"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, December 19, 2007

« Out »-o-biografia e popullit në prozë.

Që prej vitesh, ekonomia shqiptare ecën në ekuilibër mbi tehun e thikës, e përvuajtur nga një pasiv tregëtar të rëndë dhe në rradhë të parë nga kapacitetet e saj prodhuese të pamjaftueshme. Pa asnjë dyshim, mbijetesa e saj sigurohet nga ajo masë e madhe punonjësish emigrantë, të vendosur kryesisht më Bashkimin Evropian : në 1999, Italia mban me punë dhe ushqen 300.000 të tillë, mes rezidentëve të ligjëruar dhe ilegalë ndërkohë që në Greqi, ky numër luhatet ndërmjet 450.000 dhe 500.000, më tepër se gjysma e të cilëve në gjendje të parregullt. I çliruar në këtë mënyrë nga një e treta e krahut të punës, tregu i brendshëm i punës për më tepër dinamizohet nga transferimi i devizave që vijnë nga jashtë : 450 milionë dollarë në 1998, 600 milionë në vitin 2000 – ose 15% të PPB, 60% të prodhimit industrial, dyfishi i eksporteve kombëtare ose së fundi katërfishi i investimeve të drejpërdrejta. Këto shuma, të injektuara menjëherë në qarqet e brendshme të konsumit, venë në lëvizje sektorët më aktivë të ekonomisë shqiptare – për shembull tregëtinë dhe ndërtimin – të cilat, për shkak të mungesës të ndjeshme të prodhimit lokal, shkojnë dhe furnizohen drejtpërdrejt në tregjet fqinje.
. Megjithëse « laku financiar » ilustron më së miri energjinë jetësore të ekonomisë së tregut e cila integron pa asnjë paragjykim të gjitha nismat individuale si dhe ato të sektorit privat, duhet pranuar se ai prek thellësisht dinamikën social-ekonomike të vendit ndërkohë që redukton në mënyrë të ndjeshme fushën e manovrës të politikanëve. Në qoftëse efektet ekonomike të emigracionit janë të prekshme dhe të dukshme në rrafshin kombëtar, është tepër e vështirë për të mos thënë e pamundur të kryhet një shvendosje e thjeshtë dhe e drejpërdrejtë e këtyre rezultateve në rrafshin lokal. Aq më tepër që këto efekte s’mund të reduktohen vetëm në aspektin e tyre ekonomik. Gradualisht por në mënyrë të vendosur, gjithë shoqëria shqiptare ka pësuar një varg shëndrrimesh të thella që nga afër ose nga larg pasqyrojnë këtë realitet tashmë banal. Paralelisht me emigracionin « e jashtëm », një rrymë e fuqishme migratore, kësaj rradhe e brendshme, vepron sipas drejtimit veri - jug dhe lindje – perëndim. Ndërkohë që këto drejtime çojnë në mënyrë të natyrshme drejt vendeve pritëse sikundër Greqia ose Italia, nuk është aspak diçka e rastit që drejtimi i tyre korrespondon me drejtimin e gradientëve social-ekonomikë të vendit. Ultësira perëndimore që përzgjatet buzë detit (rrethet e Shkodrës, të Lezhës, Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Lushnjes, Fierit, Vlorës dhe Sarandës – zonë ku mund të shtihen gjithashtu rrethet e Krujës, Elbasanit dhe Beratit) përqëndron dy të tretat e sipërfaqes së punueshme sikundër dhe 80% të numrit të ndërmarrjeve të vendit. Së fundi, 70% të të gjitha investimeve të huaja janë përqëndruar mbi aksin Tiranë – Durrës. Ndërthurja e emigracionit në dy rrafshet e tij me shumën e pasojave të natyrës sociale, kulturore ose psikologjike çojnë drejt riorganizimeve të brendshme, krijojnë dinamika lokale të ndryshme kësaj rradhe në përmasat e rrethit ose të zonave gjeografike, prekin në mënyrë të diferencuar grupet shoqërore, krijojnë psikologji dhe sjellje të reja qoftë deri në kuadrin e marrëdhënieve familjare. Me fjalë të tjera, ndryshe jetohet emigracioni në Tropojë dhe në Sarandë, ndryshe konceptohet bota e parë nga Vlora ose nga Dibra. . Një vështrim rrethqarkullor i lirë dhe mjaft personal mbi vendin, i ndikuar nga kritere ekonomike, sociologjike ose së fundi etnogjeografike, lejon të dallohen disa zona të mëdha. .
E para gjendet në jug, jug – lindje të vendit dhe grupon prefekturat e Korçës (rrethet e Korçës, të Devollit, të Kolonjës - përveç rrethit të Pogradecit), e Gjirokastrës (rrethet e Gjirokastrës, të Përmetit dhe të Tepelenës), të Vlorës (rrethet e Delvinës dhe të Sarandës – përveç vetë rrethit të Vlorës) dhe së fundi, rrethin e Skraparit që i takon prefekturës së Beratit. Kurriz më kurriz me Greqinë, ajo zotëron një përvojë të thellë migratore të Botës së Re, të fituar që në fundin e shekullit të XIXtë dhe përfiton nga lidhjet tradicionale me fqinjin jugor, qoftë edhe nëpërmjet pakicës grekofone që jeton viset e saj. Megjithë mungesën e fushave të gjera sikundër dhe të maleve të thepisura, ky territor përshkohet nga lugina pjellore mjaft të përshtatshme nga pikpamja e transportit, rrafshe të begata si ai i Korçës dhe gëzon një klimë të favorshme. Kjo gjë favorizon zhvillimin e një bujqësie të afërisë, e orientuar drejt kulturave të kopshtit dhe pemtarisë (vreshta, drurë frutorë, agrume), ndërkohë që lartësitë e mesme, fort pak të pyllëzuara dhe të veshura me kullota përkrahin rritjen masive të kafshëve (dhen dhe dhi). Megjithë llustrën e saj tradicionale, shoqëria – një shumicë e besimit mysliman por me përpjestime të forta bektashi si dhe me një pakicë tepër të rëndësishme ortodokse – është fshatare, e hapur dhe e përshkueshme. Ajo tregon konture sociale mjaft të përcaktuara dhe është e prirë për të riprodhuar raporte të qëndrueshme me pushtetin qoftë qëndror qoftë lokal. Shumë e lidhur me zanatet e tokës dhe me aktivitetet artizanale (dru, gur, tekstile, poçeri dhe zanate të tryezës), banorët e saj karakterizohen nga një mjeshtëri e lashtë, nga një sens i admirueshëm i perdorimit të teknikave sikundër dhe një repekt i thellë ndaj punës. Falë një plejade njerëzish të shkolluar dhe të mësuar, falë shkëmbimeve intensive me botën fqinje kjo zonë ka ditur gjithmonë të paraqitet si qendra cerebrale e kombit, me një rrezatim të padyshimtë mbi të gjitha fushat e arsimit dhe të kulturës. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit (rregjistrimet e popullsisë të viteve 1989 dhe 2001), për shkak të një emigracioni masiv, të gjitha rrethet e kësaj zone njohin një diferencial demografik thellësisht negativ që i afrohet një mesatareje prej -30%. Rrethet më pak të prekura janë ato të Devollit (–9%), të Gjirokastrës (-15%) dhe të Korçës (-19%) ndërkohë që nga ana tjetër e shkallës gjenden Delvina (– 55%) dhe Saranda (-49%). Falë parave të emigracionit sikundër dhe tregëtisë aktive ndërkufitare, këto rrethe arrijnë t’a nxjerrin më mirë qimen nga qulli se të tjerët : shkallë papunësie nga më të ultat në nivelin e Republikës, sipërfaqe e punueshme për banor nga më të lartat në shkallë vendi dhe, falë shpopullimit masiv të fshatrave, një ritmikë ekonomike e favorshme për fermat iindividuale. .
Zona e dytë gjendet në veri, veri – lindje, me një shtrirje drejt qendrës veriore të vendit. Ajo përmbledh prefekturën e Kukësit (rrethet e Tropojës, të Hasit dhe të Kukësit), prefekturën e Dibrës (rrethet e Dibrës, të Bulqizës dhe të Matit), rrethet e Pukës dhe të Malësisë së Madhe, që të dy të përfshirë në prefekturën e Shkodrës dhe së fundi, rrethin e Mirditës, që i përket prefekturës së Lezhës. Kufitare me ish-Jugosllavinë, ajo s’ka qenë kurrë e prekur në të kaluarën nga emigracione masive, ndërkohë që popullsia e saj paraqet tipare etnike tepër homogjene. Fort malore dhe tepër e pyllëzuar, ky territor përmban fare pak toka cilësore të punueshme, me përjashtim të luginës së Drinit të zi pranë Peshkopisë si dhe një zonë e kufizuar rreth liqenit të Shkodrës. Si rregull i përgjithshëm, kalimi në këtë zonë është i vështirë dhe rrugët ndjekin drejtime natyrore që jo gjithmonë përputhen me shpërndarjen e popullsisë ndërkohë që klima mbetet e ashpër : dimër i gjatë, me rreshje dëbore dhe me temperatura të ulta, një verë shkurtër dhe jo fort bujare. Bujqësia është pothuaj rudimentare, e orientuar drejt prodhimeve të malësisë si elbi, pak misër dhe po aq patate ose fasule, ndërkohë që përfaqsuesi më i denjë i pemëve frutore mbetet gështenja. Edhe blegtoria praktikohet në tufa të vogla, sigurisht për shkak të terrenit të thyer që ofron veçse pak kullota të mira – përveç rrethit të Hasit dhe kullotave verore të Korabit. Si përfundim, pak dhen, diçka më tepër dhi ndërkohë që luginat alpine të Tropojës strehojnë disa tufa të pakta lopësh. Shoqëria që jeton në këto male është në shumicën e saj muslimane sunite me ishuj të rëndësishëm të krishterësh katolikë, në zonën e Mirditës dhe të Pukës. Historikisht, kjo shoqëri është e përmendur për shpirtin e saj fisnor : kokëfortësisht e mbyllur, ajo zhvillohet përreth bërthamave familjare, duke zhvilluar raporte dhe lidhje të mbështetura mbi afërinë e gjakut. E projektuar drejt artit të luftës, ajo ka mbijetuar gjerësisht falë « dhënies me qira » të kapaciteteve të saj luftarake, të plotësuar nga një ekonomi e pyllit dhe pak artizanat (gëzof dhe lëkurë, përpunim i drurit dhe i metaleve). Njerëzit janë të ashpër por të besës, të varfër por bujarë : bëhet fjalë për krahun e fortë të kombit, për energjinë e tij në gjendje të pastër – ajo që rend në betejë dhe që i jep jetë talentit, që ngjiz gjeninë. Nën rregjimin komunist, kjo forcë ishte orientuar drejt zanateve të minatorit dhe të metalurgut falë zbulimit të një numri të madh burimesh minerale (bakër, krom), përveç talenteve të gëdhëndjes së drurit, të vëna në dispozicion të shfrytëzimit masiv të pyjeve. Me rënien e rregjimit të vjetër, të gjitha kantieret perënduan njëri pas tjetrit. Ndërkohë që burimet mungonin mizorisht popullsia u braktis në fatin e vet. Kështu, ajo u orientua drejt një emigracioni masiv i cili fillimisht e orientoi drejt qyteteve të mëdha të ultësirës perëndimore, përpara se të tentonte Evropën. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, diferenciali demografik mbetet ngultësisht negativ, me një mesatare prej –20%. Mes rretheve më pak të prekura është ai i Hasit (-10%) dhe ai i Dibrës (-13%), ndërkohë që në krye të listës gjendet Tropoja (-37%), Puka (-30%) ose Mirdita (-36%). Për më tepër, këto rrethe grumbullojnë të gjitha rekordet : - shkallë papunësie, shkallë e vdekshmërisë foshnjore, tregues i varfërisë ekonomike dhe së fundi shkallë e braktisjes të shkollës – më të lartat e vendit, pa llogaritur së fundi një atomizim ekstrem të pronësisë agrare. .
Zona e tretë perëndimore, mbulon bregdetin adriatik, me Italinë përballë. Ajo bashkon rrethin e Shkodrës, prefekturën e Lezhës (rrethet e Lezhës dhe të Kurbinit – përjashto rrethin e Mirditës), prefekturën e Durrësit (rrethet e Durrësit dhe të Krujës), prefekturën e Tiranës (rrethet e Tiranës dhe të Kavajës), prefekturën e Fierit (rrethet e Lushnjës dhe të Fierit – përjashto rrethin e Mallakastrës) dhe së fundi, rrethin e Vlorës. Këtu emigracioni është një fenomen bashkëkohor, i zhvilluar në gjirin e një popullsie që krijohet dhe rikrijohet nëpërmjet prurjeve konstante dhe masive nga brendësia e vendit. Në mes të masës dërrmuese me origjinë myslimane, dallohen ishuj popullsish të krishtere : një grup katolik me origjinë të vjetër malësore jeton në Shkodër dhe Lezhë, një grup tjetër ortodoks me origjinë të vjetër jugore jeton mes Lushnjës dhe Vlorës ndërkohë që popullata të shpërndara gjithmonë ortodokse - shpesh me origjinë vlleh – janë instaluar mes Durrësit, Kavajës, Lushnjës dhe Fierit. Ky brez bregdetar prej 250 kilometrash gjatësi dhe vetëm disa pak dhjetra kilometra thellësi është i përbërë nga fusha aluvionale, dikur kënetore, dhe rrethohet nga Lindja me masive malorë. Është zona e çifligjeve, e pronave të gjera tokësore të dikurshme që krijuan famën dhe pasurinë e bejlerëve ; rregjimi i vjetër komunist i shëndrroi në një vazhdimësi fermash shtetërore, të orientuara drejt bujqësisë intensive dhe të destinuara drejt prodhimit të drithrave (grurë, misër, oriz) sikundër dhe bimëve industriale (pambuk, luledielli, duhan). Ajo përqëndron praktikisht të gjithë masën e artereve të komunikacionit kombëtar : rrjetin hekurudhor, rrugët automobilistike kombëtare, portet ose aeroportet. Bëhet fjalë për mushkërinë dhe për zemrën e vendit që ushqen dhe ritmon gjithë jetën ekonomike dhe politike – një magnet i vërtetë që tërheq të gjithë fatkeqët dhe të braktisurit e vendit, të uriturit e veriut dhe të pafatët e jugut. Shoqëria e kësaj ultësire është e re dhe i mungojnë traditat e vërteta : e krijuar mbi gërmadhat e klasave të vjetra, ajo u modelua nga pushteti komunist me qëllim që t’i shërbente veprës. Ky agregat funksionarësh, intelektualësh të çrrënjosur dhe i « proletariatit » industrial dhe agrar shërbeu si bazë e rregjimit demokratik i cili me atë rast, i hapi horizontin e botës politike dhe të biznesit. E përshkueshme nga ndikimet e huaja dhe kozmopolite, admiruese e perëndimit, kjo shoqëri ishte e para që braktisi vendin në masë. Megjithatë, diferenciali demografik i saj mbetet gjerësisht pozitiv : Tirana mban vendin e parë me +42%, e ndjekur nga larg prej Krujës (+19%), Durrësit (+11%) ose Lezhës. Përsa i përket pjesës tjetër, nga Shkodra në Fier, diferencat janë të vogla (mes –3% dhe +3%), me përjashtim të Vlorës (-17%), banorët e të cilës me sa duket pësojnë ndikimin e kryqëzuar të ndjelljes italjane dhe të thirrjes greke. .
Zona e katërt dhe e fundit gjendet në qendër të vendit dhe shkon nga kufiri me Maqedoninë deri në kontakt me ultësirën perëndimore. Ajo përmbledh rrethin e Pogradecit, prefekturën e Elbasanit (rrethin e Librazhdit, të Gramshit, të Elbasanit dhe të Peqinit), prefekturën e Beratit (rrethin e Beratit dhe të Kuçovës – përveç Skraparit) dhe së fundi, rrethin e Mallakastrës. Ky territor nuk ka qenë kurrë një tokë emigracioni : mes tregëtisë, bujqësisë dhe artizanatit, njerëzit kenë kërkuar gjithmonë mirësinë dhe begatinë e tyre në vend. Ata katër lumenjtë që e përshkojnë - Shkumbin, Devoll, Osum et Vjosë, përfaqsojnë po aq rrugë kalimi drejt thellësisë së vendit dhe gadishullit. Ndodhemi në një koridor të gjerë, ai lindje – perëndim, i cili pret vendin më dysh, që ndan dialektet, që veçon mentalitetet. Këtu edhe vetë natyra çfaqet pa teprica, pa shkëlqim, pa madhështi : disa male – aq sa duhet për të zënë pamjen e një perle si liqeni i Pogradecit, disa fusha – aq sa të lejojnë vendosjen e një qyteti si Elbasani, më tej kodra – as tepër të rrumbullakta për t’i punuar as tepër të thepisura për t’i mallkuar dhe së fundi, pasuri minerale – hekur dhe naftë – të mjafta për një vend si Shqipëria por asnjëherë të mjaftueshme për brezat e ardhshëm. Atëhere, njeriut i është dashur të adaptohet me mjedisin : ai rrit dhi në lartësitë e Librazhdit dhe djeg qymyr druri në Polis, mbjell ullinj mbi kodrat e Elbasanit dhe fiq rreth e qark Beratit, kultivon misër në Dumre dhe duhan në Peqin ; së fundi, gërmon Gurin e Kuq në Pogradec dhe shpon fushat e Kuçovës. Shoqëria e lindur në këto vise është pasqyrim i vetë natyrës : ngeshmëria e saj proverbiale, një trashëgim nga e kaluara otomane, e ka nxitur që t’i largohet dhunës dhe rrëmujës. Në qoftë se konformizmi i saj i zakonshëm ka mundur të shëndrohet në oportunizëm gjatë epokës komuniste, tashmë ajo mundohet të shmangë efektet e dëmshme të një hapjeje pa kufi ndaj botës së jashtme falë palëvizshmërisë së saj. Pa dyshim nën ndikimin e lumenjve, as fort e gjatë as krejtësisht e qetë, jeta mbetet mjaft monotone çka bën që krijimtaria e njerëzve të jugut të shtanget në pasivitet, përpara se të shëndrrohet në gjest luftarak diku larg në veri ; sikundër dhe gjenia e mprehtë e shoqërisë jugore të venitet në një miqësi të gjerë grupi përpara se të metamorfozohet në shpirt të fisit në malet e epërme. Eshtë barku bujar i kombit, është vetë shëmbëlltyra e Shqipërisë të përjetshme. Zona qëndrore duket se i shpëton obsesionit të të vrapuarit jashtë shtetit që deh rininë dhe që shpërthen familjet. Pothuaj asgjë nuk lëviz në Librazhd (+0.7% diferencial demografik ndërmjet 1989 dhe 2001) sikundër dhe në Pogradec (-0.8%). Megjithatë, i pari ngjan si dy pika uji me fqinjin e tij të Bulqizës (-15%) ndërkohë që të dytin veç një mal dhe dy kodra e ndajnë nga sivëllai i madh i Korçës, i cili për të njejtë periudhë është lehtësuar nga 33.000 banorë. Gjithmonë gjatë kësaj periudhe, popullsia e Elbasanit rritet me 6%, po aq sa rritja natyrore mesatare e popullsisë, dhe fqinji i tij i Peqinit mezi që e tejkalon (+9%). Eshtë vetëm Gramshi (-18%) që mundohet të barazojë mesataren kombëtare ndërkohë që në Berat (-6%) dhe në Kuçovë (-11%) njerëzit janë gjithmonë të pavendosur – a duhen braktisur këto toka të ndohtura deri në thellësi nga mbetjet e naftës apo duhet vazhduar shëtitja gjatë bregut të Osumit ? Së fundi Mallakastra (-2%) i ka mbetur besnike të shkuarës : mes dy kujtimeve, ai i dhenve të kohës së mbretit dhe të puseve të naftës të kohës së Enverit, njerëzit ndjekin rrugën e arsyes dhe atë të prirjeve blegtorale. Ndërkohë e gjithë zona zhytet në mizerje sociale dhe në varfëri (i). .
Ja pra kush është Shqipëria e sotme :
.
. ndërkohë që shpirti i pavdekshëm i kombit është zhytur në një letargji të pashpresë, mendja dhe aftësia krijuese largohen nga vendi, energjia e pastër dhe talenti gjenial shpenzohen rrugëve të botës dhe gjithçka reduktohet në biznes, në një rrethqarkullim frymëmarrës paraje dhe malli, në një luzmim njerëzish të preokupuar nga vajtje-ardhja papushim mes brigjeve. .
. -------------------------- .
(i) Kjo mënyrë e konceptimit të realitetit lokal mbështet nga një varg treguesish, të qëmtuar nga plot studime. Le të përmendim disa shembuj, të zgjedhur në këtë zonën e katërt : rrethi i Librazhdit zotëron një sipërfaqe prej 1.024 km2, pra më e madhe se mesatarja e një rrethi shqiptar që luhatet aty rreth vlerës 800 km2. Vetëm 15% e kësaj sipërfaqeje përbëhet nga tokat e punueshme, Pjesa tjetër ndahet mes pyjeve (51%), kullotave (16%) dhe tokave joproduktive (18%). Në vitin 1998, mbi këtë territor banonin 69.770 banorë nga të cilët 46.250 me një moshë mes 15 dhe 69 vjeç dhe vetëm 26.800 prej tyre konsiderohen aktivë nga pikpamja ekonomike. Por, sipas statistikave lokale, 20.200 nga këta aktivë punojnë në sektorin bujqësor të privatizuar dhe vetëm 5.100 në sektorin publik dhe privat jashtë bujqësisë, gjë e cila përcakton një shkallë papunësie të rendit 6%, pra shumë e ulët në krahasim me mesataren kombëtare (15%). Nga ana tjetër këta bujq privatë janë shpërndarë mes 14.300 fermave dhe pronave individuale që zotërojnë një sipërfaqe mesatare prej 0,57 hektarësh dhe vetëm 24% e tyre mund t’i lejojnë vetvehtes të dalin në treg për të shitur prodhimet e tyre. Të vetmet elementë që lejojnë të kuptohet gjendja e tyre tepër e vështirë është fillimisht fakti se mes 1990 dhe 1997, popullsia e qytetit të Librazhdit është dyfishuar (nga 5.100 në 9.900 banorë) ndërkohë që 70% e familjeve fshatare marrin alokacione, për shkak të burimeve të tyre materiale të pamjaftueshme. Përfundimisht, ky rreth i mbyllur në vetvehte ze vendin e gjashtë (ndër tridhjetë e gjashtë) në klasifikimin kombëtar të shkallës së ndjeshmërisë. Shembulli i dytë vjen nga rrethi i Kuçovës, më i vogli i Republikës. Ai zotëron një sipërfaqe prej 84,1 km2, nga të cilat 65% të dedikuara bujqësisë. Pjesa tjetër është ose joprodhuese (20%) ose pyje dhe kullota. Mbi këtë territor të vocërr jetojnë gati 40.000 banorë, pra 457 banorë/ km2 – dendësia më e madhe në nivelin kombëtar. Mes tyre, 24.000 janë të moshave 15 deri 69 vjeç, nga të cilët 17 deklarohen si aktivë. Në të vërtetë vetëm 10.000 punojnë, gjysma në bujqësi dhe gjysma tjetër në sektorin privat ose publik, nga e cila rezulton se shkalla e papunësisë është 42%. Megjithë aftësitë e supozuara të atyre 4.200 fermerëve që në mesatare zotërojnë nga 1 hektar tokë dhe që arrijnë më mirë se të tjerët të shesin prodhimet e tyre pasi 67% e tyre deklarojnë të kenë marrëdhënie me tregun, e ardhmja është krejt e zezë veçanërisht për ata 28.000 banorët e qytetit të Kuçovës horizonti i të cilëve mbetet ai i vendeve fqinje. E keqja është se rasti i Kuçovës nuk përbën ndonjë rast të izoluar. Përveç disa detajeve, ai ndiqet këmba këmbës nga rrethi fqinjë i Beratit që rregjistron një shkallë papunësie prej 25% ose prej atij të Elbasanit me 22% të papunë. Këta të fundit janë të favorizuar vetëm për hir të shtrirjes së tyre territoriale. Me fjalë të tjera, ata arrijnë të fshehin papunësinë vetëm falë egzistencës në kufijtë e mbijetesës të fermave dhe pronave bujqësore. Shih mbi këtë subjekt : Eniel NINKA – Différenzazioni territoriali in Albania dalla caduta del communismo ad oggi. Associazione Alessandro Bartola, Studi et Ricerche di economia et di politica agraria, Nr. 8, gennaio 2003 ; mais également : Assessment of Social and Economic Condiitions of Districts in Albania, UNICEF – Albania, Tirana, 2000.

2 comments:

N.Ago said...

Ipërkujdesur studimi dhe nënvizimi i gjendjes.
Veçse, fatkeqësisht, gjendja e pandryshueshme.
Të zë frika të kthesh sytë nga Shqipëria.
Terr dhe tmerr!!!

N.Ago said...

Nuk e di nëse kanë ndonjë rëndësi komente këtu, përderisa nuk vendosen në postimin e duhur.
Gjithsesi, edhe pse nuk ka lidhje me temën(kam lënë më parë komentin për këtë) uroj fundjavë të qetë dhe të klndshme!

 
Përjetësisht të Panjohur