"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, January 24, 2008

Gamarra, Karemë - Poeti-fëmijë

Të uroj…
.
.
.Po të uroj dit’ kadifé,
.
.Iris, zambak edhe luleshegë,
.
.Një ditë me gjethe dhe me degë,
.
.Një ditë dhe më pas një ditë të re.
.
.
.Një ditë gruri, një ditë vreshte,
.
.Një ditë fiqsh edhe muskat,
.
.Një ditë rrushi delikat,
.
.Një ditë pëllumbash, turtulleshe.
.
.
.Të uroj ditën diamant-hënë,
.
.Zefir edhe porcelan,
.
.Një ditë lila dhe jargavan,
.
.Një ditë mëndafshi, e imja nënë.
.
.
.Edhe më pas, një ditë më tepër,
.
.Të lehtë, të lehtë, një ditë më shumë,
.
.Deri në fund të dashurisë lumë
.
.Një agim dhe më pas një agim tjetër.
.
.
.Pasi kjo ndjenjë për ty o nanë,
.
.Nuk mundet të shterrojë kurrë
.
.Sikundër dridhje uji në gurrë,
.
.Sikunder qielli, deti i paanë…
.
.
.
.Çanta ime
.
.
.
.Çanta ime, mijra arom’ erë.
.
. Çanta ime mban erë mollë,
.
.Libër, bojë edhe gomë,
.
.Dhe të gjithë lapsat ngjyrë ylberë.
.
.
.Çanta ime erë portokalle,
.
.Hallvë edhe lëkurë lope,
.
.Erëra të mira të çka ne hamë,
.
.Dhe të objekteve prej cope.
.
.
.Fiku, rrushi edhe arra,
.
.I ëmbli mjaltë, e arta letër,
.
.Guaca e detit, e lules fara,
.
.Një copë dru nga barka e vjetër.
.
.
.Kauboj edhe caraca,
.
.Shkumësa dhe karamel,
.
.Grimca letrash dhe kërcaca,
.
.Zara të mbushura me qiell.
.
.
.Flokët e gjata të mamasë,
.
.Faqja e butë e babës tatë,
.
.Mëngjeset e lagura me vesë,
.
.Trëndafil dhe çokollatë
.
.
.
.Pierre Gamarra (lindur në Tulon 1919). Gazetar, shkrimtar dhe dramaturg francez. Origjina baske dhe oksitane e prindërve ndihet fort në veprën e tij të dendur. Bashkëpunon me shumë revista letrare dhe shkruan për të vegjël dhe të rritur. Librat e tij njihen në mjaft vende të botës.
.
Poezitë u shqipëruan nga Xixa
.
.
.
.
.Macja dhe dielli
.
.
.Macja hapi sytë
.
.Dhe dielli u fundos
.
.Macja mbylli sytë
.
.Dhe dielli u burgos.
.
.
.
.
.Ja përse në terr
.
.Kur macja hap sytë
.
.Shoh në errësirë
.
.Dy gaca diell-dritë.
.
.
.
.
.
.E dua mamanë
.
.
.E dua tim’ motër
.
.Për sytë e kaltër,
.
.E dua tim vëlla
.
.I çiltër sa ska,
.
.E dua dhe babanë
.
.Zemër e paanë,
.
.Edhe nuk mund
.
.Sigurisht jo
.
.Të them përse
.
.E dua mamanë.
.
.Bile habitem
.
.Në se pyetem,
.
.Pasi e dua
.
.sa edhe veten.
.
.A nuk është nëna
.
.Një diell-ndjenjë
.
.Që na ushqen
.
.Motrën, vëllain,
.
.Mua dhe babain?
.
.
.
.Moris Karemë (Maurice Carême, Wavre 12 maj 1899 – Anderleht 13 janar 1978) Poet belg i gjuhës franceze. I lindur në gjirin e një familjeje më se modeste, fillon të shkruajë në moshën 15 vjeç. Mesues dhe më pas shkrimtar me kohë të plotë, pas një periudhe të parë futuriste, i kthehet një poezie të thjeshtë me frymëzim nga jeta e zakonshme. Vepra e tij është përkthyer në një varg gjuhësh dhe e çmuar nga mjediset letrare.
.
Poezitë u shqipëruan nga Xixa

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, January 23, 2008

Metafizikë etike.

.
.Shopenhauer - "njeriu është një kafshë metafizike"
.
.Çdokush që ka përjetuar epokën e diktaturës komuniste në Shqipëri – i madh dhe i vogël – rrallë herë i shpëton tundimit të të kthyerit të kokës prapa. Sipas individit, vështrimi mund të jetë nostalgjik – veçanërisht kur mosha dhe vështirësitë e jetës errësojnë pamjen e të sotmes ; kritik – kur vëren se e nesërmja mbetet rob i të sotmes, që çuditërisht ende varet nga e shkuara ; përçmues – kur zbulon naivitetin e perceptimit të botës nga masa njerëzore që tërhiqej për hunde nga një grusht cinikësh të paskrupullt ; bile edhe ndëshkues – kur llogarit kohën e humbur, përpjekjet e asgjësuara, sakrificat e kota, ndalimet absurde…
.
.Rrallë herë ndodh që vështrimi të mos mbytet nga pasioni, asnjëherë ai nuk është indiferent. .
.Kur bëhet fjalë për vetë viktimat e komunizmit, vështrimi bëhet i pamëshirshëm : si mund të vlerësohet ndryshe dhuna primitive e « dikushit » të veshur me pushtet ndaj « askushit » të zhveshur nga e drejta më elementare – ajo e të menduarit dhe të shprehurit « ndryshe » ? si mund të cilësohet tjetër ushtrimi i gjykimit arbitrar, i torturës dhe i eliminimit fizik « në emër të popullit » ? gjymtimi fizik dhe moral i njeriut – « kapitalit më të çmuar », i ushtruar në emër të një ideali « të lartë që synon zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu », të shoqërisë « më të drejtë dhe më njerëzore » të Historisë ?
.
.Nostalgji - kritikë, perçmim - ndëshkim, urrejtje – drejtësi… Në ç’raport qëndrojnë elementë të tillë si pasioni – arsyeja, cilat janë lidhjet e brendshme të këtij çifti që ndikon vështrimin tonë ? Në fund të fundit, cili është objekti-shënjestër i këtij vështrimi retrospektiv, i gjykimit qoftë edhe të vonuar : një ideologji e caktuar – përçuesi dhe zëri i saj – udhëheqësi ? një grup njerëzish të caktuar – kasta e « të privilegjuarve » - parti politike ? një masë e madhe njerëzish – shuma e zbatuesve dhe pjesëmarrësve në projektin vetëvrasës – populli ?
.Pasi duhet të jemi të sinqertë, të paktën me vetvehten : një projekt i tillë shoqëror si komunizmi, një rregjim i tillë politik si totalitarizmi nuk mund të reduktohen në një njeri të vetëm, qoftë ky edhe gjeni ose diktator. Në qoftë se karizma personale mjafton për të mbledhur rreth vehtes një grup individësh që synojnë pushtetin dhe favoret e tij, në qoftë se ideologjia arrin të anesteziojë shpirtrat e një brigade sulmi – qoftë edhe një divizioni besnikësh, si duhet shpjeguar nënështrimi i një populli për dhjetëvjeçarë të tërë si dhe bashkëngjitja e tij ndaj projekteve të një pushteti ? Më frikën nga dhuna apo me mungesën e përvojës demokratike ? – Çuditërisht, as kurajo nuk i ka munguar, as edhe tradita liridashëse…
.
.Dashur padashur, ekuacioni ynë politik-shoqëror-shpirtëror reduktohet në ndërlidhje mes variablave të tillë të pashmangshëm sikundër përgjegjësia dhe fajësia, ndërkohë që marrëdhëniet mes individit dhe pushtetit sintetizohen nga raporti bashkëpuntor – fajtor.
.Për t’i shpëtuar diktatit të ligjit si dhe komandës së moralit, kemi zgjedhur etikën dhe këshillat e saj për të përvijuar dy këndvështrime dhe dy përsiatje mbi të njejtin objekt analize – rishkrimin e historisë. Të parën e sjell Mërgim Korça dhe të dytën Fatos Lubonja. Sejcili përfaqson jo vetëm një botëkuptim por edhe një epokë, jo vetëm një bindje por edhe një metodë – diametralisht të kundërta në çfaqje dhe në thelb – megjithëse që të dy kanë të njejtat arsye për të kërkuar përgjegjësitë e të kaluarës : ato të viktimës që shëndrrohet në gjykatës të xhelatit të tij.
.
. . .Përgjegjësia si gjykim : pesha e të kaluarës.
.
.Historia personale e z. Mërgim Korça ngërthehet në atë të atit të tij Xhevat : intelektual i spikatur antizogist, demokrat nolist, ai bënte pjesë në rrethin e ngushtë të udhëheqjes së Ballit Kombëtar dhe pranoi postin e ministrit të arsimit të qeverisë Kruja gjatë pushtimit fashist italjan. I gykuar si kolaboracionist dhe kuisling nga gjykatat komuniste të pasluftës, Xhevat Korça dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg – gjatë një greve urie. Djali i tij, Mërgimi, persekutohet parreshtur nga rregjimi komunist – megjithë talentin e tij si mekanik dhe përfundimisht, pas rrëzimit të diktaturës, mërgon në SH.B.A ku i përkushtohet letërsisë, objekti i të cilës është dënimi i atij rregjimi dhe i krimeve të tij. Shkrimet e Mërgimit përshkohen nga ideja konstante e rivlerësimit të historisë bashkëkohore të vendit nën dritën e arsyes nacionaliste : atë të logjikës së brendshme të kompromisit që karakterizoi krerët e Ballit Kombëtar, të cilët shfrytëzuan rrethanat e krijuara nga pushtimi fashist për të rimëkëmbur patriotizmin si edhe Shqipërinë, në kufijtë e vet të mëdhenj, për të mos i quajtur « natyralë ».
.
.I ndikuar thellë nga mëshira fetare si dhe nga konceptimi bektashian i botës, vështrimi i tij kritik dhe këmbëngulës karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke theksuar rehabilitimin e një morali politik. Dhe pikërisht në emër të këtij morali, z. Korça ve në pah veti të tilla si atdhedashuria, përkushtimi ndaj dijes ose edhe ndershmëria, për të përçuar edhe kredon politike të njërit prej modeleve të tij, Mustafa Krujës : « ... Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj (të Italisë – M.K.) sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne » (shih tekstin e plotë). Megjithatë, përtej moralit dhe shembullit kantian të politikanit moralist dhe të moralistit politik, shfaqet etika. Lidhur me këtë të fundit, z. Korça përmend dhe interpreton filozofin dhe sociologun Maks Weber :
.
. « …Etika e bindjeve, (që janë edhe mësimet e të gjitha besimeve fetare), ësht’ajo e cila mëson të mos vrasim, të mos mashtrojmë, të mos gënjejmë, të mbajmë fjalën e dhënë, të ndihmojmë nevojtarët, etj. e lidhur kjo edhe me të gjitha pasojat që mund të ketë një respektim i këtyre normave
.
. ... kurse etika e përgjegjësísë ësht’ajo simbas së cilës veprimet politike duhet të llogariten lidhur me gjykimin e pasojave, nga një qëndrim i dhënë, në interes të kombit, popullit si edhe shtetit » (shih tekstin e plotë).
.
.Le t’i nënështrojmë pikpamjet e mësipërme pikërisht analizës së filozofit të mësipërm Weber, pa harruar aspak se një nga elementët kryesorë të veprës të tij qendërzohet pikërisht tek njeriu politik dhe përmasat e tij që dyzohen mes etikës së bindjeve dhe etikës së përgjegjësisë.
.
. « …Sidoqoftë, egziston një kundërshti e pafund mes qëndrimit të atij që vepron sipas precepteve të etikës së bindjeve – në një gjuhë me thekse kishtare do të shpreheshim : « besimtari bën detyrën e vet dhe në lidhje me rezultatin, ja le vehten në dorë Zotit » -, dhe qëndrimit të atij që vepron sipas etikës së përgjegjësisë, i cili thotë : « ne duhet të përgjigjemi lidhur me pasojat e parashikueshme të akteve tona ». Partizani i etikës së bindjeve do të ndjehet « përgjegjës » vetëm lidhur me domosdoshmërinë e të mbajturit ndezur të pishtarit të doktrinës se pastër – (qoftë kjo edhe nacionaliste- shënimi ynë) – me qëllim që kjo e fundit të mos shuhet. Aktet e tij nuk mund dhe nuk duhet të kenë vlerë tjetër përveç asaj shembullore por që, po qe se i kqyrim nga ana e pikpamjes së qëllimit të tyre eventual, mbeten iracionale pasi udhëhiqen vetëm nga një qëllim dhe një i vetëm : të ushqejnë përjetësisht flakën e bindjeve të tyre.
.
. …Por nuk ka asnjë etikë në botë që mund të nënvleftësojë faktin se për të arritur qëllimet « e mira » jemi shumë shpesh të detyruar nga njera anë të përdorim mjete të rrezikshme për të mos i quajtur « moralisht të pandershme » dhe nga ana tjetër të përballim mundësinë e pasojave rrënuese. Asnjë etikë në botë nuk është në gjendje të na thotë se në ç’moment dhe në ç’masë një përfundim moralisht i mirë justifikon mjetet dhe pasojat e rrezikshme (1).
.
.Praktika tregon në fakt, se etika e bindjeve shkrihet në atë të përgjegjësisë pasi kjo e fundit s’përfaqson gjë tjetër veçse vlerësimin me kandarin e bindjeve të pasojave të veprimit të ndërmarrë, gjithë duke qenë i përgjegjshëm lidhur me tërësinë e këtyre pasojave. Dhe veçanërisht në qoftëse këto pasoja bien në kontradiktë me qëllimin që udhëhoqi veprimin fillestar.
.
.Nuk po flasim këtu për « papërgjegjësinë politike », bile bëjmë sikur e kemi harruar edhe vërejtjen aq therëse të filozofit Zhak Lacan - "gabimi i kryer « me zemër në dorë » është gabimi më i rëndë".
.
.
.Përgjegjësia si veprim : forca e të tashmes.
.
.Historia personale e z. Fatos Lubonja ngërthehet gjithashtu në atë të atit të tij Todi : partizan i orëve të para, komunist i bindur, pas çlirimit të vendit - falë zotësisë të tij, ai bënte pjesë në rrethin e udhëheqjes së PPSH dhe drejtoi Radio Televizionin Shqiptar deri në vitin 1973. I gykuar si sjellës i frymës liberale në jetën e vendit dhe si armik i Partisë, Todi Lubonja dënohet me burgim dhe më tej me internim, dënim që e vuajti deri në shembjen e komunizmit. Djali i tij Fatos, dënohet fillimisht « për agjitacion e propagandë », dënim i cili ripërsëritet dhe e mban në burgjet e rregjimit deri në vitin 1991. Gjithmonë në vendin e vet, ai braktis pasionin e tij të parë – shkencën, dhe i përkushtohet letërsisë, esesë dhe gazetarisë.
.
.Shkrimet e Fatosit përshkohen nga ideja konstante se rivlerësimi i historisë të vendit duhet kqyrur nën prizmin e çmontimit të miteve që kanë shërbyer për ta ndërtuar : lashtësia e origjinës, nacionalizmi, komunizmi…
.Mendimi i këtij vëzhguesi të kujdesshëm të realitetit të vendit huazon dhe kryqëzon përqasje filozofike dhe historike të epokës, të cilat i projekton me guxim mbi tema të ditës. Vështrimi i tij sa politik dhe social karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke nënvizuar hipokrizinë e moralit politik.
.
.Vepra e z. Lubonja krijon instiktivisht një përqasje me konceptin e « banalitetit të të keqes » të Hannah Arendt. E njejta vështirësi e tejskajshme për të gjykuar krimet e padurueshme, sa edhe fakti që kriminelët ishin të zakonshëm – ordinerë. Njerëz, banaliteti i të cilëve i sjell në realitetin e përditshëm, të jetuar nga çdokush – « tmerrësisht normalë ». Pra, shnjerëzorja a është pjesë e qënies, e çdokujt ? në këtë mënyrë, a perceptojnë « të keqen » dhe faktin që « i bëjnë keq dikujt » këta lloj njerëzish ? A ndjejnë ata « fajësi » për aktet që kryejnë ? Duke fshirë çdo gjurmë fajësie nga shpirti i xhelatëve, sistemit totalitar shpreh thelbin e tij antinjerëzor : pasi ka kryer ndërmarrjen e tij të shnjerëzimit, sistemi krijon dallimin radikal mes viktimave dhe xhelatëve, të cilët nuk i përkasin më të njejtës specie. Të parët ndërsa të dytët kryejnë thjesht detyrën, pa patur ndërgjegjen se po shkelin ndonjë « ndalim » moral ose ligjor. Sidoqoftë njerëz, nga ata që përshkruan Primo Levi në tekstet e tij :
.
. « .. ata ishin bërë nga e njejta lëndë si e jona, ishin qënie njerëzore të zakonshme, mesatarisht inteligjentë, mesatarisht të këqinj : përveç ndonjë përjashtimi, ata nuk ishin monstra. Ata kishin fytyrë si tonën ».
.
.Kush mban përgjegjësi për këtë të shkuar kaq pranë të sotmes ? Fatos Lobonja shprehet hapur :
. « …sipas meje, të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësi për atë që ndodhi, për ato që kemi bërë, apo edhe për atë që nuk kemi bërë. Sepse ai regjim nuk do të ishte kurrsesi aq monstruoz pa bashkëpunimin me të dhe veçanërisht të asaj pjese që ishte e ndërgjegjëshme për atë që ai përfaqësonte. » (shih tekstin e plotë).
.
.Megjithë syçelësinë që e karakterizon, vështrimi e Lubonjës mbetet i zymtë. Ai ndikohet nga një dialektike rrethqarkulluese, sipas të cilës, « njeriu është, në një farë mënyre, rob i së kaluarës së tij; nuk shpëton dot prej saj. Kur kjo e kaluar është e ngarkuar me mëkate, ai e ka të vështirë të jetojë me to ».
.Në këtë mënyrë, ai shpreh dilemën esenciale të njeriut të sotëm shqiptar që jeton « një proces vazhdimësie, jo ndarjeje me të kaluarën. …dekompozimin e kufomës së komunizmit ».
.
.Njeriu dhe lidhja e pandashme me botën dhe kohën e vet, izolimi i tij moral në gjirin e një shoqërie të destrukturuar – aksiologjia temporale, ja edhe kuptimi etik i vlerave që shfaqen herë pas here në indin thurës lubojan.
.
.
.* * *
.
.Pas këtij vështrimi « analitik », personalisht gjendem në rolin e nikoqires me thikë në dorë që heziton përpara se të ndajë në pjesë çyrekun metafizik… dhe ndoshta është filozofi Sartrë që zotëron formulën « e mesit të artë ».
.
.Në parathënien e dramës së tij « Mizat », të shkruar në vitin 1943, ai shkruan : « Cilado qofshin rrethanat, në çfarëdo vendi që të jetë, një njeri mbetet gjithmonë i lirë të zgjedhë në se do të jetë ose jo një tradhëtar ».
.Sigurisht që duke shkruar këto fjalë në atë vit të largët, ai s’kish parasysh as Ballin Kombëtar dhe dilemat e tij historike as edhe Z. Korça dhe etikën e tij si gjykim. Sartri i drejtohej një ilegali të Rezistencës – si puna e të atit të z. Lubonja, të cilin fati i keq dhe zelli i madh i bashkëpuntorëve të pushtuesit gjerman e kishin vënë në karriken e torturave të specialistëve të Gestapos. Pra, ai e kqyr problemin në spektrin e kurajës – të pranohet ose jo rreziku i veprimit. Ç’ka mbetet jashtë tij ? Një shqiptar i kohës së Enverit ose ishte me rregjimin ose ishte kundër tij. Asnjë zgjidhje tjetër nuk i ofrohej. Në këtë rast, a egziston vetë zgjedhja ?
.
.Disa vjet më vonë, në dramën e tij « Djalli dhe Zoti », Sartri kundërshton vetvehten nëpërmjet njërit prej personazheve, i cili nuk është në gjendje të zgjedhë mes Kishës që ka braktisur të varfërit dhe mes të varfërve që kanë braktisur Kishën – një qënie njerëzore krejtësisht i kondicionuar nga situata në të cilën jeton.
.
.Në mënyrë paradoksale, është brenda këtyre dy kufizimeve sartriane që duhet vendosur vehtja : pa mohuar guximin e brendshëm të sejcilit, që dikur arrin të çlirohet nga guacka individuale dhe shëndrrohet në një thirrje revolte, çdo qytetar si i tillë mban një pjesë të përgjegjësisë dhe të peshës së diktaturës. Pasi, është po aq hipokrite për ndërgjegjen të shkarkosh fajësinë e plotë mbi një popull, në gjirin e të cilit lindi një diktator, sikundër dhe absurde të kufizosh krimet e një rregjimi në atë majën e mprehtë të piramidës të pushtetit. Sartri, gjithmonë ai, e ka përcaktuar këtë gjendje me anë të shprehjes së mëposhtme :
.
. « sejcili është përgjegjës për atë çka të tjerët kanë bërë me të, edhe sikur të mos mundë të bëjë asgjë tjetër përveçse të pranojë këtë përgjegjësi. Ky është edhe përkufizimi vetë i lirisë : një lëvizje e vogël që shëndrron një qënie sociale krejtësisht të kondicionuar në një individ, i cili nuk rikthen në mënyrë të plotë gjithçka ka pranuar gjatë kondicionimit të tij » (3).
.
.
. ------------------
.(1) Max WEBER, Le savant et le politique, Plon, 10/18, Paris 1995.
.
.(2) Hannah Arendt, la banalité du mal, comme mal politique, l’Harmatan, Paris 1998.
.
.(3) Jean Paul Sartre, L'Existentialisme est un humanisme, Gallimard, Paris 1996.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, January 18, 2008

6 skica nga historia bashkëkohore.... dhe po aq pyetje ende pa përgjigje.

Shqipëria përballë vetvehtes (2).
.NDËRMJET SOCIALIZMIT DHE BIZNESIT, 1997 – 2005
.
....Një këmbë e kam në botën e re,
.Një këmbë në botën e vjetër.
.Sa bëhem gati të hidhem në të renë,
.Aq më tepër fundoset këmba tjetër.
.Vladimir MAJAKOVSKI
.
.as cunamit të vitit 1997, pak njerëz besonin ende në mbijetesën politike të Berishës ; ende më pak – bile edhe ata të kampit të tij – shpresonin se një ditë ai ai do të rikthehej në pushtet. Por doktor Fausti i demokratëve ishte i pavdekshëm dhe armiqtë sikundër dhe miqtë e tij u detyruan t’a pranojnë herët a vonë.
.Ndërkohë ferri gëlltiti pozitën socialiste. Asgjë s’mundi të shpëtojë Nanon dhe instrumentin e tij të pushtetit : as administrimi shëmbullor i pasojave të luftës së Kosovës, as shkenca e tij e lartë ekonomike, bile as « pakti » i tij me djallin - me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjatë tetë vjetëve të gjata, vendi mundi të kryejë hapa të dukshme, të përballojë sfida të mëdha dhe megjithatë, ai mbetet gjithmonë përpara një porte gjithmonë të mbyllur.
.
.Deri në çfarë thellësie shpirti njerëzor është rrënuar dhe zvetënuar nga komunizmi ? Deri ku ka mbrritur çnatyrimi i shoqërisë përderisa ajo rindërtohet dhe mbijeton me ndihmën e një ekonomie të nëndheshme të mbështetur mbi trafiqet, mbi krimin e organizuar ose korrupsionin ?
.E parë nga larg, Shqipëria e sotme mbetet po aq befasuese sikundër ajo e fillimit të viteve nëntëdhjetë : një përzierje egzotizmi dhe misteri, të traditave mizore dhe të pasioneve të dhunshme. E parë nga afër, ajo ofron një figurë shumë më njerëzore, një realitet të kontrastuar të ngritur mbi varfërinë ekstreme të fshatarëve të humbur dhe të pasurisë së paturpshme të elitave qytetëse, të një krize të thellë energjetike dhe të shpërthimit të godinave të lluksit.
.
.Ky ansambël heteroklit njerëzish, idesh dhe pasionesh, që të gjithë të mbledhur rreth një poli të vetëm – Shqipërisë ; kjo maqinë e lëshuar përpara në momentin e shpalljes së pavarësisë – që ka ndrruar aq shpesh drejtimin, shpejtësinë ose shoferët, ka marrë rrugën drejt stacionit të fundit, terminus Evropë.
.
.
.
.Kosovë, udhë paralele.
.NDËRMJET DHIMBJES DHE SHPRESËS, 1945 – 2007.
.
.Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
.dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
.ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
.fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
.ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.
.
.as atij epizodi të shkurtër gjithëshqiptar, Kosova u rigëlltit nga Jugosllavia e re e pasluftës. Nën grushtin e Titos, kësaj Federate të pazakontë e cila mbledh nën hijen e vet kombe « të vërteta » (serbë, kroatë dhe sllovenë), kombe « të shpikura » (maqedonas dhe boshnjakë) dhe fragmente të kombeve fqinje (shqiptarë, hungarezë dhe të tjerë italjanë) i duhet të realizojë një alkimi komplekse : të amalgamojë fatet e tyre të ndryshme – shpesh qendërikëse, nën emblemën e « Bashkimit në Vëllazërim ». Por kallëpi komunist, i cili në teori, duhet të sigurojë shkrirjen e popujve dhe kungimin e kombit të ri jugosllav, paraqitet tepër i ngushtë ndërkohë që përvojat e panumërta ekonomike, megjithë përpjekjen e tyre të padyshimtë të origjinalitetit, s’bëjnë gjë tjetër veçse keqësojnë pabarazitë e brendshme dhe si pasojë, ato ringjallin antinominë etnike.
.Duke u nisur nga niveli më i ulët i shkallës federale – njësi e thjeshtë territoriale, e bashkëngjitur me Republikën serbe – Kosova kacavjerr me durim shkallaret që do t’a çojnë drejt mëvehtësimit dhe lulëzimit të saj : në vitin 1968, provinca njihet si « tërësi politiko-sociale » ndërkohë që në vitin 1976, ajo shëndrrohet në Krahinë Autonome, e cila gëzon prerogativa të gjera administrative dhe administruese. Me vdekjen e Titos të gjitha akrepat e orëve shkojnë në zero : në 1989, Kosova humb autonominë, institutionet e saj dhe simbolet etnike për t’u shëndrruar rishtas në pjesë integruese të Republikës së Serbisë. Rekuperimi prej serbëve e kësaj « Toke të premtuar » megjithëse ajo banohej nga një shumicë dërrmuese shqiptare, merr pamjen e një përleshjeje : « të drejtat historike » të të parëve kundër « të drejtave faktike » të të dytëve - të fituara falë demografisë. Por, megjithë lashtësinë dhe vlerat shpirtërore, « djepi » i qytetërimit serb mbetet gjithmonë një rajon i pazhvilluar dhe në rradhë të parë i mbingopur ; përveç atyre dy milionë banorëve (mesatarisht 190 banorë për km2), ai ruan 1.800 kisha, manastire dhe të tjera monumente të fesë, sikundër dhe rezerva të pallogaritshme qymyri, zinku, plumbi apo të tjera krome, nikele ose kobalte – shkurt, një burim i pashterrshëm ndjenjash, njerëzish dhe pasurish dhe në rradhë të parë – shqetësimesh dhe trazirash.
.Brenda një dhjetëvjeçari, mosbindja civile e kosovarëve nën Rugovën shëndrrohet në një përleshje guerriljesh të armatosura të UÇK, ndërkohë që « pastrimi etnik » i pilotuar nga Millosheviçi, përshpejton ndërhyrjen e NATO-s si edhe vendosjen e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën. Përmes të gjitha pyetjeve që ngrihen pas një zgjidhjeje të tillë qiellore dhe në prag të shpalljes së Pavarësisë aq të shumëpritur, një e vetme përmbledh gjendjen shpirtërore të një populli të tërë : Cila është e ardhmja e Kosovës ?
.
.
.
.Shqipëria përballë vetvehtes (1).
.NDËRMJET DEMOKRACISË DHE ANARKISË, 1991 – 1997.
.
. « Nuk ishim ne që e rrëzuam komunizmin.
.Ai u shëmb vetë mbi kokat tona. ».
.Jacek KURON - "La foi et la faute".
.
.ë pretendosh se mund të qëmtosh sensin e thellë të epokës mes togut të ngjarjeve që përbëjnë historinë e dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së një vendi, ndërmarrja e tejkalon cakun e guximit, bile përmban edhe një fije çmëndurie.
.
.Afëri kohore me një epokë në ndryshim të vazhdueshëm, një masë e tejmadhe informacioni e përçuar nga masmediat dhe së fundi një mbizotërim i vështrimit të jashtëm dhe i përfundimeve të huaja përkundrejt gjykimit të brendshëm : ja cilat janë disa nga vektorët që mund të tërheqin vëmendjen e vëzhguesit, duke i imponuar përfundime të ngutura. Rasti i Shqipërisë shton disa shkallë të tjera vështirësie : intensitet i ngjarjeve të fundit dhe ashpërsi e ndryshimeve të njëpasnjëshme.
.
.Sidoqoftë, ai që dëshiron të përshkruajë kronikën e ngjarjeve që kanë vulosur këtë periudhë detyrohet të kalojë nëpër disa etapa të pashmangëshme : pluralizëm politik dhe rënia e komunizmit, shpallja e Republikës së IIItë të demokratit Berisha, shëmbja e shoqërive të kreditit dhe shpërthimi i « luftës civile », e ndjekur nga ndërhyrja e trupave evropiane.
.
.Rikthimi në pushtet i socialistëve të Nanos dhe përfshirja e tyre në biznesotrafik i jep fund kësaj përvoje të shkurtër por tepër të vrullshme dhe të dhimbshme : ndërkohë që pjesa më e madhe e analistëve e përshkruajnë si « të dështuar », të rrallë janë ata që guxojnë të zhbirojnë misterin e « piramidave » për të zbuluar brenda tyre luftën e egër mes forcave politike, në sfond të të cilës shoqëria civile ristrukturohet vetëm me anë të fuqisë së parasë.
.Pa asnjë dyshim, kjo fazë e « tranzicionit demokratik » është e damkosur nga karizmi i Berishës dhe i pushtetit të tij autoritar. Askush përpara tij s’kish mundur të ngjallte një entuziazëm të tillë, askush tjetër sikundër Berisha s’kish mundur të krijonte një polemikë të këtyre përmasave. Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në një burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një qytetar lambda në idol të turmës dhe së fundi, një ikonë të përgjëruar në një tabelë qitjeje ?
.
.
.
.Shqipëria e vetme përballë botës mbarë.
.
.NDËRMJET KOKËKRISJES DHE ÇMËNDURISË, 1978 – 1991.
.
. « Po qe se populli është kundër Partisë
.atëhere duhet shpërndarë populli»
.Bertold BRECHT
.
.ë mbyllur në kështjellën e tyre, të sulmuar nga dallgët imperialiste dhe revizioniste, shqiptarët përjetuan periudhën më të çuditshme të historisë së tyre moderne, gjatë të cilës indoktrinimi ideologjik dhe histeria politike njohën kulme të paarritshme. Shypja mizore dhe e verbër, e ndjekur nga një luftë e pamëshirshme për trashëgimi politike, mezi arrijnë të fshehin realitetin ekonomik katastrofik të një vendi, fryma e të cilit meket nën peshën e planifikimit me tepricë. Ndërkohë, një popull i tërë ndodhet në prag të urisë, si pasojë e një politike agrare vetëvrasëse.
.Pasi fshiu fund e krye paraskenën politike, shoku Enver – dhe klani i tij familjar – kthyen vështrimin më së fundi drejt Ramiz Alisë që tashmë duhej të siguronte vazhdimësinë. Cilat janë kriteret politike që përcaktojnë zgjedhjen e Udhëheqësit në një sistem të administruar nga paranoja ? Cilat nga kapacitetet intelektuale mund të përdoren si masë e personalitetit të dikujt kur jeta njerëzore s’vlen anjë grosh dhe e drejta e të shprehurit është katandisur në një hiç ?
.Ngritja e Ramiz Alisë në kulmin e pushtetit, në të njejtën kohë me Gorbaçovin në Rusi, bëri të lindë një shpresë ndryshimi, në vazhdim e asgjësuar nga palëvizshmëria dhe nga këmbëngulja i pushtetit për të vazhduar rrugën e nisur. Vetëm ngjarjet e jashtme si shëmbja së Murit të Berlinit ose fundi i dhunshëm i Çausheskut do të gjallërojnë rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të vendit dhe do të zgjojnë njerëzit nga një letargji prej një gjysëm shekulli. Megjithë deklaratat e udhëheqësve shqiptarë lidhur me besnikërinë ndaj modelit origjinal dhe pavarësinë e komunizmit lokal në krahasim me të tjerët, edhe ky « model shqiptar » do të shkasë drejt fundit të tij me të njejtën shpejtësi dhe në të njejtën mënyrë si vëllezërit e tij.
.Duke përdorur të hatashmin fren motorik të aparateve shtetërore dhe të ekonomisë, Presidenti Alia mundohet të amortizojë rënien e lirë të sistemit ndërkohë që në rolin e tij të moderatorit ai ndikon fillimet e demokratizimit të vendit. Kështu, ai projekton hijen e tij dhe sidomos tê njê pushteti autoritar në vitet që vijnë pas.
.
.
.
.Shqipëria përballë botës komuniste.
.NDËRMJET DASHURISË DHE URREJTJES, 1945 – 1978.
.
.Ata kanë damkosur me gjurmë të përgjakura
.rrugën që ndoqën dhe çmenduria e tyre ju mësonte
.që e vërteta mund të provohet me anë të gjakut.
.Por gjaku është dëshmitari më i keq i së vërtetës :
.Gjaku infekton edhe doktrinën më të virgjër me helmin e çmëndurisë
.si dhe me urrejtjen e zemrave.
.NIETZSCHE – "Ashtu foli Zarathustra".
.
.idhja i Shqipërisë me kampin e vendeve të Lindjes përcaktoi edhe aleatët e rinj për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Këta aleatë që njeri pas tjetrit do të quhen Jugosllavi, Bashkimi Sovjetik apo Kinë sjellin para së gjithash ndihma materiale si edhe receta ekonomike apo politike që Enver Hoxha, si mjeshtër i Shqipërisë që është, do t’i gjykojë herë pas here të rrezikshme si për shëndetin e vendit të tij edhe për të vetin personalisht.
.
Afëria gjeografike e Jugosllavisë merr formën e një fataliteti historik, jo vetëm në lidhje me Kosovën e cila i mban të dy vendet në një konkurrencë të vazhdueshme – megjithë diferencën e ndjeshme në përmasa dhe në peshë – por para së gjithash në lidhje me origjinën e përbashkët të pushtetit komunist. Prishja me Titon e detyron Enver Hoxhën të kërkojë mbrojtje pranë Stalinit ; më tej, është afrimi i Krushovit, padronit të ri të Kremlinit, me të njejtin Tito që shtyn Enverin në krahët e Mao Ce Dunit. Përfundimisht, kur trashëgimtarët e Maos pajtohen me të paevitueshmin mjeshtër të Beogradit, Hoxha, i tmerruar nga fantazma e Mareshallit plak, nuk gjeti zgjidhje tjetër veç të kalërojë i vetëm.
.Me kohë, kjo lojë aleancash gjithnjë e më të largëta bëhet e dëmshme dhe e ushqyer gjithnjë e më tepër nga përfitimi ; ndërkohë, një mjegull e trashë ideologjike mbulon Shqipërinë dhe fsheh një varg spastrimesh të llahtarshme në krye të pushtetit.
.Historia na sjell dy pamje : e para sintetike dhe e jashtme e një rregjimi totalitarist, nëpërmjet të cilit, rivaliteti për pushtet vulos me gjurmën e vet të përgjakur të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore ; e dyta analitike dhe e brendshme, është ajo e një vepre autokratike, mistika e të cilës nyjëzohet mes një triniteti : një dogmë – komunizmi, një vullnet – Enver Hoxha dhe një kult – interesi kombëtar.
.Çka intereson të dihet shtrohet si më poshtë : a ka shërbyer Enver Hoxha si kyçi i qemerit në kurorëzimin e përsosur mes utopisë komuniste dhe interesit të kombit apo, Hoxha është shërbyer nga doktrina për të ngritur një pushtet vetjak në emër të idealit të një populli të tërë ?
.
.
.
.Shqipëria përballë luftës.
.NDËRMJET NACIONALIZMIT DHE KOMUNIZMIT, 1941-1945.
.
.« Sikur Abrahami biblik të mos kishte bindjen se ishte në kontakt
.me Absolutin, ai s’do të ish gjë tjetër veç një kriminel i përbuzur»
Søren KIERKEGAARD
.« .. Por cili prej nesh e ka këtë bindje ? Cili është plotësisht
.i sigurt që zëri që ai dëgjon është me të vërtetë zëri i Perëndisë ? »
.Jacek KURON- "La foi et la faute".
.
.ërgjatë periudhës 1941 dhe 1944, partizanët nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) do të bëjnë një luftë të pamëshirëshme kundër forcave italjane dhe gjermane të pushtimit. Paralelisht, do të zhvillohet një tjetër luftë po aq e pamëshirshme : ajo mes guerriljeve komuniste dhe nacionaliste për të marrë pushtetin në Shqipëri.
.
.Bartës të dy ideologjive diametralisht të kundërta dhe si pasojë, e dy politikave thellësisht armike, këto dy rryma kryesore politike shqiptare do të angazhohen në një garë të përgjakshme që do të sjellë si rezultat shkarjen e vendit drejt komunizmit. Ky fakt do të ushqejë një polemikë të egër që vazhdon deri në ditët e sotme për të gjetur përgjegjësit e kësaj lufte vëllavrasëse. A s’ishin komunistët ata që, në emër të luftës antifashiste, nuk ngurruan të godasin dhe më pas të çfarosin gjithë klasën politike të vendit ? Apo ishin nacionalistët ata që, me qëllim që t’i afrohen pushtetit arritën të bënin veç një kundërshtim pasiv ndaj Italjanëve, të ndjekur nga një politikë bashkëpunimi me gjermanët ?
.Në të vërtetë, çështja themelore është të kuptohet se si ka mundësi që një parti politike – në rastin tonë komuniste – e cila në fund të vitit 1941 ka vetëm dyqind antarë, mund të dalë nga prapaskena e historisë dhe të realizojë një sukses të tillë marramendës – marrjen e pushtetit – vetëm tre vjet më vonë, në nëntor të vitit 1944 ?

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, January 14, 2008

Viti i Mbrapshtë 1997: -- 5. Mekanizmi i Revoltës.

Le t’i rikthehemi edhe një herë orëve të të fundit të demokracisë berishiane për të kuptuar dinamikën e crash-it të frikshëm : .
.
. ...Vetëndezja e trupit elektoral ishte bërë shqetësuese, ndërkohë që vendimi i opozitës për t’u tërhequr nga gara elektorale nën pretekstin e dënimit të mashtrimit të zgjedhjeve shërbeu si pikënisje e shqyerjes së indeve të tij më të ndjeshme. Në këtë stad, fundosja e shoqërive të kreditit ishte shkëndija që i vuri flakën pakënaqësisë së brendshme dhe që mobilizoi turmat në manifestimet e rrugës. Përleshja politike mes pozitës dhe opozitës braktisi sallat dhe u shëndrrua në çështje të militantëve të ndezur ndërkohë që dhuna verbale, aq karakteristike për Republikën e Tretë tashmë duket fëminore përballë brutalitetit të forcave të rendit. Të gjithë elementët janë gati me qëllim që grumbullimet të shëndrrohen në përleshje, që mërmëritja e shurdhër të kthehet në urrejtje dhe që turma të saldohet nën magjepsjen e gjestit shkatërrues individual. Nga momenti që forcat e rendit fillojnë dhe tërhiqen, që Shteti tregon shënjat e para të dobësisë, kampi i kryengritësve bëhet i ndërgjegjshëm për forcën e tij dhe hidhet në kundërsulm. Shkallëzimi prek cakun e pakthyeshmërisë sapo që njerëzit vihen në zotërim të armëve : revolta popullore merr tiparet e një revolucioni….
.
.
Duke çmontuar mekanizmin e makinës djallëzore, shpërthimi i të cilës fshiu rregjimin e Berishës, është e pamundur të mos vihen re një mori rrotullash dhe sustash, elementë të detonatorit – në rastin tonë, të famshmit « Komitete të Shpëtimit Publik ». Megjithëse tashmë dihet që filli dhe butoni ndezës përfundonte në zyrat e Partisë Socialiste, ishte vetë rregjimi demokratik që furnizoi pjesët përbërëse të bombës – mes të tjerash, dezintegrimin e ushtrisë shqiptare. Ushtarakët bënin pjesë në kategoritë profesionale nga më të prekurat e reformave të para të qeverisë Meksi. Ministri i ri i Mbrojtjes, Safet Zhulali – një mësues i vjetër matematike nga Peshkopia, bëri të njohur në vitin 1993 planin e tij të riorganizimit të ushtrisë që parashikonte mes të tjerash, reduktimin e numrit të divizioneve të këmbësorisë si dhe rishkrirjen e armëve të tjera – aviacionin dhe forcat ushtarako-detare. Të gjithë komisarët dhe të tjerë puntorë politikë duhej të braktisnin trupën dhe ushtrinë ndërkohë që trupa e oficerëve reduktohej në mënyrë të ndjeshme. Riorganizimi preku njëkohësisht edhe kazermat dhe qendrat e tjera të grumbullimit sikundër dhe depot e armëve dhe të municionit. Mbi ç’kritere u ndërmorr ky riorganizim ? Në mungesë të asaj që quhet « doktrina e mbrojtjes » ose të dokumentave të tjera themelore të përgatitura nga shtabet, s’mbetet gjë tjetër veçse të imagjinohen motivet strategjike, ushtarake, ekonomike dhe politike.
.
.
Aleancat e reja politiko-ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet evropiane sugjeronin një rishikim të thellë të koncepteve të vjetra të mbrojtjes kombëtare, të përpunuara gjatë epokës komuniste. Tashmë ishte krejt e qartë për sejcilin se ideja e të mbrojturit, e mbështetur mbi konceptin e « forcave të veta » ishte një mashtrim trashanik :
.
- vendi nuk dispononte mjete njerëzore dhe materiale të mjaftueshme për të përmbajtur një agresion të mundshëm, të ardhur nga fqinjët ;
.
- vetë koncepti i « armikut potencial » kish ndryshuar pasi vendi nuk i përkiste më botës komuniste ;
.
- teknologjia e saj më e përparuar e fabrikimit kinez i takonte viteve shtatëdhjetë, asaj i mungonin pjesët e këmbimit, mirëmbajtja e rregullt dhe asnjeri nuk ishte në gjendje të përgjigjej për funksionimin dhe gatishmërinë e saj ;
.
- vetë ushtria ishtë shëndrruar në një barrë tepër të rëndë për financat e Shtetit demokratik, i cili nga ana e tij mbahej në këmbë falë ndihmave ndërkombëtare ;
.
- struktura e saj e brendshme dhe në rradhë të parë, kuadrot e saj përbërëse të formuara dhe të edukuara gjatë rregjimit komunist, ishin ose komunistë ose dyshoheshin si të tillë. Për të gjitha këto arsye, ushtria ishte paracaktuar si një strukturë që duhej shembur dhe asgjësuar.
.
Me fjalë të tjera, pyetja kryesore që shtrohej fare qartë përballë zotërve të rinj të vendit ishte ajo e mëposhtmja : çfarë duhet bërë me një ushtri të trashëguar nga një rregjim tashmë i shembur, e cila është njëkohësisht tepër e madhe në numër, e paadaptuar me situatën, e papërdorshme, e kushtueshme dhe së fundi e rrezikshme ? Përgjigja e parë që vjen vetvetiu është : ajo duhet shpërndarë, duhet çmontuar ose më mirë duhet thyer. Kjo përgjigje është edhe më instiktive kur ndërkohë ajo është sugjeruar prej këshilltarëve të shumtë ushtarakë dhe civilë amerikanë ose evropianë të cilët, nga ana e tyre, premtojnë përkrahje, ndihma dhe në rradhë të parë zgjidhje të gatshme. Zaten, zbërthimi, çmontimi sikundër dhe thyerja janë procese, teknika e të cilave zotërohet në mënyrë të përsosur ndërkohë që praktika është eksperimentuar me sukses të plotë në fusha të tjera si ekonomia kombëtare ose dhe administrata shtetërore. Veçse, të zbërthesh dhe të çmontosh një ushtri nuk është krejt e njejta gjë sikundër një ministri ose një uzinë pasi, përpara se të fillosh punën, duhet t’i kesh dhënë zgjidhje të paktën tre problemeve të reja :
.
- ç’do t’i bëjmë ushtarakët, dija e vetme e të cilëve është përdorimi i armëve dhe mënyra e vetme e jetesës është disiplina ?
.
- çfarë do të bëjmë me armët dhe me municionet të cilat, megjithë vjetërsinë dhe teknologjinë e tyre të tejkaluar, janë gjithmonë në gjendje pune dhe shërbejnë gjithmonë për të vrarë njerëz (1) ?
.
- Si i bëhet për të ngritur një ushtri të re njëkohësisht më të adaptuar, më të pajisur, më operative dhe më pak të kushtueshme ?
.
.
Sikundër dhe mund të imagjinohet, ky problemi i tretë mbeti pothuaj i pazgjidhur : mes inercisë të zakonshme të administratës ushtarake, çorganizimit të administratës qëndrore, ndërhyrjes së politikanëve për t’a vënë nën kontrollin e civilëve dhe në rradhë të parë, mungesës mizore të mjeteve financiare dhe materiale, ushtrisë shqiptare ju desh të zbriste në ferr. Mjafton të thuhet se në vitin 1995, pjesa e buxhetit e dedikuar ushtrisë nuk tejkalonte shumën prej 50 milionë dollarë, një krodhe e vërtetë e krahasuar me nevojat jetësore që i nevojiten një mase njerëzish prej 26.000 vetësh vetëm për të mbijetuar (pagesa e trupës, ushqimi, veshmbathja dhe furnizimet personale, energjia – rryma, uji, ngrohja, karburanti, kancelaria etj…). Përsa i përket riorganizimit organik, formimi dhe përgatitja e kuadrove, ripajisja, riarmatosja – shkurt modernizimi i trupës dhe bazës materiale, vështrimi ishte kthyer në mënyrë të vendosur drejt aleatëve të rinj të fuqishëm, me Shtetet e Bashkuara në krye.
.
Në të kundërt, problemi i parë u zgjidh pothuaj menjëherë, bile me një lehtësi befasuese : në mungesë të çdo « plani social », sejcilit nga ushtarakët e liruar mund të merrej me çka t’i donte e bardha zemër – të pushonte pas gjithë atyre viteve lodhje dhe mundimi, të konvertohej në biznesmen, të shkruhej në listat e të papunëve ose së fundi, të merrte rrugët e kurbetit. Përfundimisht, problemi i dytë paraqiste disa faqe të ndryshme pasi, përveç stokut egzistues, ishte njëkohësisht edhe industria e armatimit – e shpërndarë ndërmjet disa qendrave të prodhimit të armëve (kryesisht të armëve gjysëm automatike ose automatike me në krye përfaqsuesin e shquar AK-47, alias kallashnikov), të prodhimit të municioneve (fishekë, predha, mina dhe të tjera ngarkesa eksplozive) dhe së fundi të kimisë ushtarake (nitroglicerinë, barut). Me kusht reduktimin e prodhimit bile dhe të mbylljes së uzinave, reduktimi i stoqeve mund të realizohej qoftë nëpërmjet asgjësimit të tyre – e gjykuar si tepër e kushtueshme, qoftë nëpërmjet shitjes. Ndërkohë, armët egzistuese duheshin rimagazinuar, kondicionuar, në përputhje me rregullat e reja të sigurisë. Në të vërtetë, vetëm kapitulli tregëtar eci deri diku. Sipas burimeve zyrtare, diçka më tepër se një qind mijë armë të lehta si dhe një çerek miliard fishekë të kalibrave të armëve mundën të gjejnë blerës, duke gjeneruar një « fitim » prej 30 millionë dollarësh , ndërkohë, nga burime të brendshme doli lajmi se shitja përfaqsonte vetëm pjesën e dukshme të « ajsbergut » Zhulali që paskish organizuar një trafik të tërë armësh me Bosnjën në luftë.
.
Në këtë mënyrë, në prag të rrebelimit, ushtria e « re » shqiptare ishte njëkohësisht jooperacionale, e çorientuar dhe pakrye. As komanda e saj e përgjithshme ose e lartë, as edhe komandat e saj rajonale (Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër et Tiranë), gjithmonë të zënë me probleme të panumërta dhe të pazgjidhshme të logjistikës dhe të rishpërndarjes së trupave as nuk panë as nuk morën vesh gjë. Bile edhe më keq, edhe pas sulmeve të para kundër kazermave dhe depove të saj të armatimit në fund të muajit shkurt – fillimi i marsit, shtabet mbetën inerte ndërkohë që trupa luhatej rreth indiferencës, bashkëpunimit pasiv me plaçkitësit, vëllazërimit me sulmuesit dhe dezertimit. I zënë në befasi, Komandanti i Përgjithshëm Berisha shkarkoi përgjegjësit kryesorë ushtarakë dhe ja dorëzoi gjykatave ushtarake, ndërkohë që komanda e operacioneve në terren kaloi nga duart e matematikanëve të llojit Zhulali në duart e fizikanëve të variantit Gazidede.
.
Duke mos patur asnjë përvojë të kësaj natyre, duke mos qenë e stërvitur të ndërhyjë në situata të tilla të brendshme (2), Ushtria Popullore, ky objekt i krenarisë kombëtare përgjatë një gjysëm shekulli, e krijuar enkas për të përmbajtur çdo agresion të jashtëm deri edhe superfuqitë botërore, u mund dhe u asgjësua nga disa grupe civilësh leckamanë dhe fillimisht të çarmatosur. Por, nëqoftëse sulmuesit ishin civilë leckamanë bile edhe të veshur me tesha me marka, shtabet e kryengritjes – Komitetet e Shpëtimit Publik – zjenin nga ish ushtarakët e pushuar nga puna.
.
Komiteti i parë i këtij lloji thuhet se u çfaq në Sarandë, gjatë ditës së 4 marsit të vitit 1997. Pasi kishin pushtuar me sulm bazën ushtarake të qytetit, çliruar tre qind të burgosurit nga qelitë lokale, plaçkitur dhe djegur disa godina publike dhe masakruar një polic të gjorë, vegjëlia e qytetit më jugor të vendit, i shquar deri atëhere vetëm për shijen e agrumeve dhe ngjyrën blu-gurkali të detit, vendosi të krijojë një « Bashkësi komunale autonome ». Ky grumbullim virtual i të zgjedhurve të gëzuar të partive politike dhe përfaqsuesve të zemëruar të popullit kërkonte në rradhë të parë t’i jepte shembullin mbarë vendit. Në pamundësi, ishin qytetet fqinje që e morrën shembullin sarandjot : Delvina, Memaliaj, Himara dhe në rradhë të parë vatra e kryengritjes rrebeluese, Vlora, e cila më vonë do të kërkonte bile edhe autorësinë dhe parësinë e ngjarjes.
.
Qysh në fillim, ky vullnet popullor afishonte një përmasë politike. Ideja vetë e autonomisë shprehte këputjen e lidhjeve me pushtetin qëndror, një shkëputje të shquar aq më tepër që ajo vinte nga një distrikt kufitar, i banuar nga një pakicë mjaft e rëndësishme grekofone. Kjo gjë përbënte dhe një sinjal të fuqishëm ndaj vendit fqinjë i cili u nxitua të deklaronte që pakica e tij nuk kish të bënte fare me këtë konflikt « mes forcave qeveritare dhe bandave të armatosura ». Ky saktësim mezi arrinte të fshihte hipokrizinë : edhe pse bindja e qarqeve qeveritare të Tiranës për të parë hijen e grekut pas çdo rrebeli mund të merret për obsesion, ishte e qartë për çdokënd që largimi i Berishës përputhej me dëshirën më të zjarrtë të fqinjit jugor, i cili asnjëherë nuk i kish fshehur preferencat e tij për kundërshtarët politikë të rregjimit të Tiranës. Problemi qëndronte tek vetë Berisha : kësaj rradhe trimi i madh por pa shokë nuk arrinte të vinte rregull në rradhët e veta (3) ndërkohë që kish humbur kontrollin mbi një çerekun e vendit ; me fjalë të tjera, asnjeri nuk e dëgjonte më – aq më pak bota e jashtme - pasi ai kish humbur krejtësisht forcën e tij bindëse.
.
. Gjatë kësaj javës së parë të marsit 1997, procesi i vlimit së turmave jugore kish arritur kulmin. Në Vlorë, ato mblidheshin dy herë në ditë në sheshin e Flamurit për të dëgjuar oratorët profesionalë dhe të improvizuar si dhe për të vendosur se çka duhet të bënin – dhe çka nuk duhet të bënin – deri në mbledhjen e ardhshme të rradhës. Çfarë kërkonin këta njerëz ? Kthimin e parave të tyre – sigurisht – dhe ndëshkimin e fajtorëve pasi sipas tyre, vendi kish nevojë për një « demokraci të vërtetë, një demokraci pa Berishën ». Mbetet e vështirë të imagjinohet dhe aq më pak të pranohet një kërkesë e tillë, e shprehur nga ana e atyre që për t’ja arritur këtij qëllimi fisnik, nuk kishin hezituar aspak të shkelnin një nga principet themelore të vetë demokracisë. Mjafton ti kthehemi teksteve për të zbuluar se « demokracia garanton që procesi i ngjitjes në pushtet si dhe ushtrimi dhe rrethrotullimi i pushtetit lejojnë një konkurrencë të lirë politike dhe të shprehur nëpërmjet një pjesëmarrjeje popullore të hapur, të lirë dhe jo diskriminuese, të ushtruar në përputhje të plotë me rregullin e ligjit, sikundër në shpirtin e tij dhe në zbatimin e tij fjalë për fjalë » (4).
.
.
Shumë shpejt, në mes të kakofonisë së përgjithshme, disa zëra të përveçëm fillojnë dhe dëgjohen fort kjartë. Ky grusht burrash dhe grash të vendosur ngarkojnë vetvehten me detyrën e vështirë të përfaqsimit të turmës – që në këtë moment ka lindur Komiteti i Shpëtimit. Ai duhej të organizonte vetëmbrojtjen territoriale, të siguronte administrimin e çështjeve komunale, të zgjidhte grindjet ; shkurt, t’i vinte fre anarkisë popullore dhe në rradhë të parë të kanalizonte pakënaqsinë e turmës. Nëpërmjet elementëve të saj kryengritës të orëve të para dhe antarë të komiteteve, ky kundërpushtet u morr plotësisht në dorë dhe u zbut nga ana e opozitës, e përbërë kryesisht nga forca të të majtës. Gjëja më zbavitëse në këtë mes është fakti që ndërkohë kjo opozitë e majtë kish hyrë në bashkëbisedime me Berishën për të krijuar një qeveri të tranzicionit.
.
Në këtë mënyrë, e majta luante një lojë kurioze mbi disa fusha njëherësh : ndërkohë që përfaqsuesi i saj kryesor Fino merrte në dorë qeverinë e « Bashkimit Kombëtar » dhe që presidenti i Partisë Socialiste Nano priste me durim që kryengritësit të thyenin burgun e tij të Bënçës, drejtuesit e saj më radikalë gjendeshin në Vlorë dhe të Gjirokastër, në mes të turmave të armatosura dhe në gjirin e Komiteteve. Pikërisht, njëmbëdhjetë përfaqsues të këtyre Komiteteve u mblodhën në Gjirokastrën e Finos për të shpallur krijimin e « Frontit Kombëtar të Shpëtimit të popullit », i kryesuar nga një kolonel i çmobilizuar që kërkonte largimin e Presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja legjislative. Ky pol i ri presioni funksiononte për mrekulli : çdo herë që Berisha tregohej i vendosur, mjaftonte një shkelje e syrit të Finos dhe të miqve të tij të kryeqytetit që Fronti të ngrinte zërin dhe të kërcënonte se do të marrshonte drejt Tiranës – një kërcënim i përsëritur kushesaherë por asnjëherë i vënë në jetë. E shprehur në termat e pushtetit, në planin kombëtar kjo gjendje prodhonte skemën e mëposhtme :
.
- Presidenti kontrollonte legjislativin por s’kish asnjë mjet për të kontrolluar egzekutivin i cili drejtohej nga opozita. Legjitimiteti presidencial ishte vënë në pikpyetje qoftë nga rezultatet e përfolura të zgjedhjeve të fundit të prill – majit 1997, qoftë dhe nga një procedurë e dyshimtë e zgjedhjes presidenciale në mungesë të të zgjedhurve të opozitës. Pasi kish humbur mbështetjen e ushtrisë, Presidenti mund të mbështetej vetëm mbi forcat e policisë, të njësive speciale si dhe mbi të egzaltuarit e lëvizjes të vet demokratike. Kjo gjë i lejonte të ruante një farë rendi në Tiranë dhe në rajonet veriore, pak të prekura nga rrebelimi, por ai s’mund të merrte iniciativën e aksionit qoftë për shkak të dobësisë së tij qoftë edhe për faktin se atij i duhej të bashkëpunonte me qeverinë.
.
- Opozita mbetej gjithmonë jashtëparlamentare dhe megjithatë, ajo ishte ngarkuar të drejtonte një egzekutiv të përkohshëm që s’kishte pushtet real. Zyrtarisht, ajo bënte thirrje për vendosjen e qetësisë dhe të rendit publik si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të parakohshme.
.
- Në gjysmën jugore të territorit të vendit, pushteti ishte në duart e Komiteteve të Shpëtimit, të mbledhur në gjirin e Frontit Kombëtar. Megjithë faktin që ky i fundit ishte pajisur me një forcë ushtarake të krahasueshme për të mos thënë edhe më të madhe se sa ajo e kampit presidencial, ai nuk merr iniciativën dhe mbetet në pritje, i ngujuar në llogoret e tij jugore.
.
Në ç’mënyrë mund të merren vesh me njëri tjetrin një President legjitim, kokëfortë dhe në shterrim të forcave, një opozitë jashtëparlamentare, e vendosur dhe e zhurmshme dhe një Front Kombëtar ilegal, i fuqishëm por i heshtur ? Nga momenti që një bashkësi e tërë ndërkombëtare ishte vënë në kërkim të zgjidhjes, gjëja më e mirë ishte rritja e ankandit të pretendimeve dhe vënia në pritje. Rezultati i kësaj loje është një inerci e përgjithshme dhe një stabilitet i brishtë. Të gjithë palët janë prezent, presin ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi për gjendjen. Ja më në fund edhe situata ideale e shumëpritur nga çdo trafikant për të treguar talentin e tij, nga çdo qënie e armatosur për të imponuar forcën e tij, nga çdo bandë individësh për të vendosur ligjin e terrorit. I gjithë vendi zhytet në pasiguri të përgjithshme ndërkohë që disa dhjetra mijra vetë lëshohen drejt brigjeve italjane ose qyteteve greke. Ja përse të gjitha vështrimet kthehen vetvetiu drejt qeverisë Fino, e cila si rrugë shpëtimi gjen ndërhyrjen e armatosur evropiane.
.
Megjithatë, të shumtë janë ata që kërkojnë të merren vesh drejpërdrejt me rrebelët, duke filluar që nga ambasadori italjan Foresti, padrino i qeverisë Fino. Në 14 mars 1997, gjatë kthimit të tij nga Vlora, ndërmjetësi negociant evropian Vranicki u mburr se kish marrë mendimin e tyre pozitiv lidhur me përdorimin e forcës ndërkombëtare. Disa ditë më vonë, Fino dora vetë mori rrugën e Vlorës dhe u rikthye krenar në Tiranë pasi kish futur në xhep mbështetjen e tetëmbëdhjetë komiteteve. Por fatkeqit kryeministër të përkohshëm ja kishin kaluar në shpejtësi grekët : në 18 mars, i ardhur nga ana tjetër e kufirit, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme helen Kranidiotis ishte ulur këmbëkryq me përgjegjësit e bashkësisë grekofone si edhe rebelët e Gjirokastrës. Edhe atij ja kish marrë në kthesë shefi kryesor i « Demokracisë së Re » helene që kish bërë një vizitë rrufe « private » në Gjirokastër. Jugu shqiptar ishte kthyer në një mulli të vërtetë ku mund të hyje pa i marrë leje mullixhinjve të Tiranës. Dy javë më vonë, në 2 prill, Kryeministri italjan Prodi vizitoi edhe ai Gjirokastrën por ai të paktën i kish marrë leje Finos. Megjithë atë, Prodi rikthehet në 13 prill, kësaj rradhe në Vlorë, dhe pati rastin të përshëndetet me popullin heroik : 10.000 vetë thërrasin njëzëri « Ne kërkojmë paratë tona » si dhe « Berisha jashtë ». Ishte mënyra e re vlonjate për të përshëndetur mbrritjen e ushtarëve italjanë në tokën shqiptare.
.
Nën vështrimin e paepur të paqëtuesve evropianë në vend, politika rihyri në rrjedhën e saj « normale » dhe qendra e interesit u çvendos në Tiranë. Sidoqoftë, me shpresë që të shmangin përplasjen me bandat e armatosura, edhe vetë ushtarakët detyrohen të bisedojnë me çarmatosësit e tyre komitetaxhinj të cilët janë gjithmonë prezent – ndoshta, për t’u siguruar që Berisha nuk do të tentohet të qëndrojë në pushtet. Duhej të priteshin rezultatet e zgjedhjeve, largimin e mbarëdëshiruar të Berishës, përshëndetjet e përmallueshme të qeveritarëve provizorë që ndërkohë kishin gjetur nga një vend në Kuvendin e ri si deputetë të PS ose të PAD, më tej betimin e qeverisë Nano, fundin e vapës së verës dhe ardhjen e shirave të parë që këto Komitete të avullohen në natyrë pa lënë gjurmë. Nanos i duhej t’ju ndizte nga një qiri dhe nuk është fare e rastit që qeveria e tij e parë numëronte mes antarëve të tij dy nga përfaqsuesit më të shquar të komitetit të Vlorës : Arben Malaj dhe Sabit Brokaj, respektivisht ministër i Financave dhe i Mbrojtjes.
.
Të ardhur nga një qytet si Vlora, « kryeqyteti » i parave të pista të trafiqeve dhe përgjegjësi kryesor i shpartallimit të ushtrisë popullore shqiptare, kjo gjë tejkalonte vlerën e simbolit.
.
. Mbi të gjitha – mbi ato difektet e tij, përfytyrimet e tij politike naive, prirjet e tij autoritare –Berisha mbetet një vegimtar. Emri i tij është sinonimi i pluralizmit politik, i lindjes së PD, i zgjedhjeve të para të lira, i fitores të të djathtës, shkurt i shëmbjes së komunizmit dhe i përvojës së parë demokratike (1992 – 1997). Në të kundërt, vepra e tij mbetet e kontrastuar : shkëlqimi i arritjeve zbehet nga hieja e dështimeve ndërkohë që karakteri i tij i plotë shëndrrohet në pengesë si brenda ashtu dhe jashtë partisë dhe vendit. I dashur ose i urryer, një analizë objektive e pesëvjeçarit të tij në krye të pushtetit paraqet bilancin e mëposhtëm :
.
1. lindja e Republikës së Tretë. Pa asnjë dyshim dështimi më i madh i Berishës pasi, megjithë disa arritje të shënuara (rikrijimi legjislativ dhe gjyqësor, përsosja e sistemit elektoral, rivendosja e lirive individuale) ekuilibri i pushteteve mbetet i papërcaktuar. Përderisa pushteti i Presidentit të Republikës nuk është rregulluar nga Kushtetuta (e mbajtur në trajtën e saj më embrionare), pavarësia e pushteteve - legjislative, egzekutive dhe gjyqësore – mbetet e cënuar dhe nën kërcënimin e shkarjeve autoritare. Kjo gjë peshon mbi ripërtëritjen institucionale që vazhdon të jetë e ngadaltë dhe hezituese.
.
2. çfaqja e një klase të re politike. E përbërë kryesisht nga intelektualë, nga burokratë dhe opozitarë të rregjimit të vjetër dhe e rreshtuar brenda partive politike, ajo mbetet tejet e polarizuar. Megjithë përpjekjet për të ecur me hapin e kohës, ajo karakterizohet jo vetëm nga një violencë verbale të paparë ndonjëherë por njëkohësisht edhe nga mungesë kulture të vërtetë politike.
.
3. vendosja e një ekonomie të tregut. Megjithë një varg masash çliruese (braktisja e centralizimit dhe e planifikimit, privatizimi masiv i bujqësisë, të shërbimeve dhe të tregëtisë, forcimi i monedhës lokale dhe liberalizimi i çmimeve) Shteti duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të rimarrë në dorë kontrollin e mekanizmave ekonomikë ndërkohë që vuan nga shpërpjestime të rënda strukturore – papunësi endemike, sektor industrial në bllokim të vazhdueshëm, deficite fiskale dhe tregëtare kronike.
.
4. rikthim në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta, arritja më e madhe e rregjimit të Berishës, pas një gjysëm shekulli izolimi dhe aleancash të diktuara nga ideologjia. Por kjo arritje errësohet për shkak të tensioneve mes fqinjësh ndërkohë që figura ndërkombëtare vuan pasojat e dallgëve të migracionit, të trafiqeve, të korrupsionit dhe të tjera Mafia, për të cilat vendi thyen rekorde.
.
5. krijimi i shoqërisë së njerëzve të lirë. E lutur në mënyrë të vazhdueshme për të qenë motor i ndryshimeve demokratike, ajo tregoi se vuan nga një varg « sëmundjesh » : një bashkëlidhje të brendshme shoqërore të brishtë, një ind të pamjaftueshëm prej organizatash dhe shoqatash, një pjesëmarrje pasionale dhe partizane në jetën politike lokale dhe kombëtare, një reflektim kolektiv të cekët.
.
I parë në këtë mënyrë, ky proces i gjatë dhe ndryshueshëm i natyrës institucionale, politike dhe ekonomike që synon shëndrrimin radikal të shoqërisë, i quajtur shpesh « tranzicion » nuk ka dështuar. Pas një nisjeje me fanfarë, ai ngadalësoi hapin në mes të rrugës për shkak të një voluntarizmi të papërgjegjshëm përpara se t’i fundosen këmbët në baltë për të mos thënë të ndalojë në vend për shkak të një eksplozioni shoqëror, në origjinë të të cilit qëndronin piramidat financiare. Sidoqoftë, as arritjet as edhe vlerat e krijuara nuk u vunë në dyshim as nga kryengritja e armatosur as edhe nga ngritja e socialistëve në pushtet. Në vend të trajtohet si i « dështuar » është e udhës që të quhet thjesht « një tranzicion i pakryer ».
.
.
-----------------------------
.
.
1) Nga epoka e vet komuniste, vendi kish trashëguar 22 divizione këmbësorie që përbënin njëkohësisht edhe 90% të efektivit të tij të forcave të armatosura ; pjesa tjetër ndahej mes forcave ajrore dhe detare. Në pikpamje të efektivit, kjo përfaqësonte 45.000 ushtarë në shërbim të rregullt dhe 19.500 oficerë dhe nënoficerë aktivë, pra një e treta e trupës. Forcat tokësore ishin përqëndruar në 2.500 njësi ushtarake, të shpërndara gjithandej në çdo qoshe të territorit kombëtar, sipas ndarjes territoriale ushtarake që përputhej në vija të përgjithshme ne ndarjen administrative në rrethe. Nga ana tjetër, armatimi i rëndë dhe i lehtë ruhej në më tepër se 2.000 depo armësh. Në përputhje me reformën e re, në vitin 1993, numri i divizioneve u reduktua deri në 9 syresh (plus një të dhjetë që gruponte forcat speciale) për të mbrritur në 5 në vitin 1995. Në 1997, ushtria shqiptare përmban më në fund pesë divizione këmbësorie, njëzet e një brigada të transportueshme, katër brigada tankesh, katër distrikte – ndarje territoriale – navale si edhe tre baza ajrore. Numri i oficerëve aktivë ka zbrritur në 5.000, pa llogaritur gjithashtu edhe 4.000 nënoficera. Pjesa që mbetej u vu në lirim të parakohshëm (ata që ishin 39 vjeç e sipër) ose u çmobilizua, duke përfituar dëmshpërblime të qenësishme. Së fundi, u përpunua dhe u ngrit në këmbë një program i tërë për grupimin e armëve dhe të municionit. Ai parashikonte një zvogëlim të dalëngadalshëm të numrit të kazermave dhe të depove, sikundër dhe një zvogëlim fizik të stokut të armëve. Mes viteve 1992 – 1996, Shteti ka shitur një stok prej 100.000 armësh inidviduale si edhe një stok tjetër fishekësh, si plotësim të parit, për një shumë prej 30 milionë dollarësh. Lidhur me elementë më të thelluar mbi këtë çështje, shih : Denison C. LANE – Once upon an Army : The Crisis in the Albanian Army, 1995 - 1996, Conflict Studies Research Centre, G 114, Septembre 2002. Shih njëkohësisht : Halit DACI – ibidem.
.
.
2) Në të vërtetë, dokumentat themelore të Shtetit parashikonin ndërhyrjen e forcave të armatosura, në mbështetje të operacioneve të policisë ose të forcave të tjera të rendit, për të kundërshtuar përpjekjet ose rreziqet e natyrës që mund të vinin në rrezik egzistencën vetë të vendit ose të rendit kushtetues : « disa nga elementët e forcës ushtarake mund të përdoren për të ndihmuar forcat e policisë në rrethanat e mëposhtme : për të përmbajtur dhe neutralizuar grupet separatiste aktive që përdorin forcën e armatosur për të vënë në rrezik Shqipërinë dhe integritetin e saj territorial ; për të përmbajtur dhe shtypur përpjekjet që synojnë fundosjen e rendit kushtetues, të ardhur nga ana e formacioneve ilegale të armatosura ». Shih : - The Sécurity and Defense Policy of Republic of Albania, Tirana 1995.
.
.
3) « Kryengritja » e deputetëve demokratë në Kuvend s’ish gjë tjetër veçse fillimi i një vargu shqetësimesh të brendshme që do t’a ndjekin Berishën përgjatë gjithë kohës së krizës. Kështu, një numër i ministrave të tij të vjetër do braktisin kampin demokratik që nga momenti i shpalljes të rezultateve të zgjedhjeve qershor – korrik 1997. Mjaft kritikë ndaj Berishës dhe politikës së tij, ata do të vihen në origjinë të një lëvizjeje të re politike, bile dhe të një partie të re demokratike, të deklaruar gjatë vitit 1997. Sidoqoftë, goditja më e rëndë do të vijë nga ana e përgjegjësve të mbrojtjes dhe të forcave të sigurimit kombëtar. Ministri i vjetër i Mbrojtjes Zhulali dhe banda e tij e mësuesve të matematikës do të braktisë vendin për t’u strehuar në Itali, ndërkohë që Gazidede dhe ithtarët e tij islamistë do të fluturojnë drejt Turqisë, etapa e parë drejt një varg vendesh arabe.
.
.
4) Union interparlementaire de Genève - Déclaration universelle sur la démocratie, 161ème Session Conseil interparlementaire, Le Caire, 16 septembre 1997.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur