirësimin e jetës politike të vendit? Sipas mendimit të njërit prej arkitektëve të tij kryesorë z. Kastriot Islami, Ligji i ri
.
. „ruan mundësinë e përfaqësimit të partive me elitat e vjetra dhe të reja… ndërkohë që bart një sërë elementësh pozitivë siç janë shmangja e fenomenit të "Dushkut", ruajtja e figurave politike, kontrollin e balancimit të përfaqësimit midis burrave dhe grave, si dhe lejon mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore”.
.
. Po qe se i besohet doktor Kaçit, kemi pra të bëmë me një shans të papërsëritshëm, një ilaç çudibërës që do të shërojë të gjitha sëmundjet e rënda të sistemit dhe do të sjellë fillimisht urtësinë e qeverisjes, më tej paqen sociale dhe pse jo, begatinë ekonomike aq të shumëpritur – paçka se do të zhduken disa parti nga skena politike. Pikërisht, lidhur me fatin e partive të vogla ndahet edhe opinioni i shumicës dërmuese të analistëve – këtyre vëzhguesve aq të vëmendshëm të jetës politike të vendit.
.
. Një pjesë e tyre – mes të cilëve spikat M. Nano – megjithë syçelësinë që i shtyn të pranojnë motivet partiake të PS dhe PD në këtë „kryqëzatë“ kundër partive të vogla, e mbrojnë projektin dhe arrijnë deri aty sa të përgëzojnë vetvehten për zhdukjen e këtyre të fundit. Gjykimi i tyre ndjek formulën: më pak parti = më pak zhurmë, më pak shpenzime = më shumë transparencë, më shumë rezultat. Pjesa tjetër – e përfaqsuar nga A. Stefani – dalin në mbrojtje të viktimave dhe e kundërshtojnë idenë e një Ligji të tillë, pikërisht pasi ai mbron vetëm interesat e „të mëdhenjve“. Dashur padashur krijohet ideja që si të parët edhe të dytët gjenden diku „brenda çorbës“ – sipas shprehjes së shënuar të F. Lubonjës – pra ata shprehin, veçse me forma dhe mjete të ndryshme, dy anë të këtij realiteti, gjithë duke qenë pjesë përbërëse e tij.
. Çka të bëjë „legjitimiteti çarmatosës“ i partive të mëdha, i matur nëpërmjet numrit të madh të mbështetësve të tyre „nga Vermoshi në Konispol“, me vetë demokracinë? A mjafton kriteri numerik për të përcaktuar „vlerën“ e partisë si edhe mesazhin e saj politik lidhur me të ardhmen e vendit dhe të popullit? Rasti i të ndjerës Parti të Punës është mjaft domethënës…
. Në të kundërt, edhe sikur të arsyetohet me cinizëm se „partitë e vogla nuk kanë asnjë vlerë e asnjë funksion; ato thjesht shtojnë erën e keqe e kutërbimin në moçalin politik“, formimi dhe egzistenca e tyre e tejkalon së tepërmi vullnetin e një individi vizionar dhe bartës të projekteve politike pasi para së gjithash, ato janë pjellë e vetë sistemit. Numri i madh i partive të vogla në gjirin e një demokracie belbëzuese si ajo shqiptare mund të shpjegohet së pari nëpërmjet, paaftësisë të partive të mëdha për t‘u dhënë përgjigje problemeve të mprehta të kohës, së dyti nëpërmjet errozionit të brendshëm dhe humbjes së autoritetit të shefave historikë dhe së fundi, nëpërmjet vetë Ligjit elektoral në fuqi. Pra ngado që ta kapësh, të vetmit përgjegjës janë partitë e mëdha, pikërisht ato që duan të ndryshojnë sot këtë Ligj. A mund të pranohet se është pikërisht vullneti i partive të mëdha ai që bën - dhe zhbën – demokracinë?
.
. Krahas opinionistëve të shumtë „të çorbës“, të tjerë mundohen të bëjnë ekulibristin – pra, të qëndrojnë në buzë të kazanit – me lugë në brez – dhe të teorizojnë sipas rastit lidhur me të këqiat e sistemit proporcional korruptues (natyrisht për kushtet tona) dhe të nënvizojnë prirjet tipike shqiptare drejt mazhoritarit.. për të lëvduar avantazhet e sistemi të përzierë, jo më sipas recetës djegëse spanjolle por sipas aromës alla kiwi neo-zelandeze. Jam gati të ndaj me këta shpirtra liberalë bindjen se „ndryshimi radikal i sistemit elektoral do të sjellë transformimin radikal në arenën politike.. një ortek të mirëfilltë në organizimin partive politike shqiptare, përmbysje të traditës politike të deritanishme dhe mosrespektim i nevojës që ka Shqipëria për konsolidim institucional“. Por asnjë element nuk i vjen në ndihmë më të pandreqshmit mes tyre për të vërtetuar lidhjen mes formulës elektorale (mazhoritare, proporcionale, të përzierë) - të zgjedhur nga partitë dhe në dobi të tyre - dhe egzistencës së demokracisë.
.
. Sidoqoftë, përpara se të merren me Ligjin, opinionistët e „çorbës“ dhe ata të „lugës“ duhet të merren me „Maliqin“ – më mirë të themi me dy Maliqët tanë, shqetësimet kryesore të të cilëve mbeten zgjedhjet e ardhshme. Të paktën që prej dy legjislaturash, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale tregojnë kjartë se çyreku politik është ndarë në tre pjesë ndjeshmërisht të njejta: 1/3 e votave për PD, 1/3 për PS dhe e një e treta e fundit për partitë „e vogla“. Dy pjesë të kësaj të e trete të fundit (rreth 20% të votave) i përkasin partive të spektrit të majtë dhe të qendrës së majtë dhe vetëm një pjesë (10%) i takon partive të spektrit të djathtë. Shihet fare qartë se teorikisht – duke mos marë parasysh numrin e madh të abstensioneve (mbi 45% të votuesve potencialë), PS dhe PD kanë shfrytëzuar plotësisht rezervuarin e tyre elektoral dhe janë shëndrruar në kohorta militantësh. Sidoqoftë, „rezerva“ e majtë ku peshkon PS është më e madhe se sa ajo e PD dhe kështu, shanset e socialistëve për të fituar zgjedhjet janë të mëdha – me kusht që partitë e vogla të hedhin hapin sipas daulles socialiste. Por të mos harrojmë se në këtë mes është LSI e Metës që mundohet të përfitojë nga situata dhe që mund të përmbysë krejt rezultatet – siç ishte rasti në vitin 2005. Ja përse PS propozon këtë formulë të re zgjedhore që ose i nënshtron „aleatët“ e saj zevzekë dhe i lidh pas qerres së saj ose i zhduk fare me atë pragun përfaqsues që rritet ndjeshëm dhe me atë ndarje të re rajonale djallëzore.
. Nga ana tjetër PD nuk mund të presë ndonjë përmbysje nga formula e re në rezultatin e saj të ardhshëm – ndoshta karizma e Berishës do t’ja dalë të mposhtë sex appeal-in e Ramës – pa llogaritur shpresën e përhershme të një mobilizimi të abstensionistëve. Ndërkohë, as që mund të mendohet se ajo mund t’i kundërvihet idesë të një reforme zgjedhore, aq fort të reklamuar nga ana e saj. Të vetmet manovra që mund të tentohen janë pikërisht modalitete zgjedhore të formulës: numri i zonave, kufijtë e tyre territoriale si dhe çelembyllja e listave – duke ju falur njëkohësisht Perëndisë që konjuktura ekonomike dhe politike ndërkombëtare të mos penalizojë politikën e qeverisë, që inflacioni dhe kriza financiare të mos përmbytë sektorin bankar ose së fundi që populli të mos dalë nëpër rrugë për të kërkuar uljen e çmimit të bukës.
.
. Përtej kësaj analize me ngjyra partiake dhe spekullimit me shifrat, ajo çka i intereson mënyrës tonë të vështrimit është vetë demokracia dhe zgjedhjet, si mjet i realizimit të saj. Me fjalë të tjera, çka të bëjë administrimi i zgjedhjeve si një element i qënësishëm i zbatimit të demokracisë - me qëllim përcaktimin e përfaqsuesve të popullit, me egzistencën e vetë partive? Për të mos thënë troç: çka i duhen partitë politike (të voglat sikundër edhe të mëdhatë) demokracisë – dhe me këtë rast popullit të shumëvuajtur?
.
.
. Demokracia, zgjedhjet dhe partitë politike.
.
. Pa dashur të fundosem në Lashtësi, në kërkim të koncepteve athiniote të demokracisë, do të mjaftohem t‘i le fjalën Tokëvilit – një prej etërve modernë të saj, i cili në veprën e tij „ De la démocratie en Amérique ,1835-1840” shprehet kësisoji :
.
. [..] demokracia është një shoqëri ku barazia konsiderohet si një vlerë esenciale, ku garantohet pjesëmarrja në çështjet publike dhe ku lëvizshmëria sociale ndalon formimin e kategorive të privilegjeve. Por demokracia është gjithashtu individualiste. Epoka demokratike nuk ka për princip të saj virtutin sikundër e mendonte Monteskjë por karakterizohet në të kundërt nga lakmia e njerëzve për të mira materiale. Dhe pikërisht fakti që ata kuptojnë interesin e vërtetë lejon egoizmat të vihen në shërbim të mirëqënies së përgjithshme. Kështu, dashuria ndaj mirëqënies, rivaliteti favorizojnë në të vërtetë rendin sicial të qëndrueshëm. Ajo çka kërcënon shoqërinë demokratike nuk është revolucioni por konformizmi, harresa e lirisë në emër të barazisë”.
.
. Nuk është aspak e rastit që në veprën e Tokëvilit mungojnë referencat lidhur me partitë politike – jo sepse ky realitet i mungonte botës së asaj kohe – por kryesisht për vetë faktin që demokracia imagjinohej në formën e saj të drejpërdrejtë, ku qytetarët votojnë çdo ligj dhe pjesëmarrin « në kohë reale » në jetën politike. Bëhet fjalë pra për qytetarë (shtetas) që mblidhen në sheshin publik dhe marrin së bashku vendimet që lidhen me të ardhmen e qytetit të tyre, të zonës, të krahinës.. në një demokraci të tillë, sipas Zhan Zhak Rusoit, qytetarët janë të interesuar drejtpërdrejt dhe zotërojnë një përfaqsim maksimal nëpërmjet votës të sejcilit ; ata pjesëmarrin në administrimin e çështjeve të përbashkëta dhe janë absolutisht dhe krejtësisht të prekur ndaj gjithçka që lidhet me çështjet e Shtetit. Karakteri utopik i kësaj demokracie ndihet edhe në fjalën e Abraham Linkolnit në fushën e betejës së Getisburgut (1863) : « .. që qeveria e popullit, prej popullit dhe për popullin të mos të zhduket nga sipërfaqja e dheut ». Megjithatë, demokracia mbijetoi dhe u bë e njohur në formën e saj përfaqsuese, ku gjithmonë është populli që zotëron realitetin e pushtetit, veçse kësaj rradhe në kuptimin e bazës së tij, të themelit. Por në kundërshtim me formën e dikurshme, populli zgjedh jo më qeverisësit e tij si në Athinë, por përfaqsuesit, zëdhënësit. Në këtë mënyrë, ai nuk voton tashmë ligjet, as gjykon çështjet gjyqësore, as edhe përcakton drejpërdrejt ata që do të udhëheqin jetën politike. Aq më tepër kur bëhet tashmë fjalë jo më për popullin e një qyteti, të një krahine por për kombin, këtë bashkësi imagjinare dhe të imagjinuar, për këtë abstraksion i cili as nuk vepron as nuk shprehet. Kështu, përfaqsuesit – zëdhënës ngarkohen me misionin fisnik të veprojnë në emër të tij, të shprehen për të.
.
. Ky delegim i pushtetit të masës drejt individit përputhet me lindjen e kapitalizmit dhe vendosjen e të ashtuquajturës demokraci parlamentare. Njëherësh dhe në paralel marrin hov shtrirja e votës « universale » si edhe krijimi i partive të masës, fenomene që jo vetëm ushqejnë dhe përkrahin njeri tjetrin, por edhe shënojnë konfiskimin e pushtetit nga ana e « egzekutivit » dominues që tendon të grumbullojë në duart e tij shumën e pushteteve. E kqyrur në këtë mënyrë, egzistenca e partive politike nuk është aspak një atribut i brendshëm i demokracisë. Ato s’janë gjë tjetër veçse një formë historike që ka mundur t’i adoptohet një farë stadi të zhvillimit të kapitalizmit dhe është pikërisht ky i fundit që ju ka lejuar jo vetëm egzistencën por edhe që ju ka lehtësuar ushtrimin e fuqisë së tyre, pikërisht për të siguruar jetëgjatësinë e vetë sistemit.
. Me fjalë të tjera – dhe sipas një mënyre të shprehuri tashmë të njohur – dominimi i borgjezisë si klasë në gjirin e sistemit kapitalist perëndimor u bë i mundur vetëm nëpërmjet dhënies së të drejtës së fjalës dhe të përfaqësimit të klasave të shfrytëzuara, sipas raporteve të forcave që këto të fundit mundën të vendosin. Por, meqënëse nuk mundi të konkretizohej kurrë në termat e pushtetit, ky përfaqësim mund të vihej gjithmonë në pyetje. Kështu, demokracia në kuadrin kapitalist shërben njëkohësisht si mjet frenimi dhe përmbushje të pjesshme të aspiratave popullore ndaj mirëqenies, një mjet për të zbutur luftën e klasave, për të « civilizuar » raportet e shfrytëzimit nga ana e kapitalit, gjithë duke integruar përfaqsuesit e klasave të shtypura në sistem.
.
. Kjo gjë përbën edhe forcën e politikës kapitaliste, aftësinë e saj që njëherësh të përmbajë, të institucionalizojë dhe të thyejë të gjitha format dhe forcat që ëndërrojnë shkatërrimin e sistemit. Në këtë rast, partitë politike nëpërmjet lojës parlamentare dhe pjesëmarrjes së tyre në jetën ekonomike të vendit shkojnë pashmangshmërisht drejt « borgjezimit » të tyre dhe megjithë përpjekjet e tyre, ato shëndrrohen në mekanizma elektoralë, në makina prodhuese të oligarqive, riprodhuese të elitave, të cilat vetvetiu integrohen në sistem.
. Deri diku, tendencat që karakterizojnë zhvillimin e partive politike ndjekin tendencat e zhvillimit të shoqërisë, pasqyrojnë fragmentimi e pashmangshëm social që favorizon korporatizmin dhe lindjen e interesave të shtresave të larta sociale. Këtij procesi nuk i shpëton asnjë parti, sado social të jetë programi ose baza e saj. Për më tepër, kapaciteti për të ushtruar pushtetin – qoftë edhe ai i përcaktimit të kandidatëve, kërkon një njohje të veçantë, një kompetencë, bile edhe një vetëdije lidhur me mbrojtjen e interesave të grupit. Aq më tepër që në fushën e politikës kërkohet edhe zotërimi i fjalës, i shprehjes, renditje dhe zotërim i argumentave – diçka që e kalon spontanitetin dhe zjarrin militant të masës. Pra, një përzgjedhje të elementit, një formim për të mos thënë edhe një kopjim të modeleve ose të sjelljes të shtresave të larta, së fundi edhe një sens respekti dhe vetërespekti që e tejkalon refleksin e lindur.
.
. Troç muhabetit, ndërkohë që individi partiak rend drejt « përsosjes », drejt shkëputjes nga anonimati, partia e tij rend drejt pushtetit, drejt marrjes së vendeve në organet përfaqsuese. Ky proces i dyfishtë rendjeje çon në shtresëzimin e strukturës partiake në grupe, klika, lobe.. që llogariten sipas influencës, sipas vendeve që mbajnë, sipas funksioneve që ushtrojnë, duke u shkëputur gjithnjë e më tepër jo vetëm nga baza antare e partisë por në rradhë të parë nga zgjedhësit, zëdhenës të të cilëve ata janë në mos teorikisht. Mbyllja e ritualit të votës dhe veshja e të zgjedhurit me pushtetin e popullit përfaqson njëkohësisht edhe shkëputjen e lidhjeve të tij me zgjedhësit – deri herën e ardhshme. Pra, investimi me pushtet i të zgjedhurit është pjesë e strukturës « demokratike » dhe po aq struktural është edhe distanca mes tij dhe masës.
. Duke u munduar t’i « përkufizoj », partitë politike paraqiten si makina elektorale që funksionojnë në dobi të kandidatëve që, për të qenë efikase, mundohen të grumbullojnë pas vehtes shumicën e zgjedhësve. Duke u mbështetur mbi një shtresë militante, ndërkohë që baza e antarëve identifikohet me masën e zgjedhësve, imazhi i shefave del mbi vlerat, idetë, programet të cilat partia është përpjekur t’i përpunojë gjatë kongreseve të saj.
.
. Natyrisht, duke ju shmangur thënies së Leninit, sipas të cilës "... demokracia (borgjeze) është mundësia e dhënë të shtypurve që të zgjedhin për katër ose për pesë vjetët e ardhshëm shtypësit e tyre" na mbetet sidoqoftë të themi se partitë s’janë gjë tjetër veçse « e keqja » e demokracisë, e cila – po qe se i besojmë thënies së Çurçillit – « është më i keqi i të gjithë sistemeve, me përjashtim të të gjithë të tjerëve ».
.
.
. * * *
.
. Diku më lart përmenda se nuk do të merrem me demokracinë athiniote të agorave. Megjithatë, nuk mund të mos ve re se bota e sotme duke i përvehtësuar konceptet dhe praktikat e dikurshme, i ka ndryshuar bile edhe i ka kthyer së prapi. Kështu, Republika e Platonit qëndron në antipod të Republikës parlamentare perëndimore, metafizika e Aristotelit u rimor dhe u shkri në masën e shkencave… bile edhe pedagogu (paidhos – ago) nga një skllav i thjeshtë që shoqëronte fëmijët në shkollë u ngrit në lartësitë e katedrës dhe tashmë mëson studentët, sikundër dhe demagogu (demos – ago) nga një politikan që zotëronte artin e udhëheqjes së popullit u shëndrrua në një gënjeshtar të paturp që mashtron masat e popullit.
. Tek ne, kalimet ishin disa shkallëshe dhe të menjëhershme : ata skllevërit e dikurshëm, të bërë pedagogë braktisën katedrat dhe u shëndrruan në politikanë – demagogë. Deri diku, nuk është faji i tyre por i vetë njeriut modern i cili, i topitur dhe i tmerruar nga boshllëku metafizik që rrethon gjithandej vetminë e shpirtit, strehohet në sistemet e rehatshme dhe iluzioniste të pedagogëve dhe të demagogëve të të gjitha llojeve dhe racave..

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur