"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, October 25, 2007

Identitetet e shuara të diasporës.

Që prej kohës së çfaqjes të emrit shqiptar në Ballkan, ai është shëndrruar me të drejtë a pa të drejtë sinonim i dikujt që braktis vendin e vet për të shkuar e ngulur gjetkë, në pjesën më të madhe të rastit tek fqinjët. Për t’a ngulitur sa më mirë këtë ide, historianët serbë janë përpjekur prej kohësh – qoftë edhe nëpërmjet përsëritjes së parreshtur të « pushtimit shqiptar të Kosovës ». Sigurisht pasi kjo krahinë banohet prej shqiptarëve. Ndërkohë, s’njihet pothuaj fare opinioni i historianëve grekë lidhur me këtë fenomen, të cilët mbeten memecë ndaj invazionit shqiptar të Greqisë, të realizuar që prej kohësh që s’mbahen mend. Ndërkohë, vetë Zoti e di se nëqoftëse rasti i parë i shqyrtuar është tepër i dyshimtë - për të mos thënë krejtësisht imagjinar, rasti i dytë është krejt real. Shkaqet e një heshtjeje të tillë janë krejt të justifikueshme : asnjeri nuk dëshiron të pranojë që kombi i sotëm grek ka mundur të lindë mbi një rrënjë të tillë, aq më tepër që ajo sot është pothuaj e padukshme. Sidoqoftë, historia mban mend se në mes të shekullit të XIVtë, duke ju përgjigjur thirrjes të fisnikëve bizantinë, frankë, serbë, katalanë ose venedikas, një numër valësh migruese shqiptare ripopulluan rajonet e Thesalisë dhe të Atikës, sikundër dhe një pjesë të Peloponezit. Këta banorë të ardhur rishtas mundën të themelojë një numër të madh qendrash të natyrës bujqësore ose blegtorale, duke kontribuar në këtë mënyrë në rimëkëmbjen e këtyre viseve te vjetra, të shpopulluara nga luftrat, nga uria ose nga epidemitë. Historia mban mend gjithashtu që një valë e dytë përmbyti viset helene nga fundi i shekullit të XVtë, me shuarjen e rezistencës shqiptare kundër otomanëve, kulmi i të cilës u arrit me Skënderbeun. Me mijra familje shqiptare u instaluan në rajonet e Atikës, të Thrakës dhe në ishujt e Egjeut (Eubea, Andros, Hidra, Specia ose Salamina), të cilat u përforcuan edhe nga një pjesë e atyre shqiptarëve të vjetër të Peloponezit të detyruar të shpërnguleshin përballë përparimit otoman. Valë të tjera migruese të një mase më të vogël u zhvendosën më vonë, gjatë shekullit të XVIItë bile edhe në fillim të shekullit të XVIIItë, të cilat braktisnin vendin për t’i shpëtuar islamizimit ose hakmarrjes së fisnikëve vendas. Këtij rasti i përgjigjet ikja e Suljotëve, të përndjekur nga Ali pashë Tepelena. Kjo përzierje e përsosur mes substratit vendas dhe mbështetjes shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri dhe një gjallëri të habitshme, një aftësi të tmerrshme. Ajo ka mundur të kapërcejë kohrat dhe të befasojë otomanët gjatë të shquarit Revolucion grek. Breza të tërë marinarësh, armatolësh dhe të tjerë kleftë kanë dalë nga ky mjedis tepër shpërthyes, po ashtu sikundër dhe kundërshtarët e tyre bejlerë otomanizues si dhe milicitë e tyre myslimane, shumë shpesh me origjinë shqiptare. Të zhytur me mish e me shpirt në këtë kasaphanë të përgjakshme greko-shqiptaro-otomane, ata mundën të shkruajnë faqet më rrënqethëse të epopesë në Tripolica, në Athinë ose në Misolongji. Ata Kollokotronët, Bubulinat, Kunduriotët si dhe të tjerë Boçarë, Miaulis ose Kanaris ishin që të gjithë me gjak shqiptar – Arvanitas, që flisnin një idiomë arkaike të dialektit toskë të shqipes. Ata luftuan, vranë dhe u vranë – bile vranë edhe njeri tjetrin – për të bërë atë Greqi të vocërr, por të pavarur mes viteve 1821 dhe 1829. Udhëtarë evropianë të asaj kohe, të cilët duke zbuluar Greqinë, kanë dalluar krejt dukshëm të dyja racat që e përbënin, grekët dhe arvanitasit (1) s’janë gabuar gjëkundi : arvanitasit i kanë ndenjur në kokë Greqisë së re ende në djepe. Ata janë përpjekur dhe kanë dhënë jetën me të njejtën kurajo për të rritur lavdinë e Greqisë, bile edhe në dëm të vendit të tyre të origjinës së dikurshme. Duke u bashkuar në atë shkritoren ku u prodhua identiteti i sotëm grek, identitetit tjetër – atij shqiptar – ju desh të shkrihej në masën e të parit. Ishte edhe çmimi që duhej paguar për t’u shëndrruar në një qytetar grek autentik. Që prej asaj kohe, arvanitasit e konsiderojnë vehten si një kompozante të qenësishme të shoqërisë greke, duke refuzuar me këmbëngulje të identifikohen me shqiptarët e sotëm. Të kirshterë të mirë, bile edhe ortodoksë fondamentalistë dhe adeptë të kalendarit të vjetër , ata janë diferencuar përfundimisht nga Shteti që është ngritur mbi ato vise që fillimisht ishin edhe të tyret. Mohimi një imazhi të tillë të laicitetit për të mos thënë të myslimanizmit, që me kohë u shëndrrua në simbol të Antikrishtit – komunist dhe ateist, kjo ishte edhe detyra kryesore e Kishës greke, shërbëtorë të bindur të të cilës ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë. Në këtë farë antagonizmi të fshehur që ka vepruar prej kohësh mes fqinjëve ballkanikë dhe që shpesh shëndrrohet në konflikt, arvanitasit kanë zgjedhur një herë e mirë kampin e mbrojtësve të zellshëm të Shtetit grek. Paçka se shpërblimi nuk ka qenë i të njejtës mase me shërbimet (2) ! E vetmja shenjë e origjinës që vazhdon dhe mbijeton është gjuha që, e zhdukur nga sheshi publik, ka mbetur e rrudhur në qarkun familjar. A përbëjnë arvanitasit një pakicë etnike ose kombëtare në kuptimin e vërtetë të fjalës ? Përpara se t’i lemë rradhën legjislatorit që të japë një përkufizim të qëndrueshëm dhe universal të temit « pakicë etnike », duhet rikujtuar se në tokën greke jetojnë 200.000 arvanitas (1.600.000 sipas vlerësimeve të antarëve të kësaj bashkësie) dhe që çdo përpjekje e rekuperimit të tyre me qëllime nacionaliste është e kotë dhe pa asnjë bazë. Përpara së gjithash; kjo bashkësi dëshmon egzistencën e dy fateve paralele : ai i një kombi të tërë, jetësor dhe në kërkim të vazhdueshëm të identitetit dhe ai i një dege të tij të vjetër, rojtare e një farë forme të kujtesës gjuhësore. Shërbimi i fundit, por jo më i pakti, që ata i bëjnë Shtetit të tyre helen është roli i tyre i emërhuazuesit : pas emërtimit arvanitas fshihen sot të gjitha popullsitë e tjera me origjinë shqiptare që jetojnë në territorin grek. Rritja territoriale e mbretërisë Helenike në dëm të Perandorisë otomane që po hiqte shpirt, në fundin e shekullit të XIXtë dhe ne fillim të shekullit të XXtë, çoi në aneksimin e territoreve të gjera ku shqiptarët dhe grekët kanë bashkëjetuar prej kohësh. Zgjerimi i Greqisë drejt veriut dhe veriperëndimit ish përgatitur prej kohësh nga ana e qarqeve panhelenike të Athinës që dërgoi në këto vise banda të armatosura që terrorizonin popullsinë lokale, ndërkohë që eliminonin elementët nacionalistë shqiptare më në dukje. Në vazhdën e luftrave ballkanike, Greqia aneksoi territoret e Maqedonisë jugore, rreth liqenit të Prespës, bashkë me gjithë popullsinë e vjetër me origjinë shqiptare rreth e qark Kosturit dhe Konicës, që ishin shqiptarë të rrënjës pa qenë me gjak arvanitas. Paralelisht, Greqia aneksonte dhe territore të gjera të Epirit, duke përfshirë qytetet e Artës, Prevezës, Igumenicës dhe Janinën – pra Çamërinë e shqiptarëve ose Tsamouria e grekëve. Marrja e këture viseve, dhe veçanërisht e Epirit u shoqërua me dëbimin dhe shpronësimin e popullatave lokale shqipfolëse, myslimane në shumicën dërrmuese të tyre. Gjithkush ose thuaj gjithkush në Shqipëri mban mend ato dallgët njerëzore të ardhura nga Greqia, gjatë viteve 20’ dhe 40’ të shekullit të fundit. Bëhej fjalë për dhjetra mijra vetë, familje të tëra, një popull i tërë i quajtur çam që braktisi gjithçka kishte për t’u ngulur në toka të reja ndërmjet Konospolit dhe Durrësit. Një pakicë mbetëse u detyrua të ndrronte fenë, mënyrën e jetesës bile edhe emrat ose mbiemrat për të mbijetuar. Në vitin 1937, statistikat zyrtare greke njihnin egzistencën e 90.000 shqipfolësve, megjithë ndalimin e plotë të përdorimit të gjuhës së tyre. Sot, askush ose thuaj askush në Greqi nuk kujtohet në lidhje me këto fakte, për « pastrimin etnik » që ju kushtoi jetën me dhjetra mijra vetëve (3). Përkundrazi, sipas pikpamjes zyrtare të qeverive të njëpasnjëshme greke, aktualisht nuk egziston asnjë pakicë shqiptare në territorin grek (4). E parë nga Athina, gjithçka duket konforme pasi asnjë statistikë zyrtare nuk lejon të krijohet një ide mbi numrin e saktë të shqipfolësve ose të atyre që e reklamojnë vetvehten si të tillë. Paçka se burime jo-greke, të mbështetura mbi vlerësime të përafërta, avancojnë një numër mes 400.000 dhe 1.000.000 shqiptarësh ose me origjinë shqiptare, mes të cilëve numërohen të paktën gjysëm milioni emigrantë ekonomikë. Një degë e dytë e diasporës shqiptare është ajo e arbëreshëve të Italisë. Kjo koloni e rëndësishme shqiptare jeton në gadishullin apenin që prej shekullit të XVtë. Një pjesë e arbëreshëve braktisi vendin e lindjes në epokën kur ky i fundit quhej ende Arbëri – vendi i arbërve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të qyteteve të fundit (Krujë dhe Shkodër) prej otomanëve. Të tjerë u shpërngulën nga viset greke, arvanitasit, ndërkohë që vala turke përmbytte Greqinë. Arbëreshët janë instaluar në fshatrat e Kalabrisë, Bazilikatës dhe të Siqelisë dhe kanë ruajtur zakonet dhe veçanërisht gjuhën e tyre shqipe arkaike. Nga pikpamja historike bile edhe ajo gjuhësore, arbëreshët janë mjaft të afërt me arvanitasit ; ajo çka i diferencon është lidhja me Shqipërinë : ata jo vetëm nuk kanë mohuar kurrë përkatësinë e tyre, por prej shekujsh kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në zhvillimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Numri i arbëreshëve vlerësohet rreth 115.000 - 120.000 vetë, të shpërndarë në 47 komuna, pjesë përbërëse e 9 provincave (Peskara, Campobaso, Avelino, Foxhia, Taranto, Potenza, Kosenza, Katanzaro dhe Palermo) dhe e 7 rajoneve (Abruco, Molize, Pulja, Kampania, Bazilikata, Kalabria dhe Siqelia). Arbëreshët nuk njihen si pakicë kombëtare. Si rrjedhim edhe gjuha e tyre nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve të pakicave, tutela e të cilave sigurohet nga Shteti dhe garantohet nga Kushtetuta italjane. Sidoqoftë, në rrafshin rajonal, gjuha shqipe gëzon një farë njohjeje zyrtare nëpërmjet statuteve të autonomisë së Kalabrisë, të Bazilikatës ose të Molizes. Së fundi mbetet « la Terza Albania » ose diaspora shqiptare në Evropë dhe në botë. Pa dyshim, Turqia ka qenë prej shekujsh vendmbrritja kryesore e shqiptarëve në kërkim të punës ose të lavdisë. Stër-stërnipërit e atyre zyrtarëve ose e atyre ushtarakve, të atyre artizanëve ose tregëtarëve me origjinë shqiptare – ose arnautëve – llogariten me qindra mijra për të mos thënë me miliona, të shpërndarë gjithandej vendit dhe të përqëndruar në Stamboll, Izmir, Brusë ose Ankara. Të rrallë janë ata që e dinë këtë gjë bile edhe më të rrallë ata që përdorin gjuhën e të parëve për përdorim shtëpijak. Disa dhjetra mijra shqipfolës të tjerë janë instaluar në trojet turke gjatë shekullit të XXtë. Bëhet fjalë për kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë myslimanë të dëbuar nga Jugosllavia mbretërore dhe ajo komuniste e Titos ; bëhet fjalë për shqipfolësit çamër të Greqisë, të shkëmbyer me gërqishtfolësit e Azisë së Vogël ; bëhet fjalë së fundi edhe për shqiptarët e mirëfilltë – panislamistët, antizogistët, antikomunistët, post-komunistët, pro-Berishjanët si dhe plot të tjerë. Përveç Turqisë, shqiptarët kanë migruar që prej shekullit të XIXtë në një numër vendesh fqinje (Rumani, Bullgari… ) ose të tjera vende të pellgut të Mesdheut (Egjipt) ku kanë krijuar koloni të vërteta, kryesisht me drejtim tregëtar (5). Mbetet gjithnjë tepër e vështirë të përcaktohet numri i tyre, aq më tepër nga fakti se në kohët më të vona, ata nuk kanë hezituar të braktisin vendin e tyre të adoptimit për të kapërcyer oqeanin në zbulim të Botës së Re. Që nga fundi i shekullit të XIXtë, flukset migratore shqiptare u riorientuan drejt Amerikës së veriut, Argjentinës ose dhe Autralisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë gjithmonë vendin e parë, falë qendrave të tyre të mëdha industriale - Boston, Detroit, Çikago, Nju Jork – konsumatorë të mëdhenj të krahut të punës me çmim të lirë. Aktualisht, numri i shqiptarëve në SHBA llogaritet me pak qindra mijra – të ardhur nga Shqipëria, por njëkohësisht edhe nga Kosova ose nga Maqedonia, ndërkohë që në vendin fqinjë, në Kanada, ky numër mendohet se prek nivelin njëqind mijë. Natyrisht, Kontinenti i Vjetër nuk mund të shpëtonte nga emigracioni shqiptar, i vjetër dhe i ri. Deri në një datë të vonët, Gjermania dhe Zvicra mbeteshin drejtimet e privilegjuara të kosovarëve ndërkohë që këto kohët e fundit, shqiptarët tentojnë gjithnjë e më tepër Anglinë, duke kaluar nëpër Belgjikë bile edhe nëpër Francë.
(1) Shih : Jean-Claude BERCHET (ed.) – Le Voyage en Orient : Anthologie des voyageurs français dans le Levant au XIXème siècle, Ed. Laffont, Paris 1992. (2) Mjafton të kqyret shkalla e konsideratës që ka qeveria greke ndaj arvanitasve, të cilët i vendos si grup etnik menjëherë pas romëve. Larg përpara tyre gjenden vllehët, dopit (greko-maqedonët) ose pomakët (bullgarët e islamizuar). Për detaje të tjera, shih faqen zyrtare të Ambasadës së Greqisë në Francë : http://www.amb-grece.fr/presse/grece/diversites_culturelles.htm. (3) Zgjedhja e termit të përshtatshëm bëhet e vështirë : mes emërtimit gjenocid të përdorur nga përfaqsuesit çamë dhe « pastrimit etnik » kaq të përdorur në fundin e shekullit të XXtë në viset ballkanike, ka të ngjarë që fitues të jetë i dyti. Vala e parë e tmerreve dhe e masakrave kundër popullatës çame të besimit mysliman preku viset e Çamërisë pas luftrave ballkanike, në vigjilje të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Mes vrasjeve në vend, shpronësimit të tokave, syrgjynosjes së disa mijra të rinjve në ishujt egjeanë si dhe dëbimit me forcë drejt Turqisë, çamët e kuptuan mirë se çfarë çmimi duhej të paguanin për t’u shëndrruar në qytetarë grekë. Vala e dytë ndoqi nënëshkrimin e Traktatit të Lozanës (janar 1923) që parashikonte shkëmbimin e popullsive mes Greqisë dhe Turqisë qemaliste. Përballë protestës shqiptare, Lidhja e Kombeve dërgoi në vend një komision dhe arriti në përfundimin për të përjashtuar nga klauzolat e Traktatit shvendosjen e popullatave shqipfolëse të Epirit. Megjithatë, me dhjetra mijra vetë me origjinë shqiptare u shvendosën me forcë drejt Anadollit ndërkohë që me mijra të tjerë zgjodhën Shqipërinë fqinje ose emigracionin botëror. Vala e tretë, më vdekjeprurësja, ra gjatë verës të vitit 1944, vepër e EDES-it (Lidhja Kombëtare Demokrate Helene) e gjenetalit Napoleon Zerva, edhe ai me origjinë arvanitas veçse i krishterë. Rreth 30.000 myslimanë çamë, të akuzuar për kolaboracion ose mirëkuptim me forcat e Boshtit, u dëbuan drejt kufirit shqiptar. Pastrimi u krye në një deti gjaku, me shkatërrime të shtëpive dhe shpronësime të pronave, në sytë e oficerëve britanikë të ndërlidhjes. Sot, numërohen rreth 200.000 çamë myslimanë në Shqipëri dhe rreth 40.000 çamë të krishterë në Greqi. Për më tepër detaje, shih : Miranda VICKERS – The Cham Issue, Albanian National & Property Claim in Greece – Conflict Studies Research Center, G109, april 2002. (4) Rregjistrimi i popullsisë së Greqisë, i kryer në vitin 1985, jep tabllonë e mëposhtme : grekë 98,5%, turq (myslimanë) 0,9% - rreth 120.000 vetë që jetojnë në Trakën perëndimore, pomakë 0,3%, armenianë 0,2%. Një një Ballkan ku mbizotërojnë problemet e ndërfutjes reciproke së popullsive dhe të pakicave kombëtare, Greqia përfaqson rastin « unikal » të një vendi thuajse të pastër nga pikpamja etnike,detyra thelbësore e të cilit është ardhja në ndihmë e pakicave greke që ndodhen në mënyrë krejt të natyrshme në çdo vend fqinjë. (5) Për të krijuar një ide mbi ngulitjet e shqiptarëve në Turqi dhe Rumani, shih : Gilles de RAPPER - Les Albanais à Istanbul, Dossiers de l’IFEA, Nr. 3, Institut Français des Études Anatoliennes, 2000 ; ose : Sébastien GRICOURT – La participation de la communauté albanaise de Roumanie au mouvement national albanais (1878 – 1912), Mémoire de DREA, Institut National des Langues et des Civilisations Orientales (INALCO), Paris – juin 2003.

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, October 23, 2007

« Çështja » Moquet dhe zemërimi i historianëve.

1. Letra. Nënoçka ime e shtrenjtë, Vellaçkoja im i adhuruar, Babushi im i dashur, Së shpejti do të vdes! Çka ju kërkoj, dhe në veçanti ty nënoçka ime, është që të jeni kurajozë. Une për vehte kam kurajo dhe dua të jem po aq (trim) sa edhe të tjerët që kanë shkuar përpara meje. Sigurisht, do të dëshiroja të jetoja. Por, ajo çka dëshiroj me gjithë zemër, është që vdekja ime të shërbejë për diçka. S’pata kokë të përqafoj Zhanin. I putha dy vëllezërit e mij Rozhe dhe Rino. Përsa i përket të vërtetit, për fat të keq s’mund t’a puth ! Shpresoj që sendet e mija personale do t’i merrni ju dhe ato mund t’i shërbejnë Serzhit i cili, dhe besoj, do të jetë krenar që t’i veshë një ditë. Ty o babushi im, me gjithëse se të kam shkaktuar dhimbje sikundër dhe mamasë, po të përshëndes për herë të fundit. T’a dish që kam bërë ç’është e mundur që të ndjek rrugën që ke çelur përpara meje. Një përshëndetje të fundit të gjithë miqve, si dhe vëllait tim që e dua aq shumë. Ai duhet të mësojë shumë që më vonë të bëhet burrë. 17 vjeç e gjysëm, jeta ime paskish qenë e shkurtër ; nuk ndjej asnjë pendim, përveç asaj që të zhdukem larg syve tuaj. Do të vdes bashkë me Tëntënin, Mishelsin. Mamaja ime, çka po të kërkoj, çka duhet të më premtosh, është të jesh kurajoze dhe të mposhtësh dhimbjen. Nuk dua t’ju rëndoj më tepër. Po ju le të gjithë, ty mama, Serzh, baba, duke ju puthur fort me gjithë zemrën time prej fëmije. Kurajo ! Gija juaj që ju do fort. Gi.
Një mendim i fundit : juve që do të mbeteni, të jeni të denjë për ne, të 27 që shkojmë drejt vdekjes. 2. Gi Moké dhe epoka e tij. Kush është Gija ? Një gjimnazist parizian 17 vjeçar, nxënës i liceut Karno të Parisit. Babai i tij ishte deputet komunist i Parlamentit francez, i arrestuar nga qeveria e Daladierit dhe i syrgynosur në një burg të Algjerisë franceze, pas shpërndarjes së Partisë komuniste franceze, në vitin 1939. Pas arrestimit të të atit dhe pushtimit të Parisit nga gjermanët, Gija bashkohet me rezistencën dhe arrestohet duke ngjitur trakte në një nga stacionet e trenit të Parisit, nga policia franceze në shërbim të hitlerianëve. Pasi e torturuan për t’i nxjerrë emrat e bashkëpuntorëve, djaloshin e transferojnë nga një burg në tjetrin dhe përfundon në kampin e Shatobrianit, në Luarë Atlantike. Në 22 tetor 1941, ai u pushkatua së bashkë me 26 të burgosur të tjerë, si reprezalje për vrasjen e një oficeri gjerman. Është vetë Pushë, ministri francez i Brendshëm i qeverisë Petën, që redaktoi listën e vdekjes, duke u kujdesur që të zgjidhte « mes komunistëve më të rrezishëm, të përqëndruar në Shatobrian » me qëllim që të kursejë jetën « po aq francezëve të vërtetë dhe të ndershëm ». Nën-Prefekti i vendit që asistonte në egzekutim u kujdes t’ju shpërndante të dënuarve me vdekje nga një laps dhe një copë letër. Pak çaste përpara se të pushkatohej, Gija shkruan letrën e mësipërme. 3. Memorja dhe politikanët. Çdokush pajtohet me mendimin se vrasja e Gisë përfaqson një moment flash të historisë moderne të Francës, e mbetur në memorjen kolektive më tepër për shkak të natyrës së saj emotive dhe prekëse se sa për karakterin heroik. Sidoqoftë, kombi francez e ka përzgjedhur djaloshin komunist përmes atyre dhjetra mijra të tjerëve dhe e ka përkushtuar emrin e tij në nëpërmjet një liceu të Shatobrianit, një stacion metroje në Paris… Më tej koha bëri të vetën dhe figura e tij u njësua me masën e të gjithë luftëtarëve të rezistencës franceze – komunistë dhe golistë, republikanë dhe demokratë, vendas dhe të huaj – që u përpoqën, u burgosën dhe u vranë gjatë përpjekjes së tyre antifashiste…. deri në momentin kur, Presidenti i porsazgjedhur i Republikës franceze, Nikola Sarkozi, shpalli që « vendimi i tij i parë » si President qe leximi në çdo 22 tetor, në të gjitha licetë e Francës, i letrës së Gisë. « Një djalosh 17 vjeçar që jep jetën për Francën, është një shembull jo i të kaluarës por i së ardhmes. Për mua, ky lexim përfaqson një simbol të madh ». Këtë ditë përkujtimore, Franca u zgjua e ndarë në dy kampe : - ata që gjykonin se logjika e Presidentit të tyre ishte në fazë me idenë e bashkimit të Kombit, të një terapie të memorjes së luftës si dhe të aspekteve të saj të harruara, të një shpirti rezistent, të vlerave të kurajos dhe të angazhimit. - të gjithë të tjerët që denonconin sipas rastit një instrumentalizim të historisë për qëllime politike (një pjesë e profesorëve të shkollave), që vinin në pah rekuperimin e një figure të komunizmit nga ana e një Presidenti të djathtë që lakmon hapjen drejt forcave të të majtës (partia komuniste franceze), që dënonin efektet e dëmshme të një teksti që fillon me fjalët « së shpejti do të vdes.. » në rradhët e liceistëve të çoroditur (psikologët dhe të tjerë psikiatrë), që rezistonin kundër një urdhri që vinte nga Ministria e Arsimit (sindikatat e profesorëve)…. Ku qëndron thelbi i « çështjes Moké » ? E parë nga larg, kjo çështje paraqitet si një grindje klasike mes përfaqsuesve të pushtetit dhe inteligjencës – një zhurmërim tipik, sekretin e të cilës e zotërojnë me aq talent francezët. E parë nga afër, kjo çështje prek ndarjen e sferave të aktivitetit dhe respektin e arbitrit të lirë : me fjalë të tjera, politika zhvillohet në parlament dhe është çështje e partive dhe organizatave politike, mësimi zhvillohet në shkollë dhe është çështje e profesorëve dhe e programeve. Aq më tepër që, pa arsye, evokohet memorja dhe historia nëpërmjet një teksti që – shkëputur nga konteksti i tij historik - ndoshta i përmban të gjitha ndjenjat njerëzore përveç rezistencës dhe antifashizmit. Në ç’moment gaboi Presidenti Sarkozi ? Përse atij ju desh të « përvehtësonte qoftë edhe një parcelë të Historisë së Francës, që në të vërtetë i përket të gjithë Francezëve » ? Diçka është e sigurtë : Sarkozi nuk është i vetmi mes Presidentëve që i ka bërë thirrje kujtimit të rezistencës dhe të Luftës së Dytë. I pari dhe më i shquari është Sharl de Goli i cili, proklamon identifikimin e Kombit dhe të rezistencës antifashiste. akti më i përmendur i Gjeneralit mbetet transferimi i eshtrave të Zhan Mulënit, heroit të rezistencës, në Panteon – krahas Hygoit dhe Zhoresit. Disa vjet më vonë, megjithëse në një formë të ndrojtur, Presidenti Miteran ve në dukje implikimin e rregjimit të Vishisë në çfarosjen e çifutëve ndërkohë që Presidenti Shirak përmend publikisht përgjegjësinë historike dhe fajësinë e Shtetit francez në gjenocidin e Luftës së Dytë. Kjo përgjegjësi sipas Shirakut binte njëkohësisht edhe mbi shoqërinë franceze dhe institucionet e saj. Veçse, asnjë prej Presidentëve të mëparshëm nuk kish shkuar deri aty sa të detyronte shkollën, ose t’ju bënte thirrje historianëve që të merrnin pjesë në këtë proces të rindërtimit të memorjes, të rishikimit të historisë. Ja pra edhe përmbajtja e « çështjes Moké » - tejkalimi i ndërgjegjshëm i prerogativave të Kryetarit të Shtetit dhe përzierja e tij në fushën e marrëdhënieve që i përkasin memorjes, historianëve, shkollës. 4. « E vërteta » zyrtare dhe rrebelimi i historianëve. Cuditërisht, « çështja » Moké rikujton një skenë tjetër : atë të Kryeministrit Berisha që porosit historianët shqiptarë të rishkruajnë historinë. Pëveç rastësisë rrethanore – si dhe vullnetit zyrtar për të imponuar « të vërtetat » e tij – këto dy episode s’kanë asgjë tjetër të përbashkët. Përkundrazi, Presidenti Sarkozi i drejtohet kombit mbarë dhe i sugjeron brezave të ardhshëm të « masin » përgjegjësinë që peshon mbi çdo qytetar, atë « borxhin » e brezave të sotëm ndaj atyre të shkuar – dhe shkakton zemërimin e profesorëve dhe të historianëve, ndërkohë që Kryeministri Berisha i drejtohet një rrethi të zgjedhur dashamirësh dhe nënvizon përgjegjësinë e historianëve lidhur me shtrembërimet e qëllimshme të tyre si dhe me nevojën për t’a shkruar ndryshe krejt historinë e vendit – dhe nuk ngjall aspak reagimin e këtyre të fundit, pa folur për indiferencën e plotë të Kombit. E thënë ndryshe dhe duke përmbysur rolet, as që mund të imagjinohet Berisha në rolin e Sarkozisë që të urdhërojë me anë të ministri të tij të Arsimit Pollo, të gjithë mësuesit e Republikës të lexojnë letrën e partizanes Persefoni Kokëdhima, të shkruar përpara varjes së saj nga të njejtët nazistë, sikundër dhe Sarkozinë në rolin e Berishës të urdhërojë historianët e vendit të tij të rishkruajnë historinë e Francës. E di që do të më thoni se në këtë pikë Shqipëria nuk ngjan aspak me Francën. Është krejt e vërtetë, bile mbetet pak të thuhet, se edhe vetë demokracitë nuk ngjasin aspak me njera tjetrën.

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, October 22, 2007

Identitetet shpërthyese jashtëterritoriale

Është thënë bile edhe stërthënë përgjatë gjithë historisë shqiptare moderne se përcaktimi i kufijve veriorë të Shtetit të sotëm shqiptar nga ana e Fuqive të Mëdha në 1913, legjitimoi coptimin e një pjese të konsiderueshme të territoreve të banuara nga një popullsi shqipfolëse, në përfitim të fqinjëve serbë dhe malazezë. Në 1981, këta shqiptarë të Jugosllavisë ishin diçka më tepër se 1,7 milionë vetë, ose 8% të popullsisë të të ndjerës Federatë. Rreth 70% e tyre gjendeshin në Kosovë, 20% të shqiptarëve banonin tashmë në Maqedoni dhe mbetja prej 10% në Mal të Zi. Xhepa pak a shumë të rëndësishëm dhe pak a shumë të izoluar gjendeshin në Sanxhak, në Serbinë e mirëfilltë bile deri dhe në Vojvodinë. Shqiptarët e Kosovës ose kosovarët i përkasin globalisht grupit linguistik gegë. Falë shkallës së tyre tejet të lartë të lindjeve (29,9‰ në vitin 1989), numri i tyre e ka tejkaluar 2.000.000 vetë, në një krahinë ku ata përfaqsojnë mbi 90% të popullsisë të përgjithshme. Për më tepër, kjo popullsi është shumë e re – në 60% të saj, ajo është nën moshën 27 vjeç. Realiteti prezent – një Kosovë nën tutelën e OKB-së dhe në rrugë drejt pavarësisë – fshin lojën e ndërlikuar të shifrave dhe të përqindjeve, këtë ushqim të përditshëm të propagandës zyrtare të Beogradit dhe të kundër-propagandës së Prishtinës. Exit, pra kjo histori e përbashkët disa dhjetëvjeçare mes serbësh dhe kosovarësh, në gjirin e një Jugosllavije hibride, në mutacion të vazhdueshëm.
Si u arrit në këtë pikë ? Mos ishte vallë ajo politikë e qëllimshme të Titos, i cili shfrytëzoi rritjen e nacionalizmit shqiptar për të thyer hegjemoninë e serbëve, në gjirin e Jugosllavisë, që i vuri zjarr barutit (1)? Apo shkaku ishte ai dështim i madh të historisë që quhet teoria marksiste e kombit, e cila në rastin e Kosovës mori formën e një krize të rëndë të sistemit, të ideologjisë së tij dhe të mënyrës së tij të funksionimit (2) ? Këto hipoteza të formuluara nga palët kundërshtare nisen nga një përfundim i njëjtë : falimentimi i thellë i projektit federal jugosllav. Mbetet evidente edhe për vëzhguesin më modest se, që prej vitit 1981, Shteti hoqi dorë turpërisht nga kryerja e detyrës së tij prej moderuesi dhe ndërmjetësi. Dialogu social dhe toleranca ndëretnike i lanë vendin dhunës « legjitime » institucionale ndërkohë që raporti Shtet – qytetar u zëvendësua nga konflikti Shtet kombëtar – bashkësi etnike. Tellallët e pushtetit qëndror të një Shteti shumëkombësh kritikuan përbërësen minoritare lidhur me përdorimin e lindshmërisë së shfrenuar si armë demografike, paralelisht me ushtrimin e frikësimit dhe të presionit për të përshpejtuar largimin e elementit sllav. Për të frenuar rrezikun e eksplozionit, kjo gjë justifikoi në mënyrë të heshtur përdorimin masiv të dhunës, bashkë me mjetin e fundit të « zgjidhjes finale » – pastrimin etnik të kahinës. Si përgjigje, pakica u organizua në një shoqëri paralele e cila, nën ndikimn e ngjarjeve, u radikalizua deri në momentin e lindjes të një lëvizjeje tashmë të armatosur, të një tendence shkëputëse. Goditja prodhoi një konflikt të përmasave evropiane dhe ndërkombëtare që ndikoi ndjeshëm në ndryshimin e mëtejshëm të kontureve gjeopolitike të Ballkanit. Për një varg arsyesh, situata e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni (FYROM) është cilësisht e ndryshme nga ajo e kosovarëve. Shkaku i parë dhe ndoshta i vetëm është se masa e tyre njerëzore nuk siguron atë forcë shpërthyese të masës kritike. Në vitin 1948, pak kohë pas krijimit të Republikës Federative të Jugosllavisë – me Maqedoninë në rolin e njërës prej Republikave përbërëse – bashkësia shqiptare numëronte 197.400 vetë, pra 17,1% të popullsisë lokale. Megjithatë, shqiptarët nuk e përfituan statusin e pakicës kombëtare. Ata ishin thjesht qytetarë të zonës së dytë që lakmonin liritë e akorduara ndaj sivëllezërve të tyre të Kosovës ose të ngjashmëve me ta të Vojvodinës, në epokën e Krahinave autonome. Shkëputja e vështirë e Maqedonisë nga trungu amë në janar 1991 dhe së fundi, njohja ndërkombëtare e këtij shteti të ri në prill 1993, ju dhanë shpresa të reja shqiptarëve për t’u afirmuar nëpërmjet çfaqjes në skenën politike të vendit. Popullsia shqiptare, e përqëndruar kryesisht në pjesën perëndimore, rreth aksit Strugë - Gostivar - Tetovë - Shkup - Kumanovë, fillimisht u ndërgjegjësua për peshën e saj numerike. Falë 440.000 antarëve të saj në vitin 1994 (3), falë gjithashtu shkallës së lartë të lindjeve - praktikisht të njejtë me atë të kosovarëve (29.9‰), ajo përbënte një të katërtën e popullsisë totale të Republikës së Maqedonisë.Shumica maqedone tregoi një sens të mprehtë praktik : në përfundim të zgjedhjeve të para të lira, partitë politike kryesore të saj kërkuan pjesëmarrjen e formacioneve shqiptare në gjirin e qeverisë së parë të koalicionit. Sepse këta të fundit zotëronin një të pestën e parlamenti maqedon ! Kështu për herë të parë, shqiptarët u shëndrruan në aktorë të jetës politike të vendit, me ministrat e tyre, me deputetë dhe të tjerë ambasadorë. Duke shfrytëzuar rastin, pakica zhvilloi atëhere objektivat e pjesëmarrjes së saj aktive në të gjitha nivelet e pushtetit, të ngritur mbi konceptin e barazisë së plotë me shumicën dhe me këtë rast, ajo radikalizoi tonin e ndërhyrjes së vet. Duke patur frikë shpërthimin e strukturës shtetërore ende të brishtë dhe pasi i llogariti këto çfaqje si shprehje të irredentizmit shqiptaromadh, pushteti qëndror ndërhyri pa ceremoni. Me këtë rast, shqiptarët kuptuan më në fund se ata mbeteshin ndoshta aktorë, por gjithmonë të zonës së dytë.
Mbyllja gjeografike e Maqedonisë ju ofroi shqiptarëve një argument të dytë, kësaj rradhe të paneglizhueshëm : ky FYROM i porsalindur gjendej në mes të Ballkanit dhe ai ishte i detyruar herët a vonë të përdorte rrugët që çonin drejt detit – nëpërmjet Greqisë në jug ose nëpërmjet Shqipërisë në perëndim. Por meqënëse Greqia tregonte në këtë epokë një gjaknxehtësi tepër të rritur, bile dhe ndaj vetë egzistencës së Shtetit maqedon, i vetmi kalim i praktikueshëm mbetej ai mespërmes Shqipërisë fqinje – mëmëdheut të pakicës zhurmëruese. Sidoqoftë, raportet gjeopolitike të sotme në Ballkan nuk paraqesin më atë karakterin e tyre të ngurtë dhe të pandryshueshëm të kohës së para-Murit të Berlinit : e detyruar nga Bashkimi Evropian, Greqia u detyrua të heqë bllokazhin në tetor 1995 ndërkohë që Shqipëria një vit më vonë hynte në një periudhë trazirash të mëdha dhe krizash të brendshme që çuan në pranverën e stuhishme të vitit 1997 dhe që e larguan nga skena e politikave ballkanike. Me këtë rast, shqiptarët e Maqedonisë u gjendën të zhgënjyer në aspiratat e tyre nacionaliste dhe të braktisur në shpresat e tyre mbarëshqiptare. Qeveria e Shkupit gjithmonë ka qënë e shkalafitur mes nevojës së sigurimit të një njohjeje të plotë ndërkombëtare, detyrës të normalizimit të jetës politike dhe ekonomike të brishtë dhe dëshirës për të ushtruar një pushtet që gjithmonë ka lënë përshtypjen që po i shpëtonte nga dora. Nga ana tjetër, sfida shqiptare është fort e madhe : kjo pakicë që përfaqson një të katërtën ose një të tretën e popullatës kërkon statusin e përbërëses kushtetore ose të kombit kushtetues. Si pasojë, gjuha shqipe duhet të njihet si gjuhë zyrtare me të drejta të plota. Ajo çka rrezikoi të përmbyste këto raporte force ishte lufta e Kosovës dhe vërshimi në vend i rrefugjatëve shqiptarë. Brenda disa javësh, autoritetet maqedone u detyruan t’u hapnin derën, shpesh edhe kundër dëshirës së tyre, 230.000 kosovarëve. Në qershor të vitit 1999, ky numër u luhat rreth 400.000 vetësh. Pra me fjalë të tjera, numri i shqiptarëve praktikisht u dyfishua. Përsa i përket rrefugjatëve, vetëm ndihma masive ndërkombëtare mundi të zgjidhë një situatë të dëshpëruar, ndërkohë që u desh ndërhyrja e Evropës dhe e SHBA-së për të përmbajtur reaksionet thellësisht negative të qeverisë maqedone. Shkupi zyrtar i frikësohej njëkohësisht barrës ekonomike të pakapërcyeshme, ndryshimit të pakthyeshëm të raportit demografik, përgjigjes së dhunshme të pjesës proserbe të popullsisë së saj dhe së fundi, rritjes së aktivitetit të UÇK-së në territorin e vet. Pjesa më e madhe e këtyre skenareve katastrofikë u zhdukën shumë shpejt : një a dy muaj më vonë, masa e stërmadhe e rrefugjatëve kosovarë ishte kthyer në tokat e vete, në brazdën e forcave të NATO-s ; ekonomia maqedone krijoi një dinamikë të re tepër pozitive falë ndihmave ndërkombëtare si dhe shpërblimeve për sjellje të mirë ; manifestimet lokale të serbofilëve s’mundën kurrë të shqetësonin dispozitivin e fuqishëm të forcave të NATO-s të instaluara në vend. Vetëm UÇK (4) mundi të shëndrrohej në një rrezik të vërtetë për pushtetin qëndror, në një kontekst fort të ngjyrosur me ndjenja nacionaliste, në mes të një bollëku armësh nga të gjitha llojet dhe së fundi, në kushtet e lulëzimit të një trafiku të gjithëllojshëm. Ndeshja që zgjati disa muaj – nga marsi deri në gusht 2001 – mes një ushtrie të rregullt, të demoduar dhe pa përvojë dhe një guerrilje e vendosur dhe e organizuar sipas modelit kosovar përfundoi në barazim : duke llogaritur humbje pothuaj të njejta në njerëz, sejcila nga palët deklaroi se nuk ishte mundur. Sidoqoftë, pakica shqiptare mundi të tërheqë vështrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndërkohë që « impononte » kërkesat e saj për ndryshime kushtetore. Duke përdorur armën e saj legale më të frikshme – dinamikën demografike – pakica shqiptare llogarit të peshojë gjithmonë e më tepër në të ardhmen e Republikës së Maqedonisë. Po sikur kjo pakicë të shëndrrohet në shumicë (5) në një Shtet që eviton të kqyrë realitetin në fytyrë dhe që gjithmonë shtyn për më vonë afatin e pashmangshëm të çështjes së tij shqiptare ? Këta shqiptarë të Kosovës, sikundër dhe shqiptarët e Maqedonisë, zotërojnë vallë një identitet rajonal të përveçëm, të ndryshëm nga identitetet rajonale shqiptare të mirëfillta ? Një grup elementësh bashkëveprojnë në favor të një përgjigjeje pozitive (6). Tashmë, Kosova përbën një tërësi territoriale dhe administrative të dukshme dhe të prekshme - që ndoshta nesër do të shpallet « Shtet », e cila zhvillohet dhe do të vazhdojë të zhvillohet paralelisht me Shtetin shqiptar. Sigurisht, në bazë të sejcilit nga këto formacione shtetërore gjendet një bashkësi e dalë nga e njejta origjinë, me zakone dhe gjuhë të themi të përbashkëta për të mos i quajtur të njejta, indiferente ndaj kufijve. Por pikërisht nëpërmjet vendosjes së këtyre kufijve, historia ndau njerëzit, familjet ose fiset të cilave ju desh të rikrijohen për të jetuar një realitet të ri : atë të një pakice etnike në sensin e gjuhës dhe të fesë, në gjirin e një shumice tjetër, mbajtëse të pushtetit në Shtetin e vet. Pashmangshmërisht, raportet e reja çojnë në rikrijime të reja të brendshme shoqërore, duke gjeneruar qëndrime dhe praktika të ndryshueshme. Mjafton të ndiqet evolucioni i shoqërisë kosovare gjatë viteve Tito, më pas gjatë viteve Millosheviç për të mos thënë gjithashtu gjatë viteve Rugova. Kosovarëve ju desh të ngjizin përvojat e tyre politike dhe ekonomike, vizionet e tyre specifike, të krijojnë elita të dallueshme, koncepte shoqërore të ndryshme dhe së fundi, sisteme vlerash të përveçme. Ajo çka është më e rëndësishme, që prej momentit që kosovarët arritën të kuptonin se ishin në gjendje të vendosnin vetë mbi fatin e tyre, morri fund miti kozmogonik sipas të cilit Shqipëria e mirëfilltë përbën qendrën e gjithësisë shqiptare. S’ka më « nënë Shqipëri » dhe « vajza e saj Kosovë» ; tashmë ka vetëm « motra » dhe « vëllezër » - pra të gjithë të barabartë.
Një proces tjetër paralel zhvillohet në Maqedoni ku frika e të qënit një pakicë e pagojë gjen ekuivalentin e saj në kryelartësinë e përçimit të një lloj kulture të përveçme, megjithëse shqiptare. Mirëqenia materiale relative e bashkësive shqipfolëse, e përforcuar nga pesha e myslimanizmit në jetën shoqërore i shtyn shqiptarët e Maqedonisë të kqyrin « vëllezërit » e tyre nëpërmjet një optike diferencuese ku përçmimi ndaj « prapambetjes » ekonomike të Shqipërisë pas-hoxhiane përzjehet me llahtarinë e « shthurjes » së zakoneve në Kosovën fqinje (7). Sidoqoftë, angazhimi i vendosur në një proces të tërë përvetimi njëjtësor, i shprehur në lëminë politike – krijimi i partive politike dhe pjesëmarrje aktive në qeverisjen e vendit, sikundër dhe kulturore – çelja e Universitetit të Tetovës, dëshmon për një vullnet tashmë të formuar që synon të gjejë vendin e vet të merituar në familjen « e madhe » shqiptare.Ky vështrim i ndryshëm mbi vetvehten çoi në mënyrë të pashmangshme edhe në një vështrim të ri ndaj Tjetrit, ndaj atij që nuk bën pjesë në familje. Vetë Shqipëria fqinje me ata gegët dhe toskët e saj të përjetshëm aplikon një kqyrje diferenciale mbi botën rrethuese : ndërkohë që të parët preferojnë Italinë përballë dhe Malin e Zi fqinjë (8), të dytët paraqiten si të dashuruar ndaj Greqisë bujare. Përsa i përket Kosovarëve, ata projektohen drejt Evropës qëndrore – gjithmonë në qoftëse Gjermania e tyre e dashur dhe Zvicra e pasur vazhdojnë të bëjnë pjesë në të, pa harruar edhe Serbinë e rrezikshme. Të gjithë kosovarët e botës e dijnë se tashmë fleta serbe është kthyer një herë e mirë. Megjithatë, Serbia mbetet fqinji i fuqishëm dhe kërkon të drejtën e kqyrjes në mos më tepër, mbi ata dhjetra mijra serbë që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Më tej, është edhe ajo pakica tjetër shqiptare e Serbisë së jugut – e përqëndruar në zonën mes Preshevës, Medvegjes et Bujanovcit (9), ndaj të cilës Kosova ndjen ndërkohë instiktet mbrojtëse të nënës.
1) Dushan T. BATAKOVIC– Kosovo : la spirale de la haine. Ed. L’Age d’Homme, Lausanne, 1993. 2) Muhamedin KULLASHI – Humanisme et haine, les intellectuels et le nationalisme en ex-Yougoslavie. L’Harmattan, Paris, 1998. 3) Një nga aspektet më të dukshme të marrëdhëneve të ndera mes shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare është « lufta » e shifrave të rregjistrimeve të popullsisë. Të përdorur në rradhë të parë si argument politik nga njëra palë dhe nga tjetra, rezultatet e këtyre rregjistrimeve jenë hedhur poshtë rregullisht. Veçanërisht shqiptarët kanë bojkotuar një varg rregjistrimesh dhe kanë vënë në pyetje rezultatet. Kështu, rregjistrimi i vitit 1994, i zhvilluar nën kontrollin ndërkombëtar dhe i financuar nga Bashkimi evropian dhe nga Këshilli i Evropës vuri në dukje se popullsia e vendit përbëhej nga 67% maqedonë sllavë, nga 23% shqiptarë si dhe nga pakica të tjera : turq (≈ 4%), romë (≈ 3%), serbë (≈ 3%) dhe të tjera pakica (1%). Sidoqoftë, shqiptarët konsiderojnë që numri i tyre ishte zvogëluar qëllimisht me 10% për të mos thënë 20%, si rrjedhim i përdorimit të mekanizmave juridikë të ligjëruara nga Parlamenti i vendit. Mbi këtë subjekt, shih : Christophe CHICLET, Bernard LORY (nën drejt.) - La République de Macédoine, nouvelle venue dans le concert européen, l’Harmattan, Paris 1998.Rregjistrimi i fundit i popullsisë, i kryer në 2002, dha një tabllo më të plotë dhe më të kjartë të përbërjes etnike të Republikës maqedonase. Rezultatet tregojnë se maqedonët sllavë janë 1.297.981 vetë, ose 64,18% të popullsisë së përgjithshme (2.022.547 banorë). Në të kundërt, shqiptarët « e pastër » janë 509.083 vetë, ose 25,17%. Mbetja prej 10,65 % i takon pakicave të tjera etnike. 4) Autoritetet maqedone gjithmonë kanë denoncuar një farë ndërhyrjeje të mjediseve politike kosovare në punët e saj të brendshme, veçanërisht në rastin e UÇK. Pa harruar lidhjet e shumëfishta dhe të ngushta mes dy bashkësive shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, është për t’u shënuar se pjesa dërrmuese e intelektualëve shqiptarë të FYROM-it është produkt i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 80 dhe 90, gjë e cila shpjegon edhe një ndikim të qartë të lëvizjeve politike kosovare të periudhës pas Titos. Përsa i përket UÇK-së, duhet precizuar se ajo u çarmatos dhe u shkri zyrtarisht sipas kërkesave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e aprovuar në 21 qershor të vitit 1999. Në shtator të vitit 2000 çfaqet një strukturë e re ushtarake, UÇPMB (Ushtria e Çlirimit të Preshevës, të Medvegjes të dhe Bujanovcit) që vepronte në jug të Serbisë, 10 ose 20 kilometra nga kufiri maqedon dhe vetëm disa muaj më pas, në janar të vitit 2001, çfaqet hapur një UÇK e re (Ushtria e Çlirimit Kombëtar) në Maqedoni. 5) Mjafton të ndiqet dinamika demografike e Shqipërisë dhe e Kosovës për të parashikuar momentin që do të ndryshojë përfundimisht natyrën e Shtetit maqedon. Në Kosovë, popullsia shqiptare u dyfishua brenda 20 vjetëve : nga 646.805 vetë në 1961, ajo kaloi në 1.226.736 vetë në 1981. Në Shqipëri, asaj ju deshën 30 vjet : nga 1.626.000 në 1960 numri i saj arriti në 3.335.000 vetë enë 1991. Duke patur parasysh treguesit demografikë që mbeten thellësisht të ngjashëm (shkalla e lindjeve, e vdekjeve ose e vdekjes foshnjore) për të tre zonat e banuara nga shqiptarët, dhe duke mbetur në hipotezën që popullsia sgqiptare e Maqedonisë do t’a ruajë tendencën e sotme, mund të hedhim hipotezën që përpara 2030 (ndoshta që në 2025) ajo do të tejkalojë milionin dhe që rreth 2050, ajo do të shëndrrohen në shumicë. Të mos harojmë se në bazën e këtij vlerësimi mbeten shifrat e rregjistrimit të popullsisë të vitit 1994, dhe si pasojë skenari i parashikuar është më i favorshmi për maqedonët pasi, sipas shifrave të deklaruara nga vetë shqiptarët, mund të themi pa u gabuar se kjo ngjarje muns të arrijë një dhjetëvjeçar më përpara. Ish-Presidenti Kiro Gligorov ieshte edhe më pesimist ndërkohë që predikonte se shqiptarët e Maqedonisë do të përbëjnë gjysmë e popullsisë së vendit që në vitin 2015. 6) Shih mbi këtë çështje : Antonina ZHELYAZKOVA – Albanian Identities, International Center for Minority Studies and Intercultural Relations, Sofia, 2000 ; ose dhe : Antonina ZHELYAZKOVA - The Three Albanian Communities And Their Prospects – Six Months Later, International Center for Minority Studies and Intercultural Relations, Sofia, 1999. 7) Shih : Nadège RAGARU – Questions albanaises, Critique Internationale Nr. 13, octobre 2001 ; në : www.ceri-sciencespo.com 8) Përveç lidhjeve tepër të vjetra që bashkojnë Gegët me Malazezët, egziston edhe një pakicë e rëndësishme shqiptare në Malin e Zi. Shqipfolësit janë përqëndruar në disa fshatra dhe qytete kufitare të maleve të Grudës, mbi bregun e e djathtë të Bunës si edhe në disa qytetet bregdetare si Ulqini dhe Tivari. Me afërsisht 50.000 vetë, kjo bashkësi përfaqëson 7 deri 8% të popullsisë të përgjithshme të Malit të Zi. Shpërngulja e kosovarëve gjatë luftës dyfishoi numrin e popullsisë shqiptare, pa mundur sidoqoftë të verë në vështirësi të veçantë egzistencën e kësaj ish-Republike të Federatës jugosllave. Që prej kohësh e harruar, për të mos thënë e detyruar të heshtë, egzistenca e pakicës shqiptare u « rizbulua » nga Presidenti Gjukanoviç në kërkim tâ aleatëve potencialë, gjatë përpjekjeve të tij autonomiste. Pas ngjarjeve të fundit që çuan në pavarësinë e Malit të Zi, kjo pakicë shëndrrohet në aktor të jetës politike lokale – një faktor i rëndësishëm që ndikon në zgjedhjet orietuese të shtetit të ri ballkanik. Lidhur me pakicën shqiptare të Malit të Zi, shih : Jovan NIKOLAIDIS – Multiculturalism in Monténégro and the city of Ulcinj, Dans : Managing Multiethnic Local Communities in the Contries of the Former Yugoslavia, Nenad Dimitrijevic (éd.), LGI/OSI, Budapest 2000. 9) E shkëputur nga pikpamja administrative nga Kosova që në vitin 1945, kjo zonë përmbledh një bashkësi prej 80.000 ndoshta dhe 100.000 shqiptarësh, të cilët përbëjnë edhe shumicën (70%) të këtyre lokaliteteve. Gjithmonë nën kontrollin e Beogradit, popullsia shqiptare e këtushme e quan vehten si një vazhdimësi të popullsisë kosovare, sikundër edhe territorin e tyre si një zgjatim të kontinuumit kosovar. Popullsia shqiptare e P-M-B e ndjeu thellë vendimin e forcave të NATO-s për t’u ndalur në kufijtë e Kosovës sikundër dhe vullnetin OKBjan për të mos prekur edhe një herë tjetër kufijtë e tashëm të Ballkanit. Duke u projektuar në një dinamikë qendërikëse, kjo pakicë zhvilloi strukturat e veta ushtarake – UÇPMB – dhe e vuri në një sprovë të vështirë pushtetin qëndror të Kushtunicës, me shpresë se do të tërhiqte vështrimin e fuqive të mëdha mbi kushtet e saj si pakicë e braktisur në mëshirën e serbëve.

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, October 21, 2007

Identitetet e krasitura të pakicave

Me ato 5 ose 6% të pakicave kombëtare ose etnike mbi territorin e saj, Shqipëria është një rast pothuaj i veçantë në gjirin e bashkësisë ballkanike, e njohur për shkapërderdhjet e përgjakura të natyrës etnike. Kjo shpjegohet në rradhë të parë për arsye historike, të lidhura me krijimin e Shtetit shqiptar.
Antari më i ri i familjes rajonale, i lindur në vigjiljen e luftës së Parë Botërore, vendit ju desh të pranonte zgjidhjet territoriale që përputheshin më tepër me lakmitë e fqinjëve grabitqarë se sa me dëshirat e shqiptarëve. Rezultati s’ka nevojë për koment : kufijtë u vendosën në brendësi të zonës së populluar nga etnia shqiptare, gjë e cila e zvogëloi së tepërmi mundësinë e përfshirjes të popullsive të huaja në strukturën kombëtare. Megjithatë, duke parë përzierjen e pandashme dhe karakteristike ballkanike, Shtetit të ri shqiptar ju desh të pranonte disa dhjetra mijra grekë, disa mijra maqedonas, disa qindra malazezë dhe një numër të papërcaktuar vllehësh ose romësh (disa mijra ose dhjetra mijra shpirtra për sejcilën nga këto bashkësi ?) – në fund të fundit gati hiçgjë në krahasim me ata qindra mijra shqiptarë të detyruar të mbeten jashtë kufijve.
Sipas shkallës së nguljes dhe lidhjeve me vendet e tyre të origjinës, dallohen pakicat kombëtare - të përqëndruara (grekë, maqedonas dhe malazezë) dhe pakicat etnike - të shpërndara (vllehë dhe romë, çifutë dhe armenianë).Pakica greke, më e dendura dhe më e organizuara e vendit, ka rrënjë të vjetra për të mos thënë të lashta, në krahinat jugore të vendit – rrethet e Gjirokastrës, të Delvinës dhe të Sarandës, ndërkohë që grupime pak a shumë homogjene të greqishtfolësve jetojnë në rrethqarkun kufitar jugor sikundër dhe në bregdetin jonian (Himarë). Në emër të kësaj pakice, Greqia ka kërkuar gjithmonë të drejtat e saj territoriale mbi një zonë të gjerë jugore të Shqipërisë – Epiri i Veriut – që të nesërmen e shpalljes së pavarësisë së vendit. Megjithë vendosjen përfudimtare të kufijve jugorë në vitin 1914 dhe korrigjimeve të fundit të vitit 1923, Shteti helen nuk ka rreshtur të kërkojë « gjënë » e vet, pa dyshim i nxitur nga dobësia kronike e fqinjit të tij verior. Kjo ka shkaktuar një tension të vazhdueshëm në marrëdhëniet reciproke dhe ka shtyrë në mënyrë të pashmangshme autoritetet e Tiranës të ndëshkojnë pakicën greke. Sa individë përmbledh në gjirin e vet kjo pakicë ? Vlerësimet kanë qenë gjithmonë kontradiktore : në vitin 1922, një anketë e udhëhequr nga Lidhja e Kombeve vlerësoi se greqishtfolësit e Shqipërisë ishin 22.500 vetë (1). Në vitin 1989, burimet zyrtare shqiptare raportonin shifrën prej 59.000, ose 2% të popullsisë së përgjithshme(2). Pa asnjë hezitim, qarqet epirote të Athinës u përgjigjën që këto shifra janë të falsifikuara, pasi sipas vlerësimeve të tyre, Shqipëria strehonte 400.000 grekë për të mos thënë edhe më tepër, pra 12% të popullsisë. Në rolin e arbitrit, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës avancoi « me maturi » shifrën prej 266.000 vetë, ose 8% të popullsisë. Nëpërmjet këtyre shifrave, çdokush do të komentonte a priori se qeveria shqiptare minimizonte prezencën e pakicës greke në territorin e vet, se qarqet shoviniste greke kërkonin të mbifrynin efektivat për të mbështetur sa më mirë kërkesat e tyre territoriale mbi shtetin fqinjë dhe se amerikanët të çinteresuar, mbeteshin me siguri objektivë.
Kush duhej besuar ? Një diktaturë komuniste që mbretëronte nëpërmjet terrorit politik, një demokraci evropiane ende belbëzuese që mundohet të mbrojë pakicën e vet kombëtare të përbuzur apo vendi i parë demokratik i botës që mbronte me këmbëngulje të drejtat e njeriut ? Sidoqoftë, « fajtori » dukej nga larg : bëhej fjalë për më të çinteresuarin dhe më asnjanësin Lidhje të Kombeve, pasi ishte e pamundur që brenda 67 vjetësh popullsia grekofolëse e Shqipërisë të ishte shumëfishuar me 17,8 herë siç pretendonte Athina ose qoftë dhe 11,8 herë siç pretendonte Uashingtoni. Në ketë rast, Tirana dilte me ndërgjegje të qetë pasi sipas saj, rritja e pakicës greke mbetej brenda kufijve të rritjes së popullsisë së përgjithshme të vendit (2,65 herë përkundrejt 2.80 herë për atë shqiptare brenda të njejtës periudhe). Mënyra më e mirë për të zbuluar të vërtetën është kqyrja nga afër e kësaj pakice greke. Është e vërtetë se që prej vitesh, ajo kish pësuar shtrëngesa dhe ndalesa të ndryshme të të drejtave të saj fetare, gjuhësore dhe kulturore, Më e keqja ishte se ajo nuk mund të komunikonte me botën helenike, që mbetej dy hapa më tej kufirit, që ajo nuk mund të rigjenerohej në kulturën e stërgjyshërve. Megjithatë, ajo mund të shprehej lirshëm në mjediset shtëpijake dhe private si edhe publikisht në gjuhën e vet të origjinës, ajo zotëronte shkollat e saj fillore si edhe disa botime në gjuhën greke, një degë të formimit të mësuesve gjithmonë në këtë gjuhë, përfaquesit e saj uleshin në instancat më të larta politike të vendit. Ç’ishte më interesantja, ajo gëzonte njohjen e egzistencës së vet. A nuk ishin pajisur antarët e kësaj pakice me letërnjoftime që vërtetonin kombësinë greke paralelisht me nënshtetësinë e tyre shqiptare ? Asnjë nga këto elementë nuk ishte i mjaftueshëm për Athinën, sipas të cilës fqinji i saj përpiqej të mohonte identitetin shpirtëror të pakicës greke. Elementi kryesor që mbështeste këtë tezë ishte fushata antifetare e Shtetit shqiptar, e filluar në vitin 1967, e kqyrur para së gjithash si një ndërhyrje voluntariste që synonte njëkohësisht edhe fshirjen e identitetit kombëtar. Në këtë mënyrë kemi prekur edhe rrënjët e problemit. Përveç faktit të vënies ballëpërballë të dy sistemeve shoqërore antagoniste, çështja e pakicës greke zbulon kontradiktën mes dy konceptimeve kombëtare konkurruese, dy opinioneve kulturore të kundërta, dy mënyrave të ndyshme të leximit të historisë. - E para – ajo komuniste shqiptare – shpërngul diferencat (gjuhë, kulturë) në sferën private ndërkohë që sfera publike i rezervohet shprehjes politike konformiste, e përveçme për një shoqëri të uniformizuar dhe të brigadëzuar nga një ideologji mbizotëruese. Kjo skemë e përjashton fenë ; së pari, pasi historia i ka lënë si trashëgim një tufë fesh që çfaqen si faktorë përçarës të shoqërisë dhe së dyti, pasi që ideologjia marksiste nuk mund të tolerojë një « ideologji » konkurruese. Nën këtë optikë, një pakicë kombëtare s’është gjë tjetër veçse një kompozante shoqërore si të tjerat : të gjitha së bashku, ato pjesëmarrin në projektet shtetërore të ndërtimit të socializmit, pësojnë shtrëngimet dhe vuajnë pasojat. Pak i interesonte diktaturës së proletariatit nëqoftëse kundërshtarët e saj ishin shqiptarë të rracës të pastër ose antarë të pakicës greke. Përsa i përket shkollave në gjuhën greke ose shënimit të « kombësisë greke » mbi letrën e njoftimit, rregjimi i Hoxhës s’kish shpikur asgjë të re : ai veçse ndiqte një traditë të vendosur në kohën e monarkisë zogolliane, të aprovuar nga vendimet e Lidhjes së Kombeve si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rreth viteve tridhjetë. Në këtë rregjistër të fundit, Hoxha bënte edhe më pak se pararendësi i tij i shquar pasi, asnjëherë ai nuk guxoi të ngrinte çështjen e pakicave kombëtare shqitare që jetonin në tokën greke. Duke zgjedhur një taktikë mbrojtjeje, ai vuante pasojat shkatëruese të një propagande tepër aktive e cila asgjësonte edhe ato pak përpjekje të ndërmarra në drejtim të pakicës helene. - Praktika e dytë, ajo demokratike greke, niset nga principi i pandryshueshëm i asaj padrejtësie të madhe që i ish bërë vendit dhe kombit helen nëpërmjet shkëputjes së Vorio Epirit nga trungu amë si edhe dhënies së tij Shqipërisë, në mënyrë krejt arbitrare. I shpallur publikisht në sheshin publik ose i diskutuar me zë të ulët në mjediset politike, ky mendim përshkon në mënyrë të vazhdueshme të gjitha iniciativat politikë të ndërmarra nga Athina. Me fjalë të tjera, Greqia nuk sheh një pakicë greke të instaluar tek fqinji por një vazhdimësi natyrore të « popullsisë së vet », e cila jeton « në territoret e saj » dhe që legjitimon vetëm nëpërmjet egzistencës së vet, pretendimet territoriale greke mbi jugun e vendit shqiptar. Subjekti i dytë i grindjes mbetet feja. Në mënyrë tradicionale, Greqia konsideron se mes shtetësisë dhe fesë egziston një adekuacion i përsosur. E thënë ndryshe, çdo besimtar aktiv i ritit ortodoks – bile edhe ata pasivët ose thjesht çdo subjekt që mban një emër me tingëllime fetare ortodokse – është me origjinë greke. Hapi tjetër i menjëhershëm, është zgjerimi i këtij koncepti mbi territorin e banimit të ortodoksëve që në mënyrë krejt të natyrshme i bie të jetë pjesë e territorit grek Kjo mënyrë të menduari përmban komoditetin e trefishtë të përfitimit të mbështetjes së pushtetit shpirtëror të Kishës si vektor nacionalist, të konsiderimit të të gjithë ortodoksëve shqiptarë sikur janë grekë të rrënjës dhe së fundi, të përjashtimit të të gjithë mmyslimanëve të Greqisë si jo-grekë. Ja përse demokracisë helene i mungojnë pakica të qenësishme kombëtare në territorin e vet, sikundër të gjitha vendet e tjera ballkanike, ndërkohë që ajo hidhet në kërkim të fëmijëve të saj të humbur në territoret fqinjë. Në qoftëse ju kthehemi së fundi dëshmive të përfaqsuesve të vetë kësaj pakice në Shqipëri, para së gjithash kuptohet se ata janë burra dhe gra si të gjithë të tjerët, të ngecur keq mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mes tyre ka patur dhe vazhdon të ketë besimtarë, integristë të kalendarit të vjetër dhe ateistë ; monarkistë, republikanë dhe komunistë ; ish-partizanë antifashistë, indiferentë dhe kolaboracionistë, agjentë të Asfalias greke dhe spiunë të Sigurimit shqiptar. Rradhët e tyre janë shtuar me kundërshtarët e diktaturës së Metaksasë, me të shpëtuarit e luftës civile të 1946 – 1949. Jemi tepër larg atij bllokut homogjen të përshkruar nga Athina zyrtare, të asaj tufe dhensh të përhumbur që tërhiqej me zor në kasaphanën e Hoxhës. Kjo bashkësi jetoi të gjitha peripecitë e ndërtimit të shoqërisë së re komuniste ; ajo pati viktimat dhe heronjtë e saj, të internuarit në kampet e punës dhe vullnetarët e saj në kantieret e vendit. Ajo furnizoi teknikë dhe inxhinierë të panumërt, profesorë dhe letrarë, ushtarakë dhe politikanë të cilët i shërbyen rregjimit, pa mohuar as origjinën as edhe gjuhën e tyre amtare. Nuk është i rastit fakti që, jashtë asaj zone që grupon disa dhjetra apo qindra fshatra pranë kufirit, qyteti që numëronte përqëndrimin më të madh të grekofolësve ishte Tirana, kryeqyteti i vendit. Pas rrëzimit të komunizmit, minoritarët grekë u rishëndrruan në pronarë të tokave të tyre dhe mundën të hapin kishat me ndihmën e Greqisë. Ata mundën gjithashtu të shkelnin tokën e të parëve për të rigjetur familjet dhe të afërmit e tyre, ose thjesht për të punuar – me shpresë për t’u pasuruar. Si rrjedhim, ata mundën të zbulojnë edhe faqen tjetër të medaljes : që ata mbeten grekë të vërtetë vetëm atëhere kur rrijnë në Shqipëri pasi, me të shkelur në tokën greke, ata janë thjesht rrefugjatë të ardhur nga përtej kufirit.
Pakica e dytë e vendit është ajo maqedone që banon në një dyzenë fshatrash të vogla rreth e qark liqenit të Prespës së Vogël, mes rrethit të Korçës dhe të Devollit, sikundër dhe pranë qytetit të Peshkopisë, më në veri. Zona e parë i përgjigjet një rripi territori të lëshuar nga Shteti grek në vitin 1922, në vijim të një vendimi të marrë nga Konferenca e Ambasadorëve, pas ripërcaktimit të kufijve shqiptarë ndërkohë që zona e dytë është përzgjatimi natyror popullsisë sllavofolëse të Gorës, aktualisht e përfshirë në Kosovë. Kjo gjë shpjegon njëkohësisht edhe përkatësinë fetare të këtyre popullatave : maqedonët e Korçës janë ortodoksë ndërkohë që goranët e Gollobordës janë myslimanë. Burimet zyrtare shqiptare përmendin rreth 5.000 vetë me origjinë maqedone (3), të shpërndarë mes Prespës dhe Dibrës. Nga ana tjetër e kufirit, autoritetet e Shkupit duke ju referuar burimeve evropiane të paidentifikuara, avancojnë shifrën prej 30.000 vetësh – një vlerësim gjithmonë indirekt. Kohët e fundit, përfaqsuesit e shoqatave maqedone në vend, gjithmonë duke pranuar që shteti shqiptar ofron shumë më tepër në lidhje me ligjin se fqinjët e tyre grekë ose bullgarë, vërejnë me keqardhje që ky shtet e ka kufizuar njohjen e kësaj pakice në zonat e ngushta të Prespës. Duke i bërë jehonë qëndrimeve të qeverisë maqedone dhe deklaratave të Kryeministrit nacionalist Gjeorgjevski, ata nuk hezitojnë të afirmojnë zyrtarisht që mbi territorin shqiptar jetojnë rreth 350.000 maqedonë etnikë, nga të cilët 20.000 vetëm në qytetin e Tiranës dhe dhjetra mijra të tjerë në Korçë, në Elbasan dhe gjetkë. Në mënyrë të çuditshme, këto deklarata pak të skrupullta ngjajnë me ato të mjediseve vorio-epirote dhe kanë një qëllim të vetëm : t’u kthejnë kusurin kërkesave të popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Së fundi disa qindra vetë me origjinë malazeze ose serbe jetojnë ende në qytetin e Shkodrës dhe në Vrakë, mbi brigjet e liqenit, fare pranë Malit të Zi. Numri i tyre është reduktuar së tepërmi pas riatdhesimit të një numri antarësh të kësaj pakice në Jugosllavi, që në fillim të viteve 90.
Mes atyre pakicave të ashtuquajtura të shpërndara, me e shumta në numër dhe më e integruara në jetën e vendit është ajo arumune ose vllehe, e afërt me rumunët e sotëm. E gjendur të paktën prej katër shekujsh në këtë pjesë të Ballkanit, kjo popullsi e vjetër gjysëm-shtegëtare e cila dikur jetonte nëpërmjet blegtorisë, është sedentarizuar në një shkallë të tillë saqë aktualisht është shëndrruar në pjesë integruese të popullsisë vendase. Sidoqoftë, asaj asnjëherë nuk i kanë munguar referencat kulturore ose gjuhësore dhe aq më pak, ato historike. Mjafton të përmendet vendimi i Portës së Lartë në vitin 1905 që zyrtarizonte njohjen e miletit arumun ; të kujtohen ata burrat e biznesit, të penës ose të shkencës arumunë, ata « qytetarë të përsosur të Ballkanit, të aftë të ruanin kulturën e tyre pa patur nevojë t’i bënin thirrje as luftës as edhe politikës, as dhunës as edhe pandershmërisë » (4). Sa arumunë-vllehë jetojnë sot në territorin e Shqipërisë ? Askush nuk është të gjendje të përgjigjet me saktësi. Megjithatë, dëshmi të hershme të dala nga mjedisi arumun pohojnë se bashkësia vllehe e Shqipërisë është e dyta në Ballkan nga numri i antarëve të saj dhe që ky numër i afrohet 100.000 vetësh. Të tjerë hedhin hipoteza që ky numër është edhe më i madh : mes atyre që nuk e dinë as vetë se i përkasin kësaj bashkësie dhe atyre të tjerëve që nuk marrin vesh asnjë fjalë në gjuhën arumune ose çobançe, numri i përgjithshëm duhet të jetë rreth 200.000 vetë (5). Vllehët – ose çobenjtë sipas llagapit lokal – gjenden të përqëndruar kryesisht në jugun e vendit : në një zonë të gjerë që shkon nga Pogradeci deri në Ersekë – duke kaluar nga Korça, nga Përmeti në Sarandë – duke i rënë qark Gjiokastrës, sikundër dhe në një zonë të gjerë bregdetare që shkon nga Vlora në Durrës – duka kaluar nëpër Fier, Lushnje dhe sigurisht, në të paevitueshmen Tiranë. Për shkak të besimit të tyre fetar ortodoks dhe zonës së shpërndarjes që i prek kufirin me Greqinë, Athina zyrtare i numëron në rradhët e grekëve ndërkohë që për autoritetet shqiptare, problemi vlleh asnjëherë nuk ka egzistuar si i tillë. Arumunët janë quajtur thjesht qytetarë shqiptarë të kombësisë shqiptare, pavarësisht atë « hobby-n » e tyre për të folur herë pas here një gjuhë tjetër, e cila ngjan në mënyrë të çuditshme me rumanishten. Duhet thënë se në fushën e pakicave kombëtare ose etnike, politika e autoriteteve shqiptare ka ndjekur domosdoshmërisht praktikën marksiste (6). Egzistenca e të tilla pakicave është e parashikueshme vetëm në qoftëse bëhet fjalë për elementë të kombit, të cilët deklarojnë se i përkasin një bashkësie gjuhe dhe kulture të ndryshme dhe të dallueshme, bashkësi e cila tregon të gjitha karakteristikat e një grupi mjaft homogjen dhe të paneglizhueshëm nga ana numerike. Për më tepër, kjo bashkësi duhet të tregojë lidhje të qenësishme me një territor të « vetin », që gjendet në afërsi me një Shtet fqinjë, popullsia e të cilit tregon karakteristika të përbashkëta si dhe lidhje me këtë bashkësinë tonë. Në këtë mënyre, grekët e Shqipërisë krijojnë një pakicë kombëtare ; po ashtu dhe maqedonët. Nuk është rasti i arumunëve-vllehë të cilët nuk kishin as homogjenitetin e kërkuar, as një gjuhë standarde, aq më pak një lidhje të çfarëdoshme me një vend fqinjë (7). Vetëm pas shembjes së sistemit totalitar, arumunët mundën të organizohen në shoqatat e para të natyrës kulturore, nën emrin e një identiteti arumun.Shteti pas-komunist shqiptar i njohu përfundimisht si një pakicë të përveçme dhe të dallueshme ndërkohë që Rumania « amë », në një hov të vërtetë patriotizmi, ju premtoi bursa studimesh nga arka e Shtetit rumun, me kusht që të vinin në dukje origjinën e tyre vllehe. E konsideruar nga autoritetet e Tiranës si një iniciativë në kufijtë e ndërhyrjes në punët e brendshme, kjo lloj politike u braktis shumë shpejt. Megjithatë, ajo çka ju mungon në mënyrë mizore vllehëve është pikërisht ky identitet : ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre e përcaktojnë vehten si shqiptarë me referenca arumune, pjesa tjetër heziton mes arumun pro-grek dhe arumun pro-rumun. Diferenca mes tyre përcaktohet nga fakti se të parët kanë zgjedhur Greqinë për të punuar ndërkohë që të dytët kanë preferuar Rumaninë si vend studimi për fëmijët e tyre.
Pakica më e injoruar dhe më e shpërndarë është pa dyshim ajo e romëve. Ajo jeton mbi tokën shqiptare që prej shekujsh, ndërkohë që dëshmitë e para vijnë nga shekulli i XVtë. Të njohur nën një varg emrash të ndryshëm, shpesh përbuzës (gabel, magjyp, arixhi, kurbat, katal apo dhe qifto), kjo pakicë është instaluar në periferi të qyteteve të mëdha si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër ose Korçë, shpesh në lagje të jashtme të veçanta, sikundër dhe ne një varg fshatrash të fushës së Myzeqesë ose të Beratit. Romët shqiptarë grupohen një gjirin e katër tribuve kryesore : Meçkarët, Kabuzitë, Kurtofët dhe Cergarët (8), nën këtë emrin e fundit fshihen në të vërtetë dy tribu diferente : “Shkodranët” dhe “Besaqe Roma”. Njëkohësisht, në territorin shqiptar jeton një grup tjetër njerëzor, i afërt me romët, jevgjit, të cilët ndajnë me të parët një fat të përbashkët dhe një përbuzje pothuaj të njejtë – megjithëse ky grup i dytë refuzon me këmbëngulje të identifikohet me të parin. Sipas specialistëve, në këtë rast bëhet fjalë për individë me origjinë egjyptiane, bile dhe kopte, të ardhur në Ballkan që prej shekujve të parë të epokës sonë. Çka mbetet tepër e vështirë, eshtë shifrimi i këtyre pakicave. Sidoqoftë, sipas vlerësimeve të sotme numri i përgjitshëm i tyre luhatet nga 10.000 deri në 150.000 vetë (9). Gjatë egzistencës së tyre të gjatë mbi tokën shqiptare, romët kanë mundur të realizojnë një bashkëjetesë përgjithësisht të qetë dhe paqsore me grupet e tjera etnike ose me popullsinë vendase dhe s’kanë pësuar persekutime masive ose të programuara për shkak të origjinës së tyre. Ata janë lënë mënjanë edhe gjatë viteve të luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që të ngjashmit e tyre kërkoheshin gjithandej në Evropë dhe dërgoheshin në kampet naziste të çfarosjes. Romët nuk janë njohur asnjëherë si pakicë etnike gjatë rregjistrimeve të popullsisë. Vetëm duke filluar nga viti 1989 dhe me kërkesën e tyre, një pjesë e popullsisë rome u rregjistrua në atë kategorinë e ashtuquajtur « të tjerë », në listën e kombësive të gjendura mbi territorin kombëtar. Aktualisht, romët janë një pakicë ligjërisht e njohur, megjithëse kjo njohje nuk ka asnjë karakter publik. Ata vuajnë ende nga një « defiçit imazhi », të farkëtuar nëpërmjet kohës, ku mosbesimi shpesh i le vendin përbuzjes, ndërkohë që shkalla e dobët e shoqërizimit të tyre shërben si shkas për t’i përjashtuar edhe më tepër nga shoqëria. Përfundimisht, më e tërhequra nga pakicat është ajo çifute, e lashtë prej disa shekujsh dhe e përbërë nga disa qindra vetë, të përqëndruar sa në Tiranë aq edhe në Vlorë. Tejet e matur, ajo mundi të mbijetojë gjatë viteve të pushtimit fashist dhe nazist të vendit dhe më pas, të shkrihet në masën njerëzore të periudhës komuniste. Mes viteve 1991 dhe 1992, pothuaj e gjithë kjo bashkësi morri rrugën e Izraelit, duke ndjekur thirrjen e Shtetit Hebre, sigurisht edhe me bekimin e autoriteteve lokale.
Pas kësaj paraqitjeje të gjatë të gjendjes së pakicave kombëtare ose etnike mbi territorin shqiptar, nën dritën e deklaratave të përfaqsuesve të vetë pakicave, ajo shifra prej 5 ose 6% e dhënë prej autoriteteve shqiptare paraqitet fort e dyshimtë, për të mos thënë e falsifikuar. Mjafton të aplikosh aritmetikën e thjeshtë ! Në rastin më të keq, bëhet fjalë për 400.000 grekë për të mos thënë më shumë, për 350.000 maqedonë, për 200.000 vllehë dhe për 150.000 romë dhe të tjerë jevgj – pa llogaritur disa mijra të tjerë që i përkasin pakicave të parëndësishme : në total, 1.100.000 vetë të këtij vendi të shtrenjtë, pra një e treta e popullsisë. Përveç gjysmës së romëve, që të gjithë të tjerët janë të besimit ortodoks dhe jetojnë në pjesën jugore të vendit. Ç’duhet bërë me atë shifrën 20% të ortodoksëve që del në mënyrë të pagabueshme, sa herë që flitet për këtë vend ? Në qoftë se besojmë pakicat – si dhe ata që shpesh fshihen pas tyre - a egziston dikush në territorin e Shqipërisë që të jetë njëkohësisht edhe shqiptar « i pastër » edhe ortodoks ? Sidoqoftë, na mbetet të lumturohemi që të paktën turqit nuk kanë hyrë në këtë valle nën emrin e ndonjë identiteti të çfarëdoshëm mysliman, pasi do të na duhej të pajiseshim me një kandile – nën shembullin e cinikut Diogjen – me qëllim që të mund të kërkonim shqiptarin !
Vështrimi i fundit i takon kuadrit të pashmangshëm analitik të pjesëmarrjes së pakicave kombëtare në lojën e pushtetit politik. Tashmë pranohet si një postulat se suksesi i komunistëve pranë popullsisë lokale jugore gjatë viteve të luftës së Dytë ka qenë favorizuar falë pjesëmarrjes masive të pakicave në rradhët e rezistencës së armatosur. Ishte rasti i arumunëve, i maqedonëve sikundër dhe i grekëve të cilën jo vetëm sollën mbështetjen e tyre por dhanë njëkohësisht edhe elementët më të mirë. Mjafton të kqyret përbërja e udhëheqjes së PKSH gjatë luftës : një Koçi Xoxe i ardhur nga Negovani pranë Follorinës - me origjinë maqedone, një Nako Spiru nga Durrësi me prindër vllehë ose dhe i një Spiro Koleke, i zbritur nga Himara me namin greke. Tradita ripërtëritet nga PPSH pas luftës : në vend të Xoxes që përfundoi në litar ose të Spirut që preferoi plumbin e kobures së vet, të tjerë të rinj arumunë dhe maqedonë ngjisin shkallët– në krah të një Koleke që duket i përjetshëm. Eshtë fakt se një e katërta, bile dhe një e treta e Byrosë Politike përbëhet nga minoritarët – sigurisht për shkak të mizorisë së tyre të veçantë, aq të vlerësuar nga komunistët shqiptarë, me të cilën trajtohej populli – të paktën kështu mendojnë vëzhguesit(10). Ky lloj terreni paraqitet fort i rrëshqitshëm pasi, përveç kësaj ndjenjë antikomuniste të thellë dhe natyrore – thuaj të lindur – të shprehur me aq bindje nga një përfaqsues i shquar i letërsisë kombëtare, egziston edhe një farë tradite që tejkalon thyerjen politike dhe konsideratat ideologjike. Edhe sikur të jetë harruar që një nga pionierët e « Rilindjes Kombëtare » ishte Naum Veqilharxhi-Bredhi, që autori i hymnit kombëtar ishte Asdreni (Aleksandër Stavre Drenova) dhe që në fund Fan Noli (Imzoti Theofan), në kohën e vet kryepeshkop i Kishës autoqefale shqiptare dhe më pas Kryeministër disamujor, që të gjithë ishin më tepër çobenj se sa shqiptarë, mjafton të kqyret edhe përciptas realiteti pas-komunist. A mund të përdoret kriteri i « mizorisë së veçantë » për të interpretuar faktin që një ish-Kryeministër si Nano që vjen nga një mjedis i greqizuar zëvendëson një tjetër ish-Kryeministër Majko që s’mund të fshehë referencat e tij vllehe, ndërkohë që si njëri dhe tjetri marrin bekimin e një Presidenti si Mojsiu – gjithashtu arumun « i pastër » ?
(1)James PETTIFER – Greek Minority in Albania in the Aftermath of Communism – ose: PETTIFER: A New Ruling Elite ?, Conflict Studies Research Centre, G 97, July 2001. (2) Mbi këtë çështje sikundër dhe mbi pakicat e tjera kombëtare në territorin e Shqipërisë, opinioni i sotëm i Shtetit shqiptar është shprehur në: United Nations (International Convention for the Elimination of all Forms of Racial Discrimination CERD) - – Repports Submited by States Parties Under Article 9 of the Convention – Addendum Albania : CERD/C/397/Add.1, march 2003. (3) Shih : RAPPORT soumis par l’Albanie au Conseil d’Europe conformément à la Convention - Cadre pour la Protection des Minorités Nationales – juillet 2001. (4) David BINDER – Vlachs : a Paceful Balkan Peuple, Mediterranean Quarterly, 15. 4, 2004. (5) Stephanie SIEVERS – SCHWANDNER – The Albanian Aromanians’ Awakening :Identity Politics and Conflicts in Post-Communist Albania, European Center for Minority Issues, ECMI Working Paper nr. 3, March 1999. (6) Për shkak të natyrës së saj delikate, çështja e pakicave kombëtare ose etnike asnjëherë nuk është shëndrruar në debat publik. Pikpamja e komunistëve shqiptarë lidhur me këtë çështje ka qenë frymëzuar nga tezat staliniane, të shtjelluara në veprën e njohur « Marksiszmi dhe çështja kombëtare » ku pakicat konsiderohen si vazhdimësi të popullatave kombëtare që jetojnë në vendet fqinje. Kjoi gjë korrespondon gjithashtu me praktikën jugosllave të narodnost – kombësi, sipas të cilës shqiptarët e Kosovës sikundër dhe hungarezët e Vojvodinës nuk mund të konsideroheshin si popuj përbërës të Federatës, sigurisht për shkak të lidhjeve me Shtetet fqinjë, emanacion i të cilëve ata ishin. (7) Kjo nuancë në shprehjet pakicë kombëtare dhe pakicë etnike është fshirë nga Evropa e cila, sidoqoftë, ka hequr keq për të gjetur një përkufizim të vërtetë ndaj shprehjes përmbledhëse. Megjithë fatin që tashmë përdoret një koncept i vetëm në dokumentat e ndryshëm zyrtarë dhe në mënyrë të veçantë në marrëveshjen-Kornizë të Këshillit të Eropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare (e hapur për nënëshkrim që prej vitit 1995), ajo ende s’ka mundur të gjejë unanimitetin e kërkuar. Sipas Rekomandimit 1201, të adoptuar në 1 shkurt 1993 nga Asambleje Parlamentare e Këshillit të Evropës, shprehja « pakicë kombëtare » përcakton një grup njerëzish brenda një Shteti, antarët e të cilit : a) jetojnë brenda këtij Shteti duke qenë qytetarë të tij ; b) mbajnë lidhje të vjetra, të fuqishme dhe të qëndrueshme me këtë Shtet ; c) paraqesin karakteristika etnike, kulturore, fetare ose gjuhësore specifike ; d) janë mjaftueshmërisht të përfaqësueshëm, gjithmonë duke mbetur një pakicë lidhur me pjesën tjetër të popullsisë së Shtetit ose të një krahine të Shtetit ; e) janë të frymëzuar nga një vullnet për të ruajtur së bashku atë çka përbën identitetin e tyre të përbashkët dhe npë mënyrë të veçantë kulturën e tyre, traditat, fenë ose gjuhën e tyre. (8) Për detaje të tjera lidhur me pakicën rome, shih raportin : Roma of Albania – Minorities of Southeast Europe - Center of documentation and information on minorities in Europe - Southeast Europe në adresën internet : http://www.greekhelsinki.gr/english/reports/CEDIME-Reports-Minorities-in-Albania.html. (9) Në qoftë se romët konsiderohen si pasardhës të tribuve nomade me origjinë nga India, të ardhur nga Azia përpara turqve otomanë, jevgjit konsiderohen si pasardhësit e emigrantëve koptë, të ardhur nga Egjipti në shekullin e katërt. Lidhja kryesore mes këtyre grupeve qëndron në faktin se shqiptari i thjeshtë s’arrin dot t’i diferencojë lehtësisht, duke i quajtur shpesh me të njejtin emër njëjtësor jevgj, i cili në përgjithësi ka një karakter përbuzës. Në të vërtetë, në qoftë se romët arrijnë të shprehen dhe të merren vesh nëpërmjet gjuhës së tyre Romani, e cala njeh një varg dialektesh dhe nën-dialektesh, jevgjit janë vetëm shqipfolës, pasi ju mungon krejtësisht gjuha e tyre e përveçme. Përsa i përket të dhënave demografike lidhur me këto popullsi, në qoftëse universitarët e Merilandit këmbëngulin që ata janë ndërmjet 10.000 dhe 120.000, MRGI (Minority Rights Group International, 1995) e vlerëson numrin e romëve nga 90.000 deri në 100.000 vet, Departamenti i Shtetit i SHBA-së pohon se ata janë 100.000 vetë ndërkohë që burimet rome e vlerësojnë numrin e tyre mes 80.000 dhe 150.000 vetë. Shih mbi këtë subjekt : European Roma Rights Center – No Record of the Case : Roma in Albania. Country Report Series, n° 5, june 1997. (10) Shih : Ismail KADARE - Printemps albanais – Chronique, lettres, réflexions. Ed. Fayard, 1994.

La suite.. - Vazhdimi...

Identitetet e thërmuara krahinore

Tradita ka dashur që shqiptarët etnikë të ndahen në dy grupe kryesorë : Gegët që sipas rregullit të përgjithshëm shtrihen në territoret veriore të vendit sikundër dhe në një pjesën dërmuese të Kosovës dhe Toskët që jetojnë në jug si edhe në një pjesë të Maqedonisë perëndimore. Zona qendrore e vendit, mes lumenjve Erzen dhe Shkumbin, përbën « kufirin » natyror, atë zonë të ndërfutjes dhe të shkrirjes reciproke, banorët e të cilës nuk janë në gjendje të thonë me saktësi kujt kategorie i përkasin.
E njejta traditë na mëson se Gegët ndjekin zakonet e të parëve të tyre dhe respektojnë organizimin e tyre fisnor në një formë më këmbëngulëse se sa bashkëatdhetarët e tyre toskë. E njejta gjë mund të thuhet lidhur me ligjin e tyre zakonor Kanunin. Siç është përmendur edhe më sipër, ky i fundit përbën shprehjen më të pastër dhe më të plotë të marrëdhënieve morale dhe psiko-emotive në fuqi prej shekujsh, kodin që përcakton fillin e jetës ose pragun e vdekjes për pjesën më të madhe të tyre. Antropologët e parë që patën rastin t’i kqyrin në mjedisin e tyre natyror kanë vënë re karakterin asketik të gegës : të izoluar ndaj ndikimeve të huaja dhe të angazhuar në një përleshje të vazhdueshme kundër një natyre të ashpër dhe armiqësore. Robër të dyfishtë – fillimisht në gjirin e strukturave patriarkale të ngurta, dhe më tej në brendësi të fisit ku bëjnë pjesë – ata jetojnë në një vigjilencë të përhershme në banesa të izoluara, kështjella në miniaturë. Me kohë, pena e shkrimtarit ka krijuar një portret unik : këmbëngulës, bile edhe kokëfortë, fort të prekshëm dhe veçanërisht krenarë, gega reflekton imazhin e një luftëtari të palodhur, të ashpër dhe të pamëshirshëm. Mikpritja e gegës është tashmë proverbiale : bujtja e të huajit kalimtar që mbrohet nga besa e bujtësit, i cili ndoshta s’ka gjë tjetër për t’i ofruar veç bukës dhe kripës por që është gati të japë edhe jetën për t’a mbrojtur. Përfundimisht, nga pikpamja fizike gegët përqasen me tipin dinarik shtatlartë (mesatarja e shtatit mbi 1,70 metra) dhe me elemente të shumtë bjondë.
.
Pjesa tjetër e popullatës, toskët, përshkruhen si qenie më të hapura, me komunikues dhe më me imagjinatë se sa gegët. Ndoshta kjo vjen nga fakti që ata kanë vuajtur më pak izolimin gjeografik, thjesht për shkak të kontaktit të gjerë me kulturën e huaj. Megjithatë, jo gjithmonë këto shenja kanë gëzuar vlerësim të lartë të palës tjetër dhe aq më pak janë marrë për patriotizëm të flakët, pasi toskët kqyren si të prirur për bashkëjetesë dhe marrëveshje me të huajt për të mos thënë të pajisur me një shpirt lehtësisht të korruptueshëm nga pikpamja e atdhetarisë. Njëkohësisht, ata imponohen si punëtorë të pashoq, si administratorë të shkathët, pra si materialistë që nuk përtojnë të bredhin rrugët e botës për të fituar jetën. Në këto vise jugore më mikpritëse, strukturat fisnore dhe sistemi klanik ishin zhdukur të paktën qysh prej shekullit të XIXtë. Kështu, njerëzit jetojnë në fshatra, të ndërtuara herë herë në fushë herë herë në mal dhe të drejtuara që prej kohësh nga struktura vetëadministruese të natyrës komunale. Toskët çfaqin karaktere fizike të tipit alpin : brakiocefalë dhe hiperbrakiocefalë brunë me shtat mesatar (1,67 m). Përtej diferencave të strukturave familjare dhe shoqërore sikundër dhe trajektoreve politiko-historike të ndryshme, Gegët dhe Toskët dallohen gjithashtu në rrafshin gjuhësor, të kulturës dhe të çfaqjeve të saj etnografike, të folklorit si dhe të shprehjeve të tij artistike* : Mund të shtojmë gjithashtu se struktura shoqërore (qëndrushmëria më e madhe e strukturave të familjeve të zgjeruara, bile në disa raste edhe e strukturave fisnore në Veri të vendit), besimi fetar (mbizotërimi i myyslimanëve sunitë dhe e të krishterëve katolikë tek Gegët, prezenca e shënuar e myslimanëve bektashi dhe e të krishterëve ortodoksë tek Toskët), ndikimet kulturore (italjane dhe sllave tek Gegët, greke tek Toskët), çekuilibri i flukseve të migracionit përtej kufijve shtetërorë (më i theksuar tek Toskët) dhe së fundi autonomia më e madhe e një pjese të Gegëve përkundrejt administratës perandorake (otomane) kanë ndikuar njëkohësisht për të thelluar tjetërsimin mes Gegësh dhe Toskësh.** Një mënyrë tjetër për të vënë në dukje dallimet rajonale është shkalla e pjesëmarrjes dhe e ndikimit të etnisë mbi fuqinë politike. Që në kohën e tyre, otomanët kishin mundur të bënin diferencën mes elitave të zbutura toske, të gjendura në të gjitha katet e godinës parandorake, dhe kastës së bajraktarëve të paepur gegë, shpesh të pandjeshëm ndaj thirrjeve të Xhihadit islamik.. Që përpara krijimit të çdo shteti shqiptar, edhe i famshmi Skënderbej – një dibran nga Kruja, ndjeu nevojë për forcën e toskëve-lebër dhe u zgjodhi pêr nuse vajzën e Arianitit të madh. Lidhja e Prizrenit, ky simbol i pjekurisë autonomiste shqiptare nuk mund të konceptohet ndryshe përveç atij toskut monumental Abdyl Frashëri mes një deti gegësh dhe kosovarësh. Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, tashmë është pushteti që gjendet në qendër të një gare të pamëshirshme ndërmjet gegëve dhe toskëve, të përvijuar nga një ndryshueshmëri e vazhdueshme : në këtë vit të largët 1912, Ismail Qemalit pashait të Vlorës, ju vodh pushteti nga një pasha tjetër Esad Toptani, kësaj here i Tiranës. Një dhjetëvjeçar më pas, Kryeministri Ahmed Zogolli, me origjinë nga Mati, braktisi gjithçka për shkak të një kryepeshkopi gjysëm toskë – gjysëm vlleh Fan Noli, të cilit gjithashtu ju desh të merrte rrugët për shkak të këmbënguljes së matjanit të shquar, që përfundoi Mbret i shqiptarëve. Pas dyzet vjet pushteti komunist me origjinë gjatë viteve të ashpra të Luftës së dytë, shoku Enver – një toskë i Gjirokastrës, nuk mundi të gjejë kandidat më të përshtatshëm për PPSH-në e tij të dashur se sa Ramiz Alia, një gegë treçerek shkodran një çerek kosovar. Bile edhe demokracisë së re ju desh të respektonte rendin e përhershëm : Presidenti Berisha, me origjinë nga Tropoja në qendër të Gegërisë, i la vendin Fatos Nanos – një toskë i traditës dhe Kryeministër i llojit të vet. Çfarë përfaqson aktualisht kjo skemë drejtuese Gegë – Toskë ? Ç’është e drejta fare pak gjë. Megjithë përputhjen e saj lineare me atë thyerjen e përhershme Veri – Jug, megjithë argumentat e saj të natyrës etnografike, gjuhësore ose kulturore, ajo mbetet një anakronizëm. Kjo mënyrë të lexuari të botës shqiptare e cila sipas gjasave e ka origjinën në shekullin e XVIIItë, u ripunua dhe u stërhollua nga fundi i shekullit të XIXtë për t’u imponuar si « standard » etnosociologjik i deshifrimit të këtij kombi të harruar, për të mos thënë të injoruar prej kohësh. Por dikotomia e dukshme mes këtyre tërësive njerëzore, e forcuar sadopak nga mendimi intelektual dhe artistik që mundohej të shprehej në dialektet përkatëse, morri një goditje serioze me vendosjen e kufijve shtetërorë. Këto vende imagjinare, Gegëri dhe Toskëri që egzistonin më tepër në kokat e njerëzve se sa në terren, u zëvendësuan nga tërësi të tjera, kësaj rradhe të prekshme pasi territoriale : nga njera anë Shteti shqiptar dhe nga ana tjetër, krahina e Kosovës si dhe viset e Maqedonisë perëndimore – të bashkuara me Jugosllavinë, sikundër dhe Çamëria – e gëlltitur nga Greqia. Goditja e dytë po aq e fuqishme erdhi nga ana e qeverive kombëtare shqiptare. Megjithë ato simpatitë e tij natyrore ndaj bajraktarëve të tij besnikë, Mbreti Zog gjithmonë ka preferuar t’i besojë administrimin e vendit bejlerëve toskë ndërkohë që zëvendësonte Kanunin me një varg ligjesh alla evropiane. Komunizmi qe edhe më i pamëshirshëm. Hoxhës dhe shokët e tij me origjinë jugore ju është dashur të fshijnë një herë e mirë gjithçka që rikujtonte rendin e vjetër, për të kryer veprën e tyre madhore – krijimin e Njeriut të Ri. Natyrisht, përveç disa kostumeve folklorike, disa këngë dhe valle popullore, herët a vonë gjithçka tjetër ose përfundoi në kosh – ishte rasti i Kanunit dhe çfaqjeve të tij morale, të baraktarëve dhe të tjerë bejlerë – ose u riciklua dhe u rivu në shijen e kohës. Gjatë kësaj përleshjeje të pabarabartë mes traditës dhe pushtetit, Gegët e kishin humbur davanë para kohe. Asnjeri, dhe ca më pak diktatura komuniste, nuk mund t’i harronte prirjet e tyre monarqike, entusiazmin e tyre të pakët gjatë luftës nacional-çlirimtare sikundër dhe rezistencën e tyre instiktive ndaj çdo strukture shtetërore. Shumë shpejt, pushteti ju kundërvu letërsisë gegë, sigurisht për shkak të letrarëve të saj ende gjallë, që të gjithë katolikë të flakët dhe si rrjedhim antikomunistë të vendosur. Duke humbur në këtë mënyrë shpirtin e saj, variantit gegë të gjuhës ju desh të tërhiqet dhe të rrudhet për t’u katandisur në një dialekt të çfarëdoshëm të të folurit lokal, përpara se të varroset njëherë e mirë si pasojë e një Kongresi të paharruar të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në vitin 1972. Një qindëshe e vogël leksikografësh, gramaticienësh dhe të tjerë filologë të shqipes zgjodhi si normë linguistike variantin tosk të gjuhës, e cila me këtë rast zbulonte dhe normën e saj të adhshme të standardizimit***. I gjymtuar në këtë formë, dualizmi tradicional që kish vulosur historinë e vendit ju besua asaj pjese të historisë që zakonisht ruhej në muze, i zëvendësuar nga një identitet bashkëformues gjerësisht artificial por në përputhje me dëshirën e rregjimit. Sidoqoftë, goditja fatale erdhi nga demografia. Mjafton të ndiqen statistikat : Para Luftës së Dytë botërore, vendi kish njohur veçse dy rregjistrime të popullsisë pak a shumë të plota : i pari, i kryer gjatë vitit 1927, kish mundur të numëronte diçka më pak se një million shqiptare – më saktësisht 833.000 vetë. I dyti, ai i vitit 1939 avancoi shifrën prej 1.200.000 vetësh. Që prej asaj kohe, popullsia ka njohur një rritje të papërmbajtshme me një shkallë rritjeje vjetore demografike prej 2,7% që bie në 1,96% gjatë periudhës 1960 – 1990. Kështu, nëqoftëse që në vitin 1960, vendi kishte 1.626.000 banorë, ata do të jenë 2.430.000 në 1975, 2.761.000 në vitin 1981 dhe përfundimisht 3.335.000 në korrik të vitit 1991****. Me fjalë të tjera, brenda gjashtëdhjetë vjetësh popullsia u katërfishua dhe aktualisht vetëm një pjesë fare e vogël e saj (5 deri 6%) ruan në mendje diçka që rikujton periudhën e para luftës. Në këto kushte, kujtimet mbeten të pafuqishme përballë indoktrinimit të thellë ideologjik sikundër dhe pamundësisë për të ruajtur një kontakt qoftë dhe minimal me atë literaturë origjinale gegë, të vënë në indeks nga rregjimi komunist që në ditët e para të tij. Aktualisht, koncepti Gegë – dhe si rrjedhim ai Toskë – çfaqet si një misticizëm i pakryer. Kjo shkrirje pothuaj e përsosur e Qenies tradicionale me idealin e tij njëjtësues, tashmë të demoduar, mbetet një kimerë dhe vetëm disa shkrimtarë guxojnë t’a reklamojnë ende. Vullnetit të tyre të ndrojtur për të reklamuar përdorimin e gjuhës gegë i duhet të ndeshet me indiferencën e sjellshme të burokratëve ose me falimentimin e plotë të sistemit të arsimit kombëtar. E parë nga ky kend vështrimi, skema jonë drejtuese bën pjesë tashmë në galerinë e imazheve të shenjta – diçka sikundër ikonat e dikurshme të gjyshes, të ndriçuara nga një kandile drithëruese me vaj mbi dollapin e qoshes – paçka se ajo vazhdon herë pas here të ushqejë analizat, mbi të cilat ndërtohet edhe arketipi shqiptar. Çfarë mbetet kështu nga identiteti kolektiv territorial ? Pa asnjë dyshim, nên-kategoritê e ansambleve tê mêdha gegê dhe toskê - identitetet krahinore. Prej kohësh, shqiptari i mesëm preferon të nxjerrë në dukje referencat e tij lokale : krahinên e tij tê origjinês, ose qytetin mê tê afêrt. Ai është në rradhë të parë shqiptar, kosovar ose çam, një këmbë më tutje ai nxitohet t’a quajê vehten lab, dibran ose matjan dhe së fundi ai mburret si tiranas ose vlonjat, korçar ose shkodran – përpara se të kujtohet për burimin e mirëfilltë të fshatit ose të lagjes. Diku në nën-ndërgjegjen e tij, të gjitha origjinat nga më të vjetrat deri në më të rejat përzjehen dhe kryqëzohen për t’i kujtuar që më të qëndrueshmet dhe si pasojë më të vlefshmet janë ato të gjakut – familja e afêrt ose e zgjeruar – dhe të fisit – lidhjet martesore, miqêsitê, aleancat, ose lidhjet e klientelês – tarafet.
* Shih : Rrok ZOJZI – Ndamja krahinore e popullit shqiptar ( la division régionale du peuple albanais), në : Etnografia shqiptare ,V.1, Tiranë 1962. ** Shih : Nathalie CLAYER – Aux origines du nationalisme albanais : la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe. Éd. Carthala, Paris 2007. *** Për të krijuar një ide lidhur me ndërhyrjen e Shtetit totalitar në fushën e gjuhës dhe të kulturës sikundër dhe lidhur me perspektivat e ringjalljes së gjuhës letrare gegë, shih : Arshi PIPA - Géopolitique de la langue albanaise, në : Michel ROUX (nën koord.) - Nations, États et Territoire en Europe de l’Est et en URSS. collection « Pays de l'Est » l’Harmatan 1997 ; ose dhe : Ardian VEHBIU - Standard Albanian and the Gheg Renaissance: A Sociolinguistic Perspective, në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), vol 1, issue 1, fall 1997, N Y. **** Ritmet e shpejta të rregjistrimeve që kanë rifilluar në 1945 (çdo pesë vjet deri në 1960, më tej praktikisht çdo dhjetë vjet) vazhduan deri në 1989. Rregjistrimi i fundit ishte ai i vitit 2001. Mes dy rregjistrimeve të fundit, një varg ngjarjesh ekonomike dhe politike – rënia e komunizmit dhe rrebelimi i 1997 – si dhe fenomemensh demografike – emigracioni i shfrenuar – kanë tronditur thellë procesin natyror të zhvillimit të popullsisë së vendit. Shifrat e fundit zhgënjyen projektimet dhe vlerësimet e Institutit Kombëtar të Statistikës (INSTAT). Sipas këtij të fundit, vendi duhej të numëronte 3.248.836 banorë në vitin 1995 ose përfundimisht 3.368.600 banorë në dhjetor 1998. Por, sipas rezultateve të rregjistrimit të 2001, vendi numëronte vetëm 3.069.275 banorë nga të cilët 10.8% nën pragun e 6 vjeçëve dhe 7.5% mbi atë të 65 veçëve. Përsa i përket shtatëdhjetvjeçarëve dhe më sipër, ata përfaqsojnë vetëm 2.6%.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur