"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, February 21, 2008

Kosovë mon amour (3) - Nën peshën e Mitologjisë nacionaliste.

. (Pjesa e tretë e serisë prej tetë shkrimesh mbi Kosovën)
.
.
.
. Vlimi i popullatës serbe të Kosovës detyroi hyrjen në skenë të përgjegjësve më të lartë serbë të Lidhjes Komuniste (1). Megjithatë, duke ju druajur grackës nacionaliste, Ivan Stamboliçi, padroni i vjetër i komunistëve serbë, tashmë President i Republikës socialiste të Serbisë, dërgoi në vend zëvendësin e tij të ri Sllobodan Millosheviçin, një aparatçik pothuaj të panjohur në këtë periudhë. Asnjeri nuk ish në gjendje të merrte me mend pasojat e këtij akti, bile edhe Stamboliçi vetë injoronte shtrirjen e gjestit të tij. Dashur padashur, ai kish relancuar karrierën e jashtëzakonshme të zotit të ardhshëm të Beogradit, duke varrosur me këtë rast të vetën. Fjalimi i improvizuar i Millosheviçit në Fushë Kosovë, në 24 prill të vitit 1987, mbi mbrojtjen e të drejtave të shenjta të serbëve u shëndrrua në një program politik dhe populli serb, pasi e kish dëgjuar dhe stërdëgjuar nëpërmjet valëve herciane, përfundimisht ndjeu që përpara tij gjendej i vetmi njeri me përmasa kombëtare i aftë për t’a mbrojtur. Një vit më vonë, në dhjetor 1987, Stamboliçi zhdukej nga skena dhe Millosheviçi forconte bazën e tij personale si njeriu më i fuqishëm i Lidhjes së Komunistëve.
.
. Ndërkohë që çështja e Kosovës shëndrrohej në temën kryesore të Pleniumit të IXtë të LKJ, mediat përfitonin nga rasti dhe i kushtonin kësaj ngjarjeje titujt e tyre më të dukshëm. Qerthulli djallëzor ishte vënë në lëvizje : instancat më të larta të partisë dhe të pushtetit kishin marrë çështjen e Kosovës në duart e tyre. Kjo çështje si dhe mënyra me të cilën do të trajtohej do të galvanizonte unitetin e shkundur të komunistëve në dëm të rrymave reformiste që e minonin prej kohësh. Në këtë mënyrë do të krijohej një aleancë e papritur mes ndjenjës nacionaliste, ndërgjegjes shoqërore dhe militantizmit luftarak, pasojat e të cilës do t’i ndrronin faqen situatës kosovare. Kjo gjë i përgjigjej më së miri ndjenjës së përgjithshme të poshtërimit që ndihej mes opinionit publik serb ndaj çështjes kombëtare, humbjes së toruas të shtresave të gjera puntore përsa i përket një politike ekonomike katastrofike (2) që mbretëronte në vend dhe së fundi apatisë së thellë të masës së komunistëve, e shgënjyer nga qëndrimet e çthurura dhe anarkiste që gërryenin aparatin e partisë. Të tërhequra nga fjala e Millosheviçit që premtonte rivendosjen e rendit dhe të madhështisë të popullit serb, populli i tërë nuk donte të kqyrte përzierjen e çeshiteve aq bukur të sajuar, ai dëshironte të jetonte dhe të shihte drejpërdrejt rimëkëmbjen dhe ringjalljen e kombit.
.
. Një nga hapat e para të Millosheviçit drejt rivendosjes të rendit të tronditur ishte homogjenizimi i mendimit politik në hapësirën « gjithëserbe », nëpërmjet imponimit të koncepteve të tij të ringjalljes kombëtare. Metoda e përdorur ishte sulmi kundër instancave drejtuese të tërësive territoriale fqinje. Duke respektuar një skenar tashmë të sprovuar, nëpërmjet manifestimeve publike masive, elementët serbo-malazezë kërkonin me insistim aprovimin nga ana e drejtuesve lokalë të kërkesave të tyre lidhur me Kosovën sikundër dhe ndryshime të natyrës kushtetutore që shkonin në drejtimin e bashkimit gjithëserb. Përballë reksionit legjitim të të zgjedhurve lokalë, Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve për Serbinë hynte në valle për të kërkuar diferencimin (lexo : përjashtimin) e kuadrove partiakë që « kërkonin të ndërprisnin procesin e demokratizimit në Serbi ». Në këtë mënyrë, në tetor 1988 u arrit largimi i gjithë ekipi drejtues i Vojvodinës ndërkohë që diferencimi bënte kërdinë në rradhët e Komitetit krahinor të Kosovës. . Kësaj rradhe në shënjestër u vu Azem Vllasi, i zëvendësuar nga kryepolici kosovar Rrahman Morina. Reaksioni i popullsisë shqiptare qe i menjëhershëm dhe në 18 tetor, nën impulsin e minatorëve të Trepçës, rreth 100.000 shqiptarë manifestuan në rrugët e Prishtinës. Që të nesërmen, ju erdhi rradha serbëve të Beogradit të dilnin në rrugë : më tepër se 350.000 vetë brohoritën Millosheviçin i cili ju rikujtonte vendin që zinte Kosova në zemrat serbe. Tashmë ora e Kosovës kishte trokitur. Ndërkohë, të gjithë të zgjedhurit krahinorë të Malit të Zi jepnin dorëheqjen përballë manifestimeve gjigande në rrugët e Titogradit. Nga ky moment, asgjë s’mund të pengonte pushtetin legjislativ serb të kërkonte ndryshime thelbësore të Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 me qëllim që të riparoheshin « gabimet historike » në dëm të kombit. Realizimi i kësaj ëndrre të vjetër do të realizohet jo më vonë se 23 shkurti i vitit 1989, gjë e cila shkaktoi një valë të re protestash të fuqishme si dhe grevash në Kosovë si edhe një kundër-manifestim gjigand në rrugët e Beogradit. Ndërkohë, ushtria dhe forcat e policisë ndërhynë në mënyrë masive në krahinë dhe pushteti qëndror vendosi gjendjen e jashtëzakonshme. Me mijra vetë u arrestuan nën akuzën e pjesëmarrjes në manifestime antikushtetuese.
. Në 23 mars, i rrethuar nga tanket dhe forcat e armatosura, Kuvendi Krahinor u detyrua të mblidhej në një sesion të jashtëzakonshëm për të votuar dhe aprovuar një seri ndryshimesh kushtetuese të cilat do të shërbenin si bazë e mëtejshme për një Kushtetutë të re serbe. Kësaj rradhe, manifestimet në rrugët e Prishtinës u shëndrruan në përleshje me forcat e armatosura dhe ato të policisë dhe pushteti dekretoi ndalim-qarkullimin (3). Pesë ditë më vonë në Beograd, Asambleja Popullore serbe - edhe ajo e mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm - aprovoi këto ndryshime kushtetuese. Epoka Tito kish përfunduar një herë e mirë dhe bashkë me të, Kosova kish humbur përfundimisht autonominë e vet politike ndërkohë që Federata jugosllave jetonte çastet e saj të fundit (4).
.
. Pasi kish mundur të sigurojë përkrahjen e kishës ortodokse serbe, në 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviçi organizoi një manifestim mbresëlënës të pakicës serbe dhe malazeze në rrugët e Prishtinës për të festuar 600 vjetorin e betejës historike të Fushës së Mëllënjave (Fushë Kosovës). Ky tubim i më se një million serbësh dhe malazezësh të ardhur enkas nga i gjithë vendi shënon edhe momentin kulminant të lëvizjes nacionaliste kundër « sfidës shqiptare » që në të vërtetë merr formën e saj përfundimtare në qershor të vitit 1990, me hyrjen në fuqi të një varg dekret-ligjesh. Kjo përçapje e fundit varroste një herë e mirë autonominë e Kosovës, e cila vihej nën pushtetin e një Ligji të ri të ashtuquajtur të përkohshëm mbi « aktivitetin e organeve të Republikës në kushtet e jashtëzakonshme ». Kjo politikë, e adoptuar pa ja vënë veshin paralajmërimeve të rrepta të Kroacisë dhe të Sllovenisë, prodhoi një reaksion të menjëhershëm : pakënaqsia e popullsisë shqiptare shpërtheu në manifestime dhe protesta të dhunshme, të shtypura me rreptësi tejet të madhe nga ana e policisë dhe e ushtrisë serbe (5) – një fakt i panjohur deri atëhere. Me qindra aktivistë shqiptarë u arrestuan, u ndalua botimi i gazetës « Rilindja » në gjuhën shqipe, gjuha serbo-kroate zëvendësoi tashmë atë shqipe dhe u shëndrrua në një lëndë të detyrueshme në gjithë sistemin e arsimit tetëvjeçar dhe të mesëm. Ndërkohë që trupi pedagogjik ishte pushuar nga puna dhe nxënësit shqiptarë braktisnin mësimin, një numër i madh shkollash u detyrua të mbyllin dyert. Një gjueti e vërtetë ndaj kuadrove me origjinë shqiptare u organizua në administratën lokale, në stacionet e radios dhe të televizionit lokal, në mjediset arsimore dhe universitare, bile edhe në ndërmarrjet publike dhe në mjedisin spitalor.
. Përtej metodës së përdorur dhe mënyrave të zbatimit të direktivave, rimarrja në dorë e Kosovës përputhej me ambicien gjithmonë të gjithëgjendur në mendimin dhe shpirtin e drejtuesve serbë për të cilët politika federative e Titos s’ish gjë tjetër veçse shprehje e dëshirës së tij prej kroati për të dobësuar dhe më tej, për të coptuar Serbinë. Meqënëse vdekja natyrore e Titos e kish fshirë këtë rrezik, ata u nxituan t’i riktheheshin të gjitha arritjeve kushtetuese dhe politike të periudhës së Mareshallit dhe të kryenin atë hapin e madh aq të dëshiruar të shkrirjes së krahinës me vendin amë. Me këtë rast, ata zbuluan edhe shëndrrimin e pabesueshëm dhe të frikshëm të raporteve etnike në favor të shqiptarëve (6) : ndërkohë që ata përbënin 77% të popullsisë së Kosovës në vitin 1981, dhjetë vjet më vonë ky raport kish arritur në 88%.
.
. Zbulimi i faktit që shqiptarët përbënin shumicën, à priori nuk duhet të habiste kërkënd. Rregjistrimi i popullsisë i vitit 1948, i pari i organizuar në Jugosllavinë titiste, kish nënvizuar faktin që ata përfaqsonin 68,5% të popullsisë të krahinës. Bile edhe në atë vitin e largët 1921, që i përkiste tashmë epokës së Karagjorgjeviçëve, shqiptarët përbënin 65,8% (7). Për të patur shansin dhe gjetur një shumicë serbe në Kosovë – në qoftë se ajo ka egzistuar ndonjë herë – dhe si pasojë një pakicë shqiptare, duhej bërë një zhytje e vërtetë në thellësinë e kohrave të pushtimit otoman. Në këtë rast, detyra bëhet gjithmonë e më e vështirë sikundër dhe suksesi gjithmonë e më i diskutueshëm pasi asnjë rregjistrim popullsie i kryer nga autoritetet e Perandorisë otomane nuk mund të sjellë elementë të saktë mbi një territor kaq të kufizuar. Nuk duhet harrruar gjithashtu se statistikat e mbajtura prej otomanëve jepnin të dhëna lidhur me miletet – bashkësitë fetare, dhe jo mbi kombësitë e shtetasve të perandorisë. Atëhere mbetet vetëm që të kryhen spekullime – një detyrë e vërtetë prej historiani – të cilat mbështeten mbi vërejtjet e njerëzve të kishës, mbi kujtimet e udhëtarëve të ndryshëm, mbi raportet rastësore të diplomatëve si dhe kronikat e vjetra të historianëve të tjerë. Që të gjithë pa përjashtim kanë vërejtur prezencën e myslimanëve – shqiptarë, turq si dhe të tjerë sllavë, të ortodoksëve – serbë ose të quajtur si të tillë, dhe së fundi të katolikëve – shqiptarë, pa mundur sidoqoftë të sjellin as rezultate të prekshme as edhe përfundime bindëse.
. Megjithatë, mbetet edhe një mundësi tjetër për të arritur në rezultatet aq të dëshiruara. Duke u nisur nga një shenjë kohore fikse – për shembull beteja e Fushës së Mëllenjave (në vitin 1389), ky monument i mitologjisë që na rikujton momentin kulminant të lavdisë mesjetare serbe dhe me këtë rast, mbizotërimin logjik të fuqisë sllave mbi atë qendrën shpirtërore të kombit (lexo : Kosovë dhe Rrafshi i Dukagjinit), historiani fqinjë mundohet të argumentojë pakësimin e vazhdueshëm, largimin e popullsisë që sikundër zbatica i ikën brigjeve drejt thellësisë. Duke luajtur me anë të instrumentit të tij magjepës, mjeshtri historian na ofron një suitë për të mos thënë një simfoni, kohët e të cilës përvijojnë atë fat tragjik të Kosovës serbe. Pa asnjë lëshim, qoftë në parime qoftë dhe në detaje. Në këtë mënyrë përjetojmë luftën e shifrave.
.
. Ja edhe vështrimi i një historiani bashkëkohës serb mbi lashtësinë e afërt të Kosovës, të cilin ai e quan tempo e Lartësimit :
.
. Gjatë mesjetës, kësaj periudhe të vulosur nga qytetërimi i ndritur i Nemanjiçëve, Kosova ishte në mënyrë mbizotëruese një tokë sllave e banuar nga Serbët – bukrobër, zotërit e të cilëve ishin fisnikët vendas. Kosova, qendra e shtetit serb, strehonte njëkohësisht edhe kryeqendrën e fisnikëve serbë sikundër dhe gjykatat mbretërore. Metohia (Rrafshi i Dukagjinit) gjithashtu, kryeqendra e Kryepeshkopatës serbe e cila më vonë u shëndrrua në Patriarkat, ishte e mbuluar nga një rrjet i dendur manastiresh dhe kishash. Pjesa më e madhe e fshatrave të Metohisë me një popullsi mjaft të dendur ishte në zotërim të manastireve të mëdha, shpesh të dhuruara nga ana e fisnikëve, ose ishin në zotërim të bashkësive të famshme manastike të Malit Atos. Shqiptarët, të cilët janë quajtur gjithmonë Arbanashi nga ana e Serbëve ishin barinj, një popull nomad i cili pa ndonjë pangesë merrej me rritjen e kafshëve të tij në ato malet e errta që ndajnë Kosovën nga Shqipëria. (8)
.
. Ky është edhe kuadri idilik i Kosovë-Metohisë mesjetare, një shoqëri feudale ku jetojnë në harmoni të plotë fisnikë dhe bujkrobër, Mbretër dhe Patriarkë – natyrisht serbë - në mes të një bollëku manastiresh dhe kishash. Edhe pse çfaqen aty këtu disa pak barinj shqiptarë, këta kafshërritës nomadë, përshtypja diçka e pakëndëshme fshihet me një të rënë lapsi nga një tjetër historian-akademik, i cili krejt natyrshëm pohon se :
.
. Rajoni i Kosovës dhe i Metohisë ka qënë banuar qysh prej kohëve të Mesjetës së Hershme nga një popullatë homogjene serbe. Shtetet e para serbe të shekujve të Xtë dhe të XItë shtriheshin mbi tokën e Kosovës. Gjatë sundimit bizantin dhe deri në përfshirjen e tyre të plotë në Shtetin e Nemanjiçëve në fundin e shekullit të XIItë dhe atë të XIIItë, Kosova ishte, nga pikpamja etnike, një tokë serbe ku kish filluar ndërkohë një proces i integrimit politik. Kjo gjë vërtetohet nga dokumentat historike (kodet e sunduesve serbë), dhe në mënyrë të veçantë nga një studim i antronimeve (mbiemrave të familjeve) sikundër dhe të toponomeve origjinale (emrat e vendeve), që në rastin e Kosovës dhe të Metohisë janë kryesisht të origjinës sllave. Grupe nomade të barinjve shqiptarë, kryesisht të besimit katolik roman, ishin një përbërëse e neglizhueshme prej vetëm 2% të popullsisë të përgjithshme dhe ishin përqëndruar në pjesën malore perëndimore, në kufirin e sotëm jugosllavo-shqiptar. Një numër i vogël shqiptarësh ushtronte mjeshtëritë e zejtarit, të minatorit ose të tregëtarit në qytetet e zonës (9).
.
. Cila pra është origjina "etnike" e banorëve të Kosovës në shekullin e XIIItë ? Në mungesë të plotë të të dhënave – qoftë për hir të debatit kontradiktor - le t'i japim krahë imagjinatës dhe të pranojmë për disa çaste si të mirëqenë faktin që në këtë fundshekulli të XIIItë, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit ishin një tokë e banuar nga serbët në 98% të saj. Në këtë mënyrë, të paktën, do të mund të ndjekim fillin e mendimit të historiano-gjeografëve të Beogradit - për të analizuar kontradiktën që qëndron në themel të arsyetimit të tyre.
. Në këtë moment të caktuar të historisë ballkanike, ku merr zanafillën edhe debati ynë, e gjithë popullsia autoktone e kësaj zone të brendshme të Ballkanit ishte e pagëzuar dhe e kunguar që në lindje në fenë e Krishtit. Që prej disa dhjetëvjeçarësh, ortodoksia sllavo-bizantine ishte emancipuar dhe kish krijuar kryeqendrën e saj të re në Pec (Pejë). Përveç ortodoksëve, vetmit antagonistë nga pikpamja teologjike ishin katolikët romanë si dhe heretikët bogomilë. Në këtë mënyrë, në qoftë se përdorim identitetet e mëposhtme : ortodoksë = serbë, katolikë = shqiptarë, bogomilë = të dashurit e Perëndisë = të denjë për t'u shfarosur, biem në skemën e mësipërme, të përshkruar me aq detaje.
.
. Megjithatë, asnjeri nuk na pengon të ngreme një varg dyshimesh të natyrshme dhe të shtrojmë pyetje qoftë dhe instiktive :
. përse konsiderohet Kosova si djepi i « qytetërimit » të Nemanjave ndërkohë që një varg specialistësh të historisë së Mesjetës i vendosin këta të fundit diku mes Rashkës dhe Zetës – në veri të zonës ?
. Përse shqiptarët – arbër të Kosovës identifikohen me katolikët ndërkohë që dihet tashmë që disa hapa më tej, në territoret e Shqipërisë së sotme, pjesa më e madhe e tyre i përkiste ritit ortodoks bizantin ?
. Çfarë instrumenta matës kaq të përpiktë zotëronin murgjit e Kosovës që arrinin të kqyrin deri edhe njësinë e përqindjes të popullsisë – aq më tepër të besimit të ndryshëm ?
.
. S’na mbetet gjë tjetër veçse të admirojmë këtë kryevepër të mitologjisë, këtë tabllo të shquar të Nemanjave, të rrethuar nga murgj të devotë që i këndojnë psallme Perëndisë në ato mijra manastire dhe kisha, ndërkohë që bujkrobërit besnikë shëndrrojnë këtë tokë të bekuar të Kosovës në parajsë. Dhe, përpjekja e admirimit ja vlen barrën pasi ndodhemi në laboratorin e historisë, bash aty ku pamja shtanget për përjetësinë e mëpastajme, ku realja shëndrrohet në pavdekësi.
.
. Pasi fillimisht, koha në këtë çështjen e Kosovës është e burgosur në përmasat e saj metafizike. Në të vërtetë, bëhet fjalë për dy shekuj të shquar të Mesjetës (gjithë gjithë, shekujt e XIIItë dhe të XIVtë), lavdia e të cilëve mundohet të fshijë degradimin e një qytetërimi, dekadencën e një farë ideje të Kombit. Përse të mos shkojmë prapa në kohë dhe të interesohemi për banorin e parë të krahinës : burrë apo grua ? ilir apo dardan ? ardhacakë sllavë apo të fundmit e mohikanëve iliro-romako-bizantinë ? bujq serbë apo barinj shqiptarë ?
. Në emër të cilës së « drejte » - përveç asaj të forcës – nomadët sllavë vijnë dhe ngulen në territoret e Ilirisë gjatë shekullit të VIItë ? Në emër të kujt « arsyeje » - përveç asaj të «Ligjit të numrit më të madh » - një pjesë e këtyre territoreve shëndrrohen në serbe ? Përse së fundi, e drejta e forcës dhe « Ligji i numrit më të madh » janë të « ligjshme » në një moment të caktuar dhe « të paligjshme » në një moment tjetër ? Kështu, veçse mund të bashkohemi me mendimin që shprehet se
.
. Çdo argumentim i natyrës « historike » shkon në kundërshtim me tezën « serbe » pasi Historia na mëson se Serbët, në lidhje me Kosovën, s’janë gjë tjetër veçse pushtues të ardhur me vonesë. (10)
.
. Në rradhë të dytë, vargu i ngjarjeve i kësaj çështjes së Kosovës shkruhet në një logjikë fataliteti, pasi gjithçka fillon mbas disfatës monumentale të Kosovo Poljes. Megjithatë, epoka e Fushës së Mëllënjave u ndoq nga rezistenca kundër turqve – ndërkohë që tenorët më të shquar serbë janë Stefan Lazareviçi dhe Gjergj Brankoviçi – dhe përfundoi me nënshtrimin. Historiani-kompozitor e quan tempo e Derteve, e një dominimi otoman që mes të tjerash solli edhe Islamin në këtë qoshe të Ballkanit. Por, jo cilido pranoi të braktiste fenë e tij të parë të krishtere për t’u shëndrruar në mysliman : nëqoftë se shqiptarët pranuan në fund të fundit, të shëndrrohen në adeptë të rinj të Profetit Muhamet, serbët qëndruan përgjithmonë shërbëtorë të përunjur të djalit të Perëndisë, Jezus. Pikërisht në këtë moment, rendi fillon dhe trazohet pasi, sikundër dhe në Shqipërinë fqinje, Kosova shëndrrohet gradualisht por në mënyrë të pakthyeshme në myslimane. Si shpjegohet që kjo tokë e shenjtë e krishterë – Jeruzalemi i serbëve – e cila strehon mbi 1.500 manastire, kisha dhe të tjera objekte kulti shëndrrohet në tokë myslimane ? Po qe se ju besojmë historianëve serbë, përgjigja është tejet e qartë : pa diskutim, si pasojë e këmbënguljes inatçore të otomanëve që filluan të thyejnë dhe të prishin gjithçka, të paturpësisë të « atyre shqiptarëve hajdutë që zbritën nga malet e tyre për të plaçkitur », të mungesës së skrupujve të atyre « barinjve të tjerë shqiptarë » që u sulën dhe pushtuan tokat e braktisura nga fatkeqët serbë aq të devotë. Me fjalë të tjera, ishin pra shqiptarët e ardhur prej diku gjetkë që u bënë vektor i përçimit të fesë myslimane.
. Përse Islami zgjodhi pikërisht Kosovën – këtë qoshe të humbur diku në mes të Ballkanit – për të eksperimentuar eksportimin e vet nëpërmjet popullatave të treta dhe nuk veproi në të njejtën mënyrë dhe në rajone të tjera ballkanike, ndoshta edhe më të pajisura me thesare, me toka ose me monumente të tjera të ndritura ? A nuk është më racionale dhe logjike të mendohet se islamizimi u realizua mbi popullata autoktone, sikundër gjithandej në gadishullin Ballkanik ? Kësaj radhe, pyetja mbetet pa marrë përgjigje…
. Fundja, kur paska ndodhur kjo kataklizmë në tokat e Kosovës ?
.
. Invazioni turk vuri në lëvizje masa të tëra etnike në Ballkan dhe shkaktoi kryengritje që shpesh përfunduan tragjikisht. Magjithë faktin që Kosova gjithashtu u përfshi në këto ngjarje, migrimet e para të Serbëve në shekullin e XVtë jo vetëm nuk mundën të prekin në një shkallë të konsiderueshme tokat e këtij rajoni por edhe nuk shkaktuan ndonjë rendje drejt tyre të barinjve shqiptarë nga malet e tyre të Nëmura. Në shekullin e XVItë, rregjistrimet zyrtare turke venë në dukje në vazhdimësi se të Krishterët përbëjnë shumicën dërrmuese ndaj Myslimanëve (turqve dhe shqiptarëve të kthyer në myslimanë). Së bashku me pakicat e tjera të krishtera, të cilat kishin mundur të mbijetonin si rezidentë qytetës ose si barinj (grekë dhe vlleh ortodoksë si edhe shqiptarë katolikë) Serbët përbënin 97% të të gjithë popullsisë (11).
.
. Si ndodhi atëhere që në fund të po këtij shekulli (të XVItë) dhe në vazhdim, pjesa më e madhe e popullsisë të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit infektohet nga virusi i ndrrimit të fesë – gjithmonë sipas të njejtave rregjistra turk ? Historianët serbë (12) do të thonë se shkaku ishin ata barinjtë e famshëm të zbritur nga ato malet e tyre të nëmura, të pajisur « me kapacitete të pabesueshme riprodhuese (sic!) » të cilët, pasi kishin pushtuar tokat e fshatarëve serbë dhe mbushur qytetet e krahinës – pasi qytetet ishin të parat që u islamizuan – ju vunë punës për të islamizuar atë çka mbetej prej serbëve. Ç’janë këta barinj dhe nga cilat male paskan zbritur ? – ngrenë pyetjen historianët e përtej kufirit (13), të cilët nënvizojnë se gjithmonë sipas të famshmëve rregjistra otomanë të epokës, rajonet malore të sanxhakut të Dukagjinit (Iballa, Spasi, Fandi i Madh, Fandi i Vogël et Puka) si edhe rajonet e sanxhakut të Shkodrës (Pulti et Kelmendi) totalizonin 2.014 shtëpi ose hane, një hiçkël përballë rajoneve të Kosovës dhe të Metohisë që së bashku totalizonin 28.000 shtëpi.
.
. Përfundimisht, duket të presim ofensivën austriake e cila preku thellësitë e Ballkanit gjatë shekullit të XVIItë – më saktësisht në vitin 1690 - për të asistuar në egzodin e vërtetë të serbëve, nën frikën e reprezaljeve otomane. Tashmë jemi në tempon e Migracioneve.
. Nën peshën e kryqit, Patriarku Arsenije i IIItë udhëhoqi disa dhjetra mijra vetë – na thonë se bëhej fjalë për 35.000 familje serbe – përtej Danubit. Më pak se një gjysëm shekulli më pas, një aventurë e re fatkeqe e austriakëve detyroi rishtas Patriarkun Arsenije IV Jovanoviç të marrë rrugët ; kësaj rradhe janë 30.000 familje të reja që shpërngulen nga Kosova dhe rrethinat. Çfarë shansi i papritur për ata « shqiptarë myslimanë mizorë » që kësaj rradhe kishin zbuluar një argëtim tjetër – « të shqiptarizonin » komshijtë e tyre serbë, të kthyer në myslimanë nga halli ! Pasi kishin braktisur fenë e të parëve, ata humbën edhe përdorimin e gjuhës së tyre amtare, vetëm e vetëm për t’u bërë shqiptarë – Arnautasi. Për të na bindur, historianët serbë na ofrojnë edhe përfundimet e studimeve antropogjeografike të cilat vërtetojnë përfundimisht që afro 30% e popullsisë së sotme shqiptare të Kosovës (dhe të Metohisë) qënkesh me origjinë serbe (14).
.
. Nga ky moment, hemorragjia nga e cila vuan popullsia serbe si edhe furnizimi me gjak të ri i popullsisë shqiptare shëndrrohet në diçka kronike. Çdo kryengritje, çdo luftë mes otomanëve dhe fuqive evropiane në gadishull, i shtyn serbët t’i kthehen emigracion-hemorragjisë, e cila në mos qoftë arteriale mbetet kapilare. Në të kundërt, çdo manifestim i autonomisë i pashallarëve shqiptarë ndaj Portës së Lartë, çdo rast për të shprehur solidaritetin me çeshtjen otomane kontribon drejt shtimit të shqiptarëve të rinj « varfanjakë » në krahinë. Shpallja e autonomisë dhe më pas pavarësia e shtetit serb përcakton një tjetër kufi kohor, një shkallare të rëndësishme pasi, në vigjilje të Krizave të Lindjes, historianët serbë janë gjithmonë të bindur se bashkësia e tyre etnike ende përbën shumicën, grupin etnik dominant të Kosovë – Metohisë.
.
. Tempo e Shtypjes fillon me luftrat ruso-turke të vitit 1876 – 1878, të cilat përmbysin situatën : ndërkombëtarizimi i çështjes serbe si dhe shprehja e synimeve të monarkisë së Obrenoviçit mbi Serbinë e Vjetër shtyn ushtrinë mbretërore të shkelë tokën e Kosovës. Fundi i luftimeve dhe hyrja fitimtare e ushtrive serbe në Nish detyroi rreth 30.000 shqiptarë të braktisin tokat e tyre dhe të tërhiqen drejt Kosovës, ndërkohë që disa dhjetra mijra serbë marrin rrugën e kundërt.
. Është periudha e Lidhjes së Prizrenit dhe e përplasjeve të armatosura mes shqiptarësh dhe otomanësh, e cila sipas optikës serbe është shkaktare « e viktimave të panumërta mes popullatës serbe të krahinës ». Përballë rritjes së dhunës ushtarake e ndjekur nga një anarshi e thellë, me mijra serbë paskëshin preferuar të braktisin krahinën : rreth 1.500 familje gjatë periudhës 1876 – 1883, jo më pak se 60.000 vetë gjatë periudhës në vazhdim 1890 – 1899, gjithmonë shënimeve të qeverisë së Beogradit. Një valë e re dhune preku krahinën e martirizuar gjatë periudhës 1903 – 1808, një tjetër në vitin 1911. E megjithatë, po qe se vazhdojmë dhe i besojmë thënieve të historianëve të Beogradit (15), pavarësisht atyre 400.000 vetëve që paskëshin ikur nga sytë këmbët nga Serbia e Vjetër përballë tërbimit shqiptaro-turk, pavarësisht atyre 150.000 të tjerëve që kanë braktisur Kosovën – një e treta e popullsisë serbe e krahinës, serbët vazhdonin të përbënin gati gjysmën e popullatës të rajonit në atë vit të paharruar 1912.
.
. Çfarë mund të nxjerrim si përfundim nga vështrimi serb i historisë së Kosovës gjatë periudhës otomane ?
.
. Primo, që prej kohësh që s’mbahen mend, jeta e përditshme e krahinës është vulosur nga antagonizmat mes shqiptarëve dhe serbëve, dy përbërëset kryesore etnike të vendit.
. Secundo, dhuna e lindur nga kjo kontradiktë jetësore shkon gjithmonë me sens të vetëm – ushtrohet nga shqiptarët dhe godet serbët.
. Tercio, në origjinë të dhunës dhe të përplasjes qëndron elementi fetar – Islamizmi kundër Krishtërimit – dhe megjithë gjendjen e tyre prej pakice, shqiptarët kanë mundur të bëjnë ligjin falë bashkëfajësisë otomane.
. Quarto, duke ngulmuar kaq tepër dhe kaq gjatë, kjo pakicë pothuaj e papërfillshme në fillimet e saj mundi së fundi të përmbysë raportin e forcave në fillim të shekullit të XXtë, duke siguruar në këtë mënyrë avantazhet e saj administrative si edhe duke shtënë në dorë pronësinë mbi tokën.
.
. Kjo mënyrë arsyetimi përputhet keq me një realitet tjetër, atë të marrëdhënieve të fqinjësisë të shqiptarëve me popujt e tjerë rreth e qark, për shembull me grekët. Cila është ajo gjëja e veçantë e Kosovës që ka mundur të tërheqë në këtë mënyrë lakminë e shqiptarëve ndërkohë që krejt dukshëm, ata nuk interesohen për zonat fqinje të Greqisë kontinentale ose të thellësisë së Maqedonisë ? Përse këta myslimanë të thekur shfrehen në këtë mënyrë mbi ata serbët « e gjorë » ortodoksë, ndërkohë që bashkëjetojnë pa asnjë problem me ortodoksë të tjerë si brenda vendit të tyre ashtu edhe në zonat fqinje të Greqisë ? Ja edhe një enigmë tjetër që nuk merr përgjigje..
.
. Tempoja që ndjek është ajo e shpresës – Rimëkëmbja. Do të kishim menduar që meqënëse Mbretëria e Serbëve dhe të tjerëve Kroatë mundi të shtjerë në dorë Jeruzalemin e saj – meqënëse kjo « drejtësi » mundi të përmbushej si në rrafshin njerëzor, ashtu edhe në rrafshin historik ose qiellor – punët do të shkonin drejt përmirësimit. Ndodh krejtësisht e kundërta pasi në lidhje me Kosovën, kombi serb me sa duket është dënuar të vuajë « mallkimin » deri në fund. Së pari, atij i kish rënë për hise një provë e tmerrshme : Lufta e Parë botërore si edhe shpartallimi i plotë i strukturave të tij. Sigurisht, bashkësia serbe e Kosovës, tashmë e çliruar, vuajti sikundër edhe pjesa tjetër e serbëve dhe përllogaritja e atyre 250.000 të viktimave ushtarake dhe civile përfshin edhe ato të vetat. Ndoshta kjo luftë e përbotshme është edhe shkaktarja e përmbysjes përfundimtare të raportit etnik të krahinës ? Për serbët, kjo e vërtetë s’mund të vihet në dyshim. Sidoqoftë, komprometimi i raportit tashmë është përfundimtar ; asnjë artificë administrative, asnjë ndërhyrje qoftë dhe e dhunshme nuk mund t’i ndrrojë kahjen.
.
. Që nga rivendosja e mbretërisë në mbarim të Luftës së Parë botërore dhe deri në vigjilje të Luftës së Dytë, pushteti i ri serb dhe më pas ai jugosllav është i detyruar t’a pranojë këtë gjendje dhe t’a integrojë në planet e tij. Pa ndërmarrë « punime të mëdha » në vend – reforma agrare do të jetë kantieri i vetëm – ai u mundua të përmbajë nacionalizmin shqiptar me anë të një logjike thjesht ushtarake. Rezultatet qenë të diskutueshme : sigurisht, u arrit shtypja e lëvizjes irredentiste të « kaçakëve » pa mundur të sigurohet « ripopullimi serb » i krahinës. Të kqyrur nga Evropa, ndoshta « shqiptarët nuk ishin fort të bashkuar » dhe që ata shprehnin « veçse herë mbas here një ndjenjë kombëtare të vërtetë » (16) ; sidoqoftë, që në vitin 1921, kosovarët shqiptarë ju drejtuan Shoqërisë së Kombeve me një peticion prej 72 faqesh, ku ishin renditur emrat dhe adresat e 12.371 viktimave të terrorit jugosllav sikundër dhe 20.000 të burgosurit që prej vitit 1918.
.
. Në vazhdim, rajoni dhe i gjithë vendi u nda në njësi të reja administrative – Banovinat. Kjo gjë kish avantazhin të zhdukte Kosovën e megjithatë, ata 500.000 shqiptarët etnikë të Mbretësisë së Jugosllavisë mbeteshin gjithmonë në vend. Kështu në vitin 1931, ata përbëjnë veçse 3.62% të popullsisë së mbretërisë - 150.062 vetë të përfshirë në banovinën Zetska, 48.300 në banovinën Moravska et përfundimisht 302.901 në banovinën Vardarska ; sidoqoftë, ata përbëjnë shumicën absolute në krahinën e tyre të Kosovës. Përballë këtij fakti, një ide e re fillon dhe hedh shtat : t’i heqim qafe këta shqiptarë, duke përdorur të gjitha mjetet. Kështu lind « monumenti më madhështor » i shovinizmit serbomadh, metoda Çubrilloviç, e cila parashikonte « dëbimin e Shqiptarëve » (17), në vigjilje të Luftës së Dytë botërore.
.
. Peripecitë e kësaj lufte janë tashmë fort të njohura. Mjafton të përmendet se, si pasojë e pushtimit italjan dhe e ndërhyrjes së Rajhut të IIItë, historianët serbë kanë kontabilizuar rreth 100.000 serbë të dëbuar nga krahina. Ata shkojnë edhe më larg duke nënvizuar faktin se ndërkohë, 75.000 deri 100.000 shqiptarë paskeshin braktisur Shqipërinë e tyre të lindjes për t’u instaluar në Kosovë. Të tjerë « vëzhgues » jugosllavë hezitojnë diçka më tepër : sipas këtyre të fundit, numri i shqiptarëve të vendosur gjatë luftës në Kosovë luhatet nga 15.000 në 300.000 – pra në rasti më të mirë, një e katërta e popullsisë së Shqipërisë fqinje kish marrë rrugën e « tokës së premtuar » të Kosovës.
.
. Lëvizja e fundit quhet Komuniste. Një pjesë fort e madhe e popullsisë në vend e njeh mirë pasi e ka jetuar. E megjithatë nuk mungojnë përpjekjet për të bindur njerëzit që gjatë periudhën së dashurisë të sinqertë Hoxha – Tito, një valë e re shqiptarësh u nis nga vendi i tyre i lindjes për të përmbytur Kosovën : 40.000 vetë sipas më të kujdesshmëve, nga 200,000 në 240,000 sipas më të zellshmëve (18). Ai që ka dëshirë mund të shtrojë pyetjen : si ka mundur kjo Shqipëri e habitshme komuniste që brenda një dhjetëvjeçari
.
. - T’i ketë « dhuruar » 100.000 deri 300.000 vetë Kosovës fqinje gjatë viteve të pushtimit nazifashist ;
.
. - të ketë humbur 30.000 të vrarë gjatë luftës ;
.
. - të ketë lejuar largimin e rreth 10.000 vetëve të tjerë që kundërshtonin rregjimin komunist ;
.
. - të ketë masakruar 30.000 vetë të tjerë mes ballistëve dhe « armiqve të popullit » ;
.
. - të ketë « kontribuar » rishtas menjëherë pas lufte ndaj çështjes kosovare me 40.000 vetë, për të mos thënë 200.000 nga ata që i kishin mbetur.
.
. Nga ana e një vendi që numëronte vetëm 1.200.000 banorë në vitin 1939 – megjithë ato kapacitetet e tij riprodhuese të pabesueshme, aq të çmuara nga ana e serbëve – kjo gjë mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet një mrekullie.
.
. -----------------------------------------
.
.
. (1) Ndërkohë në tetor 1985, një peticion i nënshkruar nga 2.000 serbë dhe malazezë të Kosovo Poljes ju ishte drejtuar autoriteteve të Beogradit për të dënuar dhunën që ushtrohej ndaj tyre. Viktima të një « gjenocidi » të ushtruar nga « fashistët shqiptarë », ata lypnin ndërhyrjen e instancave më të larta të Shtetit si dhe përmbushjen e kërkesave të tyre – njâ pesëmbëdhjetë të tilla. Në janar të vitit 1986, mbi 200 intelektualë dhe personalitete serbe bënë të njejtën gjë : nëpërmjet një peticioni, ata mbronin pozitat e serbëve dhe malazezëve të Kosovës. Në prill 1986, arrstimi i dy prej iniciatorëve të peticionit të Kosovo Poljes provokoi një manifestim të disa mijra vetëve. Vitin në vazhdim, incidente të reja dhe manifestime të tjera u përsëritën në Kosovë, gjë e cila shtyu më në fund udhëheqësit e LKJ të ndërhyjnë.
.
. (2) Që prej 1979 – 1980, vendi përjetonte një frenim të rritjes së prodhimit shoqëror (një mesatare vjetore prej 0,7 % gjatë periudhës 1980 – 1985), një inflacion galopant (79,5% në 1985, 92% në 1986, 167,3% në 1987 dhe mbi 250% në 1988), një borxh të jashtëm tepër të rëndë (20 miliardë dollarë) dhe një papunësi endemike (mbi një milionë vetë të papunë). Në 1987, shkalla e papunësisë arriti në 15,8% në nivelin e vendit. Në Serbi kjo shifër ishte 17,6% ndërkohë që në Kosovë situata ishte e dëshpëruar me 55,8% të popullsisë të papunë. Kjo krizë nuk mundi të përmirësohet megjithë adoptimin e një programi të stabilizimit ekonomik, elementët e parë të të cilit u vunë në jetë qysh në vitin 1982. Si pasojë, vendi njohu një rritje të paparë të numrit të grevave të klasës puntore në vitin 1987 dhe 1988. Shih : Yves TOMIC - Slobodan Milosevic et la mutation de la Ligue des communistes de Serbie, du communisme au nationalisme populiste, 1986-1989 L'Autre Europe, n°34-35, mars 1997.
.
. (3) Sipas burimeve zyrtare, përleshjet e marsit 1989 shkaktuan 24 të vrarë dhe disa qindra të plagosur. Të tjera burime jozyrtare përmendën disa qindra të vrarë (200 në mos më tepër) ; mes mijra të arrestuarve, 800 vetë u dënuan me masa të ndryshme burgimi. Shih : Ibrahim RUGOVA - -La question du Kosovo, (entretiens avec Marie-Françoise ALLAIN et Xavier GALMICHE), Editions Fayard, Paris 1994.
.
. (4) E çara në sistemin kushtetues, e provokuar nga vendimi i njëanshëm i Asamblesë popullore serbe i 28 marsit të vitit 1989 për të ndryshuar statusin e Kosovës, provokoi një varg reaksionesh zinxhir në të gjitha nivelet e Federatës jugosllave. Kështu, në 8 prill 1990, u organizuan zgjedhjet në Slloveni të ndjekura nga deklarata e pavarësisë së ish-republikës. Në dhjetor të të njejtit vit, një referendum popullor vuloste këtë deklaratë dhe e shëndrronte në një fakt të kryer. Kroacia i shkoi pasfqinjit të saj slloven, duke organizuar zgjedhje të lira në 22 prill dhe 6 maj 1990. Franjo Tuxhman, i zgjedhur President i Republikës së re kroate, deklaroi në 25 qershor, « ndarjen » e vendit të tij nga Federata. Në 25 janar 1991, i erdhi rradha parlamentit maqedon të shpallte pavarësinë e vendit dhe të drejtën e tij të shkëputjes. Presidenti i ri Kiro Gligorov organizoi një referendum në shtator 1991 dhe në 17 shtator, Maqedonia u shpall e pavarur. Pa dyshim, rasti i Bosnjë- Herzegovinës ishte më i ndërlikuari, për shkak të raporteve jo të kjarta mes popullsive serbe, kroate dhe myslimane : në qershor të vitit 1991, gjashtë zonat e kufizuara serbe të Bosnjes shpallën pavarësinë e tyre, të ndjekura nga një deklaratë e sovranitetit nga ana e koalicionit nacionalist mysliman në Parlamentin boshnjak. Këto qëndrime shkaktuan dhe fillimin e përplasjeve të armatosura në dhjetor mes kroatëve që kërkonin bashkimin e tyre me Kroacinë, myslimanëve që dëshironin pavarësinë dhe serbëve që kërkonin qëndrimin në gjirin e Federatës.
.
. (5) Mbi 3.000 vetë manifestuan në Prishtinë dhe po aq në Ferizaj, ndërkohë që në Podujevë pati shkëmbime me armë zjarri mes manifestuesve dhe forcave të policisë, që shkaktuan një numër viktimash. Minatorët e Trepçës, pasi kishin organizuar një marrshim proteste prej 40 kilometrash deri në Prishtinë, u barrikaduan në galeritë e minierës dhe filluan një grevë urie. Shih : Noel MALCOLM – Kosovë, një histori e shkurtër (Kosovo, a short story), Ed. Koha, Prishtinë, 1998.
.
. (6) Në këtë nivel, debati do të prekë dy grupet kryesore etnike të krahinës, atë shqiptar dhe serbo-malazez nga momenti që së bashku, ata përfaqsojnë rreth 95% të popullsisë së përgjithshme. Mbetja përbëhet nga një panel pakicash të një rëndësie të vogël (myslimanë, romë, turq, kroatë dhe jugosllavë).
.
. (7) Megjithatë, në lidhje me Kosovën statistikat asnjëherë nuk kanë mundur të krijojnë unanimitetin e vëzhguesve – edhe sikur të jenë përpunuar dhe botuar nga autoritetet jugosllave ose serbe. Kështu, sipas Bardos-Feltoronyi, jo vetëm që Kosova në parim i takon gjithmonë Serbisë por popullsia shqiptare përbën shumicën që prej pak kohësh : të nesërmen e luftës së dytë botërore 1939 – 1945, popullata e krahinës ishte gjysëm serbe gjysëm shqiptare. Ekuilibri i brishtë mundi të përmbyset vetëm si pasojë e rritjes shumë të shpejtë demografike të shqiptarëve si dhe e largimit pak a shumë spontan të serbëve drejt krahinave më të pasura të Jugosllavisë. Pak kohë përpara bombardimeve të vitit 1999 – por duke marrë parasysh edhe rrefugjatëve serbë të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja – shqiptarët nuk duhej të përbënin më tepër se 65% të popullsisë ndërkohë që serbët ishin aty rreth 10%. Pjesa tjetër përbëhej nga romët (15%) dhe minoriteteve të tjera (10%). Shih : Nicolas BARDOS–FELTORONYI – La question albanaise est-elle à nouveau balkanisée ? në: De la question albanaise au Kosovo (De Waele J.-M. & Gjeloshaj K. sous la dir.), Ed. Complexe, 1999.
. Nga ana tjetër, sipas opinionit të gjeografit Roux, Kosova popullohej nga një shumicë shqiptare që prej vitit 1913. Shih : Michel ROUX - Le calme trompeur du Kosovo, Në: RUPNIK Jacques (sous la dir.) – Les Balkans, paysage après la bataille, Éditions Complexe, Paris 1996.
.
. (8) Dušan T. BATAKOVIĆ – The Serbo-Albanian Conflict: A Historical Perspective.
.
. (9) Dimitrije BOGDANOVIC - The Kosovo question, past and present, Serbian Academy of Sciences and Art, Monographs, Vol DLXVI, Beograd 1995.
.
. (10) Alain DUCELLIER - L’Albanie entre Byzance et Venise X - XV siècle. London, Variorum reprints 1967.
.
. (11) Dimitrije BOGDANOVIC – Ibidem.
.
. (12) Shih : Milos MACURA Ed. - The Migration of Serbs and Montenegrins from Kosovo and Metohija, Serbian Academy of Sciences and Arts, Belgrade 1992, sikundër dhe : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH - The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984.
.
. (13) Selami PULAHA - On the Autochthony of Albanians in Kosova and the Postulate of the Massive Serb Migration at the end of the XVIIth Century, International Journal of Albanian Studies (IJAS), Vol 1, fall 2, New York, 1997.
.
. (14) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (15) Ndërkohë, Garde kujton se që në vitin 1838, vlerësimet e bëra tregojnë mbizotërimin numerik të shqiptarëve në krahinën e Kosovës (58% e popullatës). Shih : Paul GARDE – Vie et mort de la Yougoslavie, Ed. Fayard, Paris 1992.
.
. (16) Isaiah BOWMAN – Le monde nouveau, Payot, Paris, 1928.
.
. (17) Ja edhe disa receta, të përgatitura nga Çubrilloviç me qëllim që të përshpejtonte largimin e shqiptarëve nga Kosova : « Në qoftë se pranojmë se shtyrja tutje e Shqiptarëve nëpërmjet kolonizimit tonë është pa efekt, nuk mbetet gjë tjetër veçse një rrugë e vetme, largimin e tyre në masë. Për këtë qëllim, janë menduar dy vende : Shqipëria dhe Turqia.. Për të realizuar një transferim në masë, kushti im i parë është përgatitja e një psikoze të përshtatshme : para së gjithash na duhet të fitojmë besimin e fetarëve të tyre… të gjenden sa më shpejt agjitatorët që duhet të bëjnë propagandë lidhur me largimin… Një mënyrë tjetër është shtrëngimi i ushtruar nga ana e aparatit të shtetit në mënyrë që t’ju bëjë Shqiptarëve jetën e padurueshme : gjoba, burgosje, përdorim i rreptë i të gjitha dispozitave të policisë, dënim i çdo lloj kontrabande, i shpyllëzimeve, i shkeljeve… detyrim i një numri sa më të madh të njerëzve ndaj angarive, mosnjohje e titujve të pronësisë, mbledhje e pamëshirshme e taksave dhe shlyerje me detyrim i të gjitha borxheve publike ose private ; rimarrja e të gjitha kullotave të Shtetit dhe të komunave, mbledhja e liçencave të ushtrimit të zanateve, shkarkimi i funksionarëve të shtetit, i nëpunësve privatë dhe komunalë. Më tej, prishja e mureve dhe e rrethimeve të shtëpive, aplikimi me rreptësi i masave veterinare… Meqënëse Shqiptarët janë tepër të ndjeshëm në çështjet fetare, duhet gjithashtu t’i prekim në këtë pikë : duke persekutuar fetarët, duke shkatërruar varrezat, duke ndaluar poligaminë, duke zbatuar në mënyrë të pamëshirshme ligjin e çuarjes me detyrim të vajzave në shkollën fillore. Përfundimisht, mund edhe të ndezim trazira lokale që më tej të shtypen në gjak me mjetet sa më efikase. Mbetet në fund edhe një mjet i vetëm, të cilën Serbia e ka përdorur në mënyrë tepër efikase që prej vitit 1878 dhe që i takon vënies së zjarrit fshehurazi nëpër fshatra si dhe nëpër lagjet shqiptare të qyteteve.. » Shih mbi këtë çështje : Mirko GRMEK, Marc GJIDARA, Neven SIMAC– Le nettoyage ethnique, documents historiques sur une idéologie serbe. Éd. Fayard, Paris 1993.
.
. (18) Në kundërshtim me pohimet serbe, burimet kosovare janë shumë më të rezervuara : duke cituar anketa të kryera nga ana e autoriteteve federale jugosllave, ata nënënvizojnë që gjatë periudhës në fjalë, krahina ka pritur 1.543 vetë të ardhur nga Shqipëria, nga të cilët 704 ndodheshin gjithmonë në vend, në vitin 1981. Shih : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH - The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984 sikundrër dhe : H. ISLAMI - Kosova dhe shqiptarët - çështje demografike (Kosova et les Albanais - questions démographiques), Prishtina 1990.

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, February 19, 2008

Kosovë mon amour (2) - Nën hijen e « Vllazërim-Bashkimit ».

. (Shkrimi i mëposhtëm është i dyti i serisë prej 8 shkrimesh që trajtojnë ecurinë e Kosovës gjatë periudhës 1945 - 2007)
.
.
.
. Mbetej sidoqoftë një rrugë e hapur për t’i bërë ballë problemit të pazgjidhur të zhvillimit ekonomik si edhe pasojave të pashmangshme shoqërore : kurbeti. Falë një marrëveshjeje të re të nënshkruar ndërmjet Federatës jugosllave dhe Turqisë, një numër i madh myslimanësh « u ftua » të merrte rrugën drejt vendit « të origjinës ». Burimet jozyrtare flasin për 246.000 myslimanë që braktisën Jugosllavinë ndërmjet viteve 1945 dhe 1966, mes të cilëve rreth 100.000 nga Kosova. Rregjistrimet e popullsisë të zhvilluara në 1948 dhe 1951 lejojnë të shihet një rritje e paparë e numrit të njerëzve që e deklarojnë vetvehten « turq » ; vetëm në Maqedoni, nga 95.940 të tillë të rregjistruar në vitin 1948, tre vjet më vonë numri i këtyre turqve të fshehur shkon në 203.000 vetë.
.
. Nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e tyre s’ishin gjë tjetër veçse shqiptarë që e jetonin fort keq gjendjen e tyre prej pakice ose që s’mund të duronin më gjendjen e tyre edhe më të vështirë ekonomike. Diferenca e nuancës mes turqve « të gënjeshtërt » dhe shqiptarëve « të vërtetë » nuk duket të ketë shqetësuar tej mase administratën titiste pasi në sytë e saj si në njerin rast dhe në tjetrin bëhej fjalë për myslimanë të bindur. Ndërkohë, si pasojë e papunësisë të pashembullt prej 70% që prekte popullsinë me origjinë shqiptare të Kosovës, një numër ende më i madh zgjodhi kurbetin klasik me motive ekonomike, drejtimet tradicionale të të cilit ishin Gjermania dhe Zvicra (1).
. Pak nga pak, diaspora e bollshme perëndimore u bë një faktor i dorës së parë, së pari në rrafshin ekonomik dhe më pas në atë politik. Në origjinën e tyre, hyrjet e vazhdueshme dhe të rregullta të devizës së huaj të fortë shërbyen për të rrafshuar diferencën e ndjeshme të të ardhurave lokale në krahasim me republikat e tjera pasi qëllimi i tyre kryesor ishte pikërisht përmirësimi i jetesës së përditshme. Më tej në praktikën e zakonshme, markat gjermane dhe frangat zvicerane bënë që të zbulohen horizonte të reja, ai i shitoreve dhe i shërbimeve, ndërkohë që sasi të mëdha devize investoheshin drejt blerjes së tokave dhe në ndërtimin e shtëpive. Kjo gjë jo vetëm i dhuroi një shkallë më tepër lirie popullatës shqiptare lidhur me kompozanten serbe e cila duhej të organizonte jetën veç me anë të rrogave, por edhe dobësoi gjithnjë e më tepër vartësinë e saj nga pushteti qendror (2), duke thelluar diferencimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo dikotomi ndërmjet trajektores ekonomike të imponuar nga pushteti me atë të zgjedhur prej grupit, mes logjikës shoqërore individuale dhe asaj bashkësiore – e kqyrur në kontekstin ku konceptet shumicë/pakicë ushqehen nga një paqartësi e natyrës ideologjike, shërben si terren i përshtashëm për kërkesa të ardhshme të natyrës politike.
.
. Nga mesi i viteve 60, Jugosllavia kaloi rishtas një periudhë mjaft të vështirë. Kësaj rradhe, në thelb të krizës së re ishte « rreziku » nacionalist që shprehej nëpërmjet vënies nën kontrollin serb të aparateve shtetërore, të ushtrisë dhe të partisë. Edhe një herë u desh ndërhyrja e Titos për të mbyllur këtë kapitull të ri të luftës mes fraksioneve nacionaliste në gjirin e pushtetit : gjatë pleniumit të Brionit të vitit 1966, kryetari i partisë serbe Aleksandër Rankoviç u vu në bankën e të akuzuarve dhe u përjashtua nga Byroja politike ndërkohë që u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i Zv-Kryeministrit dhe i ministrit të Punëve të brendshme (3). Duke përfituar nga situata e krijuar, intelektualët e Zagrebit kërkuan publikisht njohjen zyrtare të gjuhës së shkruar kroate. Kërkesa acaroi thellësisht qarqet serbe të Beogradit që e interpretuan si një mesazh të hapur që synonte autonominë e plotë të Republikës së Kroacisë dhe si zakonisht çështja u shtrua përpara Titos. Duke e gjetur të drejtë pretendimin e Zagrebit, ai i hapi rrugën zgjerimit të kompetencave të njësive federale (4). . Gjatë periudhës 1967 – 1968 u aprovuan një varg amendamentesh kushtetues të cilat rrisnin në mënyrë të dukshme autonominë e republikave të federuara. Në vijim, Lidhja Komuniste jugosllave (LKJ) adoptoi një program të ri të decentralizimit administrativ dhe partijak i cili parashikonte mes të tjerash raporte barazie mes republikave dhe krahinave autonome në rrafshin federal sikundër dhe inkurajimin e e identitetit të përveçëm etnik. Kështu, topi kish mbetur në fushën e kosovarëve të cilët pushtuar rrugët dhe sheshet e Prishtinës në 27 nëntor të vitit 1968 me parrullat « Jo kolonizimit të Kosovës »si edhe « Ne duam Republikën ». Ndërkohë që njësitet e ushtrisë federale dhe tanket vinin nën kontroll kryeqytetin krahinor dhe ndërhynin për të shpërndarë manifestuesit, manifestime të ngjashme shpërthenin në Shkup të Maqedonisë dhe detyronin drejtuesit e kësaj republike t’u njihnin shqiptarëve të kësaj pjese të Jugosllavisë disa të drejta. Një fllad i ri frynte tashmë në Prishtinë, ai i konçesioneve ndaj shqiptarëve të krahinës. Më i rëndësishmi nga të gjithë këto konçesione ishte pa dyshim përcaktimi i ri i Kosovës si « njësi politiko-shoqërore », i njëjti përcaktim që përdorej për republikat e tjera të Federatës. Në këtë mënyrë, Kosova vihej në të njëjtin rang – ose pothuaj në të njejtin rang – në mes të korales jugosllave, duke ruajtur sidoqoftë obligimet e saj origjinale ndaj Republikës së Serbisë. Konsideratat e përsëritura të Titos lidhur me « barazinë e vërtetë » të shqiptarëve me përbërësit e tjerë etnikë kushtetues shërbyen si nxitës të aspiratave lokale lidhur me mundësinë e vetme që ofronte realiteti i asaj kohe : Kosova - Republikë.
.
. Duke e përjashtuar me këmbëngulje idenë e republikës, gjatë periudhës 1969 – 1971, pushteti qëndror aprovoi një varg amendamentesh dhe dekretesh, që deri diku zyrtarizonin dëshirën e kosovarëve. Sipas kësaj suaze ligjore u parashikua krijimi i një sistemi gjyqësor të përveçëm për krahinën, pushtete gjithnjë e më të gjera autonomiste për administratën lokale, barazia në rrafshin lokal të gjuhëve serbo-kroate, shqip dhe turqisht sikundër dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës. Për herë të parë në historinë e tyre të përbashkët me serbët, kosovarët kishin të drejtë të përdornin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, të ngrinin flamurin e tyre kombëtar në fasadë të ndërtesave publike. Një fllad i ri frynte gjithashtu edhe në marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Pa bërë asnjë lëshim të principtë në politikat e tyre reciproke, të dy vendet kishin mundur të gjenin një gjuhë të përbashkët drejt zhvillimit të transportit dhe të tregëtisë, ndërkohë që me dhjetra profesorë dhe të tjerë pedagogë të Universitetit të Tiranës morrën rrugën për të siguruar mësimet në Universitetin e porsakrijuar të Prishtinës. Një vatër e vërtetë e rilindjes kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët – një uzinë e vërtetë që shërbente për të fabrikuar masën kritike të gjysëm-intelektualëve dhe të studentëve të pakënaqur sipas serbëve, ky institucion në vitet e tij të lulëzimit paraqiste një numër mbresëlënës të të rregjistruarve : pothuaj 30.000 studentë (45.000 sipas burimeve shqiptare të krahinës), nga të cilët 72% me origjinë etnike shqiptare.
.
. Në vitin 1974, lobi slloveno-kroat i pushtetit qendror hodhi një hap të ri tejet të rëndësishëm për të ardhmen e Federatës. Në kuadrin e forcimit të strukturave federale të Shtetit jugosllav, ai vendosi dhe realizoi një zgjerim të kompetencave kushtetuese të Republikave, duke krijuar me këtë rast Krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës, nën tutelën e Serbisë. Përveç atij përfaqsuesit të saj të përhershëm në gjirin e Presidencës të Federatës, Kosova tashmë fitonte të drejtën të krijonte qeverinë e saj krahinore, Kuvendin krahinor për të mos thënë Parlamentin e saj, Këshillin Egzekutiv si edhe Gjykatën e saj Supreme. Krahina autonome pajisej me këtë rast edhe me një Kushtetutë të saj lokale, prerogativat kryesore të të cilës i hapnin udhën zgjerimit të kompetencave dhe të drejtave në një varg fushash tepër të rëndësishme që preknin ekonominë ose arsimin dhe kulturën dhe që shkonin deri në elementët e politikës së jashtme, që në tërësinë e tyre shëndrroheshin në kompetenca dhe prerogativa të të njejtit rang si ato të republikës. Entusiazmi kosovar i këtyre viteve u kqyr me një sy tepër kritik nga ana e qarqeve serbe të Beogradit, të cilat në mënyra të ndryshme manifestuan vuajtjen e tyre të thellë shpirtërore ndaj formave të lirisë politike dhe të fjalës që çfaqeshin në Prishtinë. Këto qarqe nuk munguan t’i interpretojnë si një formë të fshehur të revanshit kroat që nëpërmjet këtyre « dhuratave » të natyrës kushtetuese dhe politike i çelte rrugën përpjekjeve separatiste dhe qendërikëse të shqiptarëve.
.
. Ashtu siç mund të pritej, rritja e kompetencave dhe të të drejtave sikundër dhe marrja në dorë e levave administrative të drejtimit të pushtetit nga ana e një ekipi lokal, i përbërë kryesisht nga kuadro me origjinë shqiptare, lejoi që të konstatohet shtrirja e katastrofës ekonomike në të cilën ishte zhytur krahina. Njëhohësisht, doli në pah edhe shkalla e ndërlikimit të problemeve shoqërore, sikundër dhe kufijtë e fushës së veprimit. Edhe analiza më e përciptë ishte në gjendje të zbulonte atë realitet të prekshëm të një krahine të reduktuar në një prodhues të thjeshtë të lëndëve të para për republikat e tjera ndërkohë që jeta ekonomike e saj mbahej gjallë falë subvencioneve të shtetit (5), pa folur më tej për peshën shtypëse të një burokracie pletorike që përbënte një të katërtën e të gjithë rrogëtarëve të krahinës. Thjesht, krahina e Kosovës zinte vendin e fundit mes antarëve të Federatës jugosllave. Përveç çekuilibrit të thellë ekonomik, të trashëguar nga e kaluara dhe të thelluar nga politika e dy dhjetëvjeçarëve të parë të Republikës Federative Socialiste, krahina vuante pasojat e një demografie të çfenuar që keqësonte edhe më tepër gjendjen tepër të vështirë të tregut të punës, duke patur si sfond kontrastet dhe dallimet e thella mes botës rurale dhe qytetëse sikundër dhe çfaqjet e qëndrueshme dhe të thella të urrejtjes ndëretnike. Mbipopullimi i fshatit shtynte popullsinë dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë drejt qyteteve dhe jashtë vendit në kërkim të një pune dhe të kushteve sa më të mira të jetesës, duke krijuar me këtë rast edhe probleme të panumërta të natyrës urbanistike. Një sy edhe më i vëmendshëm mund të dallonte mungesën e një demokracie të vërtetë, fenomen ky i përgjithshëm për çdo vend komunist, sidoqoftë i thelluar nga veprimtaria aktive e një aparati shtypës, gjithmonë i gatshëm për të ndërhyrë dhe ndëshkuar çdo shmangie nga mendimi zyrtar ose së fundi për të përndjekur armiqtë e socializmit, në rradhët e të cilit përfshiheshin edhe partizanët nacionalistë të « Shqipërisë së Madhe » (6).
.
. Sigurisht, brenda një kohe të shkurtër, krahina autonome kish realizuar arritje të padyshimta në fusha të ndryshme që shkonin nga politika në arsim, duke kaluar nga kultura ; veçse, përmirësimi i kushteve ekonomike nuk mund të matej as me numrin e shkollave në gjuhën shqipe as edhe me numrin e gazetave, të revistave ose të tjerë institute historie. Të gjitha dëshmitë e emancipimit, provat e vetënjohjes, shprehjet e arritjeve – që rridhnin nga fakti që Kosova zotëronte rangun e një Krahine autonome, i shërbenin në rradhë të parë klasës politike lokale, përfaqsuesit më të shquar të të cilës ishin kooptuar në sferat më të larta të jetës politike federale sikundër dhe intelektualëve kosovarë shqipfolës, tashmë të lirë për të shprehur ndjenjat e tyre letrare ose historike. I shëndrruar në zot të fateve të veta, ky brez intelektualësh – kjo inteligentsia qytetëse, e hapur dhe kozmopolite - i detyrohej thellësisht Titos, i cili e kish angazhuar nga pikpamja politike dhe e kish përgjegjësuar nga ana ekonomike, duke i besuar ushtrimin e pushtetit si dhe përdorimin e fondeve të ndihmave dhe të zhvillimit. Situata ishte krejt e ndryshme për parinë rurale, e cila të gjithë forcën e saj e merrte nga lidhjet e klientelës dhe të rrjetave ndërfamiljare. Besnike ndaj bindjeve të tyre antikomuniste dhe nacionaliste, të farkëtuara në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kjo pari kish mbetur thellësisht mosbesuese ndaj të gjithë pushteteve lokalë dhe qëndrorë dhe bënte thirrje për një rikthim drejt vlerave tradicionale të shoqërisë kosovare sikundër lidhja me pronën tokësore, me Islamin, me forcën e familjes së bashkuar ose dhe rezistencën ndaj serbëve.
. Ky diferencim i parë në gjirin e shoqërisë kosovare, kjo thyerje mes zotërve të rinj të qyteteve dhe parisë së fshatit la gjurmë të thella mbi rininë kosovare e cila fiksoi elementët më të rëndësishëm të këtij antagonizmi : hapja intelektuale dhe shpirtërore e të parëve ndaj arsimit dhe dijes e shtyu masivisht drejt Universitetit të Prishtinës ku ajo u radikalizua thellësisht, duke adoptuar me këtë rast qëndrimin mospërfillës dhe përbuzës ndaj autoriteteve si edhe nacionalizmin e të dytëve.
.
. Pasi i kish kaluar të tetëdhjetat dhe me shëndet të brishtë, Tito ish në apogje të pushtetit të tij : udhëheqës i padiskutueshëm në vendin e vet, figurë e madhe e komunizmit botëror, mbajtës i aureolës së njërit prej themeluesve të lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Nëpërmjet një loje tepër të hollë me qarqet e pushtetit, duke administruar me aftësi të veçantë pastrimet dhe premtimet, shtypjen dhe lëshimet, ai kish realizuar synimin e tij, në pamje të parë krejt të pamundur : të fitonte luftën çlirimtare dhe të merte pushtetin, të çante rrugën e tij origjinale drejt socializmit, të ndërtonte një shtet federal të njohur dhe të respektuar nga bota mbarë. Ai kish mundur të realizonte gjithçka kish menduar dhe ndërmarrë, përveç asaj ëndrre që kish rrëfyer në atë vit të largët 1952 :
.
. … dëshiroj të jetoj për të parë atë ditë kur Jugosllavia do të jetë amalgamuar në një bashkësi unike – jo vetëm në një bashkësi në kuptimin ligjor të fjalës, por në një bashkësi reale dhe të gjallë në gjirin e një kombi jugosllav, një e të vetëm. Ja kush është edhe aspirata ime…
.
. Në rolin e një ngadhënjyesi dhe të një krijuesi të vërtetë ai kish mundur të thyejë maqinën e vjetër mbretërore dhe të varrosë elementin e saj aktiv – shovinizmin e vjetër serbomadh ; duke ndjekur idealin e tij komunist, ai kish ngritur një aleancë të re të popujve jugosllavë mbi një bazë barazie ; në përputhje me bindjet e tij reformuese, ai e kish pajisur me një model ekonomik dhe zhvillimi të shpikur po nga ai vetë – vetëadministrimin. Por, nëpërmjet kultivimit të diferencave të përbërësve etnikë të kësaj familjeje jugosllave, nëpërmjet zbatimit të politikave thellësisht pragmatike, Tito arriti të krijojë njëkohësisht një ansambël laragan, ku kontrastet në nivelin e jetesës dhe shkallët e ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe kulturor zgjuan reflekset qendërikëse, ringjallën demonët e vjetër ballkanikë. Vetëm personaliteti dhe karizma e tij përbënin gurin e qemerit të kësaj strukture oligarqike, siguronin mbijetesën e shtëpisë së përbashkët jugosllave, e krisur nga të gjitha anët nga pesha e nacionalizmave të rinj, të cilët ai vetë i kish zbutur dhe ndërsyer ndaj njeri tjetrit kur ishte paraqitur nevoja. Josip Brozi i mbiquajtur Tito mbylli sytë në 4 maj të vitit 1980, në moshën 88 vjeç, pas një sëmundjeje të gjatë dhe tepër të mundimshme.
.
. Në mars të vitit 1981, në Kosovë shpërthyen trazira të përgjakshme studentore në një sfond varfërie (7), të mjerimit ekonomik, të papunësisë dhe të mërive etnike dhe fetare. Tanket e ushtrisë popullore jugosllave pushtuan rishtas rrugët dhe sheshet e Prishtinës ndërkohë që qeveria federale dërgonte trupat e saj të armatosura për të rivendosur rendin. Zyrtarisht, manifestimet kishin shkaktuar 11 të vrarë. Burime të tjera, kësaj rradhe shqiptare, bënin fjalë për qindra viktima. Si përfundim, numri i të arrestuarve llogaritej në disa mijra vetë mes të cilëve gati një mijë u dënua me burgime të rënda. Lidhja Komuniste ndërhyri menjëherë për të dënuar manifestimet duke i cilësuar si « kundërrevolucionare dhe irredentiste ». Gradualisht, një fushatë e tërë pastrimesh preku mjediset politike dhe më pas, Lidhja Komuniste kreu një pastrim fund e krye të rradhëve krahinore. Ky proces, i njohur nën emrin e « diferencimit » mundësoi dëbimin e ekipit të vjetër udhëheqës të Krahinës. Kështu u zhdukën nga skena njëri pas tjetrit Xhavid Nimani, Presidenti i Këshillit krahinor dhe Mahmut Bakalli, padroni i Lidhjes për Kosovën, duke i lënë vendin një ekipi të ri kuadrosh të supozuara më elastike dhe më të përpunueshme, në rradhët e të cilit shkëlqente Azem Vllasi.
.
. Pak kohë më pas i erdhi rradha përfaqsuesve kosovarë në gjirin e instancave më të larta federale : Fadil Hoxhës ju desh të linte vendin në Presidencën kolektive jugosllave, antar i të cilës ai ishte që prej vitit 1984 ndërkohë që Sinan Hasani u shkarkua nga funksionet e tij të nën-Presidentit të Kuvendit federativ. Nën një presion të vazhdueshëm dhe të fuqishëm, Universiteti i Prishtinës u detyrua të rishikojë të gjitha programet e tij të historisë, të gjuhës dhe të lëndëve shoqërore dhe të zvogëlojë në mënyrë të ndjeshme kuotat e rezervuara ndaj studentëve me origjinë etnike shqiptare.
.
. Kriza e rëndë e fillimit të viteve tetëdhjetë si edhe mënyra radikale me të cilën Beogradi u mundua të verë rregullin në vend, ngjalli një konflikt të vjetër mes dy përbërsve kryesore të shoqërisë kosovare – shqiptare dhe serbo-malazeze. Duke përfituar nga situata e krijuar, serbët hapën në mënyrë publike debatin lidhur me ikjen e njerëzve të tyre që braktisnin masivisht Kosovën - një subjekt pothuaj tabu në të gjallë të Titos. Një varg i gjatë akuzash dhe kundërakuzash, i rikapur dhe i përsëritur në të gjitha nivelet, i dha mundësi kësaj « lufte kulturore » që të ndezë opinionin publik të Jugosllavisë mbarë. Kjo atmosferë eksplozive përshpejtoi edhe më tepër largimin e serbëve dhe të malazezëve nga Kosova, një tendencë e cila kish rënë në sy që prej fillimit të viteve gjashtëdhjetë. Ndërkohë që analizat e thelluara të deficitit demografik serb nxirrnin në pah lidhjen e ngushtë dhe komplekse mes faktorëve frenues të lindjeve me ato të karakterit ekonomik, kanalet qeveritare ngulnin këmbë mbi përmasat politike të problemit dhe vinin në plan të parë ndikimin e presionit të ushtruar nga ana e etnisë shqiptare. Sidoqoftë, faktet mbeteshin kokëforta : si njëra palë edhe tjetra kishin tendencë të largoheshin dhe të braktisnin Kosovën, por, të favorizuar nga një shkallë rritjeje demografike të popullsisë që mbetej një nga më të lartat e Evropës, kosovarët shqiptarë ishin duke u shëndrruar në një shumicë dërrmuese. Numri i personave me origjinë serbe dhe malazeze të larguar gjatë periudhës 1961 – 1981 vlerësohej rreth 80.000 deri 100.000 vetë, të cilit i duheshin shtuar edhe nja 60.000 të tjerë të larguar mes periudhës 1981 – 1991 ; nga pala shqiptare, rreth 45.000 kosovarë kishin braktisur krahinën vetëm gjatë periudhës 1971 – 1981.
.
. E magjepsur nga fantazma e nacionalizmit shqiptaromadh, qeveria serbe shumëfishoi përpjekjet për të përmbajtur lëvizjen politike lokale e cila përmblidhej tashmë në një parrullë të vetme : « Kosova - Republikë ». Një opinion publik i tërë në Serbi u përgatit për të mos thënë u manipulua nëpërmjet shtypit të Beogradit, i cili po mbytej nga rrëfimet dhe nga të ashtuquajturat fakte lidhur me presionet që pësonin serbët e krahinës : trembje, kërcënime, dhunë seksuale, vrasje, grabitje… Në terren, një bërthamë aktivistësh dhe militantësh të bashkësisë serbo-malazeze të Fushë Kosovës u organizua për të mbledhur nënshkrime për peticione sikundër në vitin 1985 ose për të organizuar manifestime publike si dhe marrshime proteste në vitin 1986, gjatë të cilave kërkohej me ngulm ndërhyrja e vendosur dhe urgjente e Republikës të Serbisë. Ndërkohë, një grup akademikësh të Beogradit, nën drejtimin e njërës prej figurave më në zë të jetës intelektuale serbe, shkrimtarit Dobrica Qosiç, u shpreh nëpërmjet një « Memorandumi » lidhur me shtrirjen e « gjenocidit » që godiste serbët e krahinës, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një strategjie afatgjatë të përpunuar nga mjediset nacionaliste shqiptare. Ky manifest i politikës së ardhshme të « Serbisë së Madhe » u ndoq me përpikmëri gjatë dekadës në vazhdim, gjatë konflikteve të përsëritura me natyrë etnike që tronditën fund e krye Republikat e ish-Jugosllavisë.
.
. ----------------------------------
.
.
. (1) Në fillim të viteve 90, përgjegjësit t LDK mbështesin idenë se 350.000 kosovarë jetonin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës : gati 100.000 në Gjermani, 120.000 në Zvicër, 40.000 në Belgjikë, rreth 60.000 në vendet skandinave dhe 20.000 në Austri. Përpara fillimit të bombardimeve ajrore nga ana e vendeve të NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviçit, të tjera burime jozyrtare shqiptare të krahinës e vlerësonin numrin e kosovarëve në Gjermani me rreth 400.000 vetë dhe atë në Zvicër me 200.000 të tjerë. Organizmat evropianë si Këshilli evropian për Rrefugjatët dhe Azilantët (CERE) ose organizmat e Emigracionit të vendeve antarë tregohen diçka më të rezervuar : sipas tyre, gjithmonë para shpërthimi të konfliktit në Kosovë, Gjermania strehonte rreth 300.000 kosovarë ndërkohë që në Zvicër numri i kosovarëve i tejkalonte 250.000 vetët. Shih mbi këtë subjekt : Bashkësia e dokumentave të difuzuara nga Organizata France Terre d’Asile, gjatë pritje së rrefugjatëve kosovarë në Francë, maj - korrik 1999.
.
. (2) James PETTIFER – Kosovo Economy and Society after 1945 – Some Observations, Conflict Studies Research Centre, G 103, January 2002.
.
. (3) Në qershor të vitit 1966, shërbimet e brendshme të partisë zbuluan rastësisht një numër mikrofonash sekretë në apartamentin personal të Titos. Hetimi i çështjes nxorri në dritë implikimin e drejpërdrejtë të Rankovoçit, sekretar i Shtetit për Punët e Brendshme gjatë periudhës 1945 – 1953 dhe President i Punëve të Brendshme gjatë periudhës 1953 – 1963, me fjalë të tjera padron i shërbimeve sekrete jugosllave, të njohura me inicialet UDB-a. Në korrik të vitit 1966, Rankovoçi u përjashtua nga rradhët e Byrosë Politike dhe u detyrua të japë dorëheqjen edhe nga postet qeveritare. Një hetim i thelluar mbi aktivitetin e tij vuri në pah një numër të madh shkeljesh të rënda të ligjit dhe shpërdorime të kompetencave shtetërore, që në mënyrë të vazhdueshme kishin prekur Republikën e Serbisë si edhe krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës.
.
. (4) Udhëheqësit komunistë kroatë recidivuan në vitin 1971, duke bërrë thirrje lidhur me sovranitetin e Kroacisë. Duke deklaruar me këtë rast se « nacionalizmi kroat është çmendur », i pashmangshmi Tito ndërhyri gjatë vitit në vazhdim për të dënuar rreptësisht « pranverën kroate » - në referencë të dukshme me « pranverën e Pragës » të vitit 1968. Sipas modelit të pastrimeve sovjetike në rradhët e udhëheqjes, një numër i madh antarësh të shquar të PK Kroate u larguan nga detyrat dhe u përjashtuan nga rradhët e Lidhjes së Komunistëve, ndërkohë që të tjerë si Franjo Tuxhman u burgosën.
.
. (5) Analistët e periudhës post titiste tregohen kategorikë : duke filluar nga viti 1970, ndërkohë që përfaqsonte vetëm 8% të popullsisë jugosllave, vetëm Krahina autonome e Kosovës thithte më tepër se 30% të fondeve federale të zhvillimit – 150 milionë dollarë të përvitshëm, përgjatë një pesëvjeçari. Në këtë mënyrë, rreth 240 milionë që vinin nga një kredi prej 1 miliardë dollarë, të akorduar nga Banka botërore për Zhvillim përfundoi në këtë mënyrë në kasat e Kosovës. Vetëm brenda një dekade, ekonomia e Kosovës paskish gëlltitur gati 2 miliardë dollarë. Shih mbi këtë çështje : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH - The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984.
.
. (6) Në 1974, një proces gjyqësor u organizua në Prishtinë kundër një grup studentësh, të akuzuar se kishin krijuar një « Lëvizje të Çlirimit Kombëtar të Kosovës ». Kjo lëvizje kish si qëllim bashkimin e krahinës me zonat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në vitin 1976, një proces tjetër u organizua kundër shkrimtarit Adem Demaçi dhe 18 shqiptarësh të tjerë, të akuzuar se kishin kritikuar udhëheqësit e Lidhjes Komuniste jugosllave si edhe sistemin socialist të vetëadministrimit. Ata morrën dënime të rënda deri në 15 vjet burgim - megjithë rrethanat lehtësuese, pasi në të vërtetë të akuzuarin nuk kishin bërë thirrje për përdorimin e dhunës kundër rregjimit.
.
. (7) E ardhura pro capita e krahinës ishte më e ulta e Jugosllavisë titiste. Në 1979, Kosova afishonte një të ardhur prej 795 dollarë/banor – ose 6,5 herë më të vogël përkundrejt të ardhurës së Sllovenisë (5.315 dollarë/banor) ose 3,3 herë më të vogël se ajo e Federatës jugosllave (2.635 dollarë/banor). Papunësia zyrtare prekte 30% të popullsisë së aftë për punë. Pothuaj të gjitha mjetet financiare të dhëna nga fondet federale, ndërmjet 30% dhe 40% të buxhetit krahinor, shkonin drejt industrisë (nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve) i cili realizonte vetëm 3% të prodhimit industrial jugosllav. Vetëm bujqësia e vetëkonsumimit dhe të ardhurat nga emigracioni lejonin ekuilibrimin e jetesës së banorëve të krahinës.
.
. (8) Michel ROUX – Les Albanais en Yougoslavie, minorité nationale, territoire et développement, Paris 1992.
.
. (9) Milos MACURA Ed. - The Migration of Serbs and Montenegrins from Kosovo and Metohija, Serbian Academy of Sciences and Arts, BEOGRAD 1992.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur