

Një tjetër mënyrë e të kqyrurit të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.
Posted by xixa 0 comments
Labels: Zëra dhe klithma
Skema mjaft e ndërlikuar e identiteteve etnogjuhësore mbetet jo e plotë po qe se nuk plotësohet me një aspekt qënësor siç është ai fetar. Edhe kësaj here, tabloja që përfitohet është e pazakonshme. Të ndarë mes dy besimeve të mëdha fetare monoteiste – krishtërimit dhe islamit, sejcila e nëndarë në dy degët e saj kryesore : katolike dhe ortodokse për të parën si dhe sunite dhe alevi për të dytën, përfundimisht shqiptarët nuk mund të kyçen brenda konfigurimeve të thjeshta, sikundër dhe pjesa tjetër e Evropës.
.Pas pesë shekujsh jetese të përbashkët me otomanët, së paku u respektua një farë logjike : në vigjilje të pavarësisë së tyre, shqiptarët ishin i vetmi popull i Evropës i përkushtuar ndaj islamit, në qoftë se përjashtojmë natyrisht turqit periferikë dhe boshnjakët e përçarë (1). Sidoqoftë, duhej pritur ende një çerek shekulli që përshtypja intuitive të kthehej në siguri. Duke marrë parasysh për herë të parë edhe përkatësinë fetare të banorëve, rregjistrimi i popullsisë të vitit 1939 na mëson se masa prej 1.180.000 vetësh, përmblidhte 826.000 myslimanë (70% e popullsisë), 212.000 ortodoksë (18%) dhe së fundi 142.000 katolikë (12%). Megjithatë, bashkësia myslimane nuk ishte aq homogjene sa dukej : rreth 600.000 vetë (73% e myslimanëve) i përkisnin tendencës sunite tradicionale dhe pjesa tjetër, 226.000 vetë (27%) ishin ithtarë të vëllazërive mistike myslimane – tarikateve (2). Në vazhdim, duke përjashtuar rregjistrimin e popullsisë të vitit 1942 i cili u krye nën përkujdesin e italjanëve pushtues (3), të dhënat e drejtpërdrejta mungojnë megjithë serisë prej shtatë rregjistrimesh të plota, të mbajtura gjatë periudhës komuniste. Në këtë mënyrë, të gjitha referencat ndaj shifrave mbeten projektime të thjeshta të të parave, me vlera të kufizuara krahasuese.
.Gjeografia e grupeve fetare s’është gjë tjetër veçse pasqyrim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore : fetë më të vjetra – në rastin tonë të krishtera – mundën t’i shpëtonin ofensivës myslimane ose falë relievit të vështirë (veriu i thellë katolik) ose falë çadrës mbrojtëse të Kishës së Madhe Ekumenike të Stambollit (çereku jugor – juglindor). Përsa i përket zonës tjetër, gjithçka është në funksion të lëvizshmërisë të popullatave si dhe të shkallës së mirëkuptimit reciprok mes bashkësive. Në perëndim të monarkisë zogolliane dhe në agim të pushtetit komunist, katolikët u gjenden në një zonë të ngushtë që përmblidhte qytetet e Shkodrës dhe Lezhës dhe rrethinat e tyre sikundër në zonat e Malësisë së Madhe, në krahinën e Mirditës dhe në malësi të Lezhës. Në të kundërt, ortodoksët përhapen në një rrip mjaft të gjerë që shkon nga Pogradeci dhe Korça në lindje deri në Himarë në perëndim, duke kaluar nga Berati, Përmeti dhe Gjirokastra. Ishuj të rëndësishëm të popullsive ortodokse gjenden në Myzeqe sikundër dhe në qytetet bregdetare dhe në Tiranë.
.Gjithë pjesa tjetër e vendit mbetet myslimane : fusha bregdetare, luginat e lumenjve Mat, Erzen, Shkumbin, Osum dhe Vjosë sikundër dhe malësia e zonave qëndrore dhe jugore. Po besnike ndaj islamit mbetet edhe lugina e sipërme e Drinit, duke përfshirë dhe Dukagjinin dhe vise të tjera rreth kufirit me Kosovën. Më tej, realiteti në terren, i kqyrur në zona të ngushta, është fort i ndërlikuar pasi edhe ato zona që mbahen si të krishtera s’janë gjë tjetër veçse ndërthurje të bashkësive kryesisht ortodokse dhe myslimane.
Përsa i përket kosovarëve, në shumicën dërrmuese të tyre ata mbeten myslimanë. Vëllazëritë mistike sufi janë fort të rralla ndërsa numri i ortodoksëve shqipfolës është i papërfillshëm. Katolikët kosovarë përbëjnë 4-5% të popullatës (rreth 100.000 vetë) dhe jetojnë të përqëndruar në rrafshin e Dukagjinit si dhe në qytetet e Gjakovës dhe të Prizrenit. Të tjerë ishuj katolikë mbijetojnë në Prishtinë dhe Gjilan (4). Nga ana tjetër, profili fetar i shqiptarëve të Maqedonisë mbetet fort i ngjashëm me atë të kosovarëve, me disa sufi më tepër dhe me disa katolikë më pak.
.E paraqitur në këtë mënyrë, bashkësia e folësve të gjuhës shqipe jep përshtypjen e një blloku mjaft homogjen njerëzor, sidoqoftë grupi më i rëndësishëm i myslimanëve ballkanikë. Kjo gjendje nuk ka mundur të mos i shpëtojë vështrimit të specialistëve të fesë si dhe politologëve të cilët, një moment të caktuar i druheshin asaj « transversaleje të gjelbër », e cila sipas imagjinatës kalon nga Turqia deri në Bosnje – dhe që përshkon natyrisht Shqipërinë dhe Kosovën. Përtej një farë zhgënjimi të mjediseve anti-islamiste, mungesa e çdo motivi fetar gjatë luftës së fundit të Kosovës si dhe gjatë trazirave të natyrës civile të vitit 1997 në Shqipëri, shërbeu si bazë e një pyetjeje të re : janë apo nuk janë myslimanë të vërtetë shqiptarët ? Përgjigja mbetet fort e kontrastuar dhe si zakonisht i nënshtrohet bindjeve të vëzhguesve. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e tyre janë të mendimit se pesha e Islamit në jetën shoqërore ose politike si dhe çfaqjet e saj në hapësirën publike ndryshojnë sipas vendit ku gjendemi dhe që shpirtëzimi mysliman jetohet ndryshe në Shqipëri dhe ndryshe në Kosovë, pa harruar edhe Maqedoninë. Pa vajtur deri në pohimin që egzistojnë po aq lloje të Islamit sa edhe bashkësi shqipfolëse, kjo don të thotë që identiteti fetar duket se i bindet logjikave divergjente (5).
Kjo problematikë që prek thellësisht islamin, takohet gjithashtu edhe në gjirin e popullsisë të krishtere. Tek shqiptarët, pjesëmarrja në një bashkësi fetare nuk duket se është « shprehja e një besimi dhe e një teologjie precize » - e cila, me që ra fjala mbetet fort keq e njohur, por kryesisht « pjesëmarrje në një kolektivitet, i cili ka traditat e veta si dhe orientimet e veta kulturore » (6). Duke dalë jashtë fushës së dogmës, identiteti fetar paraqitet para së gjithash si një fakt kulturor, një pjesëmarrje në një sistem vlerash familjare dhe shoqërore. Sejcili – në të vërtetë, ai që është – mbetet mysliman ose i krishterë për hir të traditës, për hir të lidhjeve
ndërkohë që ritet s’kanë ndonjë peshë të veçantë : kështu, mund të falemi pa shkuar në xhami ose në kishë, ashtu sikundër mund të hyjmë në këto vende të kultit jo për t’u falur. Mbajtja e Ramazanit pa agjëruar, pjesëmarrja në meshë pa ditur asnjë lutje nga Ungjilli – gjithçka është e mundur nga momenti që nxënia e doktrinave fetare asnjëherë nuk ka përbërë ndonjë shqetësim të vërtetë. Shpesh, një përmendje e thjeshtë e Zotit është e mjaftueshme për këtë fetarësi tradicionale që ajo të gjejë paqen e brendshme, që Njeriu të transhendojë në një besimtari të sinqertë. Megjithë kohën e shkuar, tabloja e përshkruar nga vëzhguesit evropianë ende nuk i ka humbur ngjyrat e gjalla të shekujve të kaluar (7).
.Ndërkohë, përvijohet një problem i natyrës praktike, përsa i përket interpretimit të gjendjes shpirtërore fetare. A mos është vallë shprehje e asaj tolerance tradicionale – qoftë edhe të sajuar, por ndaj të cilës shqiptarët janë fort krenarë ? apo, në të kundërtën, një gjendje misticizmi të pasigurt të cilit i mungon « lidhja e drejtpërdrejtë mes identitetit bashkësior dhe ndjenjës fetare personale të individit » ? Mos vallë ndodhemi në « një kapital fetar të përbashkët në të cilin kultet fetare bashkohen dhe ku konturet e identiteteve fetare fillojnë e fshihen » apo në të kundërt, në një besimtari të rëndomtë ku banaliteti i jetës së përditshme zëvendëson ngritjen shpirtërore nëpërmjet faljes ?
Nëpërmjet filtrit instrumentalizues nacionalist, mund të gjykohet në mënyrë « intuitive » se e gjitha kjo s’është gjë tjetër veçse efekti i një islamizimi sipërfaqsor të kryer mbi një popullsi, në gjirin e të cilës besimet e mëparshme të krishtera hezitonin të zgjidhnin mes katoliçizmës dhe ortodoksisë. Në qoftë se shtojmë gjithashtu efektin destabilizues të Bektashizmës, që nëpërmjet lidhjeve të tij të fuqishme me bestytnitë pagane ka orientuar adeptët e tij drejt një herezie, nuk duhet të jemi fort larg një « çudije » të re shqiptare, që i shtohet vargut tashmë të gjatë të atyre të mëparshmeve. Çudi ose jo, këto identitetet fetare ndërveprojnë dhe shprehen në bashkëveprim të thellë me elementë të tjerë po aq esencialë të natyrës etnogjuhësore, kulturore bile edhe krahinore. Në këtë rast, as që guxojmë të imagjinojmë rezultatin që del nga një mbivendosje të tillë faktorësh, që veprojnë mbi një variacion të tillë grupimesh njerëzore të fragmentuara në një hapësirë gjeografike kaq të kufizuar.
Ajo çka është një predikat i brendshëm i kombit shqiptar është pikërisht kjo mënyrë krejt origjinale për të gjetur ekuilibrin nëpërmjet paqëndrueshmërisë, të krijimit të regullit nëpërmjet çrregullsisë. Duket se ai preferon më tepër të zhvillohet drejt gjendjes së tij natyrore me entropi maksimale se sa t’i bindet autoritetit artificial të një Providence. Përpara të tillë shpirtrash « të pandjeshëm » dhe fort pak të përpunueshëm, fetë çmprehen ; ato humbin shkëlqimin e tyre, tërheqjen e tyre misterioze, forcën e tyre të errët sikundër dhe agresivitetin e tyre karakteristik. Ato shëndrrohen në një plehrues të çfarëdoshëm të argjilës kulturore të bashkësisë. Ç’rëndësi ka në se njerëzit humbasin në labirintin e dogmave jo të plota dhe të bashkësive të fragmentuara, përderisa mbetet kjo magjepsje ndaj kësaj bote unikale që bashkon shpirtrat, të atij misticizmi ndoshta të pasigurt por gjallërues pasi primitiv.... I vetmi problem është se bota rrethuese rrutullohet sipas principeve të ndryshme nga të tyret.
Ky popull që beson se vjen prej Perëndive, në mos prej Pellazgëve dhe si pasojë po aq hyjnor sa ata, është gjendur që herët përballë një enigme të pakuptueshme :
Ndërkohë që disponon mjete të tilla njerëzore, të afta të pushtojnë Ballkanin, të rindërtojë Shtete që heqin shpirt ose të rimëkëmbë Perandori që heqin këmbën zvarrë, ai mbetet i pafuqishëm përballë lakmisë së fqinjëve të pangopur. Ndërkohë që « eksporton » Njerëz të shquar në mbarë botën, janë veç diktatorët që i përshtaten. Ndërkohë që a priori ai lind luftëtarët më të shquar të planetit, të gjithë agresorët i hynë brenda si në një mulli pa zot. Ndërkohë që bota rrethuese nuk pushon së rrituri, hapësira e tij vitale nuk pushon së zvogëluari. Përse Zoti është kaq i padrejtë me të ?
.Ndoshta, me që « heth nga një grusht temjam në çdo altar të çdo Perëndije që i ka dëgjuar emrin », s’ka perëndi që e dëgjon. A nuk është më e logjikshme që të zgjidhet njëra prej Perëndive, ajo më e mira ? Ideja është fort tërheqëse por fatkeqsisht ajo nuk është e re. Fillimisht ajo ka mbirë në atë epokë të lavdishme, të quajtur « Rilindja Kombëtare » dhe krijuesi i saj, në mos zëdhënësi, ishte i talentuari Pashko Vasa, i njohur ndoshta edhe si Vaso Pasha Shkodrani – një burrë i penës dhe i politikës. Strofa e tij tashmë e famshme është një program i tërë : « Çonju Shqyptar, prej gjumit çonju, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngonju, E mos shikjoni kisha e xhamija, Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija ». Ja edhe zoti që ju ka munguar shqiptarëve : shqiptarija, një ideal kombëtar i cili qëndron dhe duhet të mbetet jashtë veçorive të shumëfishta, bile edhe atyre fetare.
.Cili nga të dy rrymat bashkëkohore të « shqiptarisë » mban çelësin e të ardhmes ? Sipas gjasave, asnjëra prej tyre. Është fort pak e mundur që, nëpërmjet ëndrrave parashikuese ku çfaqet populli që pranon më së fundi fenë katolike të të parëve si dhe vendi që vendos të ndjekë fatin e tij, atë të bashkësisë të vendeve të civilizuara dhe të krishtere të Evropës, ky « imazh i sakatuar » i Shqipërisë përfiton një shans më tepër për t’u ribërë. Po aq i pamundur paraqitet skenari që, duke ju bashkëngjitur një koncepti të të kaluarës, kërkon të ngazëllojë aspiratat legjitime të myslimanëve në kërkim të « parajsës së humbur ». A duhet ndoshta të pranohet një sfidë tjetër, ajo e proklamuar nga elita e re që i bën thirrje dinamizmit njerëzor të gegëve dhe të kosovarëve myslimanë, nën stimulimin e një kulture gegë që shtrin rrënjët në trashëgiminë katolike (11) ? Ç’farë duhet të bëjmë atëhere me këtë Komb shumëfetar, me këtë pasuri, trashëgimtarët e të cilës kanë përfituar favoret përpara se të grinden për të marrë pjesën që ju takon ? Ku t’a çojmë atë besimin e sejcilit dhe të çdonjerit, këtë të drejtë të patjetërsueshme të individit – e përcaktuar si e tillë në të gjitha Kartat e botës ?
Në fund të fundit : cilët jemi ne ? nga vimë ? ku shkojmë ? Kuptimi i debatit të sotëm është krejt i qartë, pavarësisht faktit se pyetjet janë po aq të vjetra sa edhe vetë njerëzimi. Duke ngritur të tilla pyetje esencialiste, mos jemi vallë duke i mbushur mendjen vehtes ose në të kundërt, jemi duke i hapur sytë të tjerëve, të cilët mendohen se do të na presin një ditë krahëhapur ? Ndoshta pak nga të dyja ndërkohë që diku, ushqehet në mënyrë sekrete shpresa se sa më tepër të jemi solidarë aq më mirë mund të bindim. Le të pranojmë hapur se, nëqoftë se fantazma e një Turqie laiko-myslimane, së shpejti antare e Bashkimit evropian, tmerron pjesën më të madhe të qarqeve të krishtera të Evropës, përgjigja e prerë e shqiptuar deri tani nga Bashkimi i të njëzet-e-pestëve, tmerron dhe përngut Shqipërinë. Hajde pra t’a heqim qafe atëhere Turqinë dhe me atë rast, edhe ato shekujt e të kaluarës ! Përse jo në këtë rast, shqiptarët aq të njohur për oportunizmin e tyre fetar – mund të jenë gjithashtu të aftë të ndërmarrin atë rrugën e tyre të Kryqit, kësaj rradhe në drejtim të kundërt : të konvertohen masivisht në të krishterë, bile po qe e mundur në katolikë, me qëllim që të pranohen dhe të integrohen në Evropë. Ndërkohë që Greqia rregullon dokumentat e disa anonimëve, të pagëzuar ortodoksë – thjesht për të përshpejtuar procesin ; ndërkohë që Kisha katolike hap portat e saj ndaj disa « deleve noprane » të lindura myslimane dhe të ardhura nga sfera politike ose e kulturës, përse Evropa e bashkuar nuk do të pranonte një popull të tërë i cili, i ndriçuar befasisht nga drita e shenjtë, është konvertuar në masë dhe në mes të një gëzimi të papërshkruar, në brigjet e Adriatikut ?
Këto skenare të shkruara nga shpirtkulluarit për të padjallëzuarit, nuk arrijnë që të krijojnë unanimitet në hapësirën shqiptare. Duke krijuar dhe ushqyer kategori imagjinare sikundër ajo e « identitetit evropian të shqiptarëve » (12), të parët s’bëjnë gjë tjetër veçse ngrenë më këmbë kontradiktat dhe shpurrisin pasionet rreth temës së identitetit kombëtar – që prej kohësh e përhumbur dhe jashtë sheshit publik. Tashmë me Evropën në horizont, është krejtësisht legjitime të nënvizohet se « ne i përkasim Evropës » – sikundër bën edhe Kadareja. Vetëm se, ky nënvizim lapidar nuk pengon të ngrihet pyetja : a na dëshiron ne Evropa apo jo ?
Kushdo mund të konstatojë – në rradhë të parë burrat politikë, se optimizmi i Brukselit duket i dyshimtë në disa nivele. Mjafton të ndiqen lajmet dhe të kqyret mënyra e integrimit të ballkanikëve të përzgjedhur si Bullgaria dhe Rumania. Mjafton gjithashtu të ndihen deklaratat lidhur me temporizimin e ardhshëm në pranimin e antarëve të rinj. Ndërkohë as evropianët nuk duken fort të sigurt lidhur me të ardhmen e tyre, as edhe vendet antare nuk paraqiten fort entuziaste për të ndërmarrë sakrifica financiare të reja. Horizonti 2015 bile edhe ai 2020 çfaqet gjithmonë më tepër i mundshëm se sa i sigurt. Kjo jep edhe atë kohën e nevojshme për t’u thelluar lidhur me çështjen e identitetit shqiptar i cili, po qe se i besojmë specialistëve (13), mbetet fort i varur nga një njohjeje e mangët e të kaluarës së shqiptarëve, sikundër dhe të psikologjisë së tyre. Sidoqoftë, përpara se të ndërmarrin atë aggiornamento-n e tyre të mundimshme, shqiptarët kanë interes të dinë se çfarë përfaqson identiteti evropian i evropianëve.
. ======================
. 2) Të krijuara në periudhën e hershme të pushtimit otoman, vëllazëritë mistike janë tashmë pjesë integruese e pejzazhit lokal. Pa asnjë dyshim, Bektashinjtë përbëjnë edhe rrymën më popullore dhe më me ndikim. Ata ndiqen në një distancë të respektueshme nga Helvetitë, nga Kadiritë dhe të tjerë Çelveti, që të gjithë të konsideruar si përbërës të familjes Alevi. Sipas specialistëve, nga pikpamja e doktrinës, « Bektashizmi përfaqëson një Islam heterodoks, një sistem eklektik dhe sinkretik heterogjen dhe shpesh jokoherent – një konglomerat të ezoterizmit mysliman, të besimeve indigjene të Anadollit dhe të Iranit, me infiltrime të formave të tjera skizmatike të krishtera sikundër dhe ideve filozofike sufi. ». Në qoftëse shtojmë edhe « një varg ndikimesh, besimesh dhe traditash popullore ballkanike të epokës paraotomane » sikundër dhe « praktika turko-shamaniste, elementë të ardhur nga sisteme mistike proto-turke, precepte ortodoksisë shiite si dhe precepte të tjera të ekstremizmave fetarë », kuptohet edhe më mirë përse dhe sot e kësaj dite përcaktimi i Bektashizmës mbetet gjithmonë problematik.
.3) Sipas rregjistrimit të italjanëve, vendi numëronte 1.128.143 banorë. Myslimanët ishin 779.417 vetë – duke përfshirë dhe bektashinjtë, pra 69% të popullsisësë përgjithshme, ortodoksët ishin 232.320 vetë, ose 21%, the së fundi katolikët ishin 116.259 vetë, ose 10%. Shih mbi këtë subjekt : Robert ELSIE – Islam and the Drvish orders of Albania : un Introduction to their history, development and their current situation. Dans; www. Elsie.de/Dr Robert Elsie.
. 4) Lidhur me gjeografinë fetare të shqiptarëve, shih edhe : Jean – Arnault DERENS – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. Dans : http://religion.info. .5) Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – Albanie, les enjeux de la réislamisation, në : Xavier BOUGAREL et Nathalie CLAYER (nën drejtimin) – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Édition Maisonneuve & Larousse, Paris, 2001.
. 6) Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – Albanie, les enjeux de la réislamisation, dans : Xavier BOUGAREL et Nathalie CLAYER (nën drejtimin) – ibidem.
.7) Ledi Mantagy, e shoqja e ambasadorit të Mbretëreshës së Anglisë në Stamboll (1717) shkruan mbi këtë çështje : « këta njerëz që jetojnë mes të krishterëve dhe muhamedanëve por që nuk bien në mekat, deklarohen të paaftë të gjykojnë se cila nga fetë është më e mira ; por, për të qenë të sigurt që s’e kanë hedhur poshtë të vërtetën, me një kujdes tepër të madh, i ndjekin të dyja dhe shkojnë në xhami të premten dhe në kishë të djelën ». Mary WORTLEY MONTAGU - Letters and Works ed. Lord Wharncliffe Philadelphia 1837 ; e cituar në : Faik KONICA - Shqipëria: kopshti shkëmbor i Evropës juglindore : Vepra, Tirana 1993. Edhe më mirë, Hjuxh shkruan në këtë mënyrë : « myslimani shqiptar shpesh martohet me një të krishtere. Ai shpie djemtë në xhami dhe lejon vajzën të ndjekë të jëmën në kishë. Ai vetë shkon nga një tempull në tjetrin pa asnjë bezdi ». T.S. HUGHES - Travels in Greece and Albania, London 1830, 2 ed., vol 2 ; gjithashtu i cituar në : Faik KONICA – ibidem.
.8) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II , Bot.. Toena, Tiranë, 1994 - 2002.
.9) Në mbështetje të kësaj ideje, mes të tjerësh Clayer përmend Fan Nolin. Ky i fundit, në një tribunë të botuar nga gazeta « Kombi » në vitin 1908, është i mendimit se fakti që dallimet fetare kishin krijuar një ndarje mes Shqiptarësh vinte nga që përgjegjësit fetarë « të huaj » i kishin shëndrruar dallimet fetare në antagonizma politike, në mënyrë të veçantë mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Kështu Noli vinte në përfundimin se nuk ishin fetë që duheshin ndërruar – aq më tepër që kjo gjë nuk mund t’i imponohej popullit – por fetarët, shërbëtorët e fesë pasi ata ishin shëndrruar në instrumenta të armiqve politikë të kombit. Shih : Nathalie CLAYER – Aux origines du nationalisme albanais : la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe. Éd. Carthala, Paris 2007.
. 10) Është tashmë i njohur opinioni i shkrimtarit, i cili akuzon islamin si « njërën prej dy fatkeqsive më të gjëmshme që kanë goditur popullin shqiptar, ndërkohë që tjetri është komunizmi ». Kohët e fundit ai recidivon duke e cilësuar katoliçizmin si « fenë e parë të shqiptarëve » ndërkohë që nënvizon se « ortodoksët s’janë gjë tjetër veçse katolikë të konvertuar gjatë skizmës së Kishës së krishterë ». Duke ndjekur veprën e tij, kjo gjë nuk paraqitet aspak si tronditëse. Mjafton të përmendet dëshira e tij lapidare « .. isha i bindur se Shqipëria do të anonte drejt fesë së krishtere, pasi ajo është e lidhur me kulturën, me kujtesën dhe me nostalgjinë e kohës përpara Turqve. Përgjatë viteve, besimi islamik, më i vonët, i importuar në bagazhet e Otomanëve, do të dobësohej (fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kosovë). Ndërkohë që feja e krishterë, bile më saktësisht kultura e krishterë do të rrënjosej në vend. Kështu, së shpejti nga një e keqe (ndalimi i praktikave fetare në 1967) do të lindte një e mirë. Kombi shqiptar do të ndërmerte këtë riparim historik, çka do të përshpejtonte edhe bashkimin e tij me kontinentin at, Evropën ». Shih mbi këtë çështje : Ismail KADARE - Printemps albanais – Chronique, lettres, réflexions. Ed. Fayard, 1994.
. 13) Shih : Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – L’Albanie : une nation encore à inventer ?, dans: DE WAELE J.-M. & GJELOSHAJ K. (sous la dir.) - De la question albanaise au Kosovo, Éd. Complexe, 1999.
La suite.. - Vazhdimi...Posted by xixa 2 comments
Labels: Notat e Identitetit
Në qoftë se ndonjë ditë historia do t’i hedhë vështrimin zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë, do t’a ketë të vështirë të hasë në komentet entuziaste të analistëve të sotëm, të ngujuar në një pritje të bezdisur. Megjithatë tendenca u pa që në orët e para pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe u vërtetua të nesërmen : në treshen e kryes renditen PDK e z. Thaçi me 34% të votave, e ndjekur nga LDK e zz. Sejdiu dhe Kryeziu me 22% dhe nga Aleanca Kosova e Re (AKR) e milionerit kosovar z. Pacolli me 12%. Në vijim dhe sipas rradhës renditen Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e z. Daci me 10,5%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e z. Haradinaj me 10% dhe partia Reformiste « Ora » e z. Surroi me 4%. Ende nuk njihet projeksioni i këtyre rezultateve në nivelin e Kuvendit të Kosovës por tashmë kartat janë hapur dhe pritet që ditët e ardhshme, me gjetjen e kombinimeve të përshtatshme politike, z. Thaçi të formojë egzekutivin e ardhshëm.
Sikundër pritej, këto zgjedhje legjislative, që si kurrëherë zhvilloheshin paralel me zgjedhjet lokale, tërhoqën vëmendjen e opinionit publik evropian dhe botëror. Vëzhguesit në vend dhe të tjerë përshëndetën « zhvillimin e tyre demokratik dhe në përputhje me standardet ». Me një gjuhë më popullore, kqyrëm nga larg zgjedhje « të qeta », të ndjekura nga 25.000 vëzhgues dhe të siguruara nga 7.000 policë dhe të tjera forca të armatosura ndërkombëtare. Ndoshta më të qeta se ç’duhej pasi qetësia e tyre i përngjan fort indiferencës, asaj të zgjedhësve. Në të vërtetë, vetëm rreth 40-45% e zgjedhësve të Kosovës morri udhën e kutive të votimit për të shprehur preferencat ndaj udhëheqjes politike të viteve të ardhshme, për aktorët e shumëpritur të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Përsa i përket surprizave që këto zgjedhje na ofruan, ato ishin paralajmëruar me kohë. Nuk bëhet fjalë këtu për « surpriza » të tilla si mospjesëmarrja thuaj e plotë e zgjedhësve serbë të krahinës ose për « suksesin » relativ të z. Pacolli që i kish bërë thirrje popullit « t’i bënte besim » sensit të vet politik po aq bindës sa edhe ai i biznesit. Çka na tërheq posaçërisht vëmendjen është ndeshja mes LDK dhe PDK si dhe shkalla e ulët e pjesëmarrjes së zgjedhësve.
Posted by xixa 0 comments
Labels: Zëra dhe klithma
- kategorik, në ato çka thotë, ai nuk ngurron të pohojë se « një pjesë e mirë e komunitetit shkencor ndërkombëtar është shumë e bindur se energjia bërthamore është jo vetëm efikase, por edhe shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë ». Për fat të keq të tij, unë bëj pjesë jo vetëm në atë komunitet shkencor ndërkombëtar, por edhe në atë pjesë të ketij komuniteti që është diplomuar dhe stërdiplomuar pikërisht në energjetikë. Është e vërtetë që jam fort i bindur se energjia bërthamore është efikase - në këtë periudhë kaq delikate ku fuçia e naftës ka shkuar 100 dollarë – por aspak i bindur se ajo është shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë. Jam i bindur gjithashtu se nuk jam i vetmi që mendoj në këtë mënyrë ! Është një gjë të njohësh avantazhet teknologjike të atomit në prodhimin e energjisë elektrike por është diçka krejt tjetër të pranosh problemet fort të ndërlikuara të instalimit të një industrie të tillë dhe veçanërisht, problemet edhe më të delikate pothuaj të pazgjidhshme të ndotjeve radioaktive. Këto të fundit nuk lindin vetëm si pasojë e gabimeve në llogaritje, të mangësive teknologjike ose të keqpërdorimit nga ana e njeriut. Asnjë shkencëtar në botë nuk mund të pranojë « rrezikun zero ». Asnjë central bërthamor i planetit nuk ka shpëtuar nga avaritë, nga keqmanovrimet ose nga shkelja e « vijës së kuqe ». Në qoftë se nuk i kemi parë ose dëgjuar kjo vjen ngaqë dikush ka bërë çmos për t’i fshehur dhe për t’i kaluar në heshtje ! Së fundi, cilësimi estravagant i vënë mbi « qëndrimin ambientalist të Evropës së Veriut » le t’i mbetet ndërgjegjes së autorit në fjalë. - i sigurt, ai nuk trembet as nga shifrat pasi na i citon me bollëk : « ..sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, 17% e rrymës sigurohet nga energjia bërthamore; Franca dhe Lituania sigurojnë tre të katërtat e energjisë nga centralet bërthamore, Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Kore e Jugut, Suedia, Sllovenia sigurojnë mbi 1/3-ën, ndërsa Japonia, Gjermania e Finlanda sigurojnë 1/4-ën e totalit të prodhuar ». Por duhet t’i ruhemi shifrave, pasi ato mund të mbrojnë një ide dhe njëkohësisht të kundërtën e saj : kështu, në qoftë se 17% e energjisë elektrike u siguroka nga energjia bërthamore, si sigurohen ato 83% që mbeten ? Përse të mos thuhet njëkohësisht që energjia bërthamore përbën vetëm 6% të energjisë primare ?Me që ndodhemi në kapitullin e shifrave, përse të mos përmendim edhe Kinën që ka vetëm 4 centrale të tilla në aktivitet dhe që mbulon vetëm 2% të nevojave të saj për energji elektrike me rrugë bërthamore ? Përtej betejës së shifrave, tabloja që çfaqet është fare e qartë : Prodhimi i energjisë elektrike me rrugë bërthamore është një teknologji që paraqet mjaft avantazhe sikundër dhe rreziqe dhe që zhvillohet në paralel me teknologjitë e tjera. Zgjedhja e saj është një rezultante e forcave politike, ekonomike, financiare dhe shoqërore dhe mbetet privilegj i vendeve të zhvilluara perëndimore, të cilave ju mungojnë zgjidhje të tjera energjetike afatgjata. Aktualisht, në këtë fushë militojnë dy kampe - ai i teknologjistëve të botës perëndimore (Westingauset, Arevat, Framatomët, Siemensat…) dhe lobi i tyre politiko-mediatik që mbështesin idenë e centraleve duke theksuar avantazhet e tyre dhe kampi e ekologjistëve gjithëngjyrësh që përmendin rreziqet e atomit civil dhe ushtarak. Mes këtyre kategorive gjendet turma e njerëzve të thjeshtë - ata të rrugës - që kur hyjnë në shtëpitë e tyre ndezin dritën dhe shkojnë të bëjnë një dush (pa e vrarë mendjen fort nëse energjia e nevojshme vjen nga bërthama apo nga lëngu i zi). Diku në një skaj, gjenden Shqiptarët e thjeshtë si puna e z. Nurellari të cilët, në mungesë të dritës dhe të ujit, diskutojnë mbi veprat e mira dhe mëkatet e atomit.
Posted by xixa 0 comments
Labels: Zëra dhe klithma
Posted by xixa 3 comments
Labels: Zëra dhe klithma
.. Ndoshta është me të vërtetë rasti që të tjerët sikundër dhe vetë Shqiptarët – por në rradhë të parë këta të fundit, të rizbulojnë vendin dhe njeriun që banon në të, të cilët mbeten gjithmonë «Përjetësisht të Panjohur"