"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, December 24, 2008

Kohët.

.
. nga Umberto Eco
. Shkruar si parathënie e " Historia e Kohës " të Kristen Lippincott, bot. Larousse, 2000.
.
.
. " Me çka merrej Zoti përpara se të krijonte qiellin dhe tokën ?.. Ai përgatiste ndëshkimet për ata që gërmojnë në këto mistere të shenjta ". Shakaja është fort e vjetër përderisa një shkrimtar nga më seriozët e zgjodhi për t’a cituar (gjithmonë duke u kujdesur të nënvizonte që bëhej fjalë për një shaka), në momentin kur po merej me një nga misteret më të mëdha të filozofisë : kohën. Ky shkrimtar është pikërisht Shën Augustini, i cili i kushton eksplorimit të kohës pjesën më të madhe të librit të tij të njëmbëdhjetë të Rrëfimeve. Duke u kujtuar për këtë shaka, Shën Augustini i afrohet një koncepti të kohës, të pranuar me entusiazëm nga teoricienët e big bang-ut, sipas të cilëve, koha ka një pikënisje të përcaktuar : vetëm duke filluar nga ky big bang, ne mund të flasim për një " përpara " dhe një " prapa ", sikundër është absurde të pyesësh vehten mbi atë çka ka ndodhur " përpara " çfaqjes së kohës.
.
. Kohë më parë se sa Shën Augustini të ngrinte pyetjen, filozofët grekë ishin përkulur mbi çështjen e kohës. Përcaktimi më i njohur është ai i Aristotelit (Fizika, IV, 11, 219, b1) : " Koha është masa e llogaritshme e lëvizjes në funksion të një (gjendjeje) para dhe një (gjendjeje) pas ". Stoikët, për të cilët koha s’ish gjë tjetër vese një " interval " në lëvizjen e botës (shënimi 1), nuk u shmagën aspak nga ideja e Aristotelit. Loke (Locke) i solli një korrigjim të pjesshëm këtij përcaktimi, duke thënë se matja e intervaleve të kohës lidhet fort me " çdo çfaqje periodike konstante, ose me ndryshimin e ideve ", në mënyrë të tillë që edhe sikur dielli, në vend që të çvendosej në qiell, do të shëndriste në mënyrë të alternuar me një ndriçim pak a shumë të gjallë, do të ishte e mundur të përdorej ritmi i këtij alternimi si parametër i matjes së kohës. Korrigjimi i sjellë nga Locke është fort i saktë, përderisa ai legjitimon instrumentat jo-mekanikë të përdorur në kohën e sotme për të matur kohën, sikundër orët me kuartz ose orët atomike. Por, sipas konceptit të tij, koha ishte gjithmonë e përcaktuar në termat e rregullit dhe të ndjekjes, dhe pas tij, as Njutoni as edhe Leibnici (Leibnitz) nuk do të sillnin dot ndryshime në këtë koncept themelor. Në të vërtetë, asgjë s’kish për t’a ndryshuar nga Kanti deri tek Ajnshtajni. Koha i përkiste gjithmonë rregullit të një vargu shkakësor megjithëse duhet përmendur roli i luajtur nga Hans Reishenbash (Reichenbach) në përcaktimin e relativitetit (mbi të cilën do të kthehemi gjerësisht më poshtë) : " Teoria e relativitetit presupozon vetëm një rend të kohës dhe jo një drejtim të saj " (shënimi 2).
.
. Përderisa koha dikur ishte kqyrur si matje e përpiktë e një vijueshmërie të renditur të gjendjes, nuk kemi përse të habitemi nga fakti se kriteri i parë i përdorur nga të gjitha qytetërimet e njohura ka qenë lëvizja e yjeve (në kalim mund të përmendim se ajo është njëherësh edhe lëvizje edhe përsëritje, pra e thënë ndryshe, një çfaqje periodike konstante). Bile edhe sikur koha të reduktohej vetëm në këtë gjë, është interesante të vetëpyetemi përse, përgjatë kaq shekujsh, njerëzit, të cilët matnin vitet, muajt dhe ditët, kishin pritur kaq gjatë të matnin gjithashtu orët dhe minutat. Sigurisht, pengesa e parë e pakapërcyeshme ishte mungesa e instrumentave të saktë. Mjafton të kqyren hezitimet e sistemeve të ndryshëm të kalendarëve për të kuptuar se sa e vështirë ka qenë të ndahej viti në një numër të saktë ditësh. Përgjatë mijëvjeçarësh, e vetmja orë e saktë ka qenë kënga e gjelit në agim dhe, në kushtet e një ekonomie kryesisht agrare, të vetmet matje të nevojshme për të rregulluar jetën e individëve dhe të vetë shoqërisë kishin mbetur lindja dhe perëndimi i diellit sikundër dhe rrjedhja e stinëve. Përgjatë mijëvjeçarësh, koncepti i përpikmërisë ka qenë nga më të paqartët, meqënëse vetë ditët – bile në rastin më të lumtur – ritmoheshin në intervalle të matshme nga tingulli i këmbanave dhe nga këngët liturgjike. .
. . Megjithëse ne i përkasim qytetërimit të sahatit, ne mbetemi shpesh fort të pasaktë në mënyrën tonë për të matur kohën. Mjafton të kqyren gazetat dhe raftet e librarive në vitin 1999 për të konstatuar numrin e madh të librave, mes tyre disa fort seriozë, në fundin e mijëvjeçarit që trajtojnë një çështje ankthndjellëse : a përfundon mijëvjeçari në 31 dhjetor 1999 apo në 31 dhjetor 2000 ?
.
. Është me të vërtet e habitshme si njerëzit nuk qenë të një mendjeje menjëherë : natyrisht që mijëvjeçari duhet të përfundonte në 31 dhjetor 2000, ashtu sikundër dhjetëshja e parë e sistemit dhjetor përfundon me shifrën 10, apo që tjetra që vjen pas fillon me shifrën 11 […] Por këto shifra të rrumbullosura janë si ato pemët që fshehin pyllin (dy zero njëra pas tjetrës fillojnë dhe turbullojnë shpirtrat dhe jo më tre zero rresht, mjaft të kujtohet frika e tmerrshme e " bug-ut " informatik të vitit 2000). Të njejtat debate janë gjallur në kapërcyell të shekullit të XVII dhe XVIII, të shekullit të XVIII dhe XIX, apo të shekullit XIX dhe XX. Dhe mbetem i bindur se do të përjetojmë të njejtën histori në vitin 2999. E pamundur të ndodhë ndryshe : ndjenja popullore e fiton gjithmonë davanë mbi logjikën e shëndoshë dhe mbi vetë shkencën. E pra, sikundër pararendësit tanë e festuan fillimshekullin në 1 janar 1900, edhe ne e festuam fillimin e mijëvjeçarit në 1 janar 2000.
.
. Edhe qeniet më inteligjente humbasin trutë kur vjen fjala për të llogaritur kohën. Vitin që shkoi (në 1998 – shënimi i përkthyesit), kam lexuar një varg artikujsh që i hidhnin fajin plakut të varfër Dionysius Exiguus – ose ndryshe Dionisit të Vogël, përgjegjës për faktin se, përgjatë shekullit të IV të epokës tonë, kish filluar numërimin e viteve nga dita e lindjes së Krishtit. Përpara Dionisit, kjo datë llogaritej nga fillimi i mbretërimit të Dioklecianit ose të fillimit të botës së qytetëruar, datë që siç mund të merret me mend, ishte llogaritur me saktësinë më të madhe. Ne dimë tashmë që Dionisi ishte gabuar gjerësisht lidhur me datën e lindjes së Krishtit (i cili në të vërtetë kish lindur katër vjet më parë - për të mos thënë gjashtë – dhe vetëm sipas këtij gabimi, mijëvjeçari i dytë duhet të kish hequr shpirt aty rreth vitit 1997). Por sa për kuriozitet, këtij Dionisi i është atribuar edhe një gabim tjetër, fort pak i mundshëm : Dionisi, i cili nuk e njihte aspak shifrën zero – e cila, e transmetuar nga Indianët Arabëve, do të mbrrinte në Perëndim vetëm disa shekuj më vonë – paskish filluar epokën e krishterë në vitin 1. Në se do të kish patur mundësinë t’a fillonte këtë epokë me vitin 0, sipas këtij varianti, nuk do të mbetej asnjë pikë dyshimi se mijëvjeçari i dytë do të përfundonte në 1999, sikundër mijëvjeçari i tretë do të fillonte në vitin 2000.
. Për të kuptuar më mirë absurditetin e këtij varianti, mjafton të imagjinohet se çka do të kish ndodhur në se Dionisi, i pajisur me njohuri të thella të matematikës indiane, do të përcaktonte datën e lindjes së Krishtit pikërisht në vitin 0. Përgjatë dymbëdhjetë muajsh rresht, Maria dhe Zhozefi, do të deklaronin se Krishti i tyre i mitur ishte 0 vjeç dhe që do të bëhej 1 vjeç vetëm në fundin e vitit të ardhshëm ? Sigurisht që jo, pasi askush nga ne nuk llogarit në këtë mënyrë rrjedhën e viteve. Që nga momenti i lindjes, çdo qenie e gjallë hyn në vitin e parë të jetës dhe nuk ka asnjë arsye të mendohet një mënyrë tjetër përkatësisht lindjes së shekujve. E vetmja arsye që justifikon rikthimin ndaj këtij debati të pazgjidhshëm është se, megjithë sahatet tona mekanikë apo atomikë nga më të ndërlikuarit, nga momenti që i vihemi matjes së kohës, është gjithmonë e mundur të humbasim trurin.
.
. Fakti është se ndoshta ne dimë të matim kohën, por kjo nuk garanton aspak se ne kuptojmë qoftë natyrën e saj qoftë edhe lidhjen e saj me një sistem të çfarëdoshëm metrik. Le të rikthehemi tek Shën Augustini ynë. Në fillim të reflektimit të tij lidhur me këtë subjekt, duket se ai adopton përcaktimin aristoteljan të kohës dhe vëren se, në kundërshtim me përjetësinë, e cila mbetet një e dhënë e fiksuar (shënimi 3), gjatësia e një periudhe të dhënë mbetet funksion i një vijueshmërie lëvizjesh, të cilat veçse mund të shtohen përgjatë periudhës në fjalë. Formulimi i tij është si më poshtë : " ex multis praetereuntibus motibus - funksion i lëvizjeve të shumta që largohen/që na kalojnë afër ". Ajo çka i bie në sy, në këtë fluks lëvizjesh, është që ato shëndrrohen në të shkuar. Duke u nisur nga ky konstatim, ai fillon dhe mendon mbi faktin se, ndërkohë që në përjetësi, gjithçka është e tashme, koha në të kundërt, është një fenomen fort i çuditshëm në të cilën çdo send i shkuar sikur është përjashtuar nga ideja e të ardhmes, sikundër çdo send i ardhshëm rrjedh nga e kaluara, e shkuara dhe e ardhshmja pra, rrjedhin që të dyja nga e tashmja. E megjithatë, pyet vehten Shën Augustini, si ka mundësi që e shkuara dhe e ardhshmja mund të egzistojnë ndërkohë që e shkuara nuk është më dhe e ardhshmja nuk është ende ? A nuk na mbetet veçse një e tashme e përjetshme ? Atëhere, një e tashme e përjetshme është veçse përjetësia. Përfundimisht, edhe sikur të marim parasysh vetëm këtë të tashme, si mund të shprehemi se muaji në të cilin ndodhemi i takon kësaj të tashmeje, ndërkohë që një ditë, një orë, një minutë apo edhe një sekondë mbeten të vetmet përbërëse reale ? Çdo herë që mundohet të kapë kohëzgjatjen e sekondës së tashme, Shën Augustini kupton se edhe ajo mund të ndahet në fraksione edhe më të vogla – deri në infinit dhe që, edhe njësia më e vogël e mendueshme e kohës kalon aq shpejt nga e ardhmja në të shkuarën sa që e tashmja reduktohet në një kohëzgjatje zero : " nullum habet spatium " (shënimi 4).
.
. Në këtë mënyrë shembet çdo tentativë për të përcaktuar kohën në njësi të matshme, sikundër Shën Augustini e pranon hapur (XI, XIII, 29). Ai nuk pranon se koha varet nga lëvizja e Hënës, e Diellit apo e yjeve. Përse atëhere të mos i referohemi lëvizjes së një trupi të çfarëdoshëm, oes të të gjithë trupave bile edhe më tej (dhe këtu ai del si pararendës i mendimit të Locke-s dhe në vijim, i idesë së sahatit mekanik apo atomik) të një lëvizjeje rrethqarkore, periodike si ajo e çarkut të poçarit ? Por Shën Augustini shkon edhe më larg. Ai evokon thirrjen e Zhosuasë (Josué) : " Diell, ndalu ! " (Josué, 10,11). Në këtë moment preciz, Dielli dhe të gjitha yjet ndalën lëvizjen e tyre ; por koha vazhdoi të rrjedhë. Ne lexuesit e tij mund të pyesim vehten mbi natyrën e kësaj kohe që " vazhdoi rrjedhjen " edhe pas ndaljes së Diellit. Ndoshta ishte koha e ndërgjegjes së vetë Zhosuasë (dhe ndoshta ajo e trupit të tij). Në mënyrë të natyrshme, duke hedhur poshtë hipotezën që lidh kohën me lëvizjen e trupave qiellorë, Augustini hedh menjëherë idenë se koha është një shtrirje ose një lëvizje e përhapjes së shpirtit.
.
. Ja pra, Shën Augustini na mëson se ne nuk mund të matim as të shkuarën, as të ardhmen as edhe të tashmen (pasi këto nuk egzistojnë kurrë), e megjithatë, çdo herë që ne themi lidhur me një interval kohe që ai është i gjatë, ose që duket sikur nuk po kalon kurrë – ose në të kundërt, që ai kaloi aq apo kaq shpejt, ç’bëjmë ne më tepër se sa matjen e tij ? E pra, egzistoka edhe një mënyrë tjetër matjeje jo-metrike, të cilën ne e përdorim për të thënë se dita ishte e gjatë dhe e mërzitshme, ose në kundërtën, që ajo ishte e këndëshme dhe e shkurtër. Por Augustini na rezervon një surprizë të vërtetë, kur e vendos këtë sistem jo-metrik në kujtesën tonë. Pra, matja e vërtetë e kohës është një matje e brendshme. Shekuj të tërë më vonë, Henri Bergson do të vendosë ballëpërballë kohën metrike dhe kohën e ndërgjegjes tonë, ose " kohëzgjatjen e brendshme ". Por, sado të mrekullueshme të jenë shkrimet e Bergsonit (sikundër dhe e tija Esé mbi të dhënat e menjëhershme të ndërgjegjes), dhe sado pasionante të jetë përballja e mendimit të tij mbi këtë temë me atë të Proust-it, nuk duhet harruar se Shën Augustini kish arritur në këtë pikë që prej shekujsh dhe faqet e shkruara prej tij mbi kohën mbeten nga më bashkëkohoret, nga më të saktat dhe nga më domethënëset të të gjithë historisë së filozofisë.
. Askush nuk do të kish idenë të mohonte dobinë e matjes së kohës me anë të sahatit, por është fare e kjartë se kjo kohë gjendet e ndërthurur ngushtësisht, në jetën e përditshme (në mos për gjë tjetër, të paktën për shkencën), me kohën e ndërgjegjes dhe atë të kujtesës. Ndoshta këtu është rasti të hapim një debat lidhur me kohën fenomenologjike (Husserl) ose mbi konceptin e kohës së Heidegger-it, fort pak i larguar nga koha objektive ose biologjike, sikundër dhe mbi idenë e kohës fizike të entropisë, kjo kohë sipas të cilës çdo qenie e gjallë tendon drejt asgjësë (barazisë asgjësuese – shënim i përkthyesit). Me fjalë të tjera (dhe s’kemi aspak nevojë për një Heidegger për të na i kujtuar), të gjithë qeniet e gjalla janë të vdekshme. Por Heidegger-i shkon edhe më larg duke u munduar të ndërthurë këtë kohë të pamëshirshme fizike, biologjike, me një " kohë të projektimit " - e vetmja mundësi që na është ofruar – dhe pyet vetvehten si mund të bëjmë që të jetojmë duke pranuar idenë se ne egzistojmë vetëm për të vdekur.
.
. Qëllimi im nuk është aspak, në kuadrin e këtij shkrimi, të përshkruaj një tablo përmbledhëse dhe shterruese të çështjes së kohës. Autori as që e ka atë mundësi të ndërmarrë një detyrë të tillë. Mjaft që të vihet gishti mbi disa fusha ku mbretëron konfuzioni. Ndërkohë që ne flasim mbi kohën, konfuzioni është i dukshëm edhe në nivelin e gjuhës që përdorim. Absolutisht aspak konfuze të thuhet për shembull, se ora është dy pa dhjetë, sot në datën 23 dhjetor ; koha e treguar nga sahati i murit si çdo kohë astronomike shërben për të bindur dhe qetësuar vehten. Por, konfuzioni fillon dhe çfaqet nga momenti kur flitet për kohën e brendshme.
.
. Koha rrjedh para apo pas nesh ? Pyetja nuk është aq absurde sa duket, përderi sa ne themi për shembull që, është ora 6 e mëngjezit ndërkohë që dielli gjendet në një pikë të caktuar të qiellit në të djathtën tonë dhe që me tej themi, është ora 6 e mbrëmjes kur po ai diell gjendet në një pikë tjetër të qiellit, kësaj here në të majtë. Natyrisht, ky kriter ndryshon në funksion të vështrimit tonë të orientuar herë nga veriu, herë nga jugu dhe herë nga lindja : përderisa dielli përshkon kupën e qiellit, e kaluara gjendet, të themi, përpara nesh dhe orët që do të vijnë më pas, ndodhen prapa. A duhet të arrijmë në përfundimin se kultura jonë e paraqet të kaluarën sikur ajo ndodhet përpara nesh dhe të ardhmen prapa ? Kultura të tjera, me sa duket, i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetjeje, pasi e kaluara është ajo çka njohim ndërkohë (bile mund t’a shohim me sytë tona) ndërsa e ardhmja është ajo që ende nuk e kemi njohur. Por sapo që kqyrim gjuhën tonë si Perëndimorë që jemi sikundër dhe mënyrën me të cilën ne shpjegojmë kohën, ne konstatojmë që arsyetimi ynë i zakonshëm punon së prapi : ne themi të përfundojmë punën gjatë kohës që gjendet përpara nesh, ne përmendim muajt që tashmë ndodhen prapa nesh kur përmendim " rikthimin në kohën e vegjëlisë " (shënimi 5).
. Por, sidoqoftë kujdes. Ne flasim gjithashtu për " disa javë në vazhdim ", duke implikuar idenë se diçka na ndjek, nga pas, dhe jo sikur ajo të gjendej para nesh. Atëhere, e ardhmja gjendet pas nesh ? Bile ende më mirë. Ne flasim për të ardhmen sikur diçka do të ndodhë herët apo vonë këtu, aty ku gjendemi në këtë moment, ndërkohë që e kaluara largohet pas nesh. Kështu, ne themi " do të vijë koha " (ndryshe, ajo do të vijë këtu) ndërkohë që shprehemi " kanë kaluar vite nga fëmijërija " (ndryshe, larg prej këtu). Vështirë është të neglizhohet karakteri iracional i shprehjeve të tilla. Në të vërtetë, edhe sikur të jetë e arsyeshme t’i bëhet thirrje një fjalori hapësinor për të përmendur një të ardhme apo një të shkuar, është krejt e logjikshme që të kqyrim të ardhmen si një vend ku do të shkojmë një ditë ose një tjetër ditë dhe jo si një send që vjen drejt nesh, pikërisht aty ku gjendemi sot. Dhe e njejta, ne duhet të themi që ne largohemi nga e shkuara, aty ku kemi qenë dikur, dhe jo të flasim për një të shkuar që largohet nga ai vend në të cilin ne gjendemi tash.
.
. Dereck Bickerton, në veprën e tij Rrënjet e gjuhës (shënimi 6), propozon një ushtrim të shkathët reflektimi që ne mund t’ja adoptojmë problemit tonë : imagjinoni që jetoj që prej një viti në mes të një fisi primitiv, gjuhën e të cilit e njoh fort përciptas (vetëm disa emra objektesh dhe të veprimeve të thjeshta, disa folje në formën e tyre paskajore, disa emra të përveçëm por jo mbiemra etj. etj..). Jam në gjueti me Ogun dhe Ugun, të cilët plagosën një ari. Ariu i përgjakur futet në shpellën e tij. Ugu kërkon t’a ndjekë pas dhe t’a vrasë.. Por, më kujtohet se disa muaj më parë, Igu kish plagosur një ari tjetër dhe pa menduar gjatë e ndoqi brenda në shpellë ku ariu ende i fuqishëm e vrau dhe e hëngri. Dua t’i rikujtoj Ugut këtë epizod por në këtë rast, më duhet të zotëroj mjaftueshmërisht elementë për të thënë se më kujtohet një ngjarje e shkuar. Por, nuk i njoh kohët e foljeve dhe nuk di të them " më kujtohet.. ". Atëhere, i them " Eco shoh ari ". Ug dhe Og kuptojnë se kam parë një ari tjetër dhe frikësohen. Atëhere, mundohem t’i qetësoj dhe them " Ari jo këtu ". Ata mendojnë se po tallem me ta, gjë që s’është aspak e vërtetë, bile edhe momenti s’është aspak i përshtashëm për shaka. Këmbëngul dhe them " Ari vras Ig ". Ata më përgjigjen " jo, Ig vdekur ". Ndoshta duhet t’a le këtë muhabet si edhe vetë Ugun të gjejë edhe ai vdekjen nga ariu. Sidoqoftë, tentoj një mënyrë tjetër, kësaj rradhe më shumë pamore se sa të zëshme. Gjithmonë duke thënë " Ig " dhe " ari ", i bie me grusht kokës, gjoksit në zonën e zemrës ose barkut (çdo vend ku mund të gjendet memorja). Më tej, vizatoj në tokë dy silueta dhe i quaj " Ig " dhe " ari ". Prapa Igut vizatoj një varg hënash në faza të ndryshme, si për të thënë " u bë kaq kohë që atëhere " dhe e përfundoj çfaqjen me një vizatim të ariut duke ngrënë Igun. E gjithë kjo përpjekje mbështetet mbi idenë se bashkëbiseduesit e mij indigjenë zotërojnë konceptin e memorjes, të të shkuarës, të të tashmes dhe të të ardhmes. Sidoqoftë, duke ditur se më duhet edhe një interpretim pamor të këtyre koncepteve, më duhet të di në se për ta, e ardhmja qëndron përpara apo prapa nesh. Në se gabohem, interpretimi im rrezikon të mos ketë asnjë kuptim për ta. Në se vendos ariun që vret Igun në të majtë ndërkohë që për ta, e shkuara gjendet në të djathtë, çdo gjë merr fund – duke përfshirë edhe vetë Ugun. Ja pra një rast interesant lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen, tek i cili jeta dhe vdekja varen nga marrëveshjet semiotike. Le të themi në kalim se, asgjë në konceptimin tim ndaj të shkuarës dhe të ardhmes nuk më informon lidhur me konceptimin hapsinor të kohës të bashkëbiseduesve të mij.
.
. Natyrisht, një i ditur mund të vërejë se ky incident reflekton veçse problemet e shtruara nga shumllojshmëria e gjuhëve, dhe që vështirësia me të cilën ndeshem (sikundër dhe Ugu dhe Ogu) s’ka të bëjë aspak me përcaktimin shkencor të vetë kohës. Nuk bëhet aspak fjalë që, nëpërmjet kësaj përvoje, të sugjeroj se mendimet tona naive dhe gjuha jonë defektoze mund të kenë një rrjedhim të çfarëdoshëm mbi shkencën dhe konceptin e saj të kohës. Përgjatë vitesh kam patur një respekt thuaj fetar ndaj konceptimeve shkencore (aspak naive) të kohës, veçanërisht pas leximit të Drejtimit të Kohës, të Reichenbach. Për të, universi i përvojës tonë përmban jo vetëm vargje shkakësore " të hapura " (A është shkaku i B, B shkaku i C, C i D dhe në vijim deri në pafundësi) por njëkohësisht edhe vargje shkakësore " të mbyllura " (A është shkaku i B, B shkaku i C dhe C shkaku i A). Në rastin e një vargu shkakësor të mbyllur, mund të kthehem në të shkuarën, të takoj gjyshen kur ajo ishte ende e re, të martohem me të dhe të bëhem gjyshi i vetvehtes…
.
. Asnjë udhëtim i këtij lloji nuk është i mundur në botën tonë megjithëse ato gëlojnë në romanet e fantashkencës, ku lexuesi është i detyruar të pranojë këtë vizion të kohës dhe të imagjinojë botët ku " shigjeta e kohës " ndrron sensin. Si bëjmë ne për të konceptuar të tilla botë, si mundet t’i imagjinojmë, pasi jemi me të vërtetë të detyruar t’i imagjinojmë për të kuptuar historitë që na serviren ? Për të ilustruar këtë ide, le të kqyrim situatën e përshkruar në filmat e tipit Kthimi në të ardhmen. Për t’a reduktuar skenarin në shprehjen e tij më të thjeshtë, le të imagjinojmë një personazh të quajtur Tom 1, që udhëton drejt të ardhmes dhe që arrin në destinacion në formën Tom 2 (një Tom tjetër, disa orë më i vjetër se Tomi 1). Por ky Tomi 2 rikthehet prapa në formën Tom 3, disa orë më përpara nisjes së Tom 1. Tom 3 takohet me Tom 1 në të shkuarën, në momentin kur ky i fundit përgatitet të niset drejt të ardhmes. Tomi 3 vendos atëhere të ndjekë Tom 1 në të ardhmen dhe mbrrin në këtë destinacion në formën e Tom 4, vetëm disa minuta më parë se përpara mbrritjes së Tom 1 (në formën Tom 2). Edhe lexuesi më i vëmendshëm tashmë e ka të vështirë të kapë kuptimin e kësaj historie. Megjithatë ai ja arrin qëllimit, duke i identifikuar gjithmonë në një moment të dhënë me një Tom të dhënë – ai që mban shifrën më të lartë mes të tjerëve, të cilët kqyren nëpërmjet pikpamjes së tij.
.
. Pra, sikundër u përmend më lart lidhur me shprehjet gjuhësore që shprehin një marrëdhënie mes kohës dhe një trupi në të folurit të përditshëm, ose më thjesht, një kohë të imagjinuar si e afërt ose e largët ndaj trupit tonë dhe e përcaktuar nga ndërgjegja jonë, në të njejtën mënyrë këtu, ne dallojmë kohën dhe paradokset e saj duke u nisur nga vendi ku gjendet trupi ynë.
. Sa më tepër të përpiqemi të thellojmë refleksionin, pavarësisht, aq më tepër ne realizojmë që në të vërtetë, të gjitha " sahatët " e përdorur nga njeriu të paktën përpara shpikjes së sahatit mekanik, i bashkëngjiteshin në një formë ose në një formë tjetër vendndodhjes së trupit tonë. Koha pra matej në raport me lëvizjen e dukshme të yjeve dhe me " lindjen " apo me " perëndimin " e diellit, e thënë ndryshe me lëvizje që egzistojnë vetëm në sajë të pikpamjeve tona (ç’është e drejta, natyrisht është vetë Toka që rrotullohet, por ne nuk e dinim dhe pak rëndësi kishte në se e dinim apo jo). Në fillim të epokës së sahateve, dikush tentoi bile t’i asimilonte me vetë trupin e njeriut këto krijesa aq pak antropomorfe ; shekulli i XVIII ofron shembuj poemash të admirueshme që i krahasonin këta të fundit me monstra të ngërdheshur që përtypin sekondat me nofullat e fuqishme dhe që i pështyjnë si rrokje. Mundim i kotë për ne të tjerët që nuk do të arrijmë kurrë të humanizojmë sahatët atomikë, bile edhe ato më pak të frikshme të ekraneve të kompjuterave.
.
. Asnjëherë nuk do të mundemi të shuajmë përfytyrimin e kohës lidhur me trupin tonë. Fundja fundit, ne që shihemi në pasqyrë dhe shohim dita-ditës trupin tonë të plaket, ne jemi sahatët e vetvehtes. Provoni të bëni disa pompa mbi muskujt e krahut, të zbrisni shkallaret me vrap ose të kapërceni gardhin e fqinjit, do të shihni shumë shpejt sa kohë ka rrjedhur që prej njëzet vjetësh të shkuara. Çfarë shansi të jesh një vdekatar i thjeshtë ! Është pikërisht kjo ndjenjë e mjerë që na lejon gjatë gjithë kohës të zotërojmë vetë kohën.
.
. (shqipëruar nga Xixa)
.
.
. ----------------------------------------------
.
.
. (1) Vini re se në këtë përcaktim të Krizipit, " intervali " nuk i referohet një " hapësire boshe mes dy sendesh " ; fjala korresponduese greke është " diastema ", një term që përdoret kur flitet lidhur me një interval në muzikë, e thënë ndryshe " relacioni " mes dy notave. Nuk bëhet fjalë aspak për një " hapësirë boshe " ose një heshtje por për një " mbushje " tingullore të kapur nga veshi i njeriut.
.
. (2) Hans Reichenbach – The Direction of Time, Berkeley and Los Angeles, 1954.
.
. (3) Lidhur me konceptin e përjetësisë, Shën Augustini frymëzohet njëkohësisht prej Platonit dhe prej neoplatonistëve, por ai mbetet po aq i zhytur në filozofinë e stoikëve. Kjo lloj lidhje shtrihet mbi rreth njëzet e pesë shekuj reflektimi mbi kohë, e pamundur të shtjellohet qoftë edhe në sprovën e llojit të mësipërm.
.
. (4) edhe një provë më tepër e përdorimit të një termi hapsinor kur flitet për kohën.
.
. (5) në lidhje me këtë dukuri si dhe të tjera vëzhgime interesante mbi metaforat hapsinore-kohore, shih G. Lakoff & M. Johnson – Metaphors We Live by, Chicago, 1980.
.
. (6) Dereck Bickerton – The Roots of Language, Ann Harbor, 1981.

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, December 22, 2008

1991-92: fundi i një epoke.

.
. Në prag të përplasjes së parë elektorale „pluraliste" të vitit 1991, të vetmet forca që rrezatonin nga një entusiazëm i pabesueshëm ishin ato të opozitës. Megjithatë, ato gjendeshin përpara një detyre me përmasa të pamatshme, marrjen e pushtetit, duke patur si elementë pozitivë vetëm premtime – shpresën e një jete të re më të mirë, projektet e kthimit drejt pronës private, objektivat e afrimit me vendet e Evropës perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë kësaj opozite i duhej të përballonte peshën e një egzistence embrionare si edhe të papërvojës në çështjet e drejtimit ekonomik. Të gjithat rrymat dhe tendencat e saj përgatiteshin ethshëm për betejën e ardhshme : prilli po afronte dhe asgjë nuk ishte e sigurt. Në 20 shkurt, qeveria Çarçani dha dorëheqjen dhe në vazhdim, Presidenti Alia ngarkoi Fatos Nanon, një ekonomist që ende s’i kish mbushur të dyzetat, për të krijuar qeverinë e re.
.
. Si për inat të kundërshtarëve të tij, komunisti i moderuar Fatos Nano mundi të realizonte objektivat e tij të para. Ai krijoi një ekip të ri ministror prej njëzet e pesë fytyrash krejt të reja dhe paraqiti programin e tij politik dhe ekonomik përpara Kuvendit Popullor. Duke përshkruar një tabllo krejt të zezë të ekonomisë kombëtare – pasojë e drejtpërdrejtë e sistemit tepër të centralizuar dhe të planifikuar, ai bëri thirrje për privatizime masive dhe të shpejta si edhe për reformim radikal të sistemit, me qëllim përgatitjen e kalimit drejt një ekonomie të tregut, duke tejkaluar në këtë mënyrë projektet e rivalëve të tij demokratë. Por përpara murit të pakapërcyeshëm të vështirësive të përditshme, programi i qeverisë Nano u mblodh në një grusht dhe përfundoi në një rresht të vetëm : administrimi i krizës së thellë dhe vendosja e rregullit në mes të kaosit.
. Në të vërtetë, atij i duhej të merrej në rradhë të parë me shpërndarjen e ndihmës humanitare që qeveritë evropiane – me italjanët në krye – u ngutën të dërgonin në Shqipëri, në shkëmbim të vënies nën kontroll të fluksit të pashterrur të emigrantëve. Kjo ndihmë do të kthehej një një gjyle të rëndë, të mbërthyer në këmbën e Nanos, pasi i akuzuar për shpërdorim të saj ai do të përfundonte në qelitë demokratike vetëm disa muaj më vonë. I vetmi gjest zemërgjerësie i qeverisë Nano qe amnistia e përgjithshme e të burgosurve politikë dhe atyre të opinionit. Në muajin mars të vitit 1991, mbi 3.000 të burgosur të këtyre kategorive u liruan dhe u autorizuan të ktheheshin në vatrat e tyre.
. Zgjedhjet legjislative, të parat që mund të quheshin pluraliste që prej vitit 1920, u zhvilluan sipas parashikimit : turi i parë në 31 mars dhe turi i dytë në 7 prill, nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare. Rezultatet nuk linin vend për asnjë dyshim : PPSH i fitoi zgjedhjet krejt bindshëm (shënimi 1). Nano u ngarkua rishtas të formonte qeverinë e re. .
. . Fakti në vetvehte ishte dërrmues. Megjithë kaosin e prekshëm dhe çorganizimin e plotë – argumenta që diskreditojnë deri-diku tezën e një fushate frikësimi të ndërmarë nga ana e PPSH, megjithatë aq shumë të përfolur nga ana e opozitës – zgjedhjet e mars-prillit të vitit 1991 ju siguruan komunistëve shumicën absolute në parlament. Kjo u bë e mundur kryesisht nëpërmjet votës së fshatit ku ndikimi i komunistëve mbetej mbizotërues, së bashku me traditën e së kaluarës, frikën dhe mosbesimin ndaj demokratëve. Nga ana e saj, PPSH u aplikua me metodë dhe deri në momentin e fundit : duke zotëruar praktikisht të gjitha mjetet e informacionit si edhe fondet e nevojshme, ajo orientoi fushatën e saj pikërisht drejt fshatarësisë që përbënte rezervën e saj të vetme. Ajo u mundua njëkohësisht të mbipopullonte pejzazhin politik të vendit : nën frymëzimin e saj të drejtpërdrejtë, u krijuan një varg partish satelite siç ishte rasti i Partisë së Progresit, të cilat u turrën menjëherë në garën zgjedhore. Të gjitha këto formacione politike, duke përfshirë edhe Bashkimin e Veteranëve të Luftës – një tjetër krijesë ad hoc e PPSH, shërbyen për të shpërndarë dhe thërmuar votat e elektoratit, duke ndihmuar kështu në disfatën e Partisë Demokratike.
. Sidoqoftë, disfata e kësaj të fundit ishte më se e nderuar. Vetëm tre muaj pas krijimit, ajo mundi të grumbullonte nën flamurin e saj rreth 40% të elektoratit, në mënyrë të veçantë qytetarët. Presidenti Alia dora vetë nuk mundi të zgjidhej në zonën e tij elektorale të kryeqytetit, i mundur nga një kandidat demokrat krejt i panjohur. Megjithatë, shija e disfatës mbetej mjaft e hidhur pasi njerëzit filluan të kuptonin se në të vërtetë, beteja për demokracinë sapo kish filluar.
.
. Përfundimisht, rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin të natyrës që të qetësonin njerëzit, më mirë të themi, të mund të siguronin atë pjesë të popullatës që konsideronte vetvehten si motorin e ngjarjeve të janar – shkurtit të vitit 1991. Ato nuk mund të kënaqnin as vetë opozitën të cilës i duhej të priste tashmë vite të tëra në hije. Ja pra si u krijua ndjenja e pakëndëshme që ajo ishte përcjellë me duar bosh, që fitorja i kishte hikur duarsh për shkak të një ndeshjeje aspak të ndershme. Kjo përshtypje poshtërimi, e zmadhuar si rezultat i përpjekjeve të paprera të gjithë atyre forcave të brendshme dhe të jashtme, kundërshtare ndaj idesë së rikthimit të komunistëve në pushtet - dhe ç’është më e keqja me forma ligjore, përcaktoi edhe rrugën që duhej ndjekur në vazhdim. Gjithnjë e më tepër filluan të dëgjoheshin zhurma dhe pëshpëritje sipas të cilave, ishte duke u përgatitur një skenar " alla bullgar " (shënimi 2). Në të vërtetë, gjatë periudhës mes dy tureve të zgjedhjeve, një varg trazirash shpërthyen në Shkodër ku trupat speciale të qeverisë Nano qëlluan mbi demonstruesit që protestonin përpara selisë lokale të PPSH, duke vrarë tre vetë. Në shenjë proteste, Partia Demokratike e cila kish mundur të siguronte ndërkohë mbështetjen e një pjese të sindikatave profesionale, urdhëroi shpalljen e një greve të përgjithshme në 6 prill, e ndjekur masivisht nga klasa puntore dhe e mbështetur gjerësisht nga opinioni publik.
.
. Deputetët e porsazgjedhur, të mbledhur në seancën plenare, filluan debatet në një atmosferë të stuhishme, i vetmi epitet që karakterizon fund e krye punimet e Kuvendit të ri. Megjithatë, gjatë egzistencës të tij të shkurtër, Kuvendi mundi të përpunojë disa dokumenta qenësorë të demokracisë së re. Një nga detyrat e tij të para ishte të fshinte epitetet " popullore " dhe " socialiste " të shartuara mbi emrin e Republikës gjatë viteve të diktaturës. Tashmë e tutje, vendi duhej të kënaqej me një emërtim të përkorë - Republika e Shqipërisë. Përtej etimologjisë, bëhej fjalë për të shëndrruar natyrën e Shtetit i cili me këtë rast kthehej në parlamentar, garant i lirive themelore të qytetarëve dhe i ndarjes së pushteteve. Kuvendi popullor vendosi gjithashtu zvogëlimin e numrit të deputetëve si edhe rimëkëmbjen e funksionit të Presidentit të Republikës si Kryetar i Shtetit, funksion i hequr nga fjalori kushtetues shqiptar në vitin 1928, me rasti e shëndrrimit të Republikës së Presidentit Zog në monarki të Mbretit Zog i Irë. Ç‘është e vërteta, gjatë periudhës së Republikës së IItë komuniste, roli i Presidentit të Republikës përmbushej nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me funksione thjesht simbolike, i ushtruar përgjatë tridhjetë vjetësh nga Haxhi Lleshi, një veteran i Luftës Nacional-Çlirimtare. Vetëm në vitin 1982, Sekretari i Parë i PPSH, Ramiz Alia u zgjodh - pêr tê mos thënë u vetëzgjodh - President i Kuvendit Popullor dhe gradualisht ai rigjeti atributet " klasike " të Kryetarit të Shtetit.
.
. E pra, gati dhjetë vjet më pas, pikërisht po ky Ramiz Alia u paraqit si kandidat i vetëm i shumicës për postin e Presidentit të Republikës, duke helmuar përfundimisht atmosferën politike të tendosur tej mase Megjithë disfatën personale gjatë zgjedhjeve dhe falë votës të deputetëve komunistë, Ramiz Alia rigjeti fronin e tij të presidentit, ndërkohë që hiqte dorë nga vendi i Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH. Opozita e priti këtë gjest si një provokacion të hapur. Në 16 maj, një grevë e re e përgjithshme paralizoi transportet dhe industrinë e vendit. Dalja masive në rrugë e klasës puntore si edhe braktisja e vendit nga disa mijra vetë të tjerë, me anë të anijeve turke, greke ose ruse i dhanë edhe grushtin e fundit dominimit të partisë komuniste. Në 5 qershor, qeveria Nano dha dorëheqjen dhe disa ditë më vonë, në 11 qershor, ajo u zëvendësua nga një qeveri e Stabilitetit, e krijuar me teknokratë. Në gjirin e qeverisë së re, të drejtuar nga komunisti i moderuar Ylli Bufi, opozita demokrate (PD) dhe ajo republikane (PR) ndante kolltuqet me komunistët e PPSH dhe me aleatët e saj social – demokratë (PSD) dhe agrarë (PA) – një ngjarje e pashembullt për një qeveri shqiptare që prej fundit të luftës së Dytë botërore. Shqipëria hynte kështu në një zonë turbulencash të forta politike dhe për sejcilin skema ishte krejt e qartë : tashmë, rruga zotëronte mjetet e nevojshme për t’ju imponuar qeverisë dhe kjo zgjidhje bashkëjetese përbënte hapin e parë drejt marrjes përfundimtare të pushtetit nga ana e Partisë Demokratike.
.
. Ndërkohë, plaçkitja sistematike e vendit bënte kërdinë. Cili ishte qëndrimi i opozitës së re përballë shpërthimit popullor ? E rezervuar deri në prag të zgjedhjeve, ajo u kthye në tejet agresive menjëherë pas shpalljes të rezultateve. Fjalimet e saj njëkohësisht ultra liberale dhe radikale përmblidhnin në vetvehte presionet ndaj qeverisë dhe thirrje pothuaj të hapura për të thyer strukturat e vjetra, të trashëguara nga e kaluara komuniste, duke kërcënuar vazhdimisht me forcën e manifestimeve të rrugës. Fjalët dhe shprehjet e përdorura nga këta opozitarë të flakët, një pjesë e të cilëve të sapolarguar nga rradhët e PPSH ndërkohë që pjesa tjetër dilte nga qelitë e rregjimit të vjetër, s’bënë gjë tjetër veçse ndezën urrejtjen, ngritën në sipërfaqe të shprehjes popullore ndjenja armiqësore të cilat populli i kish fshehur në fund të ndërgjegjes të tij përgjatë një gjysëm shekulli. Mjafton të përmendim atë thirrje proverbiale të njërit prej liderëve të demokracisë të porsalindur, me anë të të cilës ai ftonte popullin të priste nga rrënjët deri edhe drurët frutorë, këto " lidhje të urryera " me një epokë tashmë të shkuar. Turmës i bëhej thirrje në mënyrë të vazhdueshme për të vërejtur humnerën që e ndante nga bota e qytetëruar perëndimore, shtrirjen e fatkeqësisë materiale në të cilën e kish zhytur rregjimi i vjetër ose së fundi, peshën e shtypjes ose të krimeve nën të cilën ai kish jetuar përgjatë viteve të diktaturës.
. Të pandërgjegjshëm dhe ndoshta të papërgjegjshëm, liderët demokratë vunë në lëvizje një mekanizëm djallëzor i cili do t’i bluante edhe ata vetë disa kohë më vonë : nxitja drejt aksionit e masave popullore të cilave ju mungonin pikat e orientimit, të brishtëzuara nga vuajtjet dhe të mbërthyera nga ankthi, egzaltimi i ndjekur nga instrumentalizimi politik i turrit të tyre shkatërrimtar. Të ndërtohej e ardhmja, me anë të manipulimit të frikës dhe të fantazmave kolektive, ja edhe platforma e " kontratës sociale " e propozuar nga demokratët në vitin 1991.
. E interpretuar në rastin më indulgjent si një vullnet popullor për të hedhur tej çdo gjë që kish të bënte me të kaluarën, kjo dhunë sistematike, viktimat e vetme të të cilës qenë idolatria e pushtetit dhe pasuria kombëtare, tejkaloi çdo parashikim dhe çdo objektiv paraprak. Në qoftë se kjo lëvizje spontane që i hapi rrugën shprehjes primare popullore i shërbeu çështjes, në rradhë të parë pasi afroi atë " vit zero të demokracisë " aq të dëshiruar, ajo vazhdoi të shkaktonte dëme të mëtejshme edhe gjatë vitit 1992 për të mos thënë edhe gjatë vitit 1993. Pa asnjë dyshim, kjo gjë e vuri ekonominë shqiptare në një gjendje invaliditeti të vazhdueshëm, duke e zhveshur vetë klasën politike të vendit nga mjetet e nevojshme financiare dhe zgjidhjet ekonomike adekuate për të siguruar zhvillimin e shoqërisë.
.
. Përplasja e hapur mes forcave politike lokale, megjithë faktin që ato ndodheshin rreth tryezës qeveritare, mbërtheu gjithë skenën e përditshme dhe u kthye në një nga argëtimet kryesore të popullatës. Tashmë, turra e të ikurit nga sytë këmbët po shëndrrohej në tërbim të debatit politik. Të ngërthyer mes politikës dhe ikjes, në mes të gërmadhave të shembjes së komunizmit dhe atyre që kishin krijuar vetë nëpërmjet çmëndurisë shkatërruese, njerëzit nuk punonin më dhe vendit i mungonte çdo gjë, duke filluar nga buka e përditshme. Nga ana tjetër, Kryeministri Bufi qe aq i pakujdesshëm sa t’a deklaronte këtë gjë publikisht, duke shkaktuar një rendje të përgjitshme drejt magazinave ushqimore. Njerëzit sulmuan furrat e bukës, dyqanet ushqimore deri edhe depot e rezervave të shtetit të cilat, të zhveshura fillimisht nga mallrat dhe prodhimet e tyre, u zhveshën edhe nga çdo mobilje të brendshme, përpara se të thyheshin dhe të plaçkiteshin deri edhe në nivelin e tullave. Vendi u gjend kështu përballë një katastrofe ushqimore nga e cila ai doli falë ndihmës urgjente prej 2 milionë ekush të dhënë nga Bashkësia Evropiane. Dy vendet më të interesuara, Greqia dhe Italia, e kushtëzuan ndihmën me kontrollin e flukseve të emigracionit dhe për të siguruar transportin dhe më tej shpërndarjen e saj në vend, Italia sugjeroi idenë e përdorimit të trupave të saj ushtarake : kështu lindi operacioni " Pelikan " (shënimi 3). Sikundër dhe pararendësja e saj, qeveria e Stabilitetit Kombëtar të Bufit u shëndrrua në ndihmës-përgjegjëse e shpërndarjes të pakove me ushqime dhe në administratore e krizës. Forca kryesore politike e vendit, PPSH, e kapi menjëherë kuptimin e situatës politike dhe mësimet e zgjedhjeve parlamentare. Baza e saj e gjerë elektorale tregonte të gjitha shenjat e thërmimit të saj të ardhshëm nën presionin e vazhdueshëm të demokratëve, konjuktura ndërkombëtare paraqitej krejt e pafavorshme dhe e kaluara e saj mbetej një barrë tejet e rëndë. Kështu, asaj ju desh të kryente një shëndrrim të thellë të brendshëm për të përballuar betejën e ardhshme për pushtetin. Në 12 qershor 1991, PPSH organizoi Kongresin e saj të Xtë, i cili jo vetëm vendosi të ndrronte emrin e partisë njëkohësisht me ripërtëritjen e të gjithë organeve të saj drejtuese, por edhe të përpunonte platformën e saj të re politike bashkë me strukturën organizative. Sipas modelit të përsosur nga partitë e tjera të botës së vjetër komuniste dikur në pushtet, partia u zhvesh nga të gjitha referencat leniniste dhe nga konceptet tashmë të panevojshme të diktaturës së proletariatit, të luftës së klasave, të centralizmit demokratik si dhe të hegjemonisë së klasës puntore. Vetë Presidentit Alia ju desh të bënte autokritikë dhe në cilësinë e përfaqësuesit të të kaluarës, ai mori mbi vehte një pjesë të gabimeve të komunizmit. Përfundimisht, Kongresi shpalli shpërndarjen e PPSH.
.
. Pa asnjë dyshim, hupësi i madh i këtij tubimi të përgjithshëm ishte Ramiz Alia. I sulmuar pa mëshirë nga opozita si përgjegjës i shtypjes policore të manifestimeve të shkurtit 1991, ai nuk u kursye aspak edhe nga kampi i tij, pjesa konservatore e të cilit i kërkonte llogari lidhur me arsyet e brendshme që e shtynë për t’i hapur udhën demokratizimit të vendit ndërkohë që pjesa liberale e quante si një gërmadhë të të kaluarës, që pengonte pikërisht hapjen e kësaj rruge. Shqelmimi i Presidentit u shëndrrua për shumë ish-komunistë në një ushtrim stili : zaten, vështirë se mund t’i shpëtohej tundimit për t’i dhënë atë goditjen e fundit proverbiale të gomarit ndaj një luani dikur të frikshëm, të cilit i kishin rënë tashmë dhëmbët. Ndoshta nga që sejcili kërkonte me ngulm " udhën e tij të Damaskut " që çonte drejt gjetjes të të vërtetës personale. Sidoqoftë, gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 1991, në mes të asaj fushate sulmesh ndaj figurës së tij, gjatë një inteviste televizive Alia dënoi pa asnjë rezervë grushtin ushtarak të Shtetit, të organizuar nga konservatorët kundër Mikail Gorbaçevit. Duke dalë kështu në mbrojtje të mentorit të tij politik sovjetik, ai i mbeti besnik imazhit të tij prej reformatori.
.
. E dalë nga Kongresi i Xtë, Partia Socialiste e drejtuar nga Fatos Nano ruante bazën shoqërore të PPSH, magjithë faktin që puntorët si dhe një pjesë e madhe e intelektualëve kishin dezertuar rradhët e saj në mënyrë masive. Partia e re afirmohej si një forcë e re politike që kërkonte vendosjen e demokracisë dhe të drejtësisë shoqërore në Shqipëri, duke ndjekur rrugën parlamentare dhe respektuar rregullat demokratike. Ajo pranoi bile edhe parashikoi të kthehej në një forcë të opozitës, në qoftë se ngjarjet e ardhshme do t’a impononin këtë gjë. Megjithë këto fakte dhe pohime, mjaft çështje mbeteshin vjerrë dhe në rradhë të parë, ajo e likuidimit të PPSH, partisë së saj " mëmë ". Arkivat, financat si edhe shtypi u integruan menjëherë dhe pa asnjë çfaqje brenge në gjirin e establishementit të ri, ndërkohë që komunistët e dikurshëm – fondi njerëzor i partisë – u " ftuan " të bënin pjesë në PSSH. Në praktikë, sendet ishin edhe më të thjeshta pasi, bile pa ju marrë mendimin njerëzve, ata u gjendën të rregjistruar pothuaj automatikisht në listat e reja socialiste. Kjo mënyrë e përthithjes të trashëgimisë së vjetër dhe veçanërisht, mungesa e një gjuhe të kjartë dhe të një fjale të hapur ndaj dënimit të të kaluarës komuniste, neveriti jo pak njerëz dhe cënoi për një kohë të gjatë aktivitetin e PSSH.
.
. Përballë saj gjendej Partia Demokratike në lulëzim të vërtetë. Gjithçka tjetër përveç të qënit një trup homogjen, kjo parti përfaqësonte një grupim tendencash dhe rrymash politike, parrullat kryesore të të cilave ishin demokraci dhe pushtet. Lidhjet e brendshme të saj mbeteshin të dobëta dhe siguroheshin vetëm nëpërmjet qëllimit kryesor – marrjes së pushtetit – si edhe prej qënies në krye të personaliteteve të spikatura të llojit Berisha ose Pashko. Strategjia dhe taktikat e saj, të përpunuara gjatë një varg forumesh dhe takimesh të mbajtura gjatë vitit 1991, e vërtetonin këtë gjë dhe gjithçka linte të kuptohej se sapo që ky qëllim do të arrihej, të gjitha divergjencat e brendshme do të dilnin në sipërfaqe duke shkaktuar dobësimin e hegjemonisë politike dhe duke rrezikuar shpërbërjen e kësaj lëvizjeje. Baza shoqërore e lëvizjes demokratike ishte laragane dhe në rradhët e saj mund të gjeje ish-komunistë kritizerë të rregjimit, studentë të egzaltuar, ish të burgosur politikë si dhe antikomunistë të vendosur të të gjitha tendencave, puntorë dhe sindikalistë të porsalindur sikundër dhe një turmë të gjerë xhaketakthyesish që kishin rendur pas demokratëve, me të ndjerë erën e pushtetit dhe të parave. Kthimi në " fenë " e re ishte aq i shpejtë dhe masiv sa që, pasi kish bërrë llogaritë, Berisha mund të krenohej me ata 50.000 antarët e partisë së tij. Ajo që i mungonte Kryetarit ishte një goditje mbresëlënëse e opinionit, një moment mediatik i përmasave të mëdha.
.
. Gjatë verës të vitit 1991, sekretari i Shtetit amerikan Xhejms Bejkër bëri një vizitë të shpejtë në Shqipëri. Turma në delir e priti sikur të ishte vetë Perëndia. Mbi njëqind mijë vetë që valëvisnin flamuj amerikanë në sheshin Skënderbej, bërtisnin me gjithë shpirt " Rroftë Amerika. Ajo është me ne ". Në tribunën e nderit, përreth mikut të shquar, Berisha dhe Pashko mbulonin krejtësisht ekranin dhe vetëm në rradhë të dytë ose të tretë mezi shquhej një Kryeministër mjeran ish-komunist. Pashko duke marrë fjalën, tundi përpara turmës një fije letër përpara se të shqiptonte : " Amerika është me ne. Ajo na ka dhënë çekun e bardhë ". Përshtypja ishte e jashtëzakonshme : për ata njerëz që s’kishin parë ndonjëherë çek me sy gjatë jetës së tyre, çdo letër e bardhë bënte punë, aq më tepër që lajmi jepej nga një ekonomist i kalibrit të Pashkos që mbështetej dhe garantohej nga prania e Amerikës vetë. Të nesërmen e largimit të mikut të shtrenjtë, shqiptarët mësuan se Amerika e madhe ju kish akorduar një ndihmë ekonomike prej 6 milionë dollarësh që Hoxha, po qe se do të ngrihej nga varri, do t’a kish cilësuar " pikë uji e vërtetë në oqeanin e nevojave të tyre ". Megjithatë, një legjendë e re lindi atë ditë aq të gëzuar, ajo e çekut të bardhë që do t’i vinte në gjumë shqiptarët për vite të tëra.
.
. Menjëherë pas këtij episodi historik, qeverisë Bufi ju desh të përballej me një rritje tensioni politik të paparë ndonjëherë si dhe me manifestime popullore gjithnjë e më të vrullshme. Grevat e transporteve publike ndiqeshin nga grevat e urisë së minatorëve të Valiasit ndërkohë që rrugët e Tiranës u pushtuan nga turmat e zëmëruara që kërkonin as më pak as më tepër por dorëheqjen e Presidentit Alia dhe shpërndarjen e Sigurimit të frikshëm. Megjithë shpalljen e dekretit aq të shumëpritur të shpërndarjes së armës të dashur të diktaturës së proletariatit dhe zëvendësimin e saj me Shërbimin Kombëtar të Informacionit (SHIK), rreth 50.000 vetë marrshuan në rrugët e kryeqytetit në 14 shtator ; po aq në mos më tepër dolën në rrugë në 5 dhe në 16 tetor. Në këto kushte, qeveria nuk mund të përmbushte as detyrat e saj të përditshme dhe aq më pak ajo ishte në gjendje të organizonte zgjedhjet e reja të vitit 1992, që ishte cilësuar si detyra e saj kryesore (shënimi 4). Parlamenti në dekompozim të plotë, nën presionin e demokratëve, aprovoi liberalizimin e pjesshëm të çmimeve dhe në 4 dhjetor aprovoi propozimin e demokratëve për vënien nën arrest të Nexhmije Hoxhës dhe të shokëve të fundit të Enverit, të akuzuar për shpërdorim të pushtetit dhe për korrupsion. Në 12 dhjetor, Kryeministri Bufi dha dorëheqjen e cila u pranua menjëherë. Në të njejtën ditë, Presidenti Alia ngarkoi Vilson Ahmetin të paraqiste një qeveri të re të përbërë nga specialistë. Qeveria e re pa etiketë politike u ngarkua të administronte çështjet e zakonshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të parashikuara në 22 dhe 29 mars të vitit 1992.
.
. Zgjedhjet e shumëpritura u zhvilluan sipas parashikimit. Pesëmbëdhjetë partive politike dhe 500 kandidatëve ju duhej të përlesheshin për ato 140 vendet e Kuvendit. Rezultati ishte një baticë e vërtetë blu. Partia demokratike shijoi një fitore të rrallë me rastin e sigurimit të shumicën absolute të vendeve në Kuvend, ose 65.7% të deputetëve (shënimi 5). Për më tepër, fitorja u miratua dhe u përgëzua nga një varg vrojtuesish ndërkombëtarë, të cilët përshëndetën shpirtin fair-play të rivalëve. Në 3 prill, Presidenti Alia paraqiti dorëheqjen dhe i la vendin Sali Berishës, patronit të demokratëve. Populli shqiptar kish mundur kështu të dëbonte komunizmin nga një prej strofkave të tij të fundit. Në 13 prill, qeveria Ahmeti i la dorën një qeverie të re koalicioni, të përbërë kryesisht prej demokratëve të cilët gjetën të udhës të ftonin një ose dy përfaqsues të republikanëve dhe të social-demokratëve.
.
.
. -------------------
.
.
. (1) Një grup i fundit prej 258 të burgosurish politikë u lirua në 30 mars, në vigjilje të zgjedhjeve legjislative.
.
. (2) Skenari " alla bullgar " i referohej presionit të rrugës mbi qeverinë, të zgjedhur ligjërisht. As edhe një muaj pas zgjedhjeve të mbajtura në Bullgari në 17 qershor të vitit 1990, të cilat i ridhanë pushtetin kumunistëve, manifestimet gjigande të organizuara nga opozita, të ndjekura nga një grevë e përgjithshme, provokuan dorëheqjen e Presidentit Mlladenov dhe më tej dorëheqjen e qeverisë së porsazgjedhur.
.
. (3) Në gusht të vitit 1991,Kryeminstri Bufi dhe ministri italjan i Punëve të Jashtë të epokës De Mikelis, nënëshkruan një marrëveshje të ndihmës ekonomike, të shtrirë në tre muaj. Mbi këtë bazë, Italia duhej të furnizonte një ndihmë ushqimore prej 90 miliardë liretash sikundër dhe një ndihmë në lëndë të parë për industrinë shqiptare, gjithashtu prej 90 miliardë liretash. Për më tepër, vendi fqinjë duhej të lidhte një " urë detare të bazuar mbi portin e Durrësit dhe të Vlorës, për të garantuar vazhdimësinë e ndihmave ". Mbeteshin për t’u studjuar modalitetet e një ndihme të orientuar drejt mësimdhënies me qëllim sigurimin e përfundimit të vitit shkollor në vazhdim si edhe " rrugët dhe mjetet e bashkëpunimit për të evituar një krizë politike, ekonomike dhe shoqërore " - kjo frazeologji e fundit nënkuptonte furnizimin e materialeve të logjistikës dhe të pajisjeve për policinë shqiptare si edhe dërgimin e instruktorëve italjanë të policisë. Disa ditë më vonë, qeveria italjane deklaroi edhe egzistencën e një kapitulli të fundit ku bëhej fjalë lidhur me bashkëpunimin mes flotave të të dy vendeve për të patrulluar brigjet, për të përmirësuar sistemin e sinjalizimit dhe vendosjen e grupeve të specialistëve në Durrës dhe në Vlorë me qëllim kontrollimin e rrugëve detare mes porteve shqiptare dhe porteve italjane. Në zbatim të marrëveshjeve të mësipërme, u strukturua operacioni " Pelikan ". Ai u konkretizua nëpërmjet dërgimit të një trupe prej 1.000 ushtarakësh të armatosur (700 në Durrës dhe mbetja në Vlorë), rast i pashembullt në marrëdhëniet mes dy vendeve që nga fundi i Luftës së Dytë botërore. Aq më tepër për një vend si Shqipëria që s’kish pranuar kurrë vendosjen e trupave të huaja mbi territorin e saj. Me përfundimin e mandatit fillestar, në 31 dhjetor të vitit 1991, ai u zgjat për nëntë muaj të tjerë – Pelikani 2 – dhe gjatë muajit gusht të vitit 1992, në përputhje me një vendim të ri, ai u rizgjat edhe për disa muaj të tjerë (praktikisht deri në dhjetor të vitit 1993). Përse u zgjodhën ushtarakët për të kryer një operacion të natyrës humanitare në një vend që s’njihte as gjendje lufte as edhe ndonjë situatë katastrofe natyrore ? E vërteta del nga goja e komandantit të përgjithshëm italjan kur ai nënvizon " rëndësinë e misionit jo vetëm nga pikpamja humanitare, por njëkohësisht lidhur me vendosjen e demokracisë si edhe për të evituar shpërthimin e një lufte civile në Shqipëri sikundër dhe në eliminimin e një kundër-revolucioni ". (sic !). Kur një ushtarak, zyrtarisht i ngarkuar me një mision humanitar, përdor një gjuhë të tillë kjo don të thotë se i zoti i shtëpisë që i mban dhe i strehon – Berisha, nuk ndjehet i sigurt dhe shpreson tek ndihma e evropianëve, qoftë edhe ushtarake. Situata stabilizohet në vitin 1993, dhe Presidenti shqiptar kërkoi me ngulm largimin e trupave italjane aspak të ngutura për t’u kthyer në vendin e tyre.
.
. (4) Sidoqoftë, në fund të tetorit të vitit 1991, qeveria e Bufit mundi të dekretojë liberalizimin e çmimeve me pakicë, heqjen e kontrollit mbi investimet si dhe masa të tjera lidhur me politikën e saj monetare, vënien e buxhetit nën kontroll të rreptë dhe së fundi, privatizimin e tokave dhe të tregëtisë së vogël. Megjithatë, këto reforma u konsideruan si zhgënjyese dhe " mashtruese " nga ana e PD, e cila braktisi koalicionin qeveritar në nëntor të po atij viti. Ky qëndrim provokoi një krizë të thellë politike dhe përshpejtoi dorëheqjen e Kryeminstrit Bufi.
.
. (5) Rezultatet e zgjedhjeve legjislative të vitit 1992 ishin si më poshtë : shkalla e pjesëmarrjes 90% e trupit elektoral ; gjatë turit të parë të zhvilluar në 22 mars, PD siguroi 62.1% të votave, PS 25.7% dhe së fundi PSD 4.4%. Gjatë turit të dytë të 29 marsit, PD arriti të fitojë edhe 11 mandatet vakante. Parlamenti i ri përbëhej si më poshtë : PD 92 deputetë, PS 38 deputetë, PSD (Social Demokrate) 7 deputetë, OMONIA 2 deputetë dhe së fundi PR (Partia Republikane) 1 deputet.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, December 19, 2008

Thyerja e tabuve.

. " Nuk ishim ne që e rrëzuam komunizmin.
. Ai u shëmb vetë mbi kokat tona. "
. Jacek KURON
.
. Të gjithë ata që ndoqën shëmbjen e murit të Berlinit ishin njëkohësisht pjesëmarrës të një feste, ajo e njerëzve të ngazëlluar – të lumtur që ja kishin arritur ditës të shihnin fundin e një rregjimi dhe të një bote, të zhdukur në herë e përgjithmonë. Po ashtu, tubimet gjiganteske në rrugët e Pragës ose të Bratislavës që lajmëronin " Revolucionin prej kadifeje " çekosllovak prekën botën mbarë me anë të gëzimit që shihej në fytyrat e pjesëmarësve. Nuk ishte aspak rasti i njerëzve të Tiranës që ndoqën fundin e diktaturës së tyre, në këtë janar 1991. Mes gjithë emocioneve dhe pasioneve që kishin ngërthyer turmën, sikundër pritja, droja ose frika, veçanërisht njëri shpërtheu me gjithë forcën e tij, urrejtja.
.
. Në 2 shkurt të vitit 1991, një turmë e paanë prej gati 100.000 vetësh, e mbledhur në qendër të Tiranës, mori pjesë në shkatërrimin e statujës gjigande të Enver Hoxhës. Ajo u shkul dhe u rrëzua, u coptua dhe u përdhos, u hoq zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit (shënim 1). Në ditët që pasuan, turma rrëzoi statujat e tjera të diktatorit në Shkodër, Korçë dhe Durrës. Shumë shpejt, demonstratat dhe manifestimet antikomuniste u bënë edhe më të egra ndërkohë që trazira të vërteta, të shoqëruara me përleshje, shpërthyen në një numër lokalitetesh dhe rrethe të vendit. Njerëzit ju vërsulën dhe shkatërruan gjithçka që ju kujtonte të shkuarën : shenja të jashtme si përmendoret e kushtuara diktatorit dhe diktaturës, parrullat e varura ose të pikturuara mbi mure ose mbi male.
. Tërbimi shkatërrues nuk kurseu as monumentet e luftës nacional – çlirimtare dhe ndërtimit të socializmit : statujave të partizanëve çlirimtarë ju këput koka bile edhe varret u dhunuan ose u rihapën. Gjithmonë në shkurt të vitit 1991, libraria e vjetër " Flora " në Tiranë, e kushtuar veprave të diktatorit u shkatërrua ndërkohë që me qindra libra të tij u dogjën gjatë një autodafeje popullore. Sikundër dhe pritej, pak nga pak, pasionet u shtruan për t’u ringjallur në një formë tjetër : shkatërrimi sistematik i objekteve publike. Tashmë nuk ishte më një luftë ndaj simboleve, ishte plaçkitja e përzgjatur dhe me metodë, e asaj që dikur quhej " pasuria e popullit " nga ana e individëve të etur për të rrëmbyer qoftë edhe një copë, edhe një plaçkë ose të mirë materiale. .
. Gjatë gjithë vitit 1991 bile edhe përgjatë 1992, gjithçka që përfaqsonte një vlerë të çfarëdoshme ekonomike ose të përdorimit u shkul, u rrëmbye, u vodh për të mos thënë thjesht u thye – dritare dhe porta, lavomanë apo robineta, makineri dhe pajisje, tela dhe kabllo elektrike bile edhe muret rrethuese, trarë dhe tjegulla, shtylla elektrike apo edhe shinat e trenit… Torno dhe freza numerike u thyen me vare për t’u shitur me kile, uzina dhe kombinate të tëra u plaçkitën dhe u shkatërruan, institucione u grabitën dhe u rrënuan, një numër shkollash u zbrazën nga mobiljet dhe pajisjet e tyre – një rast i paparë në historinë e vendit – bile edhe autobuzat dhe vagonat e trenit detyroheshin të qarkullonin pa ndenjëse ose bango. E gjithë jeta ekonomike, politike dhe kulturore e vendit u ngadalësua dhe jepte përshtypjen se po ndërpritej fare.
. Duke kaluar nëpër të gjitha etapat – dobësim, ngadalësim i frymëmarrjes, kolaps – vendi kish shkarë në pikën e fundit dhe ndodhej në prag të katastrofës. Edhe nxënësit nuk arrinin më të ndiqnin mësimet në shkollat e tyre pa bango ose pa xhama, gjatë atyre muajve të dimrit 1991. Më tej grabitja preku fshatrat : mjaftoi fakti që pushteti ju sugjeroi fshatarëve të rrisnin më tepër dele, pula ose bletë që kjo gjë të interpretohej si një ftesë e hapur për të shpërndarë parkun egzistues të kafshëve të kooperativave bujqësore ose të fermave të shtetit. Më të guximshmit ju vërsulën depove, godinave administrative, makinave bujqësore... Shumë shpejt ju erdhi rradha vreshtave, drurëve frutorë dhe veprave ujitëse. Bile edhe drurët buzë rrugëve dhe ata të parqeve publike nuk munën t’i shpëtonin sulmit dhe përfunduan si dru zjarri. Në pak muaj, Shqipëria i kish marrë pamjen e një vendi të shkretuar, të rrafshuar nga cikloni më i tmerrshëm dhe i paparashikueshëm, ai njerëzor.
.
. Pas tërbimit shkatërrues, popullata u mbërthye nga ankthi për të braktisur vendin. Gjatë dimrit të viteve 1990-1991, me mijra të rinj shqiptarë provuan fatin për të kaluar kufirin grek, më këmbë. Vetëm disa muaj më vonë, numri i tyre kishte arritur 20.000. Me qindra humbën jetën gjatë rrugës dhe kalimit të kufirit ; me mijra të tjerë u detyruan të kthehen mbrapsht, të shtyrë tutje nga autoritetet greke ; dhjetra mija të tjerë rimorën rrugën drejt atij vendi që quhej shpresë, pasuri ose thjesht një jetë më e mirë.
. Drejtimi tjetër i preferuar ishte Italia. Me dhjetra anije shqiptare ose të huaja u pushtuan nga një turmë prej disa mijra vetësh, me origjinë nga viset bregdetare ose nga Tirana, të cilët ishin të vendosur me çdo kusht të mbrrinin në brigjet përballë. Në më pak se një muaj, mes 20 shkurtit dhe 10 marsit, pothuaj 20.000 vetë zbarkuan në portet italjane, nga të cilët 4.500 vetëm gjatë një dite të vetme, në 7 mars. Bota mbarë u prek nga pamjet e atyre vargjeve njerëzore të kacavjerrura në direkët deri edhe në litarët e anijeve, të atyre boat-people shqiptarë, por autoriteteve italjane ju desh të ndërhynin shpejt. Duke marrë me mend se së shpejti, tre million e gjysëm shqiptarë priteshin të zbarkonin në brigjet italjane për të pushtuar vendin e tyre të bukur, ata ngritën më këmbë një dispozitif kthimi mbrapsht, aq më tepër që një valë e re prej 20.000 të porsaardhurish preku brigjet puljeze gjatë muajin gusht. Me qëllim që të sigurohej dhe të qetësohej një opinion publik italjan ksenofob më tepër se kurrëherë, policia dhe ushtria të veshura si për luftë bllokuan portet dhe turmat u shtynë dhe u mbyllën në stadiumet lokale. Në 15 gusht, më tepër se 15.000 rrefugjatë shqiptarë u kthyen mbrapsht në vendin e tyre.
. Por ndërkohë, lajmi i zbulimit të Italisë ishte përhapur në vend me shpejtësinë e dritës dhe asnjeri nuk donte të dëgjonte lidhur me rrezikun e kthimit mbrapsht. Me mijra vetë nga thellësia e vendit u lëshuan bregut të detit, me shpresë të gjenin në mjet për t’a kapërcyer. Kjo lëvizje vajtje – ardhje vazhdoi gjatë gjithë vitit 1991 dhe vitit në vazhdim, duke u shëndrruar në një burim shqetësimi për Italinë dhe mbarë Evropën. Përfundimisht, Shqipëria ja arriti të eksportonte varfërinë e saj dhe të shtronte përpara botës problemet e saj të brendshme.
.
. Përballë turrit shkatërrues dhe ikjes anarqike, qeveria nuk mori asnjë masë. Ajo nuk ishte në gjendje as edhe të vlerësonte shtrirjen e dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë publike dhe ekonomisë, e paralizuar siç ishte nga pritja e pashpresë dhe e çorganizuar në të gjithë nivelet e saj. Reaksioni i PPSH ishte edhe më i ngathët : një pjesë e antarëve të saj filluan të dorëzonin triskat e antarësisë ndërkohë që udhëheqja e lartë ishte aq larg kësaj lëvizjeje masive saqë ajo s’arrinte të kuptonte çfarë po ndodhte, si ishte e mundur që njerëzit të vepronin në këtë mënyrë pas gjithë ato vite inkuadrimi dhe indoktrinimi. Sidoqoftë, Alia u mundua të shpëtonte pjesën më të madhe të strukturave, duke shumëfishuar thirrjet ndaj popullatës për të rigjetur qetësinë si dhe ndaj komunistëve për të shtrënguar fort rradhët e tyre. Përveç disa rasteve të rralla të frikësimit dhe të shprehjes së forcës, pothuaj në asnjë rast përgjatë kësaj periudhe të turbullt dhe kaotike, ai nuk u tundua nga përdorimi i mjeteve të shtrëngimit ose të dhunës. Ndoshta ngaqë nuk ishte i sigurt për shkallën e bindjes së trupave të tij ; më vonë ai do të thotë se nuk kish dashur të shkaktonte një gjakderdhje popullore (shënimi 2). Ose krejt natyrshëm, duke u munduar të kufizonte sa më tepër dëmet në rradhët e forcave të tij, ai priste largimin e baticës së hakmarrjes, rënien e dallgës shkatërrimtare. Ndërkohë, ai përgatitej për përplasjen e ardhshme me opozitën. Të gjitha këto variante qëndrojnë dhe shpjegojnë qëndrimin e Presidentit Sekretar të Parë. Përfundimisht, ushtria nuk bëri asnjë lëvizje. Ajo u mjaftua të rrethojë godinat qeveritare dhe selitë lokale të PPSH. Sigurimi aq i druajtur kish hyrë shtatë pashë nëndhe dhe policia nuk dukej gjëkundi.
.
.
. -------------------------------------
.
.
. (1) Gjatë disa ditëve, zhurma e një grushti shteti që po përgatitej nga ushtarakët qarkulloi përmes turmës së manifestuesve. Ndërkohë që kundër-manifestimet e para me frymëzim komunist zhvilloheshin në Tropojë nën drejtimin e një " Bashkimi të Vullnetarëve të Enverit ", të themeluar në 12 shkurt prej Hysni Milloshit – një poet komunist i orëve të fundit, gjatë mbrëmjes së 20 shkurtit, Presidenti Alia deklaroi krijimin e Këshillit Presidencial, një instancë konsultative e ngarkuar të administrojë krizën. Ndërkohë, ushtarakët deklaronin krijimin e një " Komisioni iniciator të Lëvizjes për Mbrojtjen e institucioneve popullore dhe të Atdheut ", i cili kërkoi mbajtjen e një referendumi lidhur me çështjen Hoxha si dhe aplikimin e dekretit ministror për mbrojtjen e monumenteve historikë dhe kulturorë. Një takim i mbajtur mes liderëve të opozitës dhe ushtarakëve u mbyll pa dhënë asnjë rezultat dhe manifestuesit rrethuan Shkollën e Bashkuar të Oficerëve të Tiranës. Përplasjet mes civilëve dhe ushtarakëve shkaktuan 4 të vrarë. U desh ndërhyrja e Presidentit Alia për të qetësuar shpirtrat : ai takoi oficerët e lartë në sallat e Ministrisë së Brendshme dhe kundërshtoi me forcë çdo ide të një ndërhyrjeje nga ana e tyre si dhe hodhi poshtë kërkesat e tyre lidhur me vendosjen e gjendjes së shtetrrethimit në vend. Mbi këtë çështje, shih : Halit DACI - The impact of democratic changes in the Albanian army, NATO Democratic Institution Research Fellowship, Tirana 1999.
.
. (2) Ramiz ALIA – Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë. Ed. Zëri Prishtinë, 1992.

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, December 17, 2008

Një Sude në Wall Street.

Financa e Mollës e paskësh patur krimbin brenda. Dhe jo një dokudo krimb por administratorin e shquar Bernard Madoff, ish-Presidentin e Këshillit Administrues të NASDAQ. Kujt i kish shkuar ndër mend se ky investues gjenial, nga më të ndriturit e planetit, kish ngritur më këmbë një sistem " piramide financiare " të denjë për Suden ? Sigurisht jo banka të tilla si Santander apo HSBC, BNP Paribas, Natixis apo BBVA, kompani sigurimesh si AXA dhe së fundi klientë privatë si Fred Wilpon apo Spielberg… të cilat i kishin besuar mashtruesit Madoff shumën astronomike prej 50 miliardë dollarësh.
. Hajde-dé parallinjtë privatë profanë që nuk dinë sa para kanë dhe ku i venë, mirë bankierët " amatorë " spanjollë dhe francezë në kërkim të një rendimenti të shpejtë, por edhe bankierët " profesionalë " sviceranë të kenë qenë kaq naivë sa që të investonin rreth 5 miliardë dollarë në operacionet e Investment Securities LLC që premtonte deri 17% interes në vit ? Ende nuk kanë kuptuar këta asër të financës që ju premtojnë kursimtarëve 3-4% interes në vit dhe që " investojnë " paret e këtyre të fundit në skemat spekullative me 10-17%, se të tilla transaksione jo vetëm shkojnë ndesh me çdo etikë, por edhe me çdo logjikë – duke përfshirë edhe teorinë e rrezikut ?
.
. Po ai i famshmi xhandar bursier njujorkez SEC (Securities and Exchange Commission) ku i ka patur sytë, përderisa Madoff kishte vite të tëra që ushtronte këtë aktivitet ? U desh pikërisht kriza financiare që klientët e trembur të trokisnin në derën e fajdexhiut… dhe të zbulonin me llahtari që kasa ishte bosh. Pasi nën shembullin e " faraonëve " shqiptarë të viteve të demokracisë anarkike berishjane, edhe ndërtuesit amerikanë të piramidave përdorin të njejtën skemë : interesat e të parëve paguhen me paratë e të dytëve, në pritje të të tretëve që herët a vonë do të ndillen nga interesa të tillë marramendës. .
.
. . * * *
.
.
. Sikundër dhe Sudja jonë kombëtare, Bernard Madoff i përket kategorisë së autodidaktëve. Roja i dikurshëm i plazhit në Long Island, administratori rijosh i një shoqërie me kapital 5.000 dollarë në vitin 1960, arriti të bëhej përfaqsuesi më në zë i investuesve të Wall Street-it bile edhe drejtues i NASDAQ, përpara se të rrënohej përfundimisht nga shembja e sistemit mashtrues – në pritje të një gjykimi që mund të syrgjynosë për 20 vjet në ato burgjet aq komode amerikane, qoftë edhe një gjysh 70 vjeçar si puna e tij.
.
. Nuk më brengos aspak fati i një fallxhoreje lagjeje si Sudja apo i një magjistari bursier si Madoff, sikundër nuk më shqetësojnë gjëkund telashet e bankierëve francezë dhe spanjollë që sidoqoftë, duhet të japin llogari për akrobacitë e tyre financiare përpara kursimtarëve të rrënuar. Ajo çka më intrigon së pari është pikërisht ai kufiri thuaj i padukshëm që ndan aktivitetin ligjor të një banke të ndershme nga transaksionet e jashtëligjshme të një ofiçine të tillë mashtruese.
. A thua të jetë vetëm përqindja e interesit të praktikuar ? apo lloji i klientëve të mashtuar ? pasi edhe banka paguan interesat e klientëve të rëndomtë me paret e të tjerëve po aq të rëndomtë, sikundër shkon dhe i investon paret që i janë besuar në bursat e Madoffit. A egziston ndonjë bankë në botë që nuk falimenton në se ushtria e klientëve të saj i vjen në derë për të kërkuar paratë e depozuara ?
.
. Së dyti, pyes vehten lidhur me mjedisin politiko-ekonomik që favorizon lindjen dhe lulëzimin e ndërmarrjeve të tilla. Në këtë pikë të debatit, të gjithë ekspertët e ekonomisë dhe të tjerë politilogë janë të të njejtit mendim :
. - ato krijohen në kushtet e një lloj euforie ekonomike, të nxitur nga masa të konsiderueshme parash në qarkullim,
. - për t’u mbajtur më këmbë, ato duhet të ngjallin besimin e depozituesve si edhe mirëkuptimin e institucioneve financiare,
. - për të funksionuar, ato duhet të gëzojnë tolerancën e fajshme të autoriteteve, të cilat nuk ushtrojnë instrumentat e kontrollit,
. - ato shemben nga rrethana egzogjene – krizë ekonomike, instabilitet politik – duke shkaktuar në rastin ekstrem deri në trazira sociale..
.
. Besim i verbër, tolerancë e fajshme, mosushtrim i instrumentave të kontrollit – çka duhet më tepër që Shteti, qoftë edhe ai demokratik të marë përsipër përgjegjësitë që janë të tiat ? Pasi përtej parave të avulluara në natyrë, ai duhet të rivendosë ekuilibrin ekonomik, pa folur më tej për " pagesën " e faturës sociale që sipas problematikës specifike të vendit, rrezikon të jetë fort e shtrenjë. Mjafton të kujtojmë përvojën e llahtarshme shqiptare të vitit 1997 !
.
.
. * * *
.
.
. Ç’lidhje kanë pehlivanllëqet e Madoffit me trazirat shqiptare të kursimtarëve të rrënuar ? Asnjë lidhje, përveç paraleles së vetvetishme me jevgën Sude apo me kapterin Alimuça. E megjithatë, sebepin m’a dha vetë Kryeministri Berisha, të cilit s’i ndenji shpirti pa ju rikthyer asaj përgjegjësie deri sot jetime, gjatë ceremonisë festive me rastin e 18 vjetorit të themelimit të PD-së së tij të dashur :
.
. " Partia Demokratike duke njohur përgjegjësitë e saj të plota për tolerimin e skemave piramidale dhe krizën financiare që ato sollën, mori vendimet që për të shmangur një konflikt të gjerë civil të dorëzonte pushtetin. Ajo ju deklaroi shqiptarëve se qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale dhe se një borxh që nuk ishte marrë nuk mund të njihej, nuk mund të kthehej ".
.
. Për cila përgjegjësi të plota e ka fjalën Kryeministri dhe përse duhet t’i shkruajë ato në defterin e Partisë Demokratike, ndërkohë që ai ishte Presidenti dora vetë – njeriu më i fuqishëm i vendit - dhe si i tillë mban përgjegjësi personale të drejpërdrejtë ? Aq më tepër që shprehja " përgjegjësi " - qoftë edhe " e plotë " - i bie më mirë të lakohet me plotësin " tolerim i fajshëm " ? A ka harruar ai vallë se biznesmenët-faraonë të llojit Alimuça i rrinin qëmoti në krah gjatë mitingjeve ? që i financonin fushatat e tij elektorale ? Si mund të pretendohet që " qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale " ndërkohë që paratë " e pastra " të biznesit piramidal kalonin natën në kasafortat e Bankës së saj të Shtetit ? ndërkohë që ato firma ishin motori i vetëm ekonomik i vendit ? Si mund të thuhet që " nuk i ka asnjë borxh shqiptarëve " ndërkohë që nuk pranoi të dëgjonte këmbanat e alarmit që vinin nga bota mbarë dhe që e paralajmëronin për iminencën e katastrofës ? kur ajo " kriza financiare " siç e quan ai ishte në të vërtetë një katastrofë kombëtare që shkaktoi me mijra të vrarë dhe rrënimin e vendit ?
.
. Duke përjashtuar të pamundurën – demagogjinë politike dhe retorikën e zbrazët në prag zgjedhjesh - mes të gjitha varianteve të imagjinueshme, vetëm dy mund të qëndrojnë më këmbë : ose Kryeministri i sotëm Berisha nuk mban mend se ç’ka bërë Presidenti i dikurshëm Berisha, pra ai është amnezik ; ose, Kryeministri i sotëm Berisha nuk është në gjendje të nxjerrë asnjë mësim të vlefshëm nga kaluara e hidhur, pra ai është thjesht një amator në politikë. Me pak përpjekje, "sëmundja" e fundit edhe mund të kurohet me përvojën e sotme amerikane. Të paktën amerikanët kuptuan se fenomenet e llojit Madoff mund të riçfaqen pas kaq-e-kaq vjetësh, paçka se gjithkush njihte historinë thuaj të pabesueshme të Ponzit. Sa për variantin e parë - amnezinë, të na rrojë Sudja, bile të gjejmë portretin e saj dhe t'a vemë në kornizë. M'a merr mendja se edhe sot e kësaj dite, ajo dhe sorollopi i saj ende i falen dhe i ndezin qiri demokracisë berishjane. Në ç'kushte të tjera, të tillë individë të dalë nga hiçi do të mund të mashtronin popullin aq të talentuar, të mençur, të urtë dhe puntor shqiptar ?

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, December 9, 2008

Na ishte një herë (që mos qoftë) – Kombinati (II).

.
. Nuk e di mirë përsenë, por imagjinata ime e hershme përqaste vetvetiu tekstilistin me macen. Ndoshta sepse edhe njeri edhe tjetri i përkisnin dy botëve sa misterioze aq dhe të paarritshme : askush nuk m’a ushqente idenë se kur të rritesha do të behesha tekstilist ndërkohë që mamaja ime më kish ndaluar macen. Ndoshta, pasi sikundër edhe macja, tekstilisti shihte një botë dyngjyrëshe : e bardhë si coha e pambuktë, gri-e-murrme si batanija e leshtë.
.
. Më vonë, nxënës thuaj adoleshent, kuptova se ajo e bardhë në të kuqërreme bekonte kapitjen e një jete me tre turne të turmave të filaturistëve dhe tezgjahistëve të pambukut. Thjesht, një ngjizje mjeshtërore të disa qindra fijesh majë dhe të disa mijra vajtje-ardhjesh të rrufeshme indi; ajo që në gjuhë vulgare quhej beze. Sidoqoftë, një përleshje e ashpër qeniesh mekanike, emanacion i prekjeve femërore, përkëdhelje e kallove shumëvjeçare, lot i syve të lodhur, frymë e mushkërive të tejmbushura. Syri sadopak i stërvitur dallonte bezen e rëndomtë nga basmja gazmore, puplinën delikate nga garza ajrore.. pa folur më tej për kadifen e fisme, ndërkohë që xha Ropit i mjaftonte prekja për të dalluar përqindjen e pambukut fijegjatë egjiptian, përmbajtjen e pambukut të zakonshëm kinez në mes të masës të rëndomtë të fibrave që vinin nga xhveshja e Rrogozhinës. Rrotulla të stërrënda cope të bardhë brut - miliona metra linearë që prisnin të laheshin, të zbardheshin, të ngjyroseshin, të stampoheshin, të hekuroseshin, të priteshin, të mateshin, të paloseshin të paketoheshin… për të shkuar larg, në fund të botës.
. Ende i vogël, im atë më kish prezantuar me monstrat e mbretërisë së tij të fabrikës së leshit : vaskat e ftohta ku pirunë të llahtarshëm përzienin leshin e lagur në një llokoçitje të qelbur që kundërmonte përç dashi ; agregatet e përbindshme me tamburë gjëmbaçë që shqyenin shtëllungat e verdheme dhe veçonin rrodhet, që prodhonin një vello të hirtë të tejdukshme që diku më tej shëndrrohej në fjongo ; makinën e dredhjes – atë parcelë metalike disametroshe mbi shina ku mbinin disa dhjetra boshte, pas vajtje-ardhjes të të cilës çapiteshin gratë, një mrekulli e gjenisë krijuese prusiane e shekullit të XIX që i kish rezistuar të gjitha luftrave dhe që kish përshkuar kontinentin mbarë para se të ngulej në Kombinat ; tezgjahet drithërues, rrahja e të cilëve të mekte frymën dhe të transportonte trupin në një vibrim nervash… derisa zëri i tim eti më zgjonte dhe më tërhiqte pas për të prekur batanijen legjendare, jatakun e ushtarit, shtrojën e ndërtuesit, folenë e ngohtë të fëmijës. Krenarinë shqiptare që kish pushtuar kantjeret dhe ushtritë e mbarë kontinenteve.
.
. Vetëm vite më pas arrita të shoh njeriun makinazbutës mes cirkut shurdhues të bishave industriale : mjeshtrin drugëdhëndës që skulptonte sovajkën, artizanin shollëpunues që nënështronte rrypat e sertë, iluzionistin mekanik që arrinte të saldonte gizën sferike, magjistarin hidraulik tubakthyes që zbuste ujin dhe avullin, akrobatin telpërdredhës që thurte zemrën e motorave, artistin metalgërryes që krijonte lulet mbi bakër, alkimistin ngjyrosës që zbriste qiellin dhe diellin mbi cohë… fytyra anonime mes lumit njerëzor që vërshonte rrugëve, që luzmonte mencave, që përmbytte autobuzat, që pushtonte lokalet dhe klubet. .
.
. * * *
.
.
. Përtej fasadës bardhë-e-gri të të rriturve, shtrihej bota jonë shumëngjyrëshe, e mbushur me lëndina dhe kodra, me plepa dhe lulishte, me hyrje pallatesh dhe oborre shkollash. Një ushtri fëmijësh me moshë të vetë Kombinatit, me ëndrra të banuara nga arra dhe kopsa, zara dhe pulla, cingla dhe kanoçe, kapaqe paqetash dhe kuti shkrepsesh, gardalina dhe kagzoza. Pasi ajo botë nuk njihte as televizorë as lodra video, as kompjutera bile as libra për të qenë. Të vetmet forume kolektive ishin shkolla dhe rruga, i vetmi grup shoqëror ishin shokët dhe të vetmet frika ishin prindërit dhe mësuesit… pa llogaritur Nel zullapin që kish zënë rrënjë në bangën e fundit të klasës së gjashtë.
.
. Që nga ajo ditë që Dhimoklia më kish parë duke luajtur me arra pas gjelltores, m’u ndalua t’i prekja këto gogla me dorë. Bile e humba edhe të drejtën e vizitës të këtij vendi të shenjtë ku mbretëronte Ceni që më vonë do të bëhej gjarpërzbutës, asokohe mjeshtri i kopacëve të rrumbullosur me pak zift. Gojët e liga thoshin se ai i fuste plumb brenda kopacit të vet që të shkiste sa më mirë. Plumb apo jo, Ceni ishte qenia më e zonja që më kishin zënë sytë për të rrezuar nga larg vilat e arrave, pas të cilave herë-herë fshiheshin njëlekshat apo dylekshat. Dhe m’a merr mendja ishte pikërisht për shkak të atyre lekëve që e humba davanë. Pasi vetë arrat e lojës ishin më gungat dhe më të krimburat që mund të imagjinoje. Sidoqoftë, loja me arra ishte më aristokratikja dhe më fisnikja që mund të imagjinohej në atë kohë – gjithmonë e lidhur me lekët ; njësoj si pokeri i kazinosë përkundrejt lojës së spathive, një shkallëzim i teknik i pakrahasueshëm për shembull, ndaj asaj me paqeta cigaresh, ku e kisha filluar karierën prej lojtari.
.
. Kur mendoj sot grumbujt e plehrave që kam rrëmirë në kërkim të atyre paqetave të çmuara më zenë të dridhurat : pranë hekurave të Kombinatit, pas stacionit të Autobuzave, prapa rrethimit të Kombinatit, bile edhe më larg se Poligoni i Qitjes – aty ku derdheshin plehrat me karrocë, në mes të gjëmbaçëve të gomarit dhe pellgjeve me larva bretkocash. Bile ishim gati të ecnim me këmbë për kilometra të tëra pas dikujt që pinte duhan, me shpresë se një moment ai do të flakte paqetën e tij boshe. Me durim dhe me kohë, sejcili prej nesh kish mbledhur thesarin e paçmuar personal me emra magjikë : Partizani i Gjirokastrës apo i Shkodrës (pasi paqetat nuk ishin krejt identike), Lluks i kuq apo blu, Diamant, Vullneti, Samsun, Drini, Rozafa, Apollonia… i cili sipas rastit, shtohej apo pakësohej sipas mjeshtërisë së vërvitjes së petës për të goditur fixhin. Në ato kohë të lavdishme, ndonëse cigaret e vendit përmbanin duhan të dyshimtë dhe shqyenin gjoksin e duhanxhinve, paqetat bëheshin ende prej kartoni të vërtetë dhe nxitnin koleksionerët e të gjithë moshave – nga gjashtë në dymbëdhjetë vjeç.
. I vetmi problem ishte era. Pasi, edhe sikur të arrije të hiqje erën e plehrave nga trupi, era e duhanit ishte e pamundur të fshihej. Aq më tepër kur, në nxitim e sipër, fshije togun me kapaqe paqetash nën dyshek apo nën jastëk. Me pak mjeshtëri dhe kujdes, kisha arritur të fshihja thesarin diku në apartament – jo si Kristi i Pirros që nga frika e kundërmimit, e kish fshehur diku në lulishte dhe një ditë prej ditësh nuk e gjeti më – dhe gjithkush i hidhte fajin tim eti që nuk vendoste t’a linte atë të mallkuar duhan. Deri sa një ditë hunda e mprehtë e mamasë zbuloi krimin dhe më detyroi të ndërroja zanat dhe të bëhesha koleksionues pullash poste.
.
. Për çudi, pasioni im i ri i pullave gjeti aprovimin e gjallë të babait i cili, duke parë në të një përzgjatje natyrale të mësimit të gjeografisë, arriti të thyente edhe mosbesimin natyror të mamasë. Kështu m’u hap rruga e rendjes pas zarfave, e lypjes ndaj të afëmve… thjesht, e krijimit të një fondi bazë, të nevojshëm për t’u lëshuar në aventurën kapitaliste të filatelisë. Them aventurë kapitaliste, pasi përtej koleksionit qëndronte një kurs i vërtetë vlerash : gjashtë pulla shqiptare për një italjane, për shembull, një italjane për një franceze apo gjermane sikundër duheshin një seri e tërë e Belgjikës për një pullë të Kamerunit apo të Kongos. Pa folur më tej për marrëveshjet e specializuara për të vlerësuar një Mongoli trekëndëshe apo një Nikaragua, po trekëndëshe por ama barazbrinjëshe. Diku në një libër pasionues kisha lexuar që egzistonin edhe pulla australiane rrumbullake por asnjë prej atyre që njohja nuk i kish parë me sy dhe sipas mendimit të përgjithshëm, informacioni fillimisht u quajt hipotezë, përpara se të cilësohej gënjeshtër. E vetmja mënyrë për të peshuar mbi treg ishte të bashkoheshin kapitalet dhe kështu, unë u bëra ortak me Ruben qurrsin. Dhe për të mos i mbetur hatri asnjërit, një javë albumi flinte tek unë dhe javën tjetër tek ai. Pas krijimit të kësaj shoqërie aksionare, i vetmi konkurrent serioz në lagje mbetej Tom koka, me të cilin herë herë luanim me të hedhur, herë here zhvillonim seanca të tëra shkëmbimesh. Si rregull i përgjithshëm, atë çka fitonim në shkëmbime vlerash e humbnim në lojë, derisa mësuam edhe ne të spërdridhnim qoshet e pullave, të lagnim me pak pështymë pjesën e pasme apo t’i të prisnim dorën me shumë marifet. Dhe në momentin kur arritëm përsosjen, Tomit i mbaruan pullat dhe na u desh të kërkonim të tjerë partnerë. Mundim thuaj i kotë, pasi të vetmit që çfaqeshin në derë, i kishin gjysmat e pullave të pispilosura – një term i ditur i epokës që nënkuptonte se qoshet e tyre ishin të shqyera, të dëmtuara apo të krojtura. Sikundër dhe ndërmarrje të tjera të këtij lloji, e jona u fundos pikërisht atëhere kur kish arritur kulmin e saj të lulëzimit. Megjithëse kishim evituar me shumë mundim idenë e korrespondencës me të tjerë filatelistë në botë – ide që Rubeni nuk e di se ku e kish psonisur, apo atë tjetrën e të vajturit në Tiranë, në kërkim të të tjerëve lojtarë. Dhe ishte pikërisht ajo Tirana e mallkuar që u bë sebep, pasi një i njohur i rastit më shtiu në vesh egzistencën e Gasprit të Stabilimentit.
. Ky Gaspri ishte një burrë i vjetër që jetonte në një shtëpi gjysëm të rrënuar, në krah të Kishës katolike, sot e zhdukur sikundër dhe vetë i zoti, por që sipas të thënave zotëronte koleksionin më të mrekullueshëm të pullave që syri i njeriut kish kqyrur ndonjëherë. Dhe ç’është e drejta informatori im nuk gënjente aspak. M’u errën sytë kur pashë ato Sao Tometë me orkide egzotike, ishujt e Kepit të gjelbërt me kafshët e xhunglës, vendet e Golfit Persik me arabeska dhe deve… vetëm se Gaspri i varfër me dolloma mbi kurriz jetonte në kurriz të koleksionit të tij dhe mundohej t’a shiste atij që ja paguante sa më mirë. E pra, mjaftoi që babai im të zbulonte se tashmë i mungonte një kartmonedhë pesëdhjeshe në portofol, që mamaja të pikaste që unë hipja në autobuz pa biletë për t’u zhdukur në Tiranë që t’a përshëndesja për herë të fundit koleksionin tim që me atë rast i mbeti Rubenit.
. I mjeri Gaspër ! Edhe në ëndërr më çfaqej me ato pullat e tij në albumin e madh me faqe si të mermerta, ndërkohë që më kqyrte nëpër mjergull, me ca sy të lotuar dhe të skuqur.
.
.
. * * *
.
.
. Sa i rrëmbyer aq edhe efemer, mjerimi i të voglit i ngjan shiut të verës : ndoshta të lag edhe palcën por avullon me dy-tre rrezet e para të diellit. Dhe kjo rrezja e kësaj rradhe quhej Dodo. Nuk bëra asnjë hap për të gjetur Dodon pasi ishim fqinjë, kurriz më kurriz. Mjafton të dija në ballkon që të shihja Dodon në dritare, bile në vijim pasi ishim bërë shokë të vërtetë – megjithë dy vjetët që na ndanin – montuam edhe një teleferik që shkonte dhe vinte nga ballkoni në dritare, dhe që sipas rastit transportonte mesazhet apo lloj lloj bullonash dhe vidash. Ata që nuk e pëlqenin për shkak të manisë së tij për të bërë eksperimente, e quanin Dodo fizikani. Paçka se kur u rrit Dodua – që në të vërtetë quhej Fatos – u bë kimist.
.
. Dodua kish një mace të bardhë me të zezë, Pisikën. Dodua kishte edhe një shërbëtore, Silën, pasi asokohe mamaja e tij ishte drejtoreshë e Kombinatit. Dodua kishte edhe televizor, nga të parët që më kishin zënë sytë – po të mos llogaritësh atë të Krisanthit, ku kqyrëm me kurreshtje dhe emocion zbritjen e Armstrongut në Hënë. Por shumë më tepër se macja apo televizori, çka më bëri shok me Dodon ishte teleskopi. E pra, falë këtij teleskopi të famshëm munda të kqyr jo vetëm njollat e Hënës që falë Apollo 11 e kish humbur krejt magjinë, por edhe unazat thuaj të padukshme të Saturnit, diçka imagjinare që falë ngulmimit të astronomit Dodo ishte sateliti i Uranit dhe ç’është më e rëndësishmja, të zbuloja edhe librat e Zhyl Vernit. U zhyta në këtë univers të ri me aq pasion sa që, njohuritë e mia të fundit të oqeanit, të xhunglave të Afrikës, të qendrës së Tokës apo të fluturimit me ballon – thjesht, gjithçka që kish lidhje me udhëtimet e jashtëzakonshme verniane, jo vetëm tejkalonin ato të vetë Dodos por duhej të barazoheshin me ato të vetë autorit.
. Ajo çka forconte mbi të gjitha miqësinë time me Dodon ishte shpirti i tij i aventurës. Ai shpirt që na shtyu të kapnim rob me këmishën time një zhapi të stërmadh të gjelbër në të verdhë – sipas shokut tim, ai quhej çapin – diku nga kodrat e Sharrës. Një kafshë të përbindshme, më e madhe se një krah fëmije, që na gërrici deri në gjak, ndërkohë që vraponim për t’a sjellë në shtëpi. Dinosaurus Rex sharrjan përfundoi në kafazin bosh të kanarinës.. vetëm për një natë, aq sa na dha mundësinë të mbanim konferencën e parë lidhur me rregjimin ushqimor të një përbindëshi të tillë. Mëngjezin e nesërm, sipas traditës luftarake sharrjane, ai kish çarë telat dhe ish arratisur nëpër shtëpi duke llahtarisur jo vetëm macen por edhe Silën.
.
. Rrezja e dytë e diellit quhej Korrobaq, shkurt Taqi. Komshiu i Dodos sipas vertikales zbritëse dhe si rrjedhim komshiu im sipas diagonales. Në se Dodua ishte i racës së shkencëtarëve aventurierë, Korrobaqi ishte i llojit aventurier praktik. Aq sa krijova bindjen e vetvetishme që kjo dhunti kish lidhje me Odisenë e Homerit. Pasi Korrobaqi ishte po aq grek dhe po aq dinak sa edhe shpikësi i Kalit të Trojës. Ishte krejt e natyrshme pra, që atij të mos i interesonin teleskopët dhe teleferikët, por ama ai mbetej tmerrësisht i interesuar ndaj çapinjve. Për të parë se si ishte ndërtuar nga brenda një kafshë e tillë. Në mungesë të dinozaurve që mbeteshin sa të rrallë aq edhe egzotikë, ai eksperimentonte mbi breshkat. Kjo mjaftoi të bëheshim shokë me kokë, bile për vite dhe dhjetëvjeçarë të tërë derisa u bëmë burra.
. Breshka, bretkosa, zhapinj, peshq, zogj, pula… të gjitha speciet kaluan në tryezën e eksperimentit, ndërkohë që në periudhat mes dy përvojash kirurgjikale, dyshja merrej me mbledhjen e bimëve mjeksore. Kamomila, lulekuqe, gjethe delli, rrënjë luleshpate... gjithçka që mund të mblidhej, thahej dhe shitej na niste në ekspeditë në një rreze veprimi që kalonte së tepërmi kufijtë natyrorë të Kombinatit. Nga zbulimi në zbulim, na qëllonte që niseshim për lulekuqe dhe që përfundonim me kanotjeret të rënduara nga manat, që shkonim për breshka dhe përfundonim për peshk, duke harruar se prindërit na thërrisnin, se gjithë pallati lëshohej në kërkim, që pas drurit vinte ndëshkimi i të mbyllurit brenda.. deri në ekspeditën e ardhshme.
.
. Rrezja e tretë quhej Tan Qullaci. Në kategorinë e aventurierëve ai zinte një vend krejt të veçantë, atë të organizatorit. Një organizator me shpirt artisti që organizonte gjithçka kolektive dhe të zhurmshme por që ndalte çapet pas vrapit të parë, që priste në vend rezultatet e aksioneve të rrezikshme, pasi në momentin më delikat vinte mamaja e tij duke mbajtur ne njerën dorë shaminë për t’i fshirë djersën dhe në tjetrën bukën me gjalpë. Do s’do dhe megjithë respektin që na ndillte, ajo mama na bënte edhe pak frikë. Aq sa t’a respektonim pa asnjë fjalë. Pasi teta Titi ishte zyshë. Bile motra ime, nxënësja e saj, në klasë e thërriste zysh teta Titi.
. Sa për nofkën, ajo ju ngjit pasi u kthye nga një xhirim filmi dhe dhe s’ju shqit më përderi sa filmi vazhdonte të çfaqej në kinema. Në atë të Kombinatit ku shkonim të djelave me pesë lekë dhe ku prisnim me padurim që Sal kuqsi, drejtori i kampit ditor, t’i jepte urdhër operatorit, Shaban gungës, të fillonte çfaqjen. Ai përbindëshi Salë që trazonte ëndrrat e çdo kombinatsi fëmijë, derisa më në fund, pati edhe ai idenë e keqe të luante një rol të fëlliqur xhandari në " Lulëkuqet mbi mure ". Nga ai moment, Sala humbi gjithë magjinë e tij keqndjellëse, pasi e gjithë kinemaja si një trup i vetëm u ngrit në brohoritje frenetike " Sa-la, Sa-la " ndërkohë që ai jepte shpirt nën plumbat e guerrilasve trima.
.
. E keqja me Qullacin ishte jo vetëm se me atë nuk mund të ziheshe dot – pasi kish një natyrë të butë dhe shumë të dashur, por edhe që në çdo moment i dilnin në mbrojtje komshinjtë e tij trima Gaxho maloku dhe Arjan paci, që të dy të sherrit dhe për më tepër dy-tre vjet më të mëdhenj se ne të tjerët. Shumë shumë, Gaxhua edhe mund të shmangej por ama Arjanit, që me që ra muhabeti ishte aq jevg sa unë kinez, duhej t’i ruheshe. Unë e mora këtë mësim pas një hedhje guri që më hapi ballin mbi sy dhe që më la një shenjë që e kam si kujtim edhe sot e kësaj dite.
.
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur