Duke qëmtuar në Internet lajme dhe përmendje të atdheut të shumëvuajtur dhe të shumëdashur, më tërhoqi vëmendjen një blog në frëngjisht “Canoe Info”, nga Kebeku (Kanada) që i bënte eko një përpjekjeje të administratës së George. W. Bush. Ja edhe një përmbledhje e artikullit në disa rreshta:
“Këto ditë e fundit (më saktësisht në 30 tetor 2007),
Kuba i paraqiti Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, një mocion që synonte dënimin e bllokazhit të përgjithshëm, të imponuar nga Shtetet e Bashkuara pothuaj gjysëm shekulli më parë ndaj ishullit karibean. Që prej tre vjetësh, një shumicë shtetesh e dënon këtë masë ekonomike dhe tregëtare, të ndërmarrë ndaj një vendi të vogël prej 11 milionë banorësh... Kësaj rradhe ishin 184 vende solidare nga 192 antare. Katër vende votuan kundër: SHBA, Izraeli, ishujt Marshall (një arqipelag i Paqësorit me 60.000 banorë, nën tutelën e OKB dhe të SHBA deri në vitin 1986) si dhe republika e Palaos – (një tjetër arqipelag i Paqësorit me 20.000 banorë, nën tutelë deri në vitin 1994). Një vend - Mikronezia – abstenoi. Së fundi, tre vende munguan gjatë votës: Shqipëria, Salvadori dhe Iraku“.
Një varg mendimesh më vërshoi në kokë dhe përfundimisht, disa prej tyre mbetën pa përgjigje. Ja çka më detyroi të ulesha t’i ndaja me të tjerët.


-
Fillimisht, e forcova vehten të pranoja se analisti-gazetar kanadez donte të mashtronte botën mbarë me këtë histori të shpikur fund e krye - pse jo, për të dëmtuar imazhin e kulluar të Shqipërisë. Aq më tepër që asnjë prej gazetave të vërteta (prej letre) ose virtuale (elektronike) shqiptare, në përgjithësi tejet të mirëinformuara në lëminë e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e përmendtte një gjë të tillë. Si zakonisht, i bëra thirrje Google - armës lajmkërkuese së pagabueshme, e cila në këtë rast më largoi çdo iluzion duke më sjellë përpara një tufë me gazeta në gjuhën spanjolle që festonin „fitoren historike kubane“ – pra votimin kundër „Jo-së“ amerikane, pa llogaritur Zërin e Amerikës – që e quante „të gabuar“ votimin e OKB“ dhe vlerësonte përpjekjen kubane si njê hap tjetër për „të fajësuar Shtetet e Bashkuara për vështirësitë e saj ekonomike dhe për të larguar vëmendjen nga gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut në atë vend“. Çka më tërhoqi posaçërisht vëmendjen ishte fakti se votimi i 30 tetorit vinte një javë më pas thirrjes „dramatike“ të Presidentit Bush të drejtuar botës mbarë, me shpresë për të gjetur një mbështetje në fushatën e tij kundër Kubës kastriste. Me këtë rast, Bushi kish kërkuar krijimin e një fondi ndërkombëtar, i destinuar për financimin e subversionit anti-kastrist.
-
Përse përfaqsuesi shqiptar në OKB nuk ndoqi shembullin e SHBA-së dhe të Izraelit (për të mos përmendur ato republikat mikroskopike të Paqësorit) por e gjeti të udhës të vidhej nga salla e Asamblesë – sikundër kolegu i tij i pashtet irakian? A i bindej ai urdhërit të Ministrit të tij Basha (dhe në këtë rast porosisë së Kryeministrit Berisha) apo diçka e kish penguar të gjendej në sallë në momentin e duhur? Në rastin e hipotezës së parë, cilët janë elementët e rinj cilësorë të politikës së jashtme shqiptare që e detyrojnë këtë të fundit t’i bëjë bisht detyrimeve të pashlyeshme ndaj mikut dhe aleatit të saj të parë dhe të madh? Përse një kthesë e tillë pas asaj pritjeje të paharruar të Bushit në Tiranë? Të gjithë e dimë se Shqipëria ze një vend të veçantë në zemrat amerikane, pasi ajo ka treguar me vepra se është vendi më proamerikan në botë: ajo ishte nga të parat dhe nga të paktat që dërgoi trupa në Afganistan dhe që u bashkua me forcat amerikane në Irak, ajo ju bëri vend edhe atyre tetë të dënuarve të Guantánamo Bay, në Kubë (ah kjo Kuba!) në pamundësi për t’i dërguar në vendet e tyre. A s’ishin gazetat shqiptare ato që i kërkuan Presidentit amerikan "Ju lutemi, na pushtoni“ ? A s’janë burrat politikë shqiptarë ata që dalin kundra të gjithë kritizerëve të botës mbarë që duan të njollosin Bushin si „luftënxitës, unilateral, shkelës të të drejtave qytetare e madje deri tek mbyllja e syrit përballë torturave“? A s’ishte parlamenti shqiptar ai që aprovoi unanimisht një akt-normativ disa kohë më parë, i cili i lejon "forcat amerikane të përfshihen në operacione të çdo lloji, përfshi edhe përdorimin e forcës, me qëllim ruajtjen e sigurisë së presidentit (shqiptar)" ? A s’ishte qeveria shqiptare ajo që ndër të parat –dhe kundër mendimit të të gjithë evropianëve të tjerë - mbështeti refuzimin e Uashingtonit për të njohur autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (kundër Njerëzimit)? Ç’farë po ndodh kështu me qeverinë e Z. Berisha?
-
Që nga më i madhi politikan deri në më të voglin e nxënësit të shkollave janë në gjendje të shpjegojnë se origjina e kësaj dashurie pasionale shqiptaro-amerikane është ai vendimi historik i Presidentit Udru Uilson për të mos u bashkuar me përçapjen gllabëruese dhe grabitqare të Evropianëve në Konferencën e Paqes së Parsit në vitin 1918, dhe më tej, përkrahja e tij për antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si dhe njohja ndërkombëtare e Shtetit të Ri shqiptar.
Të tjerë shqiptarë me demokracinë në zemër mund të shpjegojnë gjerë e gjatë se kjo dashuri u ndez në mënyrë të veçantë gjatë vizitës së Bejkërit në Tiranë – në kohën e Bushit baba. Pavarësisht se në kohën e vet, Klintoni i kërkoi Presidentit Berisha të braktiste postin në vitin 1997 – dhe me këtë rast ky i fundit „zbuloi“ komplotin greko-amerikan për të përmbysur pushtetin demokratik në Shqipëri – me mijëra fëmijë shqiptarë morën emrat Bill ose Hillari, falë rolit të administratës Klinton në ndihmë të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Tashmë Kryeministër, Berisha i ka harruar akuzat e tij të vjetra... aq më tepër se Bushi Junior ishte një nga partizanët më të ndezur të pavarësisë së Kosovës! Them „ishte“ pasi aktualisht, ndoshta e lodhur nga kontradiktat e parzgjidhshme me Rusët e Putinit - administrata e tij po distilon një variant të ri të kësaj „pavarësie të kushtëzuar“: atë të shtyrjes në vitin 2020, për të mos thënë në „kalendat greke“. Ja edhe ndoshta arsyeja e fshehtë e mëshefjes së Z. Adrian Neritani, përfaquesit të Shqipërisë në koridoret e OKB-së: t’ju jepte të kuptonte Amerikanëve se Shqiptarët janë në gjendje të protestojnë vendosmërisht kundër qëndrimit të ri të administratës Bush lidhur me Kosovën. Ndërkohë që Presidenti Bush po braktiset nga shokët e tij të vjetër të Shtëpisë së Bardhë, me afrimin e zgjedhjeve të reja që paraqiten si katastrofike, ai po lëshohet edhe nga miqtë e tij të rinj shqiptarë. Mjer për luanin kur plaket dhe i bien dhëmbët – edhe gomari merr guxim dhe i këput shkelmin, thjesht për t’u treguar se nuk i mugon aspak trimëria!
- P.S: Këtë shprehje të fundit nuk e kam thënë unë por La Fonteni, në fabulat e tij disa shekuj më parë!
0 comments:
Post a Comment